Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dita e Gjykimit nga Perëndia​—Rezultati i saj i gëzueshëm!

Dita e Gjykimit nga Perëndia​—Rezultati i saj i gëzueshëm!

Kapitulli 41

Dita e Gjykimit nga Perëndia​—Rezultati i saj i gëzueshëm!

Vegimi 15​—Zbulesa 20:11–21:8

Subjekti: Ringjallja e përgjithshme, Dita e Gjykimit, bekimet e qiellit të ri dhe tokës së re

Koha e përmbushjes: Mbretërimi Mijëvjeçar

1. (a) Ç’humbi njerëzimi kur Adami dhe Eva mëkatuan? (b) Cili qëllim i Perëndisë nuk ndryshoi dhe si e dimë?

NE NJERËZIT u krijuam që të jetonim përgjithmonë. Sikur t’u ishin bindur urdhrave të Perëndisë, Adami dhe Eva s’do të kishin vdekur kurrë. (Zanafilla 1:28; 2:8, 16, 17; Eklisiastiu 3:10, 11) Por, kur mëkatuan, ata humbën përsosmërinë dhe jetën, për vete dhe për pasardhësit e tyre; vdekja nisi të mbretëronte mbi njerëzimin si një armik i pamëshirshëm. (Romakëve 5:12, 14; 1 Korintasve 15:26) Sidoqoftë, qëllimi i Perëndisë që njerëzit e përsosur të jetojnë përgjithmonë në një tokë parajsore, nuk ndryshoi. Falë dashurisë së tij të madhe për njerëzimin, ai dërgoi në tokën Birin e vet të vetëmlindur, Jezuin, që dha jetën e vet të përsosur njerëzore si shpërblesë për «shumë» pasardhës të Adamit. (Mateu 20:28; Gjoni 3:16) Jezui mund të përdorë tani vlerën ligjore të flijimit të tij që t’u rikthejë njerëzve të bindur jetën e përsosur në një tokë parajsore. (1 Pjetrit 3:18; 1 Gjonit 2:2) Ç’arsye e madhe për ne njerëzit që «të gëzojmë e të ngazëllojmë»!​—Isaia 25:8, 9.

2. Për çfarë foli Gjoni te Zbulesa 20:11 dhe ç’është ‘froni i bardhë e i madh’?

2 Kur Satanai të hidhet në humnerë, do të fillojë Mbretëria e lavdishme Mijëvjeçare e Jezuit. Kjo është dita kur Perëndia «ka si qëllim të gjykojë me drejtësi tokën e banuar nëpërmjet një njeriu që ka emëruar». (Veprat 17:31; 2 Pjetrit 3:8) Gjoni tha: «Pashë një fron të bardhë e të madh, si dhe atë që rri ulur në të. Përpara tij u zhdukën toka e qielli, dhe s’pati më vend për ta.» (Zbulesa 20:11) Ç’është ky ‘fron i bardhë e i madh’? S’është gjë tjetër veçse froni i gjykimit i «Perëndisë, Gjykatësit të të gjithëve». (Hebrenjve 12:23) Ai do ta gjykojë njerëzimin për të parë se kush do të përfitojë nga flijimi shpërblyes i Jezuit.​—Marku 10:45.

3. (a) Ç’tregon fakti se froni i Perëndisë është «i madh» dhe «i bardhë»? (b) Kush do të gjykojë Ditën e Gjykimit dhe mbi ç’bazë?

3 Froni i Perëndisë është «i madh», që thekson madhështinë e Jehovait si Zotëria Sovran, dhe «i bardhë», që tërheq vëmendjen nga drejtësia e tij pa të meta. Ai është Gjykatësi absolut i njerëzimit. (Psalmi 19:7-11; Isaia 33:22; 51:5, 8) Megjithatë ia ka deleguar këtë gjykim Jezu Krishtit: «Ati nuk gjykon njeri, por gjithë gjykimin ia ka lënë në dorë Birit.» (Gjoni 5:22) Bashkë me Jezuin janë edhe 144.000 shoqëruesit e tij, «të cilëve iu dha pushtet për të gjykuar . . . për një mijë vjet». (Zbulesa 20:4) Gjithsesi, se ç’do të ndodhë me çdo individ gjatë Ditës së Gjykimit, kjo do të vendoset në bazë të normave të Jehovait.

4. Në ç’kuptim «u zhdukën toka e qielli»?

4 Në ç’kuptim «u zhdukën toka e qielli»? Ky është i njëjti qiell që u zhduk si një rrotull kur u hap vula e parë: fuqitë sunduese njerëzore që «janë ruajtur për zjarrin dhe po rezervohen për ditën e gjykimit e të shkatërrimit të njerëzve të paperëndishëm». (Zbulesa 6:14; 2 Pjetrit 3:7) Toka është sistemi i organizuar që ekziston nën këtë sundim. (Zbulesa 8:7) Shkatërrimi i bishës, i mbretërve të tokës bashkë me ushtritë e tyre, si dhe i atyre që marrin shenjën e bishës dhe i atyre që adhurojnë shëmbëlltyrën e saj, shënon zhdukjen e këtij qielli e të kësaj toke. (Zbulesa 19:19-21) Pasi të jetë kryer gjykimi mbi tokën dhe qiellin e Satanait, Gjykatësi i Madh do të dekretojë një tjetër Ditë Gjykimi.

Dita mijëvjeçare e Gjykimit

5. Cilët do të kenë mbetur për t’u gjykuar pasi të jenë zhdukur toka dhe qielli i vjetër?

5 Cilët do të kenë mbetur për t’u gjykuar pasi të jenë zhdukur toka dhe qielli i vjetër? Nuk është mbetja e 144.000 të mirosurve, sepse ata janë gjykuar dhe vulosur tashmë. Sikur ndonjë nga të mirosurit të jetë ende gjallë në tokë pas Harmagedonit, ka për të vdekur pak pas kësaj ngjarjeje dhe ka për të marrë shpërblimin qiellor me anë të ringjalljes. (1 Pjetrit 4:17; Zbulesa 7:2-4) Megjithatë, miliona pjesëtarët e shumicës së madhe që do të dalin nga shtrëngimi i madh, do të qëndrojnë në mënyrë të dukshme «para fronit». Këta janë quajtur tashmë të drejtë për të mbijetuar, falë besimit në gjakun e derdhur të Jezuit, mirëpo gjykimi i tyre duhet të vazhdojë përgjatë një mijë vjetëve, teksa Jezui vazhdon t’i drejtojë për te «burimet e ujërave të jetës». Atëherë, pasi të kenë arritur përsosmërinë njerëzore e të jenë sprovuar, ata do të shpallen të drejtë në kuptimin më të plotë. (Zbulesa 7:9, 10, 14, 17) Ngjashëm, edhe fëmijët që mbijetojnë shtrëngimin e madh, si dhe fëmijët që mund të lindin nga shumica e madhe gjatë Mijëvjeçarit, do të kenë nevojë të gjykohen gjatë atij mijëvjeçari.​—Krahaso Zanafillën 1:28; 9:7; 1 Korintasve 7:14.

6. (a) Cilën turmë pa Gjoni dhe ç’tregojnë fjalët «të mëdhenj e të vegjël»? (b) Si do të kthehen pa dyshim ata miliona e miliona njerëz që gjenden në kujtesën e Perëndisë?

6 Megjithatë, Gjoni pa një turmë njerëzish shumë më të madhe se shumica e madhe që do të mbijetojë. Ajo do të përfshijë miliarda njerëz! «Pashë të vdekurit, të mëdhenj e të vegjël, që rrinin para fronit, dhe u hapën rrotullat.» (Zbulesa 20:12a) «Të mëdhenj e të vegjël» përfshijnë njerëz të rëndësishëm e më pak të rëndësishëm që kanë jetuar e kanë vdekur në tokë gjatë 6.000 viteve të shkuara. Në ungjillin që apostulli Gjon shkroi pak pas Zbulesës, Jezui tha për Atin: «Ai i ka dhënë atij [Jezuit] autoritet për të gjykuar, sepse ai është Bir njeriu. Mos u mrekulloni për këtë, sepse po vjen ora, kur të gjithë ata që janë në varre, do ta dëgjojnë zërin e tij dhe do të dalin.» (Gjoni 5:27-29) Ç’projekt i jashtëzakonshëm: të zhbësh të gjitha vdekjet e të zhvleftësosh të gjitha funeralet që janë bërë gjatë historisë! Pa dyshim që ata miliona e miliona njerëz që ndodhen në kujtesën e Perëndisë do të rikthehen gradualisht, në mënyrë që shumica e madhe​—shumë e paktë në krahasim me ta​—të jetë në gjendje të përballojë problemet që mund të lindin ngaqë të ringjallurit fillimisht mund të kenë prirjen të ndjekin mënyrën e vjetër të jetesës, me gjithë dobësitë dhe qëndrimet që mbart ajo.

Cilët do të ringjallen e do të gjykohen?

7, 8. (a) Cila rrotull do të hapet dhe ç’do të ndodhë më pas? (b) Cilët nuk do të ringjallen?

7 Gjoni vazhdoi: «Por u hap edhe një rrotull tjetër; ajo është rrotulla e jetës. Të vdekurit u gjykuan sipas gjërave të shkruara në rrotulla, në përputhje me veprat e tyre. Deti i dorëzoi të vdekurit që gjendeshin në të, vdekja dhe Hadesi i dorëzuan të vdekurit që gjendeshin në ta, dhe ata u gjykuan secili sipas veprave të veta.» (Zbulesa 20:12b, 13) Ç’spektakël që të lë pa frymë! Është e vërtetë që ‘deti, vdekja dhe Hadesi’ kanë secili rolin e vet, mirëpo vëreni se këta terma nuk përjashtojnë njëri-tjetrin. * Kur u gjend në barkun e peshkut, pra në mes të detit, Jonai tha se gjendej në Sheol ose në Hades. (Jonai 2:2) Kushdo që gjendet në kthetrat e vdekjes adamike, ka të ngjarë të jetë edhe në Hades. Këto fjalë profetike japin një siguri të fortë se askush nuk do të lihet pas dore.

8 Natyrisht që një numër i panjohur njerëzish nuk do të ringjallen. Mes tyre do të jenë edhe skribët e farisenjtë e papenduar që s’pranuan Jezuin dhe apostujt, «njeriu [fetar] i paligjshmërisë» dhe të krishterët e mirosur «që janë larguar». (2 Selanikasve 2:3; Hebrenjve 6:4-6; Mateu 23:29-33) Jezui tha se kur të vijë fundi i kësaj bote do të ketë edhe njerëz ngjashëm cjepve, që do të përfundojnë «në zjarrin e përhershëm të përgatitur për Djallin dhe engjëjt e tij», domethënë «në vdekjen e përhershme». (Mateu 25:41, 46) As këta s’do të ringjallen!

9. Si tregoi apostulli Pavël se disa do të kenë favorin e veçantë që të ringjallen dhe cilët përfshihen këtu?

9 Nga ana tjetër, disa të tjerë do të kenë favorin e veçantë që të ringjallen. Apostulli Pavël e tregoi këtë me fjalët: «Kam shpresë te Perëndia . . . se do të ringjallen si të drejtët, edhe të padrejtët.» (Veprat 24:15) Në lidhje me ringjalljen tokësore, «të drejtët» do të përfshijnë burra e gra besnikë të lashtësisë​—Abrahamin, Rahabën e shumë të tjerë​—që u shpallën të drejtë si miq të Perëndisë. (Jakovi 2:21, 23, 25) Në të njëjtin grup janë ata të drejtë nga delet e tjera që kanë vdekur besnikë ndaj Jehovait në ditët tona. Ka të ngjarë që të gjithë këta mbajtës të integritetit të ringjallen në fillim të Mbretërimit Mijëvjeçar të Jezuit. (Jobi 14:13-15; 27:5; Danieli 12:13; Hebrenjve 11:35, 39, 40) S’ka dyshim që këtyre të drejtëve të ringjallur do t’u caktohen privilegje të veçanta për të mbikëqyrur veprën madhështore të rivendosjes në Parajsë.​—Psalmi 45:16; krahaso Isainë 32:1, 16-18; 61:5; 65:21-23.

10. Cilët janë «të padrejtët» ndër ata që do të ringjallen?

10 Mirëpo, cilët janë «të padrejtët» që përmenden te Veprat 24:15? Këtu futen masat e njerëzve që kanë vdekur gjatë historisë, sidomos ata që jetuan gjatë ‘kohëve të padijes’. (Veprat 17:30) Këta do të ringjallen sepse, për shkak të vendit ku lindën apo kohës kur jetuan, nuk patën asnjë mundësi të mësonin t’i bindeshin vullnetit të Jehovait. Nga ana tjetër, disa mund ta kenë dëgjuar mesazhin e shpëtimit, por në atë çast nuk iu përgjigjën atij plotësisht ose vdiqën para se të përparonin derisa të kushtoheshin e pagëzoheshin. Kur të ringjallen, këtyre individëve do t’u duhet të bëjnë ndryshime të tjera në mënyrën e të menduarit e të jetuarit, nëse duan të përfitojnë nga kjo mundësi për të marrë jetën e përhershme.

Rrotulla e jetës

11. (a) Ç’është «rrotulla e jetës» dhe emrat e kujt janë regjistruar aty? (b) Përse rrotulla e jetës do të hapet gjatë Mbretërimit Mijëvjeçar?

11 Gjoni foli për ‘rrotullën e jetës’. Ky është një regjistër me emrat e njerëzve që presin të marrin jetën e përhershme nga Jehovai. Në këtë rrotull gjenden të regjistruar emrat e vëllezërve të mirosur të Jezuit, të shumicës së madhe e të besnikëve të lashtësisë, si për shembull Moisiu. (Dalja 32:32, 33; Danieli 12:1; Zbulesa 3:5) Deri më tani, asnjë nga «të padrejtët» që do të ringjallen nuk e ka emrin të shënuar në rrotullën e jetës. Kështu, rrotulla e jetës do të hapet gjatë Mbretërimit Mijëvjeçar për të bërë të mundur që të shkruhen emrat e individëve të tjerë që kualifikohen. Ata individë, që nuk e kanë emrin të shkruar në këtë rrotull apo libër të jetës, ‘hidhen në liqenin e zjarrit’.​—Zbulesa 20:15; krahaso Hebrenjve 3:19.

12. Ç’gjë do ta përcaktojë nëse emri i një individi do të shkruhet në rrotullën e hapur, dhe cilin shembull lë Gjykatësi që ka emëruar Jehovai?

12 Ç’gjë do ta përcaktojë nëse në atë kohë emri i një individi do të shkruhet në rrotullën e jetës që do të hapet në atë kohë? Faktori kyç do të jetë po ai që ishte në kohën e Adamit dhe Evës: bindja ndaj Jehovait. Shokëve të tij të dashur të besimit apostulli Gjon u shkroi: «Bota po kalon, e po kështu edhe dëshirat e saj, kurse ai që bën vullnetin e Perëndisë, mbetet përgjithmonë.» (1 Gjonit 2:4-7, 17) Për sa i përket bindjes, Gjykatësi që ka vendosur Jehovai na ka lënë shembullin e vet: «Edhe pse [Jezui] ishte Bir, mësoi bindjen nga ato që vuajti dhe, pasi u bë i përsosur, u bë shkak për shpëtimin e përhershëm të të gjithë atyre që i binden.»​—Hebrenjve 5:8, 9.

Hapen rrotulla të tjera

13. Si duhet ta tregojnë bindjen të ringjallurit dhe cilat parime duhet të ndjekin?

13 Si duhet ta tregojnë bindjen këta të ringjallur? Jezui vetë theksoi dy urdhërimet më të mëdha: «I pari është: ‘Dëgjo, o Izrael, Jehovai, Perëndia ynë, është një Jehova, dhe duaje Jehovain, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd, me gjithë mendjen tënde dhe me gjithë forcën tënde.’ I dyti është: ‘Duaje të afërmin tënd si veten.’» (Marku 12:29-31) Ata duhet të ndjekin edhe disa parime mjaft të qarta të Jehovait, si të përbuzin vjedhjen, gënjeshtrën, vrasjen dhe imoralitetin.​—1 Timoteut 1:8-11; Zbulesa 21:8.

14. Cilat rrotulla të tjera hapen dhe ç’përmbajnë ato?

14 Megjithatë, Gjoni përmendi edhe disa rrotulla të tjera që do të hapen gjatë Mbretërimit Mijëvjeçar. (Zbulesa 20:12) Ç’të jenë këto? Gjatë historisë Jehovai ka dhënë udhëzime të veçanta për situata të veçanta. Për shembull, në kohën e Moisiut ai dha një sërë ligjesh të hollësishme që nënkuptonin jetë për izraelitët, po t’u bindeshin. (Ligji i përtërirë 4:40; 32:45-47) Në shekullin e parë u dhanë udhëzime të reja që të ndihmonin besnikët të ndiqnin parimet e Jehovait në kongregacionin krishterë. (Mateu 28:19, 20; Gjoni 13:34; 15:9, 10) Tani, Gjoni tha se të vdekurit do të gjykohen «sipas gjërave të shkruara në rrotulla, në përputhje me veprat e tyre». Pra, është e dukshme se kur të hapen këto rrotulla, do të bëhen të njohura kërkesat e hollësishme të Jehovait për njerëzimin gjatë një mijë vjetëve. Po të zbatojnë në jetën e tyre rregullat dhe urdhërimet e këtyre rrotullave, njerëzit e bindur do të kenë mundësi të kenë ditë të gjata, e të marrin më në fund jetën e përhershme.

15. Cila fushatë arsimimi do të jetë e nevojshme gjatë ringjalljes dhe si ka të ngjarë të kryhet ringjallja?

15 Ç’fushatë e stërmadhe arsimimi teokratik do të nevojitet! Në vitin 2005 Dëshmitarët e Jehovait anembanë botës drejtonin mesatarisht 6.061.534 studime biblike në vende të ndryshme. Mirëpo gjatë ringjalljes do të drejtohen pa dyshim miliona studime, të bazuara te Bibla e te rrotullat e reja! Të gjithë shërbëtorët e Perëndisë do të kenë nevojë të bëhen mësues e t’i shtrohen punës. Teksa përparojnë, edhe të ringjallurit do të kenë patjetër pjesën e tyre në këtë program të gjerë mësimdhënieje. Ka të ngjarë që ringjallja të kryhet në mënyrë të atillë që ata njerëz që janë në jetë të kenë gëzimin të mirëpresin e të mësojnë pjesëtarë të familjes a të njohur që kanë vdekur, të cilët, nga ana e tyre, mund të mirëpresin e të mësojnë të tjerë. (Krahaso 1 Korintasve 15:19-28, 58.) Më shumë se gjashtë milionë Dëshmitarë të Jehovait që sot janë aktivë në përhapjen e së vërtetës, po hedhin një themel të mirë për privilegjet që shpresojnë të kenë gjatë ringjalljes.​—Isaia 50:4; 54:13.

16. (a) Emrat e kujt nuk do të shkruhen në rrotullën ose librin e jetës? (b) Për cilët individë ringjallja do të jetë një ringjallje «jete»?

16 Kur foli për ringjalljen në tokë, Jezui tha se ‘ata që bënë gjëra të mira, do të dalin në një ringjallje jete, ata që praktikuan gjëra të poshtra, në një ringjallje gjykimi’. Këtu «jeta» dhe «gjykimi» janë në kontrast me njëra-tjetrën, dhe kjo tregon se ata të ringjallur që ‘do të praktikojnë gjëra të poshtra’ pasi të mësohen nga Shkrimet e frymëzuara dhe nga rrotullat, do të gjykohen si të padenjë për jetën. Emrat e tyre nuk do të shkruhen në rrotullën apo librin e jetës. (Gjoni 5:29) Kjo do të vlejë edhe për këdo tjetër që më parë ndiqte një rrugë besnike, por që për ndonjë arsye, largohet nga kjo rrugë gjatë Mbretërimit Mijëvjeçar. Emrat mund të fshihen. (Dalja 32:32, 33) Nga ana tjetër, ata që do të ndjekin me bindje gjërat e shkruara në rrotulla, do t’i mbajnë emrat të shkruar në këtë regjistër, në rrotullën e jetës, e do të vazhdojnë të jetojnë. Për ta, ringjallja do të jetë një ringjallje «jete».

Fundi i vdekjes dhe i Hadesit

17. (a) Ç’vepër të mrekullueshme përshkroi Gjoni? (b) Kur do të boshatiset Hadesi? (c) Kur ‘do të hidhet në liqenin e zjarrit’ vdekja adamike?

17 Më pas, Gjoni përshkroi diçka vërtet të mrekullueshme! «Vdekja dhe Hadesi u hodhën në liqenin e zjarrit. Kjo do të thotë vdekja e dytë, liqeni i zjarrit. Veç kësaj, kush nuk u gjend i shkruar në librin e jetës, u hodh në liqenin e zjarrit.» (Zbulesa 20:14, 15) Kur të vijë fundi i Ditës mijëvjeçare të Gjykimit «vdekja dhe Hadesi» do të jenë hequr tërësisht. Përse duhen një mijë vjet për këtë punë? Hadesi, varri i përbashkët i gjithë njerëzimit, do të boshatiset kur të ringjallet edhe individi i fundit që ndodhet në kujtesën e Perëndisë. Mirëpo, për sa kohë që njerëzit të kenë mbi vete njollën e mëkatit të trashëguar, vdekja adamike është ende e pranishme tek ata. Të gjithë ata që do të ringjallen në tokë, si dhe shumica e madhe që do të mbijetojë Harmagedonin, duhet t’u binden gjërave të shkruara në rrotulla, derisa vlera e flijimit të Jezuit të zbatohet në mënyrë të plotë për të hequr sëmundjet, pleqërinë dhe mangësi të tjera të trashëguara. Vetëm atëherë, vdekja adamike, bashkë me Hadesin, ‘do të hidhet në liqenin e zjarrit’. Do të zhduken një herë e mirë!

18. (a) Si e përshkroi apostulli Pavël suksesin e sundimit të Jezuit si Mbret? (b) Ç’do të bëjë Jezui kur familja njerëzore të ketë arritur përsosmërinë? (c) Ç’gjëra të tjera do të ndodhin në fund të një mijë vjetëve?

18 Në këtë mënyrë, do të realizohet programi që përshkroi apostulli Pavël në letrën e tij drejtuar korintasve: «Sepse, ai [Jezui] duhet të mbretërojë derisa Perëndia t’i ketë vënë të gjithë armiqtë nën këmbët e tij. Armiku i fundit që do të asgjësohet, është vdekja [adamike].» Ç’do të ndodhë më pas? «Kur çdo gjë t’i jetë nënshtruar atij, atëherë edhe vetë Biri do t’i nënshtrohet Atij që i nënshtroi çdo gjë.» Me fjalë të tjera, Jezui «do t’ia dorëzojë mbretërinë Perëndisë dhe Atit të tij». (1 Korintasve 15:24-28) Po, pasi të ketë mposhtur vdekjen adamike falë vlerës së flijimit të vet shpërblyes, Jezui do t’i dorëzojë Atit, Jehovait, një familje njerëzore të përsosur. Me sa duket, në këtë kohë, në fund të një mijë vjetëve, Satanai do të zgjidhet dhe do të ketë një sprovë të fundit për të përcaktuar se emrat e kujt do të skaliten në mënyrë të qëndrueshme në rrotullën e jetës. ‘Përpiqu fuqimisht’ që emri yt të jetë mes tyre!​—Luka 13:24; Zbulesa 20:5.

[Shënimi]

^ par. 7 Mes të ringjallurve nga deti nuk do të jenë banorët e korruptuar të tokës që vdiqën në Përmbytjen e ditëve të Noesë; ai shkatërrim ishte përfundimtar, siç do të jetë edhe ekzekutimi i gjykimit të Jehovait në shtrëngimin e madh.​—Mateu 25:41, 46; 2 Pjetrit 3:5-7.

[Pyetjet]

[Figura në faqen 298]

Edhe emrat e ‘të padrejtëve’ të ringjallur që u binden rrotullave të hapura gjatë Mbretërimit Mijëvjeçar, mund të shkruhen në rrotullën e jetës