Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Gjykimi i prostitutës famëkeqe

Gjykimi i prostitutës famëkeqe

Kapitulli 33

Gjykimi i prostitutës famëkeqe

Vegimi 11​—Zbulesa 17:1-18

Subjekti: Babilonia e Madhe rri ulur mbi një bishë me ngjyrë të kuqe të ndezur, që në fund kthehet kundër saj dhe e shkatërron

Koha e përmbushjes: Nga viti 1919 deri në shtrëngimin e madh

1. Çfarë i tregoi Gjonit një nga shtatë engjëjt?

ZEMËRIMI i drejtë i Jehovait, të shtata kupat, duhet të derdhen plotësisht. Derdhja e kupës nga engjëlli i gjashtë atje ku më parë ngrihej Babilonia e lashtë, simbolizonte në mënyrë të përshtatshme goditjen me plagë të Babilonisë së Madhe, ndërsa ngjarjet rrokullisen me shpejtësi drejt luftës përfundimtare të Harmagedonit. (Zbulesa 16:1, 12, 16) Ndoshta i njëjti engjëll më pas zbuloi pse dhe si i ekzekuton Jehovai gjykimet e tij të drejta. Gjoni mbeti pa fjalë nga ajo që pa dhe dëgjoi më pas: «Njëri nga shtatë engjëjt që kishin shtatë kupat, erdhi e më tha: ‘Eja dhe do të të tregoj gjykimin e prostitutës së madhe, që rri ulur mbi shumë ujëra. Me të u kurvëruan mbretërit e tokës, kurse ata që banojnë në tokë, u dehën me verën e kurvërimit të saj.’»​—Zbulesa 17:1, 2.

2. Ç’gjë provon se ‘prostituta e madhe’ (a) nuk është Roma e lashtë? (b) nuk janë bizneset e mëdha? (c) është një institucion fetar?

2 ‘Prostitutë e madhe’! Pse një emër kaq çnderues? Kush është ajo? Disa kanë thënë se kjo «prostitutë» simbolizonte Romën e lashtë. Mirëpo Roma ishte fuqi politike, dhe prostituta kurvërohej me mbretërit e tokës, ku përfshiheshin pa dyshim edhe mbretërit e Romës. Veç kësaj, thuhet se pas shkatërrimit të saj, «mbretërit e tokës» do të vajtonin për të. Pra, ajo s’mund të ishte një fuqi politike. (Zbulesa 18:9, 10) Përderisa për të vajtojnë edhe tregtarët e botës, ajo s’mund të përfaqësojë as bizneset e mëdha. (Zbulesa 18:15, 16) Megjithatë, lexojmë se ‘praktikat e saj spiritiste mashtruan të gjitha kombet’. (Zbulesa 18:23) Kjo e tregon qartë se kjo prostitutë e madhe duhet të jetë një institucion fetar me shtrirje mbarëbotërore.

3. (a) Pse prostituta e madhe duhet të simbolizojë më shumë se vetëm Kishën Katolike të Romës ose edhe tërë krishterimin apostat? (b) Cilat doktrina babilonase gjenden në shumicën e feve të Lindjes dhe në sektet e krishterimit apostat? (c) Çfarë pranoi kardinali Njuman për origjinën e shumë doktrinave, ceremonive dhe praktikave të krishterimit apostat? (Shih shënimin.)

3 Por, cili institucion fetar? Mos është Kisha Katolike e Romës, siç pandehin disa? Apo është fjala për tërë krishterimin apostat? Jo, duhet të jetë diçka edhe më e madhe, përderisa mashtron të gjitha kombet. Në fakt, ajo është tërë perandoria botërore e fesë së rreme. Ajo është pjellë e mistereve të Babilonisë së dikurshme, siç e tregojnë qartë shumë nga doktrinat dhe praktikat babilonase që janë të zakonshme në fe të ndryshme rreth botës. Për shembull, doktrina si pavdekësia e shpirtit, torturat në ferr dhe perënditë në formë triniteti, gjenden në shumicën e feve të Lindjes dhe në sektet e krishterimit apostat. Feja e rreme, që lindi më shumë se 4.000 vjet më parë në qytetin e lashtë të Babilonisë, është zhvilluar dhe është bërë sot përbindëshi që me të drejtë quhet Babilonia e Madhe. * Por, pse i është vënë një emër i pështirë si ‘prostituta e madhe’?

4. (a) Në cilat mënyra u kurvërua Izraeli i lashtë? (b) Në ç’mënyrë të dukshme është kurvëruar Babilonia e Madhe?

4 Babilonia (ose Babeli, që do të thotë «ngatërrim») arriti kulmin e madhështisë së saj në kohën e Nabukodonosorit. Në atë kohë, Babilonia ishte një shtet politiko-fetar, në të cilin numëroheshin më shumë se një mijë tempuj e kishëza dhe ku priftëria kishte pushtet të madh. Por, pavarësisht se fuqia botërore babilonase është zhdukur shumë kohë më parë, Babilonia e Madhe, perandoria e fesë, ka mbijetuar dhe njësoj si modeli i lashtë mundohet ende të ndërhyjë e të ushtrojë ndikim në çështjet politike. Por, a e miraton Perëndia përzierjen e fesë në politikë? Shkrimet Hebraike thonë se kur kombi i Izraelit u përzie me adhurimin e rremë dhe, në vend që të mbështetej te Jehovai lidhi aleanca me kombet e tjera, ai ‘u kurvërua’. (Jeremia 3:6, 8, 9; Ezekieli 16:28-30) Edhe Babilonia e Madhe është kurvëruar. Ajo ka përdorur dukshëm çdo marifet që të ndikojë dhe të ketë pushtet mbi mbretërit e tokës.​—1 Timoteut 4:1.

5. (a) Si u pëlqen klerikëve fetarë të bien në sy? (b) Pse dëshira për të qenë të rëndësishëm në botë bie drejtpërdrejt në kundërshtim me fjalët e Jezu Krishtit?

5 Në ditët tona, nuk ndodh rrallë të shohim klerikë që marrin pjesë nëpër fushata për poste të larta në qeveri. Në disa vende ata përfshihen në qeveri, madje kanë poste në kabinetin qeveritar. Në vitin 1988, dy klerikë të njohur protestantë kandiduan për postin e presidentit të Shteteve të Bashkuara. Krerëve të Babilonisë së Madhe u pëlqen të bien në sy. Në faqet e shtypit shihen shpesh fotografitë e tyre në shoqëri me politikanë të njohur. Ndryshe nga këta, Jezui qëndroi larg politikës dhe tha për dishepujt e tij: «Ata nuk janë pjesë e botës, ashtu si unë nuk jam pjesë e botës.»​—Gjoni 6:15; 17:16; Mateu 4:8-10; shih edhe Jakovin 4:4.

Kurvëria e prostitutës në ditët e sotme

6, 7. (a) Si erdhi në pushtet partia naziste e Hitlerit? (b) Si e ndihmoi Hitlerin në mësymjen e tij për të pushtuar botën marrëveshja me Vatikanin?

6 Prostituta e madhe i ka sjellë dhembje të patregueshme njerëzimit, duke futur hundët në politikë. Për shembull, të marrim ngjarjet që çuan në ardhjen e Hitlerit në pushtet, në Gjermani, ngjarje të shëmtuara që disa do të donin t’i fshinin përgjithmonë nga faqet e librave të historisë. Në maj të vitit 1924, partia naziste kishte 32 vende në Rajshtagun gjerman. Në maj të vitit 1928, ky numër kishte rënë në 12. Më pas, në vitin 1930, Kriza e Madhe pushtoi botën. Nazistët përfituan nga situata e krijuar dhe e morën veten shumë mirë. Në zgjedhjet që u zhvilluan në Gjermani në korrik të 1932-shit, nga 608 vende të parlamentit, 230 i fituan ata. Pak pas kësaj, nazistëve u erdhi në ndihmë ish-kancelari Franc fon Papen, kalorës i papës. Sipas historianëve Papeni ëndërronte një Perandori të re të Shenjtë Romake. Qëndrimi i tij i shkurtër në postin e kancelarit kishte qenë një dështim, dhe tani shpresonte të vinte përsëri në pushtet nëpërmjet nazistëve. Në janar të vitit 1933, ai i siguroi Hitlerit mbështetjen e industrialistëve të mëdhenj. Me finokërinë e tij, më 30 janar të 1933-shit, ai i siguroi Hitlerit postin e kancelarit të Gjermanisë. Atë vetë Hitleri e emëroi zëvendëskancelar dhe e përdori për të fituar mbështetjen e trevave katolike të Gjermanisë. Pa kaluar dy muaj nga ardhja në pushtet, Hitleri shpërndau parlamentin, dërgoi mijëra kundërshtarë politikë të opozitës në kampet e përqendrimit dhe nisi një fushatë të hapur përndjekjesh kundër hebrenjve.

7 Më 20 korrik 1933, u duk hapur interesi i Vatikanit për pushtetin gjithnjë e në rritje të nazizmit, kur kardinali Paceli, (i cili më vonë u bë papa Piu XII), nënshkroi në Romë një marrëveshje mes Vatikanit dhe Gjermanisë naziste. Papeni nënshkroi dokumentin si përfaqësues i Hitlerit dhe Paceli i dorëzoi dekoratën e lartë papnore, Kryqin e Madh të Urdhrit të Piut. * Tibor Këvs shkroi për këtë në një libër të tij dhe tha: «Marrëveshja ishte një fitore e madhe për Hitlerin. Ajo i dha mbështetjen e parë morale nga bota e jashtme, madje nga autoriteti më i nderuar.» (Satan in Top Hat) Marrëveshja kërkonte që Vatikani të mos mbështeste partinë katolike të Qendrës në Gjermani, duke ratifikuar kështu «shtetin totalitar» të drejtuar nga partia e vetme e Hitlerit. * Veç kësaj, neni 14 i marrëveshjes thoshte: «Emërimi i kryepeshkopëve, peshkopëve dhe çdo emërim tjetër hyn në fuqi vetëm pasi guvernatori i vendosur nga Rajhu, të sigurohet siç duhet se këto emërime nuk do të sjellin telashe nga pikëpamja e përgjithshme politike.» Nga fundi i vitit 1933, (i shpallur «Viti i Shenjtë» nga papa Piu XI), mbështetja e Vatikanit ishte bërë një faktor i dorës së parë në mësymjen e Hitlerit për të pushtuar botën.

8, 9. (a) Ç’qëndrim mbajti Vatikani dhe Kisha Katolike me klerin e saj ndaj diktaturës naziste? (b) Ç’deklaratë bënë peshkopët katolikë gjermanë në fillim të Luftës II Botërore? (c) Ku kanë çuar marrëdhëniet politiko-fetare?

8 Megjithëse një grusht priftërinjsh e murgeshash kishin protestuar kundër mizorive të Hitlerit, dhe e kishin paguar këtë me shumë vuajtje, Vatikani bashkë me Kishën Katolike dhe armatën e klerikëve të saj, e mbështetën aktivisht ose në heshtje diktaturën naziste, të cilën e shihnin si mburojë kundër përhapjes së komunizmit në botë. I rehatuar mirë në Vatikan, papa Piu XII lejoi që shfarosja e hebrenjve dhe përndjekjet mizore të Dëshmitarëve të Jehovait dhe të grupeve të tjera, të vazhdonin pa i kritikuar aspak. Kulmi ishte kur papa Gjon Pali II vizitoi Gjermaninë në maj të vitit 1987 dhe ngriti në qiell qëndrimin antinazist të një prifti të sinqertë. Ç’kishin bërë mijëra klerikë të tjerë gjermanë gjatë terrorit të regjimit të Hitlerit? Një letër baritore e botuar nga peshkopët katolikë gjermanë në shtator të 1939-s, kur shpërtheu Lufta II Botërore, hedh dritë mbi këtë pikë. Ndër të tjera në të thuhej: «Në këtë orë vendimtare i këshillojmë ushtarët tanë katolikë të bëjnë detyrën, duke iu bindur Fyhrerit, dhe të jenë gati të sakrifikojnë gjithçka nga vetja. U bëjmë thirrje besnikëve të bashkohen me lutjet tona të zjarrta që Perëndia ta çojë këtë luftë në një fund të bekuar.»

9 Diplomacia e Kishës Katolike në atë kohë është shembull i kurvërisë së fesë që, për më shumë se 4.000 vjet me radhë, i ka tundur bishtin shtetit politik për të pasur pushtet dhe përfitime të tjera. Këto lidhje politiko-fetare kanë pjellë luftë, përndjekje dhe mjerim në një shkallë të paparë. Të gjithë ne mund të jemi të lumtur që shumë shpejt Jehovai do ta gjykojë prostitutën e madhe. Ardhtë sa më shpejt ajo ditë!

Rri ulur mbi shumë ujëra

10. Ç’janë ‘ujërat e shumtë’ ku i mban sytë Babilonia e Madhe për mbrojtje dhe çfarë po ndodh me to?

10 Babilonia e lashtë ishte «ulur» mbi shumë ujëra: një lumë, Eufrati, dhe disa kanale. Ato ishin një mbrojtje për të, por edhe një burim fitimesh të majme nga tregtia, gjersa u thanë brenda një nate. (Jeremia 50:38; 51:9, 12, 13) Edhe Babilonia e Madhe i ka sytë te ‘ujërat e shumtë’, që të mbrohet e të pasurohet. Këto «ujëra» janë «popuj, turma, kombe dhe gjuhë», domethënë miliarda njerëzit mbi të cilët ajo ka sunduar dhe ka përfituar mbështetjen materiale. Por edhe këto ujëra po thahen, ose nuk po e mbështetin më.​—Zbulesa 17:15; krahaso Psalmin 18:4; Isainë 8:7.

11. (a) Si e «dehu mbarë tokën» Babilonia e lashtë? (b) Si e «dehu mbarë tokën» Babilonia e Madhe?

11 Nga ana tjetër, Babilonia e lashtë përshkruhej si ‘një kupë e artë në duart e Jehovait, që dehu mbarë tokën’. (Jeremia 51:7) Ajo i detyroi kombet fqinje të kapërdinin shprehjet e zemërimit të Jehovait, kur i pushtoi me ushtrinë e saj, duke i bërë të dobët si të dehurit. Duke vepruar kështu, ajo shërbeu si vegël në duart e Jehovait. Edhe Babilonia e Madhe ka bërë shumë pushtime, sa është bërë një perandori botërore. Por sigurisht nuk është vegla e Perëndisë. Përkundrazi, ajo u ka shërbyer ‘mbretërve të tokës’, me të cilët u kurvërua. Madje u ka sjellë shumë kënaqësi këtyre mbretërve, duke përdorur doktrinat e saj të gënjeshtërta dhe praktikat e saj skllavëruese për t’i mbajtur të dobët si të dehurit masat e njerëzve, «ata që banojnë në tokë», që t’u shërbenin si skllevër udhëheqësve të tyre.

12. (a) Në ç’mënyrë një pjesë e Babilonisë së Madhe në Japoni ishte përgjegjëse për gjakderdhje të mëdha gjatë Luftës II Botërore? (b) Si u tërhoqën «ujërat» që mbështetnin Babiloninë e Madhe në Japoni dhe me ç’rezultat?

12 Këtë e ilustron mjaft mirë Japonia shintoiste. Ushtarët e indoktrinuar japonezë e konsideronin nderin më të madh të jepnin jetën për perandorin, perëndinë suprem të shintoizmit. Gjatë Luftës II Botërore, vdiqën në fushën e betejës rreth 1 milion e gjysmë ushtarë japonezë. Pothuaj për të gjithë ishte çnderim të dorëzoheshin. Por, pas humbjes së Japonisë, perandori Hirohito u detyrua të hiqte dorë nga pretendimi i tij se ishte hyjni. Kjo bëri që një sasi e konsiderueshme «ujërash» që mbështeste pjesën shintoiste të Babilonisë së Madhe, të tërhiqej. Por sa keq, kjo ndodhi pasi shintoizmi kishte miratuar gjakderdhjet e tmerrshme në luftën e Paqësorit! Kjo rënie e ndikimit shintoist vitet e fundit, u hapi rrugën më shumë se 200.000 japonezëve, pjesa më e madhe e të cilëve dikur ishin shintoistë e budistë, që të kushtoheshin e të pagëzoheshin si shërbëtorë të Zotërisë Sovran Jehova.

Prostituta rri ulur mbi një bishë

13. Ç’gjë të çuditshme pa Gjoni, kur engjëlli e çoi me anë të fuqisë së frymës në shkretëtirë?

13 Ç’na zbulon tjetër profecia për prostitutën e madhe dhe fatin e saj? Gjoni vazhdoi me një tjetër skenë të gjallë: «Me anë të fuqisë së frymës, ai [engjëlli] më mori me vete në shkretëtirë. Unë pashë një grua që rrinte ulur mbi një bishë me ngjyrë të kuqe të ndezur, e cila ishte plot me emra blasfemues, dhe kishte shtatë koka e dhjetë brirë.»​—Zbulesa 17:3.

14. Pse është me vend që Gjoni u dërgua në shkretëtirë?

14 Pse u dërgua Gjoni në shkretëtirë? Një dënim i mëparshëm kundër Babilonisë së lashtë ishte përshkruar si «kundër shkretëtirës së detit». (Isaia 21:1, 9) Ishte një paralajmërim me vend që tregonte se pavarësisht se mbrohej nga gjithë ai ujë, Babilonia e lashtë do të kthehej në një shkretëtirë të pajetë. Pra, është shumë me vend që Gjoni u dërgua nëpërmjet vegimit në një shkretëtirë për të parë cili do të ishte fati i Babilonisë së Madhe. Edhe ajo do të rrënohej e do të lihej shkretë. (Zbulesa 18:19, 22, 23) Veçse Gjoni u çudit nga çfarë pa atje. Prostituta e madhe s’ishte vetëm. Ajo rrinte ulur mbi një bishë që ngjante si përbindësh.

15. Cilat janë ndryshimet mes bishës së Zbulesës 13:1 dhe Zbulesës 17:3?

15 Bisha kishte shtatë koka e dhjetë brirë. Mos është e njëjta bishë që pa Gjoni më parë, e cila kishte po ashtu shtatë koka e dhjetë brirë? (Zbulesa 13:1) Jo, ndryshonte në disa gjëra. Ishte me ngjyrë të kuqe të ndezur dhe, ndryshe nga bisha e mëparshme, nuk thuhet që kishte diadema. Në vend të emrave blasfemues vetëm në shtatë kokat e saj, kjo ishte «plot me emra blasfemues». Sidoqoftë duhet të ketë lidhje mes kësaj bishe dhe asaj të mëparshmes; ngjashmëritë mes tyre janë shumë të spikatshme për t’i quajtur të rastësishme.

16. Kush është bisha me ngjyrë të kuqe të ndezur dhe çfarë është thënë lidhur me qëllimin e saj?

16 Atëherë, ç’është kjo bishë e re me ngjyrë të kuqe të ndezur? Duhet të jetë shëmbëlltyra e bishës që erdhi në jetë me nxitjen e bishës anglo-amerikane me dy brirë si të qengjit. Pasi bëri shëmbëlltyrën e bishës, bishës me dy brirë iu lejua t’i jepte asaj frymë. (Zbulesa 13:14, 15) Në këtë varg, Gjoni pa këtë shëmbëlltyrë të gjallë e që merrte frymë. Ajo përfaqëson organizatën e Lidhjes së Kombeve, të cilën e solli në jetë bisha me dy brirë në vitin 1920. Presidenti Uilson i Shteteve të Bashkuara shihte te kjo organizatë «tribunën që do të siguronte drejtësi për të gjithë dhe do të zhdukte kërcënimin e luftës përgjithmonë». Kur u rishfaq pas Luftës II Botërore me emrin Kombet e Bashkuara, qëllimi i saj në kartë ishte «të ruante paqen dhe sigurinë ndërkombëtare».

17. (a) Në ç’kuptim «bisha» me ngjyrë të kuqe të ndezur është plot me emra blasfemues? (b) Kush rrinte mbi bishën me ngjyrë të kuqe të ndezur? (c) Si është shoqëruar shumë ngushtë feja babilonase me Lidhjen e Kombeve dhe pasuesen e saj që nga fillimi?

17 Në ç’kuptim kjo «bishë» është plot me emra blasfemues? Në kuptimin që njerëzit kanë bërë një idhull shumëkombësh, e me të kanë zëvendësuar Mbretërinë e Perëndisë, që, sipas tyre, do të plotësojë ato që Perëndia thotë se vetëm Mbretëria e tij mund t’i arrijë. (Danieli 2:44; Mateu 12:18, 21) Megjithatë, ajo që të bie në sy në këtë vegim të Gjonit, është se Babilonia e Madhe rrinte ulur mbi një bishë me ngjyrë të kuqe të ndezur. Siç thotë edhe profecia, feja babilonase, në veçanti krishterimi apostat, është shoqëruar shumë ngushtë me Lidhjen e Kombeve dhe me pasuesen e saj. Që nga 18 dhjetori i vitit 1918, organizata që sot njihet si Këshilli Kombëtar i Kishave të Krishtit në Amerikë miratoi një deklaratë që thoshte ndër të tjera: «Kjo Lidhje nuk është vetëm një mjet politik. Përkundrazi, është shprehja politike e Mbretërisë së Perëndisë në tokë. . . . Kisha mund të japë një frymë vullnetmirë, pa të cilën asnjë Lidhje Kombesh s’mund ta ketë të gjatë. . . . Lidhja e Kombeve i ka rrënjët në Ungjill. Njësoj si Ungjilli, qëllimi i saj është ‘paqe në tokë, miratim njerëzve’.»

18. Si e tregoi kleri i krishterimit se mbështeste Lidhjen e Kombeve?

18 Më 2 janar 1919, një gazetë e njohur amerikane (San Francisco Chronicle), mbante në faqe të parë titullin: «Papa lutet të miratohet Lidhja e Kombeve e presidentit Uilson.» Më 16 tetor 1919, 14.450 klerikë të kulteve kryesore fetare nënshkruan një peticion, të cilin ia paraqitën senatit amerikan. Në të kërkohej «ratifikimi i traktatit të paqes të Parisit që parashikohej në marrëveshjen e lidhjes së kombeve». Senati nuk e ratifikoi traktatin, megjithatë kleri i krishterimit apostat vazhdoi fushatën në favor të Lidhjes. Si u inaugurua Lidhja? Një njoftim i agjencisë së shtypit të Zvicrës, më datë 15 nëntor 1920, thoshte: «Në orën njëmbëdhjetë të paradites, të gjitha këmbanat e kishave të Gjenevës lajmëruan hapjen e asamblesë së parë të Lidhjes së Kombeve.»

19. Ç’qëndrim mbajti klasa e Gjonit, kur doli në skenë bisha me ngjyrë të kuqe të ndezur?

19 A u bashkua me krishterimin apostat që t’i bënte nderime bishës me ngjyrë të kuqe të ndezur, klasa e Gjonit, i vetmi grup në tokë që pranoi me gatishmëri Mbretërinë e sapolindur mesianike? Kurrsesi! Të dielën, më 7 shtator 1919, në kongresin e popullit të Jehovait në Sidër-Point të Ohajos, u paraqit fjalimi publik me titull «Shpresa për njerëzimin që vuan». Të nesërmen, në një gazetë (Star-Journal e Sanduskit) thuhej se Xhozef Radhërfordi pohoi para rreth 7.000 të pranishmëve se «Lidhja e Kombeve do të tërheqë mbi vete pakënaqësinë e Zotërisë . . . sepse kleri katolik dhe protestant, që pretendon se përfaqëson Perëndinë, e ka braktisur planin e tij dhe ka mbështetur Lidhjen e Kombeve, duke e ngritur në qiell si shprehjen politike të mbretërisë së Krishtit në tokë».

20. Pse ishte blasfemi nga ana e klerit që ngriti në qiell Lidhjen e Kombeve si «shprehjen politike të mbretërisë së Krishtit në tokë»?

20 Disfata e vajtueshme e Lidhjes së Kombeve duhej t’i kishte treguar klerit se këto organizma njerëzorë s’kanë të bëjnë fare me Mbretërinë e Perëndisë në tokë. S’ka blasfemi më të madhe se të pohosh të kundërtën! Bën të duket sikur Perëndia kishte gisht në tërë atë që katranosi Lidhja e Kombeve. Përkundrazi, ‘vepra e Perëndisë është e përsosur’. Që të vendosë paqen dhe të bëhet vullneti i tij në tokë njësoj si në qiell, ai s’do të përdorë një tufë politikanësh sherrxhinj, shumica e të cilëve ateistë, por Mbretërinë qiellore të Krishtit.​—Ligji i përtërirë 32:4; Mateu 6:10.

21. Ku duket se prostituta e madhe mbështet dhe admiron pasardhësen e Lidhjes së Kombeve, Kombet e Bashkuara?

21 Ç’mund të thuhet për pasardhësen e Lidhjes së Kombeve, Kombet e Bashkuara? Sapo kishte lindur, ajo e pa veten me prostitutën e madhe mbi kurriz, që ishte ngjitur dukshëm pas saj dhe përpiqej t’i drejtonte fatin. Për shembull, në qershor të vitit 1965, për përvjetorin e 20-të të saj, përfaqësues të Kishës Katolike të Romës dhe të Kishës Ortodokse të Lindjes, bashkë me protestantë, judenj, hinduistë, budistë dhe myslimanë, që thuhet se përfaqësojnë dy miliardë njerëz të popullsisë së botës, u mblodhën në San-Francisko për të shprehur solemnisht mbështetjen dhe admirimin e tyre për OKB-në. Gjatë vizitës së tij në selinë e OKB-së në tetor të vitit 1965, papa Pali VI e përshkroi atë si «organizatën më të madhe ndërkombëtare» dhe shtoi: «Popujt e të gjithë botës të kthehen te Kombet e Bashkuara si shpresa e fundit për pajtim dhe paqe.» Një papë tjetër, papa Gjon Pali II, që vizitoi OKB-në në tetor të vitit 1979, tha para asamblesë së përgjithshme: «Shpresoj që Kombet e Bashkuara të mbeten përherë tribuna më e lartë e paqes dhe drejtësisë». S’duhet lënë pa përmendur se, gjatë ligjëratës së tij, papa i kushtoi fare pak vëmendje Jezu Krishtit dhe Mbretërisë së Perëndisë. Gjatë vizitës në Shtetet e Bashkuara në shtator të 1987-s, sipas një gazete të njohur, «Gjon Pali foli gjerë e gjatë për rolin e madh që kanë luajtur Kombet e Bashkuara në favor të . . . ‘solidaritetit të ri ndërkombëtar’».​—The New York Times.

Një emër, një mister

22. (a) Mbi ç’lloj kafshe kishte zgjedhur të rrinte prostituta e madhe? (b) Si e përshkroi Gjoni «prostitutën», Babiloninë e Madhe?

22 Apostulli Gjon shpejt do të mësonte se prostituta e madhe kishte zgjedhur të rrinte mbi një bishë të rrezikshme. Por, si fillim, vëmendja e tij ishte drejtuar e tëra te Babilonia e Madhe. Ajo ishte stolisur me gjërat më të shtrenjta, por sa e neveritshme dukej! «Gruaja ishte e veshur me të purpurt e me të kuqe të ndezur, dhe ishte e stolisur me ar, me gurë të çmuar e margaritarë. Kishte në dorë një kupë prej ari plot me gjëra të neveritshme dhe me ndyrësitë e kurvërimit të saj. Mbi ballin e saj ishte shkruar një emër, një mister: ‘Babilonia e Madhe, nëna e prostitutave dhe e gjërave të neveritshme të tokës.’ Unë pashë që gruaja ishte dehur me gjakun e të shenjtëve dhe me gjakun e dëshmitarëve të Jezuit.»​—Zbulesa 17:4-6a.

23. Cili është emri i plotë i Babilonisë së Madhe dhe cili është kuptimi i tij?

23 Sipas zakonit në Romën e lashtë, kjo prostitutë identifikohej nga emri që mbante në ballë. * Ajo kishte një emër të gjatë: «Babilonia e Madhe, nëna e prostitutave dhe e gjërave të neveritshme të tokës.» Ky emër është «një mister», domethënë fsheh një kuptim. Por, në kohën e caktuar nga Perëndia, misteri do të sqarohej. Në fakt, engjëlli i dha Gjonit të dhëna të mjaftueshme, që i ndihmojnë sot shërbëtorët e Jehovait të dallojnë kuptimin e plotë të këtij emri mjaft ndjellës. E dimë se Babilonia e Madhe janë të gjitha fetë e rreme. Ajo është «nëna e prostitutave», sepse secila nga fetë e rreme në botë, duke përfshirë sektet e shumta të krishterimit apostat, janë si bija të saj; njësoj si ajo, edhe ato janë zhytur në kurvëri frymore. Gjithashtu, ajo është nëna «e gjërave të neveritshme të tokës», në kuptimin që ajo ka pjellë gjëra kaq të pështira, si idhujtaria, spiritizmi, parashikimi i fatit, astrologjia, shikimi i dorës, flijimi i njerëzve, prostitucioni në tempull, dehja për nder të perëndive të rreme dhe praktika të tjera të ndyra.

24. Pse janë fjalë me vend kur thuhet se Babilonia e Madhe paraqitet e veshur me «të purpurt e me të kuqe të ndezur» dhe është «stolisur me ar, me gurë të çmuar e margaritarë»?

24 Babilonia e Madhe ishte veshur me «të purpurt e me të kuqe të ndezur», ngjyra mbretërore, dhe ishte «stolisur me ar, me gurë të çmuar e margaritarë». Të gjitha këto ishin fjalë me vend! Mendo vetëm për ndërtesat madhështore, statujat dhe pikturat e rralla, ikonat që s’kanë të çmuar e sende të tjera fetare, pronat me vlerë të pallogaritshme dhe paratë me thes që kanë mbledhur fetë e kësaj bote. Duke filluar nga Vatikani, perandoria e tele-evangjelizmit me qendër në Shtetet e Bashkuara e deri te manastiret dhe tempujt ekzotikë të Lindjes, Babilonia e Madhe ka grumbulluar, e ndonjëherë ka humbur, pasuri përrallore.

25. (a) Çfarë simbolizon përmbajtja e ‘kupës prej ari plot me gjëra të neveritshme’? (b) Në ç’kuptim ishte e dehur «prostituta»?

25 A e vure re ç’kishte në dorë prostituta?! Gjoni duhet të ketë ngrirë në vend kur e ka parë. Një kupë prej ari «plot me gjëra të neveritshme dhe me ndyrësitë e kurvërimit të saj»! Është kupa që mban «verën e zemërimit, verën e kurvërisë së saj», të cilën ua kishte dhënë kombeve të pinin. (Zbulesa 14:8; 17:4) Nga jashtë dukej madhështore, por brenda kishte gjëra të neveritshme, të ndyra. (Krahaso Mateun 23:25, 26.) Kjo kupë mban tërë praktikat dhe gënjeshtrat e ndyra që ka përdorur prostituta e madhe për të joshur kombet e për t’i shtënë në dorë. Më e neveritshme akoma ishte se Gjoni pa që prostituta kishte pirë e ishte dehur me gjakun e shërbëtorëve të Perëndisë. Në fakt, pak më vonë lexojmë se tek ajo «u gjend gjaku i profetëve, i të shenjtëve dhe i tërë atyre që u vranë pa mëshirë mbi tokë». (Zbulesa 18:24) Çfarë faji gjaku!

26. Cilat prova tregojnë se Babilonia e Madhe ka derdhur shumë gjak?

26 Perandoria botërore e fesë së rreme ka derdhur përgjatë shekujve një det me gjak. Për shembull, në Japoninë e mesjetës, tempujt e Kiotos u shndërruan në fortesa, ku murgjërit luftëtarë me «emrin e shenjtë të Budës» në gojë, u përleshën me njëri-tjetrin, sa rrugët u skuqën nga gjaku. Në shekullin e 20-të, kleri i krishterimit apostat marshoi bashkë me ushtarët e vendeve përkatëse, të cilët u vranë me njëri-tjetrin dhe u morën jetën të paktën 100 milionë njerëzve. Në tetor të vitit 1987, ish-presidenti i SHBA, z. Nikson, tha: «Shekulli i 20-të ka qenë më i përgjakshmi në histori. Në luftërat e këtij shekulli u vranë më shumë njerëz se në të gjitha luftërat para fillimit të shekullit.» Fetë e kësaj bote janë dënuar nga Perëndia, sepse kanë marrë pjesë në këtë masakër. Jehovai i urren «duart që derdhin gjak të pafaj». (Proverbat 6:16, 17) Më parë Gjoni kishte dëgjuar këtë thirrje nga altari: «Deri kur, o Zotëri Sovran i shenjtë dhe i vërtetë, do të përmbahesh dhe nuk do t’i gjykosh e të marrësh hak për gjakun tonë ndaj atyre që banojnë në tokë?» (Zbulesa 6:10) Babilonia e Madhe, nëna e prostitutave dhe e gjërave të neveritshme të tokës, do të japë llogari për të gjitha, kur të vijë koha për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje.

[Shënimet]

^ par. 3 Duke treguar se shumë doktrina, ceremoni dhe praktika të krishterimit apostat nuk kanë origjinë të krishterë, kardinali i Kishës Katolike të Romës, Xhon Henri Njuman, botoi në anglisht në shekullin e 19-të një Ese mbi zhvillimin e doktrinës së krishterë, ku thuhej: «Përdorimi i tempujve, madje i tempujve kushtuar shenjtorëve të veçantë, që në disa raste stolisen me degë pemësh; temjani, llambat dhe qirinjtë; flijimet kushtimore pas një sëmundjeje; uji i bekuar; vendstrehimet e shenjta; ditët e shenjta dhe periudhat fetare, përdorimi i kalendarëve, procesionet, bekimi i arave; veshja priftërore, qethja e flokëve në formë rrethore, unaza e martesës, zakoni i kthimit drejt lindjes, e më vonë ikonat, ndoshta edhe këngët kishtare bashkë me Kyrie eleison [këngën «Mëshirona o Zot»] janë të gjitha me prejardhje pagane dhe janë shenjtëruar ngaqë i adoptoi Kisha.»

«Jehovai, i Plotfuqishmi» jo vetëm që nuk e shenjtëron këtë idhujtari, por i këshillon të krishterët: «Dilni nga mesi i tyre dhe ndahuni, . . . dhe mjaft e prekët gjënë e papastër.»​—2 Korintasve 6:14-18.

^ par. 7 Në veprën e tij historike, Ngritja dhe rënia e Rajhut të tretë, botuar në shqip nga shtëpia botuese «Onufri», Uilliam Shirer thoshte se Fon Papeni ishte përgjegjës më shumë se çdo gjerman tjetër për ardhjen e Hitlerit në pushtet. Në janar të vitit 1933, ish-kancelari gjerman Fon Shlajker ishte shprehur për Fon Papenin se ai kishte dalë një tradhtar, para të cilit Judë Iskarioti ishte shenjtor.

^ par. 7 Më 14 maj 1929, në fjalën e tij drejtuar studentëve të Kolegjit të Mondragonës, papa Piu XI tha se për të mirën e shpirtrave, ai do të ftonte për bisedime edhe vetë Djallin.

^ par. 23 Shih fjalët që i drejtoi Seneka, një shkrimtar romak, një priftëreshe që kishte marrë rrugë të keqe (cituar nga Sueti): «Ti, moj vajzë, ke banuar në një shtëpi publike . . . e kishe të shkruar në ballë çfarë ishe; shite nderin për para.»​—Controversiae i, 2.

[Pyetjet]

[Kutia në faqen 237]

Çërçilli denoncon ‘prostitucionin’

Në një libër të vetin (The Gathering Storm, 1948) Uinston Çërçilli raporton se Hitleri emëroi Franc fon Papenin si ambasador të Gjermanisë në Vjenë që «të pengonte punën e personaliteteve të shquara të politikës austriake ose të arrinte t’i bënte për vete». Çërçilli citon fjalët e ambasadorit amerikan në Vjenë, që thoshte për Fon Papenin: «Me mjaft guxim e cinizëm . . . Papeni nisi të më thoshte se . . . kishte ndër mend të përfitonte nga reputacioni që gëzonte si katolik i mirë, që të ushtronte ndikim te personalitetet austriake, si kardinali Inicer.»

Pasi Austria kapitulloi dhe trupat sulmuese të Hitlerit marshuan me hap të shtrirë në Vjenë, kardinali katolik Inicer dha urdhër që në të gjitha kishat e Austrisë të valëviteshin flamujt me kryqin e thyer, të binin këmbanat e të paraqiteshin lutje për nder të ditëlindjes së Adolf Hitlerit.

[Kutia dhe figura në faqen 238]

Ky ishte titulli i artikullit të mëposhtëm që doli në botimin e parë të gazetës The New York Times, më 7 dhjetor 1941:

‘LUTJE LUFTE’ PËR RAJHUN

«Peshkopët katolikë në Fulda luten për bekime e fitore . . . Konferenca e peshkopëve katolikë gjermanë e mbledhur në Fulda ka rekomanduar futjen e një ‘lutjeje lufte’ të veçantë, që duhet lexuar në fillim e në mbarim të çdo shërbese fetare. Me këtë lutje i kërkohet Perëndisë t’i bekojë me fitore armët gjermane dhe t’u mbrojë jetën dhe shëndetin të gjithë ushtarëve. Në vazhdim, peshkopët udhëzuan klerikët katolikë të kujtonin vazhdimisht në një fjalim të veçantë të dielave, të paktën një herë në muaj, ushtarët gjermanë që ndodhen ‘në tokë, në det e në ajër’.»

Artikulli u hoq nga botimet e mëvonshme të gazetës. Data 7 dhjetor 1941 ishte dita kur aleatja e Gjermanisë naziste, Japonia, sulmoi flotën amerikane në Perl Harbor.

[Kutia në faqen 244]

«Emra blasfemues»

Kur pas Luftës I Botërore bisha me dy brirë i dha jetë Lidhjes së Kombeve, dashnorët e saj të shumtë fetarë u orvatën menjëherë ta sanksiononin këtë lëvizje edhe nga ana fetare. Si rrjedhim, kjo organizatë e re për paqen mori «plot emra blasfemues».

«Krishterizmi mund t’i japë lidhjes [së kombeve] pëlqimin dhe energjinë, e ta shndërrojë kështu traktatin nga një copë letër, në një mjet të mbretërisë së Perëndisë.»​—The Christian Century, SHBA, 19 qershor 1919, faqja 15.

«Koncepti i Lidhjes së Kombeve është shtrirja deri te marrëdhëniet ndërkombëtare e konceptit të Mbretërisë së Perëndisë si një rend botëror që ka miratimin hyjnor. . . . Është ajo për të cilën luten gjithë të krishterët, kur thonë: ‘Ardhtë mbretëria jote!’»​—The Christian Century, SHBA, 25 shtator 1919, faqja 7.

«Çimentoja që mban të lidhur Lidhjen e Kombeve është Gjaku i Krishtit.»​—Dr. Frenk Krejn, shërbëtor protestant, SHBA.

«Këshilli [Kombëtar i Kishave Kongregacionaliste] mbështet Paktin [e Lidhjes së Kombeve] si të vetmin mjet politik të disponueshëm sot për sot, nëpërmjet të cilit Fryma e Jezu Krishtit mund të gjejë hapësirë më të gjerë për t’u zbatuar praktikisht në çështjet e kombeve.»​—The Congregationalist and Advance, SHBA, 6 nëntor 1919, faqja 642.

«Konferenca u bën thirrje të gjithë besimtarëve metodistë që të mbështetin e të ngrenë lart idealet [e Lidhjes së Kombeve] të shprehura nga koncepti i Perëndisë Atë dhe bijtë tokësorë të Perëndisë.»​—Kisha Metodiste Uesliane, Britani.

«Kur shqyrtojmë aspiratat, mundësitë dhe rezolutat e kësaj marrëveshjeje, kuptojmë se ajo përmban vetë thelbin e mësimeve të Jezu Krishtit: Mbretërinë e Perëndisë dhe drejtësinë e tij . . . Asgjë më pak se kaq.»​—Nga fjalimi i Kryepeshkopit të Kantërbërit gjatë hapjes së Asamblesë së Lidhjes së Kombeve në Gjenevë, 3 dhjetor 1922.

«Shoqata e Lidhjes së Kombeve në këtë vend ka po atë të drejtë të shenjtë si çdo shoqatë misionare humanitare, sepse tani për tani ajo është mjeti më i efektshëm i sundimit të Krishtit mes kombeve si Princi i paqes.»​—Dr. Garvi, shërbëtor kongregacionalist, Britani.

[Harta në faqen 236]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

Doktrina të rreme që pranohen në tërë botën e kanë prejardhjen nga Babilonia

Babilonia

Trinitete ose perëndi triada

Shpirti i njeriut mbijeton pas vdekjes

Spiritizmi​—komunikimi me të vdekurit

Përdorimi i shëmbëlltyrave në adhurim

Formula magjike për të marrë me të mirë demonët

Sundimi i priftërisë së fuqishme

[Figura në faqen 239]

Babilonia e lashtë «ulej» mbi shumë ujëra

[Figura në faqen 239]

Edhe prostituta e madhe sot ulet mbi «shumë ujëra»

[Figura në faqen 241]

Babilonia e Madhe rri ulur mbi një bishë të rrezikshme

[Figurat në faqen 242]

Prostituta fetare ka kryer kurvëri me mbretërit e tokës

[Figurat në faqen 245]

Gruaja është «dehur me gjakun e të shenjtëve»