Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Jezui vjen dhe sjell inkurajim

Jezui vjen dhe sjell inkurajim

Kapitulli 4

Jezui vjen dhe sjell inkurajim

1. Kujt i shkroi Gjoni? Kujt duhet t’i ngjallë interes të madh mesazhi i tij sot?

MESAZHET që vijojnë, duhet të ngjallin interes të madh te kushdo që shoqërohet me kongregacionet e popullit të Perëndisë sot, aq më tepër që «koha e caktuar» po afron. (Zbulesa 1:3) Nëse ua vëmë veshin këtyre shpalljeve, do të nxjerrim dobi për gjithë përjetësinë. Tregimi vazhdon: «Gjoni, shtatë kongregacioneve që gjenden në krahinën e Azisë: Paçi dashamirësi të pamerituar dhe paqe nga ‘Ai që ishte, që është dhe që po vjen’, nga shtatë frymërat që janë përpara fronit të tij dhe nga Jezu Krishti!»​—Zbulesa 1:4, 5a.

2. (a) Çfarë nënkupton numri «shtatë»? (b) Me kë kanë të bëjnë, gjatë ditës së Zotërisë, mesazhet që iu dhanë «shtatë kongregacioneve»?

2 Gjoni ua drejtoi këto fjalë «shtatë kongregacioneve», të cilët përmenden me emër në vazhdim të profecisë. Numri «shtatë» përsëritet shpesh në librin e Zbulesës. Ai nënkupton plotësi, sidomos kur ka të bëjë me gjërat e Perëndisë dhe me kongregacionin e tij të mirosur. Por meqenëse, gjatë ditës së Zotërisë, numri i kongregacioneve të popullit të Perëndisë në mbarë botën është rritur në rreth njëqind mijë, mund të jemi të sigurt se ajo që iu tha fillimisht «shtatë kongregacioneve» të të mirosurve, ka të bëjë edhe me gjithë popullin e Perëndisë sot. (Zbulesa 1:10) Pra, mesazhi i Gjonit është shumë i rëndësishëm për të gjitha kongregacionet e Dëshmitarëve të Jehovait kudo mbi faqen e dheut dhe për të gjithë ata që i frekuentojnë.

3. (a) Nga vijnë ‘dashamirësia e pamerituar dhe paqja’, sipas përshëndetjes së Gjonit? (b) Cila shprehje e Pavlit është e ngjashme me përshëndetjen e Gjonit?

3 ‘Dashamirësia e pamerituar dhe paqja’, që uroi Jezui, janë gjëra që i dëshirojmë aq shumë, sidomos kur e çmojmë se nga vijnë. Ato burojnë nga vetë Zotëria Sovran Jehova, ‘Mbreti i përjetësisë’ që rron «mot e jetë». (1 Timoteut 1:17; Psalmi 90:2) Këtu përmenden edhe «shtatë frymërat», shprehje që tregon plotësinë e veprimit të forcës vepruese të Perëndisë, ose frymës së shenjtë, që u sjell kuptueshmëri dhe bekime të gjithë atyre që i kushtojnë vëmendje kësaj profecie. Gjithashtu përmendet edhe «Jezu Krishti», që zë një vend kyç. Më vonë, Gjoni shkroi për të: «Ai ishte plot dashamirësi të pamerituar e të vërtetë.» (Gjoni 1:14) Pra, përshëndetja e Gjonit përmban të njëjtat elemente që përmendi apostulli Pavël në fund të letrës së tij të dytë drejtuar kongregacionit të Korintit: «Dashamirësia e pamerituar e Zotërisë Jezu Krisht, dashuria e Perëndisë dhe dobitë që ju së bashku keni nga fryma e shenjtë, qofshin me ju të gjithë!» (2 Korintasve 13:14) Qofshin të vërteta këto fjalë edhe për të gjithë ne të tjerët që e duam të vërtetën sot!​—Psalmi 119:97.

«Dëshmitari i besueshëm»

4. Si e përshkruan më pas Gjoni Jezu Krishtin? Pse këta terma përshkrues janë mjaft të përshtatshëm?

4 Pas Jehovait, Jezui është më i lavdishmi në univers, dhe Gjoni e pranoi këtë, kur e quajti «‘Dëshmitari i Besueshëm’, ‘i Parëlinduri nga të vdekurit’ e ‘Sundimtari i mbretërve të tokës’». (Zbulesa 1:5b) Ashtu si hëna është vendosur patundshmërisht në qiell, Jezui është pa diskutim Dëshmitari më i madh që jep prova se Jehovai është Perëndia i vërtetë. (Psalmi 89:37) Pasi mbajti integritetin derisa u flijua, ai qe i pari nga njerëzit që u ringjall në jetën frymore si i pavdekshëm. (Kolosianëve 1:18) Tani është para Jehovait dhe është lartësuar mbi të gjithë mbretërit e tokës, sepse ka marrë «çdo autoritet në qiell dhe në tokë». (Mateu 28:18; Psalmi 89:27; 1 Timoteut 6:15) Në vitin 1914, ai u bë Mbret dhe sundon mes kombeve të tokës.​—Psalmi 2:6-9.

5. (a) Si vazhdoi Gjoni të shprehte çmueshmëri për Zotërinë Jezu Krisht? (b) Kush përfiton nga flijimi i jetës së përsosur njerëzore të Jezuit? Cilin bekim të veçantë kanë të krishterët e mirosur?

Gjoni vazhdoi të shprehte çmueshmëri për Zotërinë Jezu Krisht me këto fjalë lëvdimi: «Ai që na do dhe që na liroi nga mëkatet tona, me gjakun e tij​dhe na bëri një mbretëri, priftërinj për Perëndinë dhe Atin e tij​—po, ai pastë lavdi dhe fuqi përgjithmonë! Amin!» (Zbulesa 1:5c, 6) Jezui dha jetën e tij të përsosur njerëzore, me qëllim që njerëzit që tregojnë besim tek ai, të gëzojnë një jetë të përsosur si në fillim. Këtë shpresë e ke edhe ti, lexues i dashur! (Gjoni 3:16) Veç kësaj, flijimi i Jezuit u hapi rrugën atyre që bëhen të krishterë të mirosur si Gjoni, të gëzojnë një bekim të veçantë. Ata shpallen të drejtë në bazë të flijimit shpërblyes të Jezuit. Ashtu si Jezui, kopeja e vogël heq dorë nga çdo shpresë për të jetuar në tokë. Ata lindin nga fryma e Perëndisë dhe shpresojnë të ringjallen për të shërbyer si mbretër dhe priftërinj me Jezu Krishtin në Mbretërinë e tij. (Luka 12:32; Romakëve 8:18; 1 Pjetrit 2:5; Zbulesa 20:6) Ç’privilegj! S’është çudi pse Gjoni shpalli me kaq forcë që lavdia dhe fuqia i përkasin Jezuit!

«Vjen me retë»

6. (a) Çfarë shpalli Gjoni për ‘ardhjen e Jezuit me retë’ dhe cila profeci e Jezuit mund t’i jetë kujtuar atij? (b) Si «vjen» Jezui dhe kush do të përjetojë hidhërim të madh në tokë?

6 Më pas, Gjoni shpalli plot gëzim: «Ja, ai po vjen me retë dhe do ta shohë çdo sy, edhe ata që e shpuan tejpërtej. Të gjitha fiset e tokës do të godasin gjoksin me hidhërim, për shkak të tij. Po, amin!» (Zbulesa 1:7) Me siguri, këtu Gjonit iu kujtua profecia që kishte thënë më parë Jezui për fundin e këtij sistemi. Ai kishte thënë: «Atëherë do të shfaqet në qiell shenja e Birit të njeriut, dhe të gjitha fiset e tokës do të godasin gjoksin e do të vajtojnë, dhe do të shohin Birin e njeriut që do të vijë në retë e qiellit me fuqi dhe lavdi të madhe.» (Mateu 24:3, 30) Pra, Jezui «vjen» në kuptimin që ai përqendrohet tek ekzekutimi i gjykimit të Jehovait mbi kombet. Kjo gjë do të sjellë ndryshime vendimtare në tokë. Gjithashtu, përderisa e kanë shpërfillur mbretërinë e Jezuit si diçka joreale, «të gjitha fiset e tokës» do të provojnë ‘zemërimin e furishëm të Perëndisë së Plotfuqishëm’.​—Zbulesa 19:11-21; Psalmi 2:2, 3, 8, 9.

7. Në ç’kuptim Jezuin «do ta shohë çdo sy», duke përfshirë edhe të pabindurit?

7 Gjatë mbrëmjes së fundit me dishepujt e tij, Jezui tha: «Edhe pak dhe bota nuk do të më shohë më.» (Gjoni 14:19) Si atëherë «do ta shohë çdo sy»? S’duhet të presim që armiqtë ta shohin Jezuin me sytë e tyre, sepse, pasi u ngjit në qiell, apostulli Pavël tha se tani Ai «banon në dritë të paafrueshme» dhe «nuk e ka parë askush e as që mund ta shohë». (1 Timoteut 6:16) Me sa duket, me ‘shoh’, Gjoni donte të thoshte ‘dalloj’, ashtu si mund të shohim ose dallojmë cilësitë e padukshme të Perëndisë nëpërmjet krijimit të tij. (Romakëve 1:20) Jezui «vjen me retë», në kuptimin që syri s’do ta shohë, ashtu si nuk shihet dielli pas reve. Edhe kur fshihet pas reve gjatë ditës, ne e dimë që dielli është aty, sepse rrethohemi nga drita. Po ashtu, megjithëse Zotëria Jezu është i padukshëm, ai do të zbulohet si ‘një zjarr flakërues dhe do të sjellë hakmarrjen mbi ata që nuk i binden lajmit të mirë lidhur me të’. Edhe këta do të jenë të detyruar ta ‘shohin’.​—2 Selanikasve 1:6-8; 2:8.

8. (a) Cilët «e shpuan tejpërtej» Jezuin në vitin 33 të e.s. dhe cilët e bëjnë këtë gjë sot? (b) Si mund ta ‘shpojnë tejpërtej’ sot njerëzit Jezuin, ndërkohë që ai s’është më në tokë?

8 Jezuin ‘do ta shohin’ edhe «ata që e shpuan tejpërtej». Për kë e kemi fjalën? Kur u ekzekutua në vitin 33 të e.s., Jezuin e shpuan tejpërtej ushtarët romakë. Edhe judenjtë kishin faj për vrasjen e tij, sepse në festën e Ditës së Pesëdhjetë, Pjetri u tha disave prej tyre: «Këtë Jezu, të cilin ju e vutë në shtyllë, Perëndia e bëri edhe Zotëri, edhe Krisht.» (Veprat 2:5-11, 36; krahaso Zakarinë 12:10; Gjonin 19:37) Romakët dhe judenjtë e asaj kohe kanë rreth 2.000 vjet që kanë vdekur. Kështu, ata që e ‘shpojnë tejpërtej Jezuin’ sot duhet të përfaqësojnë kombe dhe popuj që, me qëndrimin e tyre, shfaqin të njëjtën urrejtje si atëherë kur ai u vu në shtyllë. Jezui nuk është më në tokë. Por, kur kundërshtarët përndjekin Dëshmitarët e Jehovait që dëshmojnë për Jezuin ose rrinë e bëjnë sehir kur ata keqtrajtohen, është si ‘të kenë shpuar tejpërtej’ vetë Jezuin.​—Mateu 25:33, 41-46.

«Alfa dhe Omega»

9. (a) Kush foli më pas dhe sa herë e bën në librin e Zbulesës? (b) Çfarë do të thonë shprehjet «Alfa dhe Omega», si edhe «i Plotfuqishmi», me të cilat Jehovai e quan veten?

9 Më pas ndodhi mrekullia e mrekullive! Zotëria Sovran Jehova foli vetë. Ky prolog i vegimeve që presin të zbulohen, është me vend, pasi ai është Mësuesi ynë i Madh dhe vetë Burimi i Zbulesës! (Isaia 30:20) Perëndia ynë shpalli: «Unë jam Alfa dhe Omega, . . . Ai që ishte, që është dhe që po vjen, i Plotfuqishmi.» (Zbulesa 1:8) Libri i Zbulesës përmend tri raste kur Jehovai flet nga qielli, dhe kjo është hera e parë. (Shih edhe Zbulesën 21:5-8; 22:12-15.) Të krishterët e shekullit të parë e kuptonin menjëherë se alfa dhe omega janë shkronja e parë dhe e fundit e alfabetit grek. Duke e quajtur veten Alfa dhe Omega, Jehovai thekson edhe njëherë se para tij s’ka pasur asnjë Perëndi të plotfuqishëm dhe pas tij, s’do të ketë asnjë. Ai do ta zgjidhë një herë e mirë se kush është Perëndia i vërtetë. Do të shfajësohet përgjithmonë si i vetmi Perëndi i plotfuqishëm, i vetmi Sovran Suprem mbi gjithë krijimin e tij.​—Krahaso Isainë 46:10; 55:10, 11.

10. (a) Çfarë tha më pas Gjoni për veten dhe ku gjendej i burgosur? (b) Cilët duhet të kenë bashkëpunuar që rrotulla e shkruar nga Gjoni t’u dërgohej kongregacioneve? (c) Si sigurohet shpesh në kohën tonë ushqimi frymor?

10 I bindur se Jehovai do t’u jepte zgjidhje gjërave, Gjoni u tha shokëve të tij të skllavërisë: «Unë, Gjoni, vëllai juaj dhe pjesëmarrës bashkë me ju në shtrëngime, në mbretëri dhe në qëndrueshmëri si ithtar i Jezuit, isha në ishullin e quajtur Patmos, ngaqë kisha folur për Perëndinë dhe kisha dhënë dëshmi për Jezuin.» (Zbulesa 1:9) Gjoni, ky burrë i moshuar që ishte burgosur në Patmos për hir të lajmit të mirë, që duronte vështirësi bashkë me vëllezërit e tij dhe që kishte shpresën e patundur se do të bënte pjesë në Mbretërinë që do të vinte, tani do të shihte vegimin e parë të Zbulesës. Pa dyshim, këto vegime i dhanë shumë zemër, ashtu si klasa e Gjonit merr zemër në kohën tonë kur sheh përmbushjen e tyre. Ne nuk e dimë si ua dërgoi Gjoni rrotullën e Zbulesës kongregacioneve, pasi në atë kohë ai ishte i burgosur. (Zbulesa 1:11; 22:18, 19) Me të duhet të kenë bashkëpunuar engjëjt e Jehovait, siç kanë bërë shpeshherë në kohën tonë me Dëshmitarët besnikë të Jehovait që shërbejnë në vende ku vepra e tyre është ndaluar ose kufizuar. Falë mbrojtjes së tyre, këta besnikë kanë mundur ta marrin në kohë ushqimin frymor për vëllezërit e tyre të etur për të vërtetën.​—Psalmi 34:6, 7.

11. Cilin privilegj, si ai që çmoi Gjoni, çmon shumë edhe klasa e Gjonit në kohën tonë?

11 Sa shumë duhet ta ketë çmuar Gjoni privilegjin që u përdor nga Jehovai si kanali i Tij i komunikimit me kongregacionet! Po ashtu, klasa e Gjonit në ditët tona e çmon shumë privilegjin për t’u siguruar shërbëtorëve të shtëpisë së Perëndisë ‘ushqim frymor në kohën e duhur’. (Mateu 24:45) Shpresojmë që të jesh edhe ti një ndër ata që kanë marrë forcë falë kësaj mase frymore, që të arrish synimin e lavdishëm të jetës së përhershme!​—Proverbat 3:13-18; Gjoni 17:3.

[Pyetjet]

[Kutia në faqen 21]

Ja si është siguruar ushqim frymor në kohë të vështira

Gjatë këtyre ditëve të fundit, kur Dëshmitarëve të Jehovait u është dashur të përballen me përndjekje e vështirësi, ka qenë e domosdoshme që të ushqeheshin frymësisht për të qëndruar të fortë në besim. Në shumicën e rasteve, është siguruar ushqim i mjaftueshëm, shpesh falë fuqisë së jashtëzakonshme të Jehovait.

Për shembull, gjatë regjimit të Hitlerit, Dëshmitarët në Gjermani shaptilografuan dhe shpërndanë kopje të Kullës së Rojës, e cila ishte ndaluar zyrtarisht nga autoritetet mizore naziste. Gestapoja bastisi një shtëpi në Hamburg, ku bëhej shaptilografimi. Shtëpia ishte e vogël dhe s’kishte vend ku ta fshihnin mirë materialin. Makina e shkrimit ishte futur në një dollap, kurse shaptilografi, që ishte goxha i madh, ruhej në një arkë me patate në bodrum. Pas arkës kishte edhe një valixhe plot me revista. S’kish si ndodhte ndryshe​—ato do të zbuloheshin! Por, çfarë ndodhi? Oficeri e hapi dollapin, por mënyra se si e bëri e pengoi të shihte makinën e shkrimit. E zonja e shtëpisë tha se në bodrum «tre oficerët qëndronin në mes të dhomës, dhe a e merr dot me mend se ku? Mu përpara arkës që kishte prapa valixhen plot me Kulla Roje. Me sa duket asnjëri prej tyre nuk e vuri re, sikur të ishin të verbër». Falë kësaj mbrojtjeje hyjnore të jashtëzakonshme, ajo familje vazhdoi të siguronte ushqim frymor në kohë të vështira e të rrezikshme.

Në vitet 60, pati një luftë civile mes Nigerisë dhe provincës së shkëputur të Biafrës. Në të katër anët Biafra rrethohej nga territori nigerian, ndaj lidhja e vetme e saj me botën e jashtme ishte rruga ajrore. Kjo do të thoshte që Dëshmitarët në Biafër rrezikonin t’u pritej ushqimi frymor. Mirëpo në fillim të vitit 1968, autoritetet në Biafër emëruan dy nga nëpunësit e tyre në dy poste kyçe: njërin në një detyrë të rëndësishme në Evropë, kurse tjetrin në fushën e aviacionit në Biafër. Të dy ishin Dëshmitarë të Jehovait dhe tani ishin në skajet e urës së vetme që lidhte Biafrën me botën e jashtme. Të dy e kuptuan se në këtë gjë kishte pasur gisht Jehovai, ndaj u treguan të gatshëm të futnin ushqim frymor në Biafër, ndonëse ishte me rrezik dhe aspak e lehtë. Ata e bënë këtë për aq kohë sa zgjati lufta. Njëri prej tyre tha: «E gjithë kjo ishte diçka që s’mund ta kishin ujdisur njerëzit.»

[Tabela në faqen 19]

Numrat simbolikë të Zbulesës

Numri Kuptimi simbolik

2 Nënkupton që diçka është vërtetuar në mënyrë të

pakundërshtueshme. (Zbulesa 11:3, 4; krahaso

Ligjin e përtërirë 17:6.)

3 Shënon theksim. Gjithashtu, tregon intensitet.

(Zbulesa 4:8; 8:13; 16:13, 19)

4 Nënkupton një përfshirje universale ose simetri

katrore. (Zbulesa 4:6; 7:1, 2; 9:14; 20:8; 21:16)

6 Nënkupton papërsosmëri, diçka që nuk është normale,

e përbindshme. (Zbulesa 13:18; krahaso 2 Samuelit 21:20.)

7 Nënkupton plotësi të përcaktuar në mënyrë hyjnore,

për sa u përket qëllimeve të Jehovait ose të Satanait.

(Zbulesa 1:4, 12, 16; 4:5; 5:1, 6; 10:3, 4; 12:3)

10 Nënkupton tërësi ose plotësi në kuptimin fizik, për sa

u përket gjërave në tokë.

(Zbulesa 2:10; 12:3; 13:1; 17:3, 12, 16)

12 Nënkupton një organizim të themeluar në mënyrë hyjnore

në qiell ose në tokë.

(Zbulesa 7:5-8; 12:1; 21:12, 16; 22:2)

24 Nënkupton një organizim nga Jehovai në një shkallë më të

lartë (të dyfishtë). (Zbulesa 4:4)

Disa numra të përmendur në librin e Zbulesës duhen marrë në kuptimin e mirëfilltë. Për përcaktimin e kësaj, shpesh ndihmon konteksti. (Shih Zbulesën 7:4, 9; 11:2, 3; 12:6, 14; 17:3, 9-11; 20:3-5.)