Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

‘Kush është i denjë ta hapë rrotullën?’

‘Kush është i denjë ta hapë rrotullën?’

Kapitulli 15

‘Kush është i denjë ta hapë rrotullën?’

1. Çfarë pa më pas Gjoni në vegim?

MADHËSHTOR! I PAPËRSHKRUESHËM! I tillë është vegimi i mahnitshëm i fronit të Jehovait në mes të llambave të zjarrit, kerubinëve, 24 pleqve dhe detit të qelqtë. Por, çfarë pa Gjoni më pas? Gjoni i nguli sytë pikërisht në qendër të kësaj skene që zhvillohej në qiell, dhe tha: «Në dorën e djathtë të Atij që rri ulur në fron, pashë një rrotull të shkruar nga brenda dhe nga jashtë, të vulosur mirë me shtatë vula. Pashë një engjëll të fuqishëm, që shpallte me zë të lartë: ‘Kush është i denjë t’ia zgjidhë vulat rrotullës dhe ta hapë?’ Por as në qiell, as mbi tokë, as nën tokë, nuk u gjend as edhe një që të hapte rrotullën dhe të shikonte në të. Unë qava shumë, sepse nuk u gjend askush që të ishte i denjë të hapte rrotullën dhe të shikonte në të.»​—Zbulesa 5:1-4.

2, 3. (a) Pse Gjoni dëshironte me zjarr që të gjendej dikush për të hapur rrotullën? A dukej se do të gjendej dikush? (b) Çfarë kanë pritur me padurim në kohën tonë shërbëtorët e mirosur të Perëndisë?

2 Rrotullën e mbante në dorë vetë Jehovai, Zotëria Sovran i tërë krijimit. Në të duhej të kishte plot gjëra të rëndësishme, sepse ishte shkruar nga para dhe nga prapa. Kjo na e shton kureshtjen. Çfarë përmbante rrotulla? A të kujtohet ç’ftesë i bëri Jehovai Gjonit? «Ngjitu këtu dhe do të të tregoj ato që do të ndodhin.» (Zbulesa 4:1) Kjo na bën të presim me padurim që të mësojmë lidhur me to. Por sa keq! Rrotulla ishte e mbyllur mirë dhe e vulosur me shtatë vula.

3 A do të gjente engjëlli i fuqishëm ndonjë që të ishte i denjë të hapte rrotullën? Sipas një versioni (Kingdom Interlinear) rrotulla ishte «mbi dorën e djathtë» të Jehovait. Kjo lë të kuptosh se ai e mbante në dorën e vet të hapur. Por me sa duket asnjë në qiell ose në tokë nuk ishte i denjë ta pranonte e ta hapte. As nën tokë, mes shërbëtorëve besnikë të Perëndisë që kishin vdekur, nuk kishte ndonjë që i përmbushte kushtet për të pasur këtë nder të madh. S’është aspak çudi pse Gjoni ishte në mënyrë të dukshme i mërzitur! Ndoshta druhej se s’do të mund të mësonte ‘ato që do të ndodhnin’. Edhe sot shërbëtorët e mirosur të Perëndisë kanë pritur me padurim që Jehovai t’u dërgonte dritë, që të kuptonin të vërtetat që gjenden në librin e Zbulesës. Ai ka vendosur ta bëjë këtë pak nga pak në kohën e caktuar që përmbushet kjo profeci, që ta drejtojë popullin e tij drejt një ‘shpëtimi të madh’.​—Psalmi 43:3, 5.

Ai që është i denjë

4. (a) Kush doli i denjë të hapte vulat dhe rrotullën? (b) Çfarë shpërblimi dhe privilegji ka klasa e Gjonit bashkë me ata që shoqërohen me të?

4 Po, ishte dikush i denjë ta hapte atë rrotull! Gjoni vazhdoi: «Por një nga pleqtë më tha: ‘Mos qaj më! Ja, ka dalë fitimtar Luani që është nga fisi i Judës, rrënja e Davidit. Ai do të hapë shtatë vulat dhe rrotullën.’» (Zbulesa 5:5) Atëherë Gjoni i fshiu lotët. Edhe klasa e Gjonit sot bashkë me shokët e vet besnikë ka treguar qëndrueshmëri për dekada të tëra përballë sprovave të ashpra, teksa priste me padurim të merrte dritë lidhur me profecinë e Zbulesës. Çfarë shpërblimi është për ne që kemi mundësi ta kuptojmë këtë vegim! Çfarë privilegji është të marrim pjesë në përmbushjen e tij, duke u shpallur të tjerëve mesazhin që përmban ai!

5. (a) Cila ishte profecia që u tha për Judën? Ku mbretëruan pasardhësit e Judës? (b) Kush është Shilohu?

5 «Luani që është nga fisi i Judës.» Gjoni e njihte mirë profecinë e Jakobit, paraardhësit të judenjve, për djalin e tij të katërt, Judën: «Juda është një këlysh luani. Nga preja ke për t’u ngritur, biri im. Ai u përkul, u shtri si një luan dhe, si një luan, kush guxon ta zgjojë? Skeptri nuk do të largohet nga Juda, as shkopi i komandantit nga këmbët e tij, derisa të vijë Shilohu, dhe këtij do t’i binden popujt.» (Zanafilla 49:9, 10) Linja mbretërore e popullit të Perëndisë erdhi nga Juda. Duke filluar me Davidin, e më pas të gjithë mbretërit që sunduan në Jerusalem, gjersa ai qytet u shkatërrua nga babilonasit, të tërë ishin pasardhës të Judës. Sidoqoftë asnjëri prej tyre s’ishte Shilohu, për të cilin foli Jakobi. Shiloh do të thotë «Ai të cilit i takon [e drejta]». Ky emër tregonte në mënyrë profetike Jezuin, të cilit tani i përket përgjithmonë mbretëria e linjës së Davidit.​—Ezekieli 21:25-27; Luka 1:32, 33; Zbulesa 19:16.

6. Në ç’kuptim Jezui ishte «një degëz» e Jeseut dhe «rrënja e Davidit»?

6 Gjoni e kuptoi menjëherë kujt i referohej shprehja «rrënja e Davidit». Mesia i premtuar quhet në mënyrë profetike ‘një degëz nga cungu i Jeseut [atit të mbretit David], një filiz’, si dhe ‘rrënja e Jeseut që do të ngrihet si sinjal për popujt’. (Isaia 11:1, 10) Meqë lindi në linjën mbretërore të birit të Jeseut, Davidit, Jezui është një degëz e Jeseut. Nga ana tjetër, duke qenë rrënja e Jeseut, Ai bëri të lindte sërish dinastia e Davidit, duke i dhënë jetë e duke e mbështetur gjithmonë.​—2 Samuelit 7:16.

7. Çfarë e bëri të denjë Jezuin të merrte rrotullën nga dora e Atij që rri ulur në fron?

7 Njeriu i përsosur Jezu ishte ai që më mirë se kushdo, i shërbeu Jehovait me integritet edhe nën sprova nga më të dhembshmet. Ai iu përgjigj plotësisht sfidës së Satanait. (Proverbat 27:11) Ja pse natën para se të jepte jetën si flijim, mundi të thoshte: «Unë e munda botën.» (Gjoni 16:33) Ndaj, pasi e ringjalli, Jehovai i besoi «çdo autoritet në qiell dhe në tokë». Nga të gjithë shërbëtorët e Perëndisë ai ishte i vetmi që i përmbushi kushtet për ta marrë rrotullën, me synimin që t’ua bënte të njohur njerëzve mesazhin e saj me rëndësi madhore.​—Mateu 28:18.

8. (a) Cilat fakte në lidhje me Mbretërinë tregojnë se Jezui është i denjë të hapë rrotullën? (b) Pse ishte me vend që njëri nga 24 pleqtë t’i tregonte Gjonit kush ishte i denjë ta hapte rrotullën?

8 Është shumë me vend që atë rrotull ta hapë Jezui. Që nga viti 1914, ai është kurorëzuar Mbreti i Mbretërisë mesianike të Perëndisë, dhe në atë rrotull zbulohen shumë gjëra lidhur me Mbretërinë dhe me atë që do të bëjë ajo. Kur ishte në tokë, Jezui dha dëshmi me besnikëri për të vërtetat në lidhje me Mbretërinë. (Gjoni 18:36, 37) Ai i mësoi ithtarët e tij të luteshin për Mbretërinë që do të vinte. (Mateu 6:9, 10) Në fillim të epokës së krishterë, ai nisi predikimin e lajmit të mirë të Mbretërisë dhe profetizoi se kjo vepër do të arrinte kulmin gjatë kohës së fundit. (Mateu 4:23; Marku 13:10) Po ashtu, ishte me vend që Gjonit t’i tregonte njëri nga 24 pleqtë se vulat do t’i hapte Jezui. Pse? Sepse këta pleq ulen në frone dhe mbajnë kurora, si bashkëtrashëgimtarë me Krishtin në Mbretërinë e tij.​—Romakëve 8:17; Zbulesa 4:4.

‘Qengji që u ther’

9. Çfarë pa Gjoni, duke qëndruar «afër fronit», në vend të luanit dhe si e përshkroi atë?

9 Gjoni kërkonte me sy ‘Luanin nga fisi i Judës’. Por, sa çudi! Në vend të tij iu shfaq një figurë simbolike krejt e ndryshme: «Afër fronit dhe mes katër krijesave të gjalla dhe pleqve, pashë një qengj që qëndronte atje dhe ngjante si i therur. Ai kishte shtatë brirë dhe shtatë sy. Këta sy përfaqësojnë shtatë frymërat e Perëndisë, që janë dërguar në mbarë tokën.»​—Zbulesa 5:6.

10. Kush është ‘qengji’ që pa Gjoni, dhe pse është i përshtatshëm ky term?

10 Mu në qendër, afër fronit, brenda rrathëve që formonin katër krijesat e gjalla dhe 24 pleqtë, ishte një qengj. Pa dyshim, Gjoni e kuptoi menjëherë se ky qengj ishte ‘Luani nga fisi i Judës’ dhe «rrënja e Davidit». Ai e dinte se, mbi 60 vjet më parë, Gjon Pagëzori ua prezantoi Jezuin judenjve që ishin atje si «Qengji i Perëndisë që heq mëkatin e botës». (Gjoni 1:29) Gjatë gjithë jetës së tij në tokë, Jezui nuk lejoi të ndotej nga bota, tamam si një qengj pa asnjë të metë, që të jepte jetën e tij të panjollë si flijim për njerëzimin.​—1 Korintasve 5:7; Hebrenjve 7:26.

11. Pse nuk është e padenjë që Jezui, i cili ka marrë lavdi, të paraqitet si ‘një qengj që ngjan i therur’?

11 Por, a s’është përçmuese dhe e padenjë ta paraqitësh Jezuin që ka marrë lavdi si ‘një qengj që ngjan i therur’? Aspak! Besnikëria e Jezuit deri në vdekje qe një disfatë e madhe për Satanain dhe një fitore e bujshme për Perëndinë Jehova. Ky imazh simbolik që përdoret për të paraqitur Jezuin, portretizon në mënyrë të gjallë fitoren e tij mbi botën e Satanait dhe na kujton dashurinë e thellë që Jehovai dhe Jezui kanë për njerëzit. (Gjoni 3:16; 15:13; krahaso Kolosianëve 2:15.) Kështu, Jezui na paraqitet si Fara e premtuar, më se i kualifikuar të hapë rrotullën.​—Zanafilla 3:15.

12. Çfarë paraqitin shtatë brirët e Qengjit?

12 Ç’gjë tjetër na e rrit çmueshmërinë për këtë «qengj»? Ai ka shtatë brirë. Në Bibël brirët simbolizojnë fuqinë ose autoritetin, dhe numri shtatë tregon plotësi. (Krahaso 1 Samuelit 2:1, 10; Psalmin 112:9; 148:14.) Pra, shtatë brirët e Qengjit paraqitin fuqinë e plotë që i ka dhënë Jehovai Jezuit. Për nga fuqia ai qëndron «shumë më lart se çdo qeveri, autoritet, fuqi, pushtet sundues dhe çdo emër që përmendet, jo vetëm në këtë sistem, por edhe në atë që do të vijë». (Efesianëve 1:20-23; 1 Pjetrit 3:22) Jezui ka treguar fuqinë e tij, fuqinë qeverisëse, sidomos që nga viti 1914, kur Jehovai e kurorëzoi si Mbret në qiell.​—Psalmi 2:6.

13. (a) Ç’përfaqësojnë shtatë sytë e Qengjit? (b) Çfarë bëri Qengji më pas?

13 Veç kësaj, Jezui është plot frymë të shenjtë, dhe kjo pasqyrohet nga shtatë sytë e Qengjit, që «përfaqësojnë shtatë frymërat e Perëndisë». Jezui është kanali nëpërmjet të cilit vërshon në mënyrë të plotë forca vepruese që Jehovai u dërgon shërbëtorëve të tij në tokë. (Titit 3:6) Ka të ngjarë që nëpërmjet kësaj fryme, ai sheh nga qielli ç’ndodh këtu në tokë. Njësoj si Ati i tij, edhe Jezui ka aftësi dalluese të përkryer. Atij nuk i shpëton asgjë. (Krahaso Psalmin 11:4; Zakarinë 4:10.) Pra, është e qartë se ky Bir​—njeriu me integritet që mundi botën; Luani nga fisi i Judës; rrënja e Davidit; ai që dha jetën për njerëzimin; ai që ka autoritet të plotë; që është plot me frymë të shenjtë dhe aftësi dalluese të përkryer nga Perëndia Jehova​—ishte më i denji të merrte rrotullën nga dora e Jehovait. A ngurroi ai ta pranonte këtë detyrë shërbimi në organizatën e lavdishme të Jehovait? Jo. Përkundrazi, ai «shkoi dhe e mori menjëherë rrotullën nga dora e djathtë e Atij që rri ulur në fron». (Zbulesa 5:7) Vërtet një shembull i shkëlqyer i gatishmërisë për t’u bindur!

Këngë lëvdimi

14. (a) Çfarë bëjnë katër krijesat e gjalla dhe 24 pleqtë, kur Jezui merr rrotullën? (b) Si e vërtetojnë të dhënat që mori Gjoni për 24 pleqtë identitetin dhe rolin e tyre?

14 Çfarë bënë të tjerët që gjendeshin para fronit të Jehovait? «Kur ai e mori rrotullën, katër krijesat e gjalla dhe njëzet e katër pleqtë u përkulën para Qengjit. Secili kishte një harpë dhe kishin kupa ari plot me temjan, i cili përfaqëson lutjet e të shenjtëve.» (Zbulesa 5:8) Njësoj si katër krijesat e gjalla, domethënë kerubinët që gjenden para fronit të Perëndisë, edhe 24 pleqtë përkulen para Jezuit dhe me këtë tregojnë se e pranojnë autoritetin e tij. Por pleqtë janë të vetmit që kanë harpa dhe kupa me temjan. Gjithashtu, vetëm ata këndojnë një këngë të re. (Zbulesa 5:9) Ja pse ngjajnë me 144.000 anëtarët e ‘Izraelit të shenjtë të Perëndisë’, të cilët gjithashtu mbajnë harpa dhe këndojnë një këngë të re. (Galatasve 6:16; Kolosianëve 1:12; Zbulesa 7:3-8; 14:1-4) Veç kësaj, 24 pleqtë paraqiten duke përmbushur një rol priftëror në qiell. Roli i tyre ishte treguar që më parë nga priftërinjtë në Izraelin e lashtë, të cilët digjnin temjan para Jehovait në tabernakull​—një rol që në tokë mori fund kur Perëndia hoqi Ligjin e Moisiut duke e gozhduar në shtyllën e torturës të Jezuit. (Kolosianëve 2:14) Çfarë del nga kjo? Që ky varg i paraqit fitimtarët e mirosur me frymë, në caktimin e tyre përfundimtar, si ‘priftërinj të Perëndisë e të Krishtit, që do të mbretërojnë me të për një mijë vjet’.​—Zbulesa 20:6.

15. (a) Kush ishte i vetmi në Izrael që kishte privilegjin të hynte në Më të shenjtën e tabernakullit? (b) Pse para se të hynte në Më të Shenjtën kryeprifti duhej të digjte temjan?

15 Në Izraelin e lashtë, vetëm kryeprifti hynte në Më të Shenjtën para pranisë simbolike të Jehovait. Mbajtja e temjanit, kur hynte në Më të Shenjtën, për të ishte një çështje për jetë a vdekje. Në ligjin e Jehovait thuhej shprehimisht: «[Aaroni] do të marrë mbajtësen e zjarrit plot me thëngjij nga altari para Jehovait, dy grushte plot me temjan të imët aromatik, dhe do t’i çojë brenda perdes. Që të mos vdesë, do ta vërë temjanin në zjarr para Jehovait, dhe reja e temjanit do të përhapet mbi kapakun e Arkës, që është mbi Dëshminë.» (Levitiku 16:12, 13) Kryeprifti mund të mbetej gjallë, kur hynte në Më të Shenjtën, vetëm nëse digjte temjan.

16. (a) Kush hyn në Më të Shenjtën antitipike, në sistemin e krishterë? (b) Pse të krishterët e mirosur duhet të ‘djegin temjan’?

16 Në sistemin e krishterë, në Më të Shenjtën antitipike, pra në qiej, ku është vetë Jehovai, nuk hyn vetëm Kryeprifti antitipik, Jezu Krishti, por edhe 144.000 nënpriftërinjtë. (Hebrenjve 10:19-23) Këta priftërinj që këtu paraqiten nga 24 pleqtë, s’mund të hyjnë në Më të Shenjtën, nëse nuk ‘djegin temjan’, domethënë nëse nuk i drejtojnë vazhdimisht lutje dhe përgjërime Jehovait.​—Hebrenjve 5:7; Juda 20, 21; krahaso Psalmin 141:2.

Një këngë e re

17. (a) Cilën këngë të re këndojnë 24 pleqtë? (b) Si përdoret zakonisht në Bibël shprehja ‘këngë e re’?

17 Më pas, ushtoi një këngë e melodishme. Ajo i këndohej Qengjit nga 24 pleqtë, që do të ishin bashkëpriftërinj me të. «Ata këndojnë një këngë të re, që thotë: ‘Ti je i denjë të marrësh rrotullën e të hapësh vulat e saj, sepse ti u there dhe me gjakun tënd bleve për Perëndinë njerëz nga çdo fis, gjuhë, popull dhe komb.’» (Zbulesa 5:9) Shprehja ‘këngë e re’ përmendet disa herë në Bibël, dhe zakonisht përdoret për të lavdëruar Jehovain për ndonjë vepër të fuqishme shpëtimi. (Psalmi 96:1; 98:1; 144:9) Kështu, kënga është e re, sepse ai që këndon mund të shpallë vepra të tjera të mrekullueshme të Jehovait dhe të shprehë më shumë çmueshmëri për emrin e tij të lavdishëm.

18. Për çfarë e lavdëronin 24 pleqtë Jezuin me këngën e tyre të re?

18 Megjithatë, në këtë rast, 24 pleqtë këndonin një këngë të re para Jezuit, dhe jo para Jehovait. Sidoqoftë, parimi është i njëjtë. Ata e lavdëronin Jezuin për gjërat e reja që ai, si Biri i Perëndisë, bëri për ta. Me anë të gjakut të tij, ai ndërmjetësoi për besëlidhjen e re dhe bëri të mundur lindjen e një kombi të ri si zotërim të veçantë për Jehovain. (Romakëve 2:28, 29; 1 Korintasve 11:25; Hebrenjve 7:18-25) Anëtarët e këtij kombi të ri frymor kanë ardhur nga vende të ndryshme, por Jezui i ka bashkuar në një kongregacion si një komb të vetëm.​—Isaia 26:2; 1 Pjetrit 2:9, 10.

19. (a) Cilin bekim nuk gëzoi Izraeli për shkak të jobesnikërisë? (b) Ç’bekim gëzon kombi i ri i Jehovait?

19 Kur Jehovai i organizoi izraelitët në një komb, në kohën e Moisiut, ai bëri një besëlidhje me ta dhe u premtoi që nëse i qëndronin besnikë asaj besëlidhjeje, do t’i bënte një mbretëri priftërinjsh. (Dalja 19:5, 6) Por izraelitët nuk qëndruan besnikë dhe nuk e gëzuan përmbushjen e këtij premtimi. Kurse kombi i ri, i formuar sipas besëlidhjes së re, me Jezuin si ndërmjetës, qëndroi besnik. Prandaj, anëtarët e tij mund të mbretërojnë mbi tokë dhe të shërbejnë si priftërinj, duke i ndihmuar njerëzit me zemër të drejtë të pajtohen me Jehovain. (Kolosianëve 1:20) Është tamam si thotë kënga e re: «I bëre një mbretëri dhe priftërinj për Perëndinë tonë, dhe ata do të mbretërojnë mbi tokën.» (Zbulesa 5:10) Ç’gëzim përjetojnë ata 24 pleq, kur i këndojnë Jezuit të lartësuar këtë këngë të re lëvdimi!

Një kor qiellor

20. Cila këngë lëvdimi ushtoi për nder të Qengjit?

20 Çfarë bënë pjesëtarët e tjerë të organizatës së madhe qiellore të Jehovait, kur dëgjuan këtë këngë të re? Gjoni u prek thellë, kur i pa të shprehnin me gjithë zemër të njëjtat ndjenja si të parët: «Pashë pastaj dhe dëgjova zërin e shumë engjëjve që ishin përreth fronit, krijesave të gjalla dhe pleqve. Ata ishin dhjetë mijë herë dhjetëra mijë dhe mijëra e mijëra dhe thoshin me një zë të fortë: ‘Qengji që u ther, është i denjë të marrë fuqinë, pasurinë, mençurinë, forcën, nderimin, lavdinë dhe bekimin.’» (Zbulesa 5:11, 12) Sa prekëse kjo këngë!

21. A ia ul vlerën sovranitetit ose pozitës së Jehovait lëvdimi i Qengjit? Shpjego.

21 A do të thotë kjo se Jezui ka marrë në njëfarë mënyre vendin e Perëndisë Jehova, dhe tani i gjithë krijimi është kthyer t’i thurë lavde Jezuit dhe jo Atit të tij? Kurrë mos qoftë! Në fakt, kjo këngë lëvdimi përputhet me fjalët e apostullit Pavël: «Perëndia e ngriti [Jezuin] në një pozitë më të lartë e me dashamirësi i dha emrin që është mbi çdo emër, në mënyrë që, në emër të Jezuit, të përkulet çdo gju i atyre në qiell, i atyre mbi tokë e nën tokë, dhe çdo gjuhë të pranojë hapur se Jezu Krishti është Zotëri në lavdi të Perëndisë, Atit.» (Filipianëve 2:9-11) Në këtë varg Jezui lartësohet për atë që ka bërë për të zgjidhur çështjen më të rëndësishme që është vënë para gjithë krijimit: shfajësimin e sovranitetit të ligjshëm të Jehovait. Sa lavdi i ka sjellë kjo Atit të tij!

Një himn bën jehonë

22. Me cilin himn janë bashkuar zërat që vijnë nga toka?

22 Në skenën e përshkruar nga Gjoni, krijesat e panumërta qiellore brohoritnin melodishëm për Jezuin, për t’i treguar se e çmonin besnikërinë e tij dhe e pranonin autoritetin e tij në qiell. Me ta janë bashkuar edhe zëra nga toka, që lëvdojnë edhe Atin, edhe Birin. Mes tërë krijimit, besnikëria e Jezuit është e gjitha «në lavdi të Perëndisë, Atit», ashtu si arritjet e një fëmije nderojnë prindërit. Gjoni vazhdoi: «Çdo krijesë në qiell, mbi tokë, nën tokë e në det, çdo gjë që është në to, e dëgjova të thoshte: ‘Ai që rri ulur në fron dhe Qengji paçin bekimin, nderimin, lavdinë dhe fuqinë në jetë të jetëve!’»​—Zbulesa 5:13.

23, 24. (a) Kur fillon të këndohet himni në qiell dhe kur në tokë? (b) Si i shtohet jehona këtij himni me kalimin e viteve?

23 Kur duhej të jehonte ky himn i mrekullueshëm? Ai filloi të këndohej në fillim të ditës së Zotërisë. Pasi u hodhën nga qiejt Satanai dhe demonët e tij, «çdo krijesë në qiell» mund të bashkohej në këtë këngë lëvdimi. Nga ana tjetër, siç e tregojnë faktet, që nga viti 1919, gjithnjë e më shumë njerëz këtu në tokë i kanë bashkuar zërat për të lëvduar Jehovain. Kështu, nga pak mijëra ata u rritën në shumë më tepër se gjashtë milionë, aty nga viti 2005. * Pasi të shkatërrohet sistemi tokësor i Satanait, «çdo krijesë . . . mbi tokë» do t’i këndojë lavde Jehovait dhe Birit të tij. Në kohën që ka caktuar Jehovai, do të nisë ringjallja e miliona të vdekurve, dhe pastaj «çdo krijesë . . . nën tokë», që është në kujtesën e Perëndisë, do të ketë mundësi të bashkojë zërin e vet në këtë himn.

24 Tashmë miliona njerëz ‘nga skaji i tokës nga deti dhe ishujt’, po këndojnë një këngë të re tok me organizatën mbarëtokësore të Jehovait. (Isaia 42:10; Psalmi 150:1-6) Lëvdimi i hareshëm do të arrijë kulmin në fund të Mijëvjeçarit, kur njerëzimi të ketë arritur përsosmërinë. Satanai, gjarpri i lashtë, kryemashtruesi, do të shkatërrohet një herë e përgjithmonë, dhe kështu do të përmbushet profecia e Zanafillës 3:15. Plotësimi i kësaj profecie do të bëjë që të gjitha krijesat e gjalla, frymore ose njerëzore, të këndojnë njëzëri: «Ai që rri ulur në fron dhe Qengji paçin bekimin, nderimin, lavdinë dhe fuqinë në jetë të jetëve!» Në të gjithë universin s’do të dëgjohet asnjë zë i stonuar rebel.

25. (a) Çfarë na nxit të bëjmë tregimi i Gjonit për himnin universal? (b) Çfarë shembulli të shkëlqyer na japin katër krijesat e gjalla dhe 24 pleqtë, ndërsa vegimi përmbushet?

25 Ç’kohë e gëzueshme do të jetë! Pa dyshim përshkrimi i Gjonit na e mbush zemrën me lumturi dhe na nxit të bashkohemi edhe ne me krijesat e panumërta qiellore për t’i kënduar lavde me gjithë zemër Perëndisë Jehova dhe Jezu Krishtit. A nuk jemi më të vendosur se kurrë të vazhdojmë me qëndrueshmëri të bëjmë vepra të drejta? Nëse veprojmë kështu, mund të presim që me ndihmën e Jehovait të shohim me sytë tanë plotësimin e lumtur të këtij vegimi dhe të bashkojmë zërat tanë në lavdet që këndon kori universal. Katër krijesat e gjalla, ose kerubinët, dhe të mirosurit e ringjallur janë plotësisht në një mendje, pasi vegimi përfundon me fjalët: «Katër krijesat e gjalla thanë: ‘Amin!’ Dhe pleqtë u përkulën e adhuruan Perëndinë.»​—Zbulesa 5:14.

26. Ku duhet të tregojmë besim? Ç’po përgatitej të bënte Qengji?

26 Lexues i dashur, dëshira jonë është që edhe ti të tregosh besim në flijimin e Qengjit​—të atij që është «i denjë». U bekofshin përpjekjet e tua të përulura për të adhuruar dhe për t’i shërbyer Jehovait​—«Atij që rri ulur në fron»! Përfito nga ndihma që jep sot klasa e Gjonit, duke siguruar «furnizime të mjaftueshme me ushqim [frymor] në kohën e duhur». (Luka 12:42) Prit pak! Qengji po përgatitej të hapte shtatë vulat. Ç’zbulesa të tjera emocionuese na presin tani?

[Shënimi]

^ par. 23 Shih tabelën në faqen 64.

[Pyetjet]

[Figura që zë gjithë faqen 86]