Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Mbreti-Luftëtar triumfon në Harmagedon

Mbreti-Luftëtar triumfon në Harmagedon

Kapitulli 39

Mbreti-Luftëtar triumfon në Harmagedon

Vegimi 13​—Zbulesa 19:11–21

Subjekti: Jezui u prin ushtrive qiellore drejt shkatërrimit të sistemit të Satanait

Koha e përmbushjes: Pas shkatërrimit të Babilonisë së Madhe

1. Ç’është Harmagedoni dhe ç’gjë do të çojë drejt tij?

HARMAGEDONI është një fjalë e frikshme për shumë njerëz! Kurse për ata që duan drejtësinë, shënon ditën e shumëpritur kur Jehovai do të ekzekutojë gjykimin përfundimtar mbi kombet. Nuk është luftë njerëzore, por ‘lufta e ditës së madhe të Perëndisë së Plotfuqishëm’, dita e hakmarrjes së tij kundër qeveritarëve të tokës. (Zbulesa 16:14, 16; Ezekieli 25:17) Shkatërrimi i Babilonisë së Madhe do të tregojë se shtrëngimi i madh tashmë ka filluar. Pastaj, nën nxitjen e Satanait, bisha me ngjyrë të kuqe të ndezur dhe dhjetë brirët e saj do ta përqendrojnë sulmin te populli i Jehovait. Djalli, më i tërbuar se kurrë me organizatën ose «gruan» e Perëndisë, është i vendosur të përdorë ata që ka mashtruar për të luftuar deri në pikën e fundit me mbetjen e farës së saj. (Zbulesa 12:17) Kjo është mundësia e fundit e Satanait!

2. Kush është Gogu i Magogut dhe si do ta bëjë Jehovai që të sulmojë popullin e vet?

2 Sulmi i tërbuar i Djallit përshkruhet në mënyrë të gjallë në kapitullin 38 të Ezekielit. Atje Satanai i poshtëruar quhet «Gogu i vendit të Magogut». Jehovai i vë në kuptim të figurshëm grremça në nofulla Gogut, për të nxjerrë atë dhe ushtritë e tij të shumta në fushën e betejës. Si do ta bëjë këtë? Jehovai do të bëjë që Gogu t’i shohë Dëshmitarët e Tij si një popull të pambrojtur, ‘të mbledhur nga kombet, që po grumbullon pasuri dhe prona, si ata që banojnë në zemër të tokës’. Ata bien në sy si i vetmi popull në tokë që s’ka pranuar të adhurojë bishën dhe shëmbëlltyrën e saj. Forca dhe begatia frymore e këtij populli do ta tërbojnë fare Gogun. Ndaj ai dhe ushtritë e tij të shumta, ku bën pjesë edhe bisha që doli nga deti me dhjetë brirët e saj, do të vërsulen për ta shfarosur. Por, ndryshe nga Babilonia e Madhe, populli i pastër i Perëndisë ka mbrojtjen hyjnore.​—Ezekieli 38:1, 2, 4, 11, 12, 15; Zbulesa 13:1.

3. Si do t’i heqë qafe Jehovai forcat e Gogut të armatosura gjer në dhëmbë?

3 Si do ta heqë qafe Jehovai Gogun dhe të gjithë ata që i shkojnë pas? Ja se si: «Kudo nëpër rajonin tim malor, unë do të thërras kundër tij shpatën,​—thotë Zotëria Sovran Jehova.​—Secili do t’ia drejtojë shpatën vëllait të vet.» Në atë betejë s’do të bëjnë punë as armët konvencionale, as ato bërthamore, sepse Jehovai ka thënë: «Unë do ta gjykoj, duke e goditur me murtajë e me gjak. Do të hedh mbi të, mbi trupat e tij dhe mbi popujt e shumtë që do të jenë me të, një rrebesh përmbytës, breshër, zjarr e squfur. Atëherë unë do të madhërohem, do të shenjtërohem e do të bëhem i njohur në sytë e shumë kombeve, dhe ato kanë për ta marrë vesh se unë jam Jehovai.»​—Ezekieli 38:21-23; 39:11; krahaso Josiun 10:8-14; Gjykatësit 7:19-22; 2 Kronikave 20:15, 22-24; Jobin 38:22, 23.

Ai që quhet «i Besueshëm dhe i Vërtetë»

4. Si e përshkroi Gjoni Jezu Krishtin gati për betejë?

4 Sipas Ezekielit, Jehovai do të thërrasë një shpatë. Kush do ta vringëllojë? Le të kthehemi sërish te Zbulesa dhe përgjigjen do ta gjejmë në një vegim tjetër të mahnitshëm. Para syve të Gjonit u hapën qiejt për të zbuluar diçka që të lë vërtet mbresë: Jezu Krishti gati për betejë! Gjoni tha: «Pashë qiellin të hapur dhe ja, një kalë i bardhë. Ai që rrinte mbi kalë, quhet i Besueshëm e i Vërtetë, dhe gjykon e lufton me drejtësi. Sytë e tij janë si një flakë zjarri, e mbi kokë ka shumë diadema»​—Zbulesa 19:11, 12a.

5, 6. Çfarë përfaqësojnë (a) ‘kali i bardhë’? (b) emri «i Besueshëm e i Vërtetë»? (c) sytë si «flakë zjarri»? (ç) ‘shumë diademat’?

5 Njësoj si në një vegim të mëparshëm që fliste për katër kalorës, ky «kalë i bardhë» është një simbol i përshtatshëm i luftës së drejtë. (Zbulesa 6:2) Cili nga bijtë e Perëndisë mund të ishte më i drejtë se ky Luftëtar i fuqishëm? Përderisa «quhet i Besueshëm e i Vërtetë», ai duhet të jetë «dëshmitari i besueshëm dhe i vërtetë», Jezu Krishti. (Zbulesa 3:14) Ai e bën këtë luftë për të ekzekutuar gjykimet e drejta të Jehovait. Pra, ai vepron në rolin e tij si Gjykatës i emëruar i Jehovait, si «Perëndi i Fuqishëm». (Isaia 9:6) Sytë tij, që ngjajnë «si një flakë zjarri», të kallin frikë, pasi janë fiksuar te shkatërrimi i afërt që do të përpijë si zjarr armiqtë e tij.

6 Mbreti-Luftëtar mbante në kokë diadema. Bisha që pa Gjoni të dilte nga deti, kishte dhjetë diadema, simbol i sundimit të saj të përkohshëm në tokë. (Zbulesa 13:1) Kurse Jezui «ka shumë diadema». Sundimi i tij i lavdishëm s’do të ketë të krahasuar me ata që kemi njohur deri më sot, pasi ai është «Mbreti i atyre që mbretërojnë dhe Zotëria i atyre që sundojnë si zotërinj».​—1 Timoteut 6:15.

7. Ç’është emri i shkruar që mbante Jezui?

Gjoni vazhdoi përshkrimin e tij: «Ai ka një emër të shkruar, që përveç tij, askush tjetër nuk e di.» (Zbulesa 19:12b) Në Bibël Biri i Perëndisë është quajtur edhe Jezu, Emanuel dhe Mikael. Por ky «emër» i padeklaruar duket se ka të bëjë me pozitën dhe privilegjet që gëzon Jezui gjatë ditës së Zotërisë. (Krahaso Zbulesën 2:17.) Ja çfarë tha Isaia për Jezuin pas vitit 1914: «Ai do të thirret Këshilltar i Mrekullueshëm, Perëndi i Fuqishëm, Atë i Përjetshëm, Princ i Paqes.» (Isaia 9:6) Apostulli Pavël i bashkangjiti emrit të Jezuit privilegjet e Tij shumë të larta të shërbimit kur shkroi: «Perëndia e ngriti [Jezuin] në një pozitë më të lartë e me dashamirësi i dha emrin që është mbi çdo emër, në mënyrë që, në emër të Jezuit, të përkulet çdo gju.»​—Filipianëve 2:9, 10.

8. Pse vetëm Jezui mund ta dijë emrin e shkruar dhe me kë i ndan disa nga privilegjet e tij të larta?

8 Privilegjet e Jezuit janë unike. Përveç Jehovait, vetëm Jezui mund ta kuptojë se ç’do të thotë të kesh një pozitë kaq të lartë. (Krahaso Mateun 11:27.) Kështu, nga të gjitha krijesat e Perëndisë, vetëm Jezui mund ta kuptojë dhe ta çmojë në masë të plotë këtë emër. Megjithatë, në disa nga këto privilegje Jezui përfshin edhe nusen e tij. Ai ka bërë këtë premtim: ‘Mbi atë që do të dalë fitimtar, . . . do të shkruaj . . . emrin tim të ri.’​—Zbulesa 3:12.

9. (a) Çfarë paraqit Jezui ‘i veshur me një rrobë të spërkatur me gjak’? (b) Pse Jezui është quajtur «Fjala e Perëndisë»?

Gjoni shtoi: «Mban veshur një rrobë të spërkatur me gjak, dhe emri me të cilin thirret, është: Fjala e Perëndisë.» (Zbulesa 19:13) I kujt është ky «gjak»? Mund të jetë gjaku që derdhi Jezui në dobi të njerëzimit. (Zbulesa 1:5) Por në këtë kontekst, ka më shumë të ngjarë që t’i referohet gjakut të armiqve të tij, që do të derdhet gjatë ekzekutimit të gjykimeve të Jehovait mbi ta. Kjo na kujton një vegim të mëparshëm, ku hardhia e tokës vilej dhe shkelej në shtypësen e madhe të zemërimit të Perëndisë, derisa gjaku arrinte deri te «frerët e kuajve», që nënkupton një fitore të madhe mbi armiqtë e Perëndisë. (Zbulesa 14:18-20) Edhe gjaku i spërkatur në rrobën e Jezuit vërteton se fitorja e tij do të jetë përfundimtare dhe e plotë. (Krahaso Isainë 63:1-6.) Tani Gjoni përmendi një emër tjetër të Jezuit. Kësaj here, bëhet fjalë për një emër mjaft të njohur​—«Fjala e Perëndisë»​—që e identifikon këtë Mbret-Luftëtar si Kryezëdhënësin e Perëndisë dhe Mbrojtësin e së vërtetës.​—Gjoni 1:1; Zbulesa 1:1.

Bashkëluftëtarët e Jezuit

10, 11. (a) Si tregoi Gjoni se Jezui nuk do të jetë i vetëm në betejë? (b) Çfarë tregojnë kuajt e bardhë dhe veshja me «li të bardhë, të pastër e të hollë» e kalorësve? (c) Cilët do të bëjnë pjesë në «ushtritë» qiellore?

10 Jezui nuk do të luftojë i vetëm në këtë betejë. Gjoni tha: «Gjithashtu, e ndiqnin mbi kuaj të bardhë ushtritë që ishin në qiell. Ato ishin veshur me li të bardhë, të pastër e të hollë.» (Zbulesa 19:14) Kuajt ‘e bardhë’ përfaqësojnë luftën e drejtë. ‘Liri i hollë’ u shkon për shtat kalorësve të Mbretit dhe bardhësia e tij rrëzëllitëse është shenjë e një qëndrimi të pastër e të drejtë para Jehovait. Pra, nga cilët përbëhen këto ‘ushtri’? Pa dyshim, në to bëjnë pjesë engjëjt e shenjtë. Në fillim të ditës së Zotërisë, pikërisht Mikaeli dhe engjëjt e tij dëbuan nga qielli Satanain dhe demonët që i vajtën pas. (Zbulesa 12:7-9) Veç kësaj, «të gjithë engjëjt» do të jenë në shërbim të Jezuit, kur të ulet në fronin e tij të lavdishëm e të nisë të gjykojë kombet dhe njerëzit në tokë. (Mateu 25:31, 32) Në këtë luftë vendimtare, ku do të ekzekutohen në mënyrë përfundimtare gjykimet e Perëndisë, me siguri Jezui do të jetë sërish i shoqëruar nga engjëjt e tij.

11 Përveç tyre do të ketë edhe të tjerë. Në mesazhin e tij drejtuar kongregacionit të Tiatirës, Jezui premtoi: «Atij që del fitimtar dhe që ndjek udhën time deri në fund, do t’i jap autoritet mbi kombet, njëlloj si mora unë autoritet nga Ati im. Ai do të sundojë mbi njerëzit me një shkop të hekurt, dhe ata do të bëhen copë-copë posi enë argjile.» (Zbulesa 2:26, 27) S’ka dyshim se kur të vijë koha, vëllezërit e Krishtit që janë tashmë në qiell do të sundojnë mbi njerëzit dhe mbi kombet me shkopin e hekurt që premtoi Jezui.

12. (a) A do të marrin pjesë shërbëtorët e Perëndisë në tokë në luftën e Harmagedonit? (b) Si do të përfshihet në Harmagedon populli i Jehovait në tokë?

12 Po shërbëtorët e Perëndisë këtu në tokë? Klasa e Gjonit s’do të ketë një pjesëmarrje aktive në luftën e Harmagedonit; as shokët e tyre besnikë, njerëzit nga të gjitha kombet që kanë vërshuar në shtëpinë frymore të Jehovait për ta adhuruar. Këta njerëz paqësorë tashmë i kanë farkëtuar shpatat e i kanë kthyer në plore. (Isaia 2:2-4) Megjithatë, do të përfshihen në një masë të konsiderueshme. Siç e kemi parë tashmë, do të jetë pikërisht populli i Jehovait, në dukje i pambrojtur, shënjestër e sulmit të egër të Gogut dhe tërë atyre që i shkojnë pas. Ky do të jetë sinjali për Mbretin-Luftëtar të Jehovait, që e mbështetin ushtritë qiellore, për të nisur luftën shfarosëse kundër atyre kombeve. (Ezekieli 39:6, 7, 11; krahaso Danielin 11:44–12:1.) Populli i Perëndisë do t’i ndjekë me interes këto ngjarje nga toka në rolin e vëzhguesit. Për ta Harmagedoni do të thotë shpëtim dhe do të njihen përgjithmonë, si ata që kanë parë me sytë e tyre luftën e madhe të shfajësimit të Jehovait.

13. Si e dimë se Dëshmitarët e Jehovait nuk janë kundër qeverive?

13 A do të thotë kjo se Dëshmitarët e Jehovait janë kundër çdo qeverie? Aspak! Ata i binden këshillës së apostullit Pavël: «Çdo shpirt të jetë i nënshtruar ndaj autoriteteve më të larta.» Ata e kuptojnë se për sa kohë të zgjatë ky sistem, ‘autoritetet më të larta’ ekzistojnë ngaqë i lejon Perëndia për të mbajtur njëfarë rregulli në shoqërinë njerëzore. Prandaj, Dëshmitarët e Jehovait paguajnë taksat, u binden ligjeve, respektojnë rregullat e trafikut, bëjnë regjistrimet e kërkuara, e kështu me radhë. (Romakëve 13:1, 6, 7) Veç kësaj, duke iu përmbajtur parimeve biblike, janë të ndershëm, nuk gënjejnë, tregojnë dashuri për të tjerët, ndërtojnë familje të forta e të moralshme dhe i mësojnë fëmijët të jenë qytetarë shembullorë. Duke vepruar kështu, ata i paguajnë «Cezarit, gjërat e Cezarit, kurse Perëndisë, gjërat e Perëndisë». (Luka 20:25; 1 Pjetrit 2:13-17) Meqë Fjala e Perëndisë tregon se qeveritë e kësaj bote janë të përkohshme, Dëshmitarët e Jehovait po përgatiten që tani për një jetë më të plotë, për jetën e vërtetë që do të gëzojnë së shpejti nën Mbretërinë e Krishtit. (1 Timoteut 6:17-19) Megjithëse s’do të marrin pjesë në rrëzimin e fuqive të kësaj bote, Dëshmitarët lexojnë me frikë përnderuese ato që thotë Fjala e frymëzuar e Perëndisë, Bibla e Shenjtë, për gjykimin që Jehovai do të ekzekutojë së shpejti në Harmagedon.​—Isaia 26:20, 21; Hebrenjve 12:28, 29.

Përpara drejt betejës përfundimtare!

14. Çfarë simbolizon ‘shpata e gjatë dhe e mprehtë’ që dilte nga goja e Jezuit?

14 Me ç’autoritet do ta arrijë Jezui fitoren? Gjoni tha: «Nga goja e tij del një shpatë e gjatë dhe e mprehtë, që me të ai të godasë kombet. Ai do të sundojë mbi to me një shkop të hekurt.» (Zbulesa 19:15a) Kjo «shpatë e gjatë dhe e mprehtë» përfaqëson autoritetin që i ka dhënë Perëndia Jezuit për të urdhëruar ekzekutimin e të gjithë atyre që nuk duan të mbështetin Mbretërinë e Perëndisë. (Zbulesa 1:16; 2:16) Kjo simbolikë e gjallë është paralele me fjalët e Isaisë: «Ai [Jehovai] e bëri gojën time si një shpatë të mprehtë. Më mbuloi me hijen e dorës së tij. Pastaj më bëri si një shigjetë të lëmuar.» (Isaia 49:2) Këtu Isaia paraqiste Jezuin, që do të shpallte gjykimet e Perëndisë dhe do t’i ekzekutonte si me një shigjetë të pagabueshme.

15. Kush do të jetë demaskuar dhe gjykuar në këtë kohë dhe fillimin e cilës ngjarje do të shënojë kjo gjë?

15 Në këtë kohë, Jezui do të ketë përmbushur fjalët e Pavlit: «Atëherë, vërtet do të zbulohet i paligjshmi, të cilin Zotëria Jezu do ta shfarosë me frymën e gojës së tij dhe do ta asgjësojë me shfaqjen e pranisë së tij.» Po, prania e Jezuit, (greqisht, parousía) ka qenë e dukshme që nga viti 1914, kur u demaskua dhe u gjykua i paligjshmi, kleri i krishterimit apostat. Kjo prani do të jetë edhe më e dukshme kur dhjetë brirët e bishës me ngjyrë të kuqe të ndezur të ekzekutojnë këtë gjykim dhe të batërdisin krishterimin apostat, bashkë me pjesën tjetër të Babilonisë së Madhe. (2 Selanikasve 2:1-3, 8) Ky do të jetë fillimi i shtrëngimit të madh. Pas kësaj, Jezui do ta drejtojë vëmendjen tek ajo që do të mbetet nga organizata e Satanait, në përputhje me profecinë: «Ai do ta godasë tokën me thuprën e gojës së tij dhe do t’i vrasë të ligjtë me frymën e buzëve.»​—Isaia 11:4.

16. Si e përshkruajnë Psalmet dhe Jeremia rolin e Mbretit-Luftëtar të emëruar nga Jehovai?

16 Mbreti-Luftëtar i emëruar nga Jehovai do të dallojë ata që do të mbijetojnë nga ata që do të vdesin. Duke folur në mënyrë profetike për birin e tij, Jehovai tha: «Ti do t’i copëtosh [sundimtarët e tokës] me një skeptër të hekurt, e do t’i bësh copë e çikë si të ishin enë poçari.» Jeremia iu drejtua me këto fjalë krerëve të korruptuar qeveritarë dhe sahanlëpirësve të tyre: «Ulërini, o barinj, dhe bërtitni! Zhgërryhuni, o të parët e kopesë, sepse erdhën ditët që të thereni dhe që të shpërndaheni, e ju do të bini si një enë e vyer.» Sado të dëshirueshëm mund t’i jenë dukur botës së ligë ata qeveritarë, një goditje e vetme me skeptrin e hekurt të Mbretit do t’i thërrmojë si një vazo e bukur. Do të jetë siç profetizoi Davidi për Zotërinë Jezu: «Nga Sioni, Jehovai do të zgjatë shkopin e forcës së tij dhe do t’i thotë: ‘Shko mes armiqve të tu dhe nënshtroji.’ Jehovai, që është në të djathtën tënde, do t’i copëtojë mbretërit ditën e zemërimit të tij. Do të zbatojë gjykimin e tij kundër kombeve, do ta mbushë vendin me kufoma.»​—Psalmi 2:9, 12; 83:17, 18; 110:1, 2, 5, 6; Jeremia 25:34.

17. (a) Si e përshkroi Gjoni ekzekutimin që do të bëjë Mbreti-Luftëtar? (b) Përmend disa profeci që tregojnë sa shkatërrimtare do të jetë dita e zemërimit të Perëndisë për kombet.

17 Ky Mbret-Luftëtar i fuqishëm shfaqet sërish në skenën tjetër të vegimit: «Ai shtyp në shtypësen e rrushit të zemërimit të furishëm të Perëndisë së Plotfuqishëm.» (Zbulesa 19:15b) Gjoni kishte parë tashmë në një vegim të mëparshëm shtypjen e rrushit në «shtypësen e madhe të zemërimit të Perëndisë». (Zbulesa 14:18-20) Edhe Isaia foli për një shtypëse ose një mjet ekzekutimi, dhe profetë të tjerë akoma kanë thënë sa shkatërrimtare do të jetë dita e zemërimit të Perëndisë për të gjitha kombet.​—Isaia 24:1-6; 63:1-4; Jeremia 25:30-33; Danieli 2:44; Sofonia 3:8; Zakaria 14:3, 12, 13; Zbulesa 6:15-17.

18. Çfarë tregoi profeti Joel lidhur me gjykimin e të gjitha kombeve nga Jehovai?

18 Profeti Joel e shoqëroi shtypësen me ardhjen e Jehovait ‘për të gjykuar të gjitha kombet rreth e përqark’. Pikërisht Jehovai do të urdhërojë pa dyshim Gjykatësin që do të bashkëpunojë me të, Jezuin, dhe ushtritë e tij qiellore: «Vini draprin, se të korrat janë gati. Ejani, zbritni, se shtypësja e rrushit është plot. Lugjet e shtypëseve gufojnë, sepse e keqja e tyre është me bollëk. Turma, turma ka në ultësirën e vendimit, sepse dita e Jehovait është afër në ultësirën e vendimit. Dielli dhe hëna patjetër do të errësohen dhe yjet do të humbasin shndritjen e tyre. Nga Sioni Jehovai do të ulërijë si një luan dhe nga Jerusalemi do të lëshojë zërin e tij. Qielli dhe toka do të lëkunden, por Jehovai do të jetë një strehë për popullin e tij dhe një fortesë për bijtë e Izraelit. Ju do ta merrni vesh që unë jam Jehovai, Perëndia juaj.»​—Joeli 3:12-17.

19. (a) Si do të marrë përgjigje pyetja te 1 Pjetrit 4:17? (b) Ç’emër gjendej i shkruar në rrobën e Jezuit dhe pse do të jetë i përshtatshëm?

19 Do të jetë vërtet një ditë e zezë për kombet dhe njerëzit e pabindur, por një ditë lehtësimi për të gjithë ata që kanë kërkuar strehë te Jehovai dhe Mbreti i tij Luftëtar. (2 Selanikasve 1:6-9) Kur gjykimi që filloi me shtëpinë e Perëndisë në vitin 1918, të ketë arritur kulmin, do të ketë marrë përgjigje edhe pyetja te 1 Pjetrit 4:17: «Ç’fund do të kenë ata që nuk i binden lajmit të mirë të Perëndisë?» Fitimtari i lavdishëm do të ketë shtypur deri në fund hardhinë, duke treguar se ai është i Lartësuari për të cilin Gjoni tha: «Mbi rrobë, mbi kofshë, ai ka të shkruar një emër: Mbret i mbretërve dhe Zotëri i zotërinjve.» (Zbulesa 19:16) Ai do të ketë treguar se është më i fuqishmi i të gjithë qeveritarëve të tokës, qoftë i mbretërve, qoftë i zotërinjve. Lavdia dhe shkëlqimi i tij janë të jashtëzakonshme. Ai ka kalëruar «në mbrojtje të së vërtetës, të përulësisë e të drejtësisë». (Psalmi 45:4) Në rrobat e tij të spërkatura me gjak është shkruar emri që i ka dhënë Zotëria Sovran Jehova, sovranitetin e të cilit do të shfajësojë.

Darka e madhe e Perëndisë

20. Si e përshkroi Gjoni «darkën e madhe të Perëndisë» dhe cilën profeci të mëparshme na kujton?

20 Në vegimin e Ezekielit, pas shkatërrimit të turmës së Gogut, zogjtë dhe kafshët e egra ftohen në një gosti. Ata pastrojnë vendin nga kufomat e armiqve të Perëndisë të shpërndara kudo. (Ezekieli 39:11, 17-20) Fjalët vijuese të Gjonit na e sjellin të gjallë në mendje atë profeci të mëparshme: «Pashë, gjithashtu, një engjëll që qëndronte në diell, i cili thërriti me zë të fortë e u tha gjithë zogjve që fluturojnë në mes të qiellit: ‘Ejani këtu, mblidhuni bashkë për darkën e madhe të Perëndisë, që të hani mishin e mbretërve, mishin e komandantëve ushtarakë, mishin e njerëzve të fortë, mishin e kuajve dhe të atyre që rrinë mbi ta, mishin e të gjithëve, të lirë e skllevër, të vegjël e të mëdhenj.’»​—Zbulesa 19:17, 18.

21. Çfarë tregon (a) engjëlli që «qëndronte në diell»? (b) fakti që të vdekurit do të lihen përtokë? (c) lista me kufomat e atyre që do të lihen përtokë? (ç) shprehja ‘darka e madhe e Perëndisë’?

21 Engjëlli «qëndronte në diell», një pozicion mbizotërues për të tërhequr vëmendjen e zogjve. Ai i ftoi të bëheshin gati të dendeshin me mishin e atyre që do të vriteshin nga Mbreti-Luftëtar dhe ushtritë e tij qiellore. Lënia e të vdekurve përtokë tregon se ata do të vdesin të turpëruar para të gjithëve. Njësoj si Jezebela në lashtësi, nuk do të varrosen me nder. (2 Mbretërve 9:36, 37) Lista e atyre që do t’u lihen kufomat përtokë tregon përmasat që do të ketë ky shkatërrim: mbretër, udhëheqës ushtarakë, njerëz të fuqishëm, njerëz të lirë dhe skllevër. S’do të përjashtohet asnjë. Do të zhduket edhe gjurma e fundit e kësaj bote që është rebeluar kundër Jehovait. Pas kësaj, s’do të ketë më një det të trazuar me njerëz të çoroditur. (Zbulesa 21:1) Ajo do të jetë ‘darka e madhe e Perëndisë’, pasi vetë Jehovai do t’i ftojë zogjtë në këtë gosti.

22. Si e përmblodhi Gjoni rrjedhën që do të marrë kjo luftë përfundimtare?

22 Ja si e përmblodhi Gjoni rrjedhën që do të marrë kjo luftë përfundimtare: «Pashë bishën, mbretërit e tokës dhe ushtritë e tyre të mbledhura së bashku për të luftuar kundër atij që rri mbi kalë dhe kundër ushtrisë së tij. Bisha u kap e bashkë me të edhe profeti i rremë, që kreu para saj shenjat me të cilat mashtroi ata që morën damkën e bishës dhe ata që adhurojnë shëmbëlltyrën e saj. Ata u hodhën që të dy të gjallë në liqenin e zjarrtë që digjet me squfur. Kurse të tjerët u vranë me shpatën e gjatë që dilte nga goja e atij që rrinte mbi kalë. Dhe gjithë zogjtë u ngopën me mishin e tyre.»​—Zbulesa 19:19-21.

23. (a) Në ç’kuptim ‘lufta e madhe e ditës së Perëndisë së Plotfuqishëm’ bëhet në «Harmagedon»? (b) Cilin paralajmërim nuk kanë dëgjuar «mbretërit e tokës» dhe me ç’pasojë?

23 Pas derdhjes së kupës së gjashtë të zemërimit të Jehovait, Gjoni tha se «mbretërit e mbarë tokës së banuar» u mblodhën nga propaganda demonike «për luftën e ditës së madhe të Perëndisë së Plotfuqishëm». Kjo luftë do të bëhet në Harmagedon, që nuk është një vend i caktuar, por një situatë botërore që bën të nevojshëm ekzekutimin e gjykimit të Jehovait. (Zbulesa 16:12, 14, 16) Kurse tani, Gjoni pa radhët e betejës. Të rreshtuar kundër Perëndisë ishin «mbretërit e tokës dhe ushtritë e tyre». Me kokëfortësi ata nuk kanë pranuar t’i nënshtrohen Mbretit të Jehovait. Ai i kishte paralajmëruar siç duhej me këto fjalë të frymëzuara: «Puthni birin, që Perëndia të mos zemërohet me ju e të zhdukeni nga udha e jetës.» Përderisa nuk i janë nënshtruar sundimit të Krishtit, ata duhet të vdesin.​—Psalmi 2:12.

24. (a) Cili gjykim do të ekzekutohet mbi bishën dhe profetin e rremë e në ç’kuptim ata janë ende «të gjallë»? (b) Pse ‘liqeni i zjarrtë’ duhet të jetë një vend simbolik?

24 Bisha me shtatë koka e dhjetë brirë që doli nga deti, e cila përfaqëson organizatën politike të Satanait, do të kridhet në harresë, e bashkë me të do të shkojë edhe profeti i rremë, fuqia e shtatë botërore. (Zbulesa 13:1, 11-13; 16:13) Megjithëse ende «të gjallë», ose e thënë me fjalë të tjera, ende në veprim me forca të bashkuara kundër popullit të Perëndisë në tokë, ata do të hidhen «në liqenin e zjarrtë». A bëhet fjalë për një liqen të zjarrtë të vërtetë? Jo, njësoj si bisha dhe profeti i rremë nuk janë kafshë të vërteta. Në të vërtetë ky liqen është simboli i shkatërrimit të plotë e përfundimtar, një vend nga ku s’kthehesh dot pas. Pikërisht në këtë vend, më vonë, do të hidhet vdekja dhe Hadesi, si edhe vetë Djalli. (Zbulesa 20:10, 14) Pa dyshim nuk është një ferr ku të ligjtë do të mundohen përgjithmonë, pasi vetëm mendimi se ekziston një vend i tillë është i neveritshëm për Jehovain.​—Jeremia 19:5; 32:35; 1 Gjonit 4:8, 16.

25. (a) Cilët ‘do të vriten me shpatën e gjatë që dilte nga goja e atij që rrinte mbi kalë’? (b) A duhet të presim që ndonjë nga ata që ‘do të vriten’ të ringjallet?

25 Të gjithë të tjerët që nuk kanë marrë drejtpërdrejt pjesë në ndonjë qeveri, por megjithatë kanë qenë pjesë e pandreqshme e kësaj bote të korruptuar njerëzish, po ashtu ‘do të vriten me shpatën e gjatë që dilte nga goja e atij që rrinte mbi kalë’. Jezui do t’i dënojë me vdekje. Përderisa në rastin e tyre nuk përmendet liqeni i zjarrtë, a duhet të presim që ata të ringjallen? Asgjëkundi nuk na thuhet se ata që do të ekzekutohen nga Gjykatësi i Jehovait në atë kohë, do të ringjallen. Siç tha edhe Jezui, të gjithë ata që nuk janë ‘dele’, përfundojnë «në zjarrin e përhershëm të përgatitur për Djallin dhe engjëjt e tij», domethënë, «në vdekjen e përhershme». (Mateu 25:33, 41, 46) Kjo do të jetë pika kulmore e ‘ditës së gjykimit e të shkatërrimit të njerëzve të paperëndishëm’.​—2 Pjetrit 3:7; Naumi 1:2, 7-9; Malakia 4:1.

26. Trego shkurtimisht çfarë do të sjellë Harmagedoni.

26 Kështu do të marrë fund tërë organizata tokësore e Satanait. «Qielli i mëparshëm» i qeverisjes politike do të jetë zhdukur. «Toka», sistemi në pamje të parë i qëndrueshëm, i ndërtuar nga Satanai gjatë shekujve, do të jetë shkatërruar plotësisht. «Deti», masa e njerëzve të ligj që janë kundër Jehovait, nuk do të jetë më. (Zbulesa 21:1; 2 Pjetrit 3:10) Por, çfarë ka ruajtur Jehovai për vetë Satanain? Këtë na e ka treguar Gjoni në vegimin tjetër të tij.

[Pyetjet]