Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Mjerimi i dytë​—Ushtria e kalorësve

Mjerimi i dytë​—Ushtria e kalorësve

Kapitulli 23

Mjerimi i dytë​—Ushtria e kalorësve

1. Pavarësisht nga përpjekjet e klerit për t’i shkelur karkalecat, çfarë ka ndodhur dhe çfarë tregon ardhja e dy mjerimeve të tjera?

NGA viti 1919 e më pas, «karkalecat» që u lëshuan mbi krishterimin apostat i kanë shkaktuar shumë dhembje klerit. Ai është munduar t’i shkelë, por ata kanë vërshuar më të fortë se kurrë. (Zbulesa 9:7) Dhe s’mbaron me kaq! Gjoni shkroi: «Mjerimi i parë shkoi. Ja, pas këtyre gjërave vijnë edhe dy mjerime të tjera.» (Zbulesa 9:12) Plagët që do të torturonin krishterimin apostat s’kishin mbaruar.

2. (a) Çfarë ndodhi kur engjëlli i gjashtë i ra trumbetës? (b) Ç’përfaqëson ‘zëri që dilte nga brirët e altarit prej ari’? (c) Pse përmenden katër engjëj?

2 Nga do të vinte mjerimi i dytë? Gjoni shkroi: «Engjëlli i gjashtë i ra trumbetës. Dëgjova një zë që dilte nga brirët e altarit prej ari, që gjendet para Perëndisë, i cili i tha engjëllit të gjashtë që kishte trumbetën: ‘Zgjidhi katër engjëjt që janë lidhur në lumin e madh Eufrat.’» (Zbulesa 9:13, 14) Engjëjt u lëshuan pasi u dëgjua zëri që dilte nga brirët e altarit prej ari. Është fjala për altarin prej ari të temjanit. Më parë, temjani në kupat e arit i marrë nga ky altar është shoqëruar dy herë me lutjet e të shenjtëve. (Zbulesa 5:8; 8:3, 4) Prandaj, ky zë i vetëm përfaqëson lutjet që bëjnë njëzëri të shenjtët që janë në tokë. Në këtë rast ata po kërkonin me ngulm të çliroheshin që të vazhdonin të shërbenin me zell si «lajmëtarë» të Jehovait, sipas kuptimit të parë të fjalës greke që në këtë shkrim përkthehet ‘engjëj’. Por, pse janë katër engjëj? Ky numër simbolik duket se tregon që ata do të ishin kaq të organizuar sa zëri i tyre do të shkonte në tërë tokën.​—Zbulesa 7:1; 20:8.

3. Në ç’kuptim ishin ‘të lidhur në lumin e madh Eufrat’ katër engjëjt?

3 Në ç’kuptim ishin ‘të lidhur në lumin e madh Eufrat’ këta engjëj? Në kohët e lashta, lumi Eufrat ishte kufiri verilindor i vendit që Jehovai i kishte premtuar Abrahamit. (Zanafilla 15:18; Ligji i përtërirë 11:24) Me sa duket, engjëjt ishin mbajtur në kufi të vendit ose të fushës së veprimtarisë tokësore që u kishte dhënë Perëndia. Atyre u ishte mohuar përfshirja e plotë në shërbimin që kishte parashikuar Jehovai për ta. Gjithashtu, Eufrati lidhej ngushtësisht me qytetin e Babilonisë. Pas rënies së Jerusalemit në vitin 607 p.e.s., izraelitët kaluan 70 vjet robëri në atë vend, ‘të lidhur në lumin e madh Eufrat’. (Psalmi 137:1) Po ashtu, viti 1919 i gjeti izraelitët frymorë si të lidhur nga një kufizim i ngjashëm. Të pashpresë, ata i kërkonin drejtim Jehovait.

4. Cila ishte detyra e katër engjëjve dhe si e kanë plotësuar?

4 Por ja si vazhdoi Gjoni: «Dhe u zgjidhën katër engjëjt, që ishin përgatitur për orën, ditën, muajin dhe vitin e caktuar, që të vritnin një të tretën e njerëzve.» (Zbulesa 9:15) Jehovai është Llogaritës shumë i përpiktë i kohës. Ai ka caktuar afate dhe i respekton. Kështu, këta lajmëtarë u liruan tamam në kohën e caktuar që të përmbushnin detyrën e tyre. A mund ta marrësh me mend ç’gëzim kanë përjetuar, kur dolën nga robëria në vitin 1919, gati për t’iu futur punës?! Detyra e tyre nuk ishte vetëm të torturonin, por edhe «të vritnin një të tretën e njerëzve». Kjo lidhet me plagët që shpallën katër trumbetat e para, të cilat goditën një të tretën e tokës, të detit, të krijesave në det, të burimeve të ujit, të lumenjve e të ndriçuesve qiellorë. (Zbulesa 8:7-12) Katër engjëjt do të shkonin edhe më tej. Ata ‘do të vritnin’, duke nxjerrë plotësisht lakuriq gjendjen e vdekur frymore të krishterimit apostat. Këtë e kanë bërë me anë të shpalljeve që u ngjajnë tingujve të trumbetave, të cilat kanë filluar nga viti 1922 e kanë vazhduar deri në kohën tonë.

5. Si iu bë jehonë trumbetës së gjashtë në vitin 1927, në lidhje me krishterimin apostat?

5 Të mos harrojmë se engjëlli në qiell sapo i kish rënë trumbetës së gjashtë. Për t’iu përgjigjur, në Toronto të Kanadasë u mbajt kongresi i gjashtë vjetor ndërkombëtar i Studentëve të Biblës. Programi i së dielës, 24 korrik 1927, u ritransmetua në 53 stacione radioje. Ky ishte rrjeti më i gjerë i transmetimit radiofonik që ishte ngritur deri në atë kohë. Ai mesazh shkoi te miliona dëgjues. Në fillim një rezolutë e fuqishme demaskoi gjendjen e vdekur frymore të krishterimit apostat dhe bëri ftesën: «Në këtë kohë çorientimi, Perëndia Jehova i nxit njerëzit ta braktisin përgjithmonë ‘krishterimin apostat’ ose ‘fetë tradicionale të krishterimit’ dhe të shkëputin çdo lidhje me të . . . ; njerëzit le t’ia kushtojnë devotshmërinë e zemrës dhe besnikërinë plotësisht Perëndisë Jehova, Mbretit dhe mbretërisë së Tij.» Më pas, Xhozef Radhërfordi mbajti fjalimin publik me temë «Liri për popujt». Stili i tij tejet dinamik përshtatej mirë me ‘zjarrin, tymin dhe squfurin’ që pa Gjoni më pas në vegim.

6. Si e përshkroi Gjoni ushtrinë e kalorësve që pa më pas?

6 «Numri i ushtrisë së kalorësve ishte dy dhjetë mijëra herë dhjetëra mijë. E dëgjova numrin e tyre. Ja, si i pashë kuajt në vegim dhe ata që rrinin mbi ta: me parzmore të kuqe flakë, blu si hiacinti dhe të verdhë si squfuri. Kokat e kuajve ishin si koka luanësh, ndërsa nga goja u dilte zjarr, tym dhe squfur. Nga këto tri plagë, nga zjarri, nga tymi dhe nga squfuri që dilte prej gojës së tyre, u vranë një e treta e njerëzve.»​—Zbulesa 9:16-18.

7, 8. (a) Nën drejtimin e kujt shkonte përpara tërë rrapëllimë ushtria e kalorësve? (b) Cilat janë ngjashmëritë mes ushtrisë së kalorësve dhe karkalecave që ishin përpara tyre?

7 Me sa duket kjo ushtri kalorësish shkonte përpara tërë rrapëllimë nën drejtimin e katër engjëjve. Sa e frikshme! Si do të reagoje ti, po të ishe shënjestër e këtij sulmi? Do të tmerroheshe vetëm duke i parë. Megjithatë, a e vure re sa ngjante ushtria e kalorësve me karkalecat që ishin përpara tyre? Karkalecat ishin si kuaj dhe në këtë ushtri ka kuaj. Pra, në të dyja rastet bëhet fjalë për një luftë teokratike. (Proverbat 21:31) Karkalecat i kishin dhëmbët si të luanëve, kurse kuajt kishin kokën si të luanëve. Pra, që të dyja grupet kanë lidhje me Luanin e guximshëm nga fisi i Judës, me Jezu Krishtin, që është Udhëheqësi, Komandanti dhe Shembulli i tyre.​—Zbulesa 5:5; Proverbat 28:1.

8 Edhe karkalecat, edhe ushtria e kalorësve, do të merrnin pjesë në veprën e gjykimit që kryen Jehovai. Karkalecat dolën nga tymi që lajmëronte mjerim dhe zjarr shkatërrimtar për krishterimin apostat. Kuajt nxirrnin nga goja zjarr, tym dhe squfur. Karkalecat kishin parzmore prej hekuri, simbol i devotshmërisë së patundur ndaj drejtësisë që u mbron zemrën. Kalorësit kishin parzmore të ngjyrosur me të kuqe, blu dhe të verdhë, që pasqyronin zjarrin, tymin dhe squfurin e mesazheve të gjykimit me vdekje që vërshonin nga goja e kuajve. (Krahaso Zanafillën 19:24, 28; Lukën 17:29, 30.) Karkalecat kishin bishta si të akrepave për të shkaktuar tortura, kurse kuajt kishin bishta si gjarpërinj për të vrarë. Duket se atë që e filluan karkalecat, do ta vazhdonte me më shumë forcë ushtria e kalorësve, derisa ta çonte në fund.

9. Çfarë simbolizon ushtria e kalorësve?

9 Por, çfarë simbolizon kjo ushtri kalorësish? Në fillim, me autoritetin që u dha Jehovai për të ‘pickuar e dëmtuar’, anëtarët e mirosur të klasës së Gjonit shpallën si me një varg trumbetash gjykimin hyjnor, domethënë hakmarrjen e Jehovait kundër krishterimit apostat. Tani mund të presim që po ky grup të përdoret ‘për të vrarë’, domethënë për të shpallur se krishterimi apostat dhe kleri i tij janë plotësisht të vdekur frymësisht, se Jehovai i ka dëbuar dhe se janë gati për «furrën e zjarrtë» të shkatërrimit të përhershëm. Po, tërë Babilonia e Madhe duhet të marrë fund. (Zbulesa 9:5, 10; 18:2, 8; Mateu 13:41-43) Por para shkatërrimit të saj, klasa e Gjonit përdor «shpatën e frymës, që është fjala e Perëndisë», për të treguar hapur gjendjen e vdekur të krishterimit apostat. Katër engjëjt dhe kalorësit mbi kuaj drejtonin «vrasjen» e ‘një të tretës së njerëzve’. (Efesianëve 6:17; Zbulesa 9:15, 18) Kjo tregon se grupi mbresëlënës i lajmëtarëve të Mbretërisë që sulet për betejë, është i organizuar si duhet dhe drejtohet në mënyrë teokratike nën mbikëqyrjen e Zotërisë Jezu Krisht.

Dy dhjetë mijëra herë dhjetëra mijë

10. Në ç’kuptim numri i ushtrisë së kalorësve është dy dhjetë mijëra herë dhjetëra mijë?

10 Dy dhjetë mijëra herë dhjetëra mijë do të ishin 200 milionë. * Tani ka miliona lajmëtarë të Mbretërisë, dhe kjo patjetër na gëzon, por ky numër është shumë më i vogël se qindra milionë. Megjithatë, te Numrat 10:36 Moisiu tha: «Kthehu, o Jehova, te burrat e panumërt të Izraelit.» (Krahaso Zanafillën 24:60.) Fjala në hebraisht që është përdorur në këtë varg, mund të nënkuptojë: ‘Kthehu te dhjetëra milionët e Izraelit.’ Mirëpo, në kohën e Moisiut Izraeli s’ishte veçse dy a tre milionë. Atëherë, çfarë donte të thoshte Moisiu? Pa dyshim, ai duhet të ketë pasur në mendje faktin se, në vend që të numëroheshin, izraelitët duhej të ishin të panumërt si «yjet e qiellit e si kokrrizat e rërës në breg të detit». (Zanafilla 22:17; 1 Kronikave 27:23) Prandaj, ai përdori një fjalë në hebraisht që këtu përkthehet «e panumërt» për të treguar një numër të madh, por të papërcaktuar. Në mënyrë të ngjashme, fjalorët e greqishtes dhe të hebraishtes e përkthejnë këtë term «një mori e panumërueshme», një «mori», dhe tregojnë që ky është kuptimi i dytë i fjalës origjinale.​—The New Thayer’s Greek-English Lexicon of the New Testament; A Hebrew and English Lexicon of the Old Testament i Gesenit, përkthyer nga Eduard Robinsoni.

11. Çfarë i nevojitej klasës së Gjonit që të bëhej dhjetëra mijë, qoftë edhe në kuptimin simbolik?

11 Sidoqoftë, anëtarët e klasës së Gjonit që janë ende në tokë, numërojnë më pak se 10.000. Si mund të krahasohen me mijëra kuajt e panumërt që formojnë ushtrinë e kalorësve? A nuk do të kishin nevojë për përforcime që të bëheshin dhjetëra mijë, qoftë edhe në kuptimin simbolik? Po, pikërisht për këtë kishin nevojë dhe, falë dashamirësisë së pamerituar të Jehovait, pikërisht këtë morën. Nga erdhën përforcimet?

12, 13. Cilat zhvillime historike nga viti 1918 deri në vitin 1935 treguan nga erdhën përforcimet?

12 Nga viti 1918 deri në vitin 1922, klasa e Gjonit filloi t’i bënte të njohur njerëzimit të dërrmuar perspektivën e lumtur se «miliona që jetojnë tani nuk do të vdesin kurrë». Gjithashtu, në vitin 1923, u zbulua se delet e Mateut 25:31-34 do të trashëgonin jetën në tokë nën Mbretërinë e Perëndisë. Për të njëjtën shpresë u fol edhe në broshurën Liri për popujt, që doli në anglisht në kongresin ndërkombëtar të vitit 1927. Në fillimet e viteve 30, u zbulua se njerëzit e drejtë që përbënin klasën e Jehonadabit dhe ata ‘që psherëtinin e rënkonin’ për shkak të gjendjes së mjerë frymore të krishterimit apostat, ishin «delet» që kishin shpresë të jetonin në tokë. (Ezekieli 9:4; 2 Mbretërve 10:15, 16) Duke i drejtuar këta njerëz për në ‘qytetet e strehimit’ të ditëve të sotme, Kulla e Rojës e 15 gushtit 1934, (anglisht), thoshte: «Anëtarët e klasës së Jonadabit e kanë dëgjuar trumbetën e Perëndisë dhe i janë bindur paralajmërimit, duke gjetur strehë në organizatën e Perëndisë dhe duke u shoqëruar me popullin e Perëndisë. Ajo është streha e tyre.»​—Numrat 35:6.

13 Në vitin 1935, anëtarët e klasës së Jonadabit morën një ftesë të veçantë për të marrë pjesë në kongresin e Dëshmitarëve të Jehovait që u mbajt në Uashington, SHBA. Të premten, më 31 maj, Xhozef Radhërfordi mbajti fjalimin e tij të famshëm «Turma e madhe», ku tregoi qartë se grupi i Zbulesës 7:9 ishte ai i deleve të Mateut 25:33​—një grup njerëzish që i ishin kushtuar Jehovait dhe që shpresonin të jetonin në tokë. Si pararendës të gjërave që do të vinin, në atë kongres u pagëzuan 840 Dëshmitarë të rinj, shumë prej të cilëve ishin nga shumica e madhe. *

14. A do të merrte pjesë shumica e madhe në «sulmin» e ushtrisë së kalorësve dhe cilën vendosmëri shprehën anëtarët e saj në vitin 1963?

14 A ka marrë pjesë shumica e madhe në sulmin e ushtrisë së kalorësve që nisi në vitin 1922 dhe që iu kushtua një vëmendje e veçantë në kongresin që u mbajt në Toronto, në vitin 1927? Po, ka marrë pjesë nën drejtimin e katër engjëjve dhe anëtarëve të mirosur të klasës së Gjonit. Në vargun e kongreseve ndërkombëtare me temë «Lajmi i mirë i përhershëm», që u mbajtën në vitin 1963, ajo ishte përkrah klasës së Gjonit dhe miratoi një rezolutë mjaft nxitëse. Ndër të tjera kjo rezolutë shpallte se bota ‘po trazohej nga një tërmet i paparë ndonjëherë, dhe të gjitha institucionet e saj politike bashkë me Babiloninë fetare moderne do të shembeshin nga tronditjet e tij’. Dëshmitarët shprehën këtë vendosmëri: «Do të vazhdojmë t’u shpallim të gjithë njerëzve pa dallim, ‘lajmin e mirë të përhershëm’ për Mbretërinë mesianike të Perëndisë. Gjithashtu, do të shpallim gjykimet hyjnore që janë si plagë për armiqtë e Perëndisë, të cilat, kur të ekzekutohen, do t’u sjellin lirinë të gjithë atyre që dëshirojnë të adhurojnë Perëndinë, Krijuesin, si i pëlqen atij, domethënë me frymë dhe të vërtetë.» Kjo rezolutë u miratua me entuziazëm në 24 kongrese rreth globit nga të 454.977 të pranishmit, 95 për qind e të cilëve ishin nga shumica e madhe.

15. (a) Sa për qind të punëtorëve që po përdorte Jehovai në fushë në vitin 2005, përbënte shumica e madhe? (b) Si e tregon lutja e Jezuit te Gjoni 17:20, 21 unitetin e shumicës së madhe me klasën e Gjonit?

15 Shumica e madhe ka vazhduar të tregojë hapur unitetin e saj absolut me klasën e Gjonit, duke derdhur plagë mbi krishterimin apostat. Në vitin 2005, shumica e madhe përbënte më shumë se 99,8 për qind të punëtorëve që po përdor Jehovai në fushë. Anëtarët e saj pajtohen plotësisht me klasën e Gjonit, për të cilën u lut Jezui te Gjoni 17:20, 21: «Nuk të lutem vetëm për këta, por edhe për ata që do të tregojnë besim tek unë nëpërmjet fjalës së tyre, që ata të jenë të gjithë një, ashtu si ti, o Atë, je në unitet me mua, dhe unë jam në unitet me ty, që edhe ata të jenë në unitet me ne, me qëllim që bota të besojë se më dërgove ti.» Anëtarët e mirosur të klasës së Gjonit marrin drejtimin nën mbikëqyrjen e Jezuit, kurse shumica e madhe merr pjesë me zell përkrah tyre në sulmin më shkatërrimtar të ushtrisë së kalorësve që ka parë historia. *

16. (a) Si e përshkroi Gjoni gojën dhe bishtin e kuajve? (b) Si është përgatitur për shërbim goja e shërbëtorëve të Jehovait? (c) Çfarë nënkuptojnë ‘bishtat e tyre porsi gjarpërinj’?

16 Ushtria e kalorësve duhej të pajisej me mjetet e nevojshme për betejë. Jehovai ua plotësoi këtë nevojë në mënyrë të mahnitshme. Ja si e përshkroi Gjoni: «Sepse autoriteti i kuajve qëndron te goja dhe te bishti, ngaqë bishtat e tyre janë porsi gjarpërinj, dhe kanë koka, me të cilat dëmtojnë.» (Zbulesa 9:19) Jehovai i ka emëruar zyrtarisht shërbëtorët e tij të kushtuar e të pagëzuar në këtë caktim. Nëpërmjet Shkollës së Shërbimit Teokratik, mbledhjeve të tjera të kongregacionit si dhe shkollave të ndryshme, ai i ka mësuar si të predikojnë. Prandaj, ata janë në gjendje të flasin me autoritet «gjuhën e të mësuarve». Ai ua ka vënë fjalët e tij në gojë dhe i ka dërguar të shpallin gjykimet e tij «publikisht dhe shtëpi më shtëpi». (2 Timoteut 4:2; Isaia 50:4; 61:2; Jeremia 1:9, 10; Veprat 20:20) Klasa e Gjonit dhe shumica e madhe kanë lënë pas një mesazh pickues, që përkon me «bishtat» e kuajve, duke shpërndarë përgjatë viteve miliarda Bibla, libra, broshura dhe revista. Kundërshtarëve të tyre, që po lajmërohen për ‘dëmtimin’ që po sjell Jehovai, kjo ushtri kalorësish u duket vërtet si dy dhjetë mijëra herë dhjetëra mijë.​—Krahaso Joelin 2:4-6.

17. A marrin pjesë në sulmin e ushtrisë së kalorësve Dëshmitarët e Jehovait që jetojnë në vende ku nuk mund të shpërndahet literaturë për shkak të ndalimit? Shpjego.

17 Një njësi shumë e zellshme e kësaj ushtrie kalorësish janë Dëshmitarët e Jehovait që jetojnë në vende ku vepra e tyre është e ndaluar. Ashtu si delet mes ujqërve ata duhet të jenë «të kujdesshëm si gjarpërinjtë, e megjithatë të pafaj si pëllumbat». Përderisa duan t’i binden Jehovait, ata s’pushojnë dot së foluri për ato që kanë parë e dëgjuar. (Mateu 10:16; Veprat 4:19, 20; 5:28, 29, 32) Meqë kanë pak ose aspak botime për të shpërndarë, a duhet të themi se ata nuk marrin pjesë në këtë sulm? Aspak! Ata kanë gojën dhe autoritetin që u ka dhënë Jehovai për ta përdorur që të shpallin të vërtetën biblike. Këtë e bëjnë në mënyrë joformale e bindëse, dhe kjo i lejon të fillojnë studime biblike dhe të «çojnë shumë veta në drejtësi». (Danieli 12:3) Ndonëse mund të mos pickojnë me bishtat e tyre, duke lënë pas literaturë fshikulluese, nga goja e tyre del «zjarr», «tym» e «squfur» teksa dëshmojnë me takt e maturi për afrimin e ditës së shfajësimit të sovranitetit të Jehovait.

18. Në sa gjuhë dhe në ç’sasi e ka shpërndarë ushtria e kalorësve mesazhin fshikullues në formë të shtypur?

18 Në vende të tjera, botimet që flasin për Mbretërinë, vazhdojnë të demaskojnë doktrinat dhe praktikat me prejardhje babilonase të krishterimit apostat, duke i shkaktuar «dëmin» që meriton. Për 68 vjet para vitit 2005, kjo ushtri e panumërt ka mundur të shpërndajnë falë metodave të përditësuara të shtypjes, miliarda Bibla, libra, revista dhe broshura në më shumë se 450 gjuhë​—shumë herë më tepër se dy dhjetë mijëra herë dhjetëra mijë. Sa kanë pickuar ata bishta!

19, 20. (a) Megjithëse këto mesazhe fshikulluese u drejtoheshin vendeve ku vepron krishterimi apostat, si janë përgjigjur disa njerëz që jetojnë në vende shumë larg tyre? (b) Si e përshkroi Gjoni reagimin e njerëzve në përgjithësi?

19 Qëllimi i Jehovait ishte që ky mesazh fshikullues të ‘vriste një të tretën e njerëzve’. Pra, shënjestra e këtij mesazhi kanë qenë vendet ku vepron krishterimi apostat. Megjithatë, ai ka prekur edhe vende të tjera shumë larg tyre, shumë prej të cilave e njohin mirë hipokrizinë e feve të krishterimit apostat. A i janë afruar më shumë Jehovait njerëzit e këtyre vendeve, pasi kanë parë plagët që kanë goditur këtë sistem të korruptuar fetar? Shumë e kanë bërë. Mjaft njerëz të butë e të dashur që jetojnë jashtë sferës së ndikimit të drejtpërdrejtë të krishterimit apostat kanë qenë të gatshëm ta bënin. Kurse njerëzit në përgjithësi, jo. Ja si e përshkroi Gjoni reagimin e tyre: «Por njerëzit e tjerë që nuk u vranë nga këto plagë, nuk u penduan për veprat e duarve të tyre, që të mos i adhuronin më demonët, idhujt prej ari, argjendi, bakri, guri dhe druri, të cilët as mund të shohin, as mund të dëgjojnë e as mund të ecin. Nuk u penduan as për vrasjet, për praktikat spiritiste, për kurvërimin dhe për vjedhjet e tyre.» (Zbulesa 9:20, 21) Këta njerëz të papenduar s’duan t’ia dinë për besimin e vërtetë. Të gjithë ata që nuk duan të heqin dorë nga udhët e tyre të liga, do të përballen me gjykimin ndëshkues të Jehovait në ditën e madhe të shfajësimit të sovranitetit të tij. Ndërsa «kushdo që thërret emrin e Jehovait, do të shpëtojë».​—Joeli 2:32; Psalmi 145:20; Veprat 2:20, 21.

20 Ato që trajtuam më lart bënin pjesë në mjerimin e dytë. Siç do ta shohim edhe në kapitujt që vijojnë, ky mjerim nuk do të përfundonte me kaq.

[Shënimet]

^ par. 10 Ja si shprehet Henri Barkli Suet në një vepër të tij (Commentary on Revelation) lidhur me shprehjen «dy dhjetë mijëra herë dhjetëra mijë»: «Këta numra të mëdhenj na e bëjnë të pamundur të pretendojmë një plotësim të mirëfilltë. Vazhdimi i përshkrimit mbështet këtë përfundim.»

^ par. 13 Shih faqet 119-126; gjithashtu, vëllimin e tretë të librit Shfajësimi, botuar në vitin 1932 nga Dëshmitarët e Jehovait, faqet 83, 84, anglisht.

^ par. 15 Ndryshe nga karkalecat, ushtria e kalorësve që pa Gjoni nuk kishte «kurora si prej ari». (Zbulesa 9:7) Kjo ka kuptim, sepse shumica e madhe, që sot përbën pjesën dërrmuese të ushtrisë së kalorësve, nuk shpreson të mbretërojë në Mbretërinë qiellore të Perëndisë.

[Pyetjet]

[Figura në faqen 149]

Trumbeta e gjashtë pasohet nga mjerimi i dytë

[Figurat në faqet 150, 151]

Katër engjëjt drejtojnë sulmin më të madh të ushtrisë së kalorësve që ka parë historia

[Figurat në faqen 153]

Ushtria e panumërt e kalorësve ka shpërndarë miliona e miliona botime të bazuara në Bibël

[Figurat në faqen 154]

Njerëzit e tjerë nuk u penduan