Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Mjerimi i parë​—Karkalecat

Mjerimi i parë​—Karkalecat

Kapitulli 22

Mjerimi i parë​—Karkalecat

1. Cilët u bënin jehonë tingujve të trumbetës së engjëjve dhe çfarë njoftonte trumbeta e pestë?

ENGJËLLI i pestë u përgatit t’i binte trumbetës. Tashmë kishin rënë katër trumbeta dhe katër plagë kishin goditur një të tretën e tokës, të cilën Jehovai e quan më fajtoren. E kemi fjalën për krishterimin apostat. U zbulua se ai vuante nga një sëmundje e pashërueshme. Ndërsa engjëjt u binin trumbetave, lajmësit u bënin jehonë në tërë tokën. Tani trumbeta e pestë engjëllore ishte gati të njoftonte mjerimin e parë, që ishte më i frikshëm se goditjet e mëparshme. Kishte të bënte me një plagë të tmerrshme karkalecash. Por më parë, le të shohim disa shkrime të tjera që na ndihmojnë ta kuptojmë më mirë ç’ishte kjo plagë.

2. Cili libër biblik përshkruan një plagë karkalecash të ngjashme me atë që pa Gjoni dhe si ndikoi ajo në Izraelin e lashtë?

2 Libri biblik i Joelit, që u shkrua gjatë shekullit të nëntë p.e.s., flet për një plagë insektesh, ku përfshiheshin edhe karkalecat, plagë që ngjante me atë që pa Gjoni. (Joeli 2:1-11, 25) * Ajo do t’i shkaktonte shumë dhembje Izraelit apostat, por do të bënte edhe që disa judenj të pendoheshin e të kishin sërish hirin e Jehovait. (Joeli 2:6, 12-14) Në atë kohë, Jehovai do të derdhte frymën e tij «mbi çdo lloj njeriu», ndërsa shenja të frikshme dhe alarmuese do t’i paraprinin ‘ditës së Jehovait që është e madhe dhe ngjall shumë frikë’.​—Joeli 2:11, 28-32.

Plaga e shekullit të parë

3, 4. (a) Kur e pati një përmbushje kapitulli i 2-të i Joelit dhe si u përmbush? (b) Në ç’kuptim pati një plagë që ngjante me renë e karkalecave në shekullin e parë dhe sa zgjati?

3 Kapitulli i 2-të i Joelit u përmbush një herë në shekullin e parë. Gjatë festës së Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s., Jehovai derdhi frymën e shenjtë mbi të krishterët e parë, dhe i mirosi e u dha fuqi të flitnin në shumë gjuhë për «gjërat madhështore të Perëndisë». Për pasojë, u mblodhën shumë njerëz të habitur. Apostulli Pjetër iu drejtua atyre me fjalët e Joelit 2:28, 29 dhe u shpjegoi se kishin qenë dëshmitarë të përmbushjes së kësaj profecie. (Veprat 2:1-21) Megjithatë, asgjëkundi nuk tregohet se në atë kohë pati një plagë të vërtetë insektesh, që disa i bëri të vuanin e të tjerë të pendoheshin.

4 Mos ishte figurative plaga që ndodhi në atë kohë? Pa dyshim! Ishte një plagë që erdhi si pasojë e predikimit ngulmues të të krishterëve të sapomirosur. * Nëpërmjet tyre, Jehovai i ftoi judenjtë e asaj kohe që do të dëgjonin, të pendoheshin e të gëzonin bekimet që vinin prej tij. (Veprat 2:38-40; 3:19) Ata që e pranuan ftesën, u bekuan jashtëzakonisht shumë. Kurse për ata që nuk e pranuan, të krishterët e shekullit të parë u bënë si një re karkalecash që shkatërronin ç’të gjenin përpara. Nga Jerusalemi u përhapën në tërë Judenë dhe Samarinë. S’kaloi shumë dhe ata gjendeshin kudo, torturonin judenjtë jobesimtarë, duke shpallur publikisht ringjalljen e Jezuit dhe gjithçka që nënkuptonte ajo. (Veprat 1:8; 4:18-20; 5:17-21, 28, 29, 40-42; 17:5, 6; 21:27-30) Ajo plagë zgjati derisa erdhi ‘dita që ngjallte shumë frikë’, në vitin 70 të e.s., kur Jehovai çoi ushtritë romake kundër Jerusalemit për ta shkatërruar. Shpëtuan vetëm të krishterët që thirrën me besim emrin e Jehovait.​—Joeli 2:32; Veprat 2:20, 21; Proverbat 18:10.

Plaga e karkalecave sot

5. Si është përmbushur profecia e Joelit që nga viti 1919?

5 Logjikisht, profecia e Joelit mund të kishte një përmbushje përfundimtare gjatë kohës së fundit. Dhe kështu ka ndodhur. Në kongresin që u mbajt nga Studentët e Biblës në Sidër-Point të Ohajos, SHBA, më 1-8 shtator 1919, Jehovai derdhi frymën e tij në mënyrë të mahnitshme për ta nxitur popullin e tij të organizonte një fushatë ndërkombëtare predikimi. Nga të gjithë ata që e quanin veten të krishterë, vetëm ky grup e pranoi se Jezui kishte hipur në fron si Mbret qiellor dhe nuk u kursye ta shpallte këtë lajm të mirë kudo. Ashtu si thoshte profecia, dëshmia e tyre e pareshtur u bë si një plagë që e torturonte krishterimin apostat.​—Mateu 24:3-8, 14; Veprat 1:8.

6. (a) Çfarë pa Gjoni kur engjëlli i pestë i ra trumbetës? (b) Kë simbolizon ‘ylli’ dhe pse themi kështu?

6 Edhe Zbulesa që u shkrua rreth 26 vjet pas shkatërrimit të Jerusalemit, flet për atë plagë. Çfarë i shton ajo përshkrimit të Joelit? Le të shohim çfarë tha Gjoni: «Engjëlli i pestë i ra trumbetës. Pashë një yll që kishte rënë nga qielli në tokë, dhe atij iu dha çelësi i humnerës.» (Zbulesa 9:1) Ky «yll» nuk është ai i Zbulesës 8:10, që Gjoni e pa duke rënë. Ai pa «një yll që kishte rënë nga qielli» e që kishte një caktim që duhej ta përmbushte këtu në tokë. Çfarë paraqiste ai: një frymë apo një qenie fizike? Më vonë në tregimin e tij, Gjoni tha se ai që mbante «çelësin e humnerës» e hodhi Satanain në «humnerë». (Zbulesa 20:1-3) Kjo tregon se ai duhet të jetë një person i fuqishëm frymor. Te Zbulesa 9:11, Gjoni tha se karkalecat kishin me vete «një mbret, engjëllin e humnerës». Të dyja vargjet duhet t’i referohen të njëjtit individ, pasi engjëlli që mbante çelësin e humnerës, logjikisht do të ishte engjëlli i humnerës. Pra, ylli duhet të simbolizojë Mbretin e caktuar të Jehovait, pasi të krishterët e mirosur nuk pranojnë veçse një Mbret engjëllor, Jezu Krishtin.​—Kolosianëve 1:13; 1 Korintasve 15:25.

7. (a) Çfarë ndodhi kur u hap ‘humnera’? (b) Çfarë është ‘humnera’ dhe cilët kaluan një periudhë të shkurtër në të?

7 Tregimi vazhdon: «Ai e hapi humnerën dhe prej saj doli tym si nga një furrë e madhe. Dielli dhe ajri u errësuan nga tymi i humnerës. Nga tymi dolën mbi tokë karkaleca. Atyre iu dha autoritet, po ai autoritet që kanë edhe akrepat e tokës.» (Zbulesa 9:2, 3) Në Shkrime, ‘humnera’ paraqit një vend joaktiviteti, madje shpesh edhe vdekjen. (Krahaso Romakëve 10:7; Zbulesën 17:8; 20:1, 3.) Grupi i vogël i vëllezërve të Jezuit kaloi një periudhë të shkurtër në një ‘humnerë’ të tillë joaktiviteti relativ në fund të Luftës së Parë Botërore (1918-1919). Por në vitin 1919, kur Jehovai derdhi frymën e vet mbi shërbëtorët e tij të penduar, ata dolën mizëri për të përballuar sfidën e veprës që kishin përpara.

8. Në ç’kuptim lëshimi i karkalecave u shoqërua me një sasi të madhe ‘tymi’?

8 Gjoni pa se lëshimi i karkalecave shoqërohej me një sasi të madhe tymi «si nga një furrë e madhe». * Pikërisht kështu ndodhi në vitin 1919. Atë vit situata e krishterimit apostat dhe e botës në përgjithësi u err si nga një re e zezë tymi. (Krahaso Joelin 2:30, 31.) Lëshimi i karkalecave, domethënë hedhja në veprim e anëtarëve të klasës së Gjonit, shënoi humbjen e klerit të krishterimit apostat që kishte kurdisur komplote për të asgjësuar përgjithmonë veprën e Mbretërisë dhe që tani nuk po e pranonte Mbretërinë e Perëndisë. Ndërsa ky grup karkalecash mori autoritet hyjnor, të cilin filloi ta ushtronte duke shpallur mesazhe të fuqishme gjykimi, një si re tymi filloi të mbulonte krishterimin apostat. ‘Diellin’ e krishterimit apostat, ose me fjalë të tjera «shkëlqimin» e tij, e bllokoi një eklips, dhe «ajri» u rëndua nga shpalljet e gjykimit hyjnor, që treguan sheshit se ‘sundimtari i autoritetit të ajrit’ të kësaj bote, është perëndia i krishterimit apostat.​—Efesianëve 2:2; Gjoni 12:31; 1 Gjonit 5:19.

Karkalecat torturojnë njerëzit!

9. Ç’udhëzime morën karkalecat për betejën?

9 Ç’udhëzime morën karkalecat për betejën? Gjoni tha: «Dhe iu tha të mos dëmtonin bimësinë e tokës, asgjë të gjelbër, as ndonjë pemë, por vetëm ata njerëz që nuk e kanë vulën e Perëndisë në ballë. Karkalecave nuk iu lejua t’i vritnin ata, por duhej t’i mundonin për pesë muaj, siç mundohet një njeri kur e pickon akrepi. Ato ditë, njerëzit do ta kërkojnë vdekjen, por s’do ta gjejnë kurrsesi. Do të duan të vdesin, por vdekja do t’u ikë.»​—Zbulesa 9:4-6.

10. (a) Cilët duhej të godiste në radhë të parë plaga dhe si do të ndikonte tek ata? (b) Ç’lloj torture përfshihej? (Shih edhe shënimin.)

10 Kjo plagë nuk duhej të godiste kryesisht njerëzit ose ata që bien në sy mes tyre, domethënë ‘bimësinë e gjelbër dhe pemët e tokës’. (Krahaso Zbulesën 8:7.) Karkalecat duhej të dëmtonin vetëm ata që nuk kishin në ballë vulën e Perëndisë, domethënë ata që bëjnë pjesë në krishterimin apostat dhe thonë se janë vulosur, por, me veprat e tyre e hedhin poshtë këtë pretendim. (Efesianëve 1:13, 14) Pra, shprehjet therëse të karkalecave të kohëve tona, iu drejtuan së pari krerëve fetarë të krishterimit apostat. Sa duhet të jenë munduar ose torturuar këta mendjemëdhenj, kur kanë dëgjuar publikisht se jo vetëm që s’po i çonin besimtarët e tyre në qiell, por as vetë s’do të shkonin! * Ata janë vërtet si ‘i verbri që drejton të verbrin’.​—Mateu 15:14.

11. (a) Për sa kohë ishin autorizuar karkalecat të torturonin armiqtë e Perëndisë dhe pse në të vërtetë nuk është kohë e shkurtër? (b) Sa e dhembshme do të ishte tortura?

11 Tortura do të zgjaste për pesë muaj. A nuk është një periudhë disi e shkurtër? Jo për një karkalec, pasi jetëgjatësia e këtij insekti është tamam pesë muaj. Prandaj, karkalecat e kohës sonë i pickojnë armiqtë e Perëndisë, gjersa janë gjallë. Për më tepër, tortura është aq e dhembshme, sa njerëzit do të duan të vdesin. Pa dyshim, nuk kemi dëgjuar kurrë për ndonjë që, pasi e ka pickuar karkaleci, është përpjekur të vrasë veten. Megjithatë, shprehja na ndihmon të përfytyrojmë sa e dhembshme ishte kjo torturë, që mund të krahasohet me sulmin e pamëshirshëm të akrepave. Ata na kujtojnë vuajtjet që u njoftoi Jeremia izraelitëve jobesnikë: do të shpërndaheshin nga pushtuesit babilonas e do të donin më mirë të vdisnin se të jetonin.​—Jeremia 8:3; shih edhe Eklisiastiun 4:2, 3.

12. Pse karkalecave iu lejua t’i torturonin në kuptimin frymor krerët e krishterimit apostat e jo t’i vritnin?

12 Pse karkalecave u lejohej t’i torturonin në kuptimin frymor këta njerëz e jo t’i vritnin? Ata do të shkaktonin mjerimin e parë që do të nxirrte në shesh gënjeshtrat e krishterimit apostat dhe të metat e tij, kurse gjendja e tyre e vdekur frymore do të shpallej publikisht më vonë gjatë ditës së Zotërisë. Gjatë mjerimit të dytë do të vritej një e treta e njerëzve.​—Zbulesa 1:10; 9:12, 18; 11:14.

Karkalecat janë të pajisur për betejë

13. Ç’pamje kishin karkalecat?

13 Karkalecat kishin një pamje jo të zakonshme. Ja si i përshkroi Gjoni: «Karkalecat ngjanin me kuaj gati për betejë. Në kokë kishin kurora si prej ari, fytyra e tyre ngjante me fytyrën e njeriut dhe flokët i kishin si flokë grash. Dhëmbët i kishin porsi të luanëve, dhe kishin parzmore si parzmore prej hekuri. Zhurma e krahëve të tyre i ngjante zhurmës së karrocave me shumë kuaj, që rendin drejt betejës.»​—Zbulesa 9:7-9.

14. Si përkon përshkrimi i Gjonit për karkalecat me grupin e të krishterëve të rigjallëruar të vitit 1919?

14 Ky përshkrim përkon më së miri me grupin besnik të të krishterëve të rigjallëruar të vitit 1919. Njësoj si kuajt ata ishin gati për betejë, të paduruar të luftonin për të vërtetën në mënyrën që përshkroi apostulli Pavël. (Efesianëve 6:11-13; 2 Korintasve 10:4) Gjoni pa se kishin në kokë diçka që dukej si kurorë ari. Nuk do të kishte kuptim që ata të mbanin kurora të vërteta, sepse nuk fillojnë të mbretërojnë kur janë ende në tokë. (1 Korintasve 4:8; Zbulesa 20:4) Megjithatë, që në vitin 1919, ata kishin një pamje mbretërore. Ishin vëllezërit e Mbretit, dhe nëse qëndronin besnikë gjer në fund, në qiell i priste një kurorë.​—2 Timoteut 4:8; 1 Pjetrit 5:4.

15. Ç’tregon fakti që karkalecat kanë (a) parzmore prej hekuri? (b) fytyrë njeriu? (c) flokë si të grave? (ç) dhëmbë porsi të luanëve? (d) dhe bënin shumë zhurmë?

15 Sipas vegimit, karkalecat kishin parzmore prej hekuri, të cilat simbolizojnë drejtësinë e patundur. (Efesianëve 6:14-18) Veç kësaj, kishin edhe fytyrë njeriu. Kjo tregon se ata kanë cilësinë e dashurisë, pasi njeriu u krijua sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë, i cili është dashuri. (Zanafilla 1:26; 1 Gjonit 4:16) Flokët i kishin të gjatë si të grave, që tregon mjaft mirë nënshtrimin ndaj Mbretit të tyre, engjëllit të humnerës. Dhëmbët i kishin porsi të luanit, një kafshë që i përdor dhëmbët për të shqyer mishin. Nga viti 1919 e më pas, klasa e Gjonit u ushqye sërish me ushqim të fortë frymor, sidomos me të vërtetat për Mbretërinë e Perëndisë, e cila drejtohet nga «Luani që është nga fisi i Judës», Jezu Krishti. Ashtu si luani simbolizon guximin, edhe këtyre të krishterëve iu desh shumë guxim për ta asimiluar këtë mesazh me forcë goditëse, për ta shpallur nëpër botimet e tyre dhe për ta shpërndarë rreth globit. Ata ‘karkaleca’ kanë bërë shumë zhurmë, si ‘zhurma e karrocave me shumë kuaj, që rendin drejt betejës’. Duke ndjekur shembullin e të krishterëve të parë, ata s’kanë ndër mend të heshtin.​—1 Korintasve 11:7-15; Zbulesa 5:5.

16. Çfarë do të thotë fakti që karkalecat kanë «bishta e thumba si të akrepave»?

16 Vepra e predikimit që do të bënin karkalecat, s’nënkuptonte vetëm fjalë. «Ata kanë edhe bishta e thumba si të akrepave. Në bishtat e tyre gjendet autoriteti për të dëmtuar njerëzit për pesë muaj.» (Zbulesa 9:10) Çfarë mund të nënkuptojnë këto fjalë? Ndërsa vazhdojnë me veprën e tyre lidhur me Mbretërinë, Dëshmitarët e Jehovait përdorin fjalët dhe botimet për të lëshuar deklarata autoritare të bazuara në Fjalën e Perëndisë. Mesazhi i tyre thumbon si akrepi, pasi ata paralajmërojnë afrimin e ditës së hakmarrjes së Jehovait. (Isaia 61:2) Brezi i sotëm i karkalecave frymorë do ta përfundojë veprën që i ka besuar Perëndia, domethënë shpalljen e gjykimeve të Jehovait, para se jeta e tyre të marrë fund, dhe do të dëmtojë të gjithë blasfemuesit kryeneçë.

17. (a) Çfarë u njoftua në kongresin e Studentëve të Biblës në vitin 1919, e cila do ta bënte edhe më thumbuese dëshminë e tyre? (b) Si u torturua kleri dhe si reagoi ai?

17 Në kongresin që mbajti në vitin 1919, ky grup karkalecash u gëzua, kur mësoi se do të dilte një revistë e re me titull Epoka e artë. Kjo revistë e përdyjavshme do ta bënte edhe më thumbuese dëshminë e tyre. * Numri i 27-të i saj, i 29 shtatorit 1920, demaskoi hipokrizinë tinëzare të klerit, i cili kishte përndjekur Studentët e Biblës në Shtetet e Bashkuara gjatë viteve 1918-1919. Kurse gjatë viteve 20 dhe 30, Epoka e artë e torturoi klerin me artikuj të tjerë thumbues dhe karikatura që zbulonin lakuriq përzierjen e tyre me dinakëri në politikë, dhe sidomos marrëveshjet e nënshkruara nga hierarkia katolike me diktatorët fashistë dhe nazistë. Kleri reagoi ‘duke thurur padrejtësi në emër të ligjit’ dhe i nxiti turmat të sulmonin shërbëtorët e Perëndisë.​—Psalmi 94:20, Diodati i Ri.

Lajmërohen udhëheqësit e botës

18. Ç’punë kishin përpara karkalecat dhe çfarë ndodhi pas trumbetës së pestë?

18 Karkalecat e kohës sonë kishin goxha punë përpara: të predikonin lajmin e mirë të Mbretërisë, të nxirrnin në shesh fajet dhe të gjenin delet e humbura. Teksa karkalecat përmbushnin detyrat e tyre, bota s’mund të bënte gjë tjetër veçse të sodiste e të habitej. Duke iu bindur trumbetave të engjëjve, klasa e Gjonit ka vazhduar të tregojë hapur se krishterimi apostat e ka hak të gjykohet nga Jehovai. Pas trumbetës së pestë, në një kongres të Studentëve të Biblës, që u mbajt në Londër më 25-31 maj 1926, u theksua një aspekt i veçantë i këtyre gjykimeve. Të krishterët e mbledhur në atë kongres miratuan një rezolutë me titull «Një dëshmi sundimtarëve të botës», dhe dëgjuan në Sallën Mbretërore Albert një fjalim publik me titull «Pse fuqive botërore po u merren këmbët: Mjeti i shërimit». Të nesërmen një gazetë e njohur londineze botoi tekstin e plotë të rezolutës dhe të fjalimit. Më vonë, grupi i karkalecave shpërndau në të gjithë botën 50 milionë kopje të rezolutës në formë fletushke. Ç’torturë për klerin! Vite më vonë, në Angli flitej ende për këtë demaskim thumbues.

19. Ç’tjetër armë luftimi morën «karkalecat» dhe çfarë thuhej në të për manifestin e Londrës?

19 Në këtë kongres, «karkalecat» morën armë të tjera luftimi, sidomos librin e ri në anglisht me titull Çlirim. Në të përfshihej një shqyrtim i shenjës që provonte se sundimi i ‘djalit’, i Mbretërisë qiellore të Krishtit, kishte filluar në vitin 1914. (Mateu 24:3-14; Zbulesa 12:1-10) Më pas, në të citohej manifesti i botuar në Londër në vitin 1917, i firmosur nga tetë klerikë që mbaheshin si «predikuesit më të mëdhenj të botës» dhe përfaqësonin kishat kryesore protestante: baptiste, kongregacionale, presbiteriane, episkopale dhe metodiste. Në këtë manifest thuhej se «kriza e tanishme shënon fundin e kohëve të johebrenjve» dhe se «nga çasti në çast pritet zbulesa e Zotërisë». Po, ata klerikë e kishin dalluar shenjën e pranisë së Jezuit, por, a dëshironin të bënin ndonjë gjë për ta shpallur? Libri Çlirim përgjigjej: «Ajo që të bën më shumë përshtypje në gjithë këtë, është se pikërisht ata që e firmosën këtë manifest, më pas e mohuan dhe nuk i pranuan provat që tregojnë se i jemi afruar fundit të botës dhe se jemi në ditën e pranisë së dytë të Zotërisë.»

20. (a) Ç’zgjedhje bëri kleri në lidhje me karkalecat dhe Mbretin e tyre? (b) Sipas Gjonit, kush e drejton grupin e karkalecave dhe si e ka emrin?

20 Në vend që të shpallte Mbretërinë e Perëndisë që ishte shumë afër, kleri i krishterimit apostat vendosi të rrinte në anën e botës së Satanait. Ata s’duan të kenë të bëjnë me grupin e karkalecave dhe me Mbretin e tyre, për të cilin Gjoni saktësoi: «Ata kanë mbi vete një mbret, engjëllin e humnerës. Në hebraisht emri i tij është Abadon [që do të thotë ‘shkatërrim’], kurse në greqisht e ka emrin Apolion [që do të thotë ‘shkatërrimtar’](Zbulesa 9:11) Si ‘engjëll i humnerës’ dhe si «shkatërrimtar», Jezui e ka goditur vërtet krishterimin apostat me një mjerim. Por s’mbaron me kaq!

[Shënimet]

^ par. 2 Krahaso Joelin 2:4, 5, 7 (ku insektet përshkruhen si kuaj, popull, burra, dhe ku zhurma e tyre krahasohet me zhurmën e karrocave) me Zbulesën 9:7-9; krahaso edhe Joelin 2:6, 10 (që flet për dhembjet e forta nga plaga e insekteve) me Zbulesën 9:2, 5.

^ par. 4 Shih artikullin «Të bashkuar kundër kombeve në luginën e vendimit», në Kullën e Rojës të 1 dhjetorit 1961, anglisht.

^ par. 8 Ky varg nuk mund të përdoret për të provuar se në humnerë kishte zjarr, sikur humnera të ishte një lloj ferri i zjarrtë. Gjoni thotë se pa tym të dendur që doli «si» nga një furrë e madhe. (Zbulesa 9:2) Ai nuk thotë se pa flakë në humnerë.

^ par. 10 Fjala greke që përdoret këtu vjen nga rrënja basanízo, që nganjëherë përdoret për torturën fizike, por mund të përdoret edhe për torturën shpirtërore. Për shembull, te 2 Pjetrit 2:8 lexojmë se Loti «e torturonte shpirtin e tij të drejtë», për shkak se shihte shumë ligësi në Sodomë. Krerët fetarë të periudhës apostolike përjetuan këtë lloj torture, ndonëse pa dyshim për një arsye krejt tjetër.

^ par. 17 Kjo revistë u quajt Ngushëllim në vitin 1937 dhe Zgjohuni! në vitin 1946.

[Pyetjet]

[Figura në faqen 143]

Trumbetën e pestë e pason i pari nga tri mjerimet

[Figura në faqen 146]

Shigjetat e tua të mprehta do të hyjnë në zemër të armiqve të Mbretit. (Psalmi 45:5) Kjo diçiturë shoqëronte karikaturën e mësipërme, më tipiken e të gjitha karikaturave të viteve 30, e cila thumboi ‘ata që nuk kanë vulën e Perëndisë’

[Figurat në faqen 147]

Salla Mbretërore Albert, ku u prezantua libri Çlirim dhe u miratua rezoluta «Një dëshmi sundimtarëve të botës»