Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një mesazh i ëmbël dhe i hidhur

Një mesazh i ëmbël dhe i hidhur

Kapitulli 24

Një mesazh i ëmbël dhe i hidhur

Vegimi 6​—Zbulesa 10:1–11:19

Subjekti: Vegimi i rrotullës së vogël; çfarë ndodh në tempull; rënia e trumbetës së shtatë

Koha e përmbushjes: Nga hipja në fron e Jezuit, në vitin 1914, deri në shtrëngimin e madh

1, 2. (a) Çfarë bëri mjerimi i dytë dhe kur do të quhej i përfunduar? (b) Kë pa Gjoni të zbriste nga qielli?

MJERIMI i dytë ishte shkatërrimtar. Ai goditi «krishterimin» dhe krerët e tij, «një të tretën e njerëzve» që u demaskuan si të vdekur frymësisht. (Zbulesa 9:15) Pas tij, Gjoni duhet të ketë pyetur veten se ç’mund të sillte mjerimi i tretë. Por, prit pak! Mjerimi i dytë nuk kishte përfunduar ende. Ai përfundonte në Zbulesën 11:14. Deri atëherë, Gjoni do të ishte dëshmitar i disa ngjarjeve ku ai do të merrte pjesë aktivisht. Fillimisht, ai u gjend para një pamjeje mbresëlënëse:

2 «Pashë një tjetër engjëll të fuqishëm të zbriste nga qielli, i veshur me një re. Mbi kokë kishte një ylber. Fytyra e tij ishte si dielli dhe këmbët si shtylla zjarri.»​—Zbulesa 10:1.

3. (a) Kush ishte ‘engjëlli i fuqishëm’? (b) Çfarë nënkupton ylberi mbi kokën e tij?

3 Kush ishte ky ‘engjëll i fuqishëm’? Me sa duket ishte Jezu Krishti i lavdishëm në një tjetër rol. Ai ishte i mbuluar me re dhe kjo na kujton çfarë kishte thënë më parë Gjoni për Jezuin: «Ja, ai po vjen me retë dhe do ta shohë çdo sy, edhe ata që e shpuan tejpërtej.» (Zbulesa 1:7; krahaso Mateun 17:2-5.) Ylberi që kishte mbi kokë, na kujton një vegim të mëparshëm të Gjonit, atë të fronit të Jehovait që rrethohej nga një ‘ylber që ngjante si smerald’. (Zbulesa 4:3; krahaso Ezekielin 1:28.) Ai ylber të sillte ndër mend qetësinë dhe paqen që rrethonte fronin e Perëndisë. Po ashtu, edhe ylberi mbi kokën e engjëllit e identifikonte atë si një lajmëtar të veçantë paqeje, si ‘Princin e Paqes’ për të cilin kishte folur që më parë vetë Jehovai.​—Isaia 9:6, 7.

4. Çfarë tregon fakti se (a) fytyra e engjëllit të fuqishëm ishte «si dielli»? (b) këmbët e engjëllit ishin «si shtylla zjarri»?

4 Fytyra e engjëllit të fuqishëm ishte «si dielli». Më parë, në vegimin e tij për Jezuin në tempullin hyjnor, Gjoni kishte vënë re se çehrja e Jezuit ishte «si dielli kur shkëlqen me gjithë fuqinë e tij». (Zbulesa 1:16) Duke qenë «dielli i drejtësisë», Jezui sjell shërim me krahët e tij, në të mirë të atyre që i frikësohen emrit të Jehovait. (Malakia 4:2) Përveç fytyrës, edhe këmbët e këtij engjëlli ishin të lavdishme; ato ishin si «shtylla zjarri». Ky engjëll ka qëndrimin e vendosur të atij, të cilit Jehovai i ka dhënë «çdo autoritet në qiell dhe në tokë».​—Mateu 28:18; Zbulesa 1:14, 15.

5. Çfarë pa Gjoni në dorën e engjëllit të fuqishëm?

5 Ja çfarë pa Gjoni më tutje: «Mbante në dorë një rrotull të vogël të hapur. Ai e vuri këmbën e djathtë mbi det, kurse të majtën mbi tokë.» (Zbulesa 10:2) Një rrotull tjetër? Po, por kësaj here të pavulosur. Ashtu siç ndodhi edhe me Gjonin, mund të presim që së shpejti të shohim zbulesa të tjera drithëruese. Por fillimisht të shohim sfondin e ngjarjeve që do të ndodhnin.

6. (a) Pse ishte e përshtatshme që në vegim, Jezui ta kishte njërën këmbë mbi tokë e tjetrën mbi det? (b) Kur u përmbush plotësisht Psalmi 8:5-8?

6 T’i kthehemi sërish përshkrimit të Jezuit. Këmbët e tij të zjarrta ishin njëra mbi tokë e tjera mbi det, ku ai ushtron autoritet të plotë. Është ashtu si thuhet në këtë psalm profetik: «Ti [Jehova] e bëre [Jezuin] pak më të ulët se ata që ngjajnë si perëndi, dhe e kurorëzove me lavdi e shkëlqim. Ti i dhe pushtet mbi veprat e duarve të tua. Çdo gjë e vure nën këmbët e tij: gjithë bagëtinë e imët dhe buajt, madje edhe kafshët e fushës, zogjtë e qiellit dhe peshqit e detit, gjithçka që përshkon detet.» (Psalmi 8:5-8; shih edhe Hebrenjve 2:5-9.) Ky psalm u përmbush plotësisht në vitin 1914, kur Jezui u bë Mbret i Mbretërisë së Perëndisë dhe kur filluan kohët e fundit. Pra, ato që pa Gjoni në këtë vegim, plotësohen duke filluar nga ai vit.​—Psalmi 110:1-6; Veprat 2:34-36; Danieli 12:4.

Shtatë bubullimat

7. Si thirri engjëlli i fuqishëm dhe ç’domethënie kishte thirrja e tij?

7 Gjoni vazhdonte të vështronte engjëllin e fuqishëm, kur ai vetë e ndërpreu: «Dhe [engjëlli] thirri me zë të fortë, si një luan kur ulërin. Kur thërriti ai, folën shtatë bubullimat me zërat e tyre.» (Zbulesa 10:3) Kjo thirrje e fortë patjetër ia ka tërhequr vëmendjen Gjonit dhe i ka vërtetuar atij se Jezui është vërtet ‘Luani nga fisi i Judës’. (Zbulesa 5:5) Me siguri, Gjoni e dinte se edhe për Jehovain ishte thënë nganjëherë se ‘ulërinte’. Ulërima e Jehovait ka shpallur në mënyrë profetike mbledhjen, kësaj here të Izraelit frymor, dhe afrimin e ‘ditës së Jehovait’, një ditë që do të bëjë kërdinë. (Hozea 11:10; Joeli 3:14, 16; Amosi 1:2; 3:7, 8) Qartë, pra, ulërima si e luanit që lëshoi ky engjëll i fuqishëm, paralajmëronte ngjarje të ngjashme të mëdha për detin dhe për tokën. Ajo ftoi shtatë bubullimat të flisnin.

8. Çfarë janë ‘zërat e shtatë bubullimave’?

8 Gjoni kishte dëgjuar edhe më parë bubullima që vinin nga froni i Jehovait. (Zbulesa 4:5) Në kohën e Davidit, nganjëherë thuhej se gjëmimi i bubullimës ishte «zëri i Jehovait». (Psalmi 29:3) Gjatë shërbimit të Jezuit në tokë, shumë menduan se pati bubullima, kur Jehovai tha me zë se kishte për qëllim t’i jepte lavdi emrit të tij. (Gjoni 12:28, 29) Prandaj, është logjike të mendojmë që ‘zërat e shtatë bubullimave’ janë shprehjet e Jehovait për qëllimet e tij. Numri «shtatë» i bubullimave lë të kuptosh se ajo që dëgjoi Gjoni ishte e plotë.

9. Çfarë urdhëroi një zë nga qielli?

9 Por pastaj buçiti një zë tjetër. Ai dha një urdhër që Gjonit mund t’i jetë dukur i çuditshëm. «Kur folën shtatë bubullimat, unë u bëra gati të shkruaja, por dëgjova një zë nga qielli që tha: ‘Vulosi gjërat që thanë shtatë bubullimat dhe mos i shkruaj.’» (Zbulesa 10:4) Gjoni duhet të ketë pritur me padurim të dëgjonte e të hidhte me shkrim ato mesazhe buçitëse. Edhe klasa e Gjonit në ditët tona ka pritur me padurim që Jehovai të zbulonte qëllimet e tij, e pastaj t’i nxirrnin nëpër botime. Këto zbulesa vijnë vetëm në kohën e caktuar nga Jehovai.​—Luka 12:42; shih edhe Danielin 12:8, 9.

Plotësohet sekreti i shenjtë

10. Për kë u betua engjëlli i fuqishëm dhe në lidhje me cilat fjalë?

10 Ndërkohë, Jehovai i besoi një tjetër detyrë Gjonit. Pas shtatë bubullimave, e mori përsëri fjalën engjëlli i fuqishëm: «Engjëlli që pashë të qëndronte mbi det e mbi tokë, ngriti dorën e djathtë drejt qiellit dhe u betua për Atë që rron në jetë të jetëve, i cili krijoi qiellin dhe gjithçka në të, tokën dhe gjithçka në të, detin dhe gjithçka në të: ‘Nuk do të ketë më asnjë vonesë.’» (Zbulesa 10:5, 6) Për kë u betua engjëlli i fuqishëm? Jezui i lartësuar nuk u betua për veten, por për autoritetin më të lartë që ekziston, për Jehovain, Krijuesin e pavdekshëm të qiejve dhe të tokës. (Isaia 45:12, 18) Me këtë be, engjëlli e siguroi Gjonin se Perëndia s’do të lejonte më asnjë vonesë.

11, 12. (a) Në ç’kuptim «s’do të ketë më asnjë vonesë»? (b) Ç’gjë do të shkojë drejt plotësimit?

11 Fjala greke që këtu përkthehet «vonesë» është khrónos, dhe fjalë për fjalë do të thotë «kohë». Disa janë të mendimit se kjo deklaratë e engjëllit duhet përkthyer «s’do të ekzistojë më koha», sikur koha, ashtu si e njohim ne, do të marrë fund. Por fjala khrónos në këtë varg është përdorur në trajtën e pashquar. Pra, nuk nënkupton kohën sipas konceptit të gjerë, por «një kohë» ose «një periudhë kohe». Me fjalë të tjera, Jehovai s’do të lërë më kohë (ose s’do të lejojë më vonesë). Një folje greke që vjen nga fjala khrónos përdoret edhe te Hebrenjve 10:37, ku Pavli citoi nga Habakuku 2:3, 4 dhe tha: «Ai që po vjen, . . . nuk do të vonojë.»

12 «Nuk do të ketë më asnjë vonesë.» Sa të këndshme janë këto fjalë për anëtarët e moshuar të klasës së Gjonit në ditët tona! Në ç’kuptim s’do të ketë më asnjë vonesë? Këtë na e tregoi Gjoni: «Por në ditët kur engjëlli i shtatë të lëshojë tingullin, kur të jetë gati t’i bjerë trumbetës, do të plotësohet sekreti i shenjtë i Perëndisë, ashtu siç ua shpalli lajmin e mirë skllevërve të tij, profetëve.» (Zbulesa 10:7) Për Jehovain tani është koha që ta çojë sekretin e tij të shenjtë drejt plotësimit të lumtur, dhe të arrijë një sukses të lavdishëm.

13. Çfarë është sekreti i shenjtë i Perëndisë?

13 Ç’është ky sekret i shenjtë? Ai ka të bëjë me farën që u premtua për herë të parë në Eden, pjesa kryesore e së cilës doli se ishte Jezu Krishti. (Zanafilla 3:15; 1 Timoteut 3:16) Ka të bëjë edhe me identitetin e gruas nga erdhi Fara. (Isaia 54:1; Galatasve 4:26-28) Gjithashtu, ka të bëjë me anëtarët dytësorë të klasës së farës dhe me Mbretërinë që drejtohet nga Fara. (Luka 8:10; Efesianëve 3:3-9; Kolosianëve 1:26, 27; 2:2; Zbulesa 1:5, 6) Lajmi i mirë për këtë Mbretëri të veçantë qiellore duhet predikuar në të gjithë tokën gjatë kohës së fundit.​—Mateu 24:14.

14. Pse mjerimi i tretë lidhet me Mbretërinë e Perëndisë?

14 Patjetër, s’ka lajm më të mirë se ky! Megjithatë, sipas Zbulesës 11:14, 15 mjerimi i tretë lidhet me Mbretërinë. Pse? Sepse jehona e lajmit të mirë se sekreti i shenjtë i Perëndisë është plotësuar, domethënë se Mbretëria mesianike e Perëndisë është vendosur, është lajm i keq për ata që preferojnë sistemin e Satanait. (Krahaso 2 Korintasve 2:16.) Kjo do të thotë se bota që ata e duan kaq shumë është në prag të shkatërrimit. Sa më shumë afrohet dita e madhe e hakmarrjes së Jehovait, aq më të qartë e më të fortë bëhen zërat e shtatë bubullimave që përfshijnë këto mesazhe buçitëse me paralajmërime ogurzeza.​—Sofonia 1:14-18.

Rrotulla e hapur

15. Çfarë i tha Gjonit zëri nga qielli dhe engjëlli i fuqishëm? Çfarë i ndodhi Gjonit pasi hëngri rrotullën?

15 Ndërsa priste të dëgjonte trumbetën e shtatë dhe plotësimin e sekretit të shenjtë të Perëndisë, Gjoni mori disa udhëzime të tjera: «Zëri që dëgjova nga qielli, më foli sërish e më tha: ‘Shko, merre rrotullën e hapur nga dora e engjëllit që qëndron mbi det e mbi tokë.’ Vajta tek engjëlli e i thashë të më jepte rrotullën e vogël. Ai më tha: ‘Merre dhe haje, e ajo do të të hidhërojë barkun, por do të jetë e ëmbël si mjaltë në gojën tënde.’ Unë e mora rrotullën e vogël nga dora e engjëllit dhe e hëngra. Në gojën time ajo ishte e ëmbël si mjaltë, por, pasi e hëngra, barku m’u hidhërua. Ata më thanë: ‘Profetizo përsëri për popuj, kombe, gjuhë dhe shumë mbretër.’»​—Zbulesa 10:8-11.

16. (a) Në ç’kuptim Gjonit i ndodhi pak a shumë si profetit Ezekiel? (b) Pse rrotulla e vogël iu duk e ëmbël Gjonit? Pse, kur e kapërdiu, ishte e hidhur?

16 Gjonit i ndodhi pak a shumë si profetit Ezekiel. Edhe ai u urdhërua të hante një rrotull kur ishte i mërguar në Babiloni. Ajo iu duk e ëmbël në gojë, por kur e kapërdiu, i hidhëroi barkun dhe e nxiti të parathoshte gjëra të hidhura për shtëpinë rebele të Izraelit. (Ezekieli 2:8–3:15) Edhe rrotulla e hapur që i dha Gjonit Jezu Krishti i lartësuar, ishte një mesazh hyjnor. Gjoni duhej të predikonte për «popuj, kombe, gjuhë dhe shumë mbretër». Ta hante si ushqim atë rrotull ishte e ëmbël, sepse vinte nga një burim hyjnor. (Krahaso Psalmin 119:103; Jereminë 15:15, 16.) Por kur e treti iu duk e hidhur, sepse, njësoj si Ezekieli më parë, ajo parathoshte gjëra të pakëndshme për rebelët.​—Psalmi 145:20.

17. (a) Cilët i thanë Gjonit të profetizonte «përsëri» dhe çfarë do të thoshte kjo? (b) Kur duhej të përmbushej tabloja e pazakontë që pa Gjoni?

17 Ata që i thanë Gjonit të profetizonte përsëri, ishin pa dyshim Perëndia Jehova dhe Jezu Krishti. Megjithëse i mërguar në ishullin e Patmosit, deri në këtë pikë të librit të Zbulesës, Gjoni kishte profetizuar tashmë për popuj, kombe, gjuhë dhe mbretër. Fjala «përsëri» nënkupton se ai duhej të shkruante e të bënte të njohur pjesën tjetër të informacionit që përfshihej në librin e Zbulesës. Megjithatë, s’duhet të harrojmë se në këtë rast, Gjoni po merrte pjesë vetë në vegimin profetik. Ai foli për një profeci që do të përmbushej pas vitit 1914, kur engjëlli i fuqishëm ta kishte njërën këmbë mbi tokë e tjetrën mbi det. Çfarë nënkupton kjo tablo e pazakontë për klasën e Gjonit në ditët tona?

Rrotulla e vogël e ditëve tona

18. Çfarë interesi tregoi klasa e Gjonit për librin e Zbulesës në fillim të ditës së Zotërisë?

18 Ajo që pa Gjoni ilustron në mënyrë të habitshme përvojën e klasës së Gjonit në fillim të ditës së Zotërisë. Kuptueshmëria e tyre për qëllimet e Perëndisë, duke përfshirë edhe kuptimin e shtatë bubullimave, nuk ishte e plotë në atë kohë. Megjithatë, ata treguan shumë interes për Zbulesën, dhe Çarls Tejz Rasëlli kishte komentuar shumë pjesë të saj sa ishte gjallë. Pasi ai vdiq në vitin 1916, shumë nga shkrimet e tij u mblodhën dhe u botuan në formën e një libri me titull Misteri i përfunduar. Por me kalimin e kohës, doli se ky libër nuk jepte më shpjegime të kënaqshme për Zbulesën. Mbetja e vëllezërve të Krishtit duhej të priste edhe pak, derisa vegimet të fillonin të përmbusheshin, që ta kuptonin më mirë atë tregim të frymëzuar.

19. (a) Si e përdori Perëndia Jehova klasën e Gjonit edhe para se të dëgjoheshin plotësisht zërat e shtatë bubullimave? (b) Kur iu dha rrotulla e vogël e hapur klasës së Gjonit dhe çfarë do të thoshte kjo për ta?

19 Megjithatë, ashtu si Gjonin, Jehovai i përdori ata edhe para se të dëgjoheshin plotësisht zërat e shtatë bubullimave. Para vitit 1914, ata kishin predikuar me zell për 40 vjet me radhë dhe kishin bërë përpjekje të mëdha që të qëndronin aktivë gjatë Luftës së Parë Botërore. Kur Zotëria erdhi, gjeti pikërisht ata duke u dhënë ushqim në kohën e duhur shërbëtorëve të shtëpisë së vet. (Mateu 24:45-47) Kështu, në vitin 1919, atyre iu dha rrotulla e vogël e hapur, domethënë një mesazh për t’u predikuar hapur njerëzve. Njësoj si Ezekieli, ata kishin një mesazh për një organizatë jobesnike, për krishterimin apostat që thoshte se i shërbente Perëndisë, por në fakt nuk e bënte. Njësoj si Gjoni, ata duhej të predikonin edhe gjëra të tjera për ‘popujt, kombet, gjuhët dhe mbretërit’.

20. Çfarë nënkuptonte ngrënia e rrotullës nga Gjoni?

20 Ngrënia e rrotullës nga Gjoni do të thoshte që vëllezërit e Jezuit e pranonin këtë caktim. Duke u ushqyer me të, ajo u bë pjesë e tyre, aq sa tani ata identifikoheshin me këtë pjesë të Fjalës së frymëzuar të Perëndisë. Por mesazhi që duhej të predikonin përmbante shprehje të gjykimeve të Jehovait, që pjesa dërrmuese e njerëzve nuk i kapërdinte dot, pasi përfshinin plagët e parathëna në kapitullin 8 të Zbulesës. Megjithatë, ishte e ëmbël për të krishterët e sinqertë t’i njihnin ato mesazhe e të kuptonin se Jehovai po i përdorte përsëri për t’i shpallur.​—Psalmi 19:9, 10.

21. (a) Si është bërë i ëmbël mesazhi i rrotullës së vogël edhe për shumicën e madhe? (b) Pse lajmi i mirë është lajm i keq për kundërshtarët?

21 Kohë më pas, mesazhi i kësaj rrotulle u bë i ëmbël edhe për ‘shumicën e madhe nga të gjitha kombet, fiset, popujt dhe gjuhët’, që psherëtinte për shkak të gjërave të neveritshme që shihte në gji të «krishterimit». (Zbulesa 7:9; Ezekieli 9:4) Edhe ata e shpallin tërë zell lajmin e mirë, duke përdorur fjalë të ëmbla e plot hir për të folur për masat e mrekullueshme që ka marrë Jehovai për të krishterët që kanë cilësitë e deleve. (Psalmi 37:11, 29; Kolosianëve 4:6) Kurse për kundërshtarët është një lajm i keq. Pse? Sepse do të thotë që sistemi ku i kanë varur shpresat e që ndoshta u sjell një kënaqësi jetëshkurtër, do të marrë fund. Për ta, lajmi i mirë nënkupton vdekje.​—Filipianëve 1:27, 28; krahaso Ligjin e përtërirë 28:15; 2 Korintasve 2:15, 16.

[Pyetjet]

[Figurat në faqen 160]

Klasa e Gjonit dhe shokët e saj i shpallin një mesazh të ëmbël dhe të hidhur tërë njerëzimit