Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Plagët e Jehovait mbi krishterimin apostat

Plagët e Jehovait mbi krishterimin apostat

Kapitulli 21

Plagët e Jehovait mbi krishterimin apostat

Vegimi 5​—Zbulesa 8:1–9:21

Subjekti: Bien gjashtë nga shtatë trumbetat

Koha e përmbushjes: Nga hipja në fron e Krishtit Jezu, në vitin 1914, deri në shtrëngimin e madh

1. Çfarë ndodhi kur Qengji hapi vulën e shtatë?

«KATËR erërat» po mbahen derisa të vulosen 144.000 anëtarët e Izraelit frymor dhe derisa shumica e madhe të vlerësohet e denjë për të mbijetuar. (Zbulesa 7:1-4, 9) Megjithatë, para se të vijë ajo stuhi e furishme në tokë, duhet të shpallen gjykimet e Jehovait kundër botës së Satanait. Qengji filloi të hapte vulën e shtatë dhe të fundit, kurse Gjoni ia kishte ngulur sytë për të parë çfarë do të ndodhte. Ja, si e tregoi ai çfarë pa: «Kur ai [Qengji] hapi vulën e shtatë, në qiell ra heshtje për rreth gjysmë ore. Pashë shtatë engjëjt që qëndrojnë para Perëndisë, dhe atyre iu dhanë shtatë trumbeta.»​—Zbulesa 8:1, 2.

Kohë për lutje të zjarrta

2. Çfarë ndodhi gjatë «heshtjes» gjysmëorëshe që ra në qiell?

2 Ç’heshtje! Gjysmë ore duket sikur s’mbaron kurrë, kur je në pritje të diçkaje. S’po dëgjoheshin më as këngët e lavdisë që kori qiellor këndonte pa ndalur. (Zbulesa 4:8) Pse? Arsyen Gjoni e mori vesh në vazhdimin e vegimit: «Një engjëll tjetër erdhi e qëndroi pranë altarit, dhe kishte një temjanicë prej ari. Atij iu dha një sasi e madhe temjani, që ta paraqiste mbi altarin e artë që ishte para fronit, ndërkohë që dëgjoheshin lutjet e të shenjtëve. Nga dora e engjëllit, tymi i temjanit u ngjit para Perëndisë, bashkë me lutjet e të shenjtëve.»​—Zbulesa 8:3, 4.

3. (a) Çfarë na kujton djegia e temjanit? (b) Cili ishte qëllimi i heshtjes gjysmëorëshe në qiell?

3 Kjo na kujton sistemin judaik, ku çdo ditë në tabernakull, e vite më vonë në tempullin e Jerusalemit, digjej temjan. (Dalja 30:1-8) Ndërsa temjani digjej, izraelitët që nuk i përkitnin klasës priftërore, pritnin jashtë pjesës së shenjtë dhe i luteshin, pa dyshim në heshtje, me zemër, Atij drejt të cilit ngjitej tymi i temjanit. (Luka 1:10) Gjoni pa të ndodhte diçka e ngjashme në qiell. Temjani që paraqiti engjëlli, shoqërohej me «lutjet e të shenjtëve». Faktikisht, në një vegim të mëparshëm ishte thënë se temjani përfaqësonte këto lutje. (Zbulesa 5:8; Psalmi 141:1, 2) Pra, duket se «heshtja» në qiell shërbente që të dëgjoheshin lutjet e të shenjtëve në tokë.

4, 5. Cilat zhvillime historike na ndihmojnë të përcaktojmë periudhën që përkonte me «heshtjen» gjysmëorëshe?

4 A mund ta përcaktojmë se kur ra heshtja në qiell? Po, mund ta përcaktojmë duke shqyrtuar kontekstin dhe zhvillimet historike në fillim të ditës së Zotërisë. (Zbulesa 1:10) Ngjarjet që ndodhën në tokë gjatë viteve 1918 dhe 1919, përkojnë dukshëm me skenën e përshkruar te Zbulesa 8:1-4. Para vitit 1914, Studentët e Biblës, siç quheshin atëherë Dëshmitarët e Jehovait, kishin shpallur tërë guxim për 40 vjet me radhë se kohët e caktuara të kombeve do të përfundonin në këtë vit. Ngjarjet e dhembshme të vitit 1914 treguan se ata kishin pasur të drejtë. (Luka 21:24; Mateu 24:3, 7, 8) Shumë prej tyre besonin, gjithashtu, se po atë vit, në 1914-n, do të merreshin nga toka për të shkuar në trashëgiminë e tyre qiellore. Por kjo s’ndodhi. Madje, gjatë Luftës së Parë Botërore, ata u përballën me një përndjekje të egër. Më 31 tetor 1916, vdiq presidenti i parë i Shoqatës Watch Tower, Çarls Tejz Rasëlli. Pastaj, më 4 korrik 1918, presidenti i ri, Xhozef Radhërfordi dhe shtatë përfaqësues të tjerë të Shoqatës u dërguan në burgun e Atlantës, në Xhorxhia, SHBA, pasi u dënuan padrejtësisht me shumë vjet burgim.

5 Të krishterët e sinqertë të klasës së Gjonit ishin në mëdyshje. Cili ishte vullneti i Perëndisë për ta tash e tutje? Kur do të merreshin në qiell? Një artikull me titull «Korrja përfundoi​—Çfarë vjen më pas?», që doli në Kullën e Rojës të 1 majit 1919, (anglisht), pasqyronte këtë gjendje pasigurie dhe i inkurajonte të krishterët besnikë të vazhdonin me qëndrueshmëri. Gjithashtu në të thuhej: «Mendojmë se tani mund të thuhet që korrja e klasës mbretërore ka përfunduar, se të gjithë anëtarët e saj janë vulosur siç duhet dhe se dera është mbyllur.» Gjatë kësaj periudhe të vështirë, lutjet e zjarrta të anëtarëve të klasës së Gjonit ngjiteshin si një sasi e madhe tymi temjani drejt Jehovait, dhe pa dyshim Perëndia i dëgjonte.

Në tokë hidhet zjarr

6. Çfarë ndodhi pas heshtjes në qiell dhe përgjigje të cilave ishin?

6 Gjoni vazhdoi: «Sakaq, engjëlli mori temjanicën, e mbushi me zjarrin e altarit dhe e hodhi në tokë. E pati bubullima, zëra, vetëtima dhe një tërmet.» (Zbulesa 8:5) Befas, disa dukuri tronditëse thyen heshtjen. Me sa duket ato ishin përgjigje e lutjeve të të shenjtëve, pasi u shkaktuan nga zjarri që u mor në altarin e temjanit. Në vitin 1513 p.e.s, bubullimat, rrufetë, një zhurmë e madhe, zjarri dhe dridhjet e malit të Sinait, treguan se Jehovai e kish kthyer vëmendjen nga populli i tij. (Dalja 19:16-20) Edhe ato që raportoi Gjoni tregonin se Jehovai e kish kthyer vëmendjen nga shërbëtorët e tij në tokë. Vetëm se Gjonit iu paraqitën me shenja. (Zbulesa 1:1) Atëherë, çfarë nënkuptojnë në kohën tonë zjarri, bubullimat, zërat, vetëtimat dhe tërmeti?

7. (a) Ç’zjarr ndezi Jezui në tokë gjatë shërbimit të tij? (b) Si ndezën zjarr në gji të krishterimit apostat edhe vëllezërit frymorë të Jezuit?

7 Në një rast, Jezui u tha dishepujve të tij: «Unë erdha t’i vë zjarrin tokës.» (Luka 12:49) Dhe në fakt, ai ndezi një zjarr. Me predikimin e tij të zellshëm, ai e bëri Mbretërinë e Perëndisë çështje me rëndësi parësore për judenjtë, dhe kjo ngjalli një polemikë të zjarrtë në tërë kombin. (Mateu 4:17, 25; 10:5-7, 17, 18) Në vitin 1919, vëllezërit frymorë të Jezuit në tokë, grupi i vogël i të krishterëve që u kish mbijetuar ditëve të mundimshme të Luftës I Botërore, ndezi një zjarr të ngjashëm në gji të krishterimit apostat. Në shtator të atij viti, fryma e Jehovait u shfaq në mënyrë të dukshme, kur Dëshmitarët e tij besnikë u mblodhën nga të katër anët për të marrë pjesë në kongresin që u mbajt në Sidër-Point të Ohajos, SHBA. Xhozef Radhërfordi, i cili sapo ishte liruar nga burgu dhe pas pak do të binin të gjitha akuzat që ishin ngritur kundër tij, iu drejtua me guxim të pranishmëve: «Të bindur ndaj urdhrit të Zotërisë tonë dhe duke pranuar se për ne është privilegj dhe detyrë të luftojmë kundër fortesave të fajit, që mbajnë rob popujt prej shumë kohësh, kemi qenë dhe jemi të vendosur të shpallim mbretërinë e ardhshme plot lavdi të Mesisë.» Po, Mbretëria e Perëndisë ishte çështja parësore.

8, 9. (a) Si e përshkroi Xhozef Radhërfordi qëndrimin dhe dëshirën e popullit të Perëndisë gjatë viteve të vështira të luftës? (b) Si u hodh zjarr në tokë? (c) Në ç’kuptim ka pasur bubullima, zëra, vetëtima dhe një tërmet?

8 Duke përmendur sprovat e ashpra që po përjetonte asokohe populli i Perëndisë, ai tha: «Sulmet e armikut qenë kaq të pamëshirshme, sa shumë nga delet e shtrenjta të Zotërisë, të shtangura e të hutuara, i luteshin Zotërisë e pritnin që ai t’u tregonte vullnetin e tij. . . . Gjithsesi, edhe pse të shkurajuar për momentin, tek ata vlonte dëshira që të shpallnin mesazhin e mbretërisë.»​—Shih Kullën e Rojës të 15 shtatorit 1919, faqja 280, anglisht.

9 Ajo dëshirë u plotësua në vitin 1919. Te ky grup i vogël, por i zellshëm të krishterësh, u ndez një zjarr në kuptimin frymor, për të filluar një fushatë predikimi në mbarë botën. (Krahaso 1 Selanikasve 5:19.) Në tokë u hodh zjarr në kuptimin që Mbretëria e Perëndisë u bë një çështje e zjarrtë, e cila vazhdon të jetë e tillë edhe sot. Heshtjes ia zunë vendin zërat e fuqishëm, që shpallnin qartë mesazhin e Mbretërisë. Paralajmërimet nga Bibla gjëmuan fort si bubullima. Rrezet e shndritshme të së vërtetës nga fjala profetike e Jehovait ndriçuan si vetëtima dhe perandorisë së feve iu tronditën themelet nga një tërmet i fuqishëm. Klasa e Gjonit e kuptoi se kishte punë përpara, e në fakt deri sot e kësaj dite nuk e ka ndalur veprën e lavdishme të shpalljes në tërë tokën e banuar.​—Romakëve 10:18.

Engjëjt përgatiten t’u bien trumbetave

10. Çfarë u përgatitën të bënin shtatë engjëjt dhe pse?

10 Gjoni vazhdoi: «Shtatë engjëjt u përgatitën t’u binin shtatë trumbetave.» (Zbulesa 8:6) Çfarë nënkupton rënia e trumbetave? Në lashtësi, izraelitët u binin trumbetave në ditë të rëndësishme ose në ngjarje të shënuara. (Levitiku 23:24; 2 Mbretërve 11:14) Edhe trumbetat që dëgjoi Gjoni më pas, tërhiqnin vëmendjen te disa çështje të rëndësishme për jetë a vdekje.

11. Në cilën vepër përgatitore mori pjesë me zell klasa e Gjonit në tokë nga viti 1919 deri në vitin 1922?

11 Ndërsa përgatiteshin t’u binin trumbetave, engjëjt pa dyshim po drejtonin edhe një vepër përgatitore në tokë. Nga viti 1919 deri në vitin 1922, klasa e rigjallëruar e Gjonit, riorganizoi me zell shërbimin publik dhe shtoi aktivitetin e shtypjes. Në vitin 1919, doli revista Epoka e artë, që sot njihet si Zgjohuni! Ajo u paraqit si «një revistë e mbështetur në fakte, shpresë dhe bindje». Ky mjet i krahasuar me trumbetën, do të luante një rol kyç në demaskimin e fesë së rreme si pjesëmarrëse në politikë.

12. Çfarë shpallte secila nga trumbetat dhe çfarë na kujton në lidhje me ditët e Moisiut?

12 Siç do ta shohim, secila nga trumbetat shpallte një skenë dramatike, ku disa plagë të tmerrshme preknin pjesë të tokës. Disa prej tyre na kujtojnë plagët që dërgoi Jehovai në ditët e Moisiut për të ndëshkuar egjiptianët. (Dalja 7:19–12:32) Ato ishin shprehje të gjykimit të Jehovait mbi atë komb dhe i çelën rrugën popullit të Perëndisë të shpëtonte nga skllavëria. Plagët që pa Gjoni kanë një ndikim të ngjashëm. Megjithatë, ato nuk duhen marrë si plagë të mirëfillta, por si shenja që simbolizojnë gjykimet e drejta të Jehovait.​—Zbulesa 1:1.

Çfarë përfaqëson «një e treta»?

13. Çfarë ndodhi kur ranë katër trumbetat e para dhe ç’pyetje lind?

13 Siç do ta shohim edhe më poshtë, kur ranë katër trumbetat e para, plagët goditën ‘një të tretën’ e tokës, të detit, të lumenjve, të burimeve të ujërave dhe të ndriçuesve të tokës. (Zbulesa 8:7-12) Një e treta përbën një pjesë të konsiderueshme të diçkaje, por jo të tërën. (Krahaso Isainë 19:24; Ezekielin 5:2; Zakarinë 13:8, 9.) Por, cila ‘e tretë’ do t’i meritonte më shumë këto plagë? Pjesa më e madhe e njerëzimit është verbuar e korruptuar nga Satanai dhe fara e tij. (Zanafilla 3:15; 2 Korintasve 4:4) Njerëzit janë tamam siç i përshkroi Davidi: «Të gjithë janë larguar, të gjithë janë të korruptuar. S’ka asnjë që të bëjë të mirën, as edhe një.» (Psalmi 14:3) Po, tërë njerëzimi rrezikon të dënohet. Por një pjesë e tij është veçanërisht fajtore. Një pjesë, pra, ‘një e treta’ duhej ta kishte ditur se ku po shkelte. Cila është kjo ‘e tretë’?

14. Kë paraqit një e treta që merr mesazhe të dhimbshme nga Jehovai?

14 Është krishterimi apostat. Në vitet 20 të shekullit të 20-të, fusha e ndikimit të tij u shtri në rreth një të tretën e njerëzimit. Feja që praktikon, është fryt i braktisjes së krishterimit të vërtetë, i apostazisë së madhe që parathanë Jezui dhe dishepujt e tij. (Mateu 13:24-30; Veprat 20:29, 30; 2 Selanikasve 2:3; 2 Pjetrit 2:1-3) Klerikët e krishterimit apostat thonë se shërbejnë në tempullin e Perëndisë dhe e paraqitin veten si mësues të krishterimit. Por doktrinat e tyre janë larguar shumë nga të vërtetat e Biblës dhe vazhdimisht e mbulojnë me turp emrin e Perëndisë. Krishterimi apostat, që është me vend të paraqitet si një e treta, merr mesazhe të fuqishme e të dhimbshme nga Jehovai. Kjo e tretë e njerëzimit nuk e meriton aspak hirin hyjnor.

15. (a) A u dëgjua secila nga trumbetat vetëm në një vit të veçantë? Shpjego. (b) Cila e ka bashkuar zërin me klasën e Gjonit për të shpallur gjykimet e Jehovait?

15 Në përputhje me trumbetat që binin njëra pas tjetrës, në shtatë kongrese, duke filluar nga viti 1922 deri në vitin 1928, u paraqitën rezoluta të veçanta. Këto trumbeta nuk u dëgjuan vetëm gjatë atyre viteve. Demaskimi i fuqishëm i poshtërsive të krishterimit apostat ka vazhduar edhe gjatë ditës së Zotërisë. Me gjithë urrejtjen dhe përndjekjen në shkallë ndërkombëtare, gjykimet e Jehovait duhet t’u shpallen të gjitha kombeve në çdo cep të botës. Vetëm pasi të jetë bërë kjo, do t’i vijë fundi sistemit të Satanait. (Marku 13:10, 13) Sa mirë që shumica e madhe e ka bashkuar zërin me klasën e Gjonit për të njoftuar këto shpallje buçitëse me rëndësi për tërë botën!

Digjet një e treta e tokës

16. Çfarë ndodhi kur engjëlli i parë i ra trumbetës?

16 Duke treguar për engjëjt, Gjoni shkroi: «I pari i ra trumbetës. Ndërkaq, në tokë ra breshër e zjarr i përzier me gjak. U dogj një e treta e tokës, një e treta e pemëve dhe gjithë bimësia e gjelbër.» (Zbulesa 8:7) Kjo ngjan me plagën e shtatë të Egjiptit, por çfarë do të thotë për kohën tonë?​—Dalja 9:24.

17. (a) Çfarë paraqit fjala ‘tokë’ te Zbulesa 8:7? (b) Si digjet një e treta e tokës që gjendet në vendet ku vepron krishterimi apostat?

17 Në Bibël, fjala ‘tokë’ i referohet shpesh njerëzimit. (Zanafilla 11:1; Psalmi 96:1) Përderisa plaga e dytë është në det, i cili gjithashtu ka të bëjë me njerëzimin, ‘toka’ duhet t’i referohet asaj pjese të shoqërisë njerëzore, në pamje të parë të stabilizuar, që e ka ndërtuar Satanai dhe që pret shkatërrimin. (2 Pjetrit 3:7; Zbulesa 21:1) Skena e kësaj plage tregon se vendet ku vepron krishterimi apostat, një e treta e tokës, përzhitet nga nxehtësia e padurueshme e mosmiratimit të Jehovait. Ata që zënë pozita të shquara e që ngrihen si pemë në ato vende, digjen nga shpallja e gjykimit ndëshkues të Jehovait. Nëse vazhdojnë të mbështetin fetë e krishterimit apostat, qindra milionë anëtarë të kishave do të bëhen si fije bari të thara, të fishkura frymësisht në sytë e Perëndisë.​—Krahaso Psalmin 37:1, 2. *

18. Si u shpall mesazhi i gjykimit të Jehovait në kongresin e Sidër-Pointit, në vitin 1922?

18 Si shpallet ky mesazh gjykimi? Në përgjithësi jo nga mediat, që janë pjesë e botës dhe shpesh poshtërojnë ‘skllavin’ e Perëndisë. (Mateu 24:45) Ky mesazh u shpall në mënyrë të pazakontë gjatë grumbullimit të dytë historik të popullit të Perëndisë në Sidër-Point të Ohajos, më 10 shtator 1922. Atë ditë, ata miratuan njëzëri dhe me entuziazëm rezolutën me titull «Një sfidë udhëheqësve të botës». Kjo rezolutë i drejtohej qartazi «tokës» në kohën tonë dhe thoshte: «Prandaj u bëjmë thirrje kombeve të tokës, sundimtarëve dhe qeveritarëve, si dhe tërë klerikëve të të gjitha kulteve fetare në tokë, ithtarëve dhe përkrahësve të tyre, njerëzve të rëndësishëm të biznesit dhe të politikës, të sjellin prova që përligjin pretendimin e tyre se mund të vendosin paqen dhe begatinë në tokë dhe se mund t’u sjellin lumturi njerëzve. E në qoftë se nuk janë në gjendje ta bëjnë, u bëjmë thirrje t’ia vënë veshin dëshmisë që japim ne si dëshmitarë të Zotërisë, e pastaj të thonë nëse dëshmia jonë është e vërtetë apo jo.»

19. Ç’dëshmi u dha populli i Perëndisë vendeve ku vepron krishterimi apostat për Mbretërinë e Perëndisë?

19 Cila ishte dëshmia që dhanë këta të krishterë? Ajo shprehej me këto fjalë: «Besojmë dhe shpallim se mbretëria e Mesisë është ilaçi për të gjitha të këqijat e njerëzimit dhe se do t’i sjellë paqen tokës dhe miratimin e Perëndisë njerëzve, të cilat i dëshirojnë të gjitha kombet; se ata që i nënshtrohen me gatishmëri mbretërimit të drejtë të tij që sapo ka filluar, do të bekohen me paqe të përhershme, jetë, liri dhe lumturi të pafund.» Në epokën tonë të korruptuar, kur qeveritë njerëzore, sidomos ato të vendeve ku vepron krishterimi apostat, po dështojnë kryekëput të zgjidhin problemet e botës, trumbetimi i kësaj sfide po ushton akoma më shumë sot se në vitin 1922. Sa e vërtetë është që Mbretëria e Perëndisë e drejtuar nga Krishti fitimtar është shpresa e vetme për njerëzimin!

20. (a) Si i ka trumbetuar kongregacioni i të krishterëve të mirosur mesazhet e gjykimit nga viti 1922 e më pas? (b) Çfarë i ndodhi krishterimit apostat nga trumbeta e parë?

20 Kongregacioni i të krishterëve të mirosur ka trumbetuar jo vetëm këtë shpallje, por edhe të tjera me anë të rezolutave, fletushkave, broshurave, librave, revistave dhe fjalimeve. Në trumbetën e parë, krishterimi apostat u godit si me një breshër të fortë. Faji i tij i gjakut nga pjesëmarrja në luftërat e shekullit të 20-të, u zbulua lakuriq, dhe u tregua se ai e meritonte furinë e zemërimit të zjarrtë të Jehovait. Klasa e Gjonit që më vonë u ndihmua nga shumica e madhe, ka vazhduar t’i bëjë jehonë trumbetës së parë, duke theksuar se në sytë e Jehovait krishterimi apostat e ka hak shkatërrimin.​—Zbulesa 7:9, 15.

Si një mal që digjet

21. Çfarë ndodhi kur engjëlli i dytë i ra trumbetës?

21 «Engjëlli i dytë i ra trumbetës. Ndërkaq, diçka që i ngjante një mali të madh që digjet me zjarr, u hodh në det. Një e treta e detit u bë gjak, një e treta e krijesave në det, të cilat kanë shpirt, ngordhën, dhe një e treta e anijeve u shpartallua.» (Zbulesa 8:8, 9) Çfarë paraqit kjo skenë e frikshme?

22, 23. (a) Cila rezolutë pasoi trumbetën e dytë? (b) Çfarë paraqit «një e treta e detit»?

22 Mund ta kuptojmë fare lehtë, nëse shohim ç’ndodhi në kongresin që mbajti populli i Jehovait në Los Anxhelos të Kalifornisë, SHBA, më 18-26 gusht 1923. Të shtunën pasdite Xhozef Radhërfordi paraqiti fjalimin me temë «Delet dhe cjeptë». Ai tha qartë se «delet» janë njerëzit e prirur për drejtësi, të cilët do të trashëgojnë pjesën tokësore të Mbretërisë së Perëndisë. Rezoluta që u paraqit më pas gjatë atij kongresi, e tërhoqi vëmendjen te hipokrizia e «klerit apostat dhe ‘e të parëve të kopesë së tyre’, që në botë ushtrojnë një ndikim të fuqishëm politik dhe financiar». Ajo i bënte thirrje «shumicës së njerëzve nëpër kultet e krishtere që donin paqen dhe rregullin . . . të tërhiqeshin nga sistemet e padrejta fetare që Zotëria i kishte quajtur ‘Babiloni’» dhe të rrinin gati «për të marrë bekimet e mbretërisë së Perëndisë».

23 Pa dyshim, kjo rezolutë pasoi trumbetën e dytë. Ata që do t’i përgjigjeshin si duhej këtij mesazhi, do të ndaheshin nga ata që Isaia i përshkroi me këto fjalë: «Të ligjtë janë si deti i trazuar që nuk mund të qetësohet dhe ujërat e të cilit nxjerrin leshterikë dhe llucë.» (Isaia 57:20; 17:12, 13) «Deti» paraqit më së miri njerëzit e paqëndrueshëm, të pavendosur dhe rebelë, të cilët nxitin trazira dhe kryengritje. (Krahaso Zbulesën 13:1.) Do të vijë koha kur «deti» s’do të jetë më. (Zbulesa 21:1) Ndërkohë, me trumbetën e dytë Jehovai shpall gjykimin kundër një të tretës së tij, domethënë kundër pjesës së trazuar të njerëzimit në vetë vendet ku vepron krishterimi apostat.

24. Çfarë paraqit hedhja në det e masës shkëmbore që digjet?

24 Në «det» u hodh diçka që i ngjante një mali të madh që digjej me zjarr. Në Bibël, malet simbolizojnë shpesh qeveritë. Për shembull, Mbretëria e Perëndisë paraqitet si një mal. (Danieli 2:35, 44) Qyteti shkatërrimtar i Babilonisë u bë një ‘mal i shkrumbuar’. (Jeremia 51:25) Vetëm se masa shkëmbore që pa Gjoni vazhdonte të digjej. Hedhja e saj në det ilustron mirë se si, gjatë dhe pas Luftës së Parë Botërore, çështja e qeverisjes u kthye në një debat të zjarrtë mes njerëzve, sidomos në vendet ku vepronte krishterimi. Në Itali, Musolini solli fashizmin. Gjermania përqafoi nazizmin e Hitlerit, kurse vende të tjera provuan forma të ndryshme të socializmit. Në Rusi ndodhi një ndryshim rrënjësor. Atje revolucioni bolshevik solli në jetë shtetin e parë komunist, i cili ua uli fuqinë dhe ndikimin krerëve fetarë të krishterimit apostat në atë vend që dikur ishte një nga fortesat e tij.

25. Ç’gjë tregon se qeverisja mbeti një çështje e nxehtë edhe pas Luftës II Botërore?

25 Lufta e Dytë Botërore u dha fund eksperimenteve të fashistëve dhe të nazistëve, por qeverisja mbeti prapëseprapë një çështje e nxehtë dhe deti i njerëzimit vazhdoi të vendoste e të përmbyste regjime të reja revolucionare. Në dekadat pas vitit 1945, ato vepronin në shumë vende, si në Kinë, Vietnam, Kubë dhe në Nikaragua. Greqia eksperimentoi një regjim në formën e diktaturës ushtarake, i cili dështoi. Kamboxhia u fut në rrugën e komunizmit radikal, që sipas raporteve shkaktoi dy milionë a më shumë viktima.

26. Si vazhdoi të shkaktonte dallgë në detin e njerëzimit ‘mali që digjej me zjarr’?

26 ‘Mali që digjej me zjarr’ vazhdoi të shkaktonte dallgë në detin e njerëzimit. Në Afrikë, në kontinentet e Amerikës, në Azi dhe në ishujt e Paqësorit janë raportuar beteja të ashpra për marrjen e qeverisë. Shumë prej tyre janë zhvilluar në vendet ku vepron krishterimi ose ku misionarët e krishterimit apostat kanë vepruar si revolucionarë. Priftërinjtë e Kishës Katolike të Romës janë bashkuar me grupe guerile komuniste për të luftuar përkrah tyre. Në të njëjtën kohë, në Amerikën Qendrore grupe evangjelistësh protestantë bënë ç’mundën për të neutralizuar atë që e përkufizonin si «etje e pangopur dhe e pamëshirshme e komunistëve për pushtet». Por asnjëra nga këto përpëlitje në detin e njerëzimit nuk ka sjellë paqe dhe siguri.​—Krahaso Isainë 25:10-12; 1 Selanikasve 5:3.

27. (a) Në ç’kuptim «një e treta e detit» u bë si gjaku? (b) Si ngordhi «një e treta e krijesave në det» dhe ç’e pret ‘një të tretën e anijeve’?

27 Siç e tregon edhe trumbeta e dytë, ata që morën pjesë në konflikte revolucionare për rrëzimin e qeverive, duke mos iu nënshtruar Mbretërisë së Perëndisë, janë përlyer me gjak. Sidomos «një e treta e detit», që paraqit vendet ku vepron krishterimi apostat, është bërë si vetë gjaku. Të gjitha krijesat e gjalla të këtij deti, janë të vdekura në sytë e Perëndisë. Asnjëra nga organizatat ekstremiste, që pluskojnë si anije në një të tretën e detit, nuk mund ta shmangë mbytjen. Ç’gëzim kur shohim se miliona «dele» ia kanë vënë veshin thirrjes së trumbetës për t’u ndarë nga ata që ende notojnë në nacionalizmin mendjengushtë dhe në gjakderdhjet e shkaktuara nga ky «det»!

Një yll bie nga qielli

28. Çfarë ndodhi kur engjëlli i tretë i ra trumbetës?

28 «Engjëlli i tretë i ra trumbetës. Ndërkaq, nga qielli ra mbi një të tretën e lumenjve dhe mbi burimet e ujërave një yll i madh, që digjej porsi pishtar. Emri i yllit është Pelin. Kështu, një e treta e ujërave u kthyen në pelin dhe shumë njerëz vdiqën nga ujërat, sepse ato ishin bërë të hidhura.» (Zbulesa 8:10, 11) Edhe këtu na ndihmojnë pjesë të tjera të Biblës për të parë se si zbatohet ky shkrim në ditën e Zotërisë.

29. Kë simbolizonte ‘ylli i madh që digjej porsi pishtar’ dhe pse?

29 Me simbolikën e yllit jemi ndeshur edhe herë tjetër në mesazhet e Jezuit për shtatë kongregacionet, ku shtatë yjet simbolizojnë pleqtë e kongregacioneve. * (Zbulesa 1:20) «Yjet» e mirosur bashkë me të gjithë të mirosurit e tjerë, banojnë në kuptimin frymor në vendet qiellore që kur vulosen me frymën e shenjtë, në shenjë të trashëgimisë së tyre qiellore. (Efesianëve 2:6, 7) Megjithatë, apostulli Pavël i paralajmëroi të krishterët se prej këtyre ‘yjeve’ do të vinin apostatët, ose sektarët që do ta çonin kopenë në rrugë të shtrembër. (Veprat 20:29, 30) Një jobesnikëri e tillë do të çonte në apostazinë e madhe, dhe këta pleq me mangësi frymore do të përbënin njeriun e paligjshmërisë që do ta lartësonte veten si perëndi mes njerëzve. (2 Selanikasve 2:3, 4) Paralajmërimet e Pavlit u përmbushën kur doli në skenë kleri i krishterimit apostat. Ky grup paraqitej më së miri nga ‘ylli i madh, që digjej porsi pishtar’.

30. (a) Ç’donte të thoshte Isaia kur tha se mbreti i Babilonisë ra nga qielli? (b) Çfarë mund të nënkuptojë rënia nga qielli?

30 Gjoni e pa këtë yll të binte nga qielli. Si? Mund ta kuptojmë duke parë ç’ndodhi me një mbret të lashtë, mbretin e Babilonisë, për të cilin Isaia tha: «Si re nga qielli ti që shkëlqen, o bir i agimit?! Si u hodhe përtokë ti që rrëzoje kombet?!» (Isaia 14:12) Kjo profeci u përmbush kur Babilonia u pushtua nga ushtritë e Kirit, dhe mbreti i saj ra papritmas nga pozita e tij si mbret i një fuqie botërore, duke pësuar një humbje të turpshme. Pra, rënia nga qielli mund të nënkuptojë humbjen e një pozite të lartë dhe turpërimin.

31. (a) Kur ra kleri i krishterimit apostat nga pozita «qiellore»? (b) Pse janë «pelin» ujërat që u nxori njerëzve kleri, dhe ku i çoi kjo shumë prej tyre?

31 Kur u largua nga krishterimi i vërtetë, kleri i krishterimit apostat ra nga pozita e lartë «qiellore», për të cilën foli Pavli tek Efesianëve 2:6, 7. Në vend që të jepte ujin e freskët të së vërtetës, ai u nxori njerëzve «pelin», gënjeshtra të hidhura, si: ferri i zjarrtë, purgatori, Triniteti dhe paracaktimi i fatit. Gjithashtu, i çoi kombet drejt luftës, duke mos i ndihmuar njerëzit të jenë shërbëtorë të moralshëm të Perëndisë. Çfarë bëri e gjithë kjo? Helmoi frymësisht ata që i besuan këto gënjeshtra. Ata përfunduan si izraelitët jobesnikë të ditëve të Jeremisë, për të cilët Jehovai tha: «Unë do t’i bëj që të hanë pelin dhe do t’u jap të pinë ujë të helmuar. Sepse nga profetët e Jerusalemit është përhapur apostazia në gjithë vendin.»​—Jeremia 9:15; 23:15.

32. Kur u bë e dukshme rënia e krishterimit apostat nga qiejt frymorë dhe si u bë edhe më e qartë vite më pas?

32 Rënia e klerit të krishterimit nga qiejt frymorë u bë e dukshme në vitin 1919. Këtë vit interesat e Mbretërisë nuk iu besuan klerit të krishterimit apostat, por atyre pak të krishterëve të mirosur që kishin mbetur. (Mateu 24:45-47) Rënia e klerit të krishterimit apostat është bërë edhe më e qartë, duke filluar nga viti 1922, kur grupi i të krishterëve të vërtetë nisi nga e para të nxirrte në shesh fajet e tij.

33. Si u demaskua kleri i krishterimit apostat në kongresin që u mbajt në Kolumbus të Ohajos, në vitin 1924?

33 Për këtë qëllim, u bë një shpallje e papërsëritshme gjatë një kongresi në Kolumbus të Ohajos, SHBA, më 20-27 korrik 1924, të cilin revista Epoka e artë e quajti «kongresi më i madh i organizuar ndonjëherë nga Studentët e Biblës». Pa dyshim, nën drejtimin e engjëllit që i binte trumbetës së tretë, në atë rast u miratua një rezolutë e fuqishme, që më vonë doli në formën e një fletushke me titull «Akuzohen klerikët», nga e cila u shpërndanë 50 milionë kopje. Njëri nga nëntitujt ishte «Fara e premtimit kundër farës së gjarprit». Kleri i krishterimit apostat akuzohej hapur se i vinte vetes tituj fetarë pompozë, se bënte pjesëtarë kryesorë të kopesë njerëz të fuqishëm të tregtisë dhe të politikës, se dëshironte të dukej para njerëzve dhe se nuk pranonte t’u predikonte atyre mesazhin për Mbretërinë e Mesisë. Në të theksohej se Perëndia i ka ngarkuar çdo të krishteri të kushtuar detyrën për të shpallur ‘ditën e hakmarrjes të Perëndisë tonë, për të ngushëlluar të gjithë ata që mbajnë zi’.​—Isaia 61:2.

34, 35. (a) Çfarë i ka ndodhur fuqisë dhe ndikimit të klerit që kur filloi t’i binte trumbetës engjëlli i tretë? (b) Çfarë e pret klerin e krishterimit apostat?

34 Që kur filloi t’i binte trumbetës engjëlli i tretë, pozita mbizotëruese e klerit mes njerëzve ka ardhur duke u dobësuar, aq sa sot shumë pak prej tyre vazhdojnë të kenë fuqi mbi masat që i mbanin si perëndi në shekujt e kaluar. Falë predikimit të Dëshmitarëve të Jehovait, një numër i madh njerëzish e kanë kuptuar se shumë nga doktrinat që mëson kleri janë helm frymor, «pelin». Veç kësaj, në Evropën Veriore fuqia e klerit gati ka shterur, kurse në disa vende të tjera qeveria e ka kufizuar rreptësisht ndikimin e tyre. Në vendet katolike të Evropës dhe të kontinenteve të Amerikës ata e kanë njollosur emrin e tyre me një sjellje skandaloze në fushën financiare, politike dhe morale. Tash e tutje, situata e tyre s’mund veçse të përkeqësohet, pasi shumë shpejt ata do të kenë të njëjtin short si të gjithë besimtarët e tjerë të fesë së rreme.​—Zbulesa 18:21; 19:2.

35 Plagët e Jehovait kundër krishterimit apostat ende s’kanë mbaruar. Të shohim çfarë do të ndodhte pasi të dëgjohej trumbeta e katërt.

Errësirë!

36. Çfarë ndodhi pasi engjëlli i katërt i ra trumbetës?

36 «Engjëlli i katërt i ra trumbetës. Ndërkaq, u godit një e treta e diellit, një e treta e hënës dhe një e treta e yjeve, që një e treta e tyre të errësohej, e kështu dita të mos kishte ndriçim për një të tretën e saj, e po njësoj edhe nata.» (Zbulesa 8:12) Plaga e nëntë e Egjiptit e goditi vendin me errësirë. (Dalja 10:21-29) Por, ç’lloj errësire do të godiste njerëzit?

37. Si e përshkroi Pjetri dhe Pavli gjendjen frymore të atyre që nuk janë pjesë e kongregacionit të të krishterëve të vërtetë?

37 Apostulli Pjetër u tha bashkëbesimtarëve se, para se të bëheshin të krishterë, kishin qenë në errësirë frymësisht. (1 Pjetrit 2:9) Edhe Pavli përdori fjalën «errësirë» për të përshkruar gjendjen frymore të atyre që nuk janë pjesë e kongregacionit të të krishterëve të vërtetë. (Efesianëve 5:8; 6:12; Kolosianëve 1:13; 1 Selanikasve 5:4, 5) Por, ç’mund të themi për ithtarët e krishterimit apostat që thonë se besojnë te Perëndia dhe se e pranojnë Jezuin si Shpëtimtarin e tyre?

38. Çfarë trumbeton engjëlli i katërt për «dritën» e krishterimit apostat?

38 Jezui tha se të krishterët e vërtetë do të njiheshin nga frytet dhe se shumë prej atyre që do të thoshin se ishin ithtarët e tij, do të ishin nga ata ‘që bënin paligjshmëri’. (Mateu 7:15-23) Kush sheh frytet e një të tretës së botës që zë krishterimi apostat, s’mund ta mohojë se ai po shkon kuturu nëpër errësirën e dendur frymore. (2 Korintasve 4:4) Ai është më fajtori, se e quan veten të krishterë. Pra, është shumë me vend që engjëlli i katërt trumbeton faktin se «drita» e krishterimit apostat, në të vërtetë është errësirë, dhe se burimi i tij i «dritës» ka origjinë babilonase, jo të krishterë.​—Marku 13:22, 23; 2 Timoteut 4:3, 4.

39. (a) Si tregoi dritën e rreme të krishterimit apostat rezoluta që u miratua në kongresin e vitit 1925? (b) Ç’doli tjetër në shesh në vitin 1955?

39 Në përputhje me këtë shpallje qiellore, më 29 gusht 1925, shërbëtorët e Perëndisë bënë një grumbullim të madh në Indianapolis të Indianës, SHBA, dhe miratuan një rezolutë të drejtpërdrejtë me titull «Mesazh shprese», e cila më vonë doli në formën e një botimi. Përsëri u shpërndanë rreth 50 milionë kopje të saj në disa gjuhë. Ajo fliste për dritën e rreme që përhapnin njëherazi përfituesit tregtarë, krerët politikë dhe kleri fetar, për faj të të cilëve «popujt kishin rënë në errësirë». Nga ana tjetër, lartësonte Mbretërinë e Perëndisë si të vetmen shpresë të vërtetë për të marrë «bekimin e paqes, begatisë, shëndetit, jetës, lirisë dhe lumturisë së përhershme». Grupit të vogël të të krishterëve të mirosur iu desh guxim për të shpallur këto mesazhe që dënonin krishterimin apostat, këtë organizatë gjigante. Megjithatë, ata e kanë bërë këtë pa reshtur që nga viti 1920 e deri më sot. Kohë më pas, në vitin 1955, ky grup nxori në shesh të tjera faje të klasës së klerit, duke shpërndarë në shumë gjuhë të botës broshurën me titull Cili është «drita e botës», krishterimi apostat apo krishterimi i vërtetë? Sot, hipokrizia e krishterimit apostat ka dalë sheshit, sa shumë njerëz mund ta dallojnë edhe vetë. Por prapëseprapë, populli i Jehovait ka vazhduar të zbulojë fytyrën e vërtetë të tij, duke treguar se s’është veçse një mbretëri errësire.

Një shqiponjë që fluturon

40. Çfarë treguan katër trumbetat për krishterimin apostat?

40 Katër trumbetat e para zbuluan se krishterimi apostat është në gjendje të mjerë e duke dhënë shpirt. Ato kanë treguar me fakte se pjesa e «tokës», që përbën një pjesë të tij, e ka hak gjykimin e Jehovait. Gjithashtu, kanë treguar se qeveritë revolucionare që dolën në dritë në vendet ku vepron ai dhe gjetkë, janë kundër jetës frymore. Gjendja e mjerë frymore e klerit doli lakuriq dhe errësira e gjendjes së tij frymore u pa nga të gjithë. Vërtet, krishterimi apostat është ai që mban fajin më të madh në sistemin e Satanait.

41. Çfarë pa dhe dëgjoi Gjoni gjatë një pauze në vargun e trumbetave?

41 Çfarë ka për t’u zbuluar akoma? Para se t’i përgjigjemi kësaj pyetjeje, një pauzë e shkurtër ndërpret vargun e trumbetave. Ja si e përshkroi Gjoni çfarë pa më pas: «Pashë dhe dëgjova një shqiponjë që fluturonte mes qiellit e thoshte me zë të lartë: ‘Mjerë, mjerë, mjerë ata që banojnë në tokë, për shkak të buçimave të tjera të trumbetave të tre engjëjve, të cilët do t’u bien trumbetave pas pak kohe!’»​—Zbulesa 8:13.

42. Kë mund të përfaqësojë shqiponja që fluturon dhe ç’mesazh shpall?

42 Kjo shqiponjë fluturon në lartësi që njerëzit ta shohin nga shumë larg. Ajo ka shikim jashtëzakonisht të mprehtë dhe mund të shohë mjaft larg. (Jobi 39:29) Njëra nga katër krijesat e gjalla, kerubinët, që janë rreth fronit të Perëndisë, përshkruhej si një shqiponjë që fluturon. (Zbulesa 4:6, 7) Cilido qoftë, kerubini afër fronit ose një tjetër shërbëtor largpamës i Perëndisë, ai shpallte me zë të lartë këtë mesazh të fuqishëm: «Mjerë, mjerë, mjerë!» Banorët e tokës le t’i mbajnë parasysh këto fjalë, ndërsa dëgjohen tri trumbetat e tjera, ku secila prej tyre përkon me një nga këto «mjerë».

[Shënimet]

^ par. 17 Zbulesa 7:16 tregon se ndryshe nga anëtarët e kishave, shumica e madhe nuk e provon nxehtësinë përvëluese të mosmiratimit të Jehovait.

^ par. 29 Shtatë yjet në dorën e djathtë të Jezuit përfaqësojnë pleqtë e mirosur në kongregacionin e krishterë. Megjithatë, sot pleqtë e pjesës më të madhe të rreth 100.000 kongregacioneve në botë janë pjesëtarë të shumicës së madhe. (Zbulesa 1:16; 7:9) Ç’pozitë zënë ata? Përderisa emërohen nga fryma e shenjtë nëpërmjet klasës së mirosur të skllavit të besueshëm dhe të matur, mund të thuhet se ata janë në dorën e djathtë të Jezuit, domethënë nën drejtimin e tij, sepse janë edhe nënbarinjtë e tij. (Isaia 61:5, 6; Veprat 20:28) Ata mbështetin ‘shtatë yjet’, duke shërbyer atje ku nuk ka vëllezër të mirosur që përmbushin kushtet për të shërbyer si të tillë.

[Pyetjet]

[Tabela në faqen 139]

Ujërat e krishterimit apostat kanë dalë pelin​

Dogma dhe praktika Çfarë thotë në

të krishterimit apostat të vërtetë Bibla?

Emri i Perëndisë nuk është Jezui u lut që emri i Perëndisë

i rëndësishëm: «Përdorimi i të shenjtërohej. Pjetri tha:

çfarëdolloj emri të përveçëm «Kushdo që thërret emrin e

për Perëndinë që është një Jehovait, do të shpëtojë.»

dhe i vetëm, . . . është krejt (Veprat 2:21; Joeli 2:32;

i papërshtatshëm për besimin Mateu 6:9; Dalja 6:3;

universal të Kishës së Zbulesa 4:11; 15:3; 19:6)

Krishterë.» (Parathënia e

Revised Standard Version)

Perëndia është Trinitet: Bibla thotë se Jehovai është

«Ati është Perëndi, Biri është më i madh se Jezui dhe se

Perëndi dhe Fryma e Shenjtë është Perëndia dhe kreu

është Perëndi, e megjithatë i Krishtit. (Gjoni 14:28; 20:17;

nuk janë tre Perëndi, por një.» 1 Korintasve 11:3) Fryma e

(The Catholic Encyclopedia, shenjtë është forca vepruese

botim i vitit 1912) e Perëndisë. (Mateu 3:11;

Luka 1:41; Veprat 2:4)

Shpirti i njeriut është i Njeriu është shpirt. Kur vdes,

pavdekshëm: «Kur njeriu vdes shpirti as mendon e as ndien më,

shpirti ndahet nga trupi. por kthehet në pluhurin nga

Trupi . . . kalbet, . . . kurse erdhi. (Zanafilla 2:7; 3:19;

shpirti nuk vdes.» (What Happens Psalmi 146:3, 4;

After Death, botim i Kishës Eklisiastiu 3:19, 20; 9:5, 10;

Katolike të Romës) Ezekieli 18:4, 20)

Të ligjtë ndëshkohen pas Paga e mëkatit është vdekja,

vdekjes në ferr: «Sipas besimit jo jeta me tortura.

tradicional të krishterë, ferri (Romakëve 6:23) Të vdekurit

është një vend me vuajtje dhe janë të pavetëdijshëm në ferr

dhembje të përjetshme.» (Hades, Sheol), duke pritur

(The World Book Encyclopedia, ringjalljen. (Psalmi 89:48;

botim i vitit 1987) Gjoni 5:28, 29; 11:24, 25;

Zbulesa 20:13, 14)

«Virgjëresha e shenjtë mban Ndërmjetësi i vetëm mes

titullin e ndërmjetëses.» Perëndisë dhe njerëzve

(New Catholic Encyclopedia, është Jezui. (Gjoni 14:6;

botim i vitit 1967) 1 Timoteut 2:5;

Hebrenjve 9:15; 12:24)

Foshnjat duhet të pagëzohen: Pagëzimi është për ata që janë

«Që në fillimet e saj Kisha ka bërë dishepuj të Jezuit dhe kanë

administruar ceremoninë e mësuar t’u binden urdhërimeve

shenjtë të pagëzimit të të tij. Që të kualifikohet për

foshnjave. Ajo jo vetëm e pagëzimin, një njeri duhet të

konsideronte të ligjshme këtë kuptojë Fjalën e Perëndisë dhe

praktikë, por mësonte se ishte të tregojë besim. absolutisht e nevojshme për (Mateu 28:19, 20; Luka 3:21-23;

shpëtimin.» (New Catholic Veprat 8:35, 36)

Encyclopedia, botim i vitit 1967)

Shumica e kishave janë të Të gjithë të krishterët e

ndara në dy klasa: laikët dhe shekullit të parë shërbenin

klerikët që kryejnë shërbesa dhe predikonin lajmin e mirë.

për të parët. Klerikët zakonisht (Veprat 2:17, 18;

paguhen për shërbimin e tyre Romakëve 10:10-13; 16:1)

dhe lartësohen mbi laikët nga I krishteri duhet ‘të japë

titujt «imzot», «atë» ose falas’, dhe jo në këmbim të

«hirësia e tij». një pagese. (Mateu 10:7, 8)

Jezui e ndaloi rreptësisht

përdorimin e titujve fetarë.

(Mateu 6:2; 23:2-12;

1 Pjetrit 5:1-3)

Përdorin shëmbëlltyra, ikona Të krishterët duhet t’i rrinë

dhe kryqe në adhurim: «Ikonat larg idhujtarisë së çdo lloji,

. . . e Krishtit, të Nënës duke përfshirë edhe adhurimin

Virgjëreshëdhe të shenjtorëve të Perëndisë me anë të mjeteve

të tjerë duhen . . . mbajtur ndihmëse. (Dalja 20:4, 5;

nëpër kisha dhe u duhet dhënë 1 Korintasve 10:14;

respekti e nderimi që u takon.» 1 Gjonit 5:21) Ata e

(Deklarata e Këshillit adhurojnë Perëndinë jo me

të Trentos [1545-1563]) anë të asaj që shihet,por me

frymë dhe të vërtetë.

(Gjoni 4:23, 24;

2 Korintasve 5:7)

Anëtarëve të kishës u mësohet Jezui predikoi Mbretërinë e

se qëllimet e Perëndisë do të Perëndisë, dhe jo ndonjë

përmbushen nga politika. sistem politik si shpresën

I ndjeri kardinali Spellman ka e njerëzimit.

thënë: «Ka vetëm një rrugë për (Mateu 4:23; 6:9, 10)

te paqja . . . , rruga fisnike e Ai nuk pranoi të përfshihej

demokracisë.» Lajmet flasin për në çështje politike.

përfshirjen e fesë në çështjet (Gjoni 6:14, 15) Mbretëria

politike të botës (madje edhe e tij nuk ishte pjesë e

në kryengritje) dhe për kësaj bote; pra, edhe

mbështetjen që i ka dhënë ithtarët e tij nuk duhet

OKB-së si «shpresa e fundit të jenë pjesë e botës.

për pajtim dhe paqe». (Gjoni 18:36;17:16)

Jakovi u tha të krishterëve të

ruheshin nga miqësia me botën.

(Jakovi 4:4)

[Figura në faqen 132]

Hapja e shtatë vulave pasohet nga shtatë trumbetat

[Figura në faqen 140]

«Një sfidë udhëheqësve të botës» (1922)

Kjo rezolutë ndihmoi për të shpallur plagët e Jehovait kundër «tokës»

[Figura në faqen 140]

«Një paralajmërim për të gjithë të krishterët» (1923)

Kjo rezolutë shpalli kudo gjykimin ndëshkues të Jehovait kundër ‘një të tretës së detit’

[Figura në faqen 141]

«Akuzohen klerikët» (1924)

Shpërndarja e madhe e kësaj fletushke ndihmoi të njoftohej se ‘ylli’ i klerit të krishterimit apostat kishte rënë

[Figura në faqen 141]

«Mesazh shprese» (1925)

Kjo rezolutë e drejtpërdrejtë u përdor për të demaskuar ata që pretendonin se ishin burim drite në krishterimin apostat e për të treguar se në të vërtetë ishin burim errësire