Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Plotësimi i lavdishëm i sekretit të shenjtë të Perëndisë!

Plotësimi i lavdishëm i sekretit të shenjtë të Perëndisë!

Kapitulli 26

Plotësimi i lavdishëm i sekretit të shenjtë të Perëndisë!

1. (a) Si tregoi Gjoni se sekreti i shenjtë është plotësuar? (b) Pse flitnin me zë të lartë ushtritë engjëllore?

A TË kujtohen fjalët me të cilat u betua engjëlli i fuqishëm në Zbulesën 10:1, 6, 7? Ai tha: «Nuk do të ketë më asnjë vonesë, por në ditët kur engjëlli i shtatë të lëshojë tingullin, kur të jetë gati t’i bjerë trumbetës, do të plotësohet sekreti i shenjtë i Perëndisë, ashtu siç ua shpalli lajmin e mirë skllevërve të tij, profetëve.» Kishte ardhur koha e caktuar nga vetë Jehovai për të rënë trumbeta e fundit! Por, si u plotësua atëherë sekreti i shenjtë? Gjoni na e ka treguar me mjaft gëzim. Ai shkroi: «Engjëlli i shtatë i ra trumbetës. Ndërkaq, në qiell ushtuan zëra të fortë, që thoshin: ‘Mbretëria e botës u bë mbretëria e Zotërisë tonë dhe e Krishtit të tij, dhe Ai do të mbretërojë në jetë të jetëve.’» (Zbulesa 11:15) Ushtritë engjëllore kishin arsye të flitnin me zë të lartë, madje buçitës, pasi ky lajmërim historik ishte me rëndësi universale. Po, ai është me interes të jashtëzakonshëm për të gjitha krijesat e gjalla.

2. Kur dhe me cilat ngjarje u plotësua në mënyrë triumfuese sekreti i shenjtë?

2 Sekreti i shenjtë arrin plotësimin e tij të lumtur. Tërë lavdi e madhështi ai arriti një triumf të vërtetë në vitin 1914, kur Zotëria Jehova vendosi në fron Krishtin si Mbretin që do të bashkëpunonte me të. Duke vepruar në emër të Atit të tij, Jezu Krishti filloi të sundonte aktivisht mes një bote armiqësore. Duke qenë Fara e premtuar, ai mori fuqi mbretërore për të zhdukur Gjarprin dhe farën e tij të keqe, si dhe për të sjellë në tokë paqen që karakterizon parajsën. (Zanafilla 3:15; Psalmi 72:1, 7) Si Mbreti mesianik, Jezui do të përmbushë në këtë mënyrë Fjalën e Jehovait dhe do të shfajësojë Atin e tij, ‘Mbretin e përjetësisë’, që duhet të mbretërojë si Zotëria Sovran «në jetë të jetëve».​—1 Timoteut 1:17.

3. Pse Perëndia Jehova, megjithëse ka qenë gjithnjë Mbret, ka lejuar forma të tjera sovraniteti në tokë?

3 Por si ‘u bë mbretëria e botës mbretëria e Zotërisë tonë’, Jehovait? A nuk ka qenë Perëndia Jehova gjithnjë Mbret? Po, ka qenë, pasi leviti Asaf këndoi: «Perëndia është Mbreti im prej shumë kohësh.» Një tjetër psalmist tha: «Jehovai është bërë mbret! . . . Froni yt qëndron i patundshëm prej shumë kohësh; ti je që nga përjetësia.» (Psalmi 74:12; 93:1, 2) Megjithatë, me mençurinë e tij, Jehovai ka lejuar që në tokë të ekzistojnë edhe forma të tjera sovraniteti. Kjo sqaroi plotësisht çështjen që lindi në Eden, nëse njeriu mund të vetëqeverisej pa ndihmën e Perëndisë. Sundimi i njeriut ka dështuar keq. Fjalët e profetit të Perëndisë kanë dalë më se të vërteta: «Unë e di mirë, o Jehova, se nuk i përket njeriut udha e tij. Njeriut që ecën, nuk i takon as të drejtojë hapat e vet.» (Jeremia 10:23) Që pas tradhtisë së prindërve tanë të parë, tërë toka e banuar ka qenë nën sundimin e ‘gjarprit të hershëm’, Satanait. (Zbulesa 12:9; Luka 4:6) Ka ardhur koha për një ndryshim rrënjësor. Për të shfajësuar pozitën që mban me të drejtë, Jehovai ka filluar ta ushtrojë sovranitetin e tij në tokë në një mënyrë të re: nëpërmjet Mbretërisë mesianike që ka caktuar vetë.

4. Çfarë doli në pah kur filluan të binin trumbetat në vitin 1922? Shpjego.

4 Kur filluan të binin shtatë trumbetat në vitin 1922, në kongresin që mbajtën Studentët e Biblës në Sidër-Point të Ohajos, ra në sy fjalimi i Xhozef Radhërfordit bazuar në shkrimin «Mbretëria e qiellit është afër.» (Mateu 4:17, King James Version) Fjalimi i tij përfundonte me këto fjalë: «Prandaj, kthehuni në fushë, o bij të Perëndisë më të lartë! Ngjishini armët! Jini të kthjellët, jini vigjilentë, aktivë dhe të guximshëm. Jini dëshmitarë të besueshëm dhe të vërtetë për Zotërinë. Shkoni përpara në betejë derisa të shkretohet çdo gjurmë e Babilonisë. Përhapeni mesazhin gjithkund. Bota duhet ta dijë se Jehovai është Perëndia dhe se Jezu Krishti është Mbret i mbretërve dhe Zotëri i zotërinjve. Kjo është dita e të gjitha ditëve. Vështroni, Mbreti po mbretëron! Ju jeni lajmëtarët e tij. Prandaj lajmëroni, lajmëroni, lajmëroni Mbretin dhe mbretërinë e tij.» Mbretëria e Perëndisë e drejtuar nga Krishti Jezu doli në pah, dhe kjo i dha një shtysë të madhe veprës së predikimit të Mbretërisë, në të cilën përfshiheshin edhe gjykimet e shpallura nga shtatë trumbetat e engjëjve.

5. Si u pasqyrua tingulli i trumbetës së shtatë në kongresin e Studentëve të Biblës që u mbajt në vitin 1928?

5 Tingulli i trumbetës së engjëllit të shtatë u pasqyrua në çastet madhështore të kongresit të Studentëve të Biblës, në Detroit, Miçigan, më 30 korrik deri më 6 gusht 1928. Për atë rast, 107 stacione radiofonike u lidhën në një rrjet, të cilin The New York Times e quajti ‘rrjetin radiofonik më të gjerë e më të kushtueshëm në histori’. Të pranishmit miratuan me entuziazëm një deklaratë të fuqishme, që titullohej «Deklaratë kundër Satanait dhe pro Jehovait», ku tregohej përmbysja e Satanait dhe e organizatës së tij të ligë në Harmagedon, si dhe çlirimi i të gjithë atyre që duan drejtësinë. Nënshtetasit besnikë të Mbretërisë së Perëndisë pritën me kënaqësi librin 368-faqësh me titull Qeveria (anglisht). Ky botim siguronte prova fare të qarta «se Perëndia e hipi Mbretin e vet të Mirosur në fronin e Tij në vitin 1914».

Jehovai merr fuqi

6. Si e lajmëroi Gjoni kurorëzimin e Krishtit si Mbret i Mbretërisë së Perëndisë?

6 Krishti u kurorëzua Mbret i Mbretërisë së Perëndisë. Sa lajm i gëzuar! Gjoni tha: «Njëzet e katër pleqtë që ishin ulur para Perëndisë në fronet e tyre, ranë përmbys dhe adhuruan Perëndinë me fjalët: ‘Të falënderojmë, o Perëndi Jehova, o i Plotfuqishëm, Ai që ishte dhe që është, sepse more pushtetin tënd të madh dhe fillove të mbretërosh.’»​—Zbulesa 11:16, 17.

7. Si e falënderonin Perëndinë (a) mbetja e 24 pleqve simbolikë që ishin në tokë? (b) anëtarët e grupit të 24 pleqve simbolikë që ishin ringjallur në pozitat e tyre në qiell?

7 Ata që falënderonin Perëndinë Jehova, ishin 24 pleqtë, që përfaqësojnë vëllezërit e mirosur të Krishtit në pozitat e tyre në qiell. Nga viti 1922 e më pas, ata që kishin mbetur në tokë nga 144.000 të mirosurit, u angazhuan në veprën që u vu në lëvizje nga trumbetat. Ata e kuptuan domethënien e plotë të shenjës së Mateut 24:3–25:46. Mirëpo, më parë gjatë ditës së Zotërisë, shokët e tyre që ‘ishin treguar të besueshëm deri në vdekje’, ishin ringjallur për të zënë pozitat e tyre në qiell, që të përfaqësonin gjithë grupin e 144.000-ve, duke rënë përmbys para Jehovait në shenjë nderimi. (Zbulesa 1:10; 2:10) Sa mirënjohës janë ata të gjithë që Zotëria Sovran nuk e ka vonuar plotësimin e mrekullueshëm të sekretit të tij të shenjtë!

8. (a) Si do të ndikonte trumbeta e shtatë te kombet? (b) Kundër kujt e kanë shfaqur egërsinë e tyre kombet?

8 Veçse trumbeta e shtatë nuk u sjell gëzim kombeve. Ka ardhur koha që ato të përballen me zemërimin e furishëm të Jehovait. Gjoni tha: «Mirëpo, kombet u zemëruan dhe erdhi zemërimi yt. Erdhi koha e caktuar që të gjykohen të vdekurit e t’u japësh shpërblimin skllevërve të tu, profetëve, dhe të shenjtëve e atyre që i frikësohen emrit tënd, të vegjël e të mëdhenj, si dhe të rrënosh ata që rrënojnë tokën.» (Zbulesa 11:18) Nga viti 1914 e më pas, kombet e kanë shfaqur pa mëshirë egërsinë e tyre kundër njëri-tjetrit, kundër Mbretërisë së Perëndisë e sidomos kundër dy dëshmitarëve të Jehovait.​—Zbulesa 11:3.

9. Si e kanë rrënuar kombet tokën dhe çfarë ka vendosur të bëjë Perëndia?

9 Gjatë gjithë historisë kombet e kanë rrënuar tokën me luftërat e tyre që s’kanë të sosur dhe me keqadministrimin e saj. Por që nga viti 1914, rrënimi i saj ka arritur përmasa alarmuese. Lakmia dhe korrupsioni ka provokuar zgjerimin e tokave të shkreta dhe humbjen e pallogaritshme të tokës pjellore. Shiu acid dhe retë radioaktive kanë dëmtuar zona të mëdha. Burimet ushqimore janë ndotur. Edhe ajri që thithim dhe uji që pimë është i ndotur. Mbetjet industriale kërcënojnë jetën në tokë dhe në det. Dikur superfuqitë kërcënonin se do ta shfarosnin tërë njerëzimin me anë të një katastrofe bërthamore. Sa mirë që Jehovai ‘do t’i rrënojë ata që rrënojnë tokën’! Ai do të ekzekutojë gjykimin e tij mbi njerëzit krenarë dhe të pafe që janë përgjegjës për gjendjen e mjerueshme të tokës. (Ligji i përtërirë 32:5, 6; Psalmi 14:1-3) Pra, me mjerimin e tretë Jehovai bën që këta keqbërës të japin llogari.​—Zbulesa 11:14.

Mjerë ata që rrënojnë!

10. (a) Çfarë është mjerimi i tretë? (b) Në ç’mënyrë mjerimi i tretë sjell më shumë se torturë?

10 Ja ku arritëm në mjerimin e tretë, i cili vjen me të shpejtë. Ai është mjeti që përdor Jehovai për të rrënuar ata që dhunojnë ‘stolin e tij të këmbëve’, këtë tokë të mrekullueshme ku jetojmë. (Isaia 66:1) Ky mjerim shkaktohet nga Mbretëria mesianike​—sekreti i shenjtë i Perëndisë. Armiqtë e Perëndisë dhe sidomos krerët e krishterimit apostat janë torturuar nga dy mjerimet e para, të shkaktuara në fillim nga plaga e karkalecave dhe pastaj nga ushtria e kalorësve. Por mjerimi i tretë që shkaktohet nga vetë Mbretëria e Jehovait, sjell më shumë se torturë. (Zbulesa 9:3-19) Ai i jep goditjen e fundit fatale shoqërisë njerëzore që s’ka lënë gjë pa shkatërruar dhe qeveritarëve. Ky mjerim do të shënojë kulmin e gjykimit të Jehovait në Harmagedon. Do të jetë si ka profetizuar Danieli: «Në ditët e atyre mbretërve [sundimtarëve që rrënojnë tokën], Perëndia i qiellit do të vendosë një mbretëri që nuk do të shkatërrohet kurrë. Kjo mbretëri nuk do t’i kalojë asnjë populli tjetër. Ajo do të thërrmojë dhe do t’u japë fund të gjitha këtyre mbretërive, dhe vetë do të qëndrojë përgjithmonë.» Mbretëria e Perëndisë do të sundojë si një mal hijerëndë në një tokë të lavdishme, për të shfajësuar sovranitetin e Jehovait dhe për t’i sjellë gëzim të përhershëm njerëzimit.​—Danieli 2:35, 44; Isaia 11:9; 60:13.

11. (a) Cilat ngjarje të gëzueshme përshkruan profecia? (b) Cila dashamirësi e pamerituar duhet të çmohet, si dhe nga kush?

11 Mjerimi i tretë shoqërohet me një sërë ngjarjesh të gëzueshme që ndodhin gjatë ditës së Zotërisë. Është koha kur ‘të vdekurit do të gjykohen dhe kur Perëndia do tu japë shpërblimin skllevërve të tij, profetëve, të shenjtëve dhe atyre që i frikësohen emrit të tij’. Kjo do të thotë ringjallje për të vdekurit. Për të shenjtët, domethënë për të mirosurit që kanë rënë në gjumin e vdekjes, kjo ndodh në fillim të ditës së Zotërisë. (1 Selanikasve 4:15-17) Të shenjtët që kanë mbetur do të bashkohen me ta në kohën e caktuar, duke u ringjallur sa hap e mbyll sytë. Do të shpërblehen edhe të tjerë, ku përfshihen skllevërit e Perëndisë, profetët e kohëve të lashta dhe të gjithë njerëzit e tjerë që mësojnë t’i frikësohen emrit të Jehovait, qoftë ata nga shumica e madhe që do t’i mbijetojnë shtrëngimit të madh, qoftë «të vdekurit, të mëdhenj e të vegjël» që do të vijnë në jetë gjatë Mbretërimit Mijëvjeçar të Krishtit. Përderisa Mbreti mesianik i Perëndisë ka çelësat e vdekjes dhe të Hadesit, mbretërimi i tij do t’i hapë rrugën jetës së përhershme për të gjithë ata që shpresojnë të marrin këtë dhuratë të çmuar. (Zbulesa 1:18; 7:9, 14; 20:12, 13; Romakëve 6:22; Gjoni 5:28, 29) Edhe pavdekësia në qiell, edhe jeta e përhershme në tokë janë dhurata jete falë dashamirësisë së pamerituar të Jehovait, ndaj ata që do t’i marrin duhet t’i jenë përgjithmonë mirënjohës.​—Hebrenjve 2:9.

Duket arka e besëlidhjes së tij

12. (a) Çfarë pa Gjoni në qiell, sipas Zbulesës 11:19? (b) Çfarë simbolizonte arka e besëlidhjes dhe çfarë i ndodhi kur Izraeli shkoi në robëri në Babiloni?

12 Jehovai mbretëron. Nëpërmjet Mbretërisë së tij mesianike, ai e ushtron sovranitetin e tij mbi njerëzimin në një mënyrë të mrekullueshme. Këtë e provon edhe ajo që pa Gjoni më pas: «Pastaj u hap shenjtërorja e tempullit të Perëndisë, që është në qiell, dhe arka e besëlidhjes së tij u duk në shenjtëroren e tempullit. Atëherë pati vetëtima, zëra, bubullima, një tërmet dhe një breshër të madh.» (Zbulesa 11:19) Kjo është hera e vetme që përmendet arka e besëlidhjes së Perëndisë në librin e Zbulesës. Arka kishte qenë simbol i dukshëm i pranisë së Jehovait para popullit të tij, Izraelit. Ajo mbahej në Më të Shenjtën, fillimisht në tabernakull e më vonë në tempullin që ndërtoi Solomoni. Por kur Izraeli shkoi në robëri në Babiloni, në vitin 607 p.e.s., Jerusalemi u shkatërrua dhe arka e besëlidhjes u zhduk. Kjo ndodhi kur përfaqësuesit e shtëpisë së Davidit nuk u ulën më ‘në fronin e Jehovait për të mbretëruar’.​—1 Kronikave 29:23. *

13. Çfarë do të thotë fakti se arka e besëlidhjes së Perëndisë shihet në shenjtëroren qiellore të Perëndisë?

13 Por më shumë se 2.600 vjet më vonë, Arka shfaqet sërish. Vetëm se sipas vegimit të Gjonit, ajo nuk gjendej në ndonjë tempull këtu në tokë, por në shenjtëroren qiellore të Perëndisë. Përsëri Jehovai sundon nëpërmjet një mbreti nga dinastia e Davidit. Por këtë herë, froni i Mbretit, Krishtit Jezu, është në Jerusalemin qiellor dhe nga ajo pozitë e lartë dhe e volitshme ai ekzekuton gjykimet e Jehovait. (Hebrenjve 12:22) Këtë do ta zbulojmë në kapitujt vijues të Zbulesës.

14, 15. (a) Cili ishte i vetmi në Jerusalemin e lashtë që shihte arkën e besëlidhjes dhe pse? (b) Cilët e shohin arkën e besëlidhjes në shenjtëroren e tempullit qiellor të Perëndisë?

14 Në Jerusalemin e lashtë tokësor, Arka nuk shihej nga izraelitët e zakonshëm, madje as nga priftërinjtë që shërbenin në tempull, sepse ishte brenda Më të Shenjtës që ndahej nga Vendi i Shenjtë me një perde. (Numrat 4:20; Hebrenjve 9:2, 3) E shihte vetëm kryeprifti kur hynte në Më të Shenjtën një herë në vit për Ditën e Shlyerjes. Por, kur u hap shenjtërorja e tempullit në qiell, arka simbolike nuk shihej vetëm nga Kryeprifti i Jehovait, Jezu Krishti, por edhe nga nënpriftërinjtë e tij, 144.000 të mirosurit, ku bënte pjesë edhe Gjoni.

15 Të parët që janë ringjallur në jetën qiellore e shohin këtë arkë simbolike nga afër, sepse duke qenë pjesë e grupit të 24 pleqve, ata i kanë zënë vendet e tyre rreth fronit të Jehovait. Kurse klasa e Gjonit në tokë, është ndriçuar nga fryma e Jehovait për të dalluar praninë e Tij në tempullin e Tij frymor. Veç kësaj, ka pasur shenja për t’i bërë të njohur njerëzimit në përgjithësi këtë zhvillim të mrekullueshëm. Vegimi i Gjonit fliste për vetëtima, zëra, bubullima, një tërmet dhe breshër. (Krahaso Zbulesën 8:5.) Çfarë simbolizojnë ato?

16. Si ka pasur vetëtima, zëra, bubullima, një tërmet dhe breshër të madh?

16 Që nga viti 1914, ka pasur tronditje të mëdha në fushën fetare. Por sa mirë që këtë «tërmet» e kanë shoqëruar zërat e kushtuar që japin një mesazh të qartë për Mbretërinë e vendosur të Perëndisë. ‘Paralajmërimet gjëmuese’ nga Bibla kanë ushtuar. Janë përhapur vetëtima drite që kanë sjellë më shumë kuptueshmëri për Fjalën profetike të Perëndisë. Një ‘breshër’ i fortë gjykimesh hyjnore ka vërshuar mbi krishterimin apostat dhe fenë e rreme në përgjithësi. Të gjitha këto duhej t’u kishin rënë në sy njerëzve. Por sa keq! Shumica, njësoj si populli i Jerusalemit në kohën e Jezuit, nuk e ka dalluar përmbushjen e këtyre shenjave të Zbulesës.​—Luka 19:41-44.

17, 18. (a) Çfarë përgjegjësie u kanë vënë mbi shpatulla të krishterëve të kushtuar trumbetat e shtatë engjëjve? (b) Si po e përmbushin detyrën e tyre të krishterët?

17 Shtatë engjëjt vazhdojnë t’u bien trumbetave, duke sinjalizuar ngjarje historike për tokën. Të krishterët e kushtuar kanë përgjegjësinë e madhe që t’ia shpallin pa reshtur këto lajme tërë botës. Sa me gëzim po e përmbushin këtë detyrë! Këtë e tregon dyfishimi i mesatares vjetore të orëve që i kanë kushtuar shërbimit gjatë 20 viteve të fundit, nga viti 1986 deri në vitin 2005, e cila është rritur nga 680.837.042 në 1.278.235.504 orë. Vërtet, ‘sekreti i shenjtë i Perëndisë, ashtu siç e shpalli ai lajmin e mirë’, është bërë i njohur «deri në skajet e tokës së banuar».​—Zbulesa 10:7; Romakëve 10:18.

18 Vegime të tjera na presin, sepse qëllimet e Mbretërisë së Perëndisë vazhdojnë të zbulohen.

[Shënimi]

^ par. 12 Historiani romak Taciti tregon se kur Jerusalemi u pushtua në vitin 63 p.e.s. dhe Gnei Pompeu u fut në shenjtëroren e tempullit, e gjeti atë bosh. Arka e besëlidhjes nuk ishte aty.​—Histori, nga Taciti, 5.9.

[Pyetjet]

[Kutia në faqen 173]

Pika që kanë spikatur gjatë shpalljeve të gjykimit të Jehovait, të krahasuara me tingullin e trumbetave

1. 1922, Sidër-Point, Ohajo (SHBA): Krerët e krishterimit apostat në fushën fetare, politike dhe tregtare u sfiduan të përligjnin dështimin e tyre për të sjellë paqe, begati e lumturi. Ilaçi për të gjitha të këqijat e njerëzimit është Mbretëria mesianike.

2. 1923, Los Anxhelos, Kaliforni (SHBA): Fjalimi publik me temë «Të gjitha kombet po marshojnë drejt Harmagedonit, por miliona që jetojnë tani nuk do të vdesin kurrë» u bëri thirrje «deleve» që e duan paqen, ta braktisnin detin e njerëzimit që sjell veç vdekje.

3. 1924, Kolumbus, Ohajo (SHBA): U akuzuan klerikët që lartësonin veten dhe nuk pranonin të predikonin Mbretërinë mesianike. Të krishterët e vërtetë duhej të predikonin hakmarrjen e Perëndisë dhe të ngushëllonin njerëzimin që vajtonte.

4. 1925, Indianapolis, Indiana (SHBA): Një mesazh shprese nxori në pah dallimin mes errësirës frymore të krishterimit apostat dhe premtimit të mrekullueshëm të Mbretërisë për të sjellë paqe, begati, shëndet, jetë, liri dhe lumturi të përhershme.

5. 1926, Londër, Angli: Një plagë e ngjashme me një pushtim karkalecash goditi krishterimin apostat dhe klerin e tij, demaskoi mospranimin e Mbretërisë së Perëndisë nga ana e tyre dhe shpalli lindjen e qeverisë qiellore.

6. 1927, Toronto, Kanada: Një ftesë nga ushtria e kalorësve u bëri thirrje njerëzve të braktisnin «fetë tradicionale të krishterimit» dhe t’i nënshtroheshin me gjithë zemër Perëndisë Jehova, Mbretit të tij dhe Mbretërisë.

7. 1928, Detroit, Miçigan (SHBA): Një shpallje kundër Satanait dhe pro Jehovait, e bëri më se të qartë se Mbreti i mirosur i Perëndisë, që ka hipur në fron në vitin 1914, do ta shkatërronte sistemin e ligë fetar të Satanait dhe do ta çlironte njerëzimin.

[Kutia në faqen 175]

Rrënojnë tokën

«Çdo tri sekonda zhduket një pjesë e pyjeve të shiut me përmasat e një fushe futbolli. . . . Zhdukja e pyllit fillestar po shkatërron mijëra lloje bimësh e kafshësh.»​—Illustrated Atlas of the World (Rend Meknelli).

«Gjatë dy shekujve të popullimit [Liqenet e Mëdha] janë bërë njëkohësisht edhe gjirizet më të mëdha në botë.»​—The Globe and Mail (Kanada).

Në prill të 1986-s shpërthimi dhe flakët që pushtuan centralin bërthamor të Çernobilit, në Ukrainë, «ishte ngjarja bërthamore më e rëndë . . . që nga hedhja e bombave në Hiroshimë dhe Nagasaki» që çliroi «në ajër, tokë dhe në ujërat e planetit një sasi të tillë rrezatimi, që do të mbetet për shumë kohë, më të madhe se të gjitha provat bërthamore e bombat që kanë shpërthyer ndonjëherë».​—JAMA, The New York Times.

Në Minamatë të Japonisë një stabiliment kimik shkarkonte metilmerkur në det. Ngrënia e peshqve dhe e molusqeve të ndotura, shkaktoi sëmundjen e Minamatës (MD), një «sëmundje neurologjike kronike. . . . Deri më sot [1985] në gjithë Japoninë 2.578 veta janë diagnostikuar zyrtarisht si të prekur nga kjo sëmundje.»​—International Journal of Epidemiology.

[Kutia në faqen 176]

Shpalljet e fuqishme të Zbulesës 11:15-19 janë një prelud i vegimeve që vijnë më pas. Kapitulli 12 i Zbulesës është një retrospektivë që zgjeron me hollësi shpalljet madhështore të Zbulesës 11:15, 17. Kapitulli 13 na jep sfondin e Zbulesës 11:18, meqë përshkruan origjinën dhe zhvillimin e organizatës politike të Satanait që i ka sjellë rrënim tokës. Kapitujt 14 dhe 15 përshkruajnë gjykimet e mëtejshme të Mbretërisë që lidhen me trumbetën e shtatë dhe me mjerimin e tretë.

[Figurat në faqen 174]

Jehovai ‘do të rrënojë ata që rrënojnë tokën’