Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Qyteti që shndrit

Qyteti që shndrit

Kapitulli 43

Qyteti që shndrit

Vegimi 16​—Zbulesa 21:9–22:5

Subjekti: Përshkrimi i Jerusalemit të Ri

Koha e përmbushjes: Pas shtrëngimit të madh dhe hedhjes në humnerë të Satanait

1, 2. (a) Ku e çoi një engjëll Gjonin që të shihte Jerusalemin e Ri, dhe ç’ndryshim vërejmë këtu? (b) Përse themi që ky është plotësimi madhështor i Zbulesës?

NJË engjëll e kishte çuar Gjonin në shkretëtirë që t’i tregonte Babiloninë e Madhe. Tani një engjëll tjetër nga po ai grup e çoi Gjonin në një mal të lartë. Ç’pamje të ndryshme që pa ai tani! Para syve nuk kishte më një qytet të papastër e imoral si prostituta babilonike, por Jerusalemin e Ri​—të pastër, frymor e të shenjtë​—që zbriste nga qielli.​—Zbulesa 17:1, 5.

2 As Jerusalemi tokësor s’ka pasur ndonjëherë një lavdi të tillë. Gjoni tha: «Pastaj erdhi një nga shtatë engjëjt që kishin shtatë kupat e mbushura me shtatë plagët e fundit dhe më tha: ‘Eja këtu, se do të të tregoj nusen, gruan e Qengjit.’ Kështu, më mori me vete, me anë të fuqisë së frymës, dhe më çoi në një mal të madh e të lartë, ku më tregoi qytetin e shenjtë, Jerusalemin, që zbriste nga qielli, nga Perëndia, dhe kishte lavdinë e Perëndisë.» (Zbulesa 21:9-11a) I gjendur në një pozicion të mirë në një mal të lartë, Gjoni e shqyrtoi atë qytet të bukur në të gjitha hollësitë e tij të hijshme. Burra me besim e kishin pritur me padurim ardhjen e këtij qyteti, që nga koha kur njerëzimi ra në mëkat e vdekje. Dhe ja tek ishte së fundi. (Romakëve 8:19; 1 Korintasve 15:22, 23; Hebrenjve 11:39, 40) Ai është qyteti frymor i madhërishëm, që përbëhet nga 144.000 mbajtës besnikë të integritetit, i cili shndrit nga shenjtëria dhe pasqyron lavdinë e Jehovait. Ky është plotësimi madhështor i Zbulesës!

3. Si e përshkroi Gjoni bukurinë e Jerusalemit të Ri?

3 Jerusalemi i Ri kishte një bukuri që të linte pa mend: «Ai rrëzëllente si një gur shumë i çmuar, si një gur diaspri që shndrit porsi kristal. Kishte një mur të madh e të lartë dhe dymbëdhjetë porta. Te portat kishte dymbëdhjetë engjëj, dhe në to ishin shkruar emrat e dymbëdhjetë fiseve të bijve të Izraelit. Në lindje kishte tri porta, në veri tri porta, në jug tri porta dhe në perëndim tri porta. Muri i qytetit kishte edhe dymbëdhjetë gurë themeli, dhe mbi ta ishin dymbëdhjetë emrat e dymbëdhjetë apostujve të Qengjit.» (Zbulesa 21:11b-14) Sa e përshtatshme ishte përshtypja e parë që dokumentoi Gjoni, një shndritje e zjarrtë! Rrëzëllyes si një nuse e re, Jerusalemi i Ri është një bashkëshorte e denjë për Krishtin. Rrëzëllen pikërisht ashtu siç i ka hije një krijese të ‘Atit të dritave qiellore’.​—Jakovi 1:17.

4. Nga duket se Jerusalemi i Ri nuk është kombi i Izraelit?

4 Në portat e tij ishin shkruar emrat e 12 fiseve të Izraelit. Prandaj, ky qytet simbolik përbëhet nga 144.000 njerëz që janë vulosur «nga çdo fis i bijve të Izraelit». (Zbulesa 7:4-8) Në harmoni me këtë, edhe mbi gurët e themelit ishin emrat e 12 apostujve të Qengjit. Po, Jerusalemi i Ri nuk është kombi i Izraelit, i themeluar nga 12 bijtë e Jakobit. Ai është Izraeli frymor, i themeluar mbi ‘apostujt e profetët’.​—Efesianëve 2:20.

5. Ç’përfaqësojnë ‘muri i madh e i lartë’ i Jerusalemit të Ri dhe fakti që në çdo hyrje ishin vendosur engjëj?

5 Qyteti simbolik kishte një mur të madh. Në kohët e lashta, muret e qytetit ngriheshin për të qenë të sigurt e për t’u mbrojtur nga armiqtë. ‘Muri i madh e i lartë’ i Jerusalemit të Ri tregon se qyteti është i sigurt frymësisht. Asnjë armik i drejtësisë, asnjë person i papastër ose i pandershëm, nuk do të arrijë kurrë të hyjë atje. (Zbulesa 21:27) Kurse për ata që lejohen të hyjnë në këtë qytet të bukur, është njësoj sikur të hyjnë në parajsë. (Zbulesa 2:7) Pasi u nxor jashtë Adami, në hyrje të parajsës fillestare u vendosën kerubinët që të mos linin të futeshin njerëzit e papastër. (Zanafilla 3:24) Po ashtu, në çdo hyrje të qytetit të shenjtë të Jerusalemit ishin vendosur engjëj që të ruanin sigurinë frymore të qytetit. Vërtet, gjatë ditëve të fundit engjëjt e kanë ruajtur nga ndotja babilonike kongregacionin e të krishterëve të mirosur, që bëhet Jerusalemi i Ri.​—Mateu 13:41.

Matet qyteti

6. (a) Si e përshkroi Gjoni matjen e qytetit, dhe ç’tregon kjo matje? (b) Si mund të shpjegohet që masa e përdorur ishte «sipas masës së një njeriu dhe në të njëjtën kohë sipas asaj të një engjëlli»? (Shih shënimin.)

6 Gjoni vazhdoi tregimin: «Ai që po fliste me mua mbante një kallam të artë si matës, që të maste qytetin, portat dhe murin e tij. Qyteti shtrihet në formë katrore dhe gjatësia e tij është po aq sa gjerësia. Ai e mati qytetin me kallam, dhe ishte dymbëdhjetë mijë stadë; gjatësia, gjerësia dhe lartësia e tij janë të barabarta. Mati edhe murin e tij dhe ishte njëqind e dyzet e katër kute, sipas masës së një njeriu dhe në të njëjtën kohë sipas asaj të një engjëlli.» (Zbulesa 21:15-17) Matja e shenjtërores së tempullit garantoi përmbushjen e qëllimeve të Jehovait për të. (Zbulesa 11:1) Tani, kjo matje që i bëri engjëlli Jerusalemit të Ri tregon se sa të pandryshueshme janë qëllimet e Jehovait për këtë qytet të lavdishëm. *

7. Ç’kanë të jashtëzakonshme përmasat e qytetit?

7 Ç’qytet i jashtëzakonshëm! Një kub i përsosur me perimetër 12.000 stadë (rreth 2.220 km), i rrethuar nga një mur i lartë 144 kute ose 64 metra. Asnjë qytet i mirëfilltë s’mund të ketë kurrë përmasa të tilla. Do të mbulonte një zonë rreth 14 herë më të madhe se Izraeli i sotëm dhe do të ishte rreth 560 km i lartë! Zbulesa u paraqit me shenja. Prandaj, ç’na tregojnë këto përmasa për Jerusalemin e Ri qiellor?

8. Ç’përfaqësojnë (a) muret e qytetit 144 kute të larta? (b) perimetri 12.000 stadë i qytetit? (c) forma e një kubi të përsosur e qytetit?

8 Muret 144 kute të larta na kujtojnë se qyteti përbëhet nga 144.000 bij frymorë të adoptuar të Perëndisë. Numri 12 që shfaqet në perimetrin 12.000 stadë të qytetit​—ku gjatësia, gjerësia dhe lartësia janë të barabarta​—përdoret në mënyrë figurative në profecinë biblike në kontekste organizative. Kështu, Jerusalemi i Ri është një sistem i organizuar më së miri për të përmbushur qëllimin e përjetshëm të Perëndisë. Jerusalemi i Ri, bashkë me mbretin Jezu Krisht, është organizata e Mbretërisë së Jehovait. Ç’të themi për formën e qytetit: një kub i përsosur. Në tempullin e Solomonit, Më e Shenjta, ku ndodhej një paraqitje simbolike e pranisë së Jehovait, ishte në formën e një kubi të përsosur. (1 Mbretërve 6:19, 20) Prandaj, është më se e përshtatshme që Jerusalemi i Ri, i ndriçuar nga lavdia e Jehovait, të jetë si një kub i përsosur në një shkallë më të madhe. Të gjitha përmasat e tij janë të ekuilibruara në mënyrë të përsosur. Është një qytet ku nuk ka parregullsi ose të meta.​—Zbulesa 21:22.

Materiale ndërtimi të çmueshme

9. Si i përshkroi Gjoni materialet me të cilat ishte ndërtuar qyteti?

9 Gjoni vazhdoi përshkrimin: «Muri i tij ishte prej diaspri, dhe qyteti ishte prej ari të kulluar, si qelq i pastër. Themelet e murit të qytetit ishin stolisur me çdo lloj guri të çmuar: themeli i parë ishte diaspër, i dyti safir, i treti kalcedon, i katërti smerald, i pesti sardoniks, i gjashti sard, i shtati krizolit, i teti beril, i nënti topaz, i dhjeti krizopraz, i njëmbëdhjeti hiacint, i dymbëdhjeti ametist. Dymbëdhjetë portat ishin dymbëdhjetë margaritarë. Secila nga portat ishte bërë prej një margaritari të vetëm. Ndërsa udha e gjerë e qytetit ishte prej ari të kulluar, si qelq i tejdukshëm.»​Zbulesa 21:18-21.

10. Ç’përfaqëson fakti që qyteti ishte ndërtuar me diaspër, ar dhe «me çdo lloj guri të çmuar»?

10 Qyteti ishte ndërtuar në mënyrë vërtet të shkëlqyer. Për ndërtimin e tij nuk ishin përdorur materiale të rëndomta të tokës, si argjilë apo gurë, por diaspër, ar i kulluar dhe ‘çdo lloj guri i çmuar’. Ç’portretizim i përshtatshëm për materialet qiellore të ndërtimit! Asgjë tjetër s’mund të jetë më madhështore se kaq! Arka e lashtë e besëlidhjes ishte veshur me ar të kulluar dhe në Bibël ky element përfaqëson shpesh gjëra të mira e me vlerë. (Dalja 25:11; Proverbat 25:11; Isaia 60:6, 17) Mirëpo gjithë Jerusalemi i Ri, madje edhe rruga e tij e gjerë, ishte ndërtuar me ‘ar të kulluar, si qelq i pastër’, pasqyrim i një bukurie dhe i një vlere të vërtetë që të lë pa mend.

11. Pse është e sigurt se ata që përbëjnë Jerusalemin e Ri do të shndritin nga një pastërti frymore e cilësisë më të lartë?

11 Asnjë njeri nuk mund të prodhojë ar kaq të kulluar. Mirëpo Jehovai është Rafinues Mjeshtër. Ai ulet «si rafinues dhe si pastrues i argjendit» dhe rafinon secilin individ të pjesëtarëve besnikë të Izraelit frymor «si arin dhe argjendin», dhe heq prej tyre çdo papastërti. Vetëm ata individë që rafinohen dhe pastrohen me të vërtetë do të përbëjnë më në fund Jerusalemin e Ri. Në këtë mënyrë, Jehovai e ndërton qytetin me materiale ndërtimi të gjalla që shndritin nga një pastërti frymore e cilësisë më të lartë.​—Malakia 3:3, 4.

12. Ç’kuptim kanë (a) themelet e qytetit të stolisura me 12 margaritarë të çmuar? (b) portat e qytetit si margaritarë?

12 Edhe themelet e qytetit ishin të bukura, të stolisura me 12 margaritarë të çmuar. Kjo të sjell ndër mend kryepriftin e lashtë të judenjve, i cili në ditët e ceremonive vishte një efod të zbukuruar me 12 gurë të çmuar të ndryshëm, në njëfarë mënyre të ngjashëm me këta që përshkruan Zbulesa. (Dalja 28:15-21) Patjetër që kjo nuk është rastësi! Përkundrazi, thekson rolin priftëror të Jerusalemit të Ri, «llamba» e të cilit është Jezui, Kryeprifti i madh. (Zbulesa 20:6; 21:23; Hebrenjve 8:1) Gjithashtu, dobitë e shërbimit të Jezuit si kryeprift përcillen deri te njerëzit nëpërmjet Jerusalemit të Ri. (Zbulesa 22:1, 2) Dymbëdhjetë portat e qytetit, çdonjëra një margaritar shumë i bukur, të sjellin ndër mend ilustrimin e Jezuit që e krahasoi Mbretërinë me një margaritar me vlerë të madhe. Të gjithë ata që futen nëpër këto porta duhet të kenë treguar vlerësim të vërtetë për vlerat frymore.​—Mateu 13:45, 46; krahaso Jobin 28:12, 17, 18.

Një qytet drite

13. Ç’tha më tej Gjoni për Jerusalemin e Ri, dhe përse qyteti nuk kishte nevojë për një tempull të mirëfilltë?

13 Në kohën e Solomonit, tempulli i ndërtuar në pikën më të lartë të qytetit, në krahun verior të malit Moriah, ngrihej mbi Jerusalemin. Ç’të themi për Jerusalemin e Ri? Gjoni tha: «Në të nuk pashë asnjë tempull, sepse Perëndia Jehova, i Plotfuqishmi, është tempulli i tij, e po kështu edhe Qengji. Qyteti nuk ka nevojë për diellin, as për hënën që të shkëlqejë mbi të, sepse ndriçohej nga lavdia e Perëndisë, dhe llamba e tij ishte Qengji.» (Zbulesa 21:22, 23) Vërtet, s’kishte nevojë të ndërtohej një tempull i mirëfilltë. Tempulli i lashtë judaik ishte vetëm një model dhe realiteti i atij modeli, tempulli i madh frymor, ka ekzistuar që kur Jehovai mirosi Jezuin si Kryeprift në vitin 29 të e.s. (Mateu 3:16, 17; Hebrenjve 9:11, 12, 23, 24) Prania e një tempulli nënkupton edhe ekzistencën e një klase priftërore që i paraqit flijime Jehovait në dobi të popullit. Mirëpo të gjithë pjesëtarët e Jerusalemit të Ri janë priftërinj. (Zbulesa 20:6) Kurse flijimi më i madh, jeta e përsosur njerëzore e Jezuit, është paraqitur një herë të vetme. (Hebrenjve 9:27, 28) Për më tepër, të gjithë ata që banojnë në atë qytet mund të paraqiten personalisht para Jehovait.

14. (a) Përse Jerusalemi i Ri nuk ka nevojë të ndriçohet nga dielli dhe hëna? (b) Ç’parathoshte profecia e Isaisë për organizatën universale të Jehovait, dhe si përfshihet këtu Jerusalem i Ri?

14 Kur lavdia e Jehovait kaloi para Moisiut në malin Sinai, ajo i dha fytyrës së Moisiut një shkëlqim aq të fortë, saqë atij i duhej ta mbulonte atë para izraelitëve të tjerë. (Dalja 34:4-7, 29, 30, 33) A mund të përfytyrosh shkëlqimin e qytetit që ndriçohej vazhdimisht nga lavdia e Jehovait? Në këtë qytet nuk do të kishte kurrë natë. Ai s’do të kishte nevojë për një diell ose hënë të mirëfilltë. Ai do të përhapte dritë përjetësisht. (Krahaso 1 Timoteut 6:16.) Jerusalemi i Ri është i larë në atë shkëlqim rrëzëllyes. Faktikisht, kjo nuse dhe Dhëndri-Mbret bëhen kryeqyteti i organizatës universale të Jehovait​—‘gruaja’ e tij, «Jerusalemi lart»​—për të cilën Isaia profetizoi: «Dielli nuk do të jetë më drita jote gjatë ditës, dhe shkëlqimi i hënës nuk do të të japë më dritë. Jehovai do të bëhet për ty një dritë e përjetshme dhe Perëndia yt do të bëhet lavdia jote. Dielli yt nuk do të perëndojë më dhe as hëna jote nuk do të zvogëlohet më, sepse Jehovai do të bëhet për ty një dritë e përjetshme dhe ditët e zisë sate do të marrin fund.»​—Isaia 60:1, 19, 20; Galatasve 4:26.

Dritë për kombet

15. Cilat fjalë të Zbulesës për Jerusalemin e Ri janë të ngjashme me profecinë e Isaisë?

15 E njëjta profeci parathoshte: «Kombet do të vijnë te drita jote dhe mbretërit do të vijnë te drita që lëshon shkëlqimi yt.» (Isaia 60:3) Zbulesa tregon se këto fjalë përfshinin edhe Jerusalemin e Ri: «Kombet do të ecin me anë të dritës së tij, dhe mbretërit e tokës do të çojnë në të lavdinë e tyre. Portat e tij nuk do të mbyllen gjatë ditës, dhe atje s’do të ketë fare natë. Në të do të çojnë lavdinë dhe nderimin e kombeve.»​Zbulesa 21:24-26.

16. Cilat janë ‘kombet’ që do të ecin me anë të dritës së Jerusalemit të Ri?

16 Cilat janë këto «kombe» që ecin me anë të dritës së Jerusalemit të Ri? Janë njerëz që dikur ishin pjesë e kombeve të kësaj bote të ligë, por që i përgjigjen dritës që përhapet nëpërmjet këtij qyteti qiellor të lavdishëm. Ndër ta të bie në sy shumica e madhe që tashmë ka dalë «nga të gjitha kombet, fiset, popujt dhe gjuhët» dhe adhuron Perëndinë ditë e natë bashkë me klasën e Gjonit. (Zbulesa 7:9, 15) Pasi Jerusalemi i Ri të zbresë nga qielli dhe pasi Jezui të përdorë çelësat e vdekjes e të Hadesit për të ringjallur të vdekurit, me shumicën e madhe do të bashkohen edhe miliona të tjerë që dikur ishin pjesë «e kombeve», të cilët do të mësojnë të duan Jehovain dhe Birin e tij, që krahasohet me një Qengj dhe që është Burri i Jerusalemit të Ri.​—Zbulesa 1:18.

17. Cilët janë «mbretërit e tokës» që ‘e çojnë lavdinë e tyre’ në Jerusalemin e Ri?

17 Atëherë cilët janë «mbretërit e tokës» që «do të çojnë në të lavdinë e tyre»? Nuk janë mbretërit e vërtetë të tokës si një grup, sepse ata do të shkatërrohen duke luftuar kundër Mbretërisë së Perëndisë në Harmagedon. (Zbulesa 16:14, 16; 19:17, 18) Mos vallë këta mbretër janë disa zyrtarë të lartë të kombeve që u bënë pjesë e shumicës së madhe, apo mos janë mbretër të ringjallur që në botën e re do t’i nënshtrohen Mbretërisë së Perëndisë? (Mateu 12:42) Vështirë të jetë kështu, sepse në pjesën më të madhe, lavdia e këtyre mbretërve ishte botërore dhe ka marrë fund me kohë. Prandaj, «mbretërit e tokës» që sjellin lavdinë e tyre në Jerusalemin e Ri duhet të jenë 144.000 njerëzit e blerë «nga çdo fis, gjuhë, popull dhe komb» që të sundojnë si mbretër bashkë me Qengjin, Jezu Krishtin. (Zbulesa 5:9, 10; 22:5) Ata e sjellin në qytet lavdinë që u ka dhënë Perëndia që t’ia shtojnë atij rrëzëllimin.

18. (a) Cilët s’do të lejohet të hyjnë në Jerusalemin e Ri? (b) Cilët janë të vetmit që do të lejohen të hyjnë në qytet?

18 Gjoni vazhdoi: «Por në të nuk do të hyjë kurrsesi asgjë që nuk është e shenjtë, askush që merret me ndonjë gjë të neveritshme dhe asnjë gënjeshtër. Do të hyjnë vetëm ata që janë shkruar në rrotullën e jetës të Qengjit.» (Zbulesa 21:27) Asgjë e ndotur nga sistemi i Satanait s’mund të bëjë pjesë në Jerusalemin e Ri. Edhe pse portat e tij qëndrojnë vazhdimisht të hapura, askush «që merret me ndonjë gjë të neveritshme dhe asnjë gënjeshtër» nuk do të lejohet të hyjë. Në atë qytet s’do të ketë as apostatë dhe as pjesëtarë të Babilonisë së Madhe. Edhe sikur disa të orvaten të dhunojnë qytetin, duke u përpjekur të korruptojnë pjesëtarët e tij të ardhshëm ndërkohë që janë ende të tokë, përpjekjet e tyre do të asgjësohen. (Mateu 13:41-43) Vetëm «ata që janë shkruar në rrotullën e jetës të Qengjit», gjithsej 144.000, do të hyjnë më në fund në Jerusalemin e Ri. *​—Zbulesa 13:8; Danieli 12:3.

Lumi me ujin e jetës

19. (a) Në ç’mënyrë e përshkroi Gjoni Jerusalemin e Ri si kanalin përmes të cilit merr bekimet njerëzimi? (b) Kur do të rridhte ‘lumi me ujin e jetës’ dhe si e dimë?

19 Jerusalemi i Ri do t’u sjellë bekime të mëdha njerëzve në tokë. Gjoni mësoi pikërisht këtë: «Më pas më tregoi një lumë me ujin e jetës, i kulluar si kristal, që rridhte nga froni i Perëndisë dhe i Qengjit, e zbriste përmes udhës së gjerë të qytetit.» (Zbulesa 22:1, 2a) Kur do të rridhte ky «lumë»? Meqë do të rridhte «nga froni i Perëndisë dhe i Qengjit», kjo mund të ketë ndodhur vetëm pasi filloi dita e Zotërisë, në vitin 1914. Ajo ishte koha që të ndodhnin ngjarjet e lajmëruara nga trumbeta e shtatë dhe nga njoftimi madhështor: «Tani erdhi shpëtimi, fuqia, mbretëria e Perëndisë tonë dhe autoriteti i Krishtit të tij.» (Zbulesa 11:15; 12:10) Gjatë kohës së fundit, fryma dhe nusja u kanë drejtuar atyre që janë të prirur ftesën që të marrin falas ujin e jetës. Uji i këtij lumi do të vazhdojë të jetë në dispozicion të tyre deri në përfundim të këtij sistemi, madje edhe më pas, në botën e re, kur Jerusalemi i Ri ‘të zbresë nga qielli, nga Perëndia’.​—Zbulesa 21:2.

20. Nga duket se në njëfarë mase uji i jetës është tashmë në dispozicion?

20 Kjo nuk ishte hera e parë që njerëzimit iu dha mundësia të pinte ujë jetëdhënës. Kur ishte në tokë, Jezui foli për ujin jetëdhënës. (Gjoni 4:10-14; 7:37, 38) Më tej, Gjoni dëgjoi edhe ftesën e dashur: «Fryma dhe nusja vazhdojnë të thonë: ‘Eja!’ Dhe kushdo që dëgjon, le të thotë: ‘Eja!’ Kush ka etje, le të vijë. Kush dëshiron, le të marrë falas ujin e jetës.» (Zbulesa 22:17) Kjo ftesë po ushton që tani, duke treguar se në njëfarë mase uji i jetës është tashmë në dispozicion. Gjithsesi, në botën e re këto ujëra do të rrjedhin nga froni i Perëndisë nëpërmjet Jerusalemit të Ri si një lumë i vërtetë.

21. Ç’përfaqëson ‘lumi me ujin e jetës’ dhe si na ndihmon që ta kuptojmë vegimi i Ezekielit për këtë lumë?

21 Por, ç’është ky «lumë me ujin e jetës»? Uji është një element thelbësor për jetën. Pa ushqim një njeri mund të mbijetojë për disa javë, por pa ujë mund të vdesë brenda javës. Uji shërben gjithashtu për të larë dhe është jetësor për shëndetin. Prandaj, uji i jetës duhet të përfaqësojë diçka thelbësore për jetën dhe shëndetin e njerëzve. Edhe profeti Ezekiel pa një vegim të këtij ‘lumi me ujin e jetës’ dhe në atë vegim uji rridhte nga tempulli dhe derdhej në Detin e Vdekur. Dhe ja, mrekulli e mrekullive! Ajo masë uji e pajetë dhe e ngopur me kripëra, u shndërrua në ujëra të ëmbla plot me peshq! (Ezekieli 47:1-12) Po, lumi i vegimit sjell në jetë diçka që më parë ishte e vdekur, dhe kjo vërteton se lumi me ujin e jetës pasqyron masën që ka marrë Perëndia me anë të Jezu Krishtit që t’i rikthejë racës njerëzore «të vdekur» jetën e përsosur. Lumi është «i kulluar si kristal», që tregon pastërtinë dhe shenjtërinë e masave të Perëndisë. Nuk është si «ujërat» e përlyera me gjak e vdekjeprurëse të krishterimit të rremë.​—Zbulesa 8:10, 11.

22. (a) Nga buronte lumi dhe pse kjo është me vend? (b) Ç’përfshin uji i jetës dhe ç’përmban ky lumë simbolik?

22 Lumi buronte nga «froni i Perëndisë dhe i Qengjit». Kjo është me vend, pasi baza e masave jetëdhënëse që ka marrë Jehovai është sakrifica shpërblyese, e cila u sigurua ngaqë Jehovai «e deshi aq shumë botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindur, që kushdo që tregon besim tek ai, të mos shkatërrohet, por të ketë jetë të përhershme». (Gjoni 3:16) Ai ujë i jetës përfshin edhe Fjalën e Perëndisë, të cilën Bibla e quan ujë. (Efesianëve 5:26) Megjithatë, lumi me ujin e jetës nuk përmban vetëm të vërtetën, por çdo masë tjetër që ka marrë Jehovai, në bazë të sakrificës së Jezuit, që të rimëkëmbë njerëzit e bindur nga mëkati e vdekja dhe t’u japë jetën e përhershme.​—Gjoni 1:29; 1 Gjonit 2:1, 2.

23. (a) Përse është e përshtatshme që lumi me ujin e jetës të rrjedhë përmes udhës së gjerë të Jerusalemit të Ri? (b) Cili premtim që Perëndia i bëri Abrahamit do të përmbushet kur uji i jetës të rrjedhë me bollëk?

23 Gjatë Mbretërimit Mijëvjeçar dobitë e shpërblesës do të përdoren plotësisht me anë të priftërisë së Jezuit dhe të 144.000 nënpriftërinjve. Është e përshtatshme pra, që lumi me ujin e jetës të rrjedhë përmes udhës së gjerë të Jerusalemit të Ri. Ky i fundit përbëhet nga Izraeli frymor, që bashkë me Jezuin janë fara e vërtetë e Abrahamit. (Galatasve 3:16, 29) Kështu, kur uji i jetës të rrjedhë me bollëk përmes udhës së gjerë të qytetit simbolik, «të gjitha kombet e tokës» do të kenë mundësi të plotë që të arrijnë të marrin bekime me anë të farës së Abrahamit. Premtimi që Jehovai i bëri Abrahamit do të përmbushet plotësisht.​—Zanafilla 22:17, 18.

Pemët e jetës

24. Çfarë pa Gjoni në të dyja anët e lumit me ujin e jetës dhe ç’pasqyrojnë ato?

24 Në vegimin e Ezekielit uji u bë një përrua dhe profeti pa të rriteshin në të dyja anët e tij çdo lloj peme që jepte fryt. (Ezekieli 47:12) Po Gjoni çfarë pa? Ja: «Këtej e andej lumit ishin pemët e jetës, që prodhojnë fryt dymbëdhjetë herë në vit, po, japin fryt muaj për muaj. Ndërsa gjethet e pemëve ishin për shërimin e kombeve.» (Zbulesa 22:2b) Këto ‘pemë të jetës’ duhet të pasqyrojnë një pjesë të masave që ka marrë Jehovai për t’i dhënë jetë të përhershme njerëzimit të bindur.

25. Ç’bujari do t’u tregojë Jehovai në Parajsën globale njerëzve që do të reagojnë pozitivisht?

25 Ç’bujari do t’u tregojë Jehovai njerëzve që do të reagojnë pozitivisht! Jo vetëm që do të pinë nga ato ujëra freskuese, por mund të këpusin nga pemët një sasi që s’mbaron me fruta ushqyese të çdo lloji. Ah, sikur prindërit tanë të parë të ishin kënaqur me atë masë të ngjashme e ‘të dëshirueshme’ që u mor për ta në Parajsën në Eden! (Zanafilla 2:9) Gjithsesi, këtu na paraqitet një Parajsë globale dhe Jehovai merr masat që me anë të gjetheve të atyre «pemëve» ‘të shërojë kombet’. * Shumë më të mira se çdo lloj ilaçi i sotëm, bimor apo tjetërsoj, kura qetësuese e këtyre «gjetheve» do t’i çojë njerëzit që besojnë drejt përsosmërisë frymore dhe trupore.

26. Cilët mund të përfshihen te pemët e jetës dhe përse?

26 Ato pemë, të ujitura më së miri nga lumi, mund të përfshijnë 144.000 pjesëtarët e nuses së Qengjit. Teksa janë ende në tokë edhe këta përfitojnë nga masat që ka marrë Perëndia për jetën me anë të Jezu Krishtit. Është interesante që këta vëllezër të Jezuit të lindur nga fryma janë quajtur në mënyrë profetike «pemë të mëdha të drejtësisë». (Isaia 61:1-3; Zbulesa 21:6) Ata tashmë kanë dhënë shumë fryte frymore për lavdi të Jehovait. (Mateu 21:43) Gjatë Mbretërimit Mijëvjeçar ata do të bëjnë pjesën e tyre për të ndihmuar njerëzit që të nxjerrin dobi nga masat jetëshpëtuese që ka marrë Jehovai, që do të shërbejnë «për shërimin e kombeve» nga mëkati e vdekja.​—Krahaso 1 Gjonit 1:7.

Nuk do të ketë më natë

27. Ç’bekime të tjera përmendi Gjoni për ata që kanë privilegjin të hyjnë në Jerusalemin e Ri dhe përse thuhet se atje «nuk do të ketë më asnjë mallkim»?

27 Pa dyshim që s’mund të ketë privilegj më të madh se të hysh në Jerusalemin e Ri! Vetëm të mendosh se ata që njëherë e një kohë ishin njerëz të përulur e të papërsosur, do të ndjekin nga pas Jezuin në qiell e do të jenë pjesë e një sistemi të tillë të lavdishëm! (Gjoni 14:2) Gjoni na jep njëfarë ideje të bekimeve që do të gëzojnë ata: «Nuk do të ketë më asnjë mallkim. Përkundrazi, froni i Perëndisë dhe i Qengjit do të jetë në qytet, dhe skllevërit e Tij do t’i bëjnë shërbim të shenjtë. Ata do të shohin fytyrën e tij dhe do të kenë mbi ballë emrin e tij.» (Zbulesa 22:3, 4) Kur priftërinjtë izraelitë u korruptuan, vuajtën mallkimin e Jehovait. (Malakia 2:2) Jezui shpalli se «shtëpia» e pabesë e Jerusalemit ishte braktisur. (Mateu 23:37-39) Mirëpo në Jerusalemin e Ri «nuk do të ketë më asnjë mallkim». (Krahaso Zakarinë 14:11.) Gjithë banorët e tij do të jenë provuar në flakën e sprovave këtu në tokë, dhe pasi të kenë dalë fitimtarë, ‘do të kenë veshur paprishjen dhe pavdekësinë’. Jehovai e di, ashtu siç e dinte edhe për Jezuin, se ata nuk do të bien kurrë. (1 Korintasve 15:53, 57) Për më tepër, «froni i Perëndisë dhe i Qengjit» do të jetë atje, dhe kjo e bën pozitën e qytetit të sigurt për gjithë përjetësinë.

28. Përse pjesëtarët e Jerusalemit të Ri kanë të shkruar në ballë emrin e Perëndisë dhe ç’perspektivë rrëqethëse shtrihet para tyre?

28 Ashtu si Gjoni, të gjithë banorët e ardhshëm të atij qyteti qiellor janë «skllevër» të Perëndisë. Si të tillë, ata kanë të shkruar në mënyrë të dukshme në ballë emrin e Perëndisë, dhe kjo e identifikon atë si Pronarin e tyre. (Zbulesa 1:1; 3:12) Për ta do të jetë një privilegj i pashoq t’i bëjnë atij shërbim të shenjtë si pjesë e Jerusalemit të Ri. Kur ishte në tokë, Jezui u bëri një premtim rrëqethës këtyre sundimtarëve të ardhshëm: «Lum ata me zemër të kulluar, sepse do të shohin Perëndinë!» (Mateu 5:8) Sa të lumtur do të jenë në të vërtetë këta skllevër kur ta shohin e ta adhurojnë Jehovain sy më sy!

29. Pse Gjoni tha se në Jerusalemin e Ri «nuk do të ketë më natë»?

29 Gjoni vazhdoi: «Gjithashtu, nuk do të ketë më natë, dhe ata nuk do të kenë më nevojë as për dritën e llambës, as për dritën e diellit, sepse Perëndia Jehova do të hedhë dritë mbi ta.» (Zbulesa 22:5a) Jerusalemi i lashtë, sikundër çdo qytet tjetër në tokë, shpresonte te dielli për të pasur ndriçim ditën, dhe te hëna ose drita artificiale për t’u ndriçuar natën. Mirëpo në Jerusalemin e Ri ky lloj ndriçimi nuk do të jetë i nevojshëm. Qytetin do ta ndriçojë vetë Jehovai. Fjala «natë» mund të përdoret edhe në kuptimin e figurshëm, si simbol i problemeve ose i ndarjes nga Jehovait. (Mikea 3:6; Gjoni 9:4; Romakëve 13:11, 12) Kjo lloj nate s’mund të ekzistojë kurrsesi në praninë e lavdishme e rrëzëllyese të Perëndisë së Plotfuqishëm.

30. Si e mbylli Gjoni vegimin madhështor, dhe për çfarë na siguron Zbulesa?

30 Gjoni e mbylli vegimin madhështor duke thënë për këta skllevër të Perëndisë: «Dhe ata do të mbretërojnë në jetë të jetëve.» (Zbulesa 22:5b) Vërtet, në fund të një mijë vjetëve dobitë e shpërblesës do të jenë përdorur plotësisht dhe Jezui do t’i paraqesë Atit të tij një racë njerëzore të përsosur. (1 Korintasve 15:25-28) Ne nuk e dimë se ç’ka ndër mend pas kësaj Jehovai për Jezuin dhe për 144.000 të mirosurit. Megjithatë, libri i Zbulesës na siguron se shërbimi i shenjtë që ata kanë privilegjin t’i bëjnë Jehovait do të vazhdojë për gjithë përjetësinë.

Plotësimi i lumtur i Zbulesës

31. (a) Ç’plotësim shënon vegimi i Jerusalemit të Ri? (b) Ç’dobi do të sjellë Jerusalemi i Ri për besnikët e tjerë të njerëzimit?

31 Përmbushja e vegimit të Jerusalemit të Ri, nuses së Qengjit, përbën në mënyrë të përshtatshme edhe plotësimin e lumtur të Zbulesës. Gjithë bashkëbesimtarët e krishterë të Gjonit në shekullin e parë, të cilëve iu drejtua fillimisht libri, mezi pritën të hynin në atë qytet si bashkësundimtarë frymorë të pavdekshëm bashkë me Jezu Krishtin. Mbetja e të krishterëve të mirosur që jeton ende në tokë ka të njëjtën shpresë. Në këtë mënyrë, Zbulesa shkon drejt plotësimit të saj madhështor, teksa nusja e kompletuar bashkohet me Qengjin. Më pas, me anë të Jerusalemit të Ri njerëzimi do të përfitojë nga dobitë e flijimit shpërblyes të Jezuit, derisa të gjithë besnikët të marrin jetën e përhershme. Kështu, si një bashkëshorte besnike e Dhëndrit-Mbret, Jerusalemi i Ri do të japë ndihmën e vet për të ndërtuar përjetësisht një botë të re të drejtë​—gjithçka në lavdi të Zotërisë tonë Sovran, Jehovait.​—Mateu 20:28; Gjoni 10:10, 16; Romakëve 16:27.

32, 33. Ç’kemi mësuar nga Zbulesa dhe cila duhet të jetë përgjigjja jonë nga zemra?

32 Ç’kënaqësi ndiejmë teksa i afrohemi fundit të shqyrtimit të librit të Zbulesës! Kemi parë se si dështojnë plotësisht përpjekjet e fundit të Satanait e të farës së tij, dhe se si përmbushen deri në fund gjykimet e drejta të Jehovait. Babilonia e Madhe do të zhduket përgjithmonë, dhe nga pas do ta ndjekin tërë elementët e tjerë të pashpresë e të korruptuar të botës së Satanait. Satanai dhe demonët e tij do të hidhen në humnerë dhe më pas do të shkatërrohen. Jerusalemi i Ri do të sundojë bashkë me Krishtin nga qielli teksa vazhdon ringjallja dhe gjykimi, dhe përfundimisht njerëzimi i përsosur do të gëzojë jetë të përhershme në tokën parajsore. Me sa gjallëri na i përshkruan Zbulesa të gjitha këto! Sa e forcon ajo vendosmërinë tonë që ‘t’ia shpallim si sihariq këtë lajm të mirë të përhershëm çdo kombi, fisi, gjuhe dhe populli’ sot në tokë! (Zbulesa 14:6, 7) A po merr pjesë plotësisht në këtë vepër të madhe?

33 Me zemrën plot mirënjohje, le t’u kushtojmë vëmendje fjalëve përmbyllëse të Zbulesës!

[Shënimet]

^ par. 6 Që masa e përdorur ishte «sipas masës së një njeriu dhe në të njëjtën kohë sipas asaj të një engjëlli», mund të ketë lidhje me faktin se qyteti përbëhet nga 144.000 persona që fillimisht ishin njerëz, por që më pas u bënë krijesa frymore mes engjëjve.

^ par. 18 ‘Rrotulla e jetës e Qengjit’ përmban vetëm emrat e 144.000 pjesëtarëve të Izraelit frymor. Kësisoj, ajo është e ndryshme nga «rrotulla e jetës» që përmban emrat e atyre që do të fitojnë jetën në tokë.​—Zbulesa 20:12.

^ par. 25 Shprehja ‘kombet’ shpesh bën fjalë për ata që nuk janë pjesë e Izraelit frymor. (Zbulesa 7:9; 15:4; 20:3; 21:24, 26) Përdorimi i kësaj shprehjeje në këtë kontekst nuk tregon se gjatë Mbretërimit Mijëvjeçar njerëzimi do të vazhdojë të organizohet në grupe kombëtare të ndara.

[Pyetjet]