Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Rigjallërohen dy dëshmitarët

Rigjallërohen dy dëshmitarët

Kapitulli 25

Rigjallërohen dy dëshmitarët

1. Ç’ftesë i bëri engjëlli i fuqishëm Gjonit?

PARA se të kalonte përfundimisht mjerimi i dytë, engjëlli i fuqishëm e ftoi Gjonin të merrte pjesë në një tjetër tablo profetike, që kësaj here kishte të bënte me tempullin. (Zbulesa 9:12; 10:1) Ja çfarë tha Gjoni: «Pastaj m’u dha një kallam që ngjante si shkop i madh, dhe një zë më tha: ‘Ngrihu dhe mat shenjtëroren e tempullit të Perëndisë, altarin dhe ata që adhurojnë në të’.»​—Zbulesa 11:1.

Shenjtërorja e tempullit

2. (a) Shenjtërorja e cilit tempull do të mbijetonte deri në ditët tona? (b) Cili është Kryeprifti i shenjtërores së tempullit dhe çfarë është Më e Shenjta?

2 Tempulli që përmendet këtu s’mund të jetë një tempull i mirëfilltë në Jerusalem, sepse i fundit u shkatërrua nga romakët në vitin 70 të e.s. Megjithatë, apostulli Pavël tregoi se kohë para këtij shkatërrimi, kishte dalë në dritë një tjetër shenjtërore tempulli që do të mbijetonte deri në ditët tona. Ishte tempulli i madh frymor në të cilin gjejnë përmbushje modelet profetike, domethënë tabernakulli dhe më vonë tempujt e ndërtuar në Jerusalem. E kemi fjalën për ‘tendën e vërtetë, të cilën e ngriti Jehovai e jo njeriu’, ku kryeprift është Jezui, të cilin Pavli e paraqiti si tashmë ‘të ulur në të djathtën e fronit të Madhërisë në qiej’. Më e shenjta e këtij tempulli është ai vend në qiell ku ndodhet Jehovai.​—Hebrenjve 8:1, 2; 9:11, 24.

3. Ç’përfaqësonin në tabernakull (a) perdja që ndante Më të Shenjtën nga e Shenjta? (b) flijimet e kafshëve? (c) altari i flijimeve?

3 Apostulli Pavël shpjegoi se perdja e tabernakullit, që ndante Më të Shenjtën nga e Shenjta, përfaqëson trupin e Jezuit. Kur Jezui flijoi jetën, ajo perde u ça më dysh. Kjo tregonte se trupi i Jezuit nuk ishte më një pengesë që ai të paraqitej para Jehovait në qiell. Në bazë të flijimit të Jezuit, në kohën e caktuar do të shkojnë në qiell edhe nënpriftërinjtë e mirosur të tij, që vdiqën besnikë. (Mateu 27:50, 51; Hebrenjve 9:3; 10:19, 20) Gjithashtu, Pavli thekson se flijimet e kafshëve që paraqiteshin vazhdimisht në tabernakull, ishin shenjë e një flijimi të vetëm, të jetës së përsosur njerëzore të Jezuit. Altari i flijimeve që ishte në oborr, përfaqësonte masën që kishte marrë Jehovai sipas vullnetit të tij, për të pranuar flijimin e Jezuit në dobi të «shumë vetave», «që e kërkojnë me ngulm për shpëtimin e tyre», së pari të të mirosurve, e më pas të deleve të tjera.​—Hebrenjve 9:28; 10:9, 10; Gjoni 10:16.

4. Çfarë përfaqëson (a) Vendi i Shenjtë? (b) oborri i brendshëm?

4 Këto të dhëna të nxjerra nga Fjala e frymëzuar e Perëndisë, na çojnë në përfundimin se Vendi i Shenjtë në tabernakull përfaqëson një gjendje shenjtërie, së pari të Krishtit e më pas të 144.000 anëtarëve të mirosur të priftërisë mbretërore, gjatë kohës që janë në tokë, para se të kalojnë ‘perden’. (Hebrenjve 6:19, 20; 1 Pjetrit 2:9) Ai paraqit më së miri birësimin e tyre nga Perëndia si bij frymorë të tij, njësoj siç pranoi Jezuin si Birin e tij, pasi u pagëzua në Jordan në vitin 29 të e.s. (Luka 3:22; Romakëve 8:15) Po oborri i brendshëm, e vetmja pjesë e dukshme e tabernakullit për izraelitët që nuk i përkitnin klasës priftërore dhe ku bëheshin flijimet, çfarë përfaqëson? Ai përfaqëson qëndrimin e përsosur të njeriut Jezu, falë të cilit ai mundi të jepte jetën për njerëzimin. Gjithashtu, përfaqëson qëndrimin e drejtë që u është veshur të mirosurve në bazë të flijimit të Jezuit, dhe që i bën ata të shenjtë edhe gjatë kohës që janë në tokë. *​—Romakëve 1:7; 5:1.

Matja e shenjtërores të tempullit

5. Çfarë nënkuptonte sipas profecive në Shkrimet Hebraike (a) matja e Jerusalemit? (b) matja e tempullit të vegimit të Ezekielit?

5 Gjonit i thanë ‘të maste shenjtëroren e tempullit të Perëndisë, altarin dhe ata që adhuronin në të’. Çfarë do të thotë kjo? Sipas profecive në Shkrimet Hebraike, një matje e tillë garantonte drejtësi në bazë të normave të përsosura të Jehovait. Në kohën e mbretit të lig Manase, matja profetike e Jerusalemit tregoi gjykimin e pakthyeshëm që e dënonte këtë qytet me shkatërrim. (2 Mbretërve 21:13; Vajtimet 2:8) Kurse më vonë, Jeremia paratha matjen e Jerusalemit, dhe kjo vërtetoi se qyteti do të rindërtohej. (Jeremia 31:39; shih edhe Zakarinë 2:2-8.) Po ashtu, matja e hollësishme e tempullit që pa në vegim Ezekieli i garantoi judenjtë që kishin mërguar në Babiloni se në vendlindjen e tyre do të rivendosej adhurimi i vërtetë. Gjithashtu, i kujtoi Izraelit se, për shkak të fajeve të tij, tash e tutje duhej t’u përmbahej normave të shenjta të Perëndisë.​—Ezekieli 40:3, 4; 43:10.

6. Çfarë tregon urdhri që mori Gjoni për të matur shenjtëroren e tempullit dhe priftërinjtë që adhuronin në të? Shpjego.

6 Prandaj, urdhri që mori Gjoni për të matur shenjtëroren e tempullit dhe priftërinjtë që adhuronin në të, tregon se asgjë nuk mund ta ndalë plotësimin e qëllimeve të Jehovait për tempullin dhe për ata që kanë lidhje me të dhe se ato qëllime i afrohen gjithnjë e më tepër plotësimit. Tani që gjithçka është vënë nën këmbët e engjëllit të fuqishëm të Jehovait, është koha që ‘mali i shtëpisë së Jehovait të lartësohet patundshmërisht mbi majat e maleve’. (Isaia 2:2-4) Po, pas shumë shekuj apostazie nga ana e «krishterimit», adhurimi i pastër i Jehovait duhet të lartësohet. Gjithashtu është koha që vëllezërit besnikë të Jezuit, që janë në gjumin e vdekjes, të ringjallen në ‘të Shenjtën e të Shenjtave’. (Danieli 9:24; 1 Selanikasve 4:14-16; Zbulesa 6:11; 14:4) Të vulosurit e fundit në tokë mes ‘skllevërve të Perëndisë sonë’, duhet të «maten» sipas normave hyjnore, që të jenë të denjë për vendin e tyre të përhershëm në tempull si bij të Perëndisë të lindur nga fryma. Klasa e Gjonit në kohën tonë është plotësisht e vetëdijshme për ato norma të shenjta dhe është e vendosur t’i respektojë.​—Zbulesa 7:1-3; Mateu 13:41, 42; Efesianëve 1:13, 14; krahaso Romakëve 11:20.

Shkelet oborri

7. (a) Pse Gjonit iu ndalua të maste oborrin? (b) Kur ndodhi shkelja e qytetit të shenjtë për 42 muaj? (c) Si dështoi kleri i krishterimit apostat të mbante normat e drejta të Jehovait gjatë atyre 42 muajve?

7 Pse Gjonit iu ndalua të maste oborrin? Ai na e tregoi me këto fjalë: «Kurse oborrin që gjendet jashtë shenjtërores së tempullit, lëre dhe mos e mat, sepse ai u është dhënë kombeve, dhe ato do ta shkelin me këmbë qytetin e shenjtë për dyzet e dy muaj.» (Zbulesa 11:2) Më parë kemi thënë se oborri i brendshëm përfaqëson qëndrimin e drejtë të të krishterëve që lindin nga fryma gjatë kohës që janë ende në tokë. Por, siç do ta shohim edhe më poshtë, këtu bëhet fjalë për 42 muajt, duke filluar nga dhjetori i 1914-s deri në qershor të 1918-s, kur të gjithë ata që thoshin se ishin të krishterë kaluan një sprovë të ashpër. A do t’i mbanin ata normat e drejta të Jehovait gjatë atyre viteve të luftës? Shumica nuk e bënë. Kleri i krishterimit apostat si grup vuri nacionalizmin para bindjes ndaj ligjit hyjnor. Në të dyja kampet e luftës, që u zhvillua kryesisht në vendet «e krishtere», predikimi i klerit i nxiste djemtë e rinj të rroknin armët dhe shumë përfunduan nëpër llogore. Miliona u masakruan. Kur filloi gjykimi, që nisi me shtëpinë e Perëndisë në vitin 1918, në atë kasaphanë, ku derdhej gjaku lumë, kishin hyrë edhe Shtetet e Bashkuara, dhe mbi klerin e tërë krishterimit apostat rëndonte faji i gjakut, që edhe sot vazhdon të thërrasë për hakmarrjen e Perëndisë. (1 Pjetrit 4:17) Ai është flakur jashtë përgjithmonë dhe për të s’ka kthim.​—Isaia 59:1-3, 7, 8; Jeremia 19:3, 4.

8. Çfarë kuptuan shumë nga Studentët e Biblës gjatë Luftës së Parë Botërore, por çfarë nuk kishin arritur të kuptonin plotësisht?

8 Po grupi i vogël i Studentëve të Biblës? A do të «mateshin» ata menjëherë në vitin 1914, për sa i përket ndjekjes së normave hyjnore? Jo. Njësoj si ata që e mbanin veten për të krishterë, edhe Studentët e Biblës duhej të sprovoheshin. Ata ‘u flakën jashtë, iu dorëzuan kombeve’ që të sprovoheshin e të përndiqeshin egërsisht. Shumë prej tyre e kuptuan se nuk duhej të vritnin njerëz, por ende nuk kishin arritur të kuptonin plotësisht rëndësinë e asnjanësisë së krishterë. (Mikea 4:3; Gjoni 17:14, 16; 1 Gjonit 3:15) Nga presioni i kombeve, disa bënë kompromis.

9. Cili është qyteti i shenjtë që shkelën kombet dhe cilët e përfaqësojnë këtë qytet në tokë?

9 Si u shkel qyteti i shenjtë nga kombet? Është e qartë se, qyteti për të cilin po flasim, nuk ka të bëjë me Jerusalemin që u shkatërrua më shumë se 25 vjet para se të shkruhej Zbulesa. Përkundrazi, qyteti i shenjtë është Jerusalemi i Ri, për të cilin u fol më vonë në librin e Zbulesës dhe që tani përfaqësohet në tokë nga mbetja e të mirosurve që janë në oborrin e brendshëm të tempullit. Pas ca kohësh, edhe ata do të bëhen pjesë e atij qyteti të shenjtë. Pra, të shkelësh ata, është sikur të shkelësh vetë qytetin e shenjtë.​—Zbulesa 21:2, 9-21.

Dy dëshmitarët

10. Çfarë bënë Dëshmitarët besnikë të Jehovait edhe atëherë kur u shkelën?

10 Edhe kur u shkelën, këta të krishterë vazhduan të ishin Dëshmitarë besnikë të Jehovait. Profecia vazhdon: «‘Dy dëshmitarët e mi do t’i dërgoj të profetizojnë për një mijë e dyqind e gjashtëdhjetë ditë, të veshur me copë thesi.’ Këta paraqiten nga dy pemët e ullirit dhe nga dy shandanët, e rrinë para Zotërisë së tokës.»​—Zbulesa 11:3, 4.

11. Çfarë do të thoshte për të krishterët besnikë të mirosur nga fryma, të profetizonin «të veshur me copë thesi»?

11 Këta të krishterë besnikë të mirosur nga fryma, kishin nevojë për qëndrueshmëri, sepse duhej të profetizonin «të veshur me copë thesi». Çfarë do të thoshte kjo? Në kohët biblike, copa e thesit shpesh simbolizonte zinë. Ai që e vishte copën e thesit tregonte se e kishte mbytur brenga ose hidhërimi. (Zanafilla 37:34; Jobi 16:15, 16; Ezekieli 27:31) Copa e thesit lidhej me mesazhet pikëlluese të dënimit ose të dhembjes që duhej të shpallnin profetët e Perëndisë. (Isaia 3:8, 24-26; Jeremia 48:37; 49:3) Veshja e saj mund të tregonte përulësi ose pendim lidhur me ndonjë paralajmërim hyjnor. (Jonai 3:5) Copa e thesit që kishin veshur dy dëshmitarët me sa duket ishte shenjë e qëndrueshmërisë së tyre të përulur në shpalljen e gjykimeve të Jehovait. Ata ishin dëshmitarët që do të shpallnin ditën e hakmarrjes së tij, e cila do t’u sillte pikëllim kombeve.​—Ligji i përtërirë 32:41-43.

12. Nga duket se periudha gjatë së cilës qyteti i shenjtë duhej të shkelej, duhet marrë në kuptimin e mirëfilltë?

12 Klasa e Gjonit duhej ta predikonte këtë mesazh për një kohë të përcaktuar: për 1.260 ditë ose 42 muaj. Kjo kohë është e njëjtë me atë të shkeljes së qytetit të shenjtë. Nga sa duket kjo periudhë duhet marrë në kuptimin e mirëfilltë, sepse është përmendur në dy mënyra të ndryshme, së pari në muaj e më pas në ditë. Veç kësaj, në fillim të ditës së Zotërisë pati një periudhë të përcaktuar prej tri vjetësh e gjysmë, duke filluar nga dhjetori i 1914-s deri në qershor të 1918-s, kur përvojat e vështira të popullit të Perëndisë përkuan me ngjarjet e profetizuara këtu. (Zbulesa 1:10) Këta të krishterë i predikuan «krishterimit» dhe botës mesazhin e gjykimit të Jehovait, një mesazh që të sillte ndër mend ‘copën e thesit’.

13. (a) Çfarë tregon fakti që dy dëshmitarët simbolizojnë të krishterët e mirosur? (b) Cilën profeci të Zakarisë na sjell ndër mend Gjoni, kur i quan dy dëshmitarët ‘dy pemë ulliri dhe dy shandanë’?

13 Paraqitja e të mirosurve nga dy dëshmitarët na provon se mesazhi i tyre ishte i saktë dhe me baza të forta. (Krahaso Ligjin e përtërirë 17:6; Gjonin 8:17, 18.) Gjoni i quajti ‘dy pemë ulliri dhe dy shandanë’ dhe tha se ‘rrinin para Zotërisë së tokës’. Këto lidhen dukshëm me profecinë e Zakarisë, që pa shandanin me shtatë krahë dhe dy pemët e ullirit. Ajo tregonte se dy pemët e ullirit përfaqësonin «dy të mirosurit», domethënë guvernatorin Zorobabel dhe kryepriftin Josi, që ‘qëndronin pranë Zotërisë së mbarë tokës’.​—Zakaria 4:1-3, 14.

14. (a) Çfarë tregonte vegimi i Zakarisë për dy pemët e ullirit dhe shandanët? (b) Çfarë do të përjetonin të krishterët e mirosur gjatë Luftës së Parë Botërore?

14 Zakaria jetoi në një kohë rindërtimi dhe vegimi i tij për dy pemët e ullirit do të thoshte që Zorobabeli dhe Josiu do të bekoheshin me frymën e Jehovait për të nxitur popullin të punonte. Vegimi i shandanit i kujtoi Zakarisë të mos ‘e përbuzte ditën e gjërave të vogla’, sepse qëllimet e Jehovait nuk do të plotësoheshin ‘me ndonjë forcë ushtarake, as me fuqi, por me frymën e Jehovait të ushtrive’. (Zakaria 4:6, 10; 8:9) Grupi i vogël i të krishterëve që me këmbëngulje ua çoi dritën e së vërtetës njerëzve gjatë Luftës së Parë Botërore, do të përdorej edhe për veprën e rindërtimit. Edhe ata, njësoj si Zorobabeli dhe Josiu, do të ishin burim inkurajimi dhe, duke qenë pak, do të mësonin të mbështeteshin në forcën e Jehovait e të mos përbuznin ditën e fillimeve të vogla.

15. (a) Çfarë na kujton paraqitja e këtyre të krishterëve të mirosur si dy dëshmitarët? Shpjego. (b) Çfarë shenjash janë autorizuar të kryejnë dy dëshmitarët?

15 Paraqitja e të krishterëve të mirosur si dy dëshmitarët na kujton edhe shpërfytyrimin. Në atë vegim, tre nga apostujt e panë Jezuin në lavdinë e Mbretërisë, të shoqëruar nga Moisiu dhe Elija. Ai vegim parafytyronte uljen e Jezuit në fronin e tij të lavdishëm në vitin 1914, për të kryer veprën që përfaqësonin ata dy profetë. (Mateu 17:1-3) Ja pse dy dëshmitarët u panë duke kryer shenja që të kujtojnë shenjat që bëri Moisiu dhe Elija. Për shembull, Gjoni tha për ta: «Nëse dikush do që t’i dëmtojë ata, nga goja e tyre del zjarr dhe përpin armiqtë e tyre. Po, nëse dikush do që t’i dëmtojë, do të vritet në këtë mënyrë. Këta kanë autoritet të mbyllin qiellin, që të mos bjerë shi gjatë ditëve të profetizimit të tyre.»​—Zbulesa 11:5, 6a.

16. (a) Si na kujton shenja e zjarrit kohën kur izraelitët sfiduan autoritetin e Moisiut? (b) Si i sfidoi kleri i krishterimit apostat Studentët e Biblës dhe si u shkaktoi vështirësi gjatë Luftës së Parë Botërore? Si kundërsulmuan ata?

16 Kjo na kujton kohën kur izraelitët sfiduan autoritetin e Moisiut. Ky profet shpalli një gjykim të zjarrtë dhe Jehovai i shfarosi rebelët, duke dërguar një zjarr nga qielli që përpiu 250 veta. (Numrat 16:1-7, 28-35) Edhe krerët e krishterimit apostat i sfiduan Studentët e Biblës, duke thënë se nuk kishin diplomën e shkollave teologjike. Megjithatë këta dëshmitarë kishin prova më të çmuara që vërtetonin se ishin shërbëtorë të Perëndisë: njerëzit e butë që e dëgjonin mesazhin e tyre nga Bibla. (2 Korintasve 3:2, 3) Në vitin 1917, Studentët e Biblës botuan librin Misteri i përfunduar (anglisht), ku komentohej fuqishëm libri i Zbulesës dhe i Ezekielit. Pak kohë më pas, ata shpërndanë 10 milionë kopje të fletushkës me katër faqe Mujori i Studentëve të Biblës (anglisht). Artikulli kryesor i saj mbante titullin «Rënia e Babilonisë: Pse krishterimi apostat duhet të vuajë në këtë kohë?​—Rezultati përfundimtar». Në Shtetet e Bashkuara, kleri i xhindosur përdori histerinë që kishte shkaktuar lufta për ta ndaluar librin. Në vende të tjera ai u censurua. Megjithatë, shërbëtorët e Perëndisë kundërsulmuan me fletushkën katërfaqëshe Lajmërim i Mbretërisë (anglisht) e cila preku disa çështje mjaft të nxehta. Gjatë ditës së Zotërisë, botime të tjera do të nxirrnin në shesh gjendjen e vdekur frymore të krishterimit apostat.​—Krahaso Jereminë 5:14.

17. (a) Cilat ngjarje në ditët e Elijas lidheshin me thatësirën dhe zjarrin? (b) Si doli zjarr nga goja e dy dëshmitarëve dhe për ç’lloj thatësire bëhej fjalë?

17 Po Elija? Në ditët e mbretërve të Izraelit ky profet shpalli se Jehovai do ta shprehte indinjatën e tij kundër izraelitëve që adhuronin Baalin, duke e goditur vendin me thatësirë, e cila zgjati tre vjet e gjysmë. (1 Mbretërve 17:1; 18:41-45; Luka 4:25; Jakovi 5:17) Kohë më vonë, kur mbreti jobesnik Ahaziah dërgoi ushtarë që ta detyronin Elijan të shkonte para tij, profeti bëri të zbriste zjarr nga qielli, që përpiu ushtarët. Vetëm kur një komandant tjetër ushtarak tregoi respektin e duhur për pozitën e tij si profet, Elija pranoi të shkonte me të te mbreti. (2 Mbretërve 1:5-16) Po ashtu, mes viteve 1914 dhe 1918, plot guxim mbetja e mirosur e tërhoqi vëmendjen e të gjithëve te thatësira frymore e krishterimit apostat dhe lajmëroi afrimin e gjykimit të zjarrtë të «ditës së madhe e të frikshme të Jehovait».​—Malakia 4:1, 5; Amosi 8:11.

18. (a) Çfarë autoriteti u ishte dhënë dy dëshmitarëve dhe në ç’kuptim ngjante me autoritetin që i ishte dhënë Moisiut? (b) Si e demaskuan dy dëshmitarët krishterimin apostat?

18 Gjoni vazhdoi të tregonte për dy dëshmitarët: «Dhe kanë autoritet t’i kthejnë ujërat në gjak e të godasin tokën me çdo lloj plage, sa herë të duan.» (Zbulesa 11:6b) Për të bindur faraonin që t’i linte izraelitët të lirë, Jehovai përdori Moisiun, që të godiste Egjiptin shtypës me plagë, njëra prej të cilave ishte kthimi i ujit në gjak. Shekuj më vonë, filistinët, armiqtë e Izraelit, e kujtonin aq mirë çfarë kishte bërë Jehovai kundër Egjiptit, sa thanë: «Kush do të na shpëtojë nga dora e këtij Perëndie të madhërishëm?! Ky është Perëndia që e goditi Egjiptin me lloj-lloj plagësh në shkretëtirë.» (1 Samuelit 4:8; Psalmi 105:29) Moisiu përfaqësonte Jezuin, që kishte autoritet të shpallte gjykimet e Perëndisë mbi krerët fetarë të ditëve të tij. (Mateu 23:13; 28:18; Veprat 3:22) Ndërsa gjatë Luftës së Parë Botërore, vëllezërit e Krishtit, domethënë dy dëshmitarët, demaskuan ndikimin vdekjeprurës të ‘ujërave’ që u jepte për të pirë krishterimi apostat besimtarëve të vet.

Dy dëshmitarët vriten

19. Çfarë do të ndodhte, sipas tregimit të Zbulesës, pasi dy dëshmitarët të përfundonin dëshminë?

19 Kjo plagë që goditi krishterimin apostat qe aq e rëndë, sa ai shfrytëzoi ndikimin e tij ‘për t’i vrarë’ dy dëshmitarët, pasi kishin predikuar për 42 muaj të veshur me copë thesi. Gjoni shkroi: «Si të kenë mbaruar me dëshminë, bisha që ngjitet nga humnera, do të luftojë kundër tyre, do t’i mundë dhe do t’i vrasë. Kufomat e tyre do të dergjen në udhën e gjerë të qytetit të madh, i cili në kuptimin frymor quhet Sodomë dhe Egjipt, ku u vu në shtyllë edhe Zotëria i tyre. Njerëz nga popuj, fise, gjuhë dhe kombe do t’i shohin kufomat e tyre për tri ditë e gjysmë e nuk do të lejojnë që ato të futen në varr. Ata që banojnë në tokë, do të gëzojnë e ngazëllojnë për vdekjen e tyre, dhe do t’i dërgojnë dhurata njëri-tjetrit, sepse dy profetët i mundonin ata që banonin në tokë.»​—Zbulesa 11:7-10.

20. Kush është «bisha që ngjitet nga humnera»?

20 Nga 37 herë, kjo është hera e parë që përmendet bisha në librin e Zbulesës. Kur t’i vijë koha, do të flasim më me hollësi për të dhe për të tjera që janë përmendur në këtë libër biblik. Tani për tani mjafton të themi se «bisha që ngjitet nga humnera» është vegël e Satanait. Është fjala për një sistem politik që është në veprim. *​—Krahaso Zbulesën 13:1; Danielin 7:2, 3, 17.

21. (a) Si përfituan nga gjendja e luftës armiqtë fetarë të dy dëshmitarëve? (b) Çfarë nënkuptonte lënia e kufomave të dy dëshmitarëve pa varrosur? (c) Si duhet konsideruar periudha prej tri ditësh e gjysmë? (Shih shënimin.)

21 Nga viti 1914 deri në vitin 1918, kombet ishin zhytur këmbë e krye në Luftën e Parë Botërore. Ndjenja nacionaliste kishte arritur kulmin dhe, në pranverë të 1918-s, armiqtë fetarë të dy dëshmitarëve përfituan nga kjo situatë. Ata u bënë presion organeve ligjore të shtetit, dhe shërbëtorët me përgjegjësi të Studentëve të Biblës u burgosën nën akuza të rreme për nxitje kryengritjeje. Bashkëpunëtorët e tyre besnikë mbetën të shtangur. Aktiviteti i Mbretërisë pothuajse ndaloi. Ishte sikur vepra e predikimit të kishte vdekur. Në kohët biblike, ishte turp i madh ta lije të vdekurin pa varrosur. (Psalmi 79:1-3; 1 Mbretërve 13:21, 22) Pra, dy dëshmitarët do të poshtëroheshin duke mos i varrosur. Në klimën e nxehtë të Palestinës, një kufomë e braktisur në rrugë do të fillonte të lëshonte erë pas tri ditësh e gjysmë. * (Krahaso Gjonin 11:39.) Kjo hollësi e profecisë tregon poshtërimin që do të duronin dy dëshmitarët. Të burgosurve që përmendëm më lart madje iu mohua lirimi me kusht, edhe pasi dhanë si garanci një shumë parash, ndërkohë që çështja e tyre shkoi në gjykatën e apelit. Ata ishin ekspozuar mjaft gjatë para talljeve të publikut, sa të kutërbonin para banorëve të «qytetit të madh». Por cili ishte ‘qyteti i madh’?

22. (a) Cili është qyteti i madh? (b) Si u bashkua shtypi në gëzimin e klerit, pasi ky i kishte zënë frymën predikimit të dy dëshmitarëve? (Shih kutinë.)

22 Gjoni na dha disa hollësi për këtë. Ai tha se në atë qytet ishte vënë në shtyllë Jezui. Kjo na sjell menjëherë në mendje Jerusalemin. Megjithatë, ai tha edhe se qyteti i madh quhej Sodomë dhe Egjipt. E pra, Jerusalemi ishte quajtur njëherë Sodomë, për shkak të praktikave të tij të papastra. (Isaia 1:8-10; krahaso Ezekielin 16:49, 53-58.) Kurse Egjipti, fuqia e parë botërore, nganjëherë duket se simbolizon sistemin e tanishëm botëror. (Isaia 19:1, 19; Joeli 3:19) Pra, ky qytet i madh përfaqëson një «Jerusalem» të ndotur, që thotë se adhuron Perëndinë, por është bërë i papastër e mëkatar si Sodoma dhe pjesë e sistemit satanik të botës si Egjipti. Ai simbolizon krishterimin apostat, barasvlerësin e sotëm të Jerusalemit jobesnik, atë organizatë, anëtarët e së cilës kishin shumë arsye për të gëzuar, kur i zunë frymën predikimit të dy dëshmitarëve, që i bezdiste.

Ngrihen sërish!

23. (a) Çfarë ndodhi me dy dëshmitarët pas tri ditëve e gjysmë dhe si ndikoi kjo te armiqtë e tyre? (b) Kur janë përmbushur në epokën moderne profecia e Zbulesës 11:11, 12 dhe ajo e Ezekielit, që tregon se si fryu Jehovai në luginën e eshtrave të thata?

23 Shtypi mori anën e klerit, duke shpifur për popullin e Perëndisë. Ja çfarë thuhej në një gazetë: «Misterit të përfunduar iu dha goditja e fundit.» Por s’kishte gënjeshtër më të madhe se kjo! Dy dëshmitarët nuk mbetën të vdekur. Ja çfarë lexojmë: «Pas tri ditëve e gjysmë, në ta hyri frymë jete nga Perëndia, dhe ata u ngritën në këmbë e një frikë e madhe i zuri ata që i shihnin. Ata dëgjuan një zë të fortë nga qielli t’u thoshte: ‘Ejani këtu lart.’ Ata u ngjitën në qiell në re dhe armiqtë e tyre i panë.» (Zbulesa 11:11, 12) Ata përjetuan një gjë të ngjashme me atë që përshkroi Ezekieli, pasi kishte vizituar në vegim luginën e eshtrave të thata. Jehovai fryu mbi eshtrat e thata e ato erdhën në jetë, dhe me këtë paratha rilindjen e kombit të Izraelit pas robërisë 70-vjeçare në Babiloni. (Ezekieli 37:1-14) Këto dy profeci, ajo e Ezekielit dhe e Zbulesës, u përmbushën në mënyrë domethënëse në epokën moderne, pikërisht në vitin 1919, kur Jehovai u dha dëshmitarëve të tij «të vdekur» një jetë plot gjallëri.

24. Kur erdhën në jetë dy dëshmitarët dhe si ndikoi kjo te përndjekësit e tyre fetarë?

24 Sa duhet të jenë shtangur përndjekësit! Kufomat e dy dëshmitarëve papritur e papandehur ishin sërish gjallë e aktive. Kjo ishte një kafshatë e hidhur për t’u kapërdirë për klerikët, aq më tepër që shërbëtorët e krishterë që kishin futur me dredhi në burg, ishin sërish të lirë, e më vonë do të shpalleshin plotësisht të pafajshëm. Madje duhet të jenë shtangur edhe më shumë, kur në shtator të vitit 1919, Studentët e Biblës mbajtën një kongres në Sidër-Point të Ohajos, SHBA. Në atë rast, Xhozef Radhërfordi, që kishte dalë nga burgu nga pak kohë, i emocionoi të pranishmit me fjalimin e tij «Të lajmërohet Mbretëria», bazuar te Zbulesa 15:2 dhe Isaia 52:7. Anëtarët e klasës së Gjonit filluan sërish ‘të profetizonin’ ose të predikonin publikisht. Ata fitonin gjithnjë e më shumë forcë, duke demaskuar pa frikë hipokrizinë e krishterimit apostat.

25. (a) Kur iu tha dy dëshmitarëve: «Ejani këtu lart», dhe si ndodhi kjo? (b) Ç’tronditje i solli qytetit të madh rigjallërimi i dy dëshmitarëve?

25 Krishterimi apostat u mundua shumë herë ta përsëriste triumfin e vitit 1918. Ai përdori sulmet e turmave të egërsuara, dredhitë me ligjin, burgosjet e madje edhe ekzekutimet me vdekje, por më kot. Pas vitit 1919, fusha e aktivitetit frymor të dy dëshmitarëve ishte jashtë rrezes së tyre të veprimit. Atë vit, Jehovai u kishte thënë dy dëshmitarëve të vet: «Ejani këtu lart», dhe ata ishin ngritur në një gjendje të lartë frymore, ku armiqtë mund t’i shihnin, por s’mund t’i preknin me dorë. Ja si e përshkroi Gjoni tronditjen që i solli qytetit të madh rigjallërimi i tyre: «Në atë orë ra një tërmet i madh dhe një e dhjeta e qytetit u shemb. Shtatë mijë njerëz i vrau tërmeti, ndërsa pjesën tjetër e zuri frika dhe i dhanë lavdi Perëndisë së qiellit.» (Zbulesa 11:13) Po, pati vërtet tronditje të mëdha në fushën fetare. Kur grupi i të krishterëve të rigjallëruar ia nisi punës, krerëve të kishave tradicionale sikur po u dridhej toka nën këmbë. Një e dhjeta e qytetit të tyre, në kuptim të figurshëm 7.000 veta, u godit aq keq, sa për këta thuhet që vdiqën.

26. Kë përfaqësojnë «një e dhjeta e qytetit» dhe ‘shtatë mijët’ sipas Zbulesës 11:13? Shpjego.

26 Shprehja «një e dhjeta e qytetit» na kujton se Isaia profetizoi për Jerusalemin e lashtë se një e dhjeta do t’i mbijetonte shkatërrimit të qytetit si fara e shenjtë. (Isaia 6:13) Po ashtu, numri 7.000 na kujton se kur Elija mendoi se kishte mbetur besniku i vetëm në Izrael, Jehovai i tha se kishte edhe 7.000 të tjerë që nuk ishin përkulur para Baalit. (1 Mbretërve 19:14, 18) Në shekullin e parë, apostulli Pavël tha se ata 7.000 përfaqësonin pjesën tjetër të judenjve që e kishin pranuar lajmin e mirë për Krishtin. (Romakëve 11:1-5) Këto shkrime na ndihmojnë të kuptojmë se «shtatë mijë» dhe «një e dhjeta e qytetit» te Zbulesa 11:13, përfaqësojnë ata që i dëgjojnë dhe i pranojnë fjalët e dy dëshmitarëve të rigjallëruar dhe e braktisin qytetin e madh mëkatar. Për krishterimin apostat ata sikur janë të vdekur. Emrat e tyre janë fshirë nga regjistrat e anëtarësisë. Për të ata s’ekzistojnë më. *

27, 28. (a) Si ‘i dha lavdi Perëndisë së qiellit pjesa tjetër’? (b) Çfarë qe i detyruar të pranonte kleri i krishterimit apostat?

27 Por, si ‘i dha lavdi Perëndisë së qiellit pjesa tjetër’ e krishterimit apostat? Patjetër jo duke braktisur fenë apostate për t’i shërbyer Perëndisë. Në një vepër që komenton Biblën, (Word Studies in the New Testament, nga Vinsenti), shpjegohet se ç’do të thotë shprehja «i dhanë lavdi Perëndisë së qiellit»: «Kjo frazë nuk nënkupton kthimin, pendimin ose falënderimin, por pranimin e një fakti, që është kuptimi i zakonshëm në Shkrime. Shih Josiun 7:19 (Septuaginta); Gjonin 9:24; Veprat 12:23; Romakëve 4:20.» I fyer në sedër, krishterimi apostat ishte i detyruar të pranonte se Perëndia i Studentëve të Biblës kishte bërë një gjë madhështore, duke i rivendosur në aktivitetin e krishterë.

28 Mbase kleri e pranoi këtë vetëm mendërisht ose në vetvete. Kurrë nuk kemi lexuar që ndonjë nga këta klerikë të pranonte publikisht Perëndinë e dy dëshmitarëve. Megjithatë, profecia që na dha Jehovai nëpërmjet Gjonit, na ndihmon të dallojmë mendimet e tyre të fshehta dhe të kuptojmë poshtërimin e tyre në vitin 1919. Duke filluar nga ai vit, kur pak nga pak ‘shtatë mijët’ po largoheshin nga krishterimi apostat, me gjithë përpjekjet e tij të vendosura për të mos i lëshuar delet e veta, kleri u detyrua të pranonte se Perëndia i klasës së Gjonit ishte më i fortë se perëndia i tyre. Ata do ta kishin edhe më të qartë këtë me kalimin e viteve, pasi shumë besimtarë të tjerë e lanë kopenë, duke përsëritur fjalët që tha populli kur Elija triumfoi mbi adhuruesit e Baalit në malin e Karmelit: «Jehovai është Perëndia i vërtetë! Jehovai është Perëndia i vërtetë!»​—1 Mbretërve 18:39.

29. Çfarë do të vinte me të shpejtë, sipas fjalëve të Gjonit dhe ç’tronditje të tjera e pritnin krishterimin apostat?

29 «Mjerimi i dytë kaloi. Ja, mjerimi i tretë po vjen me të shpejtë.» (Zbulesa 11:14) Me këto fjalë e vazhdoi Gjoni tregimin. Nëse krishterimi apostat ishte tronditur nga ç’kishte ndodhur deri në atë çast, si do t’ia bënte kur engjëlli i shtatë t’i binte trumbetës për të lajmëruar mjerimin e tretë, dhe sekreti i shenjtë i Perëndisë të plotësohej përfundimisht?​—Zbulesa 10:7.

[Shënimet]

^ par. 4 Për një trajtim më të plotë të tempullit të madh frymor, shih artikujt «Tempulli i madh frymor i Jehovait» në Kullën e Rojës të 1 korrikut 1996, dhe «Tempulli i vetëm i vërtetë ku të adhurojmë», në Kullën e Rojës të 1 dhjetorit 1972, anglisht.

^ par. 20 «Humnera» (greqisht, ábisos; hebraisht, tehóhm) simbolizon një vend joaktiviteti. (Shih Zbulesën 9:2.) Mirëpo, fjalë për fjalë mund të nënkuptojë një det të paanë. Fjala hebraike përkthehet shpesh «ujërat e thella», ‘humnera e ujërave’ ose «thellësitë ujore». (Psalmi 71:20; 106:9; Jonai 2:5) Pra, «bisha që ngjitet nga humnera» mund të identifikohet si ‘bisha që dilte nga deti’.​—Zbulesa 11:7; 13:1.

^ par. 21 Duke shqyrtuar ngjarjet që përjetoi populli i Perëndisë në atë kohë, duket se tri ditë e gjysmë nuk përfaqësojnë një periudhë të mirëfilltë prej 84 orësh, ndonëse 42 muajt përfaqësojnë tre vjet e gjysmë të mirëfilltë. Ka të ngjarë që periudha e caktuar prej tri ditësh e gjysmë përmendet dy herë (në vargun 9 dhe 11) për të theksuar se do të ishte një periudhë e shkurtër në krahasim me periudhën prej tre vjetësh e gjysmë të aktivitetit që parapriu këto rrethana.

^ par. 26 Krahaso përdorimin e fjalëve «të vdekur», «vdiqa», «duke jetuar» në këto shkrime: Romakëve 6:2, 10, 11; 7:4, 6, 9; Galatasve 2:19; Kolosianëve 2:20; 3:3.

[Pyetjet]

[Kutia në faqen 168]

Gëzimi i Zbulesës 11:10

Në librin e tij Predikuesit tregojnë armët (Preachers Present Arms), botuar në vitin 1933, Rei Abramsi flet për kundërshtimin e hidhur të klerit ndaj librit të Studentëve të Biblës me titull Misteri i përfunduar. Ai rikujtoi përçapjet e klerit për të hequr qafe Studentët e Biblës dhe «besimin e tyre molepsës». Kjo çoi në hapjen e çështjes gjyqësore që e dënoi Xhozef Radhërfordin dhe shtatë shokët e tij me shumë vite burgim. Dr. Abramsi shton: «Po ta analizojmë tërë çështjen, dalim në përfundimin se nxitësit kryesorë të lëvizjes që kishte për synim të shtypte ruselitët, ishin kishat dhe kleri. Në shkurt të vitit 1918, klerikët në Kanada ndërmorën një fushatë sistematike kundër atyre vetë dhe botimeve të tyre, sidomos kundër Misterit të përfunduar. Sipas Tribune të Vinipegut, . . . në ndalimin e librave të tyre kishin gisht vetë ‘përfaqësuesit e klerit’.»

Dr. Abramsi vazhdon: «Kur redaksitë e shtypit fetar morën lajmin se ata ishin dënuar me 20 vjet burgim, që të gjitha, të vogla a të mëdha, u gëzuan. Personalisht s’kam mundur të gjej as edhe një fjalë solidariteti në gazetat e feve tradicionale. “S’ka pikë dyshimi,​—përfundoi Aptën Sinkleri,​—se përndjekja . . . lindi pjesërisht, sepse ata kishin tërhequr mbi vete urrejtjen e feve ‘tradicionale’.” Atë që s’kishin arritur ta bënin Kishat me përpjekjet e tyre të bashkuara, dukej se po e bënte qeveria në vend të tyre.» Pasi përmendi disa komente shpërfillëse të marra nga disa botime fetare, autori foli për anulimin e vendimit të Gjykatës së Apelit dhe tha: «Ky vendim u prit në heshtje nga Kishat.»

[Figura në faqen 163]

Gjoni mati tempullin frymor​—priftëria e mirosur duhet të mbajë normat hyjnore

[Figurat në faqen 165]

Vepra e rindërtimit që kreu Zorobabeli dhe Josiu, tregonte se në ditën e Zotërisë fillimet e vogla do të ndiqeshin nga një rritje e madhe mes Dëshmitarëve të Jehovait. Ndërtesa si këto që tregohen këtu, të cilat ndodhen në Bruklin, Nju-Jork, u desh të zgjeroheshin shumë për të përmbushur nevojat

[Figurat në faqen 166]

Vepra profetike e Moisiut dhe e Elijas, paralajmëroi mesazhet e zjarrta të gjykimit që shpallën dy dëshmitarët

[Figurat në faqen 169]

Njësoj si eshtrat e thata të profecisë së kapitullit 37 të Ezekielit, dy dëshmitarët u rigjallëruan për veprën e predikimit në ditët tona