Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Tema e mrekullueshme e Biblës

Tema e mrekullueshme e Biblës

Kapitulli 2

Tema e mrekullueshme e Biblës

Interpretimi i Shkrimeve Misteret e vulosura në librin e Zbulesës prej shumë kohësh i kanë ngatërruar studentët e sinqertë të Biblës. Në kohën e duhur nga këndvështrimi i Perëndisë, ato sekrete do të zbuloheshin, por nuk dihej si, kur dhe kujt. Ndërsa koha afronte, vetëm fryma e Perëndisë mund ta jepte kuptimin. (Zbulesa 1:3) Ato sekrete të shenjta do t’u zbuloheshin skllevërve të zellshëm të Perëndisë në tokë, që të forcoheshin për të shpallur gjykimet e tij. (Mateu 13:10, 11) Nuk pretendojmë që shpjegimet e dhëna në këtë botim janë të pagabueshme. Ashtu si Jozefi në kohët e lashta, ne themi: «A nuk i përkasin Perëndisë interpretimet?» (Zanafilla 40:8) Por në të njëjtën kohë, kemi bindjen e plotë se shpjegimet e paraqitura në këtë libër janë plotësisht në përputhje me tërë Biblën dhe tregojnë se kjo profeci që vjen nga Perëndia është përmbushur në mënyrë të mahnitshme në ngjarjet botërore të epokës sonë të frikshme.

1. Cili është qëllimi madhështor i Jehovait?

NJË proverb biblik thotë: «Më mirë se fillimi i një çështjeje është ajo që vjen pas saj.» (Eklisiastiu 7:8) Pikërisht në librin e Zbulesës lexojmë për plotësimin e mahnitshëm të qëllimit madhështor të Jehovait për të shenjtëruar emrin e tij para gjithë krijimit. Me anë të një prej profetëve të tij të hershëm, Perëndia ka shpallur shumë e shumë herë: «Ata kanë për ta marrë vesh se unë jam Jehovai.»​—Ezekieli 25:17; 38:23.

2. Ç’gjëra interesante mësojmë nga Zbulesa dhe librat e mëparshëm të Biblës?

2 Libri i Zbulesës tregon me hollësi se si përfundojnë çështjet, madje në mënyrë triumfuese. Por fillimi i tyre, përshkruhet në librat e mëparshëm të Biblës. Duke i shqyrtuar, kuptojmë se cilat çështje duheshin zgjidhur dhe krijojmë një ide të përgjithshme të qëllimeve të Perëndisë. A s’është e mrekullueshme?! Veç kësaj, nxitemi të veprojmë, që të shijojmë edhe ne të ardhmen e shkëlqyer që e pret njerëzimin. (Psalmi 145:16, 20) Pra, është me vend të shqyrtojmë kontekstin dhe temën e gjithë Biblës, që të mos humbim nga sytë çështjen me shumë rëndësi, përballë së cilës tani gjendet tërë njerëzimi, si edhe qëllimin e Perëndisë, të shprehur qartë, për ta zgjidhur atë çështje.

3. Cila profeci në librin e Zanafillës përbën temën e gjithë Biblës, ku përfshihet edhe libri i Zbulesës?

3 Zanafilla, libri i parë i Biblës, flet për ‘fillimin’ dhe përshkruan veprat që krijoi Perëndia. Këtu përfshihet edhe njeriu, kurorëzimi me sukses i krijimit në tokë. Zanafilla përmend edhe profecinë e parë që tha vetë Perëndia në kopshtin e Edenit rreth 6.000 vjet më parë. Ishte koha kur një gjarpër u përdor për të mashtruar Evën, gruan e parë. Ajo e bindi të shoqin, Adamin, që të thyente edhe ai ligjin e Jehovait, duke ngrënë «nga pema e njohjes të së mirës dhe të së keqes». Kur shpalli gjykimin për çiftin mëkatar, Perëndia i tha gjarprit: «Do të vë armiqësi mes teje dhe gruas, mes farës sate dhe farës së saj. Ai do të të shtypë kokën, dhe ti do ta plagosësh në thembër.» (Zanafilla 1:1; 2:17; 3:1-6, 14, 15) Kjo profeci përbën temën e gjithë Biblës, ku përfshihet edhe libri i Zbulesës.

4. (a) Çfarë ndodhi me prindërit tanë të parë, pasi Perëndia tha profecinë e parë? (b) Cilat pyetje lindin rreth asaj profecie dhe pse duhet t’i dimë përgjigjet?

4 Sapo tha këtë profeci, Perëndia i dëboi prindërit tanë të parë nga Edeni. Shpresa për të jetuar përgjithmonë në Parajsë mori fund. Tani ata duhej t’i kalonin vitet e mbetura të jetës në një vend të parregulluar jashtë kopshtit parajsor. Të dënuar me vdekje, ata do të sillnin në jetë fëmijë të ngarkuar me mëkate. (Zanafilla 3:23–4:1; Romakëve 5:12) Por çfarë do të thotë profecia edenike? Cilët janë të përfshirë? Ç’lidhje ka me Zbulesën? Si përfshihemi ne sot? Që të mos vuajmë pasojat e asaj ngjarjeje të rëndë, që e bëri Jehovain të thoshte atë profeci, duhet patjetër të dimë përgjigjet e këtyre pyetjeve.

Protagonistët në dramë

5. Çfarë ndodhi me sovranitetin dhe me emrin e Perëndisë, kur gjarpri mashtroi Evën? Si do të zgjidhet kjo polemikë?

5 Profecia e Zanafillës 3:15 iu drejtua gjarprit që gënjeu Evën. Ai i la të kuptonte se nuk do të vdiste nëse nuk bindej, por do të ishte e pavarur, pra, një perëndi. Me këtë, gjarpri e bëri Jehovain të dukej gënjeshtar dhe i la të mendonin se ata mund të gëzonin një jetë më të mirë, nëse hidhnin poshtë sundimin e Tij suprem. (Zanafilla 3:1-5) Në këtë mënyrë u sfidua sovraniteti i Jehovait dhe u njollos emri i tij i mirë. Libri i Zbulesës tregon se si Jehovai, Gjykatësi i drejtë, përdor Mbretërinë e Birit të tij, Jezu Krishtit, për të shfajësuar sovranitetin e tij dhe për ta pastruar emrin e tij nga çdo sharje.​—Zbulesa 12:10; 14:7.

6. Cili ishte, sipas Zbulesës, ai që i foli Evës nëpërmjet një gjarpri?

6 A nënkupton termi ‘gjarpër’ një gjarpër të mirëfilltë? Jo. Zbulesa tregon se cila ishte ajo krijesë e ulët frymore që foli nëpërmjet gjarprit. Ishte «dragoi i madh, gjarpri i hershëm, që quhet Djall dhe Satana, i cili mashtron gjithë tokën e banuar». Pikërisht ai e «joshi Evën me dinakërinë e tij».​—Zbulesa 12:9; 2 Korintasve 11:3.

7. Ç’gjë tregon se gruaja e Zanafillës 3:15 bën pjesë në botën frymore?

7 Më pas, Zanafilla 3:15 përmend ‘gruan’. A ishte kjo Eva? Mbase kështu mendonte ajo. (Krahaso Zanafillën 4:1.) Por po të ishte kështu, armiqësia e zgjatur mes Evës dhe Satanait nuk do të ishte e mundur, pasi Eva vdiq mbi 5.000 vjet më parë. Përveç kësaj, përderisa Gjarpri, të cilit iu drejtua Jehovai, ishte një krijesë frymore e padukshme, është logjike të mendojmë se edhe gruaja bën pjesë në botën frymore. Këtë e vërteton edhe Zbulesa 12:1, 2, ku tregohet se kjo grua simbolike është organizata qiellore e Jehovait e përbërë nga krijesa frymore.​—Shih edhe Isainë 54:1, 5, 13.

Dy farat i kundërvihen njëra-tjetrës

8. Pse duhet të tregojmë shumë interes në lidhje me atë që thuhet për dy farat?

8 Te Zanafilla 3:15, përmenden edhe dy fara. Për ne ato paraqitin shumë interes, pasi lidhen me çështjen e rëndësishme se kush ka të drejtë ta ushtrojë sovranitetin në tokë, çështje e cila na prek të gjithëve, të rinj e të moshuar. Cilën nga farat mbështet?

9. Cilët përfshihen patjetër te fara e Gjarprit?

9 Në fillim, le të ndalemi te fara ose pasardhësit e Gjarprit. Cilët janë ata? Në këtë farë përfshihen patjetër krijesat e tjera frymore që ngritën krye bashkë me Satanain dhe që ‘u hodhën bashkë me të’ poshtë në tokë. (Zbulesa 12:9) Meqenëse Satanai ose Belzebubi, është ‘sundimtari i demonëve’, është e qartë se këto krijesa frymore formojnë organizatën e tij të padukshme.​—Marku 3:22; Efesianëve 6:12.

10. Cilët janë disa të tjerë, të cilët Bibla i identifikon si pjesë e farës së Satanait?

10 Kush tjetër bën pjesë në këtë farë? Jezui u tha krerëve fetarë judenj në kohën e tij: «Ju jeni nga ati juaj, Djalli, dhe doni të bëni dëshirat e atit tuaj.» (Gjoni 8:44) Duke iu kundërvënë Jezuit, Birit të Perëndisë, krerët fetarë treguan se edhe ata ishin pasardhës të Satanait. Ata ishin pjesë e farës së Satanait dhe i shërbenin atij si të ishte ati i tyre. Po ashtu, shumë njerëz të tjerë gjatë historisë kanë treguar se bëjnë pjesë në farën e Satanait, duke bërë vullnetin e tij, sidomos duke iu kundërvënë e duke përndjekur dishepujt e Jezuit. Si grup, ata mund të përshkruhen si pjesë e organizatës së dukshme të Satanait në tokë.​—Shih Gjonin 15:20; 16:33; 17:15.

Identifikohet Fara e gruas

11. Çfarë zbuloi Perëndia gjatë shekujve për farën e gruas?

11 Profecia e Zanafillës 3:15, në fund përmend farën e gruas. Ndërkohë që Satanai ndërtonte farën e tij, Jehovai po përgatitej të sillte një farë nëpërmjet «gruas» së tij ose organizatës së tij qiellore që krahasohet me një ‘grua’. Për rreth 4.000 vjet me radhë, Jehovai u zbuloi dalëngadalë njerëzve të bindur që i frikësoheshin atij hollësi për ardhjen e farës. (Isaia 46:9, 10) Në këtë mënyrë, Abrahami, Isaku, Jakobi e të tjerë mund të kishin besim te premtimi se fara do të vinte nëpërmjet pasardhjes së tyre gjenealogjike. (Zanafilla 22:15-18; 26:4; 28:14) Për shkak të besimit të tyre të palëkundur, Satanai dhe ortakët e tij shpesh i përndoqën këta shërbëtorë të Jehovait.​—Hebrenjve 11:1, 2, 32-38.

12. (a) Kur erdhi elementi kryesor i farës së gruas dhe cila ngjarje shënoi ardhjen e tij? (b) Për ç’qëllim u miros Jezui?

12 Përfundimisht, në vitin 29 të e.s., njeriu i përsosur Jezu, vajti në lumin Jordan dhe u pagëzua. Atje, Jehovai e mirosi me frymën e shenjtë dhe e pranoi si birin e tij duke thënë: «Ky është Biri im, i dashuri, që e kam miratuar.» (Mateu 3:17) Kështu, Jezui u identifikua si ai që ishte dërguar nga organizata frymore e Perëndisë në qiell. Gjithashtu, ai u miros si Mbreti i emëruar i Mbretërisë qiellore që do të rivendoste mbi tokë sundimin në emër të Jehovait, dhe në këtë mënyrë do të zgjidhte njëherë e përgjithmonë çështjen e qeverisjes ose të sovranitetit. (Zbulesa 11:15) Pra, Jezui, Mesia i parathënë, është elementi kryesor në farën e gruas.​—Krahaso Galatasve 3:16; Danielin 9:25.

13, 14. (a) Pse s’duhet të çuditemi kur mësojmë se fara e gruas nuk do të përbëhej vetëm nga një personazh i spikatshëm? (b) Sa njerëz ka zgjedhur Perëndia që të bëhen pjesa dytësore e farës dhe cilën organizatë formojnë? (c) Kush tjetër shërben në unitet me farën?

13 A do të përbëhej fara e gruas vetëm nga një personazh i spikatshëm? Nga cilët përbëhej fara e Satanait? Bibla e identifikon farën e Satanait si një ushtri engjëjsh të ligj dhe njerëzish që ç’nderojnë Perëndinë. Pra, s’ka pse të çuditemi, kur mësojmë se Perëndia ka për qëllim të zgjedhë 144.000 njerëz me integritet nga gjiri i njerëzimit që të sundojnë si priftërinj bashkë me Farën mesianike, Jezu Krishtin. Pikërisht për këta e ka fjalën Zbulesa kur thotë se Djalli, i nxitur nga armiqësia kundër organizatës qiellore të Perëndisë, ose gruas së tij, «shkoi të luftonte me mbetjen e farës së saj».​—Zbulesa 12:17; 14:1-4.

14 Në Bibël, të krishterët e mirosur quhen vëllezërit e Jezuit, dhe si të tillë, ata kanë të njëjtin Atë dhe të njëjtën nënë me Jezuin. (Hebrenjve 2:11) Ati i tyre është Perëndia Jehova. Kështu, nëna e tyre duhet të jetë ‘gruaja’ ose organizata qiellore e Perëndisë që krahasohet me një grua. Meqenëse Krishti është pjesa kryesore e farës, ata janë pjesa dytësore. Kongregacioni i të krishterëve në tokë, të lindur nga fryma, formon organizatën e dukshme të Perëndisë. Kjo organizatë shërben nën drejtimin e gruas së tij ose organizatës në qiell, ku ata do të bashkohen me Krishtin Jezu pasi të ringjallen. (Romakëve 8:14-17; Galatasve 3:16, 29) Megjithëse nuk bëjnë pjesë në këtë farë, miliona dele të tjera nga të gjitha kombet janë bashkuar për të shërbyer me organizatën e Perëndisë në tokë. Po ti, a je një ndër delet e tjera? Nëse po, ke shpresën e mrekullueshme që të jetosh përgjithmonë në një tokë parajsore.​—Gjoni 10:16; 17:1-3.

Si u zhvillua armiqësia?

15. (a) Përshkruaj zhvillimin e farës njerëzore dhe frymore të Satanait. (b) Çfarë i ndodhi farës së Satanait gjatë Përmbytjes në ditët e Noesë?

15 Pasardhësit njerëzorë të Satanait u shfaqën në një periudhë shumë të hershme të historisë së njerëzimit. Për shembull, Kaini, fëmija i parë që i lindi çiftit njerëzor, «vinte nga i ligu dhe vrau vëllanë e tij», Abelin. (1 Gjonit 3:12) Më vonë, Enoku foli për ardhjen e Jehovait «me dhjetëra mijë engjëjt e tij të shenjtë, që të ekzekutojë gjykimin kundër të gjithëve, që të shpallë fajtorë tërë të paperëndishmit për të gjitha veprat e tyre të paperëndishme, që i bënë në mënyrë të paperëndishme dhe për të gjitha fjalët tronditëse që thanë kundër tij mëkatarët e paperëndishëm». (Juda 14, 15) Madje edhe disa engjëj rebelë u bashkuan me Satanain dhe u bënë pjesë e farës së tij. Ata «braktisën vendbanimin e tyre të duhur» në qiej, morën trupa njerëzorë dhe u martuan me bijat e njerëzve. Nga kjo doli një racë hibride me qenie mbinjerëzore shumë të dhunshme. Bota e atëhershme ishte plot dhunë e ligësi, ndaj Perëndia e shkatërroi me një Përmbytje. Nga tërë njerëzit mbijetoi vetëm Noeja besnik dhe familja e tij. Engjëjt e pabindur, tani demonë nën drejtimin e Satanait, u detyruan t’i braktisnin gratë dhe fëmijët hibridë që e kishin marrë dënimin. Ata i lanë trupat njerëzorë dhe u kthyen në botën frymore. Atje presin kohën kur Perëndia të gjykojë Satanain dhe farën e tij, dhe ky gjykim s’do të vonojë.​—Juda 6; Zanafilla 6:4-12; 7:21-23; 2 Pjetrit 2:4, 5.

16. (a) Cili tiran doli në skenë pas Përmbytjes dhe si tregoi se ishte pjesë e farës së Satanait? (b) Si ua prishi Perëndia planet atyre që po ndërtonin kullën e Babilonisë?

16 Pak kohë pas Përmbytjes së madhe, në tokë u shfaq një tiran me emrin Nimrod. Bibla e përshkruan si ‘një gjahtar të fuqishëm kundër Jehovait’. Vërtet pjesë e farës së Satanait! Njësoj si Satanai, ai tregoi një frymë rebele dhe ndërtoi qytetin e Babelit ose Babiloninë, duke e treguar hapur mosbindjen e tij ndaj qëllimit të Jehovait që njerëzimi të shpërndahej e të mbushte tokën. Krenaria e Babilonisë do të ishte një kullë e madhe, ‘maja e së cilës do të arrinte deri në qiej’. Perëndia ua prishi planet atyre që po ndërtonin kullën. U ngatërroi gjuhët dhe «i shpërndau në gjithë faqen e tokës», kurse Babilonia mbeti.​—Zanafilla 9:1; 10:8-12; 11:1-9.

Shfaqen fuqitë politike

17. Cili tipar i korruptuar i shoqërisë njerëzore doli në pah me shtimin e njerëzimit dhe cilat perandori vigane u shfaqën për pasojë?

17 Në Babiloni u shfaqën edhe disa tipare të shoqërisë njerëzore, që, duke u zhvilluar, dolën haptazi kundër sovranitetit të Jehovait. Njëri prej tyre ishte sistemi politik. Ndërsa njerëzimi shtohej, njerëz të tjerë të etur për pushtet ndoqën shembullin e Nimrodit, për të fituar gjithnjë e më shumë pozitë. Njeriu filloi të sundonte mbi njeriun në dëm të tij. (Eklisiastiu 8:9) Për shembull, në kohën e Abrahamit, Sodoma, Gomorra dhe qytetet përreth ranë në duart e mbretërve nga Shinari dhe vende të tjera të largëta. (Zanafilla 14:1-4) Më pas, njerëz me aftësi gjeniale në fushën organizative dhe luftarake skalitën perandori vigane për t’u pasuruar dhe për të fituar lavdi. Bibla përmend disa prej tyre, si Egjiptin, Asirinë, Babiloninë, Medo-Persinë, Greqinë dhe Romën.

18. (a) Ç’qëndrim mban populli i Perëndisë ndaj autoriteteve politikë? (b) Në ç’mënyrë autoritetet politike u kanë shërbyer nganjëherë interesave të Perëndisë? (c) Si kanë treguar shumë qeveritarë se bëjnë pjesë në farën e Gjarprit?

18 Jehovai lejoi që këto fuqi politike të ekzistonin dhe, shërbëtorët e tij që jetonin në vende që ishin nën kontrollin e tyre, u bindeshin në mënyrë relative. (Romakëve 13:1, 2) Disa herë, autoritetet politike shërbyen për të çuar përpara qëllimet e Perëndisë ose për të mbrojtur popullin e tij. (Ezdra 1:1-4; 7:12-26; Veprat 25:11, 12; Zbulesa 12:15, 16) Megjithatë, shumë drejtues politikë iu kundërvunë me dhunë adhurimit të vërtetë, duke treguar se bëjnë pjesë në farën e Gjarprit.​—1 Gjonit 5:19.

19. Si paraqiten fuqitë botërore në librin e Zbulesës?

19 Në përgjithësi, sundimi njerëzor ka dështuar keqas të na sjellë lumturi ose të na zgjidhë problemet. Jehovai ka lejuar që njerëzimi të eksperimentojë çdo formë qeverisjeje, por ai nuk e miraton kurrsesi korrupsionin ose mënyrën si kanë sunduar këto qeveri në dëm të njerëzve. (Proverbat 22:22, 23) Zbulesa i paraqit fuqitë botërore shtypëse si një bishë të egër krenare që të kall tmerrin.​—Zbulesa 13:1, 2.

Trafikantë të pangopur

20, 21. Cili grup i dytë duhet përfshirë me ‘komandantët ushtarakë’ dhe ‘njerëzit e fortë’ si pjesë e farës së ligë të Satanait dhe pse?

20 Të lidhur ngushtë me krerët politikë shfaqen edhe trafikantët e pandershëm. Disa dokumente të zhgroposura në rrënojat e Babilonisë së lashtë tregojnë se në atë kohë ishin shumë të përhapura veprimet tregtare që shfrytëzonin rrethanat e pavolitshme të të tjerëve. Tregtarët ndërkombëtarë kanë vazhduar deri sot e kësaj dite punën për të nxjerrë përfitime, ndërkohë që në shumë vende një pakicë është bërë shumë e pasur, kurse shumica lëngon në varfëri. Në epokën tonë të industrializimit, tregtarët dhe prodhuesit kanë nxjerrë fitime marramendëse duke u siguruar fuqive politike rezerva armësh djallëzore për shkatërrim, ku përfshihen edhe armët e shkatërrimit në masë, që tani janë një shkak i vërtetë për t’u shqetësuar. Këta industrialistë makutë dhe të tjerë si këta duhet të numërohen mes «komandantëve ushtarakë» dhe «njerëzve të fortë» si pjesë e farës së ligë të Satanait. Që të gjithë bëjnë pjesë në organizatën tokësore të Satanait. Pasi i kanë gjykuar, Perëndia dhe Krishti i kanë nxjerrë fajtorë dhe meritojnë të ekzekutohen.​—Zbulesa 19:18.

21 Politikës së korruptuar dhe komercializmit lakmitar u duhet shtuar edhe një element i tretë i shoqërisë njerëzore që meriton të ndëshkohet nga Perëndia. Cili është ai? Ajo që thotë libri i Zbulesës për këtë strukturë ndërkombëtare mjaft të njohur, do të të lërë gojëhapur.

Babilonia e Madhe

22. Çfarë feje u zhvillua në Babiloninë e lashtë?

22 Ndërtimi i Babilonisë së lashtë nuk ishte thjesht një projekt politik. Përderisa ai qytet u ngrit për t’iu kundërvënë haptazi sovranitetit të Jehovait, në të përfshihej edhe feja. Në të vërtetë, Babilonia e lashtë ishte zanafilla e idhujtarisë. Priftërinjtë e atjeshëm mësonin doktrina që çnderonin Perëndinë. Ata thoshin se shpirti mbijetonte pas vdekjes dhe se bota e përtejme ishte një vend tmerri e torturash të përjetshme ku sundonin demonët. Veç kësaj, nxitën adhurimin e krijesave dhe të shumë perëndive e perëndeshave. Sajuan mite për të shpjeguar si lindi toka dhe njeriu. Kryen rite e flijime poshtëruese, gjoja për të siguruar pjellori të lartë, bollëk të korrash dhe fitore në luftë.

23. (a) Çfarë morën me vete njerëzit kur ikën nga Babilonia dhe çfarë erdhi nga kjo? (b) Me ç’emër e paraqit Zbulesa perandorinë botërore të fesë së rreme? (c) Kundër kujt ka luftuar gjithmonë feja e rreme?

23 Grupet e ndryshme gjuhësore që ikën nga Babilonia, u shpërndanë në tërë tokën, duke marrë kështu me vete edhe fenë babilonase. Rite dhe besime si ato të Babilonisë së lashtë hodhën rrënjë edhe mes banorëve të parë të Evropës, Afrikës, kontinenteve amerikane, Lindjes së Largët dhe Deteve të Jugut. Shumë prej këtyre besimeve vazhdojnë deri sot e kësaj dite. Me të drejtë Zbulesa e paraqit perandorinë botërore të fesë së rreme si një qytet që mban emrin Babilonia e Madhe. (Zbulesa, kapitujt 17, 18) Kudo që hodhi rrënjë, feja e rreme solli priftëri shtypëse, bestytni, injorancë dhe imoralitet. Ajo ka qenë vërtet një vegël e fuqishme në duart e Satanait. Babilonia e Madhe ka luftuar gjithnjë egërsisht kundër adhurimit të vërtetë të Zotërisë Sovran Jehova.

24. (a) Si e plagosi Gjarpri Farën e gruas «në thembër»? (b) Pse kjo përshkruhet vetëm si një plagosje në thembër?

24 Skribët dhe farisenjtë e judaizmit të shekullit të parë, si pjesa më e dënueshme e farës së Gjarprit, qenë të parët që përndoqën e më pas vranë përfaqësuesin kryesor të farës së gruas. Me këtë, Gjarpri ‘e plagosi [farën] në thembër’. (Zanafilla 3:15; Gjoni 8:39-44; Veprat 3:12, 15) Pse kjo përshkruhet thjesht si plagosje në thembër? Sepse ishte për pak kohë, vetëm gjatë periudhës që ishte këtu në tokë. Nuk ishte një plagë që do të mbetej përgjithnjë, sepse Jehovai e ringjalli Jezuin ditën e tretë dhe e lartësoi në jetën frymore.​—Veprat 2:32, 33; 1 Pjetrit 3:18.

25. (a) Si ka ndërmarrë tashmë veprime Jezui kundër Satanait dhe engjëjve të tij? (b) Kur do të shfaroset fara tokësore e Satanait? (c) Çfarë nënkupton shtypja e ‘kokës’ së gjarprit, Satanait, nga Fara e gruas së Perëndisë?

25 Jezu Krishti mori lavdi dhe tani shërben në krahun e djathtë të Jehovait, duke gjykuar armiqtë e tij. Ai tashmë ka ndërmarrë veprime kundër Satanait dhe engjëjve të tij, duke i dëbuar nga qielli e duke e kufizuar fushën e veprimit të tyre në tokë. Kjo shpjegon pse janë shtuar problemet në ditët tona. (Zbulesa 12:9, 12) Megjithatë, ashtu siç është parathënë, fara tokësore e Satanait do të zhduket kur Perëndia të ekzekutojë gjykimin mbi Babiloninë e Madhe dhe mbi gjithë elementët e tjerë të organizatës tokësore të Satanait. Në fund, Fara e gruas së Perëndisë, Jezu Krishti, do t’i shtypë «kokën» Satanait, gjarprit të lashtë dinak, dhe kjo nënkupton zhdukjen e tij e tërheqje të plotë nga çështjet e njerëzimit.​—Romakëve 16:20.

26. Pse është shumë e rëndësishme ta shqyrtojmë profecinë e Zbulesës?

26 Si do të ndodhin të gjitha këto? Këtë na e tregon libri i Zbulesës me një sërë vegimesh të pasura me shenja e simbole mahnitëse. Le ta shqyrtojmë me etje këtë profeci të fuqishme. Po, nëse i dëgjojmë dhe i zbatojmë fjalët e Zbulesës, do të jemi të lumtur! Në këtë mënyrë do të bëjmë pjesën tonë për të nderuar emrin e Zotërisë Sovran Jehova dhe do të trashëgojmë bekimet e tij që do të zgjatin përgjithmonë. Të lutemi të lexosh e të tregosh mençuri, duke e zbatuar atë që mëson. Kjo do të thotë të shpëtosh jetën në këtë kohë vendimtare të historisë së njerëzimit.

[Pyetjet]

[Kutia dhe figura në faqen 13]

Veprime tregtare të lashta me shkrim kuneiform

Një libër (Ancient Near Eastern Texts), botuar nga Xhejms Pritçardi, rendit rreth 300 ligje të hartuara nga Hamurabi, mbret i Babilonisë. Ato tregojnë se duhej ndalur pandershmëria e shfaqur sheshit që me sa duket mbizotëronte në botën tregtare të asaj kohe. Ja një shembull: «Nëse një zotëri ka blerë ose ka marrë nën ruajtje argjend, ar, skllav, skllave, dem, dele, gomar ose çfarëdolloj gjëje tjetër nga dora e djalit ose skllavit të një zotërie tjetër pa dëshmitar ose kontratë, ai është hajdut, dhe si i tillë duhet të vritet.»