Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Vajtim dhe gëzim për fundin e Babilonisë

Vajtim dhe gëzim për fundin e Babilonisë

Kapitulli 37

Vajtim dhe gëzim për fundin e Babilonisë

1. Si do ta presin «mbretërit e tokës» shkatërrimin e beftë të Babilonisë së Madhe?

FUNDI i Babilonisë do të jetë lajm i mirë për popullin e Jehovait, por si do të jetë për kombet? Gjoni tha: «Mbretërit e tokës, që u kurvëruan me të dhe jetuan në luks të shfrenuar, do të qajnë e do të godasin gjoksin me hidhërim për të, kur të shohin tymin e djegies së saj, ndërsa rrinë larg, nga frika e mundimit të saj dhe thonë: ‘Mjerë, mjerë qyteti i madh, Babilonia, qyteti i fortë, sepse në një orë të vetme erdhi gjykimi yt!’»​—Zbulesa 18:9, 10.

2. (a) Pse «mbretërit e tokës» do të hidhërohen për fundin e Babilonisë së Madhe, megjithëse atë do ta shkatërrojnë «dhjetë brirët» e bishës me ngjyrë të kuqe të ndezur? (b) Pse mbretërit e pikëlluar do t’i rrinë larg qytetit të dënuar?

2 Ky reagim i kombeve të çudit, pasi Babilonia do të shkatërrohet nga «dhjetë brirët» e bishës me ngjyrë të kuqe të ndezur. (Zbulesa 17:16) Por, kur Babilonia të mos jetë më, «mbretërit e tokës» me sa duket do ta kuptojnë sa punë u bënte për të qetësuar popullin dhe për ta mbajtur të nënshtruar. Klerikët i shpallnin luftërat të shenjta, bënin punën e oficerëve të rekrutimit dhe u bënin moral të rinjve të shkonin në front. Feja u siguronte qeveritarëve të korruptuar një petk «shenjtërie» pas të cilit fshiheshin për të shtypur njerëzit e thjeshtë. (Krahaso Jereminë 5:30, 31; Mateun 23:27, 28.) Mirëpo, këta mbretër të pikëlluar tani do t’i rrinë larg qytetit të dënuar. Nuk do t’i afrohen që t’i shkojnë në ndihmë. Do t’u vijë keq që e shohin të shkatërruar, por jo aq sa të rrezikojnë për të.

Tregtarët qajnë e vajtojnë

3. Kujt tjetër do t’i vijë keq për zhdukjen e Babilonisë së Madhe dhe për cilat arsye, sipas fjalëve të Gjonit?

3 Mbretërit e tokës nuk do të jenë të vetmit që do t’u vijë keq për zhdukjen e Babilonisë së Madhe. «Edhe tregtarët shëtitës të tokës qajnë e vajtojnë për të, sepse nuk ka më kush t’ua blejë gjithë mallrat, të gjitha mallra prej ari e argjendi, gurë të çmuar e margaritarë, li të hollë dhe të purpurta, mëndafsh e copë të kuqe të ndezur; çdo gjë prej druri erëmirë, çdo lloj sendi prej fildishi, çdo lloj sendi prej druri shumë të çmuar, prej bakri, hekuri dhe mermeri; po ashtu edhe kanellë, erëza Indie, temjan, vaj aromatik, temjan të bardhë, verë, vaj ulliri, majë mielli, grurë, bagëti, dele, kuaj, qerre, skllevër dhe shpirtra njerëzish. Po, fryti i pjekur, që dëshironte shpirti yt, iku prej teje [Babilonisë së Madhe] dhe gjithçka e zgjedhur e luksoze mori fund për ty, e askush s’ka për t’i gjetur më kurrë.»​—Zbulesa 18:11-14.

4. Pse «tregtarët shëtitës» do të qajnë e do të vajtojnë për fundin e Babilonisë së Madhe?

4 Po, Babilonia e Madhe ka qenë një mikeshë e ngushtë dhe kliente e mirë për tregtarët e kamur. Për shembull, kuvendet, manastiret dhe kishat e krishterimit apostat kanë grumbulluar gjatë shekujve sasi të pallogaritshme ari, argjendi, gurësh e drurësh të çmuar, si dhe pasuri të tjera. Veç kësaj, feja u ka dhënë bekimin shpenzimeve pa kufi dhe gostive të shfrenuara me pije, të cilat shoqërojnë Krishtlindjet që çnderojnë Krishtin dhe ditë të tjera gjoja të shenjta. Misionarët e «krishterimit» kanë çarë rrugën për në vende të largëta, duke u hapur tregje të reja ‘tregtarëve shëtitës’ të botës. Në Japoni, katolicizmi që kishte mbërritur bashkë me tregtarët, futi hundët edhe në luftërat feudale të shekullit të 17-të. Ja çfarë thuhet në një enciklopedi për një betejë vendimtare të zhvilluar rrëzë mureve të kalasë së Osakës: «Trupat e Tokugavës u gjendën përballë një armiku, flamujt e të cilit kishin shenjën e kryqit dhe figura të Shpëtimtarit e të Shën Jakovit, shenjtit mbrojtës të Spanjës.» (The Encyclopædia Britannica) Pala fituese përndoqi dhe zhduku nga faqja e dheut katolicizmin në atë vend. Po njësoj sot, kisha s’do të nxjerrë asnjë dobi duke marrë pjesë në çështjet e botës.

5. (a) Si e përshkroi zëri nga qielli vajtimin e ‘tregtarëve shëtitës’? (b) Pse edhe tregtarët «do të rrinë larg»?

5 Zëri nga qielli vazhdoi të thoshte: «Tregtarët shëtitës të këtyre gjërave, që u pasuruan prej saj, do të rrinë larg nga frika e mundimit të saj dhe do të qajnë e do të vajtojnë: ‘Mjerë, mjerë qyteti i madh, i veshur me li të hollë, me të purpurta e me të kuqe të ndezur, dhe plot stoli ari, gurësh të çmuar e margaritarësh, sepse në një orë të vetme u shkatërrua një pasuri kaq e madhe!’» (Zbulesa 18:15-17a) Pas shkatërrimit të Babilonisë së Madhe, «tregtarët» do të vajtojnë për humbjen e kësaj partnereje. Vërtet, «mjerë, mjerë» edhe për ta! Megjithatë, s’duhet lënë pa përmendur se ata do të vajtojnë për arsye krejtësisht egoiste, dhe se, njësoj si mbretërit, «do të rrinë larg». Nuk do t’i afrohen Babilonisë së Madhe që t’i shkojnë në ndihmë.

6. Si e përshkroi zëri nga qielli vajtimin e kapitenëve të anijeve e të detarëve dhe pse do të qajnë?

6 Tregimi vazhdon: «Çdo kapiten anijeje, të gjithë ata që lundrojnë, detarët dhe të gjithë ata që sigurojnë jetesën prej detit, rrinin larg e thërritnin, teksa shihnin tymin e djegies së saj: ‘E ku ka qytet që t’i përngjajë qytetit të madh?!’ Ata hodhën pluhur mbi kokë dhe, duke qarë e vajtuar, thërritën: ‘Mjerë, mjerë qyteti i madh, ku falë salltaneteve të saj, u pasuruan të gjithë ata që kanë anije në det, sepse në një orë të vetme u shkretua!’» (Zbulesa 18:17b-19) Babilonia e lashtë ishte një qytet tregtar me një flotë të madhe anijesh. Edhe Babilonia e Madhe bën tregti të madhe falë ‘ujërave të shumta’, domethënë, besnikëve të saj. Kjo u siguron punësim shumë prej ithtarëve të saj fetarë. Ç’goditje financiare do të sjellë shkatërrimi i Babilonisë së Madhe për ta! Burim të ardhurash si ajo s’kanë për të gjetur më.

Disa gëzohen për zhdukjen e saj

7, 8. Kur do të arrijë kulmin zëri nga qielli që do të japë mesazhin për Babiloninë e Madhe dhe cilët do të bashkohen me ato fjalë?

7 Ja çfarë paratha Jeremia për kohën kur Babilonia e lashtë do të pushtohej nga medët: «Qiejt, toka dhe gjithçka është në ta do të lëshojnë britma gëzimi për shkak të Babilonisë.» (Jeremia 51:48) Pas shkatërrimit të Babilonisë së Madhe, mesazhi do të arrijë kulmin kur zëri nga qielli të thotë lidhur me të: «Gëzo për atë që i ndodhi asaj, o qiell, edhe ju të shenjtë, ju apostuj dhe ju profetë, sepse për hirin tuaj Perëndia kërkoi ndëshkimin e saj me gjyq!» (Zbulesa 18:20) Jehovai dhe engjëjt do të kënaqen kur të shohin shfarosjen e kësaj armikeje të lashtë. Po njësoj do të kënaqen edhe apostujt dhe profetët e parë të krishterë, që tani janë të ringjallur dhe kanë zënë vendet e tyre në strukturën e 24 pleqve.​—Krahaso Psalmin 97:8-12.

8 Pa dyshim, të gjithë ‘të shenjtët’, si ata që janë ringjallur në qiell, edhe ata që janë ende gjallë në tokë, do të brohorasin me gëzim. Me ta do të bashkohet edhe shumica e madhe e deleve të tjera që shoqërohet me ta. Kur të vijë koha, të gjithë besnikët e lashtësisë do të ringjallen në një sistem të ri, e do të gëzojnë bashkë me të tjerët. Shërbëtorët e Perëndisë nuk janë munduar kurrë të hakmerren ndaj anëtarëve të feve të rreme që i kanë përndjekur. Përkundrazi, kanë kujtuar gjithnjë fjalët e Jehovait: «‘Hakmarrja më përket mua, unë do të shpaguaj’,​—thotë Jehovai.» (Romakëve 12:19; Ligji i përtërirë 32:35, 41-43) E pra, Jehovai do t’i shpaguajë. Do të merret hak për gjithë gjakun që ka derdhur Babilonia e Madhe.

Një gur mulliri hidhet në det

9, 10. (a) Çfarë tha dhe bëri një engjëll i fortë? (b) Ç’veprim i ngjashëm me atë të engjëllit të fortë të Zbulesës 18:21 ndodhi në kohën e Jeremisë, dhe çfarë garantonte? (c) Çfarë garanton veprimi i engjëllit të fortë që pa Gjoni?

9 Ajo që pa Gjoni më pas vërteton se gjykimi i Jehovait mbi Babiloninë e Madhe do të jetë përfundimtar. «Një engjëll i fortë ngriti një gur që ngjante si gur mulliri, dhe e hodhi në det, duke thënë: ‘Ja, po kaq vrullshëm, do të flaket tej Babilonia, qyteti i madh, dhe s’do të gjendet më kurrë.’» (Zbulesa 18:21) Një veprim i ngjashëm me domethënie të fuqishme profetike u krye edhe në kohën e Jeremisë. Jeremia u frymëzua nga Perëndia të shkruante në një libër «tërë gjëmën që do të vinte mbi Babiloninë». Ai ia dha librin Serajahut dhe i tha të shkonte në Babiloni. Atje, sipas udhëzimeve të Jeremisë, Serajahu lexoi një shpallje kundër qytetit: «O Jehova, ti vetë ke folur kundër këtij vendi për ta zhdukur, që të mos ketë banor në të, as njerëz e as kafshë shtëpiake, por që të bëhet shkreti brez pas brezi.» Pastaj, Serajahu e lidhi librin me një gur dhe e hodhi në lumin Eufrat, duke thënë: «Kështu do të fundoset Babilonia dhe nuk do të ngrihet më kurrë, nga gjëma që do të sjell mbi të.»​—Jeremia 51:59-64.

10 Lidhja e librit me një gur dhe hedhja e tij në lumë, garantonte se Babilonia do të kridhej në harresë e s’do të nxirrte më krye. I njëjti veprim i kryer nga engjëlli i fortë që pa Gjoni, është një garanci e fuqishme se qëllimi i Jehovait për Babiloninë e Madhe do të përmbushet. Kur e shohim sot plotësisht të rrënuar Babiloninë e lashtë, nuk hamendemi aspak ç’do t’i ndodhë së shpejti fesë së rreme.

11, 12. (a) Si iu drejtua engjëlli i fortë Babilonisë së Madhe? (b) Ç’profetizoi Jeremia për Jerusalemin apostat dhe si do të përmbushet ajo profeci në ditët tona?

11 Më pas, engjëlli i fortë iu drejtua Babilonisë së Madhe: «Zëri i këngëtarëve që shoqërohen me harpa, i flautistëve, i trumbetarëve dhe i muzikantëve të tjerë nuk do të dëgjohet më kurrë te ti, asnjë artizan i çfarëdo zanati nuk do të gjendet më te ti, asnjë zhurmë gurësh mulliri nuk do të dëgjohet më te ti, asnjë dritë llambe nuk do të ndriçojë më te ti dhe asnjë zë dhëndri e nuseje nuk do të dëgjohet më te ti. Kjo do të ndodhë sepse tregtarët e tu shëtitës ishin paria e tokës dhe sepse praktikat e tua spiritiste mashtruan të gjitha kombet.»​—Zbulesa 18:22, 23.

12 Jeremia profetizoi për Jerusalemin apostat me terma të ngjashëm: «Do të shuaj nga ata zërin e ngazëllimit e të gëzimit, zërin e dhëndrit e të nuses, zhurmën e mokrës dhe dritën e llambës. I gjithë ky vend do të bëhet një shkreti, për të ngjallur habi.» (Jeremia 25:10, 11) Krishterimi apostat, si pjesa kryesore e Babilonisë së Madhe, do të kthehet në një rrënojë të pajetë, siç përshkruhet në mënyrë aq të gjallë nga gjendja e shkretë e Jerusalemit pas vitit 607 p.e.s. Krishterimi apostat, që dikur gëzonte moskokëçarës e gumëzhinte nga aktivitetet e përditshme, do ta shohë veten të mposhtur e të braktisur.

13. Ç’ndryshim të befasishëm do të pësojë Babilonia e Madhe dhe si do të ndikojë kjo te «tregtarët shëtitës»?

13 Vërtet, siç i tha edhe engjëlli Gjonit, tërë Babilonia e Madhe do të shndërrohet nga një perandori e fuqishme ndërkombëtare në një shkretëtirë shterpë e të pajetë. «Tregtarët shëtitës» të saj, ku bëjnë pjesë edhe miliarderë të mëdhenj, kanë përdorur fetë e saj për përfitim ose për maskim. Klerit, nga ana e tij, i ka leverdisur që ka qenë në qendër të vëmendjes bashkë me ta. Mirëpo, tregtarët s’do ta kenë më ortake Babiloninë e Madhe. Ajo s’do t’ua hedhë më kombeve të tokës me praktikat e saj mistike fetare.

Një faj gjaku i tmerrshëm

14. Sipas engjëllit të fortë, për ç’arsye gjykimi i Jehovait do të jetë i ashpër? Cilat fjalë të ngjashme tha Jezui kur ishte në tokë?

14 Në fund, engjëlli i fortë shpjegoi pse Jehovai do ta gjykonte kaq ashpër Babiloninë e Madhe. «Po,​—tha engjëlli,​—në atë qytet u gjend gjaku i profetëve, i të shenjtëve dhe i tërë atyre që u vranë pa mëshirë mbi tokë.» (Zbulesa 18:24) Kur ishte në tokë, Jezui u tha udhëheqësve fetarë në Jerusalem se ata do të jepnin llogari për ‘gjithë gjakun e të drejtëve, që është derdhur mbi tokë, nga gjaku i Abelit të drejtë’ e më pas. Në përputhje me këto fjalë, ai brez dredharak u shkatërrua në vitin 70 të e.s. (Mateu 23:35-38) Në ditët tona, një brez tjetër krerësh fetarë mban mbi vete faj gjaku, pasi ka përndjekur shërbëtorët e Perëndisë.

15. Në ç’kuptim Kisha Katolike në Gjermaninë naziste ishte fajtore gjaku në dy aspekte?

15 Në një libër të tij, Gynter Levi shkruan: «Kur Dëshmitarët e Jehovait u ndaluan në Bavari më 13 prill [1933], Kisha pranoi detyrën nga Ministria e Arsimit dhe e Fesë të raportonte për çdo anëtar të këtij sekti që vazhdonte të praktikonte këtë fe të ndaluar.» (The Catholic Church and Nazi Germany) Pra, Kisha Katolike mban pjesën e vet të përgjegjësisë për internimin e mijëra Dëshmitarëve nëpër kampet e përqendrimit. Ata i kanë duart të përlyera me gjakun e qindra Dëshmitarëve që u ekzekutuan. Pasi Dëshmitarët e rinj si Vilhelm Kuserovi treguan se kishin aq guxim sa të vdisnin para togës së pushkatimit, Hitleri vendosi se pushkatimi nuk ishte edhe aq i dhimbshëm për ata që kundërshtonin për arsye të ndërgjegjes. Kështu, vëllai 20-vjeçar i Vilhelmit, Volfgangu vdiq në gijotinë. Në këtë kohë, Kisha Katolike i nxiste të rinjtë katolikë gjermanë të vdisnin në luftë për atdheun. Shihet fare qartë se kisha mban faj gjaku.

16, 17. (a) Për cilat gjakderdhje është përgjegjëse Babilonia e Madhe? Pse Vatikani mban faj gjaku për hebrenjtë që vdiqën në masakrat naziste? (b) Cila është një arsye pse feja e rreme duhet fajësuar për vrasjen e miliona njerëzve në qindra luftëra që po zhvillohen në kohën tonë?

16 Por profecia thoshte se Babilonia e Madhe ishte përgjegjëse për gjakun e «tërë atyre që u vranë pa mëshirë mbi tokë». Kjo ka qenë shumë e vërtetë në ditët e sotme. Për shembull, meqenëse Kisha Katolike ndihmoi me intrigat e saj Hitlerin të hipte në pushtet në Gjermani, Vatikani mban një faj të tmerrshëm gjaku lidhur me masakrimin e 6 milionë hebrenjve që vdiqën nga shfarosjet e organizuara të nazistëve. Gjithashtu, në ditët tona janë vrarë mbi 100 milionë njerëz në qindra luftëra. A duhet fajësuar feja për këtë? Po, për dy arsye.

17 E para, sepse shumë luftëra lidhen me ndryshimet fetare. Për shembull, shkak për dhunën në Indi mes myslimanëve dhe hinduistëve në vitet 1946-1948 ishte feja. Kjo shkaktoi vdekjen e qindra mijë njerëzve. Konflikti mes Irakut dhe Iranit në vitet 80 të shekullit të 20-të, ku humbën jetën qindra mijë vetë, kishte të bënte me ndryshimet sektare. Dhuna mes katolikëve dhe protestantëve në Irlandën e Veriut ka shkaktuar mijëra viktima. Duke analizuar këtë fushë, gazetari Kir Sulzberger tha në vitin 1976: «E vërteta e hidhur është se ndoshta gjysma ose më shumë luftëra që po zhvillohen në këtë kohë në mbarë botën janë ose konflikte krejtësisht fetare, ose grindje ku janë implikuar fetë.» Faktikisht, kështu ka qenë gjatë gjithë historisë së trazuar të Babilonisë së Madhe.

18. Cila është arsyeja e dytë pse fetë e botës mbajnë faj gjaku?

18 Cila është arsyeja e dytë? Në sytë e Jehovait, fetë e botës mbajnë faj gjaku, sepse nuk u kanë mësuar në mënyrë bindëse ithtarëve të tyre të vërtetën lidhur me çfarë kërkon Perëndia nga shërbëtorët e tij. Nuk u kanë mësuar në mënyrë bindëse njerëzve se adhuruesit e vërtetë të Perëndisë duhet të imitojnë Jezu Krishtin dhe të tregojnë dashuri ndaj të tjerëve, pavarësisht se nga vijnë. (Mikea 4:3, 5; Gjoni 13:34, 35; Veprat 10:34, 35; 1 Gjonit 3:10-12) Përderisa fetë e Babilonisë së Madhe nuk i kanë mësuar këto gjëra, ithtarët e tyre i ka marrë me vete vorbulla e luftërave ndërkombëtare. Kjo u duk qartë në dy luftërat botërore të gjysmës së parë të shekullit të 20-të, të cilat zunë fill të dyja në vendet ku vepron krishterimi dhe çuan në vrasjen e bashkëfetarëve me njëri-tjetrin. Nëse të gjithë ata që i thoshin vetes të krishterë do të kishin ndjekur parimet e Biblës, ato luftëra nuk do të kishin ndodhur kurrë.

19. Ç’faj vërtet të tmerrshëm gjaku mban mbi vete Babilonia e Madhe?

19 Jehovai ia vë fajin për gjithë këtë gjakderdhje Babilonisë së Madhe. Nëse krerët fetarë, sidomos ata të krishterimit apostat, do t’u kishin mësuar njerëzve të vërtetën e Biblës, këto masakra nuk do të kishin ndodhur kurrë. Vërtet, drejtpërdrejt ose jo, Babilonia e Madhe, prostituta e madhe dhe perandoria botërore e fesë së rreme, duhet t’i japë llogari Jehovait jo vetëm për ‘gjakun e profetëve dhe të të shenjtëve’, që i ka përndjekur dhe vrarë, por edhe për gjakun e «tërë atyre që u vranë pa mëshirë mbi tokë». Babilonia e Madhe mban mbi vete një faj vërtet të tmerrshëm gjaku. Shyqyr që do të shkatërrohet njëherë e përgjithmonë!

[Pyetjet]

[Kutia në faqen 270]

Çmimi i kompromisit

Gynter Levi shkroi në një libër të vetin: «Sikur katolicizmi gjerman të kishte ndjekur që nga fillimi një politikë të vendosur kundër regjimit nazist, me shumë gjasa historia botërore do të kishte marrë një drejtim krejt të ndryshëm. Edhe sikur në fund të fundit kjo betejë të mos arrinte të mundte Hitlerin e të parandalonte krimet e tij të shumta, gjithsesi ajo do ta kishte rritur prestigjin moral të Kishës në një masë të paparë. S’ka dyshim që kjo rezistencë do të kishte kushtuar shumë jetë njerëzish, por, të paktën, këto sakrifica do të ishin bërë në emër të kauzës më të madhe. Po të kishte ndier pasiguri në frontin e brendshëm, ndoshta Hitleri nuk do të kishte guxuar të niste luftën e miliona jetë njerëzish do të kishin shpëtuar. . . . Ndërkohë që mijëra gjermanë antinazistë torturoheshin për vdekje në kampet e përqendrimit të Hitlerit, ndërkohë që inteligjencia polake masakrohej, ndërkohë që qindra mijë rusë vdisnin ngaqë trajtoheshin si Untermenschen [nënnjerëz] sllavë dhe ndërkohë që 6.000.000 qenie njerëzore vriteshin ngaqë ‘nuk ishin arianë’, zyrtarë të Kishës Katolike në Gjermani mbështetnin regjimin që kryente krime të tilla. Në Romë, papa, kreu shpirtëror dhe mësuesi suprem moral i Kishës Katolike Romake, heshtte.»​—The Catholic Church and Nazi Germany, faqet 320, 341.

[Figura në faqen 268]

«Mjerë, mjerë»,​—do të thonë udhëheqësit politikë

[Figura në faqen 268]

«Mjerë, mjerë»,​—do të thonë tregtarët