Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Veprat e Jehovait janë të mëdha e të mrekullueshme

Veprat e Jehovait janë të mëdha e të mrekullueshme

Kapitulli 31

Veprat e Jehovait janë të mëdha e të mrekullueshme

Vegimi 10​—Zbulesa 15:1–16:21

Subjekti: Jehovai në shenjtëroren e tij; në tokë derdhen shtatë kupat e zemërimit të tij

Koha e përmbushjes: Nga viti 1919 deri në Harmagedon

1, 2. (a) Cila ishte shenja e tretë për të cilën foli Gjoni? (b) Cilin rol të engjëjve kanë ditur prej kohësh shërbëtorët e Perëndisë?

NJË grua që lind një djalë! Një dragua i madh që kërkon të gllabërojë fëmijën! Këto dy shenja qiellore, që përshkruhen në mënyrë të gjallë në kapitullin 12 të Zbulesës, na kanë ndihmuar të kuptojmë se armiqësia shekullore mes Farës së gruas së Perëndisë dhe Satanait e farës së tij demonike, ka arritur kulmin. Gjoni na e drejtoi vëmendjen te këto dy simbole me fjalët: «Një shenjë e madhe u duk në qiell . . . Një tjetër shenjë u duk.» (Zbulesa 12:1, 3, 7-12) Më pas, ai foli për një shenjë të tretë: «Unë pashë në qiell një shenjë tjetër, të madhe e të mrekullueshme: shtatë engjëj me shtatë plagë. Këto janë të fundit, sepse me to mori fund zemërimi i Perëndisë.» (Zbulesa 15:1) Edhe kjo shenjë e tretë ka një domethënie jashtëzakonisht të rëndësishme për shërbëtorët e Jehovait.

2 A e vure re rolin e rëndësishëm që do të luanin edhe kësaj here engjëjt në kryerjen e vullnetit të Perëndisë? Shërbëtorët e Jehovait e kanë ditur këtë prej kohësh. Në fakt, shkrimtari i lashtë i Psalmeve i nxiti engjëjt nën frymëzim: «Bekoni Jehovain, ju, o engjëjt e tij shumë të fuqishëm, që përmbushni fjalën e tij, dhe u bindeni fjalëve që thotë ai.» (Psalmi 103:20) Në këtë skenë të re, disa engjëj morën si detyrë të derdhnin shtatë plagët e fundit.

3. Çfarë janë shtatë plagët dhe çfarë lajmëron derdhja e tyre?

3 Çfarë janë këto plagë? Njësoj si shtatë trumbetat, ato janë gjykime të ashpra që bëjnë të njohur çfarë mendon Jehovai për elementet e ndryshme të kësaj bote dhe paralajmërojnë për pasojat e vendimeve të tij gjyqësore. (Zbulesa 8:1–9:21) Derdhja e plagëve lajmëron ekzekutimin e këtyre gjykimeve, çastin kur Jehovai të shkatërrojë ata që do të provojnë furinë e tij ditën e zemërimit të tij të zjarrtë. (Isaia 13:9-13; Zbulesa 6:16, 17) Pra, me këto plagë ‘merr fund zemërimi i Perëndisë’. Megjithatë, para se të përshkruante derdhjen e plagëve, Gjoni foli për disa njerëz që nuk do të prekeshin prej tyre. Këta besnikë që nuk kanë pranuar të kenë damkën e bishës, i këndojnë lavdi Jehovait, duke shpallur ditën e tij të hakmarrjes.​—Zbulesa 13:15-17.

Kënga e Moisiut dhe e Qengjit

4. Çfarë u shpalos para syve të Gjonit?

4 Para syve të Gjonit u shpalos një panoramë e paparë: «Pashë një si det të qelqtë, të përzier me zjarr, dhe pashë ata që dalin fitimtarë mbi bishën, shëmbëlltyrën e saj dhe numrin e emrit të saj, tek qëndronin në këmbë pranë detit të qelqtë, me harpat e Perëndisë.»​—Zbulesa 15:2.

5. Ç’paraqit ‘deti i qelqtë i përzier me zjarr’?

5 ‘Deti i qelqtë’, i përmendur në këtë varg, ishte i njëjti që kishte parë Gjoni më parë, para fronit të Perëndisë. (Zbulesa 4:6) Ai ngjante me «detin prej metali të derdhur», (një enë e madhe uji), në tempullin e Solomonit, ku priftërinjtë merrnin ujë për t’u pastruar. (1 Mbretërve 7:23) Pra, ai paraqit më së miri ‘larjen me ujë’, domethënë Fjalën e Perëndisë, me anë të së cilës Jezui pastron kongregacionin priftëror të të krishterëve të mirosur. (Efesianëve 5:25, 26; Hebrenjve 10:22) Deti i qelqtë ishte ‘i përzier me zjarr’, gjë që tregon se këta të mirosur sprovohen e pastrohen, ndërsa u binden normave të larta që janë përcaktuar për ta. Gjithashtu, na kujton se në Fjalën e Perëndisë gjenden edhe gjykime të zjarrta të Jehovait kundër armiqve të tij. (Ligji i përtërirë 9:3; Sofonia 3:8) Disa prej tyre bëhen të njohura në shtatë plagët e fundit që ishin gati për t’u derdhur.

6. (a) Cilët ishin këngëtarët që qëndronin para detit të qelqtë në qiell dhe si e dimë? (b) Në ç’kuptim ‘kanë dalë fitimtarë’?

6 Fakti që detin prej metali të derdhur në tempullin e Solomonit e përdornin priftërinjtë, tregon se këngëtarët që qëndronin para detit të qelqtë në qiell, ishin një klasë priftërore. Ata kishin «harpat e Perëndisë», prandaj i lidhim menjëherë me 24 pleqtë dhe 144.000 të mirosurit, pasi edhe këto grupe këndonin me harpë. (Zbulesa 5:8; 14:2) Këngëtarët që pa Gjoni ‘dilnin fitimtarë mbi bishën, shëmbëlltyrën e saj dhe numrin e emrit të saj’. Pra, ata duhet të jenë anëtarë të 144.000 të mirosurve që jetojnë në tokë gjatë ditëve të fundit. Si grup, ata kanë dalë vërtet fitimtarë. Për pothuaj 90 vjet, duke filluar nga viti 1919, ata nuk kanë pranuar të marrin damkën e bishës ose të shohin te shëmbëlltyra e saj shpresën e vetme të njeriut për paqe. Shumë prej tyre kanë qëndruar besnikë gjer në vdekje, dhe atje ku janë tani, në qiell, dëgjojnë pa dyshim me shumë ëndje këngën e vëllezërve të tyre që janë ende në tokë.​—Zbulesa 14:11-13.

7. Si përdorej harpa në Izraelin e lashtë dhe si duhet të ndikojë te ne përmendja e harpave të Perëndisë në vegimin e Gjonit?

7 Këta fitimtarë besnikë kishin harpat e Perëndisë. Në këtë aspekt ata ishin si levitët e lashtë që adhuronin Jehovain në tempull, duke kënduar me harpa. Disa madje profetizuan nën tingullin e harpës. (1 Kronikave 15:16; 25:1-3) Akordet e bukura të harpës ua shtonin bukurinë këngëve të gëzueshme, si dhe lutjeve të lavdërimit e të falënderimit që Izraeli i drejtonte Jehovait. (1 Kronikave 13:8; Psalmi 33:2; 43:4; 57:7, 8) Në kohë dëshpërimi ose robërie, harpa nuk dëgjohej. (Psalmi 137:2) Përmendja e harpave të Perëndisë në këtë vegim duhet të ngjallë tek ne pritjen për një këngë lavdie e falënderimi të hareshme e triumfuese për Perëndinë tonë. *

8. Cila këngë po këndohej dhe cilat ishin fjalët e këngës?

8 Ja si e përshkroi Gjoni atë këngë: «Ata këndojnë këngën e Moisiut, skllavit të Perëndisë, dhe këngën e Qengjit, duke thënë: ‘Të mëdha e të mrekullueshme janë veprat e tua, o Perëndi Jehova, o i Plotfuqishëm! Të drejta e të besueshme janë udhët e tua, o Mbret i përjetësisë! Kush nuk do të ketë frikë nga ti, o Jehova, dhe nuk do t’i japë lavdi emrit tënd? Sepse vetëm ti je besnik! Sepse të gjitha kombet do të vijnë e do të adhurojnë para teje, pasi ato e panë qartë drejtësinë e dekreteve të tua.’»​—Zbulesa 15:3, 4.

9. Pse kënga është quajtur edhe ‘kënga e Moisiut’?

9 Fitimtarët këndonin «këngën e Moisiut», domethënë një këngë të ngjashme me atë që këndoi Moisiu në rrethana të ngjashme. Pasi panë me sytë e tyre dhjetë plagët që goditën Egjiptin dhe shpartallimin e ushtrisë egjiptiane në Detin e Kuq, izraelitët me Moisiun në krye ia morën një kënge lavdie triumfuese për Jehovain me këto fjalë: «Jehovai do të mbretërojë në kohë të pafundme, po, përgjithmonë.» (Dalja 15:1-19) Është shumë me vend që edhe këngëtarët e vegimit të Gjonit, ata që kanë dalë fitimtarë mbi bishën dhe janë përfshirë në shpalljen e shtatë plagëve të fundit, t’i këndojnë «Mbretit të përjetësisë».​—1 Timoteut 1:17.

10. Cila ishte kënga tjetër që kompozoi Moisiu dhe si lidhet strofa e fundit e saj me shumicën e madhe sot?

10 Kur Izraeli po përgatitej të pushtonte Kanaanin, Moisiu, në atë kohë i moshuar, në një këngë tjetër të kompozuar prej tij, i tha kombit: «Emrin e Jehovait do të shpall. Pranoni madhështinë e Perëndisë tonë!» Strofa e fundit e kësaj kënge inkurajoi edhe joizraelitët në atë kohë, ndërsa sot, ato fjalë të frymëzuara të Moisiut përfshijnë edhe shumicën e madhe: «Gëzoni, ju kombe, me popullin e tij.» Pse duhet të gëzojnë? Sepse Jehovai «do të marrë hak për gjakun e shërbëtorëve të vet, do t’ua shpaguajë kundërshtarëve të tij». Ekzekutimi i këtij gjykimi të drejtë do t’u sjellë gëzim të gjithë atyre që shpresojnë te Jehovai.​—Ligji i përtërirë 32:3, 43; Romakëve 15:10-13; Zbulesa 7:9.

11. Si vazhdon të përmbushet kënga që dëgjoi Gjoni?

11 Sa i gëzuar do të kishte qenë Moisiu, sikur të kishte jetuar në kohën tonë gjatë ditës së Zotërisë, që të këndonte bashkë me korin qiellor: «Të gjitha kombet do të vijnë e do të adhurojnë para teje.» Kjo këngë që të ngre peshë vazhdon të përmbushet në mënyrë të mrekullueshme edhe në ditët tona, teksa shohim jo thjesht një vegim, por një realitet të gjallë​—miliona njerëz që vijnë nga ‘kombet’ po vërshojnë tërë gëzim drejt organizatës së Jehovait në tokë.

12. Pse kënga e fitimtarëve quhet edhe ‘kënga e Qengjit’?

12 Sidoqoftë, kjo s’është vetëm kënga e Moisiut, por edhe «e Qengjit». Në ç’kuptim? Moisiu ishte profeti i Jehovait për Izraelin, por vetë ai profetizoi se Jehovai do të sillte një profet tjetër si Moisiu. Ky profet doli se ishte Qengji, Jezu Krishti. Moisiu ishte ‘skllavi i Perëndisë’, kurse Jezui ishte Biri i Perëndisë, në fakt, Moisiu i Madh. (Ligji i përtërirë 18:15-19; Veprat 3:22, 23; Hebrenjve 3:5, 6) Pra, këngëtarët po këndonin edhe «këngën e Qengjit».

13. (a) Në ç’kuptim Jezui, edhe pse më i madh se Moisiu, është një profet si ai? (b) Si mund të bashkohemi me këngëtarët?

13 Njësoj si Moisiu, Jezui i këndoi publikisht lavdi Perëndisë dhe paratha fitoren e Tij mbi të gjithë armiqtë e vet. (Mateu 24:21, 22; 26:30; Luka 19:41-44) Edhe Jezui priti me padurim kohën kur kombet do të vërshonin për të lavdëruar Jehovain, dhe si «Qengji i Perëndisë» që ofroi veten, ai hoqi dorë nga jeta e tij njerëzore për ta bërë të mundur këtë. (Gjoni 1:29; Zbulesa 7:9; krahaso Isainë 2:2-4; Zakarinë 8:23.) Ashtu si Moisiu e çmoi dhe e lartësoi emrin e Perëndisë Jehova, edhe Jezui e bëri të njohur emrin e Tij. (Dalja 6:2, 3; Psalmi 90:1, 17; Gjoni 17:6) Përderisa Jehovai është besnik, premtimet e tij të lavdishme do të përmbushen me siguri. Ndaj, të bashkuar me këta këngëtarë besnikë, me Qengjin dhe me Moisiun, pa pikë dyshimi pajtohemi me fjalët e këngës: «Kush nuk do të ketë frikë nga ti, o Jehova, dhe nuk do t’i japë lavdi emrit tënd?»

Engjëjt me kupa

14. Cilët pa Gjoni të dilnin nga shenjtërorja dhe çfarë iu dha atyre?

14 Është me vend ta dëgjojmë këngën e këtyre fitimtarëve të mirosur. Pse? Sepse ata kanë shpallur në tokë gjykimet që mbajnë kupat plot me zemërimin e Perëndisë. Megjithatë, derdhja e këtyre kupave nuk ka të bëjë vetëm me njerëzit, pasi Gjoni vazhdoi me fjalët: «Pas këtyre gjërave, pashë që u hap në qiell shenjtërorja e tendës së dëshmisë, dhe shtatë engjëjt me shtatë plagët dolën nga shenjtërorja. Ata ishin veshur me li të pastër e të shndritshëm, dhe kishin ngjeshur rreth gjoksit breza prej ari. Një nga katër krijesat e gjalla u dha shtatë engjëjve shtatë kupa ari, plot me zemërimin e Perëndisë, që rron në jetë të jetëve.»​—Zbulesa 15:5-7.

15. Pse s’habitemi që Gjoni i pa shtatë engjëjt të dilnin nga shenjtërorja?

15 Në kohën e tempullit izraelit, ku kishte elemente që simbolizonin gjërat qiellore, vetëm kryeprifti mund të hynte në Më të Shenjtën, që këtu quhet «shenjtërorja». (Hebrenjve 9:3, 7) Ajo përfaqëson vendin në qiell ku ndodhet Jehovai. Megjithatë, në qiell, para Jehovait, nuk e ka privilegjin për të hyrë vetëm Kryeprifti Jezu Krisht, por edhe engjëjt. (Mateu 18:10; Hebrenjve 9:24-26) Pra, s’habitemi që Gjoni i pa shtatë engjëjt të dilnin nga shenjtërorja në qiell. Atyre u ishte ngarkuar një detyrë nga vetë Perëndia Jehova: të derdhnin kupat e mbushura plot me zemërimin e Perëndisë.​—Zbulesa 16:1.

16. (a) Ç’tregon se shtatë engjëjt ishin më se të denjë për të kryer detyrën e ngarkuar? (b) Ç’gjë tregon se në detyrën madhështore të derdhjes së «kupave» përfshihen edhe të tjerë?

16 Këta engjëj ishin më se të denjë për këtë vepër. Ata ishin veshur me li të pastër e të shndritshëm, që tregon se janë të pastër, të shenjtë e të drejtë frymësisht në sy të Jehovait. Veç kësaj kishin edhe breza ari. Zakonisht një njeri ngjesh brezin kur i duhet të mbarojë një punë. (Levitiku 8:7, 13; 1 Samuelit 2:18; Luka 12:37; Gjoni 13:4, 5) Pra, engjëjt kishin ngjeshur brezat që të plotësonin një caktim. Veç kësaj, brezat e tyre ishin prej ari. Në tabernakullin e lashtë ari përdorej për të paraqitur gjëra qiellore dhe hyjnore. (Hebrenjve 9:4, 11, 12) Kjo do të thotë se këta engjëj duhet të kryejnë një shërbim të çmuar hyjnor. Në këtë detyrë madhështore përfshihen edhe të tjerë. Në fakt, njëra nga katër krijesat e gjalla u dha kupat. Pa dyshim, kjo ishte krijesa e parë e gjallë, që i ngjante luanit e që simbolizonte guximin e paepur që nevojitet për të shpallur gjykimet e Jehovait.​—Zbulesa 4:7.

Jehovai në shenjtëroren e tij

17. Çfarë tha Gjoni për shenjtëroren dhe si na kujtojnë fjalët e tij shenjtëroren e Izraelit të lashtë?

17 Në përfundim të kësaj pjese të vegimit, Gjoni tha: «Shenjtërorja u mbush me tym, prej lavdisë së Perëndisë dhe prej fuqisë së tij. Askush nuk mund të hynte në shenjtërore, derisa të përfundonin shtatë plagët e shtatë engjëjve.» (Zbulesa 15:8) Në disa raste gjatë historisë së Izraelit, një re ka mbuluar shenjtëroren, dhe kjo shfaqje e lavdisë së Jehovait i pengonte priftërinjtë të hynin atje. (1 Mbretërve 8:10, 11; 2 Kronikave 5:13, 14; krahaso Isainë 6:4, 5.) Kjo ndodhte kur Jehovai merrej aktivisht me ngjarjet në tokë.

18. Kur do të kthehen shtatë engjëjt para Jehovait për të raportuar?

18 Jehovai interesohet nga afër edhe për gjërat që po ndodhin në tokë në kohën tonë. Ai do që shtatë engjëjt ta përfundojnë detyrën që u ka ngarkuar. Jetojmë në një kohë vendimtare gjykimi, siç përshkruhet te Psalmi 11:4-6: «Jehovai është në tempullin e tij të shenjtë. Jehovai e ka fronin në qiej. Syri i tij sheh bijtë e njerëzve, me sytë e tij rrezatues i heton. Jehovai heton edhe të drejtin, edhe të ligun. Atë që do dhunën, shpirti i Tij e urren. Si rrebesh do të derdhë mbi të ligjtë gracka, zjarr e squfur, dhe era zhuritëse do të jetë kupa që duhet të pinë.» Shtatë engjëjt nuk do të kthehen para Jehovait të lavdishëm, pa derdhur shtatë plagët mbi të ligjtë.

19. (a) Cili urdhër u dha dhe nga kush? (b) Kur duhet të ketë filluar derdhja e «kupave»?

19 Më pas, u dëgjua fort një urdhër shtangës: «Dëgjova një zë të fortë nga shenjtërorja, që u tha shtatë engjëjve: ‘Shkoni dhe derdhni mbi tokë shtatë kupat e zemërimit të Perëndisë.’» (Zbulesa 16:1) Kush e dha këtë urdhër? Duhet të ketë qenë vetë Jehovai, pasi shkëlqimi i lavdisë dhe forcës së tij i pengonte të gjithë të tjerët të hynin në shenjtërore. Jehovai erdhi për të gjykuar në tempullin e tij frymor në vitin 1918. (Malakia 3:1-5) Pra, ai duhet ta ketë dhënë urdhrin për të derdhur kupat e zemërimit të Perëndisë pak pas atij viti. Në fakt, gjykimet që mbanin «kupat», nisën të shpalleshin me forcë në vitin 1922. Shpallja e tyre po arrin kulmin në ditët tona.

Kupat dhe tingulli i trumbetave

20. Çfarë zbulojnë dhe paralajmërojnë kupat e zemërimit të Jehovait, dhe si derdhen?

20 Kupat e zemërimit të Jehovait i zbulojnë ngjarjet botërore ashtu si i sheh Jehovai dhe paralajmërojnë gjykimet që do të ekzekutojë Ai. Engjëjt i derdhin kupat nëpërmjet kongregacionit të të krishterëve të mirosur në tokë, të cilët këndojnë këngën e Moisiut dhe këngën e Qengjit. Teksa shpall Mbretërinë si lajm të mirë, klasa e Gjonit zbulon me guxim se ç’ka në këto kupa zemërimi. (Mateu 24:14; Zbulesa 14:6, 7) Kështu, mesazhi i tyre ka pasur një ndikim të dyfishtë: ka qenë paqësor, pasi ka shpallur çlirimin për njerëzimin, por edhe luftarak, pasi ka paralajmëruar «ditën e hakmarrjes nga ana e Perëndisë tonë».​—Isaia 61:1, 2.

21. Si përkojnë shënjestrat e katër kupave të para të zemërimit të Perëndisë me ato të katër trumbetave të para? Ku ndryshojnë?

21 Shënjestrat e katër kupave të para të zemërimit të Perëndisë përkojnë me ato të katër trumbetave të para, domethënë me tokën, detin, lumenjtë, burimet e ujit dhe ndriçuesit në qiell. (Zbulesa 8:1-12) Veçse trumbetat lajmëronin plagë që do të goditnin vetëm ‘një të tretën’, kurse derdhja e kupave të zemërimit të Perëndisë godet tërë objektivin. Domethënë, megjithëse gjatë ditës së Zotërisë vëmendja u kthye së pari nga krishterimi apostat, si «një e treta», gjykimet munduese të Jehovait dhe dhembjet që ato sjellin, nuk kanë kursyer asnjë pjesë të sistemit satanik.

22. Si ndryshonin tri trumbetat e fundit nga të parat dhe si lidhen me tri kupat e fundit të zemërimit të Jehovait?

22 Tri trumbetat e fundit nuk ishin si të parat, pasi u quajtën mjerime. (Zbulesa 8:13; 9:12) Dy të parat kishin të bënin veçanërisht me karkalecat dhe ushtrinë e kalorësve, kurse e treta bëri të njohur lindjen e Mbretërisë së Jehovait. (Zbulesa 9:1-21; 11:15-19) Siç do ta shohim edhe më pas, edhe tri kupat e fundit të zemërimit të Perëndisë paraqitin disa nga këto aspekte, por ndryshojnë disi nga tri mjerimet. Tani le t’i kushtojmë vëmendje të madhe zbulesave të rëndësishme që vijnë nga derdhja e kupave të zemërimit të Jehovait.

[Shënimi]

^ par. 7 Vlen të përmendet që në vitin 1921, klasa e Gjonit botoi një libër studimi, që fillimisht në shqip u përkthye me titullin Harpa e Perëndis. Ky libër u shtyp në më shumë se pesë milionë kopje në mbi 20 gjuhë dhe ndihmoi në rritjen e numrit të këngëtarëve të mirosur.

[Pyetjet]