Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Zbulesa​—Plotësimi i saj i lumtur!

Zbulesa​—Plotësimi i saj i lumtur!

Kapitulli 1

Zbulesa​—Plotësimi i saj i lumtur!

1. Si e dimë se Perëndia do që ne të jemi të lumtur?

ZBULESA DREJTUAR GJONIT. Me këtë libër mahnitës i gjithë tregimi i Biblës arrin një fund të lumtur. Pse themi «të lumtur»? Sepse Autori i Biblës përshkruhet si ‘Perëndia i lumtur’ që ua beson ‘të lavdishmin lajm të mirë’ atyre që e duan. Ai do që edhe ne të jemi të lumtur, ndaj që në fillim të Zbulesës na jep siguri me këto fjalë: «Lum ai që i lexon . . . fjalët e kësaj profecie!» Kurse në kapitullin e fundit lexojmë: «Lum kush zbaton fjalët e profecisë së kësaj rrotulle!»​—1 Timoteut 1:11; Zbulesa 1:3; 22:7.

2. Ç’duhet të bëjmë që të gjejmë lumturi nëpërmjet librit të Zbulesës?

2 Si mund të gjejmë lumturi nëpërmjet librit të Zbulesës? Duke zbuluar domethënien e shenjave ose simboleve të saj të gjalla dhe duke vepruar në përputhje me atë që kuptojmë. Historia e trazuar e njerëzimit së shpejti do të ketë një fund katastrofik, pasi Perëndia dhe Jezu Krishti do t’i japin gjykimin e merituar sistemit të lig që mbizotëron sot dhe do ta zëvendësojnë me «një qiell të ri dhe një tokë të re» ku as ‘vdekje nuk do të ketë më’. (Zbulesa 21:1, 4) Kush nuk do të donte të jetonte në një botë të re të këtillë, ku do të mbretërojë vërtet paqja dhe siguria? Mund t’ia arrijmë, nëse e ndërtojmë besimin duke studiuar Fjalën e Perëndisë, ku bën pjesë edhe profecia nxitëse e Zbulesës.

Çfarë është Apokalipsi?

3. Çfarë nënkuptojnë për shumë njerëz fjalët Apokalips dhe Harmagedon?

3 A nuk quhet Zbulesa edhe Apokalipsi? Në fakt, «zbulesa» është përkthimi në shqip i fjalës greke apokálipsis. Për shumë njerëz Apokalipsi nënkupton shkatërrimin e botës me anë të një lufte bërthamore. Në Teksas të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, një qytet ku u prodhua pjesa më e madhe e mbushjeve bërthamore, njerëzve fetarë u ishte bërë si shprehje të thoshin: «Do të zhdukemi vetë të parët.» Thuhet se klerikët në atë vend ishin «të bindur se Harmagedoni është jo vetëm i pashmangshëm, por edhe shumë afër. Beteja përfundimtare mes forcave të së mirës dhe të së keqes, të Perëndisë dhe të Satanait, do të ketë formën e një kasaphane bërthamore». *

4. Çfarë do të thotë fjala «apokalips»? Pse themi se libri i fundit i Biblës titullohet me të drejtë «Zbulesa»?

4 Por, çfarë është apokalipsi në të vërtetë? Fjalorët e përkufizojnë si «kataklizmë e afërt universale» ose «fundi, mbarimi i botës», por fjala greke apokálipsis do të thotë thjesht «zbuloj». Kështu, libri i fundit i Biblës ka marrë me të drejtë titullin «Zbulesa». Ky libër nuk na jep lajmin fatalist të fundit të botës, por na zbulon të vërteta hyjnore që duhet të na e mbushin zemrën me shpresë dhe me besim të patundur.

5. (a) Kush do të shfaroset në Harmagedon dhe kush do të mbijetojë? (b) Ç’e ardhme e mrekullueshme i pret të mbijetuarit e Harmagedonit?

5 Është e vërtetë që libri i fundit i Biblës e përshkruan Harmagedonin si «luftën e ditës së madhe të Perëndisë së Plotfuqishëm». (Zbulesa 16:14, 16) Por kjo luftë do të jetë shumë ndryshe nga kasaphana bërthamore, e cila, po të ndodhte, do të zhdukte çdo formë jete nga toka. Fjala e Perëndisë na jep sigurinë se forca, të cilat Perëndia i ka nën kontroll, do të shfarosin vetëm armiqtë e ligj të Perëndisë, e kjo patjetër na bën të lumtur. (Psalmi 37:9, 10; 145:20) Një shumicë e madhe njerëzish nga të gjitha kombet do t’i mbijetojë kulmit të gjykimit hyjnor në Harmagedon. Më pas, Krishti Jezu do të kujdeset për ta e do t’u prijë drejt jetës së përhershme në një tokë parajsore. A nuk do të doje edhe ti të ishe një prej tyre? Zbulesa tregon se mund t’ia arrish!​—Zbulesa 7:9, 14, 17.

Zbulohen sekretet hyjnore

6. Cilët libra botuan gjatë viteve Dëshmitarët e Jehovait për të hedhur dritë mbi Zbulesën?

6 Kohë më parë, në vitin 1917, Shoqata Watch Tower botoi librin Misteri i përfunduar (anglisht). Ky libër komentonte varg për varg Ezekielin dhe Zbulesën. Më vonë, në vitin 1930, ndërsa ngjarjet botërore vazhdonin të paraqitnin hollësi të përmbushjes së profecisë biblike, u përgatit dhe doli në kohën e duhur një vepër dyvëllimëshe me titull Drita (anglisht). Ky botim ofronte një studim të përditësuar të Zbulesës. Teksa drita vazhdonte ‘të vetëtinte për të drejtët’, në vitin 1963, Dëshmitarët e Jehovait botuan librin me 704 faqe «Babilonia e Madhe ra!» Mbretëria e Perëndisë sundon! (anglisht). Ky botim trajtonte me hollësi shfaqjen dhe rënien e Babilonisë së Madhe, perandorisë botërore të fesë së rreme, dhe përfundonte me një shqyrtim të nëntë kapitujve të fundit të Zbulesës. ‘Shtegu i të drejtëve ndriçonte gjithnjë e më shumë’, sidomos në lidhje me aktivitetin e kongregacioneve. Prandaj, në 1969-n doli libri 384-faqësh me titull «Përfundoi, pra, misteri i Perëndisë» (anglisht), ku trajtoheshin 13 kapitujt e parë të Zbulesës.​—Psalmi 97:11; Proverbat 4:18.

7. (a) Pse vendosën Dëshmitarët e Jehovait të botonin këtë libër që trajton Zbulesën? (b) Ç’mjete ndihmëse sigurohen në këtë libër për dobinë e lexuesve?

7 Pse, atëherë, u botua dhe u rishtyp një libër tjetër për Zbulesën? Pjesa më e madhe e informacionit të botuar më parë, ishte shumë e hollësishme, dhe nuk ka qenë e mundur të përkthehej e të botohej në shumë gjuhë të botës. Prandaj, u pa e udhës që i gjithë informacioni për Zbulesën të përmblidhej në një botim të vetëm dhe në një formë të tillë që mund të botohej lehtë në disa gjuhë. Në këtë botim përfshihen edhe mjete ndihmëse mësimi, si ilustrime, harta dhe përmbledhje, që do t’i ndihmojnë lexuesit të kuptojnë sa më qartë rëndësinë e madhe të kësaj profecie të jashtëzakonshme.

8. Cila është një arsye edhe më e fortë për botimin e këtij libri?

8 Një arsye edhe më e fortë për botimin e këtij libri është nevoja për të qenë të përditësuar me të vërtetat e zbuluara deri më tani. Jehovai vazhdon të hedhë gjithnjë e më shumë dritë mbi domethënien e Fjalës së tij. Tani që i afrohemi gjithnjë e më tepër shtrëngimit të madh, me të drejtë mund të presim që ta kuptojmë edhe më mirë Zbulesën dhe profecitë e tjera. (Mateu 24:21; Zbulesa 7:14) Është e rëndësishme që të jemi të mirinformuar. Ja çfarë shkroi apostulli Pjetër për profecinë hyjnore: «Ju bëni mirë që i kushtoni vëmendje si një llambe që ndriçon në një vend të errët, në zemrat tuaja, derisa të agojë dita e të ngrihet ylli i mëngjesit.»​—2 Pjetrit 1:19.

9. (a) Çfarë do të krijojë Perëndia sipas Zbulesës dhe profecive të tjera? (b) Çfarë është bota e re dhe si mund të mbijetosh për të hyrë në të?

9 Përveç mjaft profecive të tjera të Biblës, Zbulesa është një dëshmi më shumë që tregon se Perëndia Jehova ka për qëllim të krijojë qiej të rinj dhe një tokë të re. (Isaia 65:17; 66:22; 2 Pjetrit 3:13; Zbulesa 21:1-5) Fjalët e saj u drejtohen së pari të krishterëve të mirosur që Jezui i bleu me gjakun e tij, që të mbretëronin bashkë me të në qiejt e rinj. (Zbulesa 5:9, 10) Por ky lajm i mirë do t’ua forcojë besimin edhe miliona të tjerëve që presin të jetojnë përgjithmonë në Mbretërinë e Krishtit. A je një ndër ta? Nëse po, Zbulesa do të ta forcojë shpresën për të jetuar në Parajsë. Edhe ti mund të jesh pjesë e një toke të re, ku do të gëzosh paqe të madhe, do të jesh plot shëndet dhe do të shijosh bekimet e panumërta që do të të falë Perëndia. (Psalmi 37:11, 29, 34; 72:1, 7, 8, 16) A dëshiron të mbijetosh e të hysh në atë botë të re? Atëherë është e ngutshme, madje e domosdoshme, që t’i kushtosh vëmendje përshkrimit të gjallë që i bën Zbulesa fundit që po afron e që do të shënojë një pikë kthese për të gjithë ne.​—Sofonia 2:3; Gjoni 13:17.

[Shënimi]

^ par. 3 Süddeutsche Zeitung, Mynih, Gjermani, 24 janar 1987.

[Pyetjet]

[Figura që zë gjithë faqen 7]