Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Zbulesa dhe ti

Zbulesa dhe ti

Kapitulli 44

Zbulesa dhe ti

1. (a) Ç’siguri i dha engjëlli Gjonit për të gjitha premtimet e mrekullueshme të Zbulesës? (b) Kush tha: «Unë po vij me të shpejtë», dhe kur do të ndodhë kjo ‘ardhje’?

TEK lexon përshkrimin e këndshëm të Jerusalemit të Ri, mund të të lindë pyetja: «A mund të ndodhë vërtet diçka kaq e mrekullueshme?» Gjoni u përgjigj me fjalët e engjëllit: «Ai më tha: ‘Këto janë fjalë të besueshme e të vërteta. Po, Jehovai, Perëndia i shprehjeve të frymëzuara të profetëve, dërgoi engjëllin e tij që t’u tregonte skllevërve të vet gjërat që do të ndodhin së shpejti. Dhe ja, unë po vij me të shpejtë. Lum kush zbaton fjalët e profecisë së kësaj rrotulle!’» (Zbulesa 22:6, 7) Të gjitha profecitë e mrekullueshme të Zbulesës do të përmbushen me të vërtetë! Duke folur në emër të Jezuit, engjëlli shpalli se Jezui po vinte «me të shpejtë». Këtu duhet ta ketë fjalën për ardhjen e Jezuit «si një hajdut» që të shkatërrojë armiqtë e Jehovait e të sjellë plotësimin madhështor e të lumtur të Zbulesës. (Zbulesa 16:15, 16) Prandaj, që të shpallemi të lumtur kur të vijë ajo kohë, duhet ta vëmë jetën tonë në përputhje me fjalët e «kësaj rrotulle», Zbulesës.

2. (a) Si reagoi Gjoni pasi mori një zbulesë kaq të bollshme dhe çfarë i tha engjëlli? (b) Ç’mësojmë nga fjalët e engjëllit: «Kujdes!» dhe «Perëndinë adhuro!»

2 Pasi mori një zbulesë kaq të bollshme, është e kuptueshme që Gjonin ta kenë pushtuar emocionet. Ai tha: «Kështu pra, unë, Gjoni, i dëgjova dhe i pashë këto gjëra. Pasi dëgjova e pashë, u përkula që të adhuroja para këmbëve të engjëllit, që m’i tregoi këto. Por ai më tha: ‘Kujdes! Mos e bëj! Unë s’jam tjetër, veçse shoku yt i skllavërisë dhe i vëllezërve të tu, që janë profetë, si dhe i atyre që zbatojnë fjalët e kësaj rrotulle. Perëndinë adhuro!’» (Zbulesa 22:8, 9; krahaso Zbulesën 19:10.) Ky paralajmërim i bërë dy herë, për të mos adhuruar engjëjt, ishte me vend në kohën e Gjonit, kur me sa duket disa jepeshin pas kësaj forme adhurimi dhe thoshin se kishin marrë zbulime të veçanta nga engjëjt. (1 Korintasve 13:1; Galatasve 1:8; Kolosianëve 2:18) Sot, kjo thekson faktin se duhet të adhurojmë vetëm Perëndinë. (Mateu 4:10) S’duhet ta përziejmë adhurimin e pastër me adhurimin e askujt apo të asgjëje tjetër.​—Isaia 42:5, 8.

3, 4. Çfarë vazhdoi t’i thoshte engjëlli Gjonit dhe si u është bindur mbetja e mirosur fjalëve të tij?

Gjoni vazhdoi: «Më tha, gjithashtu: ‘Mos i vulos fjalët e profecisë së kësaj rrotulle, sepse koha e caktuar është afër. Kush po bën padrejtësi, le të bëjë akoma; kush është i fëlliqur, le të fëlliqet edhe më; por i drejti le të praktikojë ende drejtësinë dhe të shenjtët le të shenjtërohen akoma.’»​—Zbulesa 22:10, 11.

4 Mbetja e mirosur sot u është bindur fjalëve të engjëllit. Nuk i ka vulosur fjalët e profecisë. Numri i parë i revistës Kulla e Rojës e Sionit dhe Shpallësja e Pranisë së Krishtit (korrik 1879, anglisht) kishte komente për disa vargje të Zbulesës. Si kemi vërejtur në kapitullin e parë, gjatë viteve, Dëshmitarët e Jehovait kanë botuar libra të tjerë që hedhin dritë mbi Zbulesën. Tani, përsëri po e drejtojmë vëmendjen e të gjithë atyre që e duan të vërtetën te profecitë e fuqishme të Zbulesës dhe te përmbushja e tyre.

5. (a) Ç’të themi nëse njerëzit duan të shpërfillim paralajmërimet dhe këshillat e Zbulesës? (b) Cili duhet të jetë reagimi i zemërbutëve dhe i të drejtëve?

5 Nëse njerëzit duan të shpërfillim paralajmërimet dhe këshillat e Zbulesës, le ta bëjnë! «Kush po bën padrejtësi, le të bëjë akoma.» Nëse kanë zgjedhur të zhgërryhen mes fëlliqësive të kësaj epoke toleruese, le të vdesin mes kësaj fëlliqësie! Së shpejti, Jehovai do të plotësojë ekzekutimin e gjykimeve që ka dhënë, duke nisur me shkatërrimin e Babilonisë së Madhe. Zemërbutët le t’u vënë veshin me vendosmëri këtyre fjalëve të profetit: «Kërkoni Jehovain . . . kërkoni drejtësinë, kërkoni zemërbutësinë; dhe ka mundësi që të jeni të fshehur ditën e zemërimit të Jehovait.» (Sofonia 2:3) Sa për ata që tashmë i janë kushtuar Jehovait, «i drejti le të praktikojë ende drejtësinë dhe të shenjtët le të shenjtërohen akoma». Kush është i mençur e di se asnjë përfitim i përkohshëm që vjen nga mëkati, nuk mund të krahasohet me bekimet e përhershme që do të gëzojnë ata që ndjekin drejtësinë dhe shenjtërinë. Bibla thotë: «Vazhdoni të vini në provë veten nëse jeni në besim, vazhdoni të provoni se çfarë jeni ju vetë.» (2 Korintasve 13:5) Në bazë të udhës që do të zgjedhësh e do të mbash, do të marrësh edhe shpërblimin.​—Psalmi 19:9-11; 58:10, 11.

6. Me ç’fjalë iu drejtua për herë të fundit në këtë profeci Jehovai lexuesve të Zbulesës?

6 Për herë të fundit në këtë profeci, Jehovai, Mbreti i përjetësisë, iu drejtua lexuesve të Zbulesës me këto fjalë: «Ja, unë po vij me të shpejtë dhe bashkë me mua edhe shpërblimi, që t’i jap secilit si të jetë vepra e tij. Unë jam Alfa dhe Omega, i pari dhe i fundit, fillimi dhe mbarimi. Lum ata që i kanë larë petkat e tyre të gjata, që të kenë të drejtën të shkojnë te pemët e jetës dhe të hyjnë në qytet nga portat e tij! Jashtë janë qentë, ata që merren me spiritizëm, kurvarët, vrasësit, idhujtarët dhe kushdo që e pëlqen gënjeshtrën dhe shkon pas saj.»​—Zbulesa 22:12-15.

7. (a) Për çfarë ‘po vjen me të shpejtë’ Jehovai? (b) Përse klerikët e krishterimit të rremë s’kanë vend në Jerusalemin e Ri?

7 Edhe një herë, Perëndia Jehova thekson sovranitetin e tij të përjetshëm dhe faktin se atë që kishte si qëllim në fillim, do ta plotësojë në fund. Ai ‘po vjen me të shpejtë’ që të kryejë gjykimin dhe do të shpërblejë ata që e kërkojnë me ngulm. (Hebrenjve 11:6) Normat e tij përcaktojnë se kush do të shpërblehet dhe kush do të hidhet poshtë. Klerikët e krishterimit të rremë janë sjellë si «qen të pagojë» dhe kanë mbyllur një sy para veseve që përshkroi Jehovai këtu. (Isaia 56:10-12; shih edhe shënimin te Ligji i përtërirë 23:18.) Qartë, atyre ‘u ka pëlqyer dhe kanë shkuar pas’ doktrinave e dogmave të gënjeshtërta dhe e kanë shpërfillur plotësisht këshillën që u dha Jezui shtatë kongregacioneve. Prandaj, ata s’kanë vend në Jerusalemin e Ri.

8. (a) Cilët janë të vetmit që «shkojnë te pemët e jetës» dhe ç’do të thotë kjo? (b) Si «i kanë larë petkat e tyre të gjata» pjesëtarët e shumicës së madhe dhe në ç’mënyrë mbajnë një qëndrim të pastër?

8 Vetëm ata të krishterë të mirosur që vërtet «i kanë larë petkat e tyre të gjata» për të qenë të pastër në sy të Jehovait, kanë privilegjin «të shkojnë te pemët e jetës». Kjo do të thotë se ata do të kenë të drejtën e jetës së pavdekshme në pozitat e tyre qiellore. (Krahaso Zanafillën 3:22-24; Zbulesën 2:7; 3:4, 5.) Pasi të vdesin si njerëz, ata do të hyjnë në Jerusalemin e Ri me anë të ringjalljes. Dymbëdhjetë engjëjt do t’i lejojnë të hyjnë, por do të lënë jashtë cilindo që praktikon gënjeshtrën ose ndyrësinë, edhe pse mund të pohojë se ka shpresë qiellore. Edhe pjesëtarët e shumicës së madhe «i kanë larë petkat e tyre të gjata e i kanë zbardhur në gjakun e Qengjit» dhe duhet të vazhdojnë të mbajnë këtë qëndrim të pastër. Këtë mund ta bëjnë duke shmangur veset kundër të cilave Jehovai paralajmëron këtu dhe duke i marrë seriozisht këshillat që dha Jezui te shtatë mesazhet që u dërgoi kongregacioneve.​—Zbulesa 7:14; kapitujt 2 dhe 3.

9. Çfarë tha Jezui, dhe para së gjithash cilëve u drejtohej mesazhi i tij dhe gjithë libri i Zbulesës?

9 Pas Jehovait, foli Jezui. Ai u drejtoi këto fjalë inkurajuese njerëzve me zemër të drejtë që lexojnë Zbulesën: «Unë, Jezui, dërgova engjëllin tim që t’ju jepja dëshmi lidhur me këto gjëra për kongregacionet. Unë jam rrënja dhe pasardhës i Davidit, si dhe ylli i shndritshëm i mëngjesit.» (Zbulesa 22:16) Po, para së gjithash këto fjalë janë «për kongregacionet». Mbi të gjitha, ky mesazh është për kongregacionin e të krishterëve të mirosur në tokë. Çdo gjë e shkruar në librin e Zbulesës u drejtohet më së pari të krishterëve të mirosur që do të banojnë në Jerusalemin e Ri. Me anë të këtij kongregacioni edhe shumica e madhe ka privilegjin të fitojë kuptueshmëri për këto të vërteta profetike të çmuara.​—Gjoni 17:18-21.

10. Përse Jezui e quajti veten (a) «rrënja dhe pasardhës i Davidit»? (b) «ylli i shndritshëm i mëngjesit»?

10 Jezu Krishtit iu besua detyra që t’i përcillte Zbulesën Gjonit dhe, nëpërmjet tij, kongregacionit. Jezui është «rrënja dhe pasardhës i Davidit». Ai erdhi nga Davidi sipas mishit dhe për këtë arsye është i kualifikuar për të qenë Mbret i Mbretërisë së Jehovait. Ai do të bëhet edhe «Atë i Përjetshëm» i Davidit, e për pasojë edhe «rrënja» e Davidit. (Isaia 9:6; 11:1, 10) Ai është Mbreti i përhershëm dhe i pavdekshëm nga linja e Davidit, që plotëson besëlidhjen e Jehovait me Davidin, si dhe «ylli i shndritshëm i mëngjesit» i parathënë në ditët e Moisiut. (Numrat 24:17; Psalmi 89:34-37) Ai është «ylli i mëngjesit» që ngrihet dhe që e bën ditën të agojë. (2 Pjetrit 1:19) Të gjitha marifetet e armikes së madhe, Babilonisë së Madhe, nuk ishin në gjendje të ndalonin këtë ngritje të lavdishme.

Thuaj: «Eja!»

11. Cilën ftesë të hapur paraqiti më pas Gjoni dhe cilët mund t’i përgjigjen pozitivisht asaj?

11 Tani e kishte radhën Gjoni të fliste. Me zemrën plot çmueshmëri për gjithçka që kishte parë e dëgjuar, ai thirri: «Fryma dhe nusja vazhdojnë të thonë: ‘Eja!’ Dhe kushdo që dëgjon, le të thotë: ‘Eja!’ Kush ka etje, le të vijë. Kush dëshiron, le të marrë falas ujin e jetës.» (Zbulesa 22:17) Dobitë e flijimit shpërblyes të Jezuit nuk do të kufizohen vetëm me 144.000 të mirosurit, pasi fjalët e mësipërme janë një ftesë e hapur. Fryma shtytëse e Jehovait vepron përmes klasës së nuses që mesazhi të vazhdojë të ushtojë me qartësi: ‘Merrni falas ujin e jetës.’ (Shih edhe Isainë 55:1; 59:21.) Kushdo që ka etje për drejtësi është i ftuar ‘të vijë’ e të marrë nga bujaria e Jehovait. (Mateu 5:3, 6) Sa të privilegjuar janë të gjithë ata që kanë perspektivën për të qenë pjesë e klasës tokësore dhe që i përgjigjen pozitivisht ftesës së klasës së mirosur të Gjonit!

12. Si reagon shumica e madhe ndaj ftesës së Zbulesës 22:17?

12 Që në fillim të viteve 30, shumica e madhe gjithnjë në rritje ka ‘dëgjuar’, i ka kushtuar vëmendje kësaj ftese. Ashtu si skllevërit e mirosur, ata kanë mbajtur një qëndrim të pastër para Jehovait. Mezi presin kohën kur Jerusalemi i Ri të zbresë nga qielli për t’i sjellë bekime njerëzimit. Meqë ka dëgjuar mesazhin nxitës të Zbulesës, shumica e madhe jo vetëm thotë «Eja!», por në mënyrë aktive mbledh edhe të tjerë pranë organizatës së Jehovait dhe i stërvit të shpallin: «Kush ka etje, le të vijë.» Prandaj numri i shumicës së madhe vazhdon të rritet, teksa më shumë se 6.000.000 prej tyre në 235 vende, përkrah më pak se 9.000 pjesëtarëve të klasës së nuses, marrin pjesë në përhapjen e ftesës për ‘të marrë falas ujin e jetës’.

13. Ç’paralajmërim bëri Jezui?

13 Më pas, foli përsëri Jezui: «Unë po i dëshmoj kujtdo që dëgjon fjalët e profecisë së kësaj rrotulle: nëse ndokush u shton diçka këtyre gjërave, Perëndia do t’i shtojë atij plagët e shkruara në këtë rrotull. Nëse dikush heq diçka nga fjalët e rrotullës së kësaj profecie, Perëndia do ta heqë pjesën e tij nga ajo që është shkruar në këtë rrotull​—nuk do ta lejojë të hajë nga pemët e jetës dhe të hyjë në qytetin e shenjtë.»​—Zbulesa 22:18, 19.

14. Si e konsideron klasa e Gjonit ‘profecinë’ e Zbulesës?

14 Pjesëtarët e klasës së Gjonit duhet të tërheqin vëmendjen ndaj «profecisë» së Zbulesës. Nuk duhet ta fshehin dhe as t’i shtojnë gjë. Mesazhi i saj duhet predikuar haptazi, «nga tarracat». (Mateu 10:27) Zbulesa është e frymëzuar nga Perëndia. Kush do të guxonte t’i ndryshonte ndonjë fjalë asaj që vetë Perëndia ka thënë dhe ka përcjellë nëpërmjet atij që tashmë sundon si Mbret, Jezu Krishtit? Një njeri i tillë do të meritonte pa dyshim të humbte në garën e jetës e të vuante nga plagët që do të bien mbi Babiloninë e Madhe dhe mbi botën mbarë.

15. Ç’domethënie kanë fjalët e Jezuit se ai «jep dëshmi për këto gjëra» dhe «po vij me të shpejtë»?

15 Jezui kishte edhe një fjalë të fundit inkurajimi: «Ai që jep dëshmi për këto gjëra, thotë: ‘Po, unë po vij me të shpejtë.’» (Zbulesa 22:20a) Jezui është «dëshmitari i besueshëm dhe i vërtetë». (Zbulesa 3:14) Përderisa ai jep dëshmi për vegimet e Zbulesës, ato duhet të jenë të vërteta. Ai dhe Perëndia Jehova theksojnë herë pas here faktin se po vijnë «me të shpejtë» ose shpejt. Në këtë rast, Jezui po e thotë këtë për herë të pestë. (Zbulesa 2:16; 3:11; 22:7, 12, 20) ‘Vijnë’ që të ekzekutojnë gjykimin mbi prostitutën e madhe, mbi «mbretërit» politikë dhe mbi gjithë të tjerët që i kundërvihen ‘mbretërisë së Zotërisë tonë [Jehovait] dhe Krishtit të tij’.​—Zbulesa 11:15; 16:14, 16; 17:1, 12-14.

16. Cilin veprim të vendosur duhet të ndërmarrësh, tani që e di se Perëndia Jehova dhe Jezui po vijnë me të shpejtë?

16 Tani që e di se Perëndia Jehova dhe Jezui po vijnë me të shpejtë, duhet të marrësh zemër që ‘të mbash gjithnjë në mend praninë e ditës së Jehovait’. (2 Pjetrit 3:12) Çfarëdolloj stabiliteti në dukje i tokës së sistemit të Satanait është vetëm iluzion. Çfarëdolloj suksesi në dukje që mund të arrijë qielli i sundimtarëve tokësorë nën drejtimin e Satanait është kalimtar. Këto gjëra po kalojnë. (Zbulesa 21:1) I vetmi stabilitet i vërtetë është ai që jep Jehovai, Mbretëria e tij e drejtuar nga Jezu Krishti dhe bota e re që ai ka premtuar. Mos e harro kurrë këtë!​—1 Gjonit 2:15-17.

17. Si duhet të ndikojë te ti vlerësimi për shenjtërinë e Jehovait?

17 Kështu pra, lejo që gjërat që mësove nga studimi i Zbulesës të ndikojnë thellësisht në jetën tënde. A nuk të ka ngulitur thellë në mendje lavdinë e jashtëzakonshme dhe shenjtërinë e Krijuesit tonë ky vështrim i shkurtër i pranisë qiellore të Jehovait? (Zbulesa 4:1–5:14) Ç’privilegj t’i shërbesh një Perëndie të tillë! Vlerësimi për shenjtërinë e tij qoftë për ty një shtytës që t’i marrësh shumë seriozisht këshillat që u dha Jezui shtatë kongregacioneve e të shmangësh gjëra të tilla, si: materializmi, idhujtaria, imoraliteti, vaktësia, sektarizmi apostat apo çdo gjë tjetër që do ta bënte të papranueshëm shërbimin tënd ndaj Jehovait! (Zbulesa 2:1–3:22) Fjalët e apostullit Pjetër drejtuar klasës së Gjonit zbatohen në parim edhe për shumicën e madhe: «Në përputhje me të Shenjtin që ju thirri, bëhuni edhe ju të shenjtë në gjithë sjelljen tuaj.»​—1 Pjetrit 1:15, 16.

18. Çfarë duhet të shpallësh sa më plotësisht që të jetë e mundur dhe përse sot kjo vepër është urgjente?

18 Për më tepër, të urojmë që të vazhdosh të shpallësh me zell të përtërirë «vitin e miratimit nga ana e Jehovait dhe ditën e hakmarrjes nga ana e Perëndisë tonë». (Isaia 35:4; 61:2) Qofsh nga kopeja e vogël apo nga shumica e madhe, vazhdo të shpallësh sa më plotësisht të jetë e mundur derdhjen e shtatë kupave të zemërimit të Jehovait e të njoftosh gjykimet e Perëndisë mbi botën e Satanait. Njëkohësisht, bashkoje zërin tënd me shpalljen e lajmit të mirë të përhershëm për vendosjen e Mbretërisë së Jehovait e të Krishtit të tij. (Zbulesa 11:15; 14:6, 7) Kryeje këtë vepër me urgjencë. Urojmë gjithashtu që vetëdija se po jetojmë në ditën e Zotërisë të nxitë edhe shumë të tjerë që akoma s’po i shërbejnë Jehovait, të bashkohen në veprën e shpalljes së lajmit të mirë. Le të përparojnë edhe këta për t’ia kushtuar jetën Perëndisë dhe për t’u pagëzuar. Mos harro: «Koha e caktuar është afër!»​—Zbulesa 1:3.

19. Cilat ishin fjalët e fundit të apostullit të moshuar Gjon dhe si u përgjigjeni atyre?

19 Prandaj bashkë me Gjonin lutemi me zjarr: «Amin! Eja, o Zotëri Jezu!» Apostulli i moshuar Gjon shtoi: «Dashamirësia e pamerituar e Zotërisë Jezu Krisht qoftë me të shenjtët!» (Zbulesa 22:20b, 21) Qoftë edhe me të gjithë ju që po lexoni këtë libër! Kini besim se plotësimi madhështor i Zbulesës është afër e bashkohuni me ne teksa themi me gjithë zemër: «Amin!»

[Pyetjet]

[Figura në faqen 314]

«Jashtë janë qentë . . . »

[Figura në faqen 315]

«Lum ata që . . . hyjnë në qytet nga portat e tij»