Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Zbulohet misteri i madh

Zbulohet misteri i madh

Kapitulli 34

Zbulohet misteri i madh

1. (a) Çfarë bëri Gjoni kur pa prostitutën e madhe dhe bishën e frikshme mbi të cilën ishte ulur ajo, dhe pse? (b)  Çfarë bën klasa e Gjonit sot, ndërsa rrjedha e ngjarjeve po përmbush këtë vegim profetik?

ÇFARË bëri Gjoni kur pa prostitutën e madhe dhe bishën e frikshme mbi të cilën ishte ulur ajo? Ai e dha vetë përgjigjen: «E pra, kur e pashë, shtanga i çuditur.» (Zbulesa 17:6b) Një pamje e tillë s’mund t’i shkojë kurrë në mendje një njeriu. Por ja që, në mes të shkretëtirës, një prostitutë e shthurur kishte hipur majë një bishe të tmerrshme me ngjyrë të kuqe të ndezur. (Zbulesa 17:3) Edhe klasa e Gjonit është jashtëzakonisht e çuditur nga rrjedha që kanë marrë ngjarjet në përmbushje të vegimit profetik. Sikur njerëzit në botë ta shihnin këtë vegim, do të thoshin «e pabesueshme», kurse pushtetarët do të shtonin «absurde»! Sidoqoftë, sot ky vegim është një realitet tronditës. Populli i Perëndisë tashmë ka pasur një rol të dukshëm në përmbushjen e tij, dhe kjo e siguron se profecia do të vazhdojë të plotësohet në mënyrë të mahnitshme.

2. (a) Çfarë i tha engjëlli Gjonit, kur pa që kishte ngrirë nga habia? (b) Çfarë ka parë të zbulohet para saj klasa e Gjonit dhe si?

2 Engjëlli e vuri re habinë e Gjonit. «Engjëlli më tha: ‘Pse çuditesh? Unë do të të tregoj misterin e gruas dhe të bishës që e mban, e cila ka shtatë koka e dhjetë brirë.’» (Zbulesa 17:7) Sa mirë! Engjëlli do t’i zbulonte misterin. Ai i shpjegoi Gjonit që kishte mbetur me sy të çakërritur, aspektet e ndryshme të vegimit dhe ngjarjet e pazakonta që do të ndodhin së shpejti. Njësoj edhe sot, klasës vigjilente të Gjonit i është zbuluar kuptueshmëria e kësaj profecie, ndërsa shërben nën drejtimin e engjëjve. «A nuk i përkasin Perëndisë interpretimet?» Edhe ne jemi të bindur si Jozefi besnik se është pikërisht kështu. (Zanafilla 40:8; krahaso Danielin 2:29, 30.) Populli i Perëndisë është në njëfarë mënyre në mes të skenës, ndërsa Jehovai i interpreton kuptimin e vegimit dhe si ndikon ai në jetën e gjithsecilit. (Psalmi 25:14) Në kohën e duhur, ai i ka lejuar të kuptojnë misterin e gruas dhe të bishës.​—Psalmi 32:8.

3, 4. (a) Cilin fjalim publik mbajti Nejthën Nori në vitin 1942, dhe cilën identifikoi me bishën me ngjyrë të kuqe të ndezur? (b) Cilat fjalë të engjëllit trajtoi Nejthën Nori?

3 Nga datat 18 deri 20 shtator 1942, në valën e Luftës II Botërore, Dëshmitarët e Jehovait në Shtetet e Bashkuara organizuan Asamblenë e tyre Teokratike të Botës së Re. Qyteti kyç, Klivlendi i Ohajos, ishte lidhur me telefon me më shumë se 50 qytete të tjera ku mbaheshin kongrese, dhe u regjistrua një maksimum prej 129.699 të pranishmish. I njëjti program u përsërit në kongrese të organizuara në mbarë botën, në ato vende ku e lejonin kushtet e luftës. Asokohe, shumë shërbëtorë të Jehovait pritnin që lufta të përshkallëzohej derisa të arrinte në luftën e Perëndisë, në Harmagedon; prandaj titulli i fjalimit publik «Paqja: A mund të zgjatë?» ngjalli një kureshtje të madhe. Si mund të fliste për paqen Nejthën Nori, presidenti i ri i Shoqatës Watch Tower, kur dukej se kombet i priste krejt e kundërta? * Mund ta bënte, sepse klasa e Gjonit po i kushtonte «më shumë vëmendje se zakonisht» Fjalës profetike të Perëndisë.​—Hebrenjve 2:1; 2 Pjetrit 1:19.

4 Ç’dritë hodhi rreth kësaj profecie fjalimi «Paqja: A mund të zgjatë?» Pasi tregoi qartë se bisha me ngjyrë të kuqe të ndezur e Zbulesës 17:3 ishte Lidhja e Kombeve, Nejthën Nori vazhdoi të fliste për karrierën e saj të stuhishme, duke u bazuar te fjalët e mëtejshme që i tha engjëlli Gjonit: «Bisha që pe, ishte, por nuk është, e megjithatë është gati të ngjitet nga humnera. Atë e pret shkatërrimi.»​—Zbulesa 17:8a.

5. (a) Në ç’kuptim mund të thuhet se «bisha . . . ishte» dhe më pas «nuk është»? (b) Si iu përgjigj Nejthën Nori pyetjes: «A do të qëndrojë Lidhja e Kombeve në humnerë?»

5 «Bisha . . . ishte.» Faktikisht, që nga 10 janari i vitit 1920 e më pas, ajo kishte ekzistuar si Lidhja e Kombeve, me 63 kombe anëtare në periudha të ndryshme. Mirëpo, Japonia, Gjermania dhe Italia u larguan njëra pas tjetrës, ndërsa ish-Bashkimi Sovjetik u përjashtua. Në shtator të vitit 1939, diktatori nazist i Gjermanisë nisi Luftën II Botërore. * Duke mos ia dalë të ruante paqen ndërkombëtare, Lidhja e Kombeve sikur ra në humnerë, u krodh në një periudhë joaktiviteti. Në 1942-shin kjo organizatë i kishte ngrysur ditët e veta. Pikërisht në këtë kohë vendimtare, as më parë e as më pas, Jehovai i interpretoi popullit të tij kuptimin e plotë të vegimit. Në Asamblenë Teokratike Bota e Re, Nejthën Nori tha në përputhje me profecinë se «bisha . . . nuk është». Pastaj, bëri pyetjen: «A do të qëndrojë Lidhja e Kombeve në humnerë?» Duke cituar Zbulesën 17:8 u përgjigj: «Koalicioni i kombeve të tokës do të rishfaqet.» Pikërisht kështu ndodhi, dhe kjo tregoi sa e vërtetë është Fjala profetike e Jehovait!

Bisha del nga humnera

6. (a) Kur doli nga humnera bisha me ngjyrë të kuqe të ndezur dhe me ç’emër të ri? (b) Pse Kombet e Bashkuara në të vërtetë janë një rilindje e bishës me ngjyrë të kuqe të ndezur?

6 Bisha me ngjyrë të kuqe të ndezur doli vërtet nga humnera. Më 26 qershor 1945, në San-Francisko, SHBA, 50 kombe votuan me bujë të madhe pro Kartës së Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Kjo organizatë kishte për qëllim «të ruante paqen dhe sigurinë ndërkombëtare». Kishte shumë ngjashmëri mes Lidhjes së Kombeve dhe Kombeve të Bashkuara. Një enciklopedi vëren: «Kombet e Bashkuara ngjajnë në disa aspekte me Lidhjen e Kombeve që u krijua pas Luftës I Botërore. . . . Shumë nga kombet që themeluan OKB-në kishin themeluar edhe Lidhjen e Kombeve. Njësoj si Lidhja, edhe OKB-ja u krijua për të kontribuar në ruajtjen e paqes mes kombeve. Organet kryesore të OKB-së janë shumë të ngjashme me ato të Lidhjes.» (The World Book Encyclopedia) Pra, në të vërtetë, OKB-ja është një rilindje e bishës me ngjyrë të kuqe të ndezur. Në të janë anëtarësuar rreth 190 vende, pra, shumë më tepër se 63 vendet anëtare të Lidhjes. Gjithashtu, ajo ka marrë përgjegjësi më të mëdha se paraardhësja e saj.

7. (a) Në ç’mënyrë kanë treguar habi e admirim banorët e tokës për rilindjen e bishës me ngjyrë të kuqe të ndezur? (b) Cili qëllim ka qenë i paarritshëm për OKB-në, dhe çfarë deklaroi sekretari i përgjithshëm i saj në këtë aspekt?

7 Fillimisht tek OKB-ja ishin varur shpresa të mëdha, në përputhje me fjalët e engjëllit: «Kur të shohin se si bisha ishte, por nuk është, e megjithatë do të jetë e pranishme, ata që banojnë në tokë, do të admirojnë të mahnitur, por, që nga themelimi i botës, emrat e tyre nuk janë të shkruar në rrotullën e jetës.» (Zbulesa 17:8b) Banorët e tokës e kanë admiruar këtë vigan të ri, që vepron që nga selia e tij hijerëndë buzë lumit Ist në Nju-Jork. Mirëpo, paqja dhe siguria e vërtetë janë të paarritshme për OKB-në. Për pjesën më të madhe të shekullit të 20-të, paqen botërore e «siguroi» vetëm kërcënimi i «shkatërrimit reciprok të sigurt», siç u quajt, dhe gara e armatimeve rritej me ritme të paimagjinueshme. Pas rreth 40 vjetësh përpjekje nga ana e OKB-së, Havier-Perez de Kuelari, asokohe sekretar i përgjithshëm i saj, në vitin 1985 u ankua: «Po jetojmë në një epokë të re fanatizmi dhe s’dimë si ta përballojmë.»

8, 9. (a) Pse OKB-ja nuk ofron zgjidhje për problemet e botës dhe çfarë ka dekretuar Perëndia për të së shpejti? (b) Pse themeluesit dhe admiruesit e OKB-së nuk i kanë emrat të shkruar në «rrotullën e jetës» të Perëndisë? (c) Çfarë do të arrijë me sukses Mbretëria e Jehovait?

8 OKB-ja nuk ofron asnjë zgjidhje. Pse? Sepse ai që i ka dhënë jetë OKB-së, nuk është Ai që i ka dhënë jetë gjithë njerëzimit. Ajo s’do ta ketë të gjatë, pasi Perëndia ka dekretuar se «atë e pret shkatërrimi». Themeluesit dhe admiruesit e OKB-së nuk i kanë emrat të shkruar në rrotullën e jetës të Perëndisë. Si munden njerëz mëkatarë e vdekatarë, shumë prej të cilëve tallen me emrin e Perëndisë, të arrijnë nëpërmjet OKB-së atë që Perëndia Jehova ka thënë se do ta plotësojë së shpejti nëpërmjet Mbretërisë së Krishtit të tij dhe jo nëpërmjet njerëzve?​—Danieli 7:27; Zbulesa 11:15.

9 OKB-ja s’është gjë tjetër veçse një imitim që hedh sharje mbi Mbretërinë mesianike të Perëndisë, e cila i është besuar Princit të tij të Paqes, Jezu Krishtit, sundimi i madh princëror i të cilit s’do të ketë fund. (Isaia 9:6, 7) Edhe sikur OKB-ja të arrinte të sajonte një paqe të përkohshme, shpejt s’do të vononin të shpërthenin prapë luftëra. Është në natyrën e njerëzve mëkatarë. «Që nga themelimi i botës, emrat e tyre nuk janë të shkruar në rrotullën e jetës.» Mbretëria e Jehovait e drejtuar nga Krishti, jo vetëm do të sjellë paqe të përhershme në tokë, por, në bazë të flijimit shpërblyes të Jezuit, do të ringjallë të vdekurit, të drejtët dhe të padrejtët që janë në kujtesën e Perëndisë. (Gjoni 5:28, 29; Veprat 24:15) Këtu përfshihen të gjithë ata që kanë qëndruar të patundur para sulmeve të Satanait dhe farës së tij, dhe të tjerë që ende duhet të tregojnë se janë të bindur. Është e qartë se në rrotullën e jetës të Perëndisë s’do të jenë kurrë emrat e ithtarëve të paepur të Babilonisë së Madhe ose të atyre që kanë vazhduar të adhurojnë bishën.​—Dalja 32:33; Psalmi 86:8-10; Gjoni 17:3; Zbulesa 16:2; 17:5.

Paqe dhe siguri​—Shpresa të kota

10, 11. (a) Ç’vit e shpalli OKB-ja vitin 1986 dhe çfarë u arrit? (b) Sa «familje fetare» u mblodhën në Asizi të Italisë për t’u lutur për paqen? A u përgjigjet Perëndia këtyre lutjeve? Shpjego.

10 Në një përpjekje për të forcuar shpresat e njerëzimit për paqen, Kombet e Bashkuara e shpallën vitin 1986 «vitin ndërkombëtar të paqes», me temën «Të ruajmë paqen dhe të ardhmen e njerëzimit». Kombet që ishin në luftë u ftuan të linin armët të paktën për një vit. Çfarë bënë ato? Sipas një raporti nga Instituti Ndërkombëtar i Kërkimeve për Paqe, gati 5 milionë njerëz u vranë në luftërat që u zhvilluan vetëm gjatë vitit 1986. Me gjithë nxjerrjen e disa monedhave të veçanta dhe të vulave përkujtimore, shumica e vendeve bënë fare pak për të përkrahur idealin e paqes atë vit. Mirëpo, fetë e botës, gjithnjë në merak për marrëdhënie të mira me OKB-në, i bënë reklamë të madhe atij viti, në mënyra të ndryshme. Më 1 janar 1986, papa Gjon Pali II lavdëroi punën e OKB-së dhe ia kushtoi vitin e ri paqes. Më 27 tetor, ai mblodhi në Asizi të Italisë krerët e shumë feve të botës, që të luteshin për paqen.

11 A u përgjigjet Perëndia lutjeve të tilla për paqe? Po ja, cilit Perëndi po i luteshin ata? Po t’i pyesje, secili grup do të përgjigjej ndryshe. Mos, vallë, ekziston ndonjë panteon me miliona perëndi që dëgjojnë dhe plotësojnë kërkesat e bëra në mënyra nga më të ndryshmet? Shumë nga pjesëmarrësit adhuruan trinitetin e krishterimit apostat. * Budistët, hindusët dhe të tjerë u kënduan lutje perëndive të panumërta. Ishin mbledhur gjithsej 12 «familje fetare», që përfaqësoheshin nga persona të rëndësishëm si kryepeshkopi anglikan i Kantërbërit, Dalai Lama i budizmit, një metropolit ortodoks rus, presidenti i shoqatës së faltores shintoiste të Tokios, animistë afrikanë dhe dy indianë të Amerikës me kapelet e tyre me pupla. Më e pakta ishte një grup i larmishëm tamam për një spektakël të madh televiziv. Një grup u lut për 12 orë pa pushim. (Krahaso Lukën 20:45-47.) Por, a i kaloi ndonjëra nga ato lutje retë e ngarkuara me shi, që u rrinin mbi kokë të pranishmëve? Jo dhe ja pse:

12. Për cilat arsye Perëndia nuk iu përgjigj lutjeve për paqe të krerëve fetarë të botës?

12 Ndryshe nga kush ‘ecën në emër të Jehovait’, asnjë nga ata krerë fetarë nuk iu lut Jehovait, Perëndisë së gjallë, emri i të cilit gjendet rreth 7.000 herë në tekstin origjinal të Biblës. (Mikea 4:5; Isaia 42:8, 12) * Që të gjithë ata nuk iu afruan Perëndisë në emër të Jezuit, madje shumica as që besonin te Jezu Krishti. (Gjoni 14:13; 15:16) Asnjëri prej tyre nuk bën vullnetin e Perëndisë në kohën tonë, domethënë të shpallë se shpresa e vërtetë për njerëzimin është Mbretëria e Perëndisë që do të vijë së shpejti dhe jo OKB-ja. (Mateu 7:21-23; 24:14; Marku 13:10) Në pjesën më të madhe, organizatat e tyre fetare kanë pasur gisht në luftërat e përgjakshme të historisë, duke përfshirë edhe dy luftërat botërore të shekullit të 20-të. Atyre Perëndia u thotë: «Edhe pse lutjet tuaja janë të shumta, unë nuk i dëgjoj. Duart tuaja janë tërë gjak.»​—Isaia 1:15; 59:1-3.

13. (a) Pse është domethënës fakti që krerët fetarë të botës bashkohen me OKB-në për të kërkuar paqe? (b) Sipas fjalëve të parathëna nga Perëndia, cili do të jetë kulmi i thirrjeve për paqe?

13 Veç kësaj, është shumë domethënës fakti që krerët fetarë të botës bashkohen me Kombet e Bashkuara për të kërkuar paqe në kohën tonë. Në të vërtetë, ata do të donin të ndikonin tek OKB-ja për përfitimin e vet, sidomos sot kur shumë nga besnikët e tyre po i kthejnë krahët fesë. Njësoj si krerët jobesnikë të Izraelit të lashtë, ata thërrasin: «Ka paqe! Ka paqe!, kur paqe s’ka.» (Jeremia 6:14) S’do mend se ata do t’i vazhdojnë thirrjet e tyre për paqe, duke mbështetur gjithnjë e më shumë ngjarjen kulmore për të cilën apostulli Pavël profetizoi: «Dita e Jehovait vjen tamam si një hajdut natën. Kur të thonë: ‘Paqe dhe siguri!’, atëherë një shkatërrim i beftë do të bjerë në çast mbi ta, ashtu si dhembjet e lindjes zënë një grua shtatzënë, dhe kurrsesi nuk do të shpëtojnë.»​—1 Selanikasve 5:2, 3.

14. Ç’formë mund të marrë thirrja «paqe dhe siguri», dhe si mund të mos mashtrohemi prej saj?

14 Vitet e fundit, politikanët kanë përdorur shprehjen «paqe dhe siguri» për të cilësuar projekte të ndryshme njerëzore. A shënojnë këto përpjekje të krerëve të botës fillimin e përmbushjes së 1 Selanikasve 5:3? Apo Pavli e kishte fjalën vetëm për një ngjarje të veçantë të përmasave të tilla dramatike, që do të tërhiqte vëmendjen e botës mbarë? Meqenëse profecitë e Biblës shpesh janë kuptuar plotësisht vetëm pasi janë përmbushur ose gjatë përmbushjes, na duhet të presim e të shohim. Ndërkohë të krishterët e dinë se çfarëdolloj paqeje e sigurie mund të duket se kanë arritur kombet, në thelb asgjë s’do të ketë ndryshuar. Egoizmi, urrejtja, krimi, prishja e familjes, imoraliteti, sëmundjet, brengat dhe vdekja s’do të kenë marrë fund. Ndaj, asnjë thirrje për «paqe dhe siguri» s’ka pse të të mashtrojë, nëse ti qëndron syçelë për të kuptuar domethënien e ngjarjeve botërore dhe nëse i merr seriozisht paralajmërimet profetike të Fjalës së Perëndisë.​—Marku 13:32-37; Luka 21:34-36.

[Shënimet]

^ par. 3 Pas vdekjes së Xhozef Radhërfordit më 8 janar 1942, president i Shoqatës Watch Tower u bë Nejthën Nori.

^ par. 5 Më 20 nëntor 1940, Gjermania, Italia, Japonia dhe Hungaria nënshkruan marrëveshjen për një «Lidhje të re Kombesh». Katër ditë më vonë, Vatikani transmetoi në radio një meshë dhe një lutje për paqen fetare dhe për një rend të ri. Por kjo «Lidhje e re» nuk u konkretizua kurrë.

^ par. 11 Koncepti i Trinitetit e ka prejardhjen nga Babilonia e lashtë, ku adhurohej një trinitet i përbërë nga tri perëndi: Shamashi, perëndia-diell, Sini, perëndia-hënë, dhe Ishtari, perëndia-yll. Të njëjtin model ndoqi edhe Egjipti, ku adhurohej Osirisi, Isisi dhe Horusi. Ashuri, perëndia kryesor i Asirisë paraqitej me tri koka. Po ashtu, disa kisha katolike kanë shëmbëlltyra që e paraqitin Perëndinë me tri koka.

^ par. 12 Një fjalor (Webster’s Third New International Dictionary i vitit 1993) e përkufizon Perëndinë Jehova si «një hyjni supreme të njohur, Perëndia i vetëm që adhurojnë Dëshmitarët e Jehovait».

[Pyetjet]

[Kutia në faqen 250]

Paradoksi i «paqes»

Edhe pse 1986-a u shpall nga OKB-ja si Viti Ndërkombëtar i Paqes, gara vrastare e armatimeve u përshkallëzua. Ja disa hollësi që të bëjnë të mendosh seriozisht, të marra nga një raport i World Military and Social Expenditures 1986:

Në vitin 1986 shpenzimet ushtarake në shkallë globale arritën shumën 900 miliardë dollarë.

Shuma e harxhuar në nivel global për armatimet vetëm për një orë, do të mjaftonte për të vaksinuar 3,5 milionë njerëz që kanë vdekur çdo vit nga sëmundje ngjitëse të parandalueshme.

Në të gjithë botën një në pesë njerëz jetonte në kushtet e një varfërie të tejskajshme. Gjithë këta njerëz që vdesin urie, mund të ishin ngopur me bukë për një vit me paratë që bota ka harxhuar për armatimin vetëm për dy ditë.

Fuqia shpërthyese e rezervave botërore të armëve bërthamore ishte 160.000.000 herë më e madhe se shpërthimi i Çernobilit.

Një bombë bërthamore që mund të lëshohej, kishte një fuqi shpërthyese 500 herë më të madhe se bomba që u hodh në Hiroshimë në vitin 1945.

Në arsenalet bërthamore gjendej barasvlerësi i më shumë se një milion Hiroshimave. Fuqia e tyre shpërthyese ishte 2.700 herë më e madhe se ajo që u përdor në Luftën II Botërore, ku vdiqën 38 milionë veta.

Luftërat u bënë më të shpeshta e më vdekjeprurëse. Viktimat e luftës në shekullin e 18-të ishin 4,4 milionë; në shekullin e 19-të arritën në 8,3 milionë dhe gjatë 86 viteve të para të shekullit të 20-të shkuan në 98,8 milionë. Që nga shekulli i 18-të, viktimat e luftës janë shtuar më shumë se gjashtë herë më shpejt se popullsia e botës. Në shekullin e 20-të, numri i viktimave në çdo luftë ishte dhjetë herë më i lartë se në shekullin e 19-të.

[Figurat në faqen 247]

Siç është profetizuar për bishën me ngjyrë të kuqe të ndezur, Lidhja e Kombeve u hodh në humnerë gjatë Luftës II Botërore, por rilindi si Kombet e Bashkuara

[Figurat në faqen 249]

Për të mbështetur «vitin e paqes» të shpallur nga OKB-ja, përfaqësues të feve të botës u mblodhën në Asizi të Italisë, ku bënë njëfarë Babeli me lutjet e tyre, mirëpo asnjëri nuk iu lut Perëndisë së gjallë, Jehovait