Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Zbulohet një sekret i shenjtë

Zbulohet një sekret i shenjtë

Kapitulli 6

Zbulohet një sekret i shenjtë

1. Cili duhet të jetë reagimi ynë para tablosë plot shkëlqim që na paraqit Zbulesa 1:10-17?

VEGIMI i Jezuit të lartësuar është vërtet mbresëlënës! Po të kishim qenë edhe ne atje bashkë me Gjonin, me siguri do të kishim mbetur pa mend nga lavdia e shkëlqimi i tij, dhe do të kishin rënë në gjunjë si ai. (Zbulesa 1:10-17) Ky vegim hyjnor i pashoq është ruajtur për ne sot, që të na nxitë të veprojmë. Njësoj si Gjoni, me përulësi duhet të tregojmë çmueshmëri për gjithë atë që përfaqëson ky vegim. Dëshira jonë është që të tregojmë gjithnjë nderim e respekt për pozitën e Jezuit si Mbret i hipur në fron, si Kryeprift dhe si Gjykatës.​—Filipianëve 2:5-11.

«I Pari dhe i Fundit»

2. (a) Me çfarë titulli u prezantua Jezui? (b) Si duhen kuptuar fjalët e Jehovait «unë jam i pari dhe i fundit»? (c) Ku e vuri theksin Jezui kur përmendi titullin «i Pari dhe i Fundit»?

2 Megjithatë, ky nderim s’duhet t’ia lërë vendin frikës së sëmurë. Jezui i dha zemër Gjonit, siç kuptohet nga vetë fjalët e apostullit. «Ai vuri dorën e djathtë mbi mua dhe tha: ‘Mos ki frikë. Unë jam i Pari dhe i Fundit, ai që jeton.’» (Zbulesa 1:17b, 18a) Tek Isaia 44:6 Jehovai e përshkruan me të drejtë pozitën e tij si i vetmi Perëndi i plotfuqishëm kur thotë: «Unë jam i pari dhe i fundit, dhe veç meje nuk ka tjetër Perëndi.» * Kur Jezui u prezantua si «i Pari dhe i Fundit», nuk po thoshte se ishte i barabartë me Jehovain, Krijuesin e Madh, por po përdorte një titull që vetë Perëndia ia kishte dhënë me të drejtë. Tek Isaia, Jehovai po fliste për pozitën e tij unike si Perëndia i vërtetë. Ai është Perëndi i përjetshëm dhe veç tij s’ka tjetër perëndi. (1 Timoteut 1:17) Kurse te Zbulesa Jezui foli për titullin që i ishte dhënë, duke e vënë theksin te karakteri unik i ringjalljes së tij.

3. (a) Në ç’kuptim Jezui ishte «i Pari dhe i Fundit»? (b) Çfarë nënkupton fakti që Jezui ka «çelësat e vdekjes dhe të Hadesit»?

3 Jezui ishte vërtet «i Pari» njeri që u ringjall në jetën frymore si i pavdekshëm. (Kolosianëve 1:18) Veç kësaj, ai ishte «i Fundit» që u ringjall nga vetë Jehovai. Kështu, ai bëhet ‘ai që jeton . . . dhe rron në jetë të jetëve’. Ai është i pavdekshëm. Në këtë aspekt, është si Ati i tij i pavdekshëm, që quhet ‘Perëndia i gjallë’. (Zbulesa 7:2; Psalmi 42:2) Jezui është «ringjallja dhe jeta» për gjithë racën njerëzore. (Gjoni 11:25) Prandaj, ai i tha Gjonit: «Isha i vdekur, por ja, rroj në jetë të jetëve dhe kam çelësat e vdekjes dhe të Hadesit.» (Zbulesa 1:18b) Jehovai i ka dhënë autoritet të ringjallë të vdekurit. Ja pse Jezui mund të thoshte se kishte çelësat për t’u hapur portat atyre që mbahen rob nga vdekja dhe Hadesi (varri).​—Krahaso Mateun 16:18.

4. Cilin urdhër përsëriti Jezui dhe për dobi të kujt?

4 Pastaj, Jezui i përsëriti Gjonit urdhrin që ta shkruante vegimin dhe i tha: «Shkruaji gjërat që pe, gjërat që janë dhe gjërat që do të ndodhin pas këtyre.» (Zbulesa 1:19) Ç’gjëra të tjera nxitëse do të na bëjë të njohur Gjoni për mësimin tonë?

Yjet dhe shandanët

5. Si i shpjegoi Jezui «shtatë yjet» dhe «shtatë shandanët»?

Gjoni e pa Jezuin mes shtatë shandanëve prej ari me shtatë yje në dorën e djathtë. (Zbulesa 1:12, 13, 16) Më pas Jezui i shpjegoi: «Sa për sekretin e shenjtë të shtatë yjeve që pe në dorën time të djathtë dhe të shtatë shandanëve të artë, shtatë yjet përfaqësojnë engjëjt e shtatë kongregacioneve, kurse shtatë shandanët përfaqësojnë shtatë kongregacionet.»​—Zbulesa 1:20.

6. Ç’përfaqësojnë shtatë yjet dhe pse mesazhet u drejtohen në mënyrë të veçantë atyre?

6 «Yjet» janë «engjëjt e shtatë kongregacioneve». Në librin e Zbulesës, yjet nganjëherë simbolizojnë engjëjt e mirëfilltë, por Jezui zor se do të kishte përdorur si sekretar një njeri për t’u shkruar krijesave të padukshme frymore. Kështu, «yjet» duhet të jenë mbikëqyrësit ose pleqtë e kongregacioneve, që konsiderohen si lajmëtarët e Jezuit. * Mesazhet u drejtohen yjeve, sepse ata janë ngarkuar të mbikëqyrin kopenë e Jehovait.​—Veprat 20:28.

7. (a) Pse fakti që Jezui i foli vetëm një engjëlli në çdo kongregacion, nuk do të thotë se çdo kongregacion ka vetëm një plak? (b) Kë paraqitin në të vërtetë shtatë yjet në dorën e djathtë të Jezuit?

7 Sipas vegimit, Jezui i foli vetëm një ‘engjëlli’ në çdo kongregacion. Atëherë, a do të thotë kjo se çdo kongregacion ka vetëm një plak? Jo. Që në kohën e Pavlit, kongregacioni i Efesit nuk kishte vetëm një plak, por disa. (Zbulesa 2:1; Veprat 20:17) Kështu, edhe në kohën e Gjonit, kur shtatë yjeve iu dërguan mesazhe që t’ua lexonin kongregacioneve (duke përfshirë edhe atë të Efesit), yjet paraqitnin të gjithë ata që shërbenin në trupin e pleqve brenda kongregacionit të mirosur të Jehovait. Edhe sot pleqtë u lexojnë kongregacioneve letrat që marrin nga Trupi Udhëheqës, i përbërë nga mbikëqyrës të mirosur që shërbejnë nën kryesinë e Jezuit. Çdo trup pleqsh duhet të sigurohet se kongregacioni po ndjek këshillën e Jezuit. Është e qartë se këshilla u sjell dobi të gjithë atyre që shoqërohen me kongregacionin, dhe jo vetëm pleqve.​—Shih Zbulesën 2:11a.

8. Çfarë tregon fakti se pleqtë janë në dorën e djathtë të Jezuit?

8 Përderisa Jezui është Kreu i kongregacionit, është e përshtatshme të thuhet se pleqtë janë në dorën e tij të djathtë, domethënë, nën kontrollin dhe drejtimin e tij. (Kolosianëve 1:18) Ai është Kryebariu, kurse ata janë nënbarinjtë.​—1 Pjetrit 5:2-4.

9. (a) Çfarë paraqitin shtatë shandanët dhe pse janë një simbol i përshtatshëm? (b) Çfarë mund t’i ketë kujtuar ky vegim Gjonit?

9 Shtatë shandanët janë shtatë kongregacionet të cilave Jezui u drejtoi librin e Zbulesës: Efesi, Smirna, Pergami, Tiatira, Sarda, Filadelfia dhe Laodicea. Pse kongregacionet paraqiten nga shandanët? Sepse të krishterët, qoftë individualisht, qoftë të grupuar nëpër kongregacione, duhet të bëjnë ‘të ndriçojë drita e tyre para njerëzve’ në këtë botë të errët. (Mateu 5:14-16) Veç kësaj, shandanët ishin ndër pajisjet e tempullit të Solomonit. Quajtja e kongregacioneve shandanë, mund t’i ketë kujtuar Gjonit, në kuptim të figurshëm, se çdo kongregacion i të mirosurve është «tempulli i Perëndisë», një vend ku banon fryma e Perëndisë. (1 Korintasve 3:16) Për më tepër, në tempullin e madh frymor të Jehovait, që paraqitet në mënyrë profetike nga tempulli judaik, pjesëtarët e kongregacionit të të mirosurve shërbejnë si «priftëri mbretërore». Pikërisht në këtë tempull Jezui është Kryeprifti dhe vetë Jehovai banon në Më të Shenjtën qiellore.​—1 Pjetrit 2:4, 5, 9; Hebrenjve 3:1; 6:20; 9:9-14, 24.

Apostazia e madhe

10. Çfarë i ndodhi sistemit judaik dhe përkrahësve të tij të papenduar në vitin 70 të e.s.?

10 Kur Gjoni shkroi Zbulesën, krishterimi ishte në ekzistencë prej më shumë se 60 vjetësh. Fillimisht, ai i kishte mbijetuar për 40 vjet me radhë kundërshtimit të judaizmit. Më pas, sistemi judaik mori një goditje vdekjeprurëse në vitin 70 të e.s., kur judenjtë e papenduar humbën identitetin e tyre kombëtar dhe atë që e mbanin si idhull: tempullin e Jerusalemit.

11. Pse kishte ardhur koha që Kryebariu të paralajmëronte kongregacionet për prirjet që po zhvilloheshin?

11 Megjithatë, apostulli Pavël kishte parathënë se mes të krishterëve të mirosur do të lindte apostazia. Vetë mesazhet e Jezuit tregojnë se në moshën e shkuar të Gjonit kjo apostazi ishte në zhvillim e sipër. Gjoni ishte i fundit nga ata që vepruan si forcë frenuese ndaj kësaj tentative të përqendruar të Satanait për të korruptuar farën e gruas. (2 Selanikasve 2:3-12; 2 Pjetrit 2:1-3; 2 Gjonit 7-11) Prandaj ishte koha e duhur që Kryebariu i emëruar nga Jehovai t’u shkruante pleqve të kongregacioneve, që t’i paralajmëronte për prirjet që po zhvilloheshin dhe t’i inkurajonte të krishterët me zemër të drejtë të qëndronin të patundur në mbrojtje të drejtësisë.

12. (a) Si u zhvillua apostazia gjatë shekujve, pas vdekjes së Gjonit? (b) Si doli në skenë perandoria e «krishterimit»?

12 Si iu përgjigjën kongregacionet e vitit 96 të e.s. mesazheve të Jezuit, ne nuk e dimë. Por dimë se pas vdekjes së Gjonit, apostazia u zhvillua me ritme të shpejta. «Të krishterët» nuk po e përdornin më emrin e Jehovait, por e zëvendësuan me termat «Zotëri» ose «Perëndi» në dorëshkrimet biblike. Në shekullin e katërt, nëpër kongregacione kishte hyrë tinëz doktrina e rreme e Trinitetit. Në të njëjtën kohë, u adoptua edhe ideja e shpirtit të pavdekshëm. Përfundimisht, perandori romak Kostandini dha pëlqimin e tij që feja «e krishterë» të bëhej feja e shtetit, dhe kjo çoi në zhvillimin e perandorisë së «krishterimit», në gji të së cilës kisha dhe shteti i bashkuan forcat për të sunduar për një mijë vjet. Ishte shumë e lehtë të bëheshe «i krishterë» i këtij lloji. Fise të tëra i përshtatën bindjet e tyre të mëparshme pagane me interpretimet e kësaj feje. Shumë krerë të këtij «krishterimi» u kthyen në tiranë politikë, që i impononin bindjet e tyre apostate me forcën e shpatës.

13. Edhe pse Jezui kishte paralajmëruar të kishin kujdes nga sektet, ç’rrugë morën të krishterët apostatë?

13 Të krishterëve apostatë as u hynë në vesh fjalët e Jezuit për shtatë kongregacionet. Jezui i kishte paralajmëruar efesianët që të fitonin sërish dashurinë që kishin në fillim. (Zbulesa 2:4) Megjithatë anëtarët e krishterimit apostat, duke mos qenë më të bashkuar nga dashuria për Jehovain, bënë luftërat më të përgjakshme dhe përndoqën njëri-tjetrin mizorisht. (1 Gjonit 4:20) Jezui e kishte paralajmëruar kongregacionin e Pergamit të kishte kujdes nga sektet. Megjithatë, sektet u shfaqën që në shekullin e dytë, dhe sot krishterimi apostat ka mijëra sekte dhe fe që hahen me njëra-tjetrën.​—Zbulesa 2:15.

14. (a) Megjithëse Jezui i paralajmëroi për gjendjen e tyre frymore, ç’rrugë morën ata që e quanin veten të krishterë? (b) Si dështuan ata që e mbanin veten për të krishterë të ndiqnin paralajmërimin e Jezuit kundër idhujtarisë dhe imoralitetit?

14 Jezui e kishte paralajmëruar kongregacionin e Sardës t’i ruhej vdekjes frymore. (Zbulesa 3:1) Njësoj si ata në Sardë, të krishterët që vetëm emrin kishin të tillë, nuk vonuan t’i linin pas dore veprat e krishtere, dhe shpejt ia deleguan veprën jashtëzakonisht të rëndësishme të predikimit një pakice, klasës së klerit që paguhej. Jezui e kishte paralajmëruar kongregacionin e Tiatirës kundër rrezikut të idhujtarisë dhe kurvërisë. (Zbulesa 2:20) Megjithatë, krishterimi apostat miratoi hapur përdorimin e shëmbëlltyrave, si edhe mbështeti forma më dinake të idhujtarisë, si nacionalizmin dhe materializmin. Edhe imoraliteti, ndonëse ndonjëherë është dënuar, është toleruar gjerësisht.

15. Çfarë nxjerrin në shesh fjalët e Jezuit drejtuar shtatë kongregacioneve për fetë e krishterimit apostat? Po për atë që është identifikuar si kleri i këtij «krishterimi»?

15 Kështu, fjalët e Jezuit drejtuar shtatë kongregacioneve nxjerrin në shesh dështimin e plotë të të gjitha feve të krishterimit apostat për të qenë populli i veçantë i Jehovait. Ç’është e vërteta, kleri i këtij «krishterimi» është elementi më i spikatshëm i farës së Satanait. Duke e quajtur këtë klasë ‘i paligjshmi’, apostulli Pavël paratha se ‘prania e tij vjen me veprimin e Satanait me çdo vepër të fuqishme, shenja e çudira të gënjeshtërta dhe me çdo mashtrim që mund të sjellë padrejtësia’.​—2 Selanikasve 2:9, 10.

16. (a) Kundër kujt treguan urrejtje të pamëshirshme krerët e «krishterimit»? (b) Ç’ndodhi në gji të «krishterimit» gjatë mesjetës? (c) A ia ndryshoi drejtimin krishterimit apostat kryengritja protestante ose Reforma?

16 Paçka se thonë që janë barinj të kopesë së Perëndisë, krerët e perandorisë së «krishterimit», fetarë a laikë, kanë treguar një urrejtje të pamëshirshme për këdo që inkurajonte leximin e Biblës a demaskonte praktikat e tyre jobiblike. Jan Husi dhe përkthyesi i Biblës, Uilliam Tindali, u përndoqën dhe u martirizuan. Gjatë periudhës së errët të mesjetës, sundimi apostat i Kishës arriti kulmin me Inkuizicionin Katolik, një praktikë vërtet djallëzore. Kushdo që kundërshtonte dogmat ose autoritetin e kishës ndëshkohej pa mëshirë, dhe mijëra e mijëra të ashtuquajtur heretikë u torturuan deri në vdekje ose u dogjën të gjallë në turrën e druve. Me këto, Satanai përpiqej të sigurohej që të shkatërrohej menjëherë çdo farë e vërtetë e organizatës së Perëndisë ngjashëm gruas. Kur ndodhi kryengritja protestante, ose Reforma (nga viti 1517), shumë Kisha Protestante, treguan të njëjtën frymë intolerance. Edhe ato u përlyen me gjakun e martirëve që u munduan t’i qëndronin besnikë Perëndisë dhe Krishtit. Po, ‘gjaku i të shenjtëve’ u derdh lumë!​—Zbulesa 16:6; krahaso Mateun 23:33-36.

Fara u qëndron sprovave

17. (a) Çfarë parathoshte ilustrimi i Jezuit për grurin dhe egjrën? (b) Ç’ndodhi në vitin 1918 dhe kush u hodh poshtë e kush u emërua?

17 Me ilustrimin e grurit dhe të egjrës, Jezui paratha epokën e territ që do të karakterizonte sundimin absolut të krishterimit apostat. Megjithatë, përgjatë shekujve të apostazisë do të kishte individë të krishterë, të ngjashëm me grurin, të mirosurit e vërtetë. (Mateu 13:24-29, 36-43) Kështu, kur agoi dita e Zotërisë në tetor të vitit 1914, në tokë kishte ende të krishterë të vërtetë. (Zbulesa 1:10) Duket se Jehovai erdhi për të gjykuar në tempullin e tij frymor rreth tre vjet e gjysmë më vonë, në vitin 1918, bashkë me Jezuin si ‘lajmëtarin e besëlidhjes’. (Malakia 3:1; Mateu 13:47-50) Kishte ardhur koha që Zotëria të hidhte poshtë më në fund të krishterët e rremë dhe të emëronte ‘skllavin e besueshëm dhe të matur mbi gjithë zotërimet e veta’.​—Mateu 7:22, 23; 24:45-47.

18. Cila ‘orë’ erdhi në vitin 1914? Ç’duhej të bënte skllavi në këtë kohë?

18 Gjithashtu, kishte ardhur koha që ky skllav t’u kushtonte një vëmendje të veçantë gjërave të shkruara në mesazhet e Jezuit për shtatë kongregacionet, siç e tregojnë edhe vetë fjalët që gjejmë në to. Për shembull, Jezui përmendi ardhjen e tij për të gjykuar kongregacionet, dhe ky gjykim filloi në vitin 1918. (Zbulesa 2:5, 16, 22, 23; 3:3) Ai tha se do ta mbronte kongregacionin e Filadelfias nga ‘ora e sprovës që do të vinte mbi mbarë tokën e banuar’. (Zbulesa 3:10, 11) Kjo ‘orë sprove’ erdhi me agimin e ditës së Zotërisë, në vitin 1914. Pas kësaj dite u sprovua besnikëria e të krishterëve ndaj Mbretërisë së vendosur të Perëndisë.​—Krahaso Mateun 24:3, 9-13.

19. (a) Çfarë përfaqësojnë sot shtatë kongregacionet? (b) Cila mori është bashkuar me të krishterët e mirosur? Pse këshillat e Jezuit dhe gjendja që ai përshkroi zbatohen edhe për ta? (c) Si duhet t’i konsiderojmë mesazhet e Jezuit për shtatë kongregacionet e shekullit të parë?

19 Ja pse themi se fjalët e Jezuit drejtuar kongregacioneve e kanë pasur përmbushjen e tyre kryesore që nga viti 1914. Në këtë tablo shtatë kongregacionet përfaqësojnë të gjitha kongregacionet e të krishterëve të mirosur gjatë ditës së Zotërisë. Veç kësaj, gjatë më shumë se 70 viteve të kaluara, me të krishterët e mirosur, që paraqiten nga Gjoni, janë bashkuar shumë e shumë besimtarë që kanë shpresë të jetojnë përgjithmonë në Parajsën në tokë. Këshillat e Jezu Krishtit, që tani ka marrë lavdi, dhe gjendja e shtatë kongregacioneve pas hetimit të tij, zbatohen me të njëjtën forcë edhe për ta, pasi ka vetëm një normë drejtësie dhe besnikërie për të gjithë shërbëtorët e Jehovait. (Dalja 12:49; Kolosianëve 3:11) Pra, mesazhet e Jezuit për shtatë kongregacionet e shekullit të parë në Azinë e Vogël nuk janë thjesht histori të së kaluarës për të shuar kërshërinë. Ato do të thonë jetë ose vdekje për secilin prej nesh, ndaj le t’i dëgjojmë me kujdes fjalët e Jezuit.

[Shënimet]

^ par. 2 Në tekstin origjinal në hebraisht, tek Isaia 44:6, fjalët «i pari» dhe «i fundit» nuk shoqërohen me nyjë shquese, kurse në tekstin origjinal në greqisht, te Zbulesa 1:17, ku Jezui përshkruan veten, ka nyjë shquese. Pra, në kuptimin gramatikor, te Zbulesa 1:17 bëhet fjalë për një titull, kurse tek Isaia 44:6 përshkruhet hyjnia e Jehovait.

^ par. 6 Fjala greke ággelos (që shqiptohet «ángelos») do të thotë «lajmëtar» dhe «engjëll». Te Malakia 2:7, prifti levit quhet «lajmëtar» (hebraisht malákh).

[Pyetjet]

[Kutia në faqen 32]

Kohë sprove dhe gjykimi

Jezui u pagëzua dhe u miros si Mbreti i emëruar në lumin Jordan rreth tetorit të vitit 29 të e.s. Tre vjet e gjysmë më vonë, në vitin 33 të e.s., ai shkoi në tempullin e Jerusalemit dhe flaku jashtë ata që e kishin kthyer në një shpellë kusarësh. Duket se ka një paralele mes kësaj ngjarjeje dhe periudhës prej tre vjetësh e gjysmë, kur Jezui u ul në fronin e tij në qiell, në tetor të vitit 1914, derisa nisi të hetonte ata që thoshin se ishin të krishterë, pasi gjykimi filloi nga shtëpia e Perëndisë. (Mateu 21:12, 13; 1 Pjetrit 4:17) Në fillim të 1918-s, aktiviteti i popullit të Jehovait në mbështetje të Mbretërisë, hasi kundërshtim të madh. Ishte koha të bëhej një sprovë në shkallë botërore, dhe frikacakët kaluan në sitë. Në maj të 1918-s, kleri i krishterimit apostat kurdisi burgosjen e përfaqësuesve të Shoqatës Watch Tower, por nëntë muaj më pas ata u lanë të lirë. Më vonë, akuzat e rreme kundër tyre u hodhën poshtë. Që nga viti 1919, organizata e popullit të Perëndisë, e sprovuar dhe e rafinuar, iu fut me zell shpalljes së Mbretërisë së Jehovait dhe të Krishtit Jezu si e vetmja shpresë për njerëzimin.​—Malakia 3:1-3.

Kur Jezui nisi hetimin në vitin 1918, kleri i «krishterimit» u gjykua dhe pa dyshim doli me faj. Ata jo vetëm kishin qenë burimi i përndjekjes kundër popullit të Perëndisë, por mbi ta binin akuza të rënda për gjakderdhje, pasi kishin mbështetur kombet ndërluftuese gjatë Luftës I Botërore. (Zbulesa 18:21, 24) Më pas, ata klerikë i vunë shpresat te Lidhja e Kombeve, një sajesë e njeriut. Bashkë me tërë perandorinë botërore të fesë së rreme, «krishterimi» humbi plotësisht favorin e Perëndisë në vitin 1919.

[Harta në faqet 28, 29]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

EFES

SMIRNË

PERGAM

TIATIRË

SARDË

FILADELFIA

LAODICE

[Figurat në faqen 31]

Fetë e krishterimit apostat janë njollosur me gjakun e derdhur lumë të atyre që përndoqën dhe vranë, vetëm ngaqë përkthyen, lexuan ose thjesht patën Biblën