Çfarë beson ti?
Shumë fetarë që besojnë në interpretimin fjalë për fjalë të Biblës, thonë se toka dhe gjithçka në të u krijuan në gjashtë ditë 24-orëshe, vetëm disa mijëra vjet më parë. Disa ateistë mbrojnë idenë se nuk ka Perëndi, se Bibla është një libër mitesh dhe se çdo formë jete është produkt i ngjarjeve të rastësishme që nuk janë drejtuar nga dikush.
Pjesa më e madhe e njerëzve kanë pikëpamje që janë diku aty në mes të këtyre ideve kundërshtare. Përderisa po lexon këtë broshurë, ka të ngjarë që edhe ti të jesh një ndër ta. Ndoshta beson te Perëndia dhe e respekton Biblën. Por mbase vlerëson edhe mendimin e shkencëtarëve shumë të përgatitur e me influencë, të cilët nuk besojnë se jeta u krijua. Nëse je prind, ndoshta pyet veten si t’u përgjigjesh fëmijëve kur të pyesin për evolucionin dhe krijimin.
Cili është qëllimi i kësaj broshure?
Kjo broshurë nuk ka si qëllim të vërë në lojë as pikëpamjet e fetarëve që besojnë në interpretimin fjalë për fjalë të Biblës, as ato të njerëzve që zgjedhin të mos besojnë te Perëndia. Ne shpresojmë që kjo broshurë të të nxitë të shqyrtosh edhe një herë ku bazohen disa nga bindjet e tua. Ajo do të japë një shpjegim të tregimit biblik të krijimit që mund të mos e kesh menduar më parë. Gjithashtu, do të theksojë pse ka rëndësi ajo që beson për mënyrën si ka filluar jeta.
A do t’u besosh pohimeve se nuk ka një Krijues inteligjent dhe se Bibla nuk është e besueshme? Apo do të shqyrtosh atë që thotë në të vërtetë Bibla? Cilat mësime meritojnë besimin tënd, ato të Biblës apo të evolucionistëve? (Hebrenjve 11:1) Pse të mos i shqyrtosh edhe një herë faktet?