Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

KAPITULLI 19

«Atje ku shkon përroi, gjithçka do të jetojë»

«Atje ku shkon përroi, gjithçka do të jetojë»

EZEKIELI 47:9

NË KËTË KAPITULL: Si u përmbush në kohët e lashta vegimi për lumin që buron nga tempulli, si po përmbushet sot dhe si do të përmbushet në të ardhmen

1, 2. Sipas Ezekielit 47:1-12, çfarë pa dhe mësoi Ezekieli? (Shih figurën hapëse.)

EZEKIELI sheh sërish një mrekulli në vegimin për tempullin: një përrua që buron nga shenjtërorja. Imagjino Ezekielin teksa ndjek vijën e ujit që është i pastër si kristali. (Lexo Ezekielin 47:1-12.) Ajo buron nga pragu i shenjtërores si një rrëke e vogël dhe del nga kompleksi i tempullit afër portës lindore. Engjëlli e merr me vete Ezekielin dhe fillon të matë distancën ndërsa largohen nga tempulli. Ai i thotë vazhdimisht të kalojë nëpër ujë dhe profeti sheh se shpejt rrëkeja bëhet një përrua ose lumë i vrullshëm që nuk e kalon dot, sepse është kaq i thellë sa duhet të notosh.

2 Ezekieli mëson se lumi derdhet në Detin e Vdekur dhe ëmbëlson ujërat e tij. Kudo që rrjedh, gëlojnë krijesat e gjalla e ka peshq me bollëk. Në të dyja anët e përroit sheh që rriten lloj-lloj pemësh për ushqim. Çdo muaj japin fryte të reja që shërbejnë për ushqim, kurse gjethet për shërim. Pa dyshim, të gjitha këto duhet t’ia kenë mbushur zemrën Ezekielit me paqe e shpresë. Çfarë kuptimi kishte për të mërguarit judenj kjo pjesë e vegimit për tempullin? Po për ne sot?

Ç’kuptim kishte për të mërguarit lumi që pa Ezekieli në vegim?

3. Pse themi se të mërguarit nuk mendonin se lumi në vegimin e Ezekielit ishte i mirëfilltë?

3 Judenjtë e kohëve të lashta me siguri nuk mendonin se lumi në vegim ishte i mirëfilltë. Përkundrazi, ky përshkrim mund t’u ketë kujtuar një profeci tjetër për rivendosjen, të cilën profeti Joel e kishte shkruar ndoshta mbi dy shekuj më parë. (Lexo Joelin 3:18.) Pa dyshim, kur të mërguarit lexonin fjalët e frymëzuara të Joelit, nuk pritnin vërtet ‘të pikonte verë e ëmbël’ nga malet ose ‘të rridhte qumësht nga kodrat’. Madje nuk pritnin as që «nga shtëpia e Jehovait» të dilte një burim uji. Po njësoj, ata nuk mendonin se vegimi i profetit Ezekiel fliste për një lumë të mirëfilltë. * Pra, çfarë mesazhi po u përcillte Jehovai? Në fakt, Shkrimet na ndihmojnë të kuptojmë domethënien e disa detajeve nga vegimi. Por, në këtë kapitull do të përqendrohemi në 3 aspekte të vegimit, që na sigurojnë për dashurinë e Jehovait.

4. (a) Për ç’bekime mund të kenë menduar judenjtë kur dëgjuan për lumin në vegimin e Ezekielit? (b) Pse mënyra si përdoren në Bibël fjalët «lumë» dhe «ujë» na siguron se Jehovai do ta bekojë popullin e tij? (Shih kutinë «Lumenj bekimesh nga Jehovai».)

4 Një lumë bekimesh. Shpesh në Bibël, lumenjtë dhe ujërat përfaqësojnë bollëkun e bekimeve jetëdhënëse të Jehovait. Ezekieli pa në vegim një lumë që dilte nga tempulli. Prandaj, populli i Jehovait do të ketë kuptuar se, për sa kohë të përkrahnin adhurimin e pastër, këto bekime do të vërshonin. Për çfarë bekimesh po flasim? Jehovai do t’u jepte sërish udhëzime nëpërmjet priftërinjve. Gjithashtu, falë flijimeve që do të ofroheshin në tempull, populli kishte sigurinë se do t’u shlyheshin mëkatet. (Ezek. 44:15, 23; 45:17) Kështu do të ishin përsëri të pastër, sikur të ishin larë me ujërat e kulluara që rridhnin nga tempulli.

5. Pse jemi të sigurt se gjithmonë do të kishte mjaft bekime për të gjithë?

5 A do të kishte gjithmonë mjaft bekime për të gjithë? Vegimi na heq çdo merak: brenda 2 kilometrash ujërat zgjerohen në mënyrë të mrekullueshme, nga një rrëke në një përrua të vrullshëm. (Ezek. 47:3-5) Kur judenjtë të ktheheshin në vendlindje, populli do të shtohej, ama edhe bekimet e Jehovait do të shtoheshin, që të plotësonin nevojat e tyre. Pra, lumi simbolizonte bollëkun dhe begatinë.

6. (a) Ç’premtim sigurues përmbante vegimi? (b) Çfarë paralajmërimi kishte? (Shih edhe shënimin.)

6 Ujë jetëdhënës. Në vegimin e Ezekielit, lumi derdhej në Detin e Vdekur, duke gjallëruar pjesën e tij më të madhe. Vëreni se, pasi derdhet lumi, ky det mbushet me lloj-lloj peshqish si ata të Detit të Madh, ose Detit Mesdhe. Madje, në brigjet e Detit të Vdekur po lulëzonte industria e peshkimit midis 2 qytezave që ishin goxha larg njëra-tjetrës. Engjëlli tha: «Atje ku shkon përroi, gjithçka do të jetojë.» Por, a do të thoshte kjo se uji që doli nga shtëpia e Jehovait arriti në çdo cep të Detit të Vdekur? Jo. Engjëlli shpjegoi se ujërat jetëdhënëse nuk do të arrinin dot në disa moçale. Ato vende ‘mbetën të kripura’. * (Ezek. 47:8-11) Pra, vegimi përmbante një premtim që garantonte se adhurimi i pastër do ta gjallëronte popullin e do t’i sillte begati. Por kishte edhe një paralajmërim: jo të gjithë do të pranonin bekimet e Jehovait e jo të gjithë do të shëroheshin.

7. Çfarë garancie u jepnin judenjve të mërguar, pemët në anët e përroit?

7 Pemë për ushqim dhe për shërim. Çfarë të themi për pemët në anët e përroit? Përveçse zbukurojnë peizazhin, ato kanë edhe kuptim. Me siguri, Ezekieli dhe të mërguarit kënaqeshin kur mendonin për frutat e shijshme që do të prodhonin pemët. Çdo muaj do të jepnin fryte të reja. Kjo pamje tërheqëse i garantonte edhe një herë se Jehovai do t’u siguronte ushqim besimforcues. Vetëm kaq? Vëreni që gjethet e këtyre pemëve ‘do të shërbenin për shërim’. (Ezek. 47:12) Jehovai e dinte se, kur të mërguarit të ktheheshin, mbi të gjitha do të kishin nevojë të rifitonin miqësinë me të dhe pikërisht këtë u premtoi. Mënyra si e plotësoi Jehovai këtë premtim, tregohet në profeci të tjera për rivendosjen, siç e kemi parë edhe në kapitullin 9 të këtij libri.

8. Nga e kuptojmë se vegimi i Ezekielit do të kishte një përmbushje më të madhe?

8 Gjithsesi, siç e diskutuam në kapitullin 9, të mërguarit e rikthyer panë vetëm një përmbushje të pjesshme të këtyre profecive. Dhe ishte vetë populli që pengonte përmbushjen në një masë më të madhe. E si mund t’i bekonte plotësisht Jehovai kur vazhdimisht u ktheheshin zakoneve të këqija, nuk u bindeshin urdhërimeve të Tij dhe linin pas dore adhurimin e pastër? Judenjtë besnikë vuanin dhe zhgënjeheshin për shkak të sjelljes së bashkëkombësve. Prapëseprapë, adhuruesit besnikë të Jehovait e dinin se premtimet e tij s’ngelen asnjëherë pa u plotësuar. Ato dalin gjithmonë të vërteta. (Lexo Josiun 23:14.) Ndaj, vegimi i Ezekielit do të kishte një përmbushje më të madhe. Kur?

Ç’kuptim ka për ne sot lumi që pa Ezekieli në vegim?

9. Kur do të kishte një përmbushje më të madhe vegimi i Ezekielit për tempullin?

9 Siç e kemi parë në kapitullin 14 të këtij libri, vegimi i Ezekielit për tempullin do të kishte një përmbushje më të madhe «në ditët e fundit», në kohën kur adhurimi i pastër do të lartësohej si kurrë më parë. (Isa. 2:2) Si po plotësohet tani kjo pjesë e vegimit të Ezekielit?

10, 11. (a) Çfarë bekimesh na sjell ndër mend uji që buron nga shtëpia e Jehovait? (b) A kanë vërshuar mjaftueshëm bekimet e Jehovait me rritjen e numrit të shërbëtorëve të tij gjatë ditëve të fundit?

10 Një lumë bekimesh. Çfarë bekimesh na sjell ndër mend uji që buron nga shtëpia e Jehovait? Na kujton gjithë gjërat që na siguron Jehovai për dobinë tonë. Ç’është më e rëndësishmja na kujton fuqinë pastruese të flijimit shpërblyes të Krishtit, përmes të cilit na falen mëkatet. Edhe të vërtetat e kulluara të Fjalës së Perëndisë krahasohen me ujin jetëdhënës që na pastron. (Efes. 5:25-27) Si kanë vërshuar këto bekime në kohën tonë?

11 Në vitin 1919 kishte vetëm disa mijëra shërbëtorë të Jehovait dhe ata kënaqeshin me ushqimin besimforcues në kohën e duhur. Në dekadat vijuese numri i tyre rritej dita-ditës. Sot, populli i Perëndisë është mbi 8 milionë veta. A kanë vërshuar mjaftueshëm ujërat e kulluara të së vërtetës? Po. Ka pasur një bollëk ushqimi besimforcues. Në shekullin e kaluar janë botuar me miliarda Bibla, libra, revista, broshura dhe fletushka për popullin e Perëndisë. Njësoj si lumi që pa Ezekieli në vegim, të vërtetat e Biblës kanë vërshuar edhe më shumë për të plotësuar nevojën e gjithnjë e më tepër njerëzve për të njohur Perëndinë. Prej kohësh disponohen botime të shtypura të bazuara në Bibël. Tani, falë sitit jw.org, këto botime disponohen edhe në format elektronik në mbi 1.000 gjuhë. Si kanë ndikuar te njerëzit e sinqertë ujërat e së vërtetës?

12. (a) Si kanë ndikuar të vërtetat e Biblës te njerëzit? (b) Çfarë paralajmërimi përmban ky vegim për ne sot? (Shih edhe shënimin.)

12 Ujë jetëdhënës. Engjëlli i tha Ezekielit: «Atje ku shkon përroi, gjithçka do të jetojë.» Mendo pak si ka vërshuar mesazhi i së vërtetës te të gjithë ata që kanë hyrë në parajsën tonë të figurshme. Miliona vetave u është prekur zemra nga të vërtetat e Biblës. Falë tyre kanë krijuar besim te Jehovai. Gjithsesi, vegimi përcjell edhe një paralajmërim: jo të gjithë do të vazhdojnë t’i vlerësojnë këto të vërteta. Ashtu si moçalet dhe kënetat në Detin e Vdekur te vegimi i Ezekielit, po ashtu do të ketë njerëz që do t’i hedhin poshtë të vërtetat dhe nuk do të adhurojnë më Jehovain. * Mos e bëfshim kurrë këtë!—Lexo Ligjin e përtërirë 10:16-18.

13. Çfarë mësimesh mund të nxjerrim sot nga pemët në vegim?

13 Pemë për ushqim dhe për shërim. S’diskutohet që pemët në anët e lumit që pa Ezekieli në vegim kanë mësime që na japin zemër edhe ne sot. Mos harro se pemët prodhonin fryte të reja e të shijshme çdo muaj dhe gjethet sillnin shërim. (Ezek. 47:12) Ato na kujtojnë se i shërbejmë një Perëndie që me bujari na ushqen besimin dhe, si të thuash, na shëron. Kjo është më e rëndësishme se çdo gjë tjetër. Bota është e uritur dhe e sëmurë, pasi nuk i kupton të vërtetat e Biblës. Në kontrast me këtë, mendo sa shumë na jep Jehovai. A nuk je ndier i bekuar nga gjithë ky ushqim besimforcues kur ke arritur në fund të një artikulli, të këngës së fundit në një asamble a kongres ose pasi ke përfunduar një video a program në JW Broadcasting? Pa dyshim që kemi ushqim besimforcues me bollëk. (Isa. 65:13, 14) Çfarë dobish kemi nxjerrë nga ky ushqim? Këshillat e mençura që marrim, të cilat bazohen plotësisht në Fjalën e Perëndisë, na ndihmojnë të luftojmë armiq simbolikë, si imoralitetin, lakminë dhe mungesën e besimit. Gjithashtu, Jehovai ka marrë një masë të veçantë që të shërojë të krishterët që kanë bërë një mëkat serioz. (Lexo Jakovin 5:14.) Po, ne jemi vërtet të bekuar, siç kuptohet edhe nga pemët në vegimin e Ezekielit.

14, 15. (a) Ç’mësim nxjerrim nga moçalet që nuk u ëmbëlsuan nga uji? (b) Si nxjerrim dobi nga lumi në vegimin e Ezekielit?

14 Mund të nxjerrim mësim edhe nga moçalet që nuk u ëmbëlsuan nga uji. Nuk duam t’i pengojmë kurrsesi bekimet e Jehovait të vërshojnë në jetën tonë. Sa tragjike do të ishte të mbeteshim të sëmurë si shumë veta në këtë botë! (Mat. 13:15) Përkundrazi, ne kënaqemi teksa nxjerrim dobi nga ky lumë bekimesh. Me siguri na vjen ndër mend lumi që pa Ezekieli në vegim kur pimë me etje ujërat e kulluara të së vërtetës nga Fjala e Perëndisë, kur u predikojmë të tjerëve këto të vërteta dhe kur marrim këshilla të dashura, ngushëllim e ndihmë nga pleqtë e kongregacionit, që janë të stërvitur nga skllavi besnik. Vërtet, ky lumë sjell jetë dhe shërim kudo që shkon.

15 Por, ç’mund të themi për përmbushjen e vegimit në të ardhmen? Siç do ta shohim, lumi do të rrjedhë në masën më të madhe të mundshme në Parajsën që do të vijë.

Ç’kuptim do të ketë në Parajsë lumi që pa Ezekieli në vegim?

16, 17. (a) Në ç’kuptim do të zgjerohet edhe më tepër lumi simbolik në Parajsë? (b) Si do të nxjerrim dobi nga ky lumë bekimesh në Parajsë?

16 A e imagjinon veten në Parajsë duke e shijuar jetën në maksimum, i rrethuar nga familja dhe miqtë? Teksa studion vegimin e Ezekielit, Parajsa do të jetë më reale për ty. Si? Le t’i shqyrtojmë edhe një herë 3 aspektet e vegimit që na sigurojnë për dashurinë e Jehovait.

17 Një lumë bekimesh. Në njëfarë kuptimi, ky lumë simbolik do të zgjerohet shumë më tepër në Parajsë, pasi do të sjellë edhe bekime fizike. Gjatë Mbretërimit Mijëvjeçar të Jezuit, Mbretëria e Perëndisë do t’i ndihmojë shërbëtorët besnikë që të nxjerrin dobi nga shpërblesa në një kuptim më të gjerë, pra, që gradualisht të arrijnë përsosmërinë. S’do të ketë më sëmundje, mjekë, infermierë, spitale dhe sigurime shëndetësore. Uji i jetës do të vërshojë te miliona të mbijetuar pas Armagedonit, ‘një shumicë e madhe’ që do të dalë nga «shtrëngimi i madh». (Zbul. 7:9, 14) Gjithsesi, sado i mrekullueshëm të jetë ky lumë bekimesh, prapëseprapë do të jetë si një rrëke krahasuar me atë që do të vijë më vonë. Njësoj si në vegimin e Ezekielit, lumi do të zgjerohet për të plotësuar nevojat e njerëzimit, që do të shtohet me kalimin e kohës.

Në Parajsë, lumi i bekimeve do t’u kthejë të gjithëve rininë dhe shëndetin (Shih paragrafin 17)

18. Si do të bëhet edhe më i vrullshëm ‘lumi i ujit të jetës’ gjatë Mijëvjeçarit?

18 Ujë jetëdhënës. Gjatë Mijëvjeçarit, ‘lumi i ujit të jetës’ do të zgjerohet jashtë mase. (Zbul. 22:1) Miliona, madje miliarda do të ringjallen dhe do të kenë mundësinë të jetojnë përgjithmonë në Parajsë. Falë Mbretërisë së Jehovait, shumë veta që kanë vdekur dhe që janë dergjur në pluhurin e tokës, do të kthehen përsëri në jetë. (Isa. 26:19) Por, a do të jetojnë përgjithmonë të gjithë të ringjallurit?

19. (a) Pse jemi të sigurt se në Parajsë do të kemi të vërteta të reja? (b) Në çfarë kuptimi disa njerëz do të mbeten si vende «të kripura»?

19 Secili duhet të zgjedhë. Në atë kohë do të hapen rrotulla të reja. Ndaj, ndër ujërat freskuese të Jehovait do të ketë të vërteta dhe udhëzime të reja. A nuk të emocionon kjo? Megjithatë, disa do ta refuzojnë këtë bekim dhe do të vendosin të mos i binden Jehovait. Disa mund të rebelohen gjatë Mijëvjeçarit, ama nuk do ta prishin dot paqen në Parajsë. (Isa. 65:20) Mbase kjo do të na kujtojë vegimin e Ezekielit që flet për moçalet e pajeta, që ‘do të mbeteshin të kripura’. Sa të pamend do të tregohen ata që me kokëfortësi nuk do të pranojnë të pinë nga uji i çmuar i jetës! Pas Mijëvjeçarit, një grup rebelësh do të bashkohet me Satanain. Kushdo që e hedh poshtë qeverisjen e drejtë të Jehovait, do të ketë të njëjtin fund: vdekje të përhershme.—Zbul. 20:7-12.

20. Gjatë Mijëvjeçarit, çfarë do të na sigurojë Jehovai që ngjan me pemët që pa Ezekieli?

20 Pemë për ushqim dhe për shërim. Jehovai dëshiron që askush të mos e humbasë mundësinë për të jetuar përgjithmonë. Ja pse në Parajsë, Ai do të na sigurojë diçka të ngjashme me pemët që pa Ezekieli. Në atë kohë, falë Jehovait do të nxjerrim dobi në çdo aspekt të jetës. Gjatë Mijëvjeçarit, Jezu Krishti bashkë me 144.000 bashkëqeveritarët do të mbretërojnë në qiell. Falë flijimit shpërblyes të Krishtit, si priftërinj, ata do të ndihmojnë njerëzit besnikë të shkojnë drejt përsosmërisë. (Zbul. 20:6) Kjo na kujton pemët që pa Ezekieli në anët e lumit, që kishin fryte për ushqim dhe gjethe për shërim. Vegimi i tij ngjan me një tjetër fragment të bukur profetik, që e dokumentoi apostulli Gjon. (Lexo Zbulesën 22:1, 2.) Gjethet e pemëve që pa Gjoni, janë «për shërimin e kombeve». Miliona shërbëtorë besnikë do të nxjerrin dobi nga shërbimet priftërore të Jezuit dhe të 144.000 të mirosurve.

21. Si ndihesh kur mendon për lumin që pa Ezekieli në vegim dhe çfarë do të shqyrtojmë në vijim? (Shih kutinë «Rrëkeja bëhet përrua».)

21 A nuk mbushesh me paqe dhe me shpresë ndërsa mediton për lumin që pa Ezekieli në vegim? Çfarë kohe fantastike na pret! Mendo pak—mijëra vjet më parë Jehovai pikturoi këto pamje të mrekullueshme të së ardhmes. Gjatë gjithë kësaj kohe i ka ftuar njerëzit të jenë atje dhe të shohin përmbushjen e plotë të profecive. A do të jesh edhe ti në Parajsë? Mbase po mendon nëse do të ketë vend edhe për ty. Le të shohim si na jep siguri pjesa e fundit e profecisë së Ezekielit.

^ par. 3 Judenjtë e mërguar që e mbanin mend relievin e vendlindjes së tyre, ka të ngjarë ta dinin se ky nuk mund të ishte një lumë i mirëfilltë, sepse buronte nga tempulli që ndodhej në një mal shumë të lartë, i cili as nuk ekzistonte aty ku ishte përshkruar. Veç kësaj, vegimi lë të kuptohet se lumi rridhte pa kthesa dhe pa asnjë pengesë deri në Detin e Vdekur, gjë që nga ana gjeografike është e pamundur.

^ par. 6 Disa komentojnë se ky është një mendim pozitiv, pasi grumbullimi i kripës për shkak të aftësive të saj ruajtëse ishte një industri fitimprurëse në rajonin e Detit të Vdekur. Mirëpo vëreni se, sipas tregimit në Shkrime, moçalet ‘nuk do të bëhen të ëmbla’, ose sipas kuptimit të fjalës në hebraisht, nuk do të shërohen. Ato do të jenë të pajeta, pra, të kripura, pasi uji jetëdhënës nga shtëpia e Jehovait nuk i arrin dot. Prandaj, me sa duket, në këtë rast kripësia e këtyre moçaleve ka kuptim negativ.—Psal. 107:33, 34; Jer. 17:6.

^ par. 12 Një mendim të ngjashëm përcjell edhe ilustrimi i Jezuit për rrjetën tratë. Rrjeta kapi shumë peshq, por jo të gjithë ishin të «mirë». Të papërshtatshmit duhej të hidheshin. Kështu, Jezui paralajmëron se një numër i konsiderueshëm i atyre që shoqërohen me organizatën e Jehovait, me kalimin e kohës mund të largohen.—Mat. 13:47-50; 2 Tim. 2:20, 21.