Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

KAPITULLI 1

«Jehovain, Perëndinë tënd, adhuro»

«Jehovain, Perëndinë tënd, adhuro»

MATEU 4:10

NË KËTË KAPITULL: Pse duhet rivendosur adhurimi i pastër?

1, 2. Pse Jezui gjendet në shkretëtirën e Judesë në vjeshtën e vitit 29 të e.s., dhe çfarë i ndodh atje? (Shih figurën hapëse.)

ËSHTË fillim vjeshte, viti 29 i e.s., dhe Jezui ndodhet në shkretëtirën e Judesë, në veri të Detit të Vdekur. E ka sjellë këtu fryma e shenjtë, pas pagëzimit dhe mirosjes. Në këtë vend të shkretë, me shkëmbinj e me gryka, Jezui ka 40 ditë që agjëron, lutet dhe mediton. Mbase, gjatë kësaj kohe, Jehovai ka komunikuar me Birin e tij, duke e përgatitur për atë që e pret.

2 Tani që Jezui ndihet i pafuqishëm ngaqë s’ka ngrënë, Satanai shfrytëzon rastin t’i afrohet. Mënyra si rrjedhin ngjarjet zbulon një çështje jetike ku përfshihet çdo njeri që e do adhurimin e pastër, e këtu përfshihesh edhe ti.

«Nëse je bir i Perëndisë . . .»

3, 4. (a) Me çfarë fjalësh i nisi Satanai dy tundimet e para dhe çfarë dyshimesh donte të ngjallte në mendjen e Jezuit? (b) Çfarë taktikash të ngjashme përdor Satanai sot?

3 Lexo Mateun 4:1-7. Satanai i nisi dy tundimet e para me fjalët tinëzare «nëse je bir i Perëndisë». Mos vallë dyshonte se Jezui është Bir i Perëndisë? Aspak. Ky engjëll rebel e dinte fare mirë se Jezui është Biri i parëlindur i Perëndisë. (Kolos. 1:15) Me siguri, Satanai ishte në dijeni edhe të fjalëve që tha Jehovai nga qielli, kur u pagëzua Jezui: «Ky është Biri im, Biri im i dashur, që unë e kam miratuar.» (Mat. 3:17) Mbase Satanai donte të ngjallte në mendjen e Jezuit dyshime rreth besueshmërisë dhe dashurisë së Atit. Me tundimin e parë, kur i kërkoi të kthente gurët në bukë, me fjalë të tjera Satanai po i thoshte: «Meqë je Biri i Perëndisë, pse Ati yt s’të jep për të ngrënë në këtë vend të shkretë?» Ndërsa, kur e tundoi për herë të dytë dhe e nxiti të hidhej nga bedenat e tempullit, në njëfarë mënyrë po i thoshte: «Ti je Biri i Perëndisë, por a je vërtet i sigurt se Ati do të të mbrojë?»

4 Edhe sot, Satanai përdor taktika të ngjashme. (2 Kor. 2:11) Tunduesi pret derisa adhuruesit e vërtetë të ndihen të pafuqishëm a të shkurajuar dhe pastaj i sulmon, shpesh në mënyra tinëzare. (2 Kor. 11:14) Ai bën çmos që të besojmë se s’do ta kemi kurrë dashurinë dhe miratimin e Jehovait. Veç kësaj, Tunduesi përpiqet të na mbushë mendjen se Jehovai nuk është i besueshëm dhe se nuk do t’i mbajë premtimet që ka bërë në Fjalën e tij. Por këto s’janë veçse gënjeshtra të liga. (Gjoni 8:44) Atëherë, si t’i hedhim poshtë?

5. Si reagoi Jezui ndaj dy tundimeve të para?

5 Le të shqyrtojmë si reagoi Jezui ndaj dy tundimeve të para. Ai s’kishte pikë dyshimi se i Ati e donte dhe kishte besim absolut te Jehovai. Pa e menduar dy herë, i hodhi poshtë tundimet e Satanait duke cituar nga Fjala e frymëzuar e të Atit. Sa me vend është që citoi vargje ku gjendet emri hyjnor, Jehova! (Ligj. 6:16; 8:3) E ku kishte mënyrë më të mirë për të treguar se i besonte Atit, sesa të përdorte emrin e tij! Ky emër unik shërben si garanci se Jehovai do të mbajë çdo premtim. *

6, 7. Si mund t’u rezistojmë sulmeve tinëzare të Satanait?

6 Edhe ne mund t’u rezistojmë sulmeve tinëzare të Satanait, duke u mbështetur te Fjala e Jehovait e duke medituar për domethënien e emrit hyjnor. Shkrimet tregojnë se Jehovai i do dhe merakoset për shërbëtorët e tij, madje edhe për ata që i ka lëshuar zemra. Kur e kuptojmë se këto shkrime vlejnë edhe për ne, mund ta hedhim poshtë gënjeshtrën satanike se është e pamundur që Jehovai të na dojë a të na miratojë. (Psal. 34:18; 1 Pjet. 5:8) Dhe, nëse mbajmë ndër mend se Jehovai jeton gjithnjë në lartësinë e emrit të tij, nuk do të dyshojmë se Përmbushësi i premtimeve është i denjë t’i besojmë pa rezerva.—Prov. 3:5, 6.

7 Gjithsesi, cili është qëllimi kryesor i Satanait? Çfarë kërkon në të vërtetë nga ne? Përgjigjja u bë e qartë kur e tundoi Jezuin për herë të tretë.

‘Përkulu me fytyrë përtokë para meje dhe më adhuro një herë’

8. Si e zbuloi Satanai qëllimin e tij të vërtetë herën e tretë që tundoi Jezuin?

8 Lexo Mateun 4:8-11. Në tundimin e tretë, Satanai i la mënjanë metodat tinëzare dhe zbuloi çfarë qëllimi kishte në të vërtetë. Ai i tregoi Jezuit (mbase me anë të një vegimi) «të gjitha mbretëritë e botës me lavdinë e tyre», por jo anën e tyre të errët. Pastaj i tha: «Të gjitha këto do të t’i jap nëse përkulesh me fytyrë përtokë para meje dhe më adhuron një herë.» * Adhurimin—këtë donte në të vërtetë Satanai. Ai donte që Jezui t’i kthente krahët të Atit dhe të pranonte Tunduesin si perëndinë e tij. Satanai i ofroi Jezuit atë që në pamje të parë dukej rruga më e lehtë. La të nënkuptohej se Jezui do të kishte të gjithë fuqinë dhe pasuritë e kombeve e s’do t’i duhej të provonte vuajtje: as kurorën me gjemba, as fshikullimet, as shtyllën e torturës. Tundimi ishte real, sepse Jezui nuk e mohoi se Satanai ishte sundimtari i qeverive të botës. (Gjoni 12:31; 1 Gjon. 5:19) Satanai çfarë s’do të kishte dhënë që Jezui ta braktiste adhurimin e pastër të Atit të tij.

9. (a) Çfarë do Satanai nga adhuruesit e vërtetë dhe si përpiqet të na tundojë? (b) Çfarë përfshin adhurimi ynë? (Shih kutinë «Çfarë është adhurimi?»)

9 Edhe sot e kësaj dite, Satanai dëshiron me etje që ta adhurojmë: qoftë në mënyrë të drejtpërdrejtë, qoftë të tërthortë. Meqë është «perëndia i kësaj bote», tërë adhurimi i rremë i feve të Babilonisë së Madhe i shkon Satanait. (2 Kor. 4:4) Megjithatë nuk i mjaftojnë miliarda adhurues të rremë, por përpiqet të tundojë edhe adhuruesit e vërtetë që të mos i binden Perëndisë. Ai bën çmos të na joshë që të kërkojmë pasuri e pozitë në këtë botë, në vend se të ecim në udhën e krishterë, udhë që mund të përfshijë edhe të vuajmë «për hir të drejtësisë». (1 Pjet. 3:14) Nëse i dorëzohemi tundimit për të braktisur adhurimin e vërtetë dhe bëhemi pjesë e botës së Satanait, është sikur të përkulemi me fytyrë përtokë e të adhurojmë Satanain, duke e zgjedhur si perëndinë tonë. Atëherë, si t’i rezistojmë këtij tundimi?

10. Si reagoi Jezui ndaj tundimit të tretë dhe pse?

10 Le të shohim si reagoi Jezui ndaj tundimit të tretë. Duke treguar besnikëri absolute ndaj Jehovait, Jezui e refuzoi menjëherë ofertën e Tunduesit me fjalët: «Ik tutje, Satana!» Pastaj, siç bëri në dy tundimet e para, citoi nga Ligji i përtërirë një varg që përmban emrin hyjnor: «Është shkruar: ‘Jehovain, Perëndinë tënd, adhuro dhe vetëm atij bëji shërbim të shenjtë.’» (Mat. 4:10; Ligj. 6:13) Kështu, Jezui hodhi poshtë tundimin për të pasur një karrierë të suksesshme, por jetëshkurtër në këtë botë, si dhe për të bërë një jetë të rehatshme e pa vuajtje. Ai e pranoi se Ati i tij është i vetmi që meriton të adhurohet dhe se ‘të adhuronte’ Satanain, qoftë edhe një herë, do të thoshte t’i nënshtrohej atij. Me vendosmëri, nuk pranoi që ai Tundues i lig të bëhej perëndia i tij. Dhe, meqë Jezui e refuzoi prerazi, «Djalli e la».—Mat. 4:11. *

«IK TUTJE, SATANA!» (Shih paragrafin 10)

11. Si mund t’i rezistojmë Satanait dhe tundimeve të tij?

11 Edhe ne mund t’i rezistojmë Satanait dhe tundimeve të botës së tij të ligë, sepse ashtu si Jezui, kemi mundësi zgjedhjeje. Jehovai na ka dhuruar diçka shumë të çmuar: vullnetin e lirë. Ja pse, askush—madje as Tunduesi i fuqishëm e i lig—nuk na detyron dot të braktisim adhurimin e pastër. Kur me besnikëri ‘i kundërvihemi [Satanait], të patundur në besim’, faktikisht po themi: «Ik tutje, Satana!» (1 Pjet. 5:9) Të mos harrojmë, Satanai u largua vetëm pasi Jezui e hodhi poshtë me vendosmëri ofertën e tij. Në mënyrë të ngjashme, Bibla na siguron me fjalët: «Kundërvijuni Djallit, e ai do të ikë nga ju.»—Jak. 4:7.

Mund të zgjedhim t’u rezistojmë tundimeve të botës së Satanait (Shih paragrafët 11, 19)

Armiku i adhurimit të pastër

12. Si tregoi Satanai në Eden se është armiku i adhurimit të pastër?

12 Me tundimin e tretë, Satanai vërtetoi se është armiku i parë i adhurimit të pastër. Mijëra vite më parë, në kopshtin e Edenit, Satanai tregoi për herë të parë se e urrente adhurimin e Jehovait. Duke joshur Evën, e cila i mbushi mendjen Adamit të shkelte urdhrin e Jehovait, Satanai i vuri nën kontrollin dhe autoritetin e tij. (Lexo Zanafillën 3:1-5; 2 Kor. 11:3; Zbul. 12:9) Kështu u bë perëndia i tyre, ndërsa ata adhuruesit e tij, megjithëse mund të mos e kenë ditur identitetin e vërtetë të atij mashtruesi. Për më tepër, duke nxitur rebelimin në Eden, Satanai jo vetëm sfidoi sovranitetin e Jehovait, pra të drejtën e tij për të qeverisur, por edhe sulmoi adhurimin e pastër. Në ç’mënyrë?

13. Si lidhet adhurimi i pastër me çështjen e sovranitetit?

13 Çështja e sovranitetit lidhet ngushtë me adhurimin e pastër. Vetëm Sovrani i vërtetë, Ai ‘që krijoi gjithçka’, është i denjë të adhurohet. (Zbul. 4:11) Kur Jehovai krijoi njerëzit e përsosur, Adamin dhe Evën, dhe i vuri në kopshtin e Edenit, qëllimi i tij ishte që mbarë toka të mbushej me njerëz të përsosur që do ta adhuronin vullnetarisht—t’i bënin adhurim të pastër nga zemra të pastra. (Zan. 1:28) Satanai e sfidoi sovranitetin e Jehovait, sepse lakmoi atë që i përket me të drejtë vetëm Zotërisë Sovran Jehova: adhurimin.—Jak. 1:14, 15.

14. A pati sukses sulmi i Satanait ndaj adhurimit të pastër? Shpjego.

14 A pati sukses sulmi i Satanait ndaj adhurimit të pastër? Ai ia doli t’i largonte Adamin dhe Evën nga Perëndia. Që nga ajo kohë, ka luftuar kundër adhurimit të vërtetë, duke u përpjekur të largojë sa më shumë veta nga Perëndia Jehova. Për shembull, në periudhën para krishterimit, Satanai nuk reshti së tunduari ata që adhuronin Jehovain. Ndërsa në shekullin e parë të e.s. nxiti me ligësi apostazinë, që e ndoti aq shumë kongregacionin e krishterë, sa dukej sikur adhurimi i pastër kishte marrë fund. (Mat. 13:24-30, 36-43; Vep. 20:29, 30) Dhe duke filluar nga shekulli i dytë i e.s., për adhuruesit e vërtetë nisi një periudhë e gjatë robërie nën Babiloninë e Madhe, perandoria botërore e fesë së rreme. Gjithsesi, Satanai nuk ka arritur ta pengojë qëllimin e Perëndisë në lidhje me adhurimin e pastër. Asgjë s’mund ta ndalojë Perëndinë ta bëjë realitet qëllimin që ka. (Isa. 46:10; 55:8-11) Në këtë çështje përfshihet vetë emri i tij, dhe Jehovai jeton gjithnjë në lartësinë e emrit që mban. Ai e përmbush gjithmonë qëllimin e vet!

Mbrojtësi i adhurimit të pastër

15. Çfarë bëri Jehovai në Eden për të ndëshkuar rebelët dhe për të përmbushur qëllimin e tij?

15 Jehovai veproi pa vonesë në Eden për të ndëshkuar rebelët dhe mori masa që qëllimi i tij të përmbushej. (Lexo Zanafillën 3:14-19.) Ai shpalli dënimet kundër tre rebelëve, sipas radhës që kishin mëkatuar—i pari Satanai, pastaj Eva dhe në fund Adami. Duke iu drejtuar Satanait, nxitësit të padukshëm të rebelimit, Jehovai paratha ardhjen e «pasardhësit» që do të zhbënte pasojat e rebelimit. Ai ‘pasardhës’ i premtuar do të luante një rol kyç në përmbushjen e qëllimit të Jehovait për adhurimin e pastër.

16. Në ç’mënyrë Jehovai ka vazhduar të punojë për përmbushjen e qëllimit të tij pas rebelimit në Eden?

16 Jehovai ka vazhduar të punojë për të përmbushur qëllimin e tij edhe pas rebelimit në Eden. Siç do ta shohim në kapitullin tjetër, ai ka marrë masa që njerëzit e papërsosur ta adhurojnë në mënyrë të pranueshme. (Hebr. 11:4–12:1) Gjithashtu, frymëzoi disa shkrimtarë të Biblës—si Isainë, Jereminë dhe Ezekielin—që të hidhnin me shkrim profeci emocionuese për rivendosjen e adhurimit të pastër. Kjo rivendosje është një nga temat më të spikatshme të Biblës. Profecitë do të përmbusheshin nga ‘pasardhësi’ i premtuar, pjesa kryesore e të cilit është Jezu Krishti. (Gal. 3:16) Jezui është Mbrojtësi i adhurimit të pastër, siç e tregoi qartë me përgjigjen ndaj tundimit të tretë. Vërtet, Jezui është personi që Jehovai zgjodhi për të plotësuar profecitë e rivendosjes. (Zbul. 19:10) Ai do ta çlironte popullin e Perëndisë nga robëria dhe do ta rivendoste adhurimin e pastër në vendin që i takon.

Çfarë do të bësh?

17. Pse i kemi shumë për zemër profecitë e rivendosjes?

17 Shqyrtimi i profecive të Biblës për rivendosjen është sa emocionues, edhe besimforcues. Janë profeci që i kemi shumë për zemër, ngaqë mezi presim kohën kur çdo krijesë në qiell dhe në tokë të bashkohet në adhurimin e pastër të Zotërisë Sovran Jehova. Gjithashtu, këto profeci na mbushin plot shpresë, pasi përmbajnë disa nga garancitë më zemërdhënëse që ka Fjala e Perëndisë. Cili prej nesh nuk po pret me zjarr përmbushjen e premtimeve të Jehovait, si ringjalljen e njerëzve të dashur, tokën e shndërruar në parajsë dhe jetën e pafund me shëndet të përsosur?—Isa. 33:24; 35:5, 6; Zbul. 20:12, 13; 21:3, 4.

18. Çfarë do të shqyrtojmë në këtë botim?

18 Në këtë botim do të analizojmë profecitë drithëruese që gjenden në librin e Ezekielit. Shumë prej tyre përqendrohen te rivendosja e adhurimit të pastër. Do të shohim si lidhen profecitë e Ezekielit me profeci të tjera, rolin e Krishtit në përmbushjen e tyre dhe si na përfshijnë edhe ne.—Shih kutinë «Përmbledhje e librit të Ezekielit».

19. Për çfarë je i vendosur dhe pse?

19 Në vitin 29 të e.s., në shkretëtirën e Judesë, Satanai nuk arriti ta bindte Jezuin që të braktiste adhurimin e pastër. Ç’të themi për ne? Satanai është më i vendosur se kurrë të na largojë nga adhurimi i pastër. (Zbul. 12:12, 17) Ndaj, urojmë që ky botim të na bëjë më të vendosur që t’i rezistojmë Tunduesit të lig. Dëshirojmë me gjithë zemër që fjalët e veprimet tona të tregojnë se jemi plotësisht dakord me shprehjen: «Jehovain, Perëndinë tënd, adhuro.» Vetëm atëherë do të kemi perspektivën të shohim me sytë tanë përmbushjen e qëllimit të lavdishëm të Jehovait, pra që të gjitha krijesat në qiell e në tokë t’i japin Jehovait çfarë i takon me të drejtë: adhurim të pastër nga zemra të pastra!

^ par. 5 Ka arsye për të menduar se emri Jehova ka kuptimin «Ai shkakton të bëhet». Ky emër përshtatet më së miri me rolin e Jehovait si Krijuesi dhe si Përmbushësi i qëllimeve të tij.

^ par. 8 Në lidhje me këto fjalë të Satanait, një vepër referimi thotë: «Si në rastin e sprovës së parë, ku Adami dhe Eva dështuan . . . , çështja qëndron te zgjedhja ndërmjet vullnetit të Satanait dhe vullnetit të Perëndisë. Kjo zgjedhje nënkupton të adhurosh ose njërin, ose tjetrin. Në fakt, Satanai e konsideron veten perëndi, në vend të të vetmit Perëndi.»

^ par. 10 Ungjilli i Lukës i radhit ndryshe këto tundime, ndërsa te Mateu ka shumë të ngjarë të jenë renditur sipas radhës kronologjike. Le të shohim tri arsye pse themi kështu. (1) Ndryshe nga Luka, Mateu e nis tundimin e dytë me fjalën greke tóte, një fjalë që lë të kuptohet se ky ishte tundimi i radhës. (2) Duket e logjikshme që dy tundimet tinëzare, që nisnin me shprehjen «nëse je bir i Perëndisë», të pasoheshin nga tundimi i drejtpërdrejtë për të shkelur të parin nga Dhjetë Urdhërimet. (Eks. 20:2, 3) (3) Është më e arsyeshme që Jezui t’i ketë thënë fjalët: «Ik tutje, Satana!», pas tundimit të tretë e të fundit.—Mat. 4:5, 10, 11.