KUTIA 14A
Mësime nga vegimi i Ezekielit për tempullin
Adhurimi i pastër i lartësuar dhe i mbrojtur
Tempulli në vegim është ngritur «në një mal shumë të lartë» (1). A e kemi lartësuar adhurimin e pastër duke i dhënë vendin e parë në jetën tonë?
Muri që rrethonte (2) kompleksin e tempullit i cili ndodhej në qendër të një hapësire të madhe (3) thekson se nuk duhet të lejojmë asgjë ta ndotë adhurimin që i japim Jehovait. Nëse duhet të mbajmë larg adhurimit të pastër edhe «gjërat e zakonshme», imagjino sa larg papastërtisë dhe imoralitetit duhet të rrijë një adhurues i Jehovait sot!—Ezek. 42:20.
Bekime në përjetësi
Një rrëke uji buron nga shenjtërorja e tempullit dhe zgjerohet gjithnjë e më shumë duke sjellë jetë e begati në vend (4). Për këto bekime do të flasim në kapitullin 19 të këtij libri.
Standarde të njëjta për të gjithë
Portat madhështore për në oborrin e jashtëm (5) dhe portat për në oborrin e brendshëm (9) na kujtojnë se Jehovai ka standarde të larta për sjelljen për të gjithë ata që e adhurojnë. Vër re se portat e jashtme dhe të brendshme janë identike në të gjitha përmasat. Kjo është me vend, pasi kërkesat e drejta të Jehovait janë të njëjta për të gjithë shërbëtorët e tij, pavarësisht nga përgjegjësitë ose caktimet që kanë.
Një vakt në tryezën e Jehovait
Dhomat e ngrënies (8) na sjellin ndër mend se në kohët e lashta populli mund të hante një pjesë të flijimit që sillte në tempull. Kjo ishte sikur të hanin një vakt me Jehovain. Ndërsa sot, në tempullin e tij të madh ku adhurojnë të krishterët, është ndryshe, sepse tashmë është ofruar ‘një flijim i vetëm’. (Hebr. 10:12) Gjithsesi, ne ofrojmë flijime lëvdimi.—Hebr. 13:15.
Një garanci nga Jehovai
Mbase matjet e hollësishme në vegim të hutojnë disi. Ama, ato garantojnë se qëllimi i Jehovait për të rivendosur adhurimin e pastër është po aq i sigurt e absolut, sa ato matje të sakta e të pandryshueshme. Ndonëse Ezekieli nuk thotë se ka parë ndonjë njeri në vegim, ai dokumenton këshillat e forta të Jehovait për priftërinjtë, prijësit dhe popullin. Të gjithë shërbëtorët e Perëndisë duhet t’u përmbahen standardeve të Tij të drejta.