Letër nga Trupi Udhëheqës
Të gjithëve ju që e doni Jehovain,
Ishte viti 1971. Të pranishmit në kongresin krahinor, me temë «Emri Hyjnor», u emocionuan pa masë kur morën disa botime të reja. Ato u përshkruan si botime «që tejkalonin çdo pritshmëri». Duke folur për njërin prej tyre, një vëlla u shpreh: «Kurrë s’kemi pasur një pamje paraprake kaq emocionuese të gjërave që do të vijnë!» Cilit po i referohej? E kishte fjalën për librin «Kombet kanë për ta marrë vesh se unë jam Jehovai»—Si? Po pse ngjalli kaq entuziazëm ky libër? Sepse përmbante shpjegime të përditësuara të profecive të librit të Ezekielit—profeci që ndikojnë në të ardhmen e të gjithë njerëzimit.
Që nga dalja e atij libri, numri i shërbëtorëve të Perëndisë është rritur me shpejtësi—nga 1,5 milionë në mbi 8 milionë. (Isa. 60:22) Ata flasin mbi 1.000 gjuhë. (Zak. 8:23) Dhe shumica s’kanë pasur kurrë mundësi të studiojnë një libër që shpjegon hollësisht profecitë e frymëzuara të dokumentuara nga Ezekieli.
Jo vetëm kaq, por në dekadat pas vitit 1971, dora-dorës që drita ndriçonte gjithnjë e më shumë, i kemi kuptuar goxha më mirë shumë nga të vërtetat e Biblës. (Prov. 4:18) Më 1985, filluam të kuptonim qartë se si shpallen të drejtë si miq të Perëndisë pjesëtarët e ‘deleve të tjera’. (Gjoni 10:16; Rom. 5:18; Jak. 2:23) Pastaj, në vitin 1995 kuptuam për herë të parë se gjykimi përfundimtar ‘i deleve’ dhe ‘i cjepve’ do të ndodhë gjatë ‘shtrëngimit të madh’. (Mat. 24:21; 25:31, 32) Të gjitha këto qartësime kanë ndikuar edhe te kuptueshmëria për librin e Ezekielit.
«Bir njeriu, shiko me kujdes, dëgjo mirë dhe kushtoju vëmendje të gjitha gjërave që do të të tregoj, sepse për këtë arsye je këtu.»—EZEKIELI 40:4
Vitet e fundit, drita ka ndriçuar gjithnjë e më shumë. Të marrim për shembull mësimet që nxjerrim nga ilustrimet e Jezuit. Falë kuptueshmërisë së përmirësuar, shumë nga këto mësime i kemi më të qarta në mendje dhe në zemër. Disa prej ilustrimeve u referohen ngjarjeve që do të ndodhin pas pak, gjatë shtrëngimit të madh që po afrohet me të shpejtë. Po kështu, edhe kuptueshmëria jonë për disa profeci të librit të Ezekielit, është qartësuar. Ndër to janë profecitë për Gogun e Magogut (kapitujt 38 dhe 39), për aktivitetin e burrit me kallamar sekretari (kapitulli 9), për luginën e eshtrave të thata dhe për bashkimin simbolik të dy shkopinjve (kapitulli 37). Të gjitha këto qartësime përditësojnë atë çka ishte shkruar vite më parë në librin «Kombet kanë për ta marrë vesh se unë jam Jehovai»—Si?
Ja pse s’është çudi që shumë shërbëtorë të Jehovait kanë pyetur se kur do të kemi një libër me shpjegime të përditësuara të profecive të Ezekielit. Jehovai rivendos adhurimin e pastër! është tamam libri që keni kërkuar. Ndërsa lexoni 22 kapitujt e tij dhe meditoni për ilustrimet e bukura, do të mahniteni nga kërkimet e kujdesshme që janë bërë për ta përgatitur. Kemi menduar thellë dhe jemi lutur me zjarr për të kuptuar pse na e ka dhënë Jehovai librin mbresëlënës të Ezekielit. Kemi shqyrtuar me kujdes pyetje, si: çfarë mësimesh përmbante libri i Ezekielit për bashkëkohësit e tij? Po për ne sot? Cilat profeci u referohen ngjarjeve që presim në të ardhmen? A duhet të kërkojmë në profecitë e Ezekielit për modele profetike dhe plotësimet e tyre? Libri
Adhurimi i pastër u përgjigjet këtyre pyetjeve, duke përcjellë kuptueshmërinë më të qartë që kemi deri më sot për këtë libër të jashtëzakonshëm të Biblës.Ndërsa e lexoni librin e Ezekielit nga fillimi në fund, është e pamundur të mos mahniteni nga pjesa qiellore e organizatës së Jehovait. S’ka dyshim se i vlerësoni standardet e larta që Jehovai ka vendosur për këdo që dëshiron ta adhurojë në mënyrë të pranueshme, në qiell a në tokë qoftë. Libri Adhurimi i pastër do t’ju shtojë çmueshmërinë për gjithë sa Jehovai ka bërë e do të bëjë për popullin e tij në të ardhmen e afërt. Do të vëreni se në këtë libër dalin vazhdimisht në pah dy tema. Së pari, që të kënaqim Jehovain, duhet ta njohim dhe ta pranojmë si Sovranin e universit. Së dyti, duhet ta adhurojmë Jehovain në mënyrën që miraton ai, duke e përputhur jetën me standardet e tij të larta.
Dëshirojmë nga thellësia e zemrës që ky botim t’ju forcojë vendosmërinë për ta adhuruar Jehovain në atë mënyrë që i sjell lavdi emrit të tij të madh e të shenjtë. Njëkohësisht, shpresojmë që t’ju nxitë të rrini në pritje të kohës kur të gjitha kombet do ta marrin vesh se ai është Jehovai.—Ezek. 36:23; 38:23.
Urojmë që Ati ynë i dashur, Jehovai, t’i bekojë pa masë përpjekjet tuaja për të kuptuar librin që shkroi nën frymëzim profeti Ezekiel.
Vëllezërit tuaj,
Trupi Udhëheqës i Dëshmitarëve të Jehovait