Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

KAPITULLI 15

«Unë do t’i jap fund prostitucionit tënd»

«Unë do t’i jap fund prostitucionit tënd»

EZEKIELI 16:41

NË KËTË KAPITULL: Mësimet që nxjerrim nga përshkrimi i prostitutave të përmendura tek Ezekieli dhe te Zbulesa

1, 2. Cila lloj prostitute na ngjall neveri?

SA E trishtueshme është të shohësh një prostitutë! Mbase vrasim mendjen çfarë e ka shtyrë të bëjë këtë lloj jete kaq të ulët. Të ketë përfunduar në rrugë që në moshë të re për shkak të dhunës dhe të abuzimit në familje? Apo ta ketë detyruar varfëria ekstreme të shesë trupin? Mos vallë ia ka mbathur nga një bashkëshort i dhunshëm? Mjerisht, histori të tilla që të këpusin shpirtin, i dëgjojmë shpesh në këtë botë të ligë. Prandaj nuk habitemi që Jezu Krishti i trajtoi me shumë përzemërsi disa prostituta. Madje theksoi se po të pendoheshin dhe të ndryshonin mënyrën e jetesës, mund të shpresonin për një jetë më të mirë.—Mat. 21:28-32; Luka 7:36-50.

2 Tani le të mendojmë për një lloj tjetër prostitute: një grua që ka zgjedhur me dëshirë të jetë e tillë. Jo vetëm që s’i duket gjë e ulët, por e sheh si mënyrë për të marrë atë që do, domethënë paratë dhe influencën që i jep kjo punë. Dhe, më keq akoma, po sikur të ketë pasur një bashkëshort të mirë e besnik, të cilin e ka tradhtuar pa pikë turpi? Kjo grua dhe jeta e saj s’na ngjall veçse neveri. Fakti që ndihemi kështu, është ndër arsyet kryesore pse Perëndia Jehova përdor disa herë përshkrimin e një prostitute që të tregojë si ndihet për fenë e rreme.

3. Cilat fragmente do të shqyrtojmë në këtë kapitull?

3 Libri i Ezekielit përmban dy fragmente të pashlyeshme, ku jobesnikëria e tmerrshme e popullit të Perëndisë në Izrael dhe në Judë krahasohet me prostitucionin. (Ezek., kap. 16 dhe 23) Para se t’i shohim nga afër këto fragmente, do të flasim për një prostitutë simbolike. Ajo filloi të prostituohej shumë kohë para se të jetonte Ezekieli—madje para se të ekzistonte Izraeli—dhe vazhdon deri sot e kësaj dite. Identitetin e saj e tregon Zbulesa, libri i fundit i Biblës.

«Nëna e prostitutave»

4, 5. Çfarë është «Babilonia e Madhe» dhe nga e dimë këtë? (Shih figurën hapëse.)

4 Në vegimin që Jezui i dha apostullit Gjon, nga fundi i shekullit të parë të e.s., shfaqet një figurë që bie në sy. Ajo quhet ‘prostituta e madhe’ dhe «Babilonia e Madhe, nëna e prostitutave». (Zbul. 17:1, 5) Për shekuj, krerët fetarë dhe studiuesit e Biblës janë përpjekur ta zbulojnë identitetin e saj. Për disa, ajo përfaqëson Babiloninë, për të tjerë Romën, kurse për të tjerë akoma, Kishën Katolike. Gjithsesi, Dëshmitarët e Jehovait e kanë kuptuar prej dekadash identitetin e vërtetë të kësaj ‘prostitute të madhe’. Ajo është perandoria botërore e fesë së rreme. Nga e dimë këtë?

5 Kjo prostitutë dënohet, sepse ka kryer imoralitet me «mbretërit e tokës», pra me fuqitë politike. Ndaj është e qartë që s’mund të jetë fuqi politike. Veç kësaj, Zbulesa tregon se «tregtarët e tokës», pra gjithë sistemi tregtar, mbajnë zi për shkatërrimin e Babilonisë së Madhe. Kështu që Babilonia e Madhe s’mund të përfaqësojë sistemin tregtar. Atëherë, çfarë është kjo prostitutë? Mendo pak, ajo është fajtore për ‘zakone spiritiste’, për idhujtari dhe për mashtrim. A nuk u shkojnë për shtat akuza të tilla organizatave fetare të korruptuara të kësaj bote? Ia vlen të përmendim edhe që prostituta përshkruhet sikur qëndron mbi elementët politikë të botës, domethënë ka njëfarë influence mbi ta. Për më tepër përndjek shërbëtorët besnikë të Perëndisë Jehova. (Zbul. 17:2, 3; 18:11, 23, 24) A nuk ka bërë pikërisht këtë feja e rreme deri më sot?

Babeli i lashtë, që më vonë u quajt Babiloni, ishte vatra e lloj-lloj praktikave, doktrinave dhe organizatave të rreme fetare (Shih paragrafin 6)

6. Në ç’kuptim Babilonia e Madhe është «nëna e prostitutave»?

6 Pse Babilonia e Madhe nuk quhet vetëm ‘prostituta e madhe’, por edhe «nëna e prostitutave»? Sepse përbëhet nga fe, sekte e kulte të panumërta. Që nga koha kur Jehovai ngatërroi gjuhët në Babelin ose në Babiloninë e lashtë, nëpër botë janë përhapur lloj-lloj doktrinash të rreme, që i kanë dhënë jetë një numri të pafundëm fesh. Sa me vend është që emri i ‘Babilonisë së Madhe’ vjen nga qyteti i Babilonisë, vatra e feve të rreme! (Zan. 11:1-9) Prandaj, të gjitha këto fe mund të konsiderohen «bija» të një organizate të vetme, të prostitutës së madhe. Satanai i përdor shpesh fetë e rreme për t’i zënë njerëzit në grackën e spiritizmit, të idhujtarisë dhe të bindjeve e zakoneve që çnderojnë Perëndinë. Jo më kot Perëndia e paralajmëron popullin e tij për këtë organizatë të korruptuar mbarëbotërore: «Dilni prej saj, o populli im, nëse nuk doni të merrni pjesë në mëkatet e saj.»—Lexo Zbulesën 18:4, 5.

7. Pse duhet t’ia vëmë veshin paralajmërimit ‘për të dalë’ nga Babilonia e Madhe?

7 A ia ke vënë veshin këtij paralajmërimi? Mos harro se të gjithë njerëzit kanë «nevojë për Perëndinë», pra për ta adhuruar, sepse vetë Jehovai na ka krijuar kështu. (Mat. 5:3) Këtë nevojë mund ta plotësojmë siç duhet vetëm duke i bërë Jehovait adhurim të pastër. Shërbëtorët e Jehovait duan t’i rrinë sa më larg të jetë e mundur adhurimit të rremë. Por, Satana Djalli ka tjetër qëllim. Ai përpiqet t’i joshë adhuruesit e Jehovait që të bien në grackën e adhurimit të rremë. Dhe mjerisht, shumë herë ia ka dalë. Në kohën e Ezekielit, populli i Perëndisë u përfshi shpeshherë në adhurimin e rremë. Bëjmë mirë ta shqyrtojmë historinë e tij, sepse na mëson shumë për standardet, drejtësinë dhe mëshirën e Jehovait.

«U bëre prostitutë»

8-10. (a) Cili është një nga kriteret kryesorë të adhurimit të pastër? (b) Si ndihet Jehovai kur populli i tij adhuron perëndi të rreme? Ilustroje.

8 Në librin e Ezekielit, Jehovai përdori figurën e një prostitute për të ilustruar si ndihej për jobesnikërinë e popullit të tij. Ai frymëzoi Ezekielin të dokumentonte dy fragmente të gjalla që tregonin sa i lënduar dhe i tradhtuar ndihej nga sjellja jobesnike dhe imorale e popullit. Pse e krahasoi popullin me një prostitutë?

9 Për të kuptuar përgjigjen, duhet të kujtojmë një nga kriteret kryesore të adhurimit të pastër, që e shqyrtuam në kapitullin 5 të këtij libri. Në Ligjin që Jehovai i dha Izraelit, urdhëroi: «Mos ki perëndi të tjera përveç meje [ose «për të më sfiduar», shën.]. . . . Unë Jehovai, Perëndia yt, jam një Perëndi që kërkoj të më përkushtohesh vetëm mua.» (Eks. 20:3, 5) Ai e theksoi edhe më vonë këtë gjë, kur tha: «Mos u përkulni para një perëndie tjetër, sepse unë, Jehovai, njihem si Ai që kërkoj të më përkushtohesh vetëm mua. Po, unë jam një Perëndi që kërkoj të më përkushtohesh vetëm mua.» (Eks. 34:14) S’mund të ishte më i qartë se kaq, apo jo? Nëse duam që adhurimi ynë të jetë i pranueshëm për Jehovain, duhet të adhurojmë vetëm atë.

10 Sa për ta ilustruar, të mendojmë për marrëdhënien që ekziston në një martesë. Si burri, edhe gruaja, kanë të drejtën të presin besnikëri nga njëri-tjetri. Nëse njëri prej tyre i kushton vëmendje romantike dikujt tjetër ose kryen marrëdhënie seksuale jashtë martese, bashkëshorti i pafajshëm me të drejtë do të bëhej xheloz dhe do të ndihej i tradhtuar. (Lexo Hebrenjve 13:4.) Po njësoj, kur vjen puna te adhurimi, Jehovai ndihet me të drejtë i tradhtuar nëse populli, që i është kushtuar vetëm atij, adhuron perëndi të rreme. Te kapitulli 16 i Ezekielit, Jehovai shpreh lëndimin e thellë që i shkaktoi tradhtia.

11. Çfarë tregoi Jehovai për Jerusalemin dhe origjinën e tij?

11 Në kapitullin 16 të Ezekielit gjendet deklarata më e gjatë e Jehovait në këtë libër dhe një nga profecitë më të gjata në gjithë Shkrimet Hebraike. Jehovai përqendrohet te qyteti i Jerusalemit, si përfaqësues i Judës jobesnike. Ai tregon historinë e trishtë dhe tronditëse të origjinës dhe të tradhtisë së qytetit. Në fillim, Jerusalemi ishte si një foshnjë e pashpresë, e pistë dhe e lënë pas dore. Prindër kishte kananitët, një popull pagan. Para se Davidi ta pushtonte, Jerusalemi kishte qenë për mjaft kohë nën kontrollin e jebusitëve, një fisi kananit. Jehovait iu dhimbs ajo foshnjë, e pastroi dhe u kujdes për të. Me kalimin e kohës, Jerusalemi u bë si grua për Jehovain. Faktikisht, izraelitët që në fund banuan në Jerusalem, ishin pjesë e kombit që kishte lidhur me gatishmëri një besëlidhje me Jehovain në kohën e Moisiut. (Eks. 24:7, 8) Pasi Jerusalemi u bë kryeqyteti i vendit, Jehovai e bekoi, e pasuroi dhe e zbukuroi, njësoj si do të bënte një burrë i pasur dhe i fuqishëm për të shoqen.—Ezek. 16:1-14.

Për shkak të grave të huaja, Solomoni e ndoti Jerusalemin me idhujtari (Shih paragrafin 12)

12. Si nisi të hidhte rrënjë jobesnikëria në Jerusalem?

12 Le të shohim ç’ndodhi pastaj. Jehovai tha: «Ti fillove të kishe besim te bukuria jote dhe, prej famës sate, u bëre prostitutë. Iu dhe pa fre si prostitutë çdo kalimtari dhe i fale bukurinë tënde.» (Ezek. 16:15) Në kohën e Solomonit, Jehovai e bekoi dhe e pasuroi kaq shumë popullin e tij, sa Jerusalemi u bë qytet madhështor, që pa diskutim binte në sy në mbarë botën antike. (1 Mbret. 10:23, 27) Por jobesnikëria nisi të hidhte rrënjë. Solomoni kishte marrë shumë gra të huaja e donte t’u bënte qejfin, ndaj filloi ta ndotte Jerusalemin me adhurimin e perëndive pagane. (1 Mbret. 11:1-8) Disa nga mbretërit që e pasuan, bënë edhe më keq: ndotën mbarë vendin me adhurimin e rremë. Si u ndie Jehovai për akte të tilla prostitucioni dhe tradhtie? Ai tha: «Gjëra të tilla s’duhet të ndodhin, jo kurrën e kurrës.» (Ezek. 16:16) Megjithatë, populli rebel u zhyt edhe më thellë në mëkat!

Disa izraelitë ua flijuan fëmijët perëndive të rreme, si Moleku

13. Për cilat vepra të liga ishte fajtor populli i Perëndisë në Jerusalem?

13 Imagjino dhembjen dhe neverinë që ndiente Jehovai ndërsa nxirrte në shesh ligësinë e popullit të tij të zgjedhur: «Ti i more djemtë e vajzat që më kishe lindur dhe ua flijove këtyre idhujve. S’u ngope me prostitucionin tënd?! Ti i there fëmijët e mi dhe ua paraqite atyre si flijim kur i dogje në zjarr.» (Ezek. 16:20, 21) Këto vepra të llahtarshme na zbulojnë ligësinë e zemrës së Satanait. Ai vdes që ta nxitë popullin e Jehovait të përfshihet në praktika kaq të pështira. Ama Jehovai sheh gjithçka. Ai do të zhbëjë edhe mizoritë më të tmerrshme satanike dhe do të vendosë drejtësinë.—Lexo Jobin 34:24.

14. Cilat ishin dy motrat e Jerusalemit në ilustrim dhe cila ishte më e liga nga të treja?

14 Jerusalemin duhej ta kishte tronditur sjellja e vet e ligë, por nuk ndodhi ashtu. Përkundrazi vazhdoi të prostituohej. Jehovai tha se ishte më e pacipa ndër prostitutat, sepse paguante që të kryenin imoralitet me të. (Ezek. 16:34) Perëndia tha se Jerusalemi i ngjante ‘së ëmës’, pra kombeve pagane që dikur kishin banuar në vend. (Ezek. 16:44, 45) Duke vazhduar ilustrimin për familjen, shtoi se motra e madhe e Jerusalemit ishte Samaria, e cila ishte përfshirë në prostitucion fetar përpara saj. Perëndia përmendi edhe një motër tjetër të Jerusalemit, Sodomën. Kjo u kujtonte të gjithëve qytetin e Sodomës që mori fund për shkak të arrogancës dhe të shthurjes së tejskajshme. Jehovai po theksonte se Jerusalemi ua kishte kaluar për nga ligësia motrave të veta, Samarisë e madje edhe Sodomës. (Ezek. 16:46-50) Populli i Perëndisë as që deshi t’ia dinte për paralajmërimet e panumërta dhe vazhdoi veprat e veta të neveritshme.

15. Cili ishte qëllimi i gjykimit të Jehovait kundër Jerusalemit dhe çfarë shprese u dha?

15 Çfarë do të bënte Jehovai? Ai iu betua Jerusalemit: «Unë do t’i mbledh tërë dashnorët që kënaqe» dhe «do të të lë në duart e tyre». Aleatët paganë të mëparshëm të popullit do ta shkatërronin, do t’i zhvatnin gjërat me vlerë, si dhe gjithçka që e bënte të bukur. Jehovai i tha: «Do të të vrasin me gurë e me shpatë.» Cili ishte qëllimi i këtij gjykimi? Sigurisht, Jehovai nuk donte të shfaroste popullin, por ‘t’i jepte fund prostitucionit të tij’. Ai shtoi: «Atëherë tërbimi im kundër teje do të fashitet dhe nuk do të jem më i indinjuar me ty. Pastaj do të jem i qetë dhe nuk do të ndihem më i fyer.» Siç e pamë në kapitullin 9 të këtij libri, qëllimi afatgjatë i Jehovait ishte të rivendoste popullin pas mërgimit. Pse? Arsyen e tregoi me fjalët: «Unë do ta kujtoj besëlidhjen që kam bërë me ty në ditët e rinisë sate». (Ezek. 16:37-42, 60) Krejt ndryshe nga ç’kishte bërë populli i vet, Jehovai do t’u qëndronte patjetër besnik!—Lexo Zbulesën 15:4.

16, 17. (a) Pse nuk themi më se Ohola dhe Oholiba janë modele profetike të krishterimit të rremë? (Shih kutinë «Dy motra prostituta».) (b) Cilat mësime praktike nxjerrim nga kapitujt 16 dhe 23 të Ezekielit?

16 Nëpërmjet deklaratës së gjatë e të fuqishme te kapitulli 16 i Ezekielit, Jehovai na mëson goxha për standardet e tij të drejta, për ndjenjën e drejtësisë dhe për mëshirën e tij të madhe. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për kapitullin 23 të Ezekielit. Të krishterët e vërtetë sot i marrin për zemër mesazhet e qarta të Jehovait, ku dënohet përfshirja e popullit të tij në adhurimin e rremë. Nuk do të donim kurrë ta lëndonim Jehovain, siç bënë Juda dhe Jerusalemi! Ja pse shmangim plotësisht çdo formë idhujtarie, ku përfshihen edhe lakmia e materializmi. (Mat. 6:24; Kolos. 3:5) Nuk duam ta humbim mirënjohjen për atë që ka bërë Jehovai në këto ditë të fundit. Plot mëshirë, ai ka rivendosur adhurimin e pastër dhe s’do ta lejojë kurrë më që të ndotet! Gjithashtu ka bërë «një besëlidhje të përjetshme» me «Izraelin e Perëndisë», një besëlidhje e cila nuk do të prishet kurrë nga jobesnikëria ose adhurimi i rremë. (Ezek. 16:60) Prandaj, le ta çmojmë pamasë privilegjin për të qenë pjesë e popullit të pastër të Jehovait!

17 Megjithatë, çfarë na mëson për ‘prostitutën e madhe’, pra për Babiloninë e Madhe, shpallja e Jehovait kundër prostitutave të përshkruara tek Ezekieli? Le ta zbulojmë.

«S’do të gjendet më kurrë»

18, 19. Si ngjasojnë prostitutat e përshkruara tek Ezekieli me prostitutën e përshkruar te Zbulesa?

18 Jehovai nuk ndryshon. (Jak. 1:17) Ndjenjat e tij për fenë e rreme kanë mbetur të pandryshueshme gjatë gjithë historisë së kësaj prostitute të madhe. Prandaj nuk habitemi që gjykimi i prostitutave të librit të Ezekielit ngjason shumë me fundin e «prostitutës së madhe» të përshkruar te Zbulesa.

19 Për shembull, ndëshkimi i prostitutave në profecinë e Ezekielit nuk erdhi drejtpërdrejt nga Jehovai, por nga kombet me të cilat populli jobesnik e kishte tradhtuar. Po njësoj, perandoria botërore e fesë së rreme është dënuar ngaqë ka kryer imoralitet me «mbretërit e tokës». Nga do t’i vijë ndëshkimi? Bibla tregon se elementët politikë «do ta urrejnë prostitutën; do ta shkretojnë e do ta lënë lakuriq; do të hanë mishrat e saj e do ta djegin krejtësisht me zjarr». Pse do të bëjnë diçka kaq të papritur qeveritë e kësaj bote? Sepse Perëndia ‘do t’u shtijë në zemër që ata të përmbushin mendimin e tij’.—Zbul. 17:1-3, 15-17.

20. Ç’gjë tregon se gjykimi i Babilonisë do të jetë përfundimtar?

20 Pra, Jehovai do të përdorë kombet e kësaj bote për të ekzekutuar gjykimin kundër fesë së rreme, ku përfshihen edhe fetë e shumta të të ashtuquajturit krishterim. Gjykimi do të jetë përfundimtar, nuk do të ketë falje dhe asnjë mundësi që feja e rreme të ndryshojë rrugë. Zbulesa tregon se Babilonia «s’do të gjendet më kurrë». (Zbul. 18:21) Engjëjt e Perëndisë do të gëzohen pa masë për shkatërrimin e saj e do të thonë: «Lëvdoni Jah! Tymi i saj ngjitet në jetë të jetëve.» (Zbul. 19:3) Ky gjykim do të zgjatë për gjithë përjetësinë. S’do të ketë kurrë më asnjë fe të rreme që të ndotë adhurimin e pastër. Gjykimi i zjarrtë kundër Babilonisë dhe shkatërrimi i saj do të ngrenë një shtëllungë tymi të figurshme që do të ngjitet në jetë të jetëve.

Kombet që Babilonia e Madhe ka joshur dhe ka përdorur prej kohësh, do të kthehen kundër saj për ta shkatërruar (Shih paragrafët 19, 20)

21. Fillimin e cilës periudhë do të shënojë shkatërrimi i fesë së rremë dhe kur do të arrijë kulmin kjo periudhë?

21 Kur qeveritë botërore të kthehen kundër Babilonisë së Madhe, në të vërtetë do të jenë duke ekzekutuar gjykimin e Jehovait, një ngjarje e jashtëzakonshme në përmbushjen e qëllimit të tij. Kjo do të shënojë fillimin e shtrëngimit të madh, një kohë me trazira të paprecedenta. (Mat. 24:21) Ky shtrëngim do të arrijë kulmin në Armagedon, që është lufta e Jehovait kundër këtij sistemi të lig. (Zbul. 16:14, 16) Libri i Ezekielit hedh më shumë dritë mbi ngjarjet që do të shoqërojnë shtrëngimin e madh, të cilat do t’i shqyrtojmë në kapitujt vijues të këtij botimi. Ndërkohë, cilat mësime praktike duam të ngulitim në mendje e të zbatojmë nga kapitujt 16 dhe 23 të Ezekielit?

Qeveritë e kësaj bote do të ekzekutojnë gjykimin e Perëndisë kundër Babilonisë së Madhe (Shih paragrafin 21)

22, 23. Si duhet të ndikojë te adhurimi që i bëjmë Jehovait përshkrimi i prostitutave tek Ezekieli dhe te Zbulesa?

22 Satanai do me çdo kusht që t’i ndotë adhuruesit e Jehovait. Asgjë s’do ta kënaqte më shumë, sesa të na largonte nga adhurimi i pastër dhe të na shtynte drejt një udhe të ngjashme me atë të prostitutave të përshkruara tek Ezekieli. Ndaj, s’duhet ta heqim kurrë nga mendja se Jehovai nuk toleron asnjë lloj rivaliteti në adhurim, asnjë formë jobesnikërie! (Num. 25:11) Duhet të bëjmë maksimumin që t’i rrimë larg fesë së rreme, duke ‘mos prekur asgjë të papastër’ në sytë e Perëndisë. (Isa. 52:11) Për këtë arsye, me besnikëri qëndrojmë asnjanës në konfliktet e në mosmarrëveshjet politike të kësaj bote të përçarë. (Gjoni 15:19) E konsiderojmë nacionalizmin si një lloj feje të rreme që nxit Satanai, ndaj s’duam të kemi të bëjmë fare me të.

23 Mbi të gjitha, të mos harrojmë asnjëherë ç’privilegj është t’i shërbejmë Jehovait në tempullin e tij të pastër! Ndërsa e vlerësojmë këtë masë të vyer, qofshim çdo ditë e më të vendosur t’i rrimë sa më larg fesë së rreme dhe prostitucionit të saj!