Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

KAPITULLI 17

«Unë jam kundër teje, o Gog»

«Unë jam kundër teje, o Gog»

EZEKIELI 38:3

NË KËTË KAPITULL: Kush është «Gogu» dhe çfarë është «vendi» kundër të cilit sulet

1, 2. Cila është lufta më e madhe që presim dhe cilat pyetje lindin natyrshëm? (Shih figurën hapëse.)

PËR mijëra vjet toka është njollosur nga gjaku i njerëzve të vrarë nëpër luftëra. Këtu përfshihet edhe gjaku i derdhur lumë në dy luftërat botërore të shekullit të 20-të. Megjithatë, lufta më e madhe në histori s’ka ndodhur ende. Nuk bëhet fjalë për një konflikt njerëzor mes kombesh që luftojnë për arsye egoiste, por për «luftën e ditës së madhe të Perëndisë së Plotfuqishëm». (Zbul. 16:14) Si do të nisë ajo? Një armik arrogant do të sulet kundër një vendi të çmuar për Perëndinë, ja pse Zotëria Sovran Jehova do ta përdorë fuqinë e tij shkatërruese si kurrë më parë.

2 Natyrshëm lindin disa pyetje: kush është ky armik? Kundër cilit vend do të sulet? Kur, pse dhe si do ta bëjë këtë? Si adhurues të Jehovait na interesojnë përgjigjet, meqë këto ngjarje do të na prekin personalisht. Prandaj, le të shqyrtojmë profecinë drithëruese të kapitujve 38 dhe 39 të Ezekielit.

Armiku—Gogu i Magogut

3. Përmend ngjarjet kryesore të profecisë për Gogun e Magogut.

 3 Lexo Ezekielin 38:1, 2, 8, 18; 39:4, 11. Ja disa ngjarje kryesore të profecisë: «Në ditët e fundit» një armik i quajtur «Gogu i . . . Magogut» sulet kundër ‘vendit’ të popullit të Perëndisë. Ky sulm mizor ndez ‘tërbimin e madh’ të Jehovait, i cili ndërhyn për të shkatërruar Gogun. * Pasi del fitimtar, Jehovai i jep armiqtë e mundur dhe përkrahësit e tyre «si ushqim për lloj-lloj zogjsh grabitqarë e për kafshët e egra të tokës». Në fund, ai i jep Gogut «një vend varrimi». Që të kuptojmë si do të përmbushet kjo profeci në të ardhmen e afërt, si fillim duhet të dimë kush është Gogu.

4. Në ç’përfundim arrijmë për identitetin e Gogut të Magogut?

4 Atëherë, kush është Gogu i Magogut? Nga përshkrimi i Ezekielit arrijmë në përfundimin se Gogu është armik i adhuruesve të Jehovait. Për mjaft dekada, botimet tona kanë thënë se emri Gog i referohet në mënyrë profetike Satanait—armikut më të madh të adhurimit të pastër. Megjithatë, një shqyrtim më i thellë i profecisë së Ezekielit nxori në pah se duhej përditësuar kuptueshmëria. Në Kullën e Rojës u shpjegua se titulli Gogu i Magogut nuk i referohet një krijese qiellore të padukshme, por një armiku njerëzor të dukshëm, pra një koalicioni kombesh që do të luftojë kundër adhurimit të pastër. * Para se të shohim pse kemi arritur në këtë përfundim, le të shqyrtojmë dy veçori të profecisë së Ezekielit që tregojnë se Gogu nuk është krijesë qiellore.

5, 6. Cilat veçori të profecisë së Ezekielit lënë të kuptohet se Gogu i Magogut s’është krijesë qiellore?

5 «Do të të jap si ushqim për lloj-lloj zogjsh grabitqarë.» (Ezek. 39:4) Në Shkrime, imazhi i zogjve grabitqarë që ushqehen me kufoma përdoret shpesh si paralajmërim i një gjykimi hyjnor. Perëndia u dha paralajmërime të tilla Izraelit dhe kombeve të tjera. (Ligj. 28:26; Jer. 7:33; Ezek. 29:3, 5) Është interesante që këto paralajmërime nuk iu drejtuan krijesave qiellore, por njerëzve prej mishi e gjaku. Fundja, zogjtë grabitqarë dhe bishat e egra ushqehen me mish dhe jo me krijesa qiellore. Kjo na bën të mendojmë që Gogu i profecisë së Ezekielit nuk është krijesë qiellore.

6 «Do t’i jap një vend varrimi Gogut në Izrael.» (Ezek. 39:11) Shkrimet nuk përmendin asgjëkundi varrosjen e ndonjë krijese qiellore në tokë. Përkundrazi, Satanai dhe demonët do të hidhen në humnerë për 1.000 vjet e më vonë do të flaken në liqenin e zjarrit, që simbolizon shkatërrimin e përhershëm. (Luka 8:31; Zbul. 20:1-3, 10) Prandaj, fakti që Gogut i jepet «një vend varrimi» në tokë, na çon në përfundimin se nuk është krijesë qiellore.

7, 8. Kur do të shkojë drejt fundit «mbreti i veriut» dhe si ngjason kjo me atë që do t’i ndodhë Gogut të Magogut?

7 Kuptuam qartë pse Gogu, armiku që do të ndërmarrë sulmin përfundimtar kundër shërbëtorëve të Perëndisë, s’mund të jetë krijesë qiellore. Por, pse themi që Gogu i Magogut është një koalicion kombesh? Përgjigjen e kuptojmë nga shqyrtimi i dy profecive të Biblës.

8 «Mbreti i veriut.» (Lexo Danielin 11:40-45.) Danieli paratha fuqitë botërore që do të sundonin nga koha e tij deri në ditët tona. Në një profeci përmendi dy rivalë politikë—‘mbretin e veriut’ dhe ‘mbretin e jugut’. Përgjatë shekujve identiteti i këtyre rivalëve ka ndryshuar vazhdimisht, ndërkohë që kombe të ndryshme luftonin për epërsi. Në lidhje me sulmin përfundimtar të mbretit të veriut «në kohën e fundit», Danieli tha: «Ai do të dalë me tërbim të madh që të asgjësojë e të shfarosë shumë veta.» Shënjestra kryesore e tij janë adhuruesit e Jehovait. * Por, ashtu si Gogu i Magogut, edhe mbreti i veriut do të shkojë «drejt fundit», pasi të dështojë sulmi i tij kundër popullit të Perëndisë.

9. Ç’ngjashmëri ka mes asaj që i ndodh Gogut të Magogut dhe asaj që u ndodh ‘mbretërve të mbarë tokës së banuar’?

9 «Mbretërit e mbarë tokës së banuar.» (Lexo Zbulesën 16:14, 16; 17:14; 19:19, 20.) Në librin e Zbulesës parathuhet se «mbretërit e tokës» do të luftojnë kundër Jezuit, ‘Mbretit të Mbretërve’. Meqë s’arrijnë dot në qiell, do të sulmojnë mbështetësit e Mbretërisë këtu në tokë. Pas kësaj, mbretërit e tokës do të mposhten në luftën e Armagedonit. Vlen të përmendet se, ashtu si Gogu i Magogut, edhe ata do të shkatërrohen pasi të sulmojnë popullin e Jehovait. *

10. Ç’mund të themi për identitetin e Gogut të Magogut?

10 Si përfundim, ç’mund të themi për identitetin e Gogut? Së pari, Gogu nuk është krijesë qiellore. Dhe së dyti, përfaqëson kombet që do të sulmojnë popullin e Jehovait në të ardhmen e afërt. Pa dyshim që këto kombe do të formojnë në ndonjë mënyrë një koalicion. Pse e themi këtë? Përderisa populli i Perëndisë gjendet anembanë botës, kombet duhet të bashkohen për ta sulmuar. (Mat. 24:9) Por mos harro se këtë sulm të lig do ta orkestrojë Satanai, i cili prej shumë kohësh i nxit kombet t’i kundërvihen adhurimit të vërtetë. (1 Gjon. 5:19; Zbul. 12:17) Megjithatë, fokusi i profecisë së Ezekielit për Gogun e Magogut janë kombet që do të sulmojnë popullin e Jehovait. *

Çfarë është «vendi»?

11. Si përshkruhet në profecinë e Ezekielit «vendi» që do të sulmojë Gogu?

11 Siç e mësuam në  paragrafin 3, Gogu i Magogut do të provokojë tërbimin e zjarrtë të Jehovait, duke sulmuar një vend të çmuar për Të. Cilin? Që të marrim përgjigje, t’i rikthehemi profecisë së Ezekielit. (Lexo Ezekielin 38:8-12.) Sipas profecisë, Gogu ‘do t’i sulet vendit, populli i të cilit u rimëkëmb’ dhe ‘u mblodh nga kombet’. Përveç kësaj, adhuruesit në këtë vend «banojnë të sigurt», në vendbanime «të pambrojtura me mure, porta a shula» dhe ‘po grumbullojnë pasuri’. Ky është «vendi» ku banon familja mbarëbotërore e adhuruesve të Jehovait. Si ta kuptojmë çfarë përfaqëson?

12. Cila rivendosje ndodhi në Izraelin e lashtë?

12 Ia vlen të shqyrtojmë rivendosjen që ndodhi në Izraelin e lashtë, vendi ku populli i zgjedhur i Perëndisë banoi, punoi dhe e adhuroi Jehovain për shekuj me radhë. Për shkak të pabesisë së izraelitëve, nëpërmjet Ezekielit Jehovai paratha se vendi do të rrënohej e do të mbetej i shkretë. (Ezek. 33:27-29) Ama profetizoi edhe se një grup të penduarish do të kthehej nga mërgimi në Babiloni dhe do të rivendoste adhurimin e pastër. Falë bekimit të Jehovait, vendi do të transformohej e do të lulëzonte «si kopshti i Edenit». (Ezek. 36:34-36) Kjo rivendosje nisi në vitin 537 p.e.s., kur judenjtë e mërguar u kthyen në Jerusalem dhe rivendosën adhurimin e pastër.

13, 14. (a) Çfarë është «vendi»? (b) Pse parajsa e figurshme është e çmuar për Jehovain?

13 Një rivendosje të ngjashme e përjetuan edhe adhuruesit e Perëndisë në kohët tona. Siç e studiuam në kapitullin 9 të këtij libri, populli i Perëndisë u çlirua nga robëria e gjatë nën Babiloninë e Madhe në 1919-n. Atë vit, Jehovai i vendosi adhuruesit e tij në një vend të figurshëm. Ky «vend» është parajsa e figurshme—një mjedis ose gjendje e sigurt dhe e begatë, të cilën e gëzojnë ata që adhurojnë Perëndinë e vërtetë. Këtu banojmë të sigurt së bashku dhe kemi paqe mendore e shpirtërore. (Prov. 1:33) Marrim me bollëk ushqim besimforcues dhe kemi për të bërë plot punë të kënaqshme në shpalljen e Mbretërisë së Perëndisë. Pa diskutim përjetojmë vërtetësinë e proverbit: «Bekimi i Jehovait të bën të pasur dhe Ai nuk shton asnjë dhembje.» (Prov. 10:22) Pavarësisht se në cilin cep të globit jetojmë, për sa kohë të mbështetim aktivisht adhurimin e pastër me fjalë e me vepra, do të banojmë në këtë vend, pra në parajsën e figurshme.

14 Kjo parajsë është e çmuar për Jehovain. Pse? Sepse në sytë e Jehovait, banorët e saj, pra individët që Ai ka tërhequr në adhurimin e pastër, janë «thesaret e të gjitha kombeve». (Hag. 2:7; Gjoni 6:44) Ata përpiqen me zell të veshin personalitetin e ri, i cili pasqyron cilësitë e admirueshme të Perëndisë. (Efes. 4:23, 24; 5:1, 2) Gjithashtu i bëjnë adhurim të pastër Jehovait dhe nuk e kursejnë veten në shërbim të tij. Kështu i japin lavdi dhe tregojnë sa fort e duan. (Rom. 12:1, 2; 1 Gjon. 5:3) Vetëm sa mund ta imagjinojmë gëzimin e Jehovait ndërsa vëren që shërbëtorët e tij bëjnë të pamundurën për ta stolisur këtë parajsë. Mendo pak: kur vë adhurimin e pastër në vend të parë në jetë, jo vetëm zbukuron parajsën e figurshme, por edhe i gëzon zemrën Jehovait!—Prov. 27:11.

Pavarësisht se ku ndodhemi, do të banojmë në parajsën e figurshme për sa kohë të mbështetim aktivisht adhurimin e pastër (Shih paragrafët 13, 14)

Kur, pse dhe si do ta sulmojë Gogu parajsën e figurshme?

15, 16. Kur do ta sulmojë Gogu i Magogut parajsën tonë të rivendosur?

15 Sulmi që do të ndërmarrë së shpejti një koalicion kombesh kundër parajsës sonë të çmuar, na bën të mendojmë. Dhe, meqë ky sulm do të ndikojë drejtpërdrejt te ne si adhurues të Jehovait, duam të dimë më shumë për të. Le të shqyrtojmë tri pyetje që lindin me të drejtë.

16 Kur do ta sulmojë Gogu i Magogut parajsën tonë të rivendosur? Profecia përgjigjet: «Në ditët e fundit ti do të sulesh kundër atij vendi.» (Ezek. 38:8) Kjo lë të kuptohet se sulmi do të ndodhë pak para fundit të sistemit. Mos harro se shtrëngimi i madh do të nisë me shkatërrimin e Babilonisë së Madhe, pra të perandorisë botërore të fesë së rreme. Pas shkatërrimit të institucioneve të fesë së rreme dhe para fillimit të Armagedonit, Gogu do të ndërmarrë një sulm të fundit, në të cilin do të përdorë çdo mjet për ta na shfarosur.

17, 18. Si do t’i drejtojë Jehovai gjërat gjatë shtrëngimit të madh?

17 Pse do ta sulmojë Gogu i Magogut parajsën tonë të figurshme? Nga profecia e Ezekielit kuptojmë dy arsye—së pari, sepse gjërat do t’i drejtojë Jehovai dhe, së dyti, sepse Gogu ka qëllime të liga.

18 Gjërat do t’i drejtojë Jehovai. (Lexo Ezekielin 38:4, 16.) Vër re fjalët që i thotë Jehovai Gogut: «Unë . . . do të të vë grremça në nofulla» dhe «do të të çoj kundër vendit tim». A do të thotë kjo se Jehovai do t’i detyrojë kombet që të sulmojnë adhuruesit e tij? Absolutisht jo! Ai s’do t’i bënte kurrë keq popullit të vet. (Jobi 34:12) Ama, Jehovai ua njeh mirë kokën armiqve—e di se do t’i urrejnë adhuruesit e tij dhe s’do të lejojnë t’u ikë nga duart mundësia për t’i shfarosur. (1 Gjon. 3:13) Jehovai do t’i vërë grremça në nofulla Gogut dhe do ta tërheqë në kuptimin që ngjarjet do të rrjedhin në mënyrën dhe në kohën e caktuar prej Tij. Pas shkatërrimit të Babilonisë së Madhe, Jehovai do t’i nxisë në ndonjë mënyrë kombet që të realizojnë planet e tyre. Kështu, do të përgatitë terrenin për sulmin që çon në Armagedon, lufta më e madhe që ka parë njerëzimi. Pastaj, Jehovai do të çlirojë popullin e tij, do të lartësojë sovranitetin e vet dhe do të shenjtërojë emrin e tij.—Ezek. 38:23.

Kombet do të përpiqen ta plaçkitin adhurimin e pastër për shkak të urrejtjes që kanë për të dhe për këdo që e mbështet

19. Pse do të përpiqet Gogu të plaçkitë adhurimin e pastër?

19 Qëllimet e liga të Gogut. Kombet ‘do të kurdisin një plan të lig’. Ato do të tentojnë të shfryjnë tërbimin dhe urrejtjen e akumuluar prej kohësh kundër adhuruesve të Jehovait, që do të duken të pafuqishëm, sikur «banojnë në vendbanime të pambrojtura me mure, porta a shula». Gjithashtu, kombet do të jenë të etura ‘për të zënë shumë pre e plaçkë’ nga populli i Jehovait që «po grumbullon pasuri». (Ezek. 38:10-12) Për cilat «pasuri» bëhet fjalë? Për pasuritë jomateriale që i kemi me bollëk falë bekimit të Jehovait, ndër të cilat, zotërimi më i çmuar është adhurimi i pastër që ia ofrojmë vetëm Atit tonë. Kombet do të përpiqen të na e plaçkitin adhurimin e pastër, për shkak të urrejtjes që kanë për të dhe për këdo që e mbështet.

Gogu ‘do të kurdisë një plan të lig’ që të shfarosë adhurimin e pastër, por do të dështojë keqazi (Shih paragrafin 19)

20. Si do ta sulmojë Gogu parajsën tonë të figurshme?

20 Si do ta sulmojë Gogu parajsën tonë të figurshme? Mbase kombet do të bëjnë çmos që të mos jetojmë si të krishterë dhe të mos praktikojmë adhurimin e pastër. Për këtë qëllim, ndoshta do të përpiqen të mos marrim ushqim besimforcues, të mos mblidhemi së bashku, të mos kemi më unitet dhe të mos e shpallim më me zell mesazhin e Perëndisë. Të gjitha këto janë aspekte të parajsës së figurshme. Të shtyrë nga Satanai, kombet do të përpiqen t’i zhdukin nga toka adhuruesit e Jehovait, e bashkë me ta adhurimin e pastër.

21. Pse je mirënjohës që Jehovai na ka paralajmëruar për ngjarjet e së ardhmes?

21 Sulmi i ardhshëm i Gogut të Magogut do të prekë të gjithë adhuruesit e vërtetë që banojnë në parajsën e figurshme, të cilën na e ka dhuruar Jehovai. A nuk jemi jashtëzakonisht mirënjohës që Jehovai na ka paralajmëruar për ngjarjet e së ardhmes? Ndërsa presim shtrëngimin e madh, qofshim të vendosur të mbajmë anën e adhurimit të pastër, duke e vënë mbi gjithçka tjetër. Kështu do t’ia shtojmë bukurinë parajsës së figurshme. Veç kësaj, do të jemi mes atyre që së shpejti do të shohin diçka vërtet spektakolare: si do ta mbrojë Jehovai popullin e vet dhe si do ta shenjtërojë emrin e tij në Armagedon. Për këtë do të flasim në kapitullin tjetër.

^ par. 3 Në kapitullin tjetër të këtij botimi do të shohim si dhe kur do të ndizet tërbimi i madh i Jehovait kundër Gogut të Magogut dhe ç’nënkupton kjo për shërbëtorët e Perëndisë.

^ par. 4 Shih «Pyetje nga lexuesit» në Kullën e Rojës, 15 maj 2015, f. 29-30.

^ par. 8 Danieli 11:45 lë të kuptohet se mbreti i veriut do të vërë nën shënjestër popullin e Perëndisë, sepse thotë se ky mbret «do t’i ngulë tendat e tij mbretërore ndërmjet detit të madh [Mesdheut] dhe malit të shenjtë të Stolisë [ku ishte dikur tempulli i Perëndisë dhe ku adhuronte populli i Perëndisë]».

^ par. 9 Bibla flet edhe për sulmin e një «asiriani», që do të përpiqet t’i shfarosë shërbëtorët e Jehovait. (Mik. 5:5) Të katër sulmet e parathëna kundër popullit të Jehovait—ai i Gogut të Magogut, i mbretit të veriut, i mbretërve të tokës dhe sulmi i asirianit—mund t’i referohen të njëjtit sulm, por në mënyra të ndryshme.

^ par. 10 Për të ditur më shumë rreth identitetit të ‘Gogut dhe Magogut’ të përmendur te Zbulesa 20:7-9, shih kapitullin 22 të këtij libri.