Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Përmbledhje e kuptueshmërive të qartësuara

Përmbledhje e kuptueshmërive të qartësuara

Gjatë viteve, në Kullën e Rojës janë botuar ndryshime të kuptueshmërisë për disa aspekte të profecive të Ezekielit. Libri Jehovai rivendos adhurimin e pastër! përmban edhe qartësime të tjera. Shih nëse mund t’u përgjigjesh pyetjeve të mëposhtme.

Çfarë përfaqësojnë katër fytyrat e krijesave të gjalla?

Kuptueshmëria e mëparshme: secila nga katër fytyrat e krijesave të gjalla, ose kerubinëve, përfaqëson një nga katër cilësitë kryesore të Jehovait.

Kuptueshmëria e re: ndonëse secila nga katër fytyrat përfaqëson një nga katër cilësitë kryesore të Jehovait, të marra së bashku ato përfaqësojnë të gjitha cilësitë e Jehovait. Gjithashtu, katër fytyrat na ngulitin thellë në mendje madhështinë e pakrahasueshme të fuqisë dhe të lavdisë së Jehovait.

Pse ky ndryshim: në Fjalën e Perëndisë, numri katër përdoret shpesh për të simbolizuar plotësi ose gjithëpërfshirje. Prandaj, të katër fytyrat të marra së bashku përfaqësojnë më shumë se thjesht katër cilësi mbresëlënëse—janë baza e personalitetit të mrekullueshëm të Jehovait. Çdo fytyrë i përket një krijese që personifikon madhështinë, forcën dhe fuqinë. E megjithatë, këto katër krijesa të fuqishme, që paraqiten nga katër fytyrat e çdo kerubini, qëndrojnë poshtë fronit të Jehovait. Çfarë përshkrimi i goditur për të treguar se Jehovai është Sovrani Suprem!

Kë përfaqëson burri me kallamar sekretari?

Kuptueshmëria e mëparshme: burri me kallamar përfaqëson të mirosurit në tokë. Nëpërmjet veprës së predikimit dhe të bërjes së dishepujve, të mirosurit vendosin një shenjë simbolike në ballin e atyre që bëhen pjesë e ‘shumicës së madhe’.—Zbul. 7:9.

Kuptueshmëria e re: burri me kallamar sekretari përfaqëson Jezu Krishtin. Ai do t’u vendosë një shenjë pjesëtarëve të shumicës së madhe kur t’i gjykojë si dele gjatë ‘shtrëngimit të madh’.—Mat. 24:21.

Pse ky ndryshim: Jehovai ia ka besuar gjykimin të Birit. (Gjoni 5:22, 23) Sipas Mateut 25:31-33, është Jezui që do të bëjë gjykimin përfundimtar, duke i ndarë njerëzit në ‘dele’ dhe në ‘cjep’.

A përfaqësojnë motrat prostituta, Ohola dhe Oholiba, krishterimin e rremë dhe në veçanti fenë katolike e protestante?

Kuptueshmëria e mëparshme: motra e madhe, Ohola (Samaria, kryeqyteti i Izraelit), përfaqëson fenë katolike; motra e vogël, Oholiba (Jerusalemi, kryeqyteti i Judës), përfaqëson fenë protestante.

Kuptueshmëria e re: motrat prostituta nuk shërbejnë si modele profetike të krishterimit të rremë. Por, ekzistenca e tyre na zbulon çfarë ndien Jehovai kur ata që dikur i shërbenin me besnikëri përfshihen në adhurimin e rremë. Jehovai provon ndjenja të ngjashme për të gjitha fetë e rreme.

Pse ky ndryshim: Shkrimet nuk na japin ndonjë bazë për t’i konsideruar Oholën dhe Oholibën si modele profetike të krishterimit të rremë. Izraeli dhe Juda dikur ishin si gra besnike për Jehovain, ndërsa krishterimi i rremë nuk ka pasur kurrë një marrëdhënie të tillë me Të. Për më tepër, kapitujt 16 dhe 23 të Ezekielit, ku populli jobesnik i Perëndisë krahasohet me prostitutat, përmbajnë edhe shpresën se populli do të ndryshonte e do të rivendosej. Ndërsa për krishterimin e rremë, si pjesë e Babilonisë së Madhe, nuk ekziston kurrfarë shprese.

A përfaqëson Jerusalemi apostat krishterimin e rremë?

Kuptueshmëria e mëparshme: Jerusalemi apostat shërben si model profetik i krishterimit të rremë. Prandaj, shkatërrimi i Jerusalemit parathoshte në mënyrë profetike shkatërrimin e krishterimit të rremë.

Kuptueshmëria e re: gjendja në të cilën ndodhej Jerusalemi jobesnik, përfshirë idhujtarinë dhe shthurjen e përhapur gjerësisht, na sjell ndër mend atë që po ndodh në krishterimin e rremë, megjithatë nuk themi më se Jerusalemi përfaqëson krishterimin e rremë.

Pse ky ndryshim: Shkrimet nuk përmbajnë një bazë të vlefshme që në këtë rast të përdoret metoda model profetik-plotësim. Ndryshe nga Jerusalemi i lashtë, krishterimi i rremë nuk e ka praktikuar kurrë adhurimin e pastër. Dhe, ndryshe nga Jerusalemi që fitoi faljen e Jehovait për njëfarë kohe, krishterimi i rremë nuk do ta ketë kurrë këtë mundësi.

Si u përmbush vegimi për luginën me eshtra të thata?

Kuptueshmëria e mëparshme: në vitin 1918, të mirosurit u përndoqën dhe u morën rob nga Babilonia e Madhe, duke hyrë në një gjendje joaktiviteti të ngjashme me vdekjen. Kjo periudhë e shkurtër robërie mbaroi në vitin 1919, kur Jehovai i rigjallëroi si lajmëtarë të Mbretërisë.

Kuptueshmëria e re: gjendja e robërisë që i ngjante vdekjes zgjati për mjaft kohë dhe nisi shumë më herët se viti 1918. Ajo filloi në shekullin e dytë të e.s. dhe përfundoi në vitin 1919. Kjo përkon me periudhën e gjatë të rritjes së grurit dhe të egjrave në ilustrimin e Jezuit.

Pse ky ndryshim: robëria e Izraelit të lashtë zgjati për goxha kohë. Ajo filloi në vitin 740 p.e.s. dhe përfundoi në vitin 537 p.e.s. Në profecinë e Ezekielit, eshtrat përshkruhen si «të thata» ose «shumë të thata», duke nënkuptuar se eshtrat u përkitnin njerëzve që kishin vdekur nga shumë kohë. Rikthimi në jetë i eshtrave përshkruhet si një proces gradual që kërkon kohë.

Çfarë domethënieje ka bashkimi i dy shkopinjve?

Kuptueshmëria e mëparshme: pas një periudhe të shkurtër mungese uniteti gjatë Luftës së Parë Botërore, të mirosurit besnikë në tokë rifituan unitetin në vitin 1919.

Kuptueshmëria e re: profecia thekson se Jehovai do të shkaktojë që adhuruesit e tij të bëhen një i vetëm. Pas 1919-s, të mirosurve besnikë në tokë iu bashkuan gjithnjë e më shumë veta me shpresë tokësore. Të dyja grupet po i shërbejnë Jehovait së bashku si një popull i vetëm.

Pse ky ndryshim: profecia nuk tregon se një shkop u thye në dy pjesë dhe pastaj u bashkua në një të vetëm. Prandaj, ajo nuk flet për ndarjen dhe për ribashkimin e një grupi. Përkundrazi përshkruan si do të bashkoheshin dy grupe të ndryshme.

Kush është Gogu i Magogut?

Kuptueshmëria e mëparshme: Gogu i Magogut i referohet në mënyrë profetike Satanait pasi u dëbua nga qielli.

Kuptueshmëria e re: Gogu i Magogut i referohet një koalicioni kombesh që do të sulmojë adhuruesit e vërtetë gjatë shtrëngimit të madh.

Pse ky ndryshim: mënyra si përshkruhet Gogu në profeci—pra që u jepet si ushqim zogjve grabitqarë dhe i jepet një vend varrimi në tokë—lë të kuptohet se Gogu nuk është krijesë qiellore. Për më tepër, sulmi i Gogut përkon me sulmin e kombeve kundër popullit të Jehovait që përshkruhet te Danieli dhe te Zbulesa.—Dan. 11:40, 44, 45; Zbul. 17:14; 19:19.

A pa Ezekieli tempullin e madh të Jehovait për të cilin foli apostulli Pavël shekuj më vonë?

Kuptueshmëria e mëparshme: tempulli që pa Ezekieli në vegim është i njëjti me tempullin e madh të Jehovait për të cilin shkroi apostulli Pavël.

Kuptueshmëria e re: Ezekieli nuk pa tempullin e madh të Jehovait që erdhi në ekzistencë në vitin 29 të e.s., por pa një vegim ku tregohej një model i përsosur për të adhuruar Jehovain sipas Ligjit të Moisiut. Shpjegimi i frymëzuar i Pavlit për tempullin e madh përqendrohet tek veprat që kreu Jezui si Kryeprifti i Madh, në vitet 29 deri 33 të e.s. Ndërsa tempulli që pa Ezekieli në vegim, ku nuk përmendet fare kryeprifti, përqendrohet te rivendosja që nisi më 1919 të e.s. Prandaj nuk kërkojmë ndonjë kuptim profetik, ose simbolik, për çdo aspekt a përmasë të tempullit që pa Ezekieli në vegim. Përkundrazi përpiqemi të përqendrohemi kryesisht tek ajo që na mëson ky vegim në lidhje me standardet e Jehovait për adhurimin e pastër.

Pse ky ndryshim: tempulli që pa Ezekieli në vegim ndryshon goxha nga tempulli i madh i Jehovait. Për shembull, në tempullin që pa Ezekieli ofroheshin në mënyrë të përsëritur flijime në kafshë, kurse në tempullin e madh të Jehovait u ofrua vetëm një flijim, «një herë e mirë». (Hebr. 9:11, 12) Në shekujt para se të vinte Krishti, nuk ishte ende koha që Jehovai të zbulonte të vërteta të thella në lidhje me tempullin e madh.