Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

KAPITULLI 4

Çfarë simbolizojnë «krijesat e gjalla me katër fytyra»?

Çfarë simbolizojnë «krijesat e gjalla me katër fytyra»?

EZEKIELI 1:15

NË KËTË KAPITULL: Krijesat e gjalla dhe mësimet që nxjerrim prej tyre

1, 2. Pse me raste Jehovai ka përdorur mjete figurative për t’u përcjellë disa të vërteta shërbëtorëve të tij në tokë?

IMAGJINO një familje me fëmijë të vegjël, teksa studiojnë Biblën së bashku, të ulur rreth tavolinës. Që fëmijët të kuptojnë një mësim të Biblës, babai bën ca vizatime të thjeshta. Buzëqeshjet dhe komentet e gjalla të fëmijëve tregojnë se po ia arrin qëllimit. Duke u shtuar imazhe fjalëve, babai i ndihmon fëmijët të kuptojnë disa të vërteta në lidhje me Jehovain, që përndryshe nuk do t’i kuptonin dot.

2 Jehovai ka vepruar po njësoj: ka përdorur mjete figurative që fëmijët e tij njerëzorë të kuptojnë realitete të padukshme, të cilat përndryshe s’do t’i kuptonin dot. Për shembull, Jehovai i tregoi Ezekielit një vegim plot imazhe të pazakonta për t’i zbuluar të vërteta të thella rreth vetes. Një pjesë të atij vegimi mbresëlënës e shqyrtuam në kapitullin e mëparshëm. Tani do të shohim më nga afër një pjesë tjetër e do të kuptojmë si na ndihmon të forcojmë miqësinë me Jehovain.

Pashë «disa që dukeshin si katër krijesa të gjalla»

3. (a) Sipas Ezekielit 1:4, 5, çfarë pa Ezekieli në vegim? (Shih figurën hapëse.) (b) Çfarë vëren te përshkrimi i Ezekielit?

3 Lexo Ezekielin 1:4, 5. Ezekieli përshkruan «disa që dukeshin si katër krijesa të gjalla» e që kishin tipare engjëjsh, njerëzish dhe kafshësh. Vër re se Ezekieli është shumë i saktë në përshkrimin e tij, duke thënë se «dukeshin si» krijesa të gjalla. Ndërsa lexoni vegimin e plotë te kapitulli 1 i Ezekielit, do të vëreni se profeti i përdor shpesh shprehjet «ngjante si», «dukej si» dhe «diçka si». (Ezek. 1:13, 24, 26) Është e qartë se Ezekieli e kuptoi që s’ishin veçse imazhe që përfaqësonin realitete të padukshme qiellore.

4. (a) Si ndikoi vegimi te Ezekieli? (b) Çfarë dinte Ezekieli për kerubinët?

4 Me siguri profeti duhet të jetë mahnitur nga gjërat që pa dhe dëgjoi në vegim. Katër krijesat e gjalla dukeshin «si thëngjij të ndezur», dhe lëvizjet e tyre të shpejta ngjanin ‘si vetëtima’. Zhurma që bënin krahët ngjante «si zhurma e ujërave gurgulluese» dhe, kur krijesat lëviznin, dukej sikur dëgjoje ‘zhurmën e një ushtrie’. (Ezek. 1:13, 14, 24-28; shih kutinë «Po shikoja krijesat e gjalla».) Në një vegim të mëvonshëm, Ezekieli i identifikoi katër krijesat e gjalla si ‘kerubinë’, pra engjëj të fuqishëm. (Ezek. 10:2) Meqë ishte rritur në një familje priftërore, Ezekieli e dinte mirë se kerubinët janë të lidhur ngushtë me praninë e Jehovait dhe i shërbejnë Atij.—1 Kron. 28:18; Psal. 18:10.

«Secila krijesë kishte katër fytyra»

5. (a) Pse themi që katër fytyrat e kerubinëve pasqyrojnë madhështinë e fuqisë dhe të lavdisë së Jehovait? (b) Pse kjo pjesë e vegimit na sjell ndër mend domethënien e emrit të Perëndisë? (Shih shënimin.)

5 Lexo Ezekielin 1:6, 10. Ezekieli vuri re se çdo kerubin kishte katër fytyra—fytyrën e një njeriu, të një luani, të një demi dhe të një shqiponje. Kjo pamje duhet t’i ketë ngulitur thellë në mendje madhështinë e pakrahasueshme të fuqisë dhe të lavdisë së Jehovait. Pse e themi këtë? Faktikisht, çdo fytyrë i përkiste një krijese që personifikon madhështinë, forcën dhe fuqinë. Luani është një kafshë e egër madhështore; demi, një kafshë mbresëlënëse; shqiponja, një shpend i fuqishëm; ndërsa njeriu është kurorëzimi i krijimit të Perëndisë në tokë, që mban të nënshtruara të gjitha krijesat tokësore. (Psal. 8:4-6) Megjithatë, Ezekieli pa në vegim se këto krijesa të fuqishme, që paraqiteshin nga katër fytyrat e çdo kerubini, qëndronin poshtë fronit të Jehovait, Sovranit Suprem. Ç’mënyrë e goditur për të treguar se Jehovai e përdor krijimin për të përmbushur qëllimin e tij! * Tamam siç tha psalmisti për Jehovain: «Madhështia e tij e tejkalon tokën dhe qiellin.»—Psal. 148:13.

Çfarë na mësojnë katër krijesat e gjalla dhe katër fytyrat e tyre për madhështinë, lavdinë dhe cilësitë e Jehovait? (Shih paragrafët 5, 13)

6. Ç’duhet ta ketë ndihmuar Ezekielin të kuptonte se çfarë përfaqësonin katër fytyrat?

6 Ca kohë më vonë, pasi Ezekieli meditoi për vegimin, mund t’i kenë ardhur ndër mend shërbëtorë të Perëndisë që jetuan para tij dhe që kishin bërë krahasime me kafshë. Për shembull, patriarku Jakob e kishte krahasuar djalin e tij, Judën, me një luan, kurse Beniaminin me një ujk. (Zan. 49:9, 27) Pse? Sepse luani dhe ujku paraqitnin cilësi, ose veçori, që do të binin në sy te personaliteti i këtyre burrave dhe i pasardhësve të tyre. Ndaj, duke menduar për këta shembuj nga Shkrimet, Ezekieli mund të ketë arritur në përfundimin se edhe fytyrat e kerubinëve përfaqësonin cilësi ose veçori të spikatshme. Për cilat cilësi bëhet fjalë?

Cilësi të Jehovait dhe të familjes së tij qiellore

7, 8. Me cilat cilësi lidhen shpesh katër fytyrat e kerubinëve?

7 Me cilat cilësi i lidhën shkrimtarët e Biblës, që jetuan para Ezekielit, luanin, shqiponjën dhe demin? Vini re këto shprehje nga Bibla: ‘trimi me zemër luani’ (2 Sam. 17:10; Prov. 28:1); ‘shqiponja fluturon lart’ dhe «sytë e saj shohin shumë larg» (Jobi 39:27, 29); «të korrat janë të bollshme falë fuqisë së demit». (Prov. 14:4) Nga këto shkrime kuptojmë se fytyra e luanit përfaqëson drejtësinë e guximshme, fytyra e shqiponjës mençurinë largpamëse, kurse fytyra e demit fuqinë e pashoqe, siç përmendet shpesh në botimet tona.

8 Ç’të themi për ‘fytyrën e njeriut’? (Ezek. 10:14) Duhet t’i referohet një cilësie që s’mund të portretizohet nga asnjë kafshë, por vetëm nga njerëzit, të cilët janë krijuar sipas imazhit të Perëndisë. (Zan. 1:27) Kjo cilësi—që në tokë e kanë vetëm njerëzit—del në pah nga këto dy urdhërime të Perëndisë: «Duaje Jehovain, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde» dhe «duaje tjetrin si veten». (Ligj. 6:5; Lev. 19:18) Kur u bindemi këtyre urdhërimeve duke shfaqur dashuri altruiste, pasqyrojmë dashurinë e Jehovait. Siç shkroi apostulli Gjon, «ne kemi dashuri, sepse Perëndia na deshi i pari». (1 Gjon. 4:8, 19) Ja pse themi se ‘fytyra e njeriut’ paraqet dashurinë.

9. Kush i ka cilësitë që paraqiten nga fytyrat e kerubinëve?

9 Kush i ka këto cilësi? Përderisa fytyrat janë të kerubinëve, këto cilësi i kanë të gjithë engjëjt besnikë që përbëjnë familjen qiellore të Jehovait dhe që përfaqësohen nga kerubinët. (Zbul. 5:11) Për më tepër, meqë Jehovai është Burimi i jetës së kerubinëve, është edhe Burimi i cilësive të tyre. (Psal. 36:9) Prandaj, fytyrat e kerubinëve paraqesin cilësi që i ka vetë Jehovai. (Jobi 37:23; Psal. 99:4; Prov. 2:6; Mik. 7:18) Në cilat mënyra i shfaq Jehovai këto cilësi të jashtëzakonshme?

10, 11. Si po nxjerrim dobi nga katër cilësitë kryesore të Jehovait?

10 Drejtësia. Meqë është Perëndi që «e do drejtësinë», Jehovai «nuk trajton asnjë me anësi». (Psal. 37:28; Ligj. 10:17) Ja pse, pavarësisht nga shtresa shoqërore ose formimi, të gjithë kemi mundësinë të bëhemi e të mbetemi shërbëtorë të Tij dhe të marrim bekime të përjetshme. Mençuria. Jehovai «është i mençur në zemër», ja pse ka siguruar një libër plot ‘mençuri praktike’. (Jobi 9:4, shën.; Prov. 2:7) Kur zbatojmë këshillat e mençura të Biblës, i përballojmë më kollaj sfidat e përditshme dhe kemi një jetë domethënëse. Fuqia. Si Perëndi që «ka shumë fuqi», Jehovai përdor frymën e shenjtë për të na dhënë ‘fuqi përtej asaj që është normale’. Ajo na jep forcë të përballojmë çfarëdolloj sprove të rëndë e të dhembshme që hasim.—Nau. 1:3; 2 Kor. 4:7; Psal. 46:1.

11 Dashuria. Meqë është «plot dashuri besnike», Jehovai nuk i braktis kurrë adhuruesit e tij besnikë. (Psal. 103:8; 2 Sam. 22:26) Prandaj, nëse jemi të trishtuar ngaqë shëndeti i dobët ose mosha s’na lejojnë t’i shërbejmë Jehovait si më parë, na ngroh zemrën dijenia se Jehovai i ruan në kujtesë veprat tona dhe dashurinë që kemi treguar për të. (Hebr. 6:10) Është e qartë se po nxjerrim dhe do të nxjerrim jashtë mase dobi nga cilësitë kryesore të Jehovait: drejtësia, mençuria, fuqia dhe dashuria.

12. Deri në ç’masë jemi në gjendje t’i kuptojmë cilësitë e Jehovait?

12 S’ka dyshim se kur bëhet fjalë për cilësitë e Jehovait, kuptojmë vetëm «thekët e udhëve të tij». (Jobi 26:14) «Ne nuk arrijmë ta kuptojmë të Plotfuqishmin», sepse «madhështia e tij është e pahetueshme». (Jobi 37:23; Psal. 145:3) Ndaj e kemi të qartë se cilësitë e Jehovait janë të panumërta e s’mund të ndahen në kategori. (Psal. 139:17, 18; lexo Romakëve 11:33, 34) Në fakt, vegimi i Ezekielit tregon pikërisht këtë të vërtetë të rëndësishme. Cilat aspekte të vegimit e nxjerrin në pah këtë?

‘Katër fytyra, katër krahë, katër anë’

13, 14. Çfarë përfaqësojnë katër fytyrat e kerubinëve dhe pse arrijmë në këtë përfundim?

13 Kerubinët që pa Ezekieli në vegim nuk kishin një, por katër fytyra. Çfarë tregon kjo? Sill ndër mend se, në Fjalën e Perëndisë, numri katër përdoret shpesh për të simbolizuar plotësi ose gjithëpërfshirje. (Isa. 11:12; Mat. 24:31; Zbul. 7:1) Jo më kot Ezekieli e përmend plot 10 herë numrin katër në këtë vegim. (Ezek. 1:5-18) Atëherë, çfarë përfundimi mund të nxjerrim? Ashtu si katër kerubinët përfaqësojnë të gjitha krijesat qiellore besnike, edhe katër fytyrat e kerubinëve të marra së bashku përfaqësojnë të gjitha cilësitë e Jehovait. *

14 Për të ilustruar pse katër fytyrat e kerubinëve nuk përfaqësojnë vetëm katër cilësi, le të marrim si shembull katër rrotat e vegimit. Ndonëse secila nga rrotat është mbresëlënëse, të marra së bashku, janë më tepër se kaq—janë baza e karrocës. Po kështu, të katër fytyrat të marra së bashku, përfaqësojnë më shumë se thjesht katër cilësi mbresëlënëse—janë baza e personalitetit të mrekullueshëm të Jehovait.

Jehovai u rri pranë gjithë besnikëve të tij

15. Cilën të vërtetë zemërdhënëse mësoi Ezekieli nga vegimi i parë?

15 Nga ky vegim i parë, Ezekieli mësoi një të vërtetë jetësore dhe zemërdhënëse për miqësinë me Jehovain. Cilën? Atë që tregohet në fjalët hyrëse të librit të tij. Pasi tha se ndodhej «në vendin e kaldeasve», Ezekieli shtoi: «Atje, fuqia e Jehovait filloi të vepronte tek unë.» (Ezek. 1:3) Vër re se Ezekieli tha se vegimin e mori atje, pra në Babiloni, jo në Jerusalem. * Atëherë, cilën të vërtetë të rëndësishme mësoi nga ky fakt? Ndonëse s’ishte veçse një i mërguar, larg Jerusalemit dhe tempullit, ai nuk ishte larg Jehovait dhe adhurimit të tij. Fakti që Jehovai iu shfaq në Babiloni, i tregoi Ezekielit se mund t’i bënte adhurim të pastër Perëndisë, pavarësisht nga vendndodhja apo nga statusi shoqëror. Gjëja më e rëndësishme ishte ajo që kishte në zemër dhe dëshira për t’i shërbyer Jehovait.

16. (a) Pse na ngushëllon jashtë mase vegimi i Ezekielit? (b) Çfarë të nxit t’i shërbesh Jehovait me gjithë zemër?

16 Pse na ngushëllon jashtë mase e vërteta që mësoi Ezekieli? Sepse na siguron që, kur i shërbejmë me gjithë zemër Jehovait, Ai na qëndron pranë, pavarësisht nga vendi ku jetojmë, nga ankthi që ndiejmë a nga situatat ku na përplas jeta. (Psal. 25:14; Vep. 17:27) Dashuria besnike e pakufishme për secilin prej shërbëtorëve të tij, e nxit Jehovain të mos heqë dorë kollaj prej nesh. (Eks. 34:6) Jehovai na tregon gjithmonë dashuri besnike, pavarësisht se kush jemi a ku ndodhemi. (Psal. 100:5; Rom. 8:35-39) Veç kësaj, ky vegim mbresëlënës i shenjtërisë dhe i fuqisë së pashoqe të Jehovait na kujton se ai është i denjë ta adhurojmë. (Zbul. 4:9-11) I jemi vërtet mirënjohës Jehovait që nëpërmjet këtyre vegimeve na ndihmon të kuptojmë të vërteta të rëndësishme për të dhe për cilësitë e tij! Sa më shumë i njohim cilësitë tërheqëse të Jehovait, aq më shumë i afrohemi dhe nxitemi ta lëvdojmë e t’i shërbejmë me gjithë zemrën e forcën tonë.—Luka 10:27.

Asgjë s’mund ta pengojë Jehovain të na tregojë dashuri besnike (Shih paragrafin 16)

17. Cilat pyetje do të shqyrtojmë në kapitujt vijues?

17 Mjerisht, në ditët e Ezekielit, adhurimi i pastër u ndot. Si ndodhi kjo? Si reagoi Jehovai? Dhe, ç’domethënie kanë për ne ato ngjarje të së kaluarës? Këto pyetje do t’i shqyrtojmë në kapitujt vijues.

^ par. 5 Përshkrimi që u bën Ezekieli këtyre krijesave, na sjell ndër mend emrin e Perëndisë, Jehova. Ky emër, që mendohet se ka kuptimin «Ai shkakton të bëhet», mbart idenë se Jehovai shkakton që edhe krijimi i tij të bëhet ç’të nevojitet për të plotësuar qëllimin e tij.—Shih Shtojcën A4 te Përkthimi Bota e Re.

^ par. 13 Përgjatë viteve, në botimet tona janë shqyrtuar rreth 50 cilësi të Jehovait.—Shih Treguesi i Botimeve Watch Tower, zëri «Jehovai», nëntema «Cilësitë sipas emrit».

^ par. 15 Një komentues i Biblës vëren se fjala «atje», «përcjell më mirë se çdo fjalë tjetër mahnitjen e Ezekielit në atë çast. . . . Perëndia ishte atje, në Babiloni! Ç’mendim ngushëllues!»