Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

KAPITULLI 12

«Do t’i bëj një komb të vetëm»

«Do t’i bëj një komb të vetëm»

EZEKIELI 37:22

NË KËTË KAPITULL: Premtimi i Jehovait për të mbledhur popullin e tij dhe profecia për dy shkopinjtë

1, 2. (a) Pse të mërguarit mund të jenë në ankth? (b) Çfarë surprize i pret? (c) Cilat pyetje do të shqyrtojmë?

NËN frymëzim, Ezekieli demonstroi me anë të shenjave disa profeci për të mërguarit në Babiloni. Profecia e parë që paraqiti, kishte një mesazh gjykimi. Po ashtu edhe e dyta, e treta e kështu me radhë. (Ezek. 3:24-26; 4:1-7; 5:1; 12:3-6) Në fakt, të gjitha profecitë që paraqiti me anë të shenjave deri tani, përcillnin një mesazh të ashpër gjykimi për judenjtë.

2 Imagjino sa në ankth janë të mërguarit kur Ezekieli vjen sërish para tyre për të demonstruar një profeci tjetër. Mbase mendojnë: «Ç’lajme të këqija do na thotë këtë herë, xhanëm?!» As që u shkon fare ndër mend se profecia që do të tregojë tani Ezekieli, nuk përmban gjykim të ashpër, por një premtim shumë të bukur. (Ezek. 37:23) Çfarë mesazhi u përcjell ai të mërguarve? Ç’kuptim ka ky mesazh? Dhe si ndikon te shërbëtorët e Perëndisë sot? Le të shohim.

«Ata do të bëhen një i vetëm në dorën time»

3. (a) Çfarë përfaqëson shkopi «për Judën»? (b) Pse themi se ‘shkopi i Efraimit’ përfaqëson mbretërinë 10-fisëshe?

3 Jehovai i tha Ezekielit të merrte dy shkopinj dhe e udhëzoi që në njërin të shkruante «për Judën» e në tjetrin «për Jozefin, shkopin e Efraimit». (Lexo Ezekielin 37:15, 16.) Çfarë përfaqësonin këta dy shkopinj? Shkopi që ishte «për Judën», përfaqësonte mbretërinë 2-fisëshe të Judës dhe të Beniaminit. Këto dy fise janë udhëhequr nga mbretërit që vinin nga linja e Judës. Gjithashtu, priftërinjtë jetonin në Judë, sepse shërbenin në tempullin e Jerusalemit. (2 Kron. 11:13, 14; 34:30) Domethënë, në mbretërinë e Judës qeverisnin mbretër nga linja e Davidit dhe shërbenin priftërinj levitë. Ndërsa ‘shkopi i Efraimit’ përfaqësonte mbretërinë 10-fisëshe të Izraelit. Pse e themi këtë? Mbreti i parë i kësaj mbretërie ishte Jeroboami, që vinte nga fisi i Efraimit. Me kohë, Efraimi u bë fisi më i rëndësishëm në Izrael. (Ligj. 33:17; 1 Mbret. 11:26) Mbaj parasysh që mbretëria 10-fisëshe e Izraelit nuk kishte asnjë mbret nga linja e Davidit dhe asnjë prift nga fisi i Levit.

4. Çfarë tregoi veprimi i Ezekielit me dy shkopinjtë? (Shih figurën hapëse.)

4 Më pas, Jehovai i tha Ezekielit t’i merrte dy shkopinjtë dhe t’i bashkonte, ‘që të formonin një shkop të vetëm’. Teksa shohin plot ankth Ezekielin, të mërguarit e pyesin: «A nuk do të na tregosh çfarë kuptimi kanë këto gjëra?» Ai iu përgjigj se këto shenja tregojnë se çfarë do të bëjë Jehovai. Jehovai tha për dy shkopinjtë: «Unë do t’i bëj një shkop të vetëm, dhe ata do të bëhen një i vetëm në dorën time.»Ezek. 37:17-19.

5. Ç’kuptim kishte veprimi i Ezekielit? (Shih edhe kutinë «Bashkimi i dy shkopinjve.»)

5 Pas kësaj, Jehovai shpjegoi ç’kuptim kishte bashkimi i dy shkopinjve. (Lexo Ezekielin 37:21, 22.) Të mërguarit nga mbretëria 2-fisëshe e Judës dhe nga mbretëria 10-fisëshe e Izraelit (Efraimi) do të mblidheshin në Izrael dhe do të bëheshin ‘një komb i vetëm’.—Jer. 30:1-3; 31:2-9; 33:7.

6. Çfarë profecish që plotësojnë njëra-tjetrën gjenden te kapitulli 37 i Ezekielit?

6 Ç’profeci të jashtëzakonshme për rivendosjen gjenden në kapitullin 37 të Ezekielit! Ato plotësojnë më së miri njëra-tjetrën. Jehovai do të vërtetojë se është një Perëndi që jo vetëm na rikthen jetën (vargjet 1-14), por edhe unitetin (vargjet 15-28). Mesazhi shpresëdhënës që përcjellin këto dy profeci, është: vdekja mund të zhbëhet, po kështu edhe përçarja.

Si ‘e mblodhi’ Jehovai popullin?

7. Si e vërteton tregimi i 1 Kronikave 9:2, 3 se «me Perëndinë gjithçka është e mundur»?

7 Nga pikëpamja njerëzore, çlirimi dhe bashkimi i të mërguarve dukej absolutisht i pamundur. * Gjithsesi, «me Perëndinë gjithçka është e mundur». (Mat. 19:26) Jehovai e përmbushi profecinë. Robëria babilonase mori fund më 537 p.e.s. Pastaj, individë nga të dyja mbretëritë u kthyen në Jerusalem për të rivendosur adhurimin e pastër. Edhe shkrimet e frymëzuara e mbështetin këtë fakt: «Në Jerusalem banuan disa prej pasardhësve të Judës, të Beniaminit, të Efraimit e të Manaseut.» (1 Kron. 9:2, 3; Ezd. 6:17) Pjesëtarë të mbretërisë 10-fisëshe të Izraelit u bashkuan me ata të mbretërisë 2-fisëshe të Judës, tamam siç e kishte parathënë Jehovai.

8. (a) Çfarë profetizoi Isaia? (b) Cilat janë 2 aspekte domethënëse që gjenden tek Ezekieli 37:21?

8 Gati 200 vjet më parë, profeti Isaia kishte profetizuar se çfarë do të ndodhte me Izraelin dhe Judën pas robërisë. Ai paratha se Jehovai do të mblidhte «të shpërndarët e Izraelit» dhe «të shpërndarët e Judës nga të katër skajet e tokës», përfshirë edhe ata që do të dilnin «nga Asiria». (Isa. 11:12, 13, 16) Pikërisht siç kishte parathënë, Jehovai i mori «izraelitët nga kombet». (Ezek. 37:21) Vëre dy aspekte domethënëse: Jehovai nuk i quan më ‘Judë’ dhe ‘Efraim’ të mërguarit, por ‘izraelitë’, pra i konsideron një grup të vetëm. Gjithashtu, për izraelitët thuhet se vinin nga disa kombe, jo vetëm nga Babilonia. Në fakt, Jehovai tha se do t’i mblidhte «nga çdo anë».

9. Si i ndihmoi Jehovai të bashkoheshin të mërguarit që u rikthyen në Izrael?

9 Si i ndihmoi Jehovai të bashkoheshin të mërguarit që u rikthyen në Izrael? Ai u siguroi barinj, si Zorobabelin, kryepriftin Josia, Ezdrën dhe Neheminë. Caktoi edhe profetë, si Hageun, Zakarinë dhe Malakinë. Këta burra besnikë u përpoqën me gjithë shpirt të nxitnin kombin të zbatonte udhëzimet e Perëndisë. (Neh. 8:2, 3) Përveç kësaj, Jehovai e mbronte kombin e Izraelit duke mposhtur armiqtë që komplotonin kundër tij.—Est. 9:24, 25; Zak. 4:6.

Jehovai siguroi barinj për të ndihmuar popullin që të bashkohej (Shih paragrafin 9)

10. Çfarë arriti të bënte Satanai?

10 Pavarësisht nga të gjitha masat e dashura që mori Jehovai, shumica e izraelitëve u larguan nga adhurimi i pastër. Veprimet e tyre u dokumentuan në librat e Biblës që u shkruan pasi u kthyen nga mërgimi. (Ezd. 9:1-3; Neh. 13:1, 2, 15) Në fakt, pa kaluar as një shekull nga kthimi, izraelitët ishin larguar aq shumë nga adhurimi i pastër, saqë Jehovait iu desh t’u thoshte: «Kthehuni tek unë». (Mal. 3:7) Kur Jezui erdhi në tokë, feja judeje ishte përçarë në disa sekte që drejtoheshin nga barinj jobesnikë. (Mat. 16:6; Mar. 7:5-8) Satanai ia kishte dalë mbanë të pengonte unitetin e plotë. Prapëseprapë, profecia e Jehovait për bashkimin do të plotësohej se s’bën. Si?

«Shërbëtori im, Davidi, do të jetë mbreti i tyre»

11. (a) Çfarë zbuloi Jehovai për profecinë e bashkimit? (b) Çfarë u përpoq të bënte përsëri Satanai pasi e dëbuan nga qielli?

11 Lexo Ezekielin 37:24. Jehovai zbuloi se përmbushja e plotë e profecisë së bashkimit të popullit të tij do të ndodhte vetëm pasi ‘shërbëtori David’, pra, Jezui, të fillonte të mbretëronte. Kjo ndodhi në vitin 1914. * (2 Sam. 7:16; Luka 1:32) Ndërkohë, kombi i Izraelit ishte zëvendësuar me «Izraelin e Perëndisë», që përbëhet nga të mirosurit. (Jer. 31:33; Gal. 3:29; 6:16) Satanai u përpoq përsëri të shkatërronte unitetin e shërbëtorëve të Perëndisë, sidomos pasi e dëbuan nga qielli. (Zbul. 12:7-10) Për shembull, pas vdekjes së vëlla Rasëllit në vitin 1916, Satanai shfrytëzoi rastin për të përçarë të mirosurit duke përdorur apostatët. Ama s’kaloi shumë dhe apostatët u larguan nga organizata. Gjithashtu, Satanai ia doli t’i fuste në burg vëllezërit që merrnin drejtimin. Por, as kjo nuk e ndali popullin e Jehovait. Të mirosurit që mbetën besnikë, qëndruan të bashkuar.

12. Pse kanë dështuar përpjekjet e Satanait për të përçarë Izraelin e Perëndisë?

12 Ndaj, ndryshe nga kombi i Izraelit, Izraeli i Perëndisë nuk ra pre e taktikave përçarëse të Satanait. Pse dështuan përpjekjet e tij? Sepse të mirosurit bënë çmos t’u përmbaheshin standardeve të Jehovait. Si rezultat kanë mbrojtjen e Mbretit të tyre, Jezu Krishtit, që po vazhdon të luftojë kundër Satanait.—Zbul. 6:2.

Jehovai do të shkaktojë që adhuruesit e tij «të bëhen një i vetëm»

13. Ç’të vërtetë të rëndësishme na mëson profecia për bashkimin e dy shkopinjve?

13 Ç’domethënie ka për ditët tona profecia e bashkimit të dy shkopinjve? Mbaj parasysh se qëllimi i kësaj profecie ishte që të ilustronte si do të bashkoheshin dy grupet. Mbi të gjitha theksonte se Ai që do t’i bashkonte, ishte Jehovai. Atëherë, ç’të vërtetë të rëndësishme për adhurimin e pastër na tregon profecia e bashkimit të dy shkopinjve? E thënë thjesht: vetë Jehovai do të shkaktojë që adhuruesit e tij «të bëhen një i vetëm».—Ezek. 37:19.

14. Si filloi të përmbushej në një shkallë më të gjerë profecia për bashkimin e dy shkopinjve në vitin 1919?

14 Në vitin 1919, pasi populli i Perëndisë u pastrua nga mësimet e rreme dhe hyri në një parajsë të figurshme, profecia e bashkimit të shkopinjve filloi të përmbushej në një shkallë më të gjerë. Në atë kohë, pjesa më e madhe e atyre që u bashkuan, kishin shpresën për të qenë mbretër dhe priftërinj në qiell. (Zbul. 20:6) Këta të mirosur ishin si shkopi «për Judën», një komb që kishte mbretër nga linja e Davidit dhe priftërinj levitë. Gjithsesi, me kohë, këtyre të mirosurve iu bashkuan gjithnjë e më shumë veta me shpresë tokësore. Këta ishin si ‘shkopi i Efraimit’, një komb që nuk kishte as mbretër nga linja e Davidit dhe as priftërinj levitë. Së bashku, të dyja grupet shërbejnë në unitet si populli i Jehovait nën drejtimin e një Mbreti të vetëm, Jezu Krishtit.—Ezek. 37:24.

«Ata do të jenë populli im»

15. Si po plotësohet sot profecia e Ezekielit 37:26, 27?

15 Sipas profecisë së Ezekielit, shumë veta do t’u bashkoheshin të mirosurve në adhurimin e pastër. Jehovai tha këto fjalë për popullin e tij: «Unë . . . do t’i shumoj» dhe «tenda ime do të jetë mbi ta». (Ezek. 37:26, 27) Këto shprehje na sjellin ndër mend profecinë e apostullit Gjon, rreth 700 vjet pas kohës së Ezekielit. Gjoni tha: «Ai që është ulur në fron, do të shtrijë tendën» mbi «një shumicë të madhe». (Zbul. 7:9, 15) Sot, të mirosurit dhe shumica e madhe formojnë një komb, popullin e Perëndisë, dhe qëndrojnë nën tendën e tij mbrojtëse.

16. Çfarë profetizoi Zakaria për bashkimin e të mirosurve me ata që kanë shpresë tokësore?

16 Edhe Zakaria, një i kthyer nga mërgimi, profetizoi për bashkimin e të krishterëve të mirosur me ata që kanë shpresë tokësore. Ai tha: «Dhjetë burra nga të gjitha gjuhët e kombeve . . . do të kapin fort rrobën e një judeu e do të thonë: ‘Duam të vijmë me ju, sepse kemi dëgjuar që Perëndia është me ju.» (Zak. 8:23) Përemri «ju» tregon se fjala ‘jude’ nuk i referohet një personi të vetëm, por një grupi. Sot, ky grup përbëhet nga mbetja e të krishterëve të mirosur, ose judenjtë e lindur nga fryma. (Rom. 2:28, 29) Ndërsa ‘dhjetë burrat’ janë ata me shpresë tokësore, të cilët ‘kapen fort’ pas të mirosurve dhe ‘shkojnë’ pas tyre. (Isa. 2:2, 3; Mat. 25:40) Këto shprehje nxjerrin në pah unitetin e plotë të këtyre dy grupeve.

17. Si e përshkroi Jezui unitetin që gëzojmë sot?

17 Kur Jezui e përshkroi veten si një bari, nën drejtimin e të cilit delet e tij (të mirosurit) dhe ‘delet e tjera’ (ata me shpresë tokësore) do të bëheshin «një kope e vetme», mbase kishte në mendje profecinë e Ezekielit për bashkimin. (Gjoni 10:16; Ezek. 34:23; 37:24, 25) Sa bukur që e përshkruan Jezui dhe profetët e lashtësisë unitetin e jashtëzakonshëm që gëzojmë sot, pavarësisht se kemi shpresa të ndryshme për të ardhmen! Ndërkohë që feja e rreme është e copëtuar në sa e sa grupe, ne jemi në unitet të plotë. Çfarë mrekullie!

Sot të mirosurit dhe «delet e tjera» adhurojnë Jehovain të bashkuar si «një kope e vetme» (Shih paragrafin 17)

«Shenjtërorja ime do të jetë mes tyre përgjithmonë»

18. Siç tregohet tek Ezekieli 37:28, pse është kaq e rëndësishme që shërbëtorët e Perëndisë ‘të mos jenë pjesë e botës’?

18 Fjalët e fundit të profecisë së Ezekielit për bashkimin theksojnë pse jemi të sigurt që uniteti ynë nuk do të prishet kurrë. (Lexo Ezekielin 37:28.) Shërbëtorët e Jehovait janë të bashkuar, sepse shenjtërorja e tij është «mes tyre»; e thënë ndryshe, mbështetin adhurimin e pastër. Shenjtërorja do të qëndrojë mes tyre për sa kohë të mbeten të shenjtëruar, domethënë të ndarë nga bota e Satanait. (1 Kor. 6:11; Zbul. 7:14) Jezui e tregoi qartë sa rëndësi ka të mos jemi pjesë e botës. Në një lutje të zjarrtë për dishepujt e tij natën para se të vdiste, ai tha: «Atë i Shenjtë, mbroji . . . që të bëhen një. . . . Ata nuk janë pjesë e botës. . . . Shenjtëroji me anë të së vërtetës.» (Gjoni 17:11, 16, 17) Vini re si e tregon qartë Jezui se për të qenë «një», ose në unitet, ‘nuk duhet të jemi pjesë e botës’.

19. (a) Si tregojmë se jemi «imitues të Perëndisë»? (b) Ç’të vërtetë të rëndësishme për unitetin theksoi Jezui natën para se të vdiste?

19 Në Bibël, kjo është hera e vetme që Jezui i drejtohet Perëndisë me fjalët «Atë i Shenjtë». Jehovai është i kulluar dhe i drejtë në kuptimin absolut. Prandaj e urdhëroi Izraelin e lashtë: «Jini të shenjtë, sepse unë jam i shenjtë!» (Lev. 11:45) Si «imitues të Perëndisë» duam t’i bindemi këtij urdhri në çdo aspekt të sjelljes sonë. (Efes. 5:1; 1 Pjet. 1:14, 15) Kur përdoret për njerëzit, fjala «i shenjtë» do të thotë «i ndarë veç». Ja pse, natën para se të vdiste, Jezui u theksoi dishepujve se, për sa kohë të ishin të ndarë nga bota dhe nga fryma e saj përçarëse, do të mbeteshin të bashkuar.

‘Mbroji nga i Ligu’

20, 21. (a) Çfarë na e forcon besimin tek aftësia mbrojtëse e Jehovait? (b) Çfarë je i vendosur të bësh?

20 Uniteti i jashtëzakonshëm që duket qartë mes Dëshmitarëve të Jehovait anembanë botës vërteton se Jehovai iu përgjigj kërkesës së Jezuit: ‘Mbroji nga i ligu.’ (Lexo Gjonin 17:14, 15.) Kur shohim që përpjekjet e Satanait për të shkatërruar unitetin e popullit të Perëndisë kanë dështuar, kemi edhe më shumë besim që Perëndia na mbron. Në profecinë e Ezekielit, Jehovai tha se dy shkopinjtë u bënë një i vetëm në dorën e tij. Pra, vetë Jehovai e ka bashkuar në mënyrë të mrekullueshme popullin e tij. Satanai s’bën dot asgjë, sepse Jehovai na mbron me dorën e vet.

21 Atëherë, për çfarë duhet të jemi të vendosur? Të vazhdojmë të bëjmë çmos të ruajmë unitetin e vyer që kemi si popull i Perëndisë. Si mund ta bëjë këtë secili prej nesh? Duke adhuruar rregullisht Jehovain në tempullin e tij të figurshëm. Në kapitujt vijues do të shohim se çfarë përfshin kjo.

^ par. 7 Gati 2 shekuj para se Ezekieli të merrte këtë profeci, asirianët morën robër banorët e mbretërisë 10-fisëshe (‘shkopit të Efraimit’).—2 Mbret. 17:23.

^ par. 11 Kjo profeci diskutohet me hollësi në kapitullin 8 të këtij libri.