Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

KAPITULLI 13

‘Përshkruaj tempullin’

‘Përshkruaj tempullin’

Ezekieli 43:10

NË KËTË KAPITULL: Kuptimi i vegimit të Ezekielit për tempullin e lavdishëm

1-3. (a) Pse Ezekieli mund të ketë marrë zemër nga vegimi për tempullin madhështor? (Shih figurën hapëse.) (b) Çfarë do të shohim në këtë kapitull?

MENDO pak: Ezekieli është te të 50-at dhe ka kaluar gati 25 vjet në mërgim. Tempulli i Jerusalemit po bën kohë nën rrënoja. Nëse kishte ëndërruar ndonjëherë të shërbente atje si prift, ato ëndrra morën fund bashkë me tempullin. Duhej të kalonin thuajse edhe 56 vjet para se të mbaronte periudha e mërgimit. Prandaj, Ezekieli e dinte se mbase nuk do të jetonte dot aq gjatë, sa të shihte popullin e Jehovait të kthehej në vendlindje, e jo më të shihte tempullin të rindërtuar. (Jer. 25:11) A e trishtuan disi këto mendime?

2 Sa i mirë është Jehovai që zgjodhi pikërisht këtë moment që t’i jepte Ezekielit një vegim kaq të detajuar! Me siguri që ky burrë besnik ka marrë shumë zemër dhe është mbushur me shpresë. Nëpërmjet këtij vegimi, Jehovai e çoi profetin në vendlindje dhe e uli në një mal shumë të lartë. Atje takoi «një burrë që dukej si bakër i lustruar». Ky udhërrëfyes engjëllor i bëri një vizitë të hollësishme në këtë tempull madhështor. (Lexo Ezekielin 40:1-4.) Çdo gjë dukej kaq reale! Për Ezekielin, kjo eksperiencë e jashtëzakonshme duhet të ketë qenë tejet besimforcuese, por mbase e ka vënë disi në mendime. Edhe pse tempulli që po shihte, kishte plot aspekte që i njihte mirë, prapë ndryshonte goxha nga tempulli në Jerusalem.

3 Për këtë vegim emocionues flasin nëntë kapitujt e fundit të librit të Ezekielit. Le të shohim çfarë duhet të kemi parasysh teksa analizojmë vegimin dhe përpiqemi ta kuptojmë. Pastaj do të shqyrtojmë nëse ajo që pa Ezekieli, ishte tempulli i madh i Jehovait, për të cilin apostulli Pavël foli gjerë e gjatë shekuj më vonë. Në fund do të shohim ç’kuptim kishte vegimi për Ezekielin dhe për të mërguarit e tjerë.

Një shpjegim më i thjeshtë

4. Çfarë shpjegimi është bërë më parë për vegimin e tempullit, por pse ka ndryshuar?

4 Botimet tona në të kaluarën thoshin se Ezekieli pa tempullin e madh të Jehovait, atë për të cilin foli nën frymëzim Pavli kur u shkroi hebrenjve. * Ja pse dukej logjike t’u jepnim kuptim simbolik shumë aspekteve të tempullit në vegimin e Ezekielit, duke u bazuar te shpjegimi i Pavlit për tabernakullin. Megjithatë, falë lutjeve, meditimit dhe studimit të mëtejshëm për këtë temë, dalluam se vegimi i Ezekielit për tempullin ka një shpjegim më të thjeshtë.

5, 6. (a) Çfarë tha Pavli për disa aspekte të tabernakullit dhe si tregoi përulësi? (b) Si mund të përdorim të njëjtin arsyetim për vegimin e Ezekielit për tempullin?

5 Është e mençur të mos kërkojmë kuptimin profetik ose simbolik për çdo aspekt të tempullit që pa Ezekieli në vegim. Pse jo? Është interesante se, kur foli për tabernakullin dhe tempullin e madh, Pavli përmendi aspekte të tabernakullit, si temjanicën e arit, kapakun e arkës dhe qypin e artë ku mbahej mana. A u dha ndonjë kuptim profetik atyre? Me sa duket, fryma e shenjtë nuk e shtyu të vepronte kështu. Përkundrazi, Pavli shkroi: «Tani nuk është koha për të folur me hollësi për këto gjëra.» (Hebr. 9:4, 5) Ai ishte i gatshëm të ndiqte drejtimin e frymës së shenjtë dhe të priste me përulësi Jehovain.—Hebr. 9:8.

6 Të njëjtin arsyetim mund të përdorim edhe për vegimin e Ezekielit për tempullin. Edhe ky vegim është plot me detaje. Ama bëjmë mirë të presim me përulësi Jehovain të qartësojë diçka, nëse kjo do të jetë e nevojshme. (Lexo Mikenë 7:7.) Por, a do të thotë kjo se fryma e Jehovait nuk ka hedhur dritë mbi këtë vegim? Aspak!

A pa Ezekieli tempullin e madh të Jehovait?

7, 8. (a) Si ka ndryshuar kuptueshmëria për vegimin e Ezekielit? (b) Si ndryshon tempulli që pa Ezekieli nga tempulli i madh që përshkroi Pavli?

7 Siç e përmendëm më lart, për vite me radhë botimet tona thoshin se Ezekieli pa tempullin e madh të Jehovait, atë për të cilin foli nën frymëzim Pavli kur u shkroi hebrenjve. Sidoqoftë, studimet e mëtejshme na çojnë në përfundimin se Ezekieli s’mund të ketë parë tempullin e madh. Pse?

8 Së pari, tempulli që pa Ezekieli, nuk përputhej me shpjegimin që dha Pavli nën frymëzim. Mendo për këtë: apostulli Pavël e bëri të qartë se tabernakulli në ditët e Moisiut ishte një hije ose një model i diçkaje më të madhe. Tabernakulli kishte një ndarje që quhej «Më e Shenjta», njësoj si tempujt e Solomonit dhe të Zorobabelit, që ishin ndërtuar pak a shumë sipas të njëjtit model. Pavli e quajti këtë ndarje «një vend të shenjtë të bërë nga duart e njeriut» dhe shpjegoi se ishte «kopje e realitetit», jo vetë realiteti. Cili ishte realiteti? Ai shpjegoi: ‘Vetë qielli.’ (Hebr. 9:3, 24) Po Ezekieli, qiellin pa? Jo. Në vegimin e tij nuk gjejmë asgjë që tregon se ai pa gjëra qiellore.—Krahaso Danielin 7:9, 10, 13, 14.

9, 10. Ku ndryshon tempulli që pa Ezekieli nga tempulli i madh që përshkroi Pavli kur bëhet fjalë për flijimet?

9 Flijimet janë një aspekt tjetër që na bind se vegimi i Ezekielit dhe përshkrimi i Pavlit ndryshojnë goxha. Ezekieli dëgjoi udhëzime të hollësishme për popullin, prijësit dhe priftërinjtë në lidhje me flijimet. Ata duhej të ofronin flijime për mëkatet e tyre. Gjithashtu duhej të ofronin flijime në bashkësi, të cilat ka të ngjarë t’i hanin në dhomat e ngrënies në tempull. (Ezek. 43:18, 19; 44:11, 15, 27; 45:15-20, 22-25) A ofrohen edhe në tempullin e madh këto flijime të përsëritura?

Tempulli që pa Ezekieli në vegim, nuk ishte tempulli i madh i Jehovait

10 Përgjigjja është e qartë dhe e thjeshtë. Pavli shpjegoi: «Kur erdhi si kryeprift për të sjellë gjërat e mira që tashmë kemi provuar, Krishti hyri në tendën më të rëndësishme dhe më të përsosur, jo të bërë nga duart e njeriut, domethënë, që nuk i përket këtij krijimi. Ai hyri në vendin e shenjtë një herë e mirë, jo me gjakun e cjepve dhe të demave të rinj, por me gjakun e vet, dhe na siguroi çlirim të përhershëm.» (Hebr. 9:11, 12) Kështu në tempullin e madh u ofrua vetëm një flijim, një herë e përgjithmonë. Ai është flijimi shpërblyes, të cilin e ofroi vetë Kryeprifti më i Madh, Jezu Krishti. Pra është e qartë se tempulli që pa Ezekieli në vegim, ku flijoheshin tërë ata cjep e dema, nuk ishte tempulli i madh i Jehovait.

11. Pse nuk ishte ende koha e caktuar nga Perëndia për të zbuluar të vërtetat për tempullin e tij të madh?

11 Kjo na çon tek arsyeja e dytë pse themi se Ezekieli nuk mund të ketë parë tempullin e madh të Jehovait: nuk ishte koha e caktuar nga Perëndia për të zbuluar këto të vërteta. Mos harro se vegimi i Ezekielit u drejtohej së pari të mërguarve judenj në Babiloni, që ishin nën Ligjin e Moisiut. Pas mërgimit do të ktheheshin në Jerusalem dhe do të zbatonin po atë Ligj për adhurimin e pastër, duke rindërtuar tempullin dhe altarin. Atje do të ofronin flijime edhe për gati gjashtë shekuj. Imagjino ç’efekt do të kishte te judenjtë vegimi i Ezekielit nëse do të përshkruante tempullin e madh të Jehovait: një tempull ku kryeprifti ofronte jetën e vet si flijim dhe të gjitha flijimet e tjera do të zhvlerësoheshin. Si do ta merrnin këtë vegim? Mos do t’ua dobësonte vendosmërinë për t’iu bindur Ligjit të Moisiut? Si gjithmonë, Jehovai i zbulon të vërtetat vetëm në kohën e duhur dhe kur populli i tij është gati.

12-14. Ç’lidhje ka mes vegimit të Ezekielit për tempullin dhe shpjegimit të Pavlit për tempullin e madh të Jehovait? (Shih kutinë «Tempuj të ndryshëm, mësime të ndryshme».)

12 Atëherë, ç’lidhje ka mes vegimit të Ezekielit për tempullin dhe shpjegimit të Pavlit për tempullin e madh të Jehovait? Mos harro se Pavli nuk e bazoi përshkrimin te vegimi i Ezekielit, por te tabernakulli në ditët e Moisiut. Është e vërtetë se disa aspekte që përmendi ai, ishin edhe te tempulli i Solomonit dhe i Zorobabelit e me siguri edhe te vegimi i Ezekielit. Megjithatë, në përgjithësi, Ezekieli dhe Pavli u përqendruan në aspekte të ndryshme. * Përshkrimet e tyre nuk ishin identike, por plotësonin njëri-tjetrin. Si?

13 Lidhjen midis këtyre 2 tregimeve mund ta shpjegojmë kështu: nga Pavli mësojmë për masën që ka marrë Jehovai për adhurimin, ndërsa nga Ezekieli mësojmë për standardet e tij për adhurimin. Që të na mësojë për masën e Jehovait për adhurimin e pastër, Pavli tregoi domethënien e disa aspekteve të tempullit të madh, si kryeprifti, flijimi që u ofrua, altari dhe Më e Shenjta. Ndërsa, që të nxirrte në pah standardet e larta të Jehovait për adhurimin e pastër, vegimi që pa Ezekieli për tempullin, jep hollësi që na ngulitin në mendje e në zemër shumë mësime për këto standarde.

14 Çfarë mund të themi tjetër për këtë kuptueshmëri të përditësuar? Patjetër që vegimi i Ezekielit vlen edhe për ne sot. Prandaj, që të nxjerrim dobi nga ky vegim, le të shohim më nga afër si mund të kenë nxjerrë dobi judenjtë besnikë në ditët e Ezekielit dhe më pas.

Ç’kuptim kishte vegimi për të mërguarit judenj?

15. (a) Cili ishte mesazhi profetik i vegimit të Ezekielit? (b) Ç’kontrast gjejmë mes kapitullit 8 të librit të Ezekielit dhe kapitujve 40-48?

15 Për të marrë përgjigjen nga Bibla, le të shqyrtojmë disa pyetje që do të na ndihmojnë ta shohim tablonë të plotë. Së pari, cili ishte mesazhi profetik i vegimit? Me dy fjalë, mesazhi ishte se adhurimi i pastër do të rivendosej. Me siguri që Ezekieli e kishte shumë të qartë këtë. Tashmë kishte shkruar kapitullin 8 të librit të tij, ku Jehovai përshkruante me hollësi gjendjen e mjerë të tempullit të Jerusalemit. Kushedi sa duhet të jetë kënaqur Ezekieli teksa fliste me detaje për këtë kontrast të jashtëzakonshëm që e gjejmë te kapitujt 40-48. Këtu nuk e shohim më të ndotur adhurimin e pastër, por siç duhej të ishte: një model i përsosur për të adhuruar Jehovain sipas Ligjit të Moisiut.

16. Si e vërteton vegimi i Ezekielit për tempullin atë që paratha Isaia mbi një shekull më parë?

16 Adhurimi i Jehovait duhej lartësuar mbi çdo gjë, që të rivendosej në gjendjen që i takonte. Mbi një shekull më parë, profeti Isaia kishte shkruar nën frymëzim: «Në ditët e fundit, mali i shtëpisë së Jehovait do të lartësohet patundshmërisht mbi majat e maleve dhe do të ngrihet më lart se kodrat.» (Isa. 2:2) Isaia e paratha qartë se adhurimi i pastër i Jehovait do të rivendosej e do të lartësohej; pra, si të thuash, do të vendosej në malin më të lartë. Po në vegimin e Ezekielit, ku ndodhej shtëpia e Jehovait? «Në një mal shumë të lartë.» (Ezek. 40:2) Kështu, vegimi i Ezekielit vërteton se adhurimi i pastër do të rivendosej.

Tempulli që pa Ezekieli, ishte në një vend shumë të lartë (Shih paragrafin  16)

17. Përmblidh me pak fjalë kapitujt 40-48 të Ezekielit.

17 Le ta përmbledhim me pak fjalë atë që pa e që dëgjoi Ezekieli, të dokumentuar te kapitujt 40-48. Ai pa një engjëll tek maste portat, muret, oborret dhe shenjtëroren e tempullit. (Ezek. 40-42) Pastaj vjen një moment emocionues: lavdia e Jehovait mbërrin në tempull! Jehovai këshillon popullin e tij kokëfortë, priftërinjtë dhe prijësit. (Ezek. 43:1-12; 44:10-31; 45:9-12) Ezekieli pa një lumë të buronte nga shenjtërorja që sillte jetë e bekime derisa derdhej në Detin e Vdekur. (Ezek. 47:1-12) Pa vendin të ndarë në pjesë me kufij të qartë, në mes të të cilit ishte qendra e adhurimit të pastër. (Ezek. 45:1-8; 47:13–48:35) Cili ishte mesazhi? Jehovai po e siguronte popullin e tij se adhurimi i pastër do të rivendosej e do të lartësohej. Ai do ta bekonte shtëpinë e tij të adhurimit me praninë e vet. Përveç kësaj, nga ky tempull do t’i sillte vazhdimisht shërim, jetë, paqe e harmoni vendit të rivendosur.

Tempulli që pa Ezekieli, ishte një përshkrim mbresëlënës i mënyrës si do ta rivendoste Jehovai adhurimin e pastër (Shih paragrafin 17)

18. A duhej marrë fjalë për fjalë vegimi për tempullin? Shpjego.

18 Së dyti, a duhej marrë fjalë për fjalë vegimi? Jo. Ezekieli dhe të mërguarit e tjerë që dëgjuan vegimin e tij, ka shumë të ngjarë ta kenë kuptuar menjëherë se nuk duhej marrë kështu. Pse jo? Mos harro që Ezekieli e pa këtë tempull «në një mal shumë të lartë». Edhe pse kjo përputhej bukur me profecinë e Isaisë, nuk përputhej me vendin gjeografik të tempullit. Tempulli i Solomonit kishte qenë në malin Moriah në Jerusalem, dhe po atje do të rindërtohej një ditë. Por, a ishte Moriahu ‘një mal shumë i lartë’? Jo. Në fakt, Moriahu ishte i rrethuar nga male të tjera po aq të larta ose më të larta. Përveç kësaj, edhe kompleksi i tempullit që pa Ezekieli, ishte gjigant, tejet i madh për të qenë majë malit Moriah. Madje, bashkë me hapësirën përreth tij, s’do ta nxinte as qyteti i Jerusalemit në kohën e Solomonit! Gjithashtu, të mërguarit nuk pritnin që një lumë i mirëfilltë të dilte nga shenjtërorja e tempullit dhe të derdhej në Detin e Vdekur, ku do të shëronte ujërat e pajeta. Së fundi do të ishte e pamundur që në territorin malor të Tokës së Premtuar fiset të kishin kufij të drejtë e paralelë, siç përshkruhet në vegim. * Kështu pra, vegimi nuk linte vend për një interpretim fjalë për fjalë.

19-21. Ç’ndikim duhej të kishte te populli vegimi i Ezekielit dhe pse?

19 Së treti, ç’ndikim duhej të kishte te populli vegimi i Ezekielit? Kur të mendonte për standardet e larta të Jehovait për adhurimin e pastër, popullit duhej t’i vinte turp. Jehovai i tha Ezekielit: «Përshkruaja tempullin shtëpisë së Izraelit.» Ezekieli ua përshkroi me kaq hollësi tempullin izraelitëve, saqë ata mund ‘ta shqyrtonin me kujdes planimetrinë e tij’. Pse populli duhej të mendonte thellë për tempullin? Siç e pamë, jo që ta ndërtonin, por, ashtu si tha Jehovai, ‘që t’u vinte turp për fajet e tyre’.—Lexo Ezekielin 43:10-12.

20 Pse vegimi mund t’u ketë prekur zemrën njerëzve të drejtë dhe t’i ketë shtyrë të turpëroheshin? Vër re çfarë i tha Jehovai Ezekielit: «Bir njeriu, kushtoju vëmendje, shikoji dhe dëgjoji mirë të gjitha gjërat që do të të them për statutet dhe ligjet e tempullit të Jehovait.» (Ezek. 44:5) Ezekieli dëgjonte vazhdimisht për statutet dhe për ligjet. (Ezek. 43:11, 12; 44:24; 46:14) Gjithashtu, Jehovai ia kujtonte shpesh standardet e tij, madje edhe standardin për gjatësinë e kutit dhe për peshat e sakta. (Ezek. 40:5; 45:10-12; krahaso Proverbat 16:11.) Në fakt, vetëm në këtë vegim, Ezekieli e ka përdorur mbi 50 herë fjalën në gjuhën origjinale për «masë».

21 Masa, pesha, ligje, statute—ç’donte t’i thoshte Jehovai popullit me këto? Me një gjuhë të fuqishme, duket se Jehovai po u kujtonte këtë të vërtetë jetësore: vetëm ai i përcakton standardet për adhurimin e pastër. Ata që nuk iu përmbajtën atyre standardeve, duhej të ndiheshin të turpëruar. Si nxorën mësim judenjtë nga ky vegim? Në kapitullin vijues do të shqyrtojmë disa shembuj specifikë. Kështu do të kuptojmë më qartë si ndikon te ne ky vegim i jashtëzakonshëm.

Pse vegimi për tempullin do t’i shtynte të drejtët të turpëroheshin? (Shih paragrafët 19-21)

^ par. 4 Tempulli i madh i Jehovait paraqet masën për adhurimin e pastër në bazë të flijimit shpërblyes të Jezu Krishtit. Kemi kuptuar se ai erdhi në ekzistencë në vitin 29 të e.s.

^ par. 12 Për shembull, Pavli u përqendrua te kryeprifti dhe te roli i tij në Ditën e përvitshme të Shlyerjes. (Hebr. 2:17; 3:1; 4:14-16; 5:1-10; 7:1-17, 26-28; 8:1-6; 9:6-28) Mirëpo, në vegimin e Ezekielit nuk përmendet as kryeprifti, as Dita e Shlyerjes.

^ par. 18 Shih hartën në faqen 212.