Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

KAPITULLI 10

«Ju do të ktheheni në jetë»

«Ju do të ktheheni në jetë»

EZEKIELI 37:5

NË KËTË KAPITULL: Vegimi për ‘eshtrat e thata’ që kthehen në jetë dhe përmbushja e tij më e madhe

1-3. Pse u ndryshon gjendja shpirtërore judenjve në Babiloni? (Shih figurën hapëse.)

GJENDJA shpirtërore e judenjve të robëruar në Babiloni ndryshon kryekëput! Për rreth pesë vjet, Ezekieli ka profetizuar për shkatërrimin e Jerusalemit, por askush s’e ka besuar. Megjithëse bëri demonstrime, përdori ilustrime dhe shpalli disa mesazhe, të mërguarit nuk deshën ta besonin se Jehovai do të lejonte që Jerusalemi të shkatërrohej. Madje, edhe kur morën vesh se qyteti ishte rrethuar nga ushtria babilonase, ishin të sigurt se banorëve të tij s’do t’u ndodhte asgjë.

2 Por tani, 2 vjet pas fillimit të rrethimit, një burrë që ia ka mbathur nga Jerusalemi, mbërrin në Babiloni me këtë lajm: «Qyteti ra!» Lajmi i dërrmon fare të mërguarit. S’u besohet që gjithçka është shkatërruar: qyteti i dashur, tempulli i shenjtë dhe vendi i tyre i shtrenjtë. Shpresës që ushqenin prej kohësh, ia zë vendin dëshpërimi.—Ezek. 21:7; 33:21.

3 Tamam në këtë situatë të zymtë, Ezekieli sheh një vegim shumë shpresëdhënës. Ç’mesazh u përcjell vegimi të mërguarve zemërlëshuar? Si lidhet ky vegim me popullin e Perëndisë në ditët tona dhe si nxjerrim dobi individualisht? Për të marrë përgjigje, le të shqyrtojmë çfarë i tha Jehovai Ezekielit.

«Profetizo për këto eshtra» dhe «profetizoji erës»

4. Çfarë tërhoqi veçanërisht vëmendjen e Ezekielit në vegim?

4 Lexo Ezekielin 37:1-10. Në vegim, Jehovai e vuri Ezekielin në mes të një lugine plot me eshtra. Si për t’u siguruar që vegimi të ndikonte thellë tek Ezekieli, Jehovai e urdhëroi ‘të kalonte nëpër gjithë luginën, mes për mes eshtrave’. Teksa Ezekieli ecte nëpër luginë, i tërhoqën vëmendjen veçanërisht dy aspekte: sasia dhe gjendja e eshtrave. Lugina ishte «plot me eshtra shumë të thata».

5. Cilat ishin dy gjërat që duhej të bënte Ezekieli dhe çfarë ndodhi pas secilës prej tyre?

5 Pas kësaj, Jehovai e urdhëroi Ezekielin të bënte dy gjëra që do t’i hapnin rrugën një rivendosjeje graduale. Së pari, i kërkoi ‘të profetizonte për eshtrat’ dhe t’u thoshte ‘të ktheheshin në jetë’. (Ezek. 37:4-6) Menjëherë pasi Ezekieli profetizoi, «filloi të dëgjohej një zhurmë, një kërcëllimë, dhe eshtrat filluan të lidheshin me njëra-tjetrën». Pastaj «u lidhën me deje, u mbushën me mish dhe u veshën me lëkurë». (Ezek. 37:7, 8) Së dyti, Jehovai i kërkoi ‘t’i profetizonte erës’ dhe t’i thoshte ‘të frynte’ mbi trupat. Me të profetizuar, «fryma hyri në ta [dhe] ata filluan të jetonin, u ngritën në këmbë dhe u bënë një ushtri jashtëzakonisht e madhe».—Ezek. 37:9, 10.

«Eshtrat tona janë tharë, s’kemi më kurrfarë shprese»

6. Si e ndihmoi Jehovai Ezekielin të kuptonte domethënien e vegimit?

6 Më tej, Jehovai i tregoi Ezekielit domethënien e vegimit: «Këto eshtra janë tërë shtëpia e Izraelit.» Faktikisht, kur dëgjuan se Jerusalemi ishte shkatërruar, të mërguarve iu duk vetja si të vdekur. Ja pse vajtuan me fjalët: «Eshtrat tona janë tharë, s’kemi më kurrfarë shprese, po, kemi marrë fund.» (Ezek. 37:11; Jer. 34:20) Në përgjigje të vajtimit të tyre, Jehovai zbuloi se vegimi i zymtë për eshtrat, në të vërtetë përmbante një mesazh plot dritë e shpresë për Izraelin.

7. Sipas Ezekielit 37:12-14, çfarë i zbuloi Jehovai Ezekielit dhe për çfarë i siguruan këto fjalë të mërguarit?

7 Lexo Ezekielin 37:12-14. Me këtë vegim, Jehovai i siguroi të mërguarit se do t’i kthente në jetë dhe do t’i çonte të banonin në vendin e tyre. Për më tepër, Jehovai iu drejtua sërish me fjalët «populli im». Këto fjalë duhet t’i kenë bërë me krahë të mërguarit zemërlëshuar. Por, pse mund të ishin të sigurt se premtimi për rivendosjen do të plotësohej se s’bën? Sepse e kishte premtuar vetë Jehovai. Ai shpalli: «Unë, Jehovai, kam folur dhe e kam bërë këtë.»

8. (a) Si vdiq «tërë shtëpia e Izraelit»? (b) Si e tregon Ezekieli 37:9 shkakun e vdekjes së figurshme të Izraelit? (Shih shënimin.)

8 Si u përmbush pjesa e zymtë e këtij vegimi profetik në rastin e Izraelit të lashtë? Vdekja e figurshme e Izraelit filloi në vitin 740 p.e.s., kur mbretëria dhjetëfisëshe mori fund dhe populli përfundoi në mërgim. Rreth 130 vjet më vonë, edhe populli i Judës u dëbua nga vendi i tij. Kështu, «tërë shtëpia e Izraelit» përfundoi në robëri. (Ezek. 37:11) Për sa i përket marrëdhënies me Jehovain, të dy grupet e të mërguarve ishin si eshtrat e vegimit të Ezekielit: të vdekur. * Gjithashtu, të mos harrojmë se eshtrat që pa Ezekieli ishin «shumë të thata». Kjo tregon se vdekja e tyre e figurshme do të zgjaste goxha kohë. Faktikisht, për Izraelin dhe Judën të marrë së bashku, kjo periudhë zgjati mbi 200 vjet, nga viti 740 p.e.s. deri në vitin 537 p.e.s.—Jer. 50:33.

9. Ç’ngjashmëri ka mes asaj që i ndodhi Izraelit të lashtë dhe ‘Izraelit të Perëndisë’?

9 Profecitë për rivendosjen e Izraelit, si kjo që shpalli Ezekieli, kanë edhe një përmbushje më të madhe. (Vep. 3:21) Ashtu si Izraeli i lashtë «u vra» dhe vdekja e tij zgjati goxha kohë, edhe ‘Izraeli i Perëndisë’, domethënë kongregacioni i të krishterëve të mirosur, «u vra» dhe mbeti për shumë kohë në një gjendje robërie që i ngjante vdekjes. (Gal. 6:16) Në fakt, robëria e kongregacionit të të mirosurve zgjati kaq shumë, saqë gjendja e tyre mund të krahasohej fare mirë me eshtrat «shumë të thata». (Ezek. 37:2) Sikurse u shpjegua në kapitullin e mëparshëm, kjo robëri nisi në shekullin e dytë të erës sonë dhe vazhdoi për shumë shekuj, fiks siç kishte parathënë Jezui në ilustrimin e grurit dhe të egjrave.—Mat. 13:24-30.

Eshtrat «shumë të thata» që pa Ezekieli në vegim, paraqitnin robërinë e gjatë të të mirosurve të Jehovait (Shih paragrafët 8, 9)

«Eshtrat filluan të lidheshin me njëra-tjetrën»

10. (a) Ç’kishte parathënë Jehovai për popullin e tij tek Ezekieli 37:7, 8? (b) Çfarë i ndihmoi të mërguarit besnikë të rifitonin gradualisht besimin?

10 Jehovai kishte parathënë që populli i tij do të kthehej në jetë pak nga pak. (Ezek. 37:7, 8) Çfarë i ndihmoi të mërguarit besnikë të rifitonin gradualisht besimin se do të ktheheshin në Izrael? Së pari, profecitë e shpallura nga profetë të mëparshëm me siguri ua përtërinë shpresat. Për shembull, Isaia kishte parathënë se një mbetje, «një farë e shenjtë», do të kthehej në vend. (Isa. 6:13; Jobi 14:7-9) Veç kësaj, profecitë e shumta për rivendosjen që dokumentoi Ezekieli, pa dyshim ua mbajtën gjallë shpresat të mërguarve. Për më tepër, prania e burrave besnikë, si profeti Daniel, dhe rënia e befasishme e qytetit të Babilonisë në vitin 539 p.e.s. duhet t’ua kenë forcuar më tej shpresën se do të ktheheshin në vendin e tyre.

11, 12. (a) Si u rivendos gradualisht ‘Izraeli i Perëndisë’? (Shih edhe kutinë «Adhurimi i pastër—Rivendoset gradualisht».) (b) Cila pyetje lind nga fjalët e Ezekielit 37:10?

11 Si u rivendos gradualisht edhe ‘Izraeli i Perëndisë’, pra kongregacioni i të krishterëve të mirosur? Pas shumë shekujsh robërie në Babiloninë e Madhe, u dëgjua «një zhurmë, një kërcëllimë», kur individë që e nderonin thellë Perëndinë dolën në mbrojtje të adhurimit të pastër. Për shembull, në shekullin e 16-të, Uilliam Tindali, përktheu Biblën në anglisht. Kleri i Kishës Katolike u tërbua, ngaqë Biblën mund ta lexonin edhe njerëzit e thjeshtë. Ja pse e vranë Tindalin. Prapëseprapë, individë të tjerë të guximshëm vazhduan ta përkthenin Biblën në shumë gjuhë. Kështu, drita e Fjalës së Perëndisë po shkëlqente gjithnjë e më shumë në një botë të zhytur në errësirë.

12 Më vonë, ndërsa Çarls Tejz Rasëlli dhe bashkëpunëtorët e tij bënin çmos të rikthenin të vërtetat e Biblës që kishin humbur prej kohësh, ishte sikur eshtrat ‘po lidheshin me deje e po mbusheshin me mish’. Kulla e Rojës e Sionit dhe botime të tjera i ndihmuan njerëzit me zemër të sinqertë të zbulonin të vërtetat e Biblës dhe të bëheshin shërbëtorë të mirosur të Perëndisë. Në fillim të viteve 1900, kombi i mirosur i Perëndisë u forcua më tej nga materiale, si Fotodrama e Krijimit dhe libri Misteri i përfunduar. Pak pas kësaj, erdhi koha që Perëndia ‘ta ngrinte në këmbë’ popullin e tij. (Ezek. 37:10) Kur dhe si ndodhi kjo? Përgjigjen e zbulojmë duke i hedhur një sy asaj që ndodhi në Babiloninë e lashtë.

‘Ata filluan të jetonin dhe u ngritën në këmbë’

13. (a) Si u përmbush Ezekieli 37:10, 14 duke nisur nga viti 537 p.e.s.? (b) Cilat shkrime tregojnë se në Izrael u kthyen edhe pjesëtarë të mbretërisë dhjetëfisëshe?

13 Judenjtë në Babiloni panë përmbushjen e vegimit, duke nisur nga viti 537 p.e.s. Si? Jehovai i ktheu në jetë dhe ‘i ngriti në këmbë’, duke i çliruar nga robëria dhe duke i lejuar të kthehen në Izrael. Një grup me 42.360 izraelitë dhe me rreth 7.000 jo izraelitë la Babiloninë për të rindërtuar Jerusalemin dhe tempullin, si dhe për të banuar në Izrael. (Ezd. 1:1-4; 2:64, 65; Ezek. 37:14) Rreth 70 vjet më vonë, në Jerusalem mbërritën edhe rreth 1.750 të mërguar, bashkë me Ezdrën. (Ezd. 8:1-20) Kështu, në total u kthyen më shumë se 44.000 judenj—vërtet një ‘ushtri e madhe’. (Ezek. 37:10) Veç kësaj, Fjala e Perëndisë tregon se për të rindërtuar tempullin u kthyen edhe pjesëtarë të mbretërisë dhjetëfisëshe, paraardhësit e të cilëve i kishin çuar në mërgim asirianët, gjatë shekullit të tetë p.e.s.—1 Kron. 9:3; Ezd. 6:17; Jer. 33:7; Ezek. 36:10.

14. (a) Si na ndihmon Ezekieli 37:24 të kuptojmë kur ndodhi përmbushja kryesore e profecisë së rivendosjes? (b) Çfarë ndodhi në vitin 1919? (Shih edhe kutinë «‘Eshtrat e thata’ dhe ‘dy dëshmitarët’—Ngjashmëritë dhe ndryshimet».)

14 Si u përmbush në një shkallë më të madhe kjo pjesë e profecisë së Ezekielit? Në një profeci tjetër, Jehovai i zbuloi Ezekielit se përmbushja kryesore e saj do të ndodhte pak pasi të fillonte mbretërimin Davidi Më i Madh, Jezu Krishti. * (Ezek. 37:24) Dhe faktikisht, në vitin 1919, Jehovai derdhi frymën e shenjtë mbi popullin e tij. Si rezultat, ata ‘u kthyen në jetë’ dhe u çliruan nga robëria e Babilonisë së Madhe. (Isa. 66:8) Pas kësaj, Jehovai i lejoi të banonin në «vendin» e tyre, domethënë në parajsën e figurshme. Por, si është bërë një ‘ushtri e madhe’ populli i Perëndisë në ditët tona?

15, 16. (a) Si është bërë ‘një ushtri e madhe’ populli i Perëndisë në ditët tona? (b) Si na ndihmon kjo profeci e Ezekielit të përballojmë hallet e jetës? (Shih kutinë «Jehovai na ndihmon të ringrihemi».)

15 Pak kohë pasi Krishti emëroi skllavin besnik në vitin 1919, shërbëtorët e Perëndisë nisën të shihnin përmbushjen e fjalëve të Zakarisë, që shërbeu si profet mes të mërguarve të kthyer. Ai tha: «Shumë njerëz dhe kombe të fuqishme do të vijnë që të kërkojnë Jehovain.» Profeti i përshkroi njerëzit që do të kërkonin Jehovain si «dhjetë burra nga të gjitha gjuhët e kombeve». Burrat do të kapnin fort rrobën e «një judeu», që përfaqëson Izraelin e Perëndisë, dhe do të thoshin: «Duam të vijmë me ju, sepse kemi dëgjuar që Perëndia është me ju.»—Zak. 8:20-23.

16 Sot, ekziston «një ushtri jashtëzakonisht e madhe» që numëron miliona veta. (Ezek. 37:10) Ajo përbëhet nga pjesëtarë të Izraelit të Perëndisë (të mirosurit që janë akoma në tokë) dhe, në kuptim më të gjerë, përfshin edhe ‘dhjetë burrat’ (delet e tjera). Ushtria e Krishtit rritet dita-ditës, dhe si pjesë e saj ndjekim ngushtësisht Mbretin tonë, me sytë drejt bekimeve që shtrihen para nesh.—Psal. 37:29; Ezek. 37:24; Filip. 2:25; 1 Sel. 4:16, 17.

17. Çfarë do të shohim në kapitullin vijues?

17 Rivendosja e adhurimit të pastër do të sillte një përgjegjësi të madhe për popullin e Perëndisë. Cilën? Për ta zbuluar, duhet të shqyrtojmë një caktim që i dha Jehovai Ezekielit përpara se Jerusalemi të shkatërrohej. Këtë do ta shohim në kapitullin vijues.

^ par. 8 Eshtrat e vegimit të Ezekielit u përkitnin njerëzve që nuk kishin vdekur nga shkaqe natyrore, por i ‘kishin vrarë’. (Ezek. 37:9) Në fakt, «tërë shtëpia e Izraelit» u vra, kur mbretëria dhjetëfisëshe e Izraelit dhe mbretëria dyfisëshe e Judës u pushtuan dhe banorët e tyre u morën robër nga asirianët dhe babilonasit.

^ par. 14 Kjo profeci mesianike u shqyrtua në kapitullin 8 të këtij libri.