PJESA 2
Çfarë do të thotë të kesh vërtet besim?
TË KESH vërtet besim nuk do të thotë vetëm të besosh se Perëndia ekziston. Ka miliona njerëz që besojnë te Perëndia, e megjithatë me dashje bëjnë gjëra të këqija. Një «besim» i tillë është si paraja fallso. Duket si e vërtetë, por në fakt nuk ka vlerë. Atëherë, çfarë do të thotë të kesh vërtet besim?
Njohuria e saktë për Shkrimet e Shenjta është baza për të pasur vërtet besim. Këto shkrime nga Perëndia na thonë të vërtetën rreth tij dhe na ndihmojnë ta njohim. Shkrimet na zbulojnë ligjet, qëllimet dhe mësimet e tij. Ja disa prej këtyre mësimeve:
-
Perëndia është një i vetëm. Nuk ka asnjë tjetër si ai.
-
Jezui nuk është Perëndia i Plotfuqishëm. Ai është profet i Perëndisë.
-
Perëndia e dënon idhujtarinë në të gjitha format e saj.
-
mbi njerëzit do të vijë një ditë gjykimi.
-
shumë e shumë të vdekur do të ringjallen në Parajsë.
Nëse ke vërtet besim, do të bësh vepra të mira. Këto vepra e nderojnë Perëndinë e po ashtu u sjellin dobi vetes sonë dhe të tjerëve. Ja disa vepra të mira:
-
të adhurosh Perëndinë.
-
të zhvillosh cilësi që i pëlqejnë Perëndisë, sidomos dashurinë.
-
të hedhësh poshtë mendimet dhe dëshirat e këqija.
-
të ruash besimin te Perëndia pavarësisht nga problemet dhe vështirësitë.
-
t’i mësosh të tjerët për Perëndinë.
Si mund ta zhvillosh një besim të tillë?
Kërkoji ndihmë Perëndisë. Profeti Moisi iu lut Perëndisë: «Bëmë të njoh udhët e tua, që të të njoh e të gjej hir në sytë e tu.» a Perëndia ia dëgjoi lutjen dhe ia plotësoi. Moisiu u bë një shembull i jashtëzakonshëm besimi. Perëndia do të të ndihmojë edhe ty që të zhvillosh një besim të tillë.
Lër kohë për të studiuar Shkrimet e Shenjta. Librat nga Perëndia, si Ligji i Moisiut, Psalmet dhe ungjijtë, mund të gjenden në Shkrimet e Shenjta ose ndryshe në Bibël, që është libri më i përkthyer dhe më i shpërndarë në botë. A ke një kopje të këtyre shkrimeve?
Zbatoji këshillat e Shkrimeve të Shenjta në jetën e përditshme. Besimi, ashtu si një muskul, rritet kur e përdorim. Nëse vepron në bazë të besimit, edhe besimi yt do të rritet. Do të shohësh me sytë e tu se këshillat e Perëndisë janë vërtet të vlefshme. Në fakt, këshillat praktike që gjenden në Shkrimet e Shenjta, ua kanë përmirësuar jetën miliona njerëzve. Lexo më tej për të parë disa shembuj.