PJESA 5
Të çmojmë cilësitë e pakrahasueshme të Perëndisë
SHKRIMET E SHENJTA zbulojnë shumë cilësi të mrekullueshme të Perëndisë, duke na dhënë mundësi që ta njohim atë. Për shembull, Shkrimet tregojnë se Perëndia ka këto katër cilësi kryesore—fuqinë, drejtësinë, mençurinë dhe dashurinë. Le të shqyrtojmë secilën prej tyre.
Me fuqi të pakufishme
Jehovai i tha Abrahamit: «Unë jam Perëndi i Plotfuqishëm.» (Zanafilla 17:1) Fuqia e tij është e pakrahasueshme, e pakufishme dhe e pashtershme. Me fuqinë e tij, Perëndia krijoi mbarë universin.
Perëndia kurrë nuk e keqpërdor fuqinë. Gjithnjë e përdor në mënyrë të kontrolluar dhe me një qëllim. Ai e drejtpeshon në mënyrë të përsosur fuqinë me drejtësinë, mençurinë dhe dashurinë.
Jehovai e përdor bujarisht fuqinë në dobi të shërbëtorëve të tij besnikë. «Sytë e Jehovait enden nëpër gjithë tokën për të treguar forcën e tij në dobi të atyre që i janë kushtuar me gjithë zemër atij.» (2 Kronikave 16:9) A nuk të tërheq ky Perëndi i fuqishëm, por i dashur?
Perëndi i drejtësisë
«Jehovai e do drejtësinë.» (Psalmi 37:28) Ai bën gjithmonë atë që është e drejtë në përputhje me standardin e tij të përsosur.
Perëndia e urren padrejtësinë. «Ai nuk trajton asnjë me anësi dhe nuk merr ryshfete.» (Ligji i përtërirë 10:17) U kundërvihet atyre që i shtypin të tjerët dhe vepron në dobi të atyre që janë të pambrojtur, përfshirë ‘vejushat a jetimët’. (Dalja 22:22) Perëndia i sheh të gjithë njerëzit pa paragjykim. «Perëndia nuk është i anshëm, por në çdo komb njeriu që i frikësohet atij dhe praktikon drejtësinë, është i pranuar nga ai.»—Veprat 10:34, 35.
Drejtësia e Jehovait është e ekuilibruar në mënyrë të përsosur. Ai nuk është kurrë as tepër i butë, as tepër i ashpër. I ndëshkon keqbërësit e papenduar, por u tregon mëshirë atyre që pendohen. «Jehovai është i mëshirshëm dhe hirmadh, nuk zemërohet shpejt dhe është plot dashamirësi. Ai nuk do të gjejë të meta gjithë kohën, as do të mbajë mëri tërë jetën. Ai nuk vepron me ne sipas mëkateve tona, dhe nuk na ndëshkon siç e meritojnë fajet tona.» (Psalmi 103:8-10) Gjithashtu, Perëndia i kujton dhe i shpërblen veprat besnike të shërbëtorëve të tij. A nuk meriton besimin tënd një Perëndi kaq i drejtë?
Perëndi i mençurisë
Jehovai është Burimi i gjithë mençurisë. «O thellësi e pasurisë, e mençurisë dhe e njohurisë së Perëndisë!» (Romakëve 11:33) Mençuria e tij nuk ka të krahasuar dhe është e pafundme.
Mençuria e Perëndisë shihet qartë në krijimin fizik. «Sa të shumta janë veprat e tua, o Jehova!—thirri psalmisti.—Që të gjitha i ke bërë me mençuri.»—Psalmi 104:24.
Mençuria e Perëndisë zbulohet edhe në Shkrimet e Shenjta. Mbreti David shkroi: «Përkujtuesit e Jehovait janë të denjë për besim dhe e bëjnë të mençur njeriun e papërvojë.» (Psalmi 19:7) Mendo pak: ti mund të mësosh nga mençuria e pakufishme e Perëndisë! A do ta shfrytëzosh këtë mundësi?
«Perëndia është dashuri»
Cilësia kryesore e Jehovait është dashuria. «Perëndia është dashuri»,—thonë Shkrimet. 1 Gjonit 4:8) Dashuria e nxit dhe e drejton në gjithçka që bën.
(Perëndia e tregon dashurinë e tij për ne në mënyra të panumërta. Ai na jep gjëra të mira. Perëndia «bëri mirë: ju solli shira nga qielli dhe stinë të frytshme, ju dha ushqim me bollëk dhe jua mbushi zemrat plot hare.» (Veprat 14:17) Po, «çdo dhuratë e mirë dhe çdo gjë e përsosur që na jepet, është nga lart, sepse zbret nga Ati i dritave qiellore». (Jakovi 1:17) Me anë të Shkrimeve, dhuratës së tij tejet të çmuar, Perëndia zbulon të vërtetën për veten dhe na mëson ligjet e parimet e tij të dashura. «Fjala jote është e vërteta»,—tha Jezui në lutje.—Gjoni 17:17.
Përveç kësaj, Perëndia na ndihmon kur kemi probleme. «Hidhja barrën tënde Jehovait, dhe ai vetë do të të mbështetë. Ai nuk do të lejojë kurrë që i drejti të lëkundet.» (Psalmi 55:22) Ai na i fal mëkatet. «Ti, o Jehova, je i mirë dhe gati të falësh. Ti tregon dashamirësi të madhe ndaj tërë atyre që të thërrasin.» (Psalmi 86:5) Madje, Perëndia na ofron jetën e përhershme. «Ai do të fshijë çdo lot nga sytë e tyre. Nuk do të ketë më vdekje. As vajtim, as klithmë, as dhembje nuk do të ketë më.» (Zbulesa 21:4) Si do t’i përgjigjesh dashurisë së Perëndisë? A do ta duash edhe ti?
Afroju Perëndisë
Perëndia dëshiron që ta njohësh mirë. Fjala e tij të nxit: ‘Afroju Perëndisë dhe ai do të të afrohet.’ (Jakovi 4:8) Perëndia e quajti profetin besnik, Abrahamin, ‘miku im’. (Isaia 41:8) Jehovai do që edhe ti të jesh miku i tij.
Sa më shumë të mësosh për Perëndinë, aq më afër do të ndihesh me të dhe aq më i lumtur do të jesh. «Lum njeriu» që «gjen kënaqësi në ligjin e Jehovait, dhe e lexon nën zë ditë e natë». (Psalmi 1:1, 2) Prandaj, vazhdo t’i studiosh Shkrimet e Shenjta. Mendo thellë për cilësitë dhe veprat e Perëndisë. Tregoje dashurinë për Perëndinë duke zbatuar atë që mëson. «Kjo është dashuria për Perëndinë: të zbatojmë urdhërimet e tij, e megjithatë, urdhërimet e tij nuk janë të rënda.» (1 Gjonit 5:3) Lutu, pra, siç bëri psalmisti: «Më bëj të njoh udhët e tua, o Jehova, më mëso shtigjet e tua. Më bëj të eci në të vërtetën tënde.» (Psalmi 25:4, 5) Do të shohësh se Perëndia «nuk është larg nga secili prej nesh».—Veprat 17:27.