Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

PJESA 3

Këshilla praktike që ta përmirësojnë jetën

Këshilla praktike që ta përmirësojnë jetën

IMAGJINO sikur në zonën tënde ka ardhur një mjek i ri. Në fillim mund të ngurrosh disi t’i kërkosh këshilla mjekësore. Por, po nëse disa miq të tu kanë kërkuar ndihmën e tij dhe shëndeti i tyre është përmirësuar ndjeshëm? A nuk do të mendoje të shkoje edhe ti tek ai mjek për t’u vizituar?

Në disa mënyra, Shkrimet e Shenjta janë si ky mjek. Disa njerëz ngurrojnë të kërkojnë këshilla tek ato. Por, kur i zbatojnë këshillat e mençura që gjenden në to, jeta u përmirësohet ndjeshëm. Shqyrto disa shembuj.

Si të zgjidhësh problemet martesore

«Në vitet e para të martesës, ndihesha si e lënë pas dore nga burri im, Dumasi,​—kujton Sumiatuna.​—Nga mërzitja, shpesh e shaja, i vërvitja ndonjë send, e madje e goditja. Ndonjëherë zemërohesha kaq shumë, sa më binte të fikët.

Kur Dumasi filloi të studionte Shkrimet e Shenjta, tallesha me të. Por fshehurazi dëgjoja kur ai studionte në dhomën tjetër. Një ditë, dëgjova këto vargje: ‘Gratë le të jenë të nënshtruara ndaj burrave të tyre, si ndaj Zotërisë. . . . Gruaja duhet të ketë respekt të thellë për burrin e saj.’ (Efesianëve 5:​22, 33) Këto fjalë më prekën në zemër. I kërkova Perëndisë të më falte që isha sjellë keq me burrin dhe iu luta që të më ndihmonte të bëhesha grua më e mirë. Jo shumë kohë më pas, Dumasi dhe unë po studionim Shkrimet bashkë.»

Dumasi dhe Sumiatuna

Shkrimet e Shenjta thonë gjithashtu: «Burrat duhet t’i duan gratë e tyre, si vetë trupat e tyre.» (Efesianëve 5:28) Sumiatuna tregon: «Këto gjëra që mësuam ndikuan te të dy. Fillova t’i çoja Dumasit një filxhan çaj kur kthehej nga puna dhe t’i flitja me dashamirësi. Kurse Dumasi tregohej më i përzemërt dhe më ndihmonte me punët e shtëpisë. Të dy përpiqeshim ‘të bëheshim mirëdashës me njëri-tjetrin, zemërdhembshur, duke e falur njëri-tjetrin bujarisht’. (Efesianëve 4:32) Si rrjedhim, dashuria dhe respekti për njëri-tjetrin dalëngadalë u rrit. Tani, prej më shumë se 40 vjetësh, jetojmë bashkë të lumtur. Këshillat e mençura të Fjalës së Perëndisë na shpëtuan martesën!»

Si të kontrollosh zemërimin

«Kisha një temperament të dhunshëm,​—thotë Tajibi.​—Përfshihesha në shumë sherre dhe shpesh i kërcënoja të tjerët me armë. Po ashtu e rrihja gruan, Kustrijën, dhe nga zemërimi e përplasja përtokë. Shumë njerëz më kishin frikë.

Kustrija dhe Tajibi luten bashkë çdo mbrëmje

Një ditë lexova këto fjalë të Jezuit: ‘Po ju jap një urdhërim të ri: ta doni njëri-tjetrin. Ashtu siç ju kam dashur unë, ta doni edhe ju njëri-tjetrin.’ (Gjoni 13:34) Ato më prekën thellë dhe vendosa të ndryshoja. Kur brenda vetes më vlonte zemërimi, i lutesha Perëndisë që të qëndroja i qetë. Shpejt zemërimi fashitej. Unë dhe gruaja zbatonim këshillën e Efesianëve 4:​26, 27: ‘Perëndimi i diellit të mos ju gjejë të acaruar, as mos i lini vend Djallit.’ Çdo mbrëmje lexonim Shkrimet dhe luteshim bashkë. Kjo i fshinte streset e ditës dhe na afronte më tepër me njëri-tjetrin.

Tani njihem si njeri paqësor. Gruaja dhe fëmijët më duan e më respektojnë. Kam shumë miq dhe ndihem afër me Perëndinë. Jam vërtet i lumtur.»

Si të heqësh dorë nga substancat e dëmshme

Gojini

Gojini thotë: «Rrija me një bandë të rinjsh, pija duhan rëndshëm dhe rregullisht e kaloja natën i shembur përtokë në rrugë, i dehur. Gjithashtu, përdorja dhe shitja drogë​—marihuanë dhe ekstazë—​që i fshihja nën jelekun antiplumb. Megjithëse dukesha dhe sillesha si i fortë, jetoja gjithnjë me frikë.

Pastaj, dikush më tregoi këtë shkrim: ‘Biri im, mos e harro ligjin tim . . . , sepse do të të shtohen ditë të gjata, vite jete dhe paqe.’ (Proverbat 3:​1, 2) Dëshiroja me zjarr një jetë të gjatë e në paqe. Po ashtu lexova: ‘O të dashur, meqë kemi këto premtime, le të pastrohemi nga çdo ndotje e mishit dhe e frymës, dhe ta përsosim shenjtërinë në frikën e Perëndisë.’ (2 Korintasve 7:1) Kështu hoqa dorë nga droga, e preva shoqërinë me bandën dhe nisa t’i shërbeja Perëndisë.

Prej 17 vjetësh nuk merrem më me drogë. Kam shëndet të mirë, një familje të lumtur, miq të mirë dhe ndërgjegje të pastër. Dhe, çdo natë, në vend që të dergjem në rrugë i dehur, fle i qetë në shtrat.»

Si të mposhtësh paragjykimin racial

«Kur isha adoleshent, merresha me krime,​—kujton Bambangu,​—dhe shumica e viktimave të mia i përkitnin një pakice etnike që e urreja.

Por, me kalimin e kohës, fillova të kërkoja Perëndinë. Si përfundim gjeta një grup që mblidhej për të studiuar Shkrimet e Shenjta. Atje më përshëndetën me ngrohtësi njerëz që ishin pikërisht nga ajo prejardhje etnike që urreja. Pashë edhe se brenda grupit që studionte Shkrimet, njerëz të racave të ndryshme shoqëroheshin me njëri-tjetrin lirshëm dhe të lumtur. U habita jashtë mase! Atëherë kuptova shkrimin që thotë: ‘Perëndia nuk është i anshëm, por në çdo komb njeriu që i frikësohet atij dhe praktikon drejtësinë, është i pranuar nga ai.’​​—Veprat 10:​34, 35.

Sot zemra ime nuk është më e helmuar nga paragjykimi. Disa nga miqtë e mi më të mirë i përkasin grupit etnik që dikur e urreja. Me anë të Shkrimeve të Shenjta, Perëndia më ka mësuar t’i dua të tjerët.»

Tani Bambangu gëzon shoqëri me njerëz nga raca të ndryshme

Si të heqësh dorë nga dhuna

«Kur isha veçse adoleshent, u burgosa tri herë​​—dy herë për vjedhje dhe një herë sepse godita brutalisht me thikë një burrë,​—thotë Garoga.​—Më vonë u bashkova me një grup rebelësh dhe vrava shumë njerëz. Pasi konflikti mbaroi, isha bosi i një grupi kriminal që merrej me shantazhe. Truprojat më shoqëronin kudo. Isha i dhunshëm dhe i rrezikshëm.

Garoga nuk është më i dhunshëm, por një mësues i respektuar i Fjalës së Perëndisë

Por, një ditë, lexova këtë shkrim: ‘Dashuria është shpirtgjerë dhe mirëdashëse. Dashuria nuk është xheloze, nuk mbahet me të madh, nuk krekoset, nuk sillet në mënyrë të pahijshme, nuk kërkon interesat e veta, nuk provokohet. Ajo nuk e mban llogari të keqen.’ (1 Korintasve 13:​4, 5) Këto fjalë më prekën zemrën. U transferova në një zonë tjetër, studiova Shkrimet dhe i zbatova këshillat e tyre në jetën time.

Tani nuk jam më i dhunshëm. Përkundrazi, më respektojnë si mësues të Fjalës së Perëndisë. Jeta ime ka drejtim dhe qëllim të vërtetë.»

Fjala e Perëndisë ushtron fuqi

Këto dhe përvoja të tjera të panumërta tregojnë se «fjala e Perëndisë është e gjallë dhe ushtron fuqi». (Hebrenjve 4:12) Këshillat e saj janë të thjeshta, praktike dhe inkurajuese.

A mund të të ndihmojnë edhe ty Shkrimet e Shenjta? Po, për çfarëdo problemi që mund të kesh. «I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm për të mësuar, për të qortuar, për të ndrequr dhe për të disiplinuar në drejtësi, që njeriu i Perëndisë të jetë krejtësisht i zoti, plotësisht i pajisur për çdo vepër të mirë.»​​—2 Timoteut 3:​16, 17.

Prandaj, le të shqyrtojmë disa mësime bazë që gjenden në Shkrimet e Shenjta.