Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

PJESA 8

Shfaqet Mesia

Shfaqet Mesia

MË SHUMË se 500 vjet pasi Danieli dha profecinë, engjëlli i Perëndisë, Gabrieli, iu shfaq një virgjëreshe të re me emrin Mari, një pasardhëse e mbretit David. Gabrieli i tha asaj: «Tungjatjeta, o ti që ke gjetur shumë hir, Jehovai është me ty!» (Luka 1:28) Por Maria ishte e frikësuar. Çfarë do të thoshte përshëndetja e Gabrielit?

Gabrieli i tha Marisë se ajo do të lindte Mesinë

«Mos ki frikë, Mari, sepse ke gjetur hir nga Perëndia. Ti do të mbetesh shtatzënë, do të lindësh një djalë dhe do t’ia vësh emrin Jezu,​—shpjegoi Gabrieli.—​Perëndia Jehova do t’i japë fronin e Davidit, të atit, . . . dhe mbretëria e tij s’do të ketë fund.» (Luka 1:​30-33) Ç’lajm i mrekullueshëm! Maria do të lindte Mesinë, ‘farën’ e shumëpritur!

Rreth nëntë muaj më pas, lindi Jezui në Betlehem. Atë natë, një engjëll u tha barinjve vendës: «Unë po ju shpall lajmin e mirë për një gëzim të madh . . . sepse sot, në qytetin e Davidit, ju lindi një Shpëtimtar, që është Krisht, Zotëria.» (Luka 2:​10, 11) Më vonë, familja e Jezuit u transferua në Nazaret, ku ai u rrit.

Në vitin 29 të e.s.​—pikërisht në vitin kur duhej të shfaqej Mesia—​Jezui filloi të shërbente si profet i Perëndisë, kur ishte «rreth tridhjetë vjeç». (Luka 3:23) Shumë njerëz kuptuan se atë e kishte dërguar Perëndia. Ata thanë: «Mes nesh ka dalë një profet i madh.» (Luka 7:​16, 17) Por, çfarë u mësonte Jezui njerëzve?

Jezui i mësonte njerëzit ta donin dhe ta adhuronin Perëndinë: Ai deklaroi: «Jehovai, Perëndia ynë, është një Jehova, dhe duaje Jehovain, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd, me gjithë mendjen tënde dhe me gjithë forcën tënde.» (Marku 12:​29, 30) Gjithashtu, tha: «Jehovain, Perëndinë tënd, adhuro dhe vetëm atij bëji shërbim të shenjtë.»​—Luka 4:8.

Jezui i nxiste njerëzit të donin njëri-tjetrin: «Duaje të afërmin tënd si veten»,​—tha ai. (Marku 12:31) Po ashtu, tha: «Gjithçka që dëshironi të bëjnë të tjerët për ju, bëjeni edhe ju për ta. Kjo është, në të vërtetë, domethënia e Ligjit dhe e fjalëve të profetëve.»​—Mateu 7:12.

Jezui u fliste me zell të tjerëve për Mbretërinë e Perëndisë: ‘Duhet të shpall lajmin e mirë për mbretërinë e Perëndisë, sepse për këtë u dërgova’,​—tha ai. (Luka 4:43) Pse Mbretëria e Perëndia është kaq e rëndësishme?

Shkrimet mësojnë se Mbretëria e Perëndisë është një qeveri qiellore që do të sundojë mbi tokën. Jezui, Mesia, është Mbreti i emëruar nga Perëndia. Profeti Daniel paratha se në qiell Perëndia do t’i jepte Mesisë «sundim, lavdi dhe mbretëri». (Danieli 7:14) Kjo Mbretëri do të vendosë Parajsën në mbarë tokën dhe do t’i shpërblejë shërbëtorët e Perëndisë me jetën e përhershme. A nuk është ky lajmi më i mirë që mund të ekzistojë?