PJESA 13
Ata që kanë vërtet besim, do të kenë lumturi të përhershme
«I DREJTI do të jetojë falë besimit»,—thonë Shkrimet e Shenjta. (Romakëve 1:17) Këto fjalë përmbajnë një premtim emocionues që lidhet edhe me ty. Në cilat mënyra?
Pasi përfundoi veprën e tij në tokë, Jezui, Mesia, u ngjit në qiell që të ishte me Perëndinë. Ndërsa dishepujt po e shikonin, «ai u ngrit lart . . . dhe një re ua fshehu nga sytë». (Veprat 1:9) Në qiell, Perëndia e emëroi atë Mbret qiellor të fuqishëm. Në të ardhmen e afërt Jezui, «Biri i njeriut», do të mbërrijë «në lavdinë e tij, dhe bashkë me të edhe të gjithë engjëjt, atëherë ai do të ulet në fronin e tij të lavdishëm. Tërë kombet do të mblidhen para tij, dhe ai do t’i ndajë njerëzit njërin nga tjetri, ashtu si ndan bariu delet nga cjeptë». (Mateu 25:31, 32) Kur do të ndodhë kjo?
Shkrimet e Shenjta parathonë një periudhë me probleme mbarëbotërore, e cila do të ishte shenja se gjykimi i Mesisë kundër kombeve do të vinte së shpejti. Jezui shpjegoi se çfarë do të përfshinte kjo shenjë: «Do të ngrihet komb kundër kombi dhe mbretëri kundër mbretërie, do të ketë tërmete të mëdha, murtaja dhe mungesë ushqimi nga njëri vend në tjetrin. Njerëzit do të shohin pamje të frikshme.»—Luka 21:7, 10, 11.
Sot, ne mund të shohim qartë se fjalët e Jezuit po përmbushen. Së shpejti, Jezui do të vijë për të shkatërruar të ligjtë. Në fund, edhe Satanai do të shkatërrohet! Toka do të bëhet një parajsë botërore. Të gjithë njerëzit do të jetojnë në paqe me njëri-tjetrin e madje edhe me kafshët. «Ujku do të rrijë hera-herës me qengjin; leopardi do të shtrihet me kecin. Viçi, luani i ri me krifë dhe kafsha e majme do të jenë të gjithë bashkë, dhe një djalë i vogël do t’u prijë. Në tërë malin tim të shenjtë askush nuk do të bëjë asnjë dëm dhe nuk do të prishë asgjë.» (Isaia 11:6, 9) «Asnjë banor nuk do të thotë: ‘Jam sëmurë.’ . . . Në atë kohë do të hapen sytë e të verbërve dhe veshët e të shurdhërve.» (Isaia 33:24; 35:5) Madje edhe të vdekurit do të ringjallen. ‘Jehovai do të fshijë lotët nga çdo fytyrë’ dhe «nuk do të ketë më vdekje. As vajtim, as klithmë, as dhembje nuk do të ketë më». (Isaia 25:8; Zbulesa 21:4) Qëllimi që pati në fillim Perëndia për tokën, në atë kohë do të përmbushet. Ç’e ardhme e mrekullueshme!
Vazhdo të forcosh besimin
Ç’lloj njerëzish do të shpërblejë Perëndia me jetën në Parajsë? Njerëzit me besim—ata që kanë vërtet besim!
Kujto se njohuria e saktë për Fjalën e Perëndisë është baza për të pasur këtë lloj besimi. Prandaj, vazhdo të njohësh më mirë Perëndinë dhe Jezuin!
Nëse ke vërtet besim, do të bësh vepra të drejta. Fjala e Perëndisë thotë: «Besimi pa vepra është i vdekur.» (Jakovi 2:26) Duke bërë vepra të tilla të mira, do të pasqyrosh cilësitë e mrekullueshme të Perëndisë—fuqinë, drejtësinë, mençurinë dhe dashurinë. Vazhdo të zhvillosh këto cilësi që i pëlqejnë Perëndisë!
Po të kesh vërtet besim dhe ta forcosh gjithnjë e më shumë, do të kesh bekime pa fund. Në fakt, ky është çelësi për një jetë të lumtur—qoftë tani, qoftë në të ardhmen e përhershme!