Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

KAPITULLI I PESËMBËDHJETË

Adhurimi që miraton Perëndia

Adhurimi që miraton Perëndia
  • A i pëlqejnë Perëndisë të gjitha fetë?

  • Si ta kuptosh cila është feja e vërtetë?

  • Cilët janë adhuruesit e vërtetë të Perëndisë sot?

1. Çfarë dobie do të nxjerrim, po ta adhurojmë Perëndinë në mënyrën e duhur?

PERËNDIA JEHOVA interesohet shumë për ne dhe do që të ndjekim udhëheqjen e tij të dashur, për dobinë tonë. Po ta adhurojmë në mënyrën e duhur, do të jemi të lumtur e do të shmangim shumë probleme në jetë. Gjithashtu, do të kemi bekimin dhe ndihmën e tij. (Isaia 48:17) Por, ka me qindra fe që thonë se mësojnë të vërtetën për Perëndinë. E megjithatë, mësimet e tyre se kush është Perëndia dhe çfarë pret nga ne, ndryshojnë shumë nga njëra-tjetra.

2. Si të mësojmë cila është mënyra e duhur për të adhuruar Jehovain? Cili ilustrim na ndihmon për këtë?

2 Si mund ta dish cila është mënyra e duhur për të adhuruar Jehovain? Nuk është e nevojshme të studiosh dhe të krahasosh mësimet e të gjitha feve që ekzistojnë. Mjafton të kuptosh çfarë mëson vërtet Bibla për adhurimin e vërtetë. Le ta ilustrojmë. Në shumë vende, ekziston problemi i parave të falsifikuara. Po të të jepnin një punë ku duhej të zbuloje këto para të falsifikuara, si do ta bëje këtë? Duke mësuar përmendësh çdo lloj falsifikimi që bëhet? Jo. Do të kurseje kohë po të studioje se si janë paratë e vërteta. Pasi të kuptoje si janë paratë e vërteta, do t’i dalloje me lehtësi ato që janë të falsifikuara. Po kështu, kur mësojmë se si të identifikojmë fenë e vërtetë, mund t’i dallojmë me lehtësi ato fe që janë të rreme.

3. Sipas Jezuit, çfarë duhet të bëjmë për të pasur miratimin e Perëndisë?

3 Është e rëndësishme që ta adhurojmë Jehovain sipas mënyrës që miraton ai. Shumë njerëz besojnë se Perëndisë i pëlqejnë të gjitha fetë, por Bibla nuk e mëson këtë. Madje nuk mjafton edhe vetëm të thuash që je i krishterë. Jezui tha: «Jo kushdo që më thotë: ‘Zotëri, Zotëri’ do të hyjë në mbretërinë e qiejve, por do të hyjë ai që bën vullnetin e Atit tim që është në qiej.» Pra, që të kemi miratimin e Perëndisë, duhet të mësojmë se çfarë kërkon Perëndia prej nesh dhe pastaj ta zbatojmë atë. Ata që nuk bënin vullnetin e Perëndisë, Jezui i quajti «ju që bëni paligjshmëri». (Mateu 7:21-23) Ashtu si paratë e falsifikuara, fetë e rreme nuk kanë vlerë të vërtetë. Por, më keq akoma, këto lloj fesh janë të dëmshme.

4. Çfarë kuptimi kanë fjalët e Jezuit për dy rrugët, e ku të çon secila nga këto rrugë?

4 Jehovai i jep çdo njeriu në tokë mundësinë për të fituar jetën e përhershme. Megjithatë, për të jetuar përgjithmonë në parajsë, duhet ta adhurojmë Perëndinë në mënyrën e duhur dhe të jetojmë që tani siç i pëlqen atij. Është për të ardhur keq, por shumë njerëz nuk duan ta bëjnë këtë. Ja pse Jezui tha: «Hyni nga porta e ngushtë, sepse e gjerë dhe e hapët është rruga që të çon në shkatërrim, dhe shumë hyjnë nga ajo. Por e ngushtë është porta dhe e kufizuar rruga që të çon në jetë, dhe pak e gjejnë atë.» (Mateu 7:13, 14) Feja e vërtetë të çon në jetë të përhershme, kurse feja e rreme të çon në shkatërrim. Jehovai nuk dëshiron që të shkatërrohet asnjeri, prandaj po u jep njerëzve kudo që janë mundësinë që të mësojnë për të. (2 Pjetrit 3:9) Pra, është e vërtetë se mënyra si e adhurojmë Perëndinë do të thotë për ne jetë a vdekje.

SI TA KUPTOSH CILA ËSHTË FEJA E VËRTETË?

5. Si t’i dallojmë ata që ndjekin fenë e vërtetë?

5 Si mund ta gjesh ‘rrugën që të çon në jetë’? Jezui tha se ata që do të kishin fenë e vërtetë, do ta tregonin qartë këtë me mënyrën e tyre të jetesës. «Do t’i njihni nga frytet,—tha ai.—Çdo pemë e mirë prodhon fryt të mirë.» (Mateu 7:16, 17) Me fjalë të tjera, ata që ndjekin fenë e vërtetë do të njihen nga bindjet dhe nga sjellja e tyre. Edhe pse nuk janë të përsosur, e prandaj bëjnë edhe gabime, adhuruesit e vërtetë si grup përpiqen të bëjnë vullnetin e Perëndisë. Le të shqyrtojmë gjashtë aspekte që identifikojnë ata që ndjekin fenë e vërtetë.

6, 7. Si e shohin Biblën shërbëtorët e Perëndisë, dhe çfarë shembulli la Jezui në këtë aspekt?

6 Shërbëtorët e Perëndisë i bazojnë mësimet e tyre në Bibël. Vetë Bibla thotë: «I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm për të mësuar, për të qortuar, për të ndrequr dhe për të disiplinuar në drejtësi, që njeriu i Perëndisë të jetë krejtësisht i zoti, plotësisht i pajisur për çdo vepër të mirë.» (2 Timoteut 3:16, 17) Apostulli Pavël u shkroi të krishterëve të tjerë: «Kur e dëgjuat fjalën e Perëndisë nga ne, e pranuat jo si fjalë njerëzish, por siç është me të vërtetë, si fjalën e Perëndisë.» (1 Selanikasve 2:13) Pra, bindjet dhe praktikat e fesë së vërtetë nuk bazohen në pikëpamjet ose në traditat njerëzore. Bazohen në Fjalën e frymëzuar të Perëndisë, në Bibël.

7 Jezu Krishti la shembullin më të mirë, duke i bazuar mësimet e tij në Fjalën e Perëndisë. Ai i tha Atit të tij qiellor në lutje: «Fjala jote është e vërteta.» (Gjoni 17:17) Jezui e besonte Fjalën e Perëndisë, dhe çdo gjë që u mësoi të tjerëve, ishte në përputhje me Shkrimet. Ai thoshte shpesh: «Është shkruar.» (Mateu 4:4, 7, 10) Pastaj citonte një shkrim. Po kështu, sot shërbëtorët e Perëndisë nuk u mësojnë të tjerëve ide personale. Ata besojnë se Bibla është Fjala e Perëndisë dhe i bazojnë plotësisht mësimet e tyre në atë që thotë Bibla.

8. Çfarë përfshin të adhurosh Jehovain?

8 Ata që ndjekin fenë e vërtetë adhurojnë vetëm Jehovain dhe e bëjnë të njohur emrin e tij. Jezui tha: «Jehovain, Perëndinë tënd, adhuro dhe vetëm atij bëji shërbim të shenjtë.» (Mateu 4:10) Pra, shërbëtorët e Jehovait adhurojnë vetëm atë dhe asnjë tjetër. Ky adhurim përfshin që t’u tregojnë njerëzve të tjerë cili është emri i Perëndisë së vërtetë dhe çfarë personi është ai. Te Psalmi 83:18 thuhet: «Vetëm ti, që e ke emrin Jehova, je Më i Larti në tërë dheun.» Jezui na la modelin, duke i ndihmuar të tjerët që ta njihnin Perëndinë, siç tha në lutje: «Ua kam shfaqur emrin tënd njerëzve që më dhe nga bota.» (Gjoni 17:6) Po kështu, adhuruesit e vërtetë sot u mësojnë të tjerëve emrin, qëllimet dhe cilësitë e Perëndisë.

9, 10. Si tregojnë dashuri për njëri-tjetrin të krishterët e vërtetë?

9 Shërbëtorët e Perëndisë tregojnë dashuri të vërtetë altruiste për njëri-tjetrin. Jezui tha: «Nga kjo do ta dinë të gjithë se jeni dishepujt e mi, nëse keni dashuri për njëri-tjetrin.» (Gjoni 13:35) Të krishterët e hershëm kishin një dashuri të tillë për njëri-tjetrin. Dashuria e bazuar në parimet e Biblës i kapërcen të gjitha pengesat raciale, shoqërore e kombëtare dhe i bashkon njerëzit në një lidhje të pathyeshme vëllazërie të vërtetë. (Kolosianëve 3:14) Anëtarët e feve të rreme nuk e kanë këtë lidhje të dashur vëllazërie. Si e dimë këtë? Po ja, ata vrasin njëri-tjetrin vetëm sepse janë nga kombe ose grupe etnike të ndryshme. Të krishterët e vërtetë nuk marrin armët për të vrarë vëllezërit e tyre në besim, apo edhe këdo tjetër. Bibla thotë: «Nga kjo duken fëmijët e Perëndisë dhe fëmijët e Djallit: kushdo që nuk praktikon drejtësinë, nuk vjen nga Perëndia, dhe as ai që nuk e do vëllanë e tij. . . . Duhet të kemi dashuri për njëri-tjetrin, jo si Kaini që vinte nga i ligu dhe vrau vëllanë e tij.»1 Gjonit 3:10-12; 4:20, 21.

10 Natyrisht, dashuria e vërtetë nuk do të thotë vetëm të mos vrasësh të tjerët. Të krishterët e vërtetë përdorin pa u kursyer kohën, energjitë dhe gjërat e tjera që kanë, për të ndihmuar e për të inkurajuar njëri-tjetrin. (Hebrenjve 10:24, 25) E ndihmojnë njëri-tjetrin në kohë vështirësish dhe sillen me ndershmëri me të tjerët. Ata zbatojnë në jetën e tyre këshillën e Biblës që ‘të bëjnë atë që është e mirë ndaj të gjithëve’.Galatasve 6:10.

11. Pse është e rëndësishme ta pranojmë Jezu Krishtin si mjetin e Perëndisë për shpëtim?

11 Të krishterët e vërtetë e pranojnë Jezu Krishtin si mjetin që përdor Perëndia për të na shpëtuar. Bibla thotë: «Nga askush tjetër nuk vjen shpëtimi, sepse mes njerëzve nën qiell Perëndia nuk ka dhënë emër tjetër, me anë të të cilit të shpëtojmë.» (Veprat 4:12) Siç e pamë në kapitullin e pestë, Jezui dha jetën si shpërblesë për njerëzit e bindur. (Mateu 20:28) Për më tepër, Jezui është Mbreti që ka caktuar Perëndia për Mbretërinë qiellore, e cila do të sundojë mbi gjithë tokën. Perëndia kërkon që ne t’i bindemi Jezuit dhe të zbatojmë mësimet e tij, në qoftë se duam të jetojmë përgjithmonë. Ja pse Bibla thotë: «Ai që tregon besim te Biri, ka jetë të përhershme, kurse ai që nuk i bindet Birit, nuk do të shohë jetë.»Gjoni 3:36.

12. Çfarë do të thotë të mos jesh pjesë e botës?

12 Adhuruesit e vërtetë nuk janë pjesë e botës. Kur ishte para sundimtarit romak Pilatit, Jezui tha: «Mbretëria ime nuk është pjesë e kësaj bote.» (Gjoni 18:36) Pavarësisht nga vendi ku jetojnë, dishepujt e vërtetë të Jezuit janë nënshtetas të Mbretërisë së tij qiellore, prandaj qëndrojnë krejt asnjanës në çështjet politike të botës. Nuk marrin anën e askujt nëpër konflikte. Gjithsesi, adhuruesit e Jehovait nuk ndërhyjnë në vendimet e të tjerëve për t’u futur në ndonjë parti, për të paraqitur kërkesën për kandidat ose për të votuar. Dhe, ndërkohë që janë asnjanës në politikë, adhuruesit e vërtetë të Perëndisë u binden ligjeve. Përse? Sepse Fjala e Perëndisë i urdhëron ‘të jenë të nënshtruar’ ndaj «autoriteteve më të larta» ose qeverive. (Romakëve 13:1) Kur kërkesat e një sistemi politik bien ndesh me kërkesat e Perëndisë, adhuruesit e vërtetë ndjekin shembullin e apostujve, të cilët thanë: «Duhet t’i bindemi Perëndisë si sundimtar, dhe jo njerëzve.»Veprat 5:29; Marku 12:17.

13. Si e shohin ithtarët e vërtetë të Jezuit Mbretërinë e Perëndisë, e prandaj, çfarë bëjnë?

13 Ithtarët e vërtetë të Jezuit predikojnë se Mbretëria e Perëndisë është e vetmja shpresë për njerëzit. Jezui paratha: «Ky lajm i mirë për mbretërinë do të predikohet në gjithë tokën e banuar si dëshmi për të gjitha kombet, dhe atëherë do të vijë fundi.» (Mateu 24:14) Ithtarët e vërtetë të Jezu Krishtit nuk i inkurajojnë njerëzit të shpresojnë te politikanët njerëzorë për të zgjidhur problemet, por shpallin se Mbretëria qiellore e Perëndisë është e vetmja shpresë për njerëzimin. (Psalmi 146:3) Jezui na mësoi të lutemi për këtë qeveri të përsosur, kur tha: «Ardhtë mbretëria jote. U bëftë vullneti yt, si në qiell, edhe në tokë.» (Mateu 6:10) Në Fjalën e Perëndisë parathuhet se kjo Mbretëri qiellore «do të thërrmojë dhe do t’u japë fund të gjitha këtyre mbretërive [që janë tani], dhe vetë do të qëndrojë përgjithmonë».Danieli 2:44.

14. Si mendon, cili grup fetar i plotëson kërkesat që duhet të ketë adhurimi i vërtetë?

14 Në bazë të asaj që kemi shqyrtuar deri tani, pyet veten: ‘Cili grup fetar i bazon të gjitha mësimet e veta në Bibël dhe bën të njohur emrin e Jehovait? Në cilin grup, anëtarët tregojnë për njëri-tjetrin atë dashuri që thotë Bibla, tregojnë besim te Jezui, nuk janë pjesë e botës dhe shpallin se Mbretëria e Perëndisë është e vetmja shpresë për njerëzimin? Nga të gjitha grupet fetare që ekzistojnë, cili i plotëson të tëra këto kërkesa?’ Faktet tregojnë qartë se cili është ky grup: Dëshmitarët e Jehovait.Isaia 43:10-12.

ÇFARË DO TË BËSH?

15. Çfarë tjetër kërkon Perëndia përveçse të besojmë që ai ekziston?

15 Për t’i pëlqyer Perëndisë nuk mjafton vetëm të besosh tek ai. Fundja, Bibla thotë se edhe demonët besojnë që Perëndia ekziston. (Jakovi 2:19) Por, e kemi të qartë se ata nuk bëjnë vullnetin e Perëndisë dhe nuk kanë miratimin e tij. Për të qenë të miratuar nga Perëndia, jo vetëm që duhet të besojmë se ai ekziston, por edhe duhet të bëjmë vullnetin e tij. Gjithashtu, duhet të ndahemi nga fetë e rreme dhe duhet të përqafojmë adhurimin e vërtetë.

16. Çfarë duhet të bëjmë lidhur me pjesëmarrjen në adhurimin e rremë?

16 Apostulli Pavël shpjegoi se nuk duhet të kemi të bëjmë fare me adhurimin e rremë. Ai shkroi: «‘Dilni nga mesi i tyre dhe ndahuni,—thotë Jehovai,—dhe mjaft e prekët gjënë e papastër’, ‘dhe unë do t’ju pranoj’.» (2 Korintasve 6:17; Isaia 52:11) Prandaj, të krishterët e vërtetë shmangin çdo gjë që lidhet me adhurimin e rremë.

17, 18. Çfarë është «Babilonia e Madhe» dhe pse është urgjente ‘të dalësh prej saj’?

17 Bibla tregon se të gjitha fetë e rreme janë pjesë e ‘Babilonisë së Madhe’. * (Zbulesa 17:5) Ky emër na sjell ndër mend qytetin e lashtë të Babilonisë, ku filluan fetë e rreme pas Përmbytjes së kohës së Noesë. Shumë mësime e praktika që tani janë të përhapura në fetë e rreme, kanë filluar që kohë më parë në Babiloni. Për shembull, babilonasit adhuronin trini perëndish. Sot, doktrina kryesore e shumë feve është Triniteti. Por Bibla mëson në mënyrë të qartë se ekziston vetëm një Perëndi i vërtetë, Jehovai, dhe se Jezu Krishti është Biri i tij. (Gjoni 17:3) Babilonasit besonin se njerëzit kanë shpirt të pavdekshëm, që mbijeton pas vdekjes së trupit dhe mund të vuajë në një vend torturash. Sot, në shumicën e feve mësohet besimi në shpirtin e pavdekshëm, që mund të vuajë në ferrin e zjarrtë.

18 Meqë adhurimi i lashtë babilonas u përhap në mbarë tokën, Babilonia e Madhe e ditëve tona mund të quhet me të drejtë perandoria botërore e fesë së rreme. Perëndia ka parathënë se kjo perandori e fesë së rreme do të marrë fund papritur. (Zbulesa 18:8) A e kupton pse është jetësore të ndahesh nga çdo pjesë e Babilonisë së Madhe? Perëndia Jehova dëshiron që ti ‘të dalësh prej saj’ menjëherë, sa ka ende kohë.Zbulesa 18:4.

Duke i shërbyer Jehovait bashkë me popullin e tij, do të fitosh shumë më tepër nga ç’mund të humbasësh

19. Çfarë do të fitosh duke i shërbyer Jehovait?

19 Ngaqë ti ke vendosur të mos kesh të bësh fare me fenë e rreme, disa mund të të largohen e të mos shoqërohen më me ty. Por, duke i shërbyer Jehovait bashkë me popullin e tij, do të fitosh shumë më tepër se ç’mund të humbasësh. Ashtu si dishepujt e hershëm të Jezuit, që lanë pas gjërat e tjera për ta ndjekur, do të fitosh shumë vëllezër e motra në besim. Do të bëhesh pjesë e një familjeje të madhe mbarëbotërore me miliona të krishterë të vërtetë, që të tregojnë dashuri të sinqertë. Dhe do të kesh shpresën e mrekullueshme të jetës së përhershme «në sistemin që po vjen». (Marku 10:28-30) Ndoshta, me kalimin e kohës, ata që u larguan nga ti për shkak të bindjeve të tua, do të fillojnë të shqyrtojnë se çfarë mëson Bibla dhe do të bëhen adhurues të Jehovait.

20. Ç’e ardhme i pret ata që ndjekin fenë e vërtetë?

20 Bibla mëson se, së shpejti, Perëndia do të sjellë fundin e këtij sistemi të lig dhe do ta zëvendësojë me një botë të re e të drejtë, ku sundon Mbretëria e tij. (2 Pjetrit 3:9, 13) Sa e mrekullueshme do të jetë ajo botë! Në atë sistem të ri të drejtë do të ketë vetëm një fe, një formë të vërtetë adhurimi. A nuk është e mençur të bësh që tani hapat e nevojshëm për t’u shoqëruar me adhuruesit e vërtetë?

^ par. 17 Për më shumë informacione se përse Babilonia e Madhe përfaqëson perandorinë botërore të fesë së rreme, shih Shtojcën «Të identifikojmë ‘Babiloninë e Madhe’».