Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

SHTOJCA

Kush është kryeengjëlli Mikael?

Kush është kryeengjëlli Mikael?

KRIJESA frymore me emrin Mikael nuk përmendet shpesh në Bibël. Por, ato herë që përmendet, ai gjithnjë është duke vepruar. Në librin e Danielit, Mikaeli lufton kundër engjëjve të ligj; në letrën e Judës bën fjalë me Satanain; kurse te Zbulesa, lufton kundër Djallit dhe demonëve. Duke mbrojtur sundimin e Jehovait dhe duke luftuar kundër armiqve të Tij, Mikaeli jeton në përputhje me kuptimin e këtij emri, që do të thotë: «Kush është si Perëndia?» Por, kush është Mikaeli?

Nganjëherë, disa individë kanë më shumë se një emër. Për shembull, patriarku Jakob njihet edhe me emrin Izrael, kurse apostulli Pjetër njihet edhe si Simoni. (Zanafilla 49:1, 2; Mateu 10:2) Po kështu, Bibla tregon se emri Mikael është një emër tjetër i Jezu Krishtit, para dhe pas kohës kur jetoi në tokë. Le të shqyrtojmë arsyet biblike pse nxjerrim këtë përfundim.

Kryeengjëll. Fjala e Perëndisë e quan Mikaelin «kryeengjëlli». (Juda 9) Termi ‘kryeengjëll’ del në Bibël vetëm në numrin njëjës, asnjëherë në shumës. Kjo tregon se ka vetëm një engjëll të tillë. Për më tepër, Jezui ka lidhje me pozitën e kryeengjëllit. Te 1 Selanikasve 4:16 thuhet kështu për Zotërinë Jezu Krisht të ringjallur: «Zotëria do të zbresë nga qielli me një kushtrim, me zë kryeengjëlli.» Pra, zëri i Jezuit përshkruhet si zë kryeengjëlli. Ky shkrim tregon se vetë Jezui është kryeengjëlli Mikael.

Komandant ushtarak. Bibla thotë se ‘Mikaeli dhe engjëjt e tij luftuan kundër dragoit dhe engjëjve të tij’. (Zbulesa 12:7) Pra, Mikaeli është Komandanti i një ushtrie me engjëj besnikë. Në librin e Zbulesës, edhe Jezui përshkruhet si Komandanti i një ushtrie me engjëj besnikë. (Zbulesa 19:14-16) Po ashtu, apostulli Pavël përmend në mënyrë specifike ‘Zotërinë Jezu’ dhe «engjëjt e tij të fuqishëm». (2 Selanikasve 1:7) Pra, Bibla flet për Mikaelin me ‘engjëjt e tij’, dhe për Jezuin me ‘engjëjt e tij’. (Mateu 13:41; 16:27; 24:31; 1 Pjetrit 3:22) Meqë në asnjë vend në Fjalën e Perëndisë nuk tregohet se ka dy ushtri me engjëj besnikë në qiell—njëra e drejtuar nga Mikaeli dhe tjetra nga Jezui—është logjike të nxjerrim përfundimin se Mikaeli s’është askush tjetër veçse Jezu Krishti në rolin e tij në qiell. *

^ par. 1 Ka edhe informacione të tjera që tregojnë se emri Mikael i përket Birit të Perëndisë. Këto gjenden në vëllimin II, faqet 393, 394 të librit Mendjehollësi mbi Shkrimet, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait, anglisht.