Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

SHTOJCA

Pse të krishterët e vërtetë nuk e përdorin kryqin në adhurim?

Pse të krishterët e vërtetë nuk e përdorin kryqin në adhurim?

MILIONA njerëz e adhurojnë dhe e nderojnë kryqin. Një enciklopedi e quan kryqin «simbolin kryesor të fesë së krishterë». (The Encyclopædia Britannica) Gjithsesi, të krishterët e vërtetë nuk e përdorin kryqin në adhurim. Përse jo?

Një arsye e rëndësishme është se Jezu Krishti nuk vdiq në një kryq. Fjala greke që në përgjithësi përkthehet «kryq» është staurós. Kryesisht ka kuptimin «një hu ose shtyllë e drejtë». Një botim thotë: «[Staurós] nuk nënkupton kurrë dy copa druri të vendosura njëra sipër tjetrës në ndonjë lloj këndi . . . Në greqishten e [Besëlidhjes së Re] nuk ka asgjë që të lërë të nënkuptohen dy copa druri.»The Companion Bible.

Në disa vargje, shkrimtarët e Biblës përdorin një fjalë tjetër për mjetin në të cilin u vra Jezui. Është fjala greke ksilon. (Veprat 5:30; 10:39; 13:29; Galatasve 3:13; 1 Pjetrit 2:24) Kjo fjalë do të thotë thjesht «dru» ose «shkop, hu a pemë».

Duke shpjeguar pse zakonisht përdorej një dru i thjeshtë për ekzekutimet, në librin Kryqi dhe kryqëzimi (gjermanisht), nga Herman Fulda, thuhet: «Pemët nuk gjendeshin kudo në vendet që zgjidheshin për ekzekutime publike. Prandaj, ngulnin në tokë një tra të thjeshtë. Në të viheshin kriminelët, duke ua lidhur ose gozhduar duart e ngritura lart, e shpesh edhe këmbët.»

Megjithatë, prova më bindëse nga të gjitha vjen prej Fjalës së Perëndisë. Apostulli Pavël thotë: «Meqë na bleu, Krishti na liroi nga mallkimi i Ligjit dhe u bë mallkim në vendin tonë, sepse është shkruar: ‘I mallkuar është çdo njeri i varur në shtyllë [«dru», Dio].’» (Galatasve 3:13) Këtu, Pavli citon Ligjin e përtërirë 21:22, 23, ku flitet qartë për një shtyllë, jo për një kryq. Meqë ky mjet ekzekutimi e bënte ‘të mallkuar’ një njeri, nuk do të ishte e përshtatshme që të krishterët të zbukuronin shtëpitë me figura të Krishtit të vënë në shtyllë.

Nuk ka asnjë provë se, 300 vitet e para pas vdekjes së Krishtit, ata që thoshin se ishin të krishterë e përdornin kryqin në adhurim. Por, në shekullin e katërt, perandori pagan Kostandini përqafoi krishterimin apostat dhe e vendosi kryqin si simbolin e saj. Cilatdo të kenë qenë arsyet e Kostandinit, kryqi s’kishte të bënte fare me Jezu Krishtin. Në fakt, kryqi ka origjinë pagane. Një enciklopedi katolike pranon: «Kryqin e gjejmë qoftë në kulturat e epokës para krishterimit, qoftë në kulturat jo të krishtere.» (New Catholic Encyclopedia) Edhe disa autoritete të tjera e kanë lidhur kryqin me adhurimin e natyrës dhe me rite seksuale pagane.

Po, atëherë, pse u pranua ky simbol pagan? Me sa duket, për t’ua bërë më të lehtë paganëve të pranonin «krishterimin». Gjithsesi, në Bibël dënohet me forcë adhurimi i çfarëdo simboli pagan. (2 Korintasve 6:14-18) Gjithashtu, në Shkrime ndalohet çdo lloj idhujtarie. (Dalja 20:4, 5; 1 Korintasve 10:14) Prandaj, të krishterët e vërtetë kanë arsye shumë të forta pse nuk e përdorin kryqin në adhurim. *

^ par. 4 Për një shqyrtim më të hollësishëm lidhur me kryqin, shih pjesën «Shtylla e torturës», në faqen 1687 të Shtojcës së Shkrimeve të Shenjta, Përkthimi Bota e Re, dhe faqet 210-214 të librit Të arsyetojmë nga Shkrimet, botuar në disa gjuhë nga Dëshmitarët e Jehovait.