Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

SHTOJCA

Nderimi i flamurit, votimi dhe shërbimi civil

Nderimi i flamurit, votimi dhe shërbimi civil

Nderimi i flamurit. Dëshmitarët e Jehovait besojnë se përkulja para flamurit ose nderimi i tij, që shpesh bëhet teksa këndohet himni, është një akt fetar me të cilin merita për shpëtimin i jepet shtetit dhe udhëheqësve të tij, jo Perëndisë. (Isaia 43:11; 1 Korintasve 10:14; 1 Gjonit 5:21) Një nga këta udhëheqës ishte Nabukodonosori, mbreti i Babilonisë së lashtë. Për t’i bërë përshtypje popullit me madhështinë dhe zellin e tij fetar, ky monark i fuqishëm ngriti një shëmbëlltyrë gjigante dhe i detyroi nënshtetasit të përkuleshin para saj, teksa dëgjonin muzikën që ishte si një himn. Por tre hebrenj​​—Shadraku, Meshaku dhe Abednegoja​—​nuk pranuan të përkuleshin para shëmbëlltyrës, edhe pse e dinin që rrezikonin vdekjen.​​—Danieli, kapitulli 3.

Sipas historianit Karlton Hejz, në epokën tonë «simboli kryesor i besimit te nacionalizmi dhe objekti kryesor i adhurimit është flamuri. Burrat heqin kapelën kur kalon flamuri; poetët shkruajnë ode dhe fëmijët këndojnë himne për t’i thurur lavde flamurit». Ai shtoi se edhe nacionalizmi ka «ditët e tij të shenjta», siç është 4 korriku në Shtetet e Bashkuara, e po ashtu ka edhe «shenjtët e heronjtë e vet» dhe «tempujt» ose faltoret e veta. Në një ceremoni publike në Brazil, gjenerali dhe ministri i Mbrojtjes i këtij vendi, pranoi: «Flamuri përnderohet dhe adhurohet . . . siç adhurohet Atdheu.» Po, siç komentonte më parë The Encyclopedia Americana, «flamuri, ashtu si kryqi, është i shenjtë».

Kohët e fundit, kjo enciklopedi ka komentuar se himnet kombëtare «janë shprehje të ndjenjës patriotike dhe shpesh përfshijnë thirrjen për udhëheqjen hyjnore dhe për mbrojtjen e popujve ose të sundimtarëve të tyre». Prandaj, shërbëtorët e Jehovait nuk janë të paarsyeshëm që i konsiderojnë si gjëra fetare ceremonitë patriotike për nderimin e flamurit dhe himnet kombëtare. Në fakt, në librin Karakteri i amerikanëve (anglisht), kur komentohej për fëmijët e Dëshmitarëve të Jehovait që nuk pranonin t’i bënin nderime flamurit e të betoheshin për besnikëri nëpër shkollat amerikane, thuhej kështu: «Që këto rituale të përditshme janë fetare, është pranuar më në fund nga Gjykata e Lartë në një sërë çështjesh.»

Edhe pse vetë nuk marrin pjesë në ceremoni që i konsiderojnë jobiblike, sigurisht shërbëtorët e Jehovait respektojnë të drejtën e të tjerëve për të vepruar ndryshe. Gjithashtu, ata i respektojnë si simbole flamujt kombëtarë dhe i pranojnë qeveritë e vendosura me ligj si ‘autoritetet më të larta’ që shërbejnë si «shërbëtor i Perëndisë». (Romakëve 13:​1-4) Kështu, si Dëshmitarë të Jehovait i përgjigjemi thirrjes që të lutemi «për mbretërit dhe për të gjithë ata që janë në poste të larta». Por synimi ynë është «që të vazhdojmë të bëjmë një jetë të qetë dhe të patrazuar, plot me përkushtim hyjnor dhe seriozitet».​​—1 Timoteut 2:2.

Votimi në zgjedhjet politike. Të krishterët e vërtetë e respektojnë të drejtën e të tjerëve për të votuar. Ata nuk bëjnë fushata kundër zgjedhjeve dhe bashkëpunojnë me autoritetet që zgjidhen. Gjithsesi, qëndrojnë krejtësisht asnjanës për sa u përket çështjeve politike të kombeve. (Mateu 22:21; 1 Pjetrit 3:16) Ç’duhet të bëjnë të krishterët në ato vende ku votimi është i detyrueshëm ose në një situatë ku ka ndjenja të forta armiqësore kundër atyre që nuk shkojnë në qendrat e votimit? Duke iu referuar shembullit të Shadrakut, Meshakut dhe Abednegos, të cilët shkuan deri në rrafshinën e Durës, në rrethana të ngjashme ata mund të vendosin të shkojnë deri te qendra e votimit, nëse ua lejon ndërgjegjja. Por do të bëjnë kujdes që të mos shkelin asnjanësinë e tyre. Duhet të marrin parasysh këto gjashtë parime:

  1. Dishepujt e Jezuit ‘nuk janë pjesë e botës’.​​—Gjoni 15:19.

  2. Të krishterët përfaqësojnë Krishtin dhe Mbretërinë e tij.​​—Gjoni 18:36; 2 Korintasve 5:20.

  3. Kongregacioni i krishterë është i bashkuar në besim, dhe pjesëtarët e tij janë të lidhur me njëri-tjetrin me një dashuri si ajo e Krishtit.​​—1 Korintasve 1:10; Kolosianëve 3:14.

  4. Ata që votojnë për zgjedhjen e një zyrtari, mbajnë përgjegjësi bashkë me të për gjërat që bën.​​—Shih parimet që zbulohen nga fjalët e 1 Samuelit 8:​5, 10-18 dhe 1 Timoteut 5:22.

  5. Për Jehovain, dëshira e Izraelit për një sundimtar njerëzor, ishte shenjë se kishin hedhur poshtë vetë Atë.​​—1 Samuelit 8:7.

  6. Të krishterët duhet të kenë lirshmëri për të folur me njerëz të të gjitha rrymave politike, në lidhje me qeverinë e Perëndisë.​​—Mateu 24:14; 28:​19, 20; Hebrenjve 10:35.

Shërbimi civil. Në disa vende, atyre që s’pranojnë të kryejnë shërbimin ushtarak, shteti u kërkon të merren me ndonjë formë tjetër shërbimi civil për një periudhë kohe. Nëse gjendemi para këtij vendimi, duhet të lutemi për të, të flasim ndoshta me një të krishterë të pjekur e pastaj të vendosim në bazë të ndërgjegjes së informuar.​​—Proverbat 2:​1-5; Filipianëve 4:5.

Fjala e Perëndisë na thotë të jemi «të bindur ndaj qeverive dhe autoriteteve si sundimtarë, . . gati për çdo vepër të mirë, . . . të arsyeshëm». (Titit 3:​1, 2) Me këtë në mendje, mund të pyesim veten: ‘A shkel asnjanësinë e krishterë po të pranoj shërbimin civil që më propozohet, ose a do të më përfshijë në fenë e rreme?’ (Mikea 4:​3, 5; 2 Korintasve 6:​16, 17) ‘A do ta kem të vështirë të përmbush përgjegjësitë e krishtere po të bëj këtë lloj shërbimi ose a do të më pengojë t’i përmbush ato?’ (Mateu 28:​19, 20; Efesianëve 6:4; Hebrenjve 10:​24, 25) ‘Nga ana tjetër, a do të kishte ky lloj shërbimi një program që do të më lejonte të zgjeroja aktivitetet frymore e ndoshta të nisja shërbimin e plotkohor?’​​—Hebrenjve 6:​11, 12.

Nëse me ndërgjegje një i krishterë nxjerr përfundimin se mund ta kryejë shërbimin civil, në vend që të shkojë në burg, të krishterët e tjerë duhet ta respektojnë vendimin e tij. (Romakëve 14:10) Por, duhet t’ia respektojmë pikëpamjen edhe nëse mendon se s’mund ta bëjë këtë shërbim.​​—1 Korintasve 10:29; 2 Korintasve 1:24.