Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

KAPITULLI 16

Kundërviju Djallit dhe intrigave të tij

Kundërviju Djallit dhe intrigave të tij

«Kundërvijuni Djallit, e ai do të ikë.»​​—JAKOVI 4:7.

1, 2. Për cilët janë raste të gëzuara pagëzimet?

NË QOFTË se ke shumë vjet që i shërben Jehovait, me siguri ke dëgjuar sa e sa fjalime pagëzimi nëpër asamble e kongrese. Por, sado shpesh të kesh qenë i pranishëm në këto raste, përsëri prekesh çdo herë që vjen momenti kur ata që janë ulur në rreshtat e parë ngrihen në këmbë dhe paraqiten për t’u pagëzuar. Në atë çast, gjithë sallën e përshkon një ndjenjë emocioni dhe pastaj shpërthejnë duartrokitje të forta. Të mbushen sytë me lot kur sheh që edhe një grup tjetër njerëzish të çmuar merr anën e Jehovait. Ç’gëzim të madh që ndiejmë në këto raste!

2 Ndoshta ne shohim pagëzime vetëm disa herë gjatë vitit në zonën tonë, kurse engjëjt kanë privilegjin t’i shohin shumë më shpesh. E përfytyron sa ‘gëzim ka në qiell’ kur engjëjt shohin që çdo javë mijëra individë në mbarë botën i shtohen pjesës së dukshme të organizatës së Jehovait? (Luka 15:​7, 10) S’diskutohet që engjëjt mrekullohen ndërsa vërejnë këtë rritje.​​—Hageu 2:7.

DJALLI «VJEN VËRDALLË SI NJË LUAN QË ULËRIN»

3. Pse Satanai vjen vërdallë «si një luan që ulërin» e çfarë kërkon të bëjë?

3 Por krejt ndryshe nga kjo, disa krijesa frymore tërbohen kur shohin këto pagëzime. Satanai dhe demonët vrerosen ndërsa vërejnë mijëra njerëz që i kthejnë shpinën kësaj bote të korruptuar. Tek e fundit, Satanai u mburr se asnjë njeri nuk i shërben Jehovait nga dashuria e sinqertë dhe se asnjë nuk do të mbetej besnik po të kishte sprova të rënda. (Lexo Jobin 2:​4, 5.) Sa herë që një njeri vendos t’i kushtohet Jehovait, Satanai del gënjeshtar. Është sikur merr mijëra shuplaka në fytyrë çdo javë të vitit. Ja pse «vjen rrotull si një luan që ulërin, duke kërkuar të gllabërojë dikë». (1 Pjetrit 5:8) Ky «luan» mezi pret të na gllabërojë në kuptimin frymor, duke na shtyrë të dëmtojmë ose edhe të prishim marrëdhënien tonë me Perëndinë.​​—Psalmi 7:​1, 2; 2 Timoteut 3:12.

Sa herë që një njeri i kushtohet Jehovait dhe pagëzohet, Satanai del gënjeshtar

4, 5. (a) Në cilat drejtime të rëndësishme e ka kufizuar Jehovai pushtetin e Satanait? (b) Për çfarë mund të jetë i sigurt një i krishterë i vërtetë?

4 Edhe pse kemi përballë një armik të egër, s’ka pse të na kaplojë frika. Pse jo? Sepse Jehovai e ka kufizuar në dy drejtime të rëndësishme pushtetin e këtij ‘luani që ulërin’. Cilat janë? Para së gjithash, Jehovai ka parathënë se ‘një shumicë e madhe’ të krishterësh të vërtetë do të mbijetojë në ‘shtrëngimin e madh’ që po vjen. (Zbulesa 7:​9, 14) Profecitë e Perëndisë plotësohen gjithnjë. Prandaj, edhe Satanai me siguri e di se s’i bën dot gjë popullit të Perëndisë si grup.

5 Kufizimi i dytë nënkuptohet nga një e vërtetë themelore që tha një shërbëtor besnik i Perëndisë në lashtësi. Profeti Azariah i tha mbretit Asa: ‘Jehovai do të jetë me ty për sa kohë të jesh me të.’ (2 Kronikave 15:2; lexo 1 Korintasve 10:13.) Shembuj të shumtë të dokumentuar, tregojnë se në të kaluarën Satanai kurrë s’ka arritur të gllabërojë asnjë shërbëtor të Perëndisë që ka qëndruar pranë Tij. (Hebrenjve 11:​4-40) Sot, një i krishterë që qëndron pranë Perëndisë, do të arrijë t’i kundërvihet Djallit e madje ta mposhtë. Vetë Fjala e Perëndisë na siguron: «Kundërvijuni Djallit, e ai do të ikë nga ju.»​​—Jakovi 4:7.

‘KEMI NJË PËRLESHJE ME FORCAT E LIGA FRYMORE’

6. Si e sulmon Satanai secilin prej nesh?

6 Luftën Satanai s’e fiton dot, por ama mund të shkaktojë viktima, nëse ndonjëri nga ne ul vigjilencën. Ai e di se mund të na gllabërojë po të na e dobësojë lidhjen me Jehovain. Si përpiqet ta arrijë këtë? Me anë të sulmeve intensive, individuale dhe dinake. T’i shqyrtojmë një nga një këto strategji kryesore të Satanait.

7. Pse Satanai po sulmon intensivisht shërbëtorët e Jehovait?

7 Sulmet intensive. Apostulli Gjon tha: «E gjithë bota dergjet nën pushtetin e të ligut.» (1 Gjonit 5:19) Këto fjalë janë një paralajmërim për të gjithë të krishterët e vërtetë. Meqë tashmë e ka përpirë tërë botën e paperëndishme, Satanai është përqendruar tek ata që deri më tani i kanë shpëtuar nga duart, pra te shërbëtorët e Jehovait, dhe i ka intensifikuar sulmet. (Mikea 4:1; Gjoni 15:19; Zbulesa 12:​12, 17) Zemërimi i tij është i madh, ngaqë e di se ka një periudhë kohe të shkurtër. Kështu që i ka shtuar presionet. Sot po shohim orvatjet e tij të fundit mizore për të na shkatërruar marrëdhënien me Perëndinë.

8. Ç’donte të thoshte apostulli Pavël kur shkroi se kemi «një përleshje» kundër frymërave të liga?

8 Përleshje individuale. Apostulli Pavël i paralajmëroi të krishterët: «Kemi një përleshje... me forcat e liga frymore në vendet qiellore.» (Efesianëve 6:12) Pse përdori fjalën «përleshje»? Sepse përcjell idenë e një luftimi trup më trup. Pra, me këtë fjalë Pavli theksoi se secili prej nesh është në luftë me frymërat e liga. Jetojmë ose jo në një vend ku mbizotëron besimi te frymërat e liga, s’duhet të harrojmë se, kur iu kushtuam Jehovait, si të thuash shkelëm në tapetin e mundjes. Të paktën që nga koha e kushtimit e më tej, çdo i krishterë s’ka rrugë tjetër veçse të luftojë. Ja pse Pavli e pa të nevojshme t’i nxiste tri herë të krishterët në Efes që ‘të qëndronin të patundur’.​​—Efesianëve 6:​11, 13, 14.

9. (a) Pse Satanai dhe demonët përdorin ‘intriga’ të ndryshme? (b) Pse Satanai përpiqet të na korruptojë mendimet dhe si t’i kundërvihemi përpjekjeve të tij? (Shih kutinë në « Ruhu nga dinakëria e satanait!».) (c) Për cilën intrigë do të flasim tani?

9 Intriga dinake. Pavli u bëri thirrje të krishterëve të qëndronin të patundur kundër «intrigave» të Satanait. (Efesianëve 6:11) Këtu Pavli përdori shumësin e fjalës. Frymërat e liga nuk përdorin vetëm një metodë dinake, por disa, dhe jo më kot. Me kalimin e kohës, disa besimtarë që kishin qëndruar të patundur përballë një lloj sprove, janë dorëzuar përballë një lloji tjetër. Prandaj, Djalli dhe demonët këqyrin me kujdes sjelljen e secilit prej nesh, për të diktuar pikën tonë më të dobët. Pastaj shfrytëzojnë ndonjë dobësi që kemi e që mund të na dëmtojë marrëdhënien me Perëndinë. Por jemi të lumtur që shumë nga metodat e Djallit mund t’i dallojmë, pasi janë zbuluar në Bibël. (2 Korintasve 2:11) Në faqet e këtij libri kemi shqyrtuar intriga të tilla si karremi i materializmit, shoqëritë e dëmshme dhe imoraliteti. Tani do të shohim një intrigë tjetër të Satanait, spiritizmin.

TË MERRESH ME SPIRITIZËM PËRBËN TRADHTI

10. (a) Çfarë është spiritizmi? (b) Si e konsideron Jehovai spiritizmin? Po ti, si e konsideron?

10 Kur merret me spiritizëm ose me demonizëm, një njeri lidhet drejtpërdrejt me frymërat e liga. Disa forma të spiritizmit janë falli, shtrigëria, lidhja e magjive dhe komunikimi me të vdekurit. Siç e dimë fare mirë, për Jehovain spiritizmi është ‘i pështirë’. (Ligji i përtërirë 18:​10-12; Zbulesa 21:8) Meqë edhe ne duhet ‘ta urrejmë thellësisht atë që është e ligë’, as që bëhet fjalë të kërkojmë shoqërinë e forcave të liga frymore. (Romakëve 12:9) Ç’tradhti e ndyrë do të ishte kjo kundër Atit tonë qiellor, Jehovait!

11. Pse do të ishte fitore e madhe për Satanain nëse arrin të na shtyjë që të merremi me spiritizëm? Ilustroje.

11 Megjithatë, pikërisht ngaqë interesimi për spiritizmin është tradhti e urryer kundër Jehovait, Satanai do me çdo kusht të shtyjë disa prej nesh që të merren me spiritizëm. Sa herë që arrin ta joshë një të krishterë në demonizëm, Satanai ka arritur një fitore të madhe. Përse? Mendo për këtë krahasim: nëse një ushtari i mbushet mendja të dezertojë nga ushtria e tij dhe të hidhet në anën e ushtrisë armike, me siguri komandanti armik do të kënaqej jashtë mase. Mbase edhe mund ta shëtitë tradhtarin si trofe para ushtrisë tjetër, që të fyejë komandantin rival. Po kështu, nëse një i krishterë nis të merret me spiritizëm, atëherë po dezerton me dashje e me vetëdije të plotë nga Jehovai e po vihet nën urdhrat e Satanait. Kushedi sa do të kënaqej Satanai duke e shëtitur dezertorin si trofe lufte! A do të donte dikush nga ne t’i falte Djallit këtë fitore? Kurrsesi! Ne s’jemi tradhtarë.

NGRE PYETJE QË TË MBJELLË DYSHIME

12. Ç’metodë përdor Satanai që të na ndryshojë pikëpamjen për spiritizmin?

12 Për sa kohë ta kemi neveri spiritizmin, Satanai nuk na mposht dot me anë të tij. Prandaj, ai e di se më parë duhet të na ndryshojë mënyrën e të menduarit. Si e bën këtë? Gjen metoda që t’i çorientojë të krishterët aq shumë, sa të mendojnë se «e mira është e keqe dhe e keqja është e mirë». (Isaia 5:20) Për këtë qëllim, shpesh Satanai i rikthehet një metode të vjetër që ka përdorur me sukses: ngre pyetje që të mbjellë dyshime.

13. Si e ka përdorur Satanai metodën e pyetjeve që të mbjellë dyshime?

13 Shiko si e ka përdorur në të kaluarën Satanai këtë metodë. Në Eden ai pyeti Evën: «Vërtet ka thënë Perëndia që të mos hani nga çdo pemë e kopshtit?» Në kohën e Jobit, gjatë një mbledhjeje të engjëjve në qiell, ngriti pyetjen: «Më kot ka frikë Jobi nga Perëndia?» Kurse në fillim të shërbimit të Jezuit në tokë, Satanai e sfidoi me fjalët: «Nëse je bir i Perëndisë, thuaju këtyre gurëve të bëhen bukë.» Mendo që në këtë rast, ai guxoi të vinte në lojë po ato fjalë që Jehovai i kishte thënë rreth gjashtë javë më parë: «Ky është Biri im, i dashuri, që kam miratuar.»​​—Zanafilla 3:1; Jobi 1:9; Mateu 3:17; 4:3.

14. (a) Si e përdor Satanai metodën e krijimit të paqartësive rreth spiritizmit? (b) Ç’do të shqyrtojmë tani?

14 Edhe sot Djalli përdor një metodë të tillë që të krijojë paqartësi rreth spiritizmit, nëse është vërtet i lig apo jo. Mjerisht, ka pasur sukses, pasi ka ngjallur dyshime në mendjen e disa besimtarëve. Këta kanë nisur të dyshojnë për disa forma të spiritizmit, nëse janë vërtet aq të liga sa thuhet. (2 Korintasve 11:3) Si t’i ndihmojmë të ndreqin pikëpamjen? Si të sigurohemi që të mos ndikohemi vetë nga kjo intrigë e Satanait? Për t’u përgjigjur, le të shohim dy fusha të jetës të cilat ai me tinëzi i ka ndotur me elemente spiritiste. E kemi fjalën për zbavitjen e për kujdesin shëndetësor.

SHFRYTËZON DËSHIRAT DHE NEVOJAT TONA

15. (a) Si e shohin spiritizmin shumë veta në botën perëndimore? (b) Si ka ndikuar te disa të krishterë pikëpamja e botës për spiritizmin?

15 Sidomos në botën perëndimore, sa vjen e po shihen me sy tjetër okultizmi, shtrigëria e forma të tjera të spiritizmit. Filmat, librat, programet televizive e lojërat elektronike gjithnjë e më shumë po i paraqesin praktikat demonike si gjëra të këndshme, inteligjente e të padëmshme. Disa filma e libra me ngjarje të përqendruara tek okultizmi, janë bërë kaq popullorë e të pëlqyer, saqë admiruesit e flaktë të tyre kanë organizuar klube fansash. Është e qartë se demonët kanë arritur t’i minimizojnë rreziqet e okultizmit në mendjen e njerëzve. A mos ka ndikuar sadopak te të krishterët kjo prirje për ta parë spiritizmin me sy më pozitiv? Mjerisht, mendimet e disave janë ndikuar. Në ç’mënyrë? Ja një shembull tipik: një i krishterë, pasi pa një film që përqendrohej tek okultizmi, tha: «E pashë filmin, po nuk u përfshiva në spiritizëm.» Pse është i rrezikshëm ky arsyetim?

16. Pse është e rrezikshme të zgjedhim zbavitje që përqendrohen në praktika okulte?

16 Edhe pse nuk është njësoj të shohësh spiritizëm e të merresh me të, kjo s’do të thotë kurrsesi se të shohësh praktika okulte, nuk përbën asnjë rrezik. Përse jo? Mendo për këtë: Fjala e Perëndisë tregon se as Satanai e as demonët, nuk e kanë aftësinë të na lexojnë mendimet. * Kështu, siç e thamë edhe më lart, për të zbuluar ç’po mendojmë e për të pikasur ndonjë dobësi frymore, frymërat e liga duhet të këqyrin me kujdes veprimet tona, ku përfshihet edhe zbavitja që zgjedhim. Kur një i krishterë tregon me sjelljen e tij se i pëlqejnë filmat e librat që përqendrohen te mediumet spiritiste, magjitë, aktet e zaptimit nga demonët ose tema të ngjashme demonike, po u dërgon një mesazh demonëve. Me pak fjalë, po i sinjalizon cila është pika e tij e dobët. Si përgjigje, demonët mund ta intensifikojnë përleshjen me atë të krishterë, për ta shfrytëzuar dobësinë që u ka zbuluar, derisa në kuptim të figurshëm ta kenë vënë me shpatulla përtokë. Dhe vërtet, disa që fillimisht u bënë kureshtarë për spiritizmin nga zbavitja që paraqiste praktika okulte, përfunduan duke u marrë me spiritizëm.​​—Lexo Galatasve 6:7.

Kur je sëmurë, përfito nga mbështetja e Jehovait

17. Cilën intrigë mund të shfrytëzojë Satanai me ata që janë të sëmurë?

17 Satanai përpiqet të shfrytëzojë jo vetëm dëshirën tonë për t’u zbavitur, por edhe nevojën për kujdes shëndetësor. Si e bën këtë? Një të krishterë të sëmurë mund ta lëshojë zemra nëse nuk shërohet edhe pse është përpjekur shumë të gjejë një mjekim. (Marku 5:​25, 26) Këtu Satanait dhe demonëve mund t’u jepet një rast i mirë për ta shfrytëzuar. Demonët mund ta tundojnë që në dëshpërim e sipër të zgjedhë mjekime a procedura ku përfshihet përdorimi i ‘fuqisë magjike’ ose i spiritizmit. (Isaia 1:13) Nëse kjo intrigë e demonëve del me sukses, mund t’ia dobësojë të sëmurit marrëdhënien me Perëndinë. Si?

18. Ç’lloj procedurash do të hidhte poshtë një i krishterë dhe përse?

18 Jehovai i paralajmëroi izraelitët që kishin përdorur «fuqi magjike»: «Kur shtrini duart për t’u lutur, unë i largoj sytë nga ju. Edhe pse lutjet tuaja janë të shumta, unë nuk i dëgjoj.» (Isaia 1:15) Natyrisht, ne gjithmonë përpiqemi të shmangim çdo gjë që mund të na i pengojë lutjet e të na pakësojë mbështetjen që na jep Jehovai. Aq më tepër kur jemi sëmurë. (Psalmi 41:3) Prandaj, nëse ka shenja se një metodë diagnostikimi ose një terapi përfshin elemente spiritiste, i krishteri i vërtetë duhet ta hedhë poshtë. * (Mateu 6:13) Kështu do të jetë i sigurt se e ka ende mbështetjen e Jehovait.​​—Shih kutinë « A është vërtet spiritizëm?».

KUR KA ME SHUMICË HISTORI PËR DEMONËT

19. (a) Çfarë besojnë për pushtetin e Djallit shumë njerëz të mashtruar prej tij? (b) Ç’histori nuk duhet të përhapin të krishterët e vërtetë?

19 Ndërkohë që në vendet perëndimore njerëzit e shpërfillin rrezikun e pushtetit të Satanait, në pjesë të tjera të botës ndodh e kundërta. Në ato vende Djalli i ka mashtruar shumë veta që të besojnë se ka më tepër pushtet nga ç’ka në të vërtetë. Disa njerëz jetojnë, hanë, punojnë dhe flenë nën tmerrin e frymërave të liga. Historitë për veprat e fuqishme të demonëve janë me bollëk. Shpesh këto histori tregohen me kënaqësi, madje njerëzit mahniten pas tyre. A duhet të përhapim edhe ne histori të tilla? Jo, shërbëtorët e Perëndisë së vërtetë nuk e bëjnë një gjë të tillë, për dy arsye të rëndësishme.

20. Si mund të përhapë dikush propagandën e Satanait, qoftë edhe pa dashje?

20 Së pari, ai që qarkullon histori rreth bëmave të demonëve, po ndihmon Satanain në përpjekjet e tij. Si ka mundësi? Fjala e Perëndisë nuk e mohon se Satanai mund të bëjë vepra të fuqishme, por edhe paralajmëron se ai përdor ‘shenja të gënjeshtërta’ dhe ‘mashtrime’. (2 Selanikasve 2:​9, 10) Meqë është kryemashtruesi, Satanai di si të manipulojë mendjen e atyre që janë të prirur drejt spiritizmit dhe si t’i bëjë të besojnë gjëra të pavërteta. Këta mund të besojnë sinqerisht se kanë parë e kanë dëgjuar disa gjëra e mund t’i tregojnë si të vërteta përvojat e tyre. Me kalimin e kohës, këto histori zmadhohen duke kaluar gojë më gojë. Nëse një i krishterë do të përhapte histori të tilla, në fakt do të bënte vullnetin e Djallit, ‘atit të gënjeshtrës’. Do të përhapte propagandën e Satanait.​​—Gjoni 8:44; 2 Timoteut 2:16.

21. Ku duam t’i përqendrojmë bisedat tona?

21 Së dyti, edhe sikur një i krishterë të ketë pasur në të kaluarën takime reale me frymërat e liga, nuk do t’i zbaviste vazhdimisht bashkëbesimtarët me histori për gjëra të tilla. Përse jo? Sepse këshillohemi ‘ta mbajmë shikimin të ngulur te Kryepërfaqësuesi dhe Përsosësi i besimit tonë, Jezui’. (Hebrenjve 12:2) Pra, duhet ta përqendrojmë vëmendjen tonë te Krishti, jo te Satanai. Vlen të përmendet se, kur ishte në tokë, Jezui nuk i zbaviti dishepujt me histori për frymërat e liga, edhe pse mund t’u kishte treguar shumë për aftësitë dhe kufizimet e Satanait. Përkundrazi, u përqendrua te lajmi i mirë për Mbretërinë. Prandaj, edhe ne si Jezui e apostujt, duam t’i përqendrojmë bisedat tona te «gjërat madhështore të Perëndisë».​​—Veprat 2:11; Luka 8:1; Romakëve 1:​11, 12.

22. Si mund ta shtojmë vazhdimisht ‘gëzimin në qiell’?

22 Vërtet, Satanai përdor intriga të ndryshme, ndër to edhe spiritizmin, teksa orvatet të na prishë marrëdhënien me Jehovain. Por, po të urrejmë thellësisht atë që është e ligë e të kapemi fort pas asaj që është e mirë, nuk do t’i lëmë vend Djallit që të na lëkundë vendosmërinë për të hedhur poshtë çdo formë spiritizmi. (Lexo Efesianëve 4:27.) Mendo sa ‘gëzim do të ketë në qiell’ nëse vazhdojmë ‘të qëndrojmë të patundur kundër intrigave të Djallit’ derisa ai të mos jetë më!​​—Luka 15:7; Efesianëve 6:11.

^ par. 16 Emrat përshkrues që i janë dhënë Satanait (kundërshtar, shpifës, mashtrues, tundues, gënjeshtar) nuk të lënë të kuptosh se ka aftësinë të na hetojë mendjen dhe zemrën. Në të kundërt, Jehovai përshkruhet si «ai që shqyrton zemrat» dhe Jezui si «ai që shqyrton veshkat [ose mendimet më të thella] dhe zemrat».​​—Proverbat 17:3; Zbulesa 2:23.

^ par. 18 Për informacione të mëtejshme, shih artikullin «A duhet ta bëni këtë lloj analize?», në Kullën e Rojës, 15 dhjetor 1994, faqet 19-22, si dhe artikullin «Pikëpamja e Biblës​​—Zgjedhja e trajtimit mjekësor: A ka rëndësi?», te Zgjohuni, janar 2001.