KAPITULLI GJASHTËMBËDHJETË
«Jezui . . . i deshi ata deri në fund»
1, 2. Si e kaloi Jezui mbrëmjen e tij të fundit me apostujt dhe pse këto çaste ishin të çmuara për të?
JEZUI bashkë me apostujt ishin mbledhur në dhomën e sipërme të një shtëpie në Jerusalem. Ai e dinte se kjo do të ishte mbrëmja e fundit që do të kalonte me ta. Po afrohej koha që të kthehej tek Ati. Disa orë më vonë do ta arrestonin, dhe besimi i tij do të sprovohej si kurrë më parë. E megjithatë, as vdekja që po i kanosej nuk e bëri të harronte nevojat e apostujve.
2 Jezui i kishte përgatitur apostujt për ikjen e tij, por ende kishte disa gjëra për t’iu thënë, që t’i forconte për të përballuar sfidat e ardhshme. Prandaj, ato çaste të fundit kaq të çmuara i kaloi duke u dhënë mësime jetësore që do t’i ndihmonin të qëndronin besnikë. Fjalët që tha, ishin ndër më të përzemërtat e më të ngrohtat. Por, pse Jezui kishte më shumë merak për apostujt sesa për veten? Pse ato orë të fundit që kaloi me ta, ishin kaq të çmuara për të? Për shkak të dashurisë së thellë që ndiente për apostujt.
3. Si e dimë që Jezui nuk kishte pritur deri sa të vinte ajo mbrëmje e fundit për t’u treguar dashuri dishepujve të tij?
3 Shumë vite më vonë, kur apostulli Gjon përshkroi ngjarjet e asaj mbrëmjeje, tha: «Jezui e dinte që përpara Festës së Kalimit se kishte ardhur ora të largohej nga kjo botë për të shkuar tek Ati. Tani, meqë i kishte dashur të vetët që ishin me të në botë, i deshi ata deri në fund.» (Gjoni 13:1) Në fakt, Jezui nuk kishte pritur deri sa të vinte ajo mbrëmje për t’u treguar dashurinë e tij ‘të vetëve’. Gjatë gjithë shërbimit, në gjëra të vogla e të mëdha, ai u kishte dhënë prova të kësaj dashurie. Meqë duam të imitojmë Jezuin, është e rëndësishme të shqyrtojmë disa mënyra si e shfaqi ai dashurinë. Kështu tregojmë se jemi dishepuj të vërtetë të tij.
Tregonte durim
4, 5. (a) Pse Jezuit i duhej durim me dishepujt? (b) Si reagoi Jezui kur tre apostujt nuk qëndruan vigjilentë në kopshtin e Getsemanisë?
4 Dashuria është e lidhur ngushtë me durimin. Te 1 Korintasve 13:4 thuhet se «dashuria është e duruar», dhe durimi përfshin të tolerosh të tjerët. A i duhej Jezuit ta shfaqte këtë cilësi me dishepujt? Absolutisht po! Siç e pamë në kapitullin 3, jo gjithmonë apostujt tregoheshin të përulur. Ata debatuan me njëri-tjetrin se kush ishte më i madhi më shumë se një herë. Si reagoi Jezui? A u zemërua? A iu kthye i indinjuar ose gjithë inat? Jo, arsyetoi me ta me durim, madje e bëri këtë edhe mbrëmjen e fundit, kur lindi «një debat i zjarrtë» për këtë çështje.—Luka 22:24-30; Mateu 20:20-28; Marku 9:33-37.
5 Natën e fundit, kur Jezui shkoi në kopshtin e Getsemanisë me 11 apostujt besnikë, durimi iu vu prapë në provë. Pasi la pas 8 apostuj, mori me vete Pjetrin, Jakovin dhe Gjonin. Kur hynë më në brendësi të kopshtit, u tha: «Më dhemb shpirti, madje për vdekje. Rrini këtu dhe qëndroni vigjilentë.» Pastaj, i vetëm shkoi pak më tutje dhe nisi të lutej me zjarr. Pasi u lut për një kohë të gjatë, u kthye te tre apostujt. Ç’po bënin ata? Në këtë moment kaq vendimtar për të, ata i kishte zënë gjumi. A i qortoi ai për mungesën e vigjilencës? Jo, me durim filloi të arsyetonte me ta. Nga fjalët e tij të përzemërta, u duk qartë që i kuptonte si stresin që kishin, edhe dobësitë e tyre. a «Sigurisht, zemra është gati,—tha ai,—por trupi është i dobët.» Jezui vazhdoi të tregonte durim atë natë, edhe pse i gjeti në gjumë jo një, por edhe dy herë të tjera!—Mateu 26:36-46.
6. Si ta imitojmë Jezuin në marrëdhëniet me të tjerët?
6 Sa inkurajuese është kur dimë se Jezui nuk hoqi dorë nga apostujt e tij! Durimi i tij u shpërblye, sepse këta burra besnikë e mësuan rëndësinë e përulësisë dhe të vigjilencës. (1 Pjetrit 3:8; 4:7) Si mund ta imitojmë Jezuin në marrëdhëniet me të tjerët? Për shembull, durimi është veçanërisht i nevojshëm për pleqtë. Mund të ndodhë që bashkëbesimtarët të shkojnë te një plak për gjërat që i shqetësojnë, në një moment kur plaku është për vete i lodhur ose e ka mendjen te problemet e tij. Ose nganjëherë, ata që kanë nevojë për ndihmë mund të mos ia vënë veshin këshillave të pleqve. Megjithatë, pleqtë e duruar do të tregojnë përzemërsi kur i mësojnë dhe «do ta trajtojnë kopenë me butësi». (2 Timoteut 2:24, 25; Veprat 20:28, 29) Edhe prindërit duhet të imitojnë durimin e Jezuit, sepse ndonjëherë fëmijët mund të mos reagojnë menjëherë mirë ndaj këshillave ose disiplinës. Dashuria dhe durimi do t’i ndihmojnë prindërit të mos reshtin së stërvituri fëmijët e tyre. Shpërblimet e këtij durimi janë vërtet të mëdha.—Psalmi 127:3.
Kujdesej për nevojat e tyre
7. Si u kujdes Jezui për nevojat e dishepujve?
7 Dashuria shfaqet me veprime altruiste. (1 Gjonit 3:17, 18) Ajo «nuk kërkon interesin e vet». (1 Korintasve 13:5) Dashuria e shtynte Jezuin të kujdesej për nevojat fizike e materiale të dishepujve të tij. Madje shpesh ua plotësonte këto nevoja përpara se ata t’i kërkonin ndihmë. Kur shihte që ishin të lodhur, u sugjeronte të shkonin ‘në një vend të veçuar që të rrinin vetëm e të pushonin pak’. (Marku 6:31) Kur kuptonte se ishin të uritur, merrte iniciativën dhe i ushqente—e bashkë me ta edhe mijëra të tjerë që vinin për ta dëgjuar teksa mësonte.—Mateu 14:19, 20; 15:35-37.
8, 9. (a) Si i ndihmoi Jezui dishepujt e tij të kishin besim të fortë te Jehovai? (b) Si e tregoi Jezui kur ishte në shtyllën e torturës, sa shumë e donte të ëmën?
8 Jezui e kuptonte se dishepujve u duhej besim i fortë, ndaj i ndihmoi ta njihnin më mirë Jehovain. (Mateu 4:4; 5:3) Gjatë mësimdhënies, shpesh përqendrohej tek ajo që ata kishin nevojë. Predikimin në Mal e mbajti sidomos për dobinë e tyre. (Mateu 5:1, 2, 13-16) Kur përdorte ilustrime, «dishepujve të tij u shpjegonte gjithçka më vete». (Marku 4:34) Jezui paratha se do të emëronte një ‘skllav besnik e të mençur’, që t’u siguronte atyre gjithçka që u duhej për t’i shërbyer Jehovait gjatë ditëve të fundit. Ky skllav besnik, i përbërë nga një grup i vogël vëllezërish të mirosur të Jezuit në tokë, ka siguruar me besnikëri «ushqim në kohën e duhur» që nga viti 1919.—Mateu 24:45.
9 Ditën e vdekjes së tij, Jezui e tregoi në një mënyrë prekëse sa shumë dëshironte që personat e tij më të shtrenjtë të qëndronin të lidhur ngushtë me Jehovain. Imagjinoje: Jezui ishte i gozhduar në shtyllë dhe kishte dhimbje të tmerrshme. Që të merrte frymë, duhej t’u ushtronte forcë këmbëve për ta ngritur trupin lart. Kjo pa dyshim i shkaktonte therje të forta, sepse pesha e trupit ia hapte më tej plagët e gozhdëve në këmbë, dhe kurrizi tërë vraga nga kamxhiku i fërkohej pas shtyllës. Që të fliste, duhej të merrte frymë më thellë e më gjatë, e kjo patjetër duhet të ketë qenë e vështirë dhe e dhimbshme. E megjithatë, pak para se të vdiste, fjalët e tij treguan sa shumë e donte të ëmën, Marinë. Kur e pa bashkë me apostullin Gjon, i tha me një zë që edhe ata aty pranë mund ta dëgjonin: «Nënë, ja, biri yt!» Pastaj i tha Gjonit: «Ja, nëna jote!» (Gjoni 19:26, 27) Jezui e dinte se ky apostull besnik do të kujdesej për Marinë dhe do ta ndihmonte të vazhdonte t’i shërbente Jehovait. b
10. Si mund ta imitojnë prindërit Jezuin kur kujdesen për nevojat e fëmijëve të tyre?
10 Është e rëndësishme që prindërit të meditojnë rreth shembullit të Jezuit. Një baba që e do vërtet familjen, do të kujdeset që të mos u mungojnë gjërat e nevojshme materiale. (1 Timoteut 5:8) Gjithashtu, një kryefamiljar i ekuilibruar e i dashur sigurohet që herë pas here familja të gjejë kohë për të pushuar e për t’u zbavitur. Ç’është më e rëndësishmja, prindërit e krishterë i mësojnë fëmijët ta duan Jehovain. Si e bëjnë këtë? Duke studiuar rregullisht Biblën si familje dhe duke u përpjekur që t’i bëjnë këto raste inkurajuese e të këndshme për fëmijët. (Ligji i përtërirë 6:6, 7) Me fjalët e me shembullin e tyre, prindërit u mësojnë fëmijëve se shërbimi është i rëndësishëm dhe se përgatitja për mbledhjet e ndjekja e tyre janë pjesë thelbësore e adhurimit.—Hebrenjve 10:24, 25.
I gatshëm për të falur
11. Çfarë u mësoi për faljen dishepujve të tij Jezui?
11 Falja është një aspekt i dashurisë. (Kolosianëve 3:13, 14) Sipas 1 Korintasve 13:5, dashuria «nuk e mban llogari të keqen». Në shumë raste, Jezui u mësoi dishepujve të tij sa e rëndësishme ishte të falnin. I nxiti t’i falnin të tjerët «jo deri në 7 herë, por deri në 77 herë», domethënë pa limit. (Mateu 18:21, 22) U tha se, nëse dikush që kishte mëkatuar pendohej pasi e qortonin, ata duhej ta falnin. (Luka 17:3, 4) Megjithatë, Jezui nuk ishte si farisenjtë hipokritë, që ndryshe thoshin e ndryshe bënin. Përkundrazi, i zbatonte edhe vetë gjërat që u mësonte të tjerëve. (Mateu 23:2-4) Le të shohim si e tregoi Jezui që ishte i gatshëm të falte, edhe kur u zhgënjye nga një mik i besuar.
12, 13. (a) Si e zhgënjeu Pjetri Jezuin natën që e arrestuan? (b) Si e tregoi Jezui pas ringjalljes, se vepronte në përputhje me atë që predikonte për faljen?
12 Jezui kishte miqësi të ngushtë me apostullin Pjetër, i cili edhe pse zemërmirë, ndonjëherë tregohej impulsiv. Jezui i dalloi cilësitë e mira të Pjetrit dhe i dha përgjegjësi të veçanta shërbimi. Së bashku me Jakovin dhe Gjonin, Pjetri pa me sytë e tij disa mrekulli që apostujt e tjerë nuk i panë. (Mateu 17:1, 2; Luka 8:49-55) Siç e përmendëm në fillim, Pjetri ishte një nga apostujt që shoqëroi Jezuin kur hyri më në brendësi të kopshtit të Getsemanisë. Megjithatë, po atë natë, kur Jezuin e tradhtuan dhe e arrestuan, Pjetri, ashtu si apostujt e tjerë, ia mbathi dhe e braktisi. Gjithsesi, pak më vonë, mori guximin dhe shkoi tek oborri i kryepriftit ndërkohë që Jezuit po i bëhej një gjyq i paligjshëm. Por më pas u frikësua dhe bëri një gabim të rëndë: tri herë gënjeu, duke mohuar se e njihte Jezuin. (Mateu 26:69-75) Si reagoi Jezui? Si do të kishe reaguar ti nëse një mik i ngushtë do të të kishte zhgënjyer në këtë mënyrë?
13 Jezui ishte i gatshëm ta falte Pjetrin, sepse e dinte se ndihej i dërrmuar nga ndjenjat e fajit për mëkatin që kishte bërë. Tekefundit, ky apostull i penduar ‘s’ishte përmbajtur dot dhe kishte shpërthyer në lot’. (Marku 14:72) Ditën që Jezui u ringjall, iu shfaq Pjetrit, mbase për ta ngushëlluar e për ta siguruar që e kishte falur. (Luka 24:34; 1 Korintasve 15:5) Pa kaluar dy muaj, Jezui i dha Pjetrit një nder të veçantë, duke e zgjedhur për t’u dëshmuar turmave që ishin mbledhur në Jerusalem për Festën e Ditës së Pesëdhjetë. (Veprat 2:14-40) Të mos harrojmë se Jezui nuk u mbajti mëri as apostujve të tjerë që gjithashtu e braktisën. Përkundrazi, pas ringjalljes, prapë i quajti ‘vëllezërit e mi’. (Mateu 28:10) A nuk tregon kjo që Jezui vepronte në përputhje me atë që predikonte për faljen?!
14. Pse duhet të mësojmë t’i falim të tjerët dhe si e tregojmë se jemi të gatshëm të falim?
14 Si dishepuj të Krishtit, duhet të mësojmë t’i falim të tjerët. Pse? Ndryshe nga Jezui, jemi të papërsosur, siç janë edhe ata që mund të mëkatojnë ndaj nesh. Herë pas here, të gjithë themi ose bëjmë diçka të gabuar. (Romakëve 3:23; Jakovi 3:2) Duke i falur të tjerët kur ka bazë për të treguar mëshirë, hapim rrugën që edhe Perëndia të na falë kur mëkatojmë. (Marku 11:25) Por, si ta tregojmë se jemi të gatshëm t’i falim ata që mëkatojnë ndaj nesh? Në shumë raste, dashuria na ndihmon t’i anashkalojmë gabimet dhe të metat e vogla të të tjerëve. (1 Pjetrit 4:8) Kur ata që na kanë lënduar, pendohen sinqerisht, siç ndodhi me Pjetrin, patjetër që duam të imitojmë Jezuin, ndaj do të jemi të gatshëm t’i falim. Në vend se ta mbajmë mendjen te fakti që na kanë lënduar, tregohemi të mençur kur zgjedhim të mos u mbajmë mëri. (Efesianëve 4:32) Duke vepruar kështu, i kontribuojmë paqes në kongregacion, por edhe ne vetë do të gëzojmë paqe në mendje e në zemër.—1 Pjetrit 3:11.
Tregoi se kishte besim te dishepujt
15. Pse u besonte Jezui dishepujve, pavarësisht nga të metat e tyre?
15 Kur i duam të tjerët, u besojmë atyre. Dashuria «beson çdo gjë». c (1 Korintasve 13:7) Ngaqë i donte dishepujt, Jezui tregoi se kishte besim tek ata edhe pse ishin të papërsosur. Ishte i bindur se e donin Jehovain me gjithë zemër dhe dëshironin të bënin vullnetin e Tij. Edhe kur bënin gabime, nuk i vinte në dyshim motivet e tyre. Për shembull, në një rast, dy apostuj, Jakovi dhe Gjoni, e shtynë nënën e tyre t’i kërkonte Jezuit të uleshin përkrah tij në Mbretërinë e Perëndisë. Ai nuk e vuri në dyshim besnikërinë e tyre dhe as nuk i konsideroi si të padenjë për të qenë apostuj.—Mateu 20:20-28.
16, 17. Çfarë përgjegjësish u delegoi Jezui dishepujve?
16 Jezui e tregoi se u besonte dishepujve, duke u deleguar përgjegjësi të ndryshme. Në dy raste, kur siguroi ushqim për turmat me anë të një mrekullie, u delegoi dishepujve përgjegjësinë për të shpërndarë ushqimin. (Mateu 14:19; 15:36) Në një rast tjetër, caktoi Pjetrin dhe Gjonin që të shkonin në Jerusalem e të përgatitnin Festën e Kalimit, e cila, për Jezuin, do të ishte e fundit. Ata siguruan qengjin, verën, bukën pa maja, barishtet e hidhura dhe çdo gjë tjetër të nevojshme. Ky caktim ishte i rëndësishëm, sepse kremtimi siç duhej i Festës së Kalimit, ishte kërkesë e Ligjit të Moisiut, dhe Jezui duhej ta zbatonte me kujdes. Veç kësaj, po atë mbrëmje, Jezui do të përdorte verën e bukën pa maja si simbole të gjakut dhe të trupit të vet, për të themeluar Përkujtimin e vdekjes së tij.—Mateu 26:17-19; Luka 22:8, 13.
17 Jezui vazhdoi të tregonte se kishte besim te dishepujt e tij, duke u dhënë përgjegjësi edhe më të mëdha. Gjithashtu, nuk harrojmë se u besoi caktimin e rëndësishëm për të predikuar e për të bërë dishepuj. (Mateu 28:18-20) Veç kësaj, u tha atyre se do t’i delegonte një grupi të vogël dishepujsh të mirosur në tokë përgjegjësinë me peshë për të siguruar ushqim besimforcues. (Luka 12:42-44) Edhe tani, ndonëse është në qiell dhe po qeveris si mbret, Jezui vazhdon të tregojë se ka besim te dishepujt e tij, duke siguruar «dhurata në njerëz» që të kujdesen për kongregacionin e krishterë.—Efesianëve 4:8, 11, 12.
18-20. (a) Si ta tregojmë se u besojmë bashkëbesimtarëve? (b) Si ta imitojmë gatishmërinë e Jezuit për t’u deleguar përgjegjësi të tjerëve? (c) Çfarë do të shqyrtojmë në kapitullin tjetër?
18 Si ta ndjekim shembullin e Jezuit në marrëdhëniet me të tjerët? Kur u besojmë bashkëbesimtarëve, po tregojmë se i duam. Le të mos harrojmë që, nëse i duam të tjerët, do të përqendrohemi te cilësitë e mira në vend se te të metat e tyre. Kur të na zhgënjejnë—dhe kjo do të ndodhë hera-herës—dashuria nuk do të na lejojë të nxjerrim menjëherë përfundimin se e bëjnë këtë me motive të këqija. (Mateu 7:1, 2) Nëse mbajmë një pikëpamje pozitive për bashkëbesimtarët, do t’i trajtojmë në mënyra që i forcojnë, jo që i shkurajojnë.—1 Selanikasve 5:11.
19 A mund ta imitojmë gatishmërinë e Jezuit për t’u besuar të tjerëve? Vëllezërit që kanë përgjegjësi në kongregacion, për shembull, mund t’u delegojnë të tjerëve caktime të rëndësishme, të sigurt se do t’i përmbushin më së miri. Në këtë mënyrë, pleqtë me përvojë u japin një stërvitje të nevojshme dhe dobiprurëse të rinjve që po ‘synojnë’ të ndihmojnë kongregacionin. (1 Timoteut 3:1; 2 Timoteut 2:2) Kjo stërvitje është jetësore. Ndërsa Jehovai vazhdon të tërheqë gjithnjë e më shumë njerëz drejt organizatës, nevojiten burra të kualifikuar për t’u kujdesur për ta.—Isaia 60:22.
20 Jezui na ka lënë një shembull të mrekullueshëm në shfaqjen e dashurisë. Mënyra më e rëndësishme si e imitojmë, është duke i dashur të tjerët. Në kapitullin vijues, do të shqyrtojmë shprehjen më të madhe të dashurisë së Jezuit—gatishmërinë e tij për të dhënë jetën për ne.
a Lodhja fizike nuk ishte shkaku i vetëm pse apostujt po dremitnin. Tregimi paralel te Luka 22:45 thotë se Jezui «i gjeti duke dremitur, ngaqë u ishin shterur fuqitë nga hidhërimi».
b Me sa duket, në atë kohë Maria ishte e ve dhe fëmijët e tjerë të saj nuk ishin ende dishepuj të Jezuit.—Gjoni 7:5.
c Sigurisht që kjo nuk do të thotë se dashuria është naive. Përkundrazi, nënkupton se ajo nuk është kritikuese ose dyshuese pa pasur arsye. Dashuria nuk është e shpejtë për të gjykuar motivet e të tjerëve dhe as nuk nxjerr menjëherë përfundime negative për ta.