KAPITULLI SHTATË
«Mendoni me kujdes» për qëndrueshmërinë e Jezuit
1-3. (a) Sa i fortë ishte ankthi që ndiente Jezui në kopshtin e Getsemanisë dhe pse? (b) Ç’mund të themi për shembullin e qëndrueshmërisë që la Jezui, dhe cilat pyetje lindin?
PRESIONI po i bëhej i padurueshëm. Jezui nuk kishte përjetuar kurrë më parë një stres të tillë mendor dhe emocional. Ishin orët e fundit të jetës së tij në tokë. Bashkë me apostujt kishte shkuar në një vend që ata e njihnin mirë, në kopshtin e Getsemanisë. Ata takoheshin shpesh atje, por atë natë Jezui kishte nevojë të qëndronte pak kohë vetëm. Kështu, u shkëput nga apostujt dhe u fut më në brendësi të kopshtit, ra në gjunjë dhe nisi të lutej. Lutjet e tij ishin të zjarrta, dhe e kishte pushtuar një ankth kaq i fortë, saqë djersa iu bë «si pika gjaku që binin përtokë».—Luka 22:39-44.
2 Po pse kishte kaq shumë ankth Jezui? Edhe pse e dinte se së shpejti do t’i duhej të përjetonte vuajtje fizike të papërshkrueshme, nuk ishte kjo arsyeja pse ndihej kështu. Në mendje e trazonin çështje shumë më të rëndësishme. Ai ishte tej mase në merak për shenjtërimin e emrit të Atit dhe e dinte se e ardhmja e familjes njerëzore varej nga fakti nëse do të qëndronte apo jo besnik. Jezui e kuptonte sa jetësore ishte të tregonte qëndrueshmëri. Po të dështonte, do t’i sillte sharje të rëndë emrit të Jehovait. Por ai nuk dështoi, duke lënë kështu shembullin më të mirë të qëndrueshmërisë në tokë. Më vonë, po atë ditë, disa çaste para se të jepte frymën e fundit, thirri fitimtar: «U krye!»—Gjoni 19:30.
3 Bibla na nxit ‘të mendojmë me kujdes për atë [Jezuin] që duroi’. (Hebrenjve 12:3) Me të drejtë lindin disa pyetje të rëndësishme: Cilat janë disa sprova që duroi Jezui? Si arriti të tregonte qëndrueshmëri? Si mund ta ndjekim shembullin e tij? Por, para se t’u përgjigjemi këtyre pyetjeve, le të shqyrtojmë se çfarë përfshin qëndrueshmëria.
Çfarë është qëndrueshmëria?
4, 5. (a) Çfarë kuptimi ka fjala e përkthyer «qëndrueshmëri»? (b) Ilustro pse qëndrueshmëria nuk përfshin thjesht të kalosh vështirësi, të cilave s’ke si t’u shpëtosh.
4 Herë pas here, të gjithë ‘vuajmë për shkak të sprovave të ndryshme’. (1 Pjetrit 1:6) Por, a do të thotë fakti që po kalojmë një sprovë se medoemos po tregojmë qëndrueshmëri? Jo. Fjala greke e përkthyer «qëndrueshmëri» do të thotë «aftësi për të rezistuar ose për të mos u dorëzuar përpara vështirësive». Një studiues e shpjegon kështu qëndrueshmërinë për të cilën folën shkrimtarët e Biblës: «Ajo është fryma që mund t’i durojë gjërat jo thjesht ngaqë s’ka rrugë tjetër, por ngaqë ka një shpresë të zjarrtë . . . Është cilësia që e mban një njeri në këmbë, me fytyrën kthyer kundër erës. Është virtyti që mund ta shndërrojë sprovën më të rëndë në lavdi, sepse përtej dhimbjes sheh synimin që duhet arritur.»
5 Pra, thjesht fakti që dikush po kalon një vështirësi, nuk do të thotë se po tregon qëndrueshmëri. Sipas Biblës, qëndrueshmëria përfshin vendosmërinë për të qenë i palëkundur, duke mbajtur qëndrimin e duhur mendor dhe një pikëpamje pozitive për sprovën. Ta ilustrojmë: dy burra janë në të njëjtën qeli burgu për arsye krejt të ndryshme. Njëri është një kriminel i rëndomtë, që, gjithë mërzi, e kryen dënimin nga halli se s’ka zgjidhje tjetër, ndërsa tjetri është një i krishterë i vërtetë, i burgosur për besnikërinë e tij. Ama është i gëzuar dhe qëndron i palëkundur, sepse e kupton që kjo situatë është një mundësi për të treguar besimin e tij. Krimineli patjetër që s’mund të konsiderohet shembull qëndrueshmërie, kurse i krishteri besnik është një shembull i shkëlqyer i kësaj cilësie.—Jakovi 1:2-4.
6. Si e zhvillojmë qëndrueshmërinë?
6 Qëndrueshmëria është jetësore për të shpëtuar. (Mateu 24:13) Megjithatë, kjo cilësi e domosdoshme nuk është e lindur, ndaj duhet zhvilluar. Si? Te Romakëve 5:3 thuhet: «Shtrëngimet sjellin qëndrueshmëri.» Po, nëse duam të zhvillojmë vërtet qëndrueshmëri, duhet të përpiqemi të mos shmangim çdo sprovë besimi. Duhet t’u bëjmë ballë me guxim, edhe kur jemi të frikësuar. Mësojmë të tregojmë qëndrueshmëri kur përballemi çdo ditë me sprova të mëdha e të vogla dhe i kapërcejmë ato. Çdo sprovë që kalojmë, na bën edhe më të fortë për të përballuar tjetrën që do të vijë. Sigurisht, nuk ia dalim dot ta zhvillojmë qëndrueshmërinë vetëm me forcat tona. Kemi nevojë ‘të mbështetemi te fuqia që jep Perëndia’. (1 Pjetrit 4:11) Që të na ndihmojë të qëndrojmë të palëkundur, Jehovai na ka dhënë shembullin më të mirë, atë të Birit të tij. Le ta shqyrtojmë më nga afër këtë shembull të përsosur qëndrueshmërie.
Çfarë duroi Jezui?
7, 8. Çfarë duroi Jezui ndërsa po i afrohej fundit të jetës së tij në tokë?
7 Ndërsa po i afrohej fundit të jetës në tokë, Jezui hasi lloj-lloj mizorish. Përveç ankthit ekstrem që përjetoi natën e fundit, mendo për zhgënjimin dhe poshtërimin që duhet të ketë ndier. Një shok i ngushtë e tradhtoi, miqtë më të mirë e braktisën dhe u përball me një gjyq të paligjshëm, gjatë të cilit, anëtarët e gjykatës më të lartë fetare të vendit, e tallën, e pështynë dhe e goditën me grushte. E megjithatë, ai i duroi të gjitha me dinjitet, qetësi dhe guxim.—Mateu 26:46-49, 56, 59-68.
8 Në çastet e fundit të jetës, Jezui duroi vuajtje fizike të papërshkrueshme. E fshikulluan me kamxhik, ndëshkim ky që, sipas një reviste mjekësore, shkaktonte «çarje të thella të stërgjatura dhe humbje të konsiderueshme gjaku». E vunë në shtyllë, ku e priste «një vdekje e ngadaltë, e shoqëruar me vuajtje të paimagjinueshme». Mendo për dhimbjet therëse që duhet të ketë ndier ndërsa i ngulnin në duar e në këmbë gozhdë të mëdha për ta mbërthyer në shtyllë. (Gjoni 19:1, 16-18) Përfytyro dhimbjen e padurueshme që ndjeu kur shtylla u vendos drejt, e pesha e trupit iu var te gozhdët dhe kurrizi i bërë copë iu fërkua pas shtyllës. Ai i duroi gjithë këto vuajte fizike të tejskajshme, ndërkohë që mbante edhe peshën emocionale të përmendur në fillim të kapitullit.
9. Çfarë përfshin të marrim ‘shtyllën e torturës’ dhe të ndjekim Jezuin?
9 Si dishepuj të Krishtit, çfarë mund të na duhet të durojmë? Jezui tha: «Nëse ndokush dëshiron të vijë pas meje, le . . . të marrë shtyllën e vet të torturës dhe të më ndjekë vazhdimisht.» (Mateu 16:24) Shprehja ‘shtylla e torturës’ e përdorur këtu, ka kuptim të figurshëm dhe përfaqëson vuajtjet, turpin e madje edhe vdekjen. Të ndjekësh Krishtin nuk është e lehtë. Për shkak të standardeve të krishtere, jemi ndryshe nga të tjerët. Meqë nuk jemi pjesë e kësaj bote, ajo na urren. (Gjoni 15:18-20; 1 Pjetrit 4:4) Gjithsesi, jemi të gatshëm të marrim shtyllën tonë të torturës—të gatshëm të vuajmë e madje edhe të vdesim—vetëm e vetëm që të vazhdojmë të ndjekim shembullin e Jezuit.—2 Timoteut 3:12.
10-12. (a) Pse papërsosmëritë e atyre që e rrethonin ishin një sprovë qëndrueshmërie për Jezuin? (b) Cilat ishin disa situata sprovuese që duroi Jezui?
10 Gjatë shërbimit, Jezui hasi edhe sprova të tjera për shkak të papërsosmërive të atyre që e rrethonin. Mos harro se ai ishte ‘kryemjeshtri’ që Jehovai e përdori për të krijuar tokën dhe jetën në të. (Proverbat 8:22-31) Pra, Jezui e dinte çfarë qëllimi kishte Jehovai për njerëzit: të pasqyronin cilësitë e Tij dhe të gëzonin jetë me shëndet të përsosur. (Zanafilla 1:26-28) Kur erdhi në tokë, Jezui i pa pasojat tragjike të mëkatit nga një këndvështrim tjetër: tani ishte vetë njeri, në gjendje për të provuar ndjenja dhe emocione njerëzore. Sa duhet të jetë hidhëruar kur ka parë me sytë e vet sa të papërsosur ishin bërë njerëzit! Kjo ishte një sprovë qëndrueshmërie për Jezuin. A do të shkurajohej e të dorëzohej, duke i parë njerëzit mëkatarë si rast i pashpresë? Le të shohim.
11 Ngaqë shumë judenj nuk pranuan ta dëgjonin mesazhin e Jezuit, ai u ndie kaq i dëshpëruar, sa qau haptazi. Por, a lejoi që kjo indiferencë t’ia ulte zellin ose ta pengonte të predikonte? Përkundrazi, ai vazhdoi t’i «mësonte [të tjerët] përditë në tempull». (Luka 19:41-44, 47) Në një rast, ‘u hidhërua’ tej mase nga pandjeshmëria e farisenjve, të cilët po e vëzhgonin me kujdes nëse do ta shëronte apo jo një njeri në sabat. Por a i lejoi ata kundërshtarë arrogantë që ta frikësonin? Absolutisht jo! Jezui nuk u spraps dhe e shëroi atë njeri në sy të të gjithëve, pikërisht në mes të sinagogës.—Marku 3:1-5.
12 Një sprovë tjetër për Jezuin duhet të kenë qenë dobësitë e dishepujve më të afërt. Siç e pamë në kapitullin 3, ata shfaqnin vazhdimisht dëshirën për t’u dukur. (Mateu 20:20-24; Luka 9:46) Jezui i këshilloi disa herë me radhë që të ishin të përulur. (Mateu 18:1-6; 20:25-28) Megjithatë, ata nuk ndryshuan menjëherë. Madje, natën e fundit që ishte me ta, mes dishepujve ‘u hap një debat i zjarrtë’ se kush ishte më i madhi. (Luka 22:24) A hoqi dorë prej tyre Jezui, duke menduar se ishin një rast i pashpresë? Jo. Gjithmonë i duruar dhe optimist, nuk rreshti së besuari se ata do të ndryshonin. Vazhdoi të shihte cilësitë e mira te dishepujt. E dinte se e donin Jehovain dhe dëshironin vërtet të bënin vullnetin e Tij.—Luka 22:25-27.
13. Cilat sprova të ngjashme me ato të Jezuit mund të hasim edhe ne?
13 Edhe ne mund të hasim sprova të ngjashme me ato të Jezuit. Për shembull, mund të takojmë njerëz që nuk e pranojnë mesazhin e Mbretërisë, a madje e kundërshtojnë atë. A do të lejojmë që reagime të tilla negative të na shkurajojnë, apo do të vazhdojmë të predikojmë me zell? (Titit 2:14) Gjithashtu, mund të hasim sprova si pasojë e papërsosmërive të vëllezërve tanë të krishterë. Një fjalë e thënë pa u menduar ose një veprim i nxituar i të tjerëve mund të na lëndojë. (Proverbat 12:18) A do të përqendrohemi vetëm te gabimet që bëjnë, duke menduar se nuk do të ndryshojnë kurrë? Apo do të vazhdojmë t’i durojmë të metat e tyre dhe të kërkojmë gjërat e mira tek ata?—Kolosianëve 3:13.
Pse tregoi qëndrueshmëri Jezui?
14. Cilët ishin dy faktorë që e ndihmuan Jezuin të qëndronte i palëkundur?
14 Çfarë e ndihmoi Jezuin të qëndronte i palëkundur dhe të ruante integritetin, pavarësisht nga poshtërimet, zhgënjimet dhe vuajtjet që hasi? E ndihmuan dy faktorë të rëndësishëm. Së pari, Jezui i drejtonte sytë nga Jehovai për ndihmë, duke iu lutur ‘Perëndisë që jep qëndrueshmëri’. (Romakëve 15:5) Së dyti, shihte nga e ardhmja, domethënë përqendrohej te gjërat e mrekullueshme që do të vinin si rezultat i qëndrueshmërisë së tij. Le t’i shqyrtojmë një nga një këta faktorë.
15, 16. (a) Si e kuptojmë që Jezui nuk mbështetej te forcat e veta për të treguar qëndrueshmëri? (b) Për çfarë ishte i sigurt Jezui dhe pse?
15 Edhe pse ishte Biri i përsosur i Perëndisë, Jezui nuk u mbështet te forcat e veta për të treguar qëndrueshmëri. Ai iu drejtua në lutje Atit të tij qiellor për t’i kërkuar ndihmë. Apostulli Pavël shkroi: «Me klithma të forta dhe lot, Krishti iu përgjërua dhe i bëri kërkesa Atij që ishte në gjendje ta shpëtonte nga vdekja.» (Hebrenjve 5:7) Siç e shikon, Jezui nuk «bëri» vetëm kërkesa, por edhe u përgjërua. Fjala «përgjërim» ka të bëjë me një lutje të bërë me ngulm dhe që buron nga zemra, me fjalë të tjera do të thotë të lypësh ndihmë. Në gjuhën e vjetër greke, kjo falë është përdorur në shumës, çka tregon se Jezui iu lut me përgjërim Jehovait më shumë se një herë. Për shembull, në kopshtin e Getsemanisë, ai u lut me gjithë shpirt disa herë me radhë.—Mateu 26:36-44.
16 Jezui ishte plotësisht i sigurt se Jehovai do t’u përgjigjej përgjërimeve të tij, sepse e dinte që është ‘Dëgjuesi i lutjes’. (Psalmi 65:2) Para se të vinte si njeri në tokë, Biri i parëlindur kishte vënë re si u ishte përgjigjur Ati lutjeve të adhuruesve besnikë. Për shembull, Jezui ishte dëshmitar okular në qiell kur Jehovai dërgoi një engjëll për t’iu përgjigjur lutjes me gjithë shpirt të profetit Daniel, madje para se ta përfundonte lutjen. (Danieli 9:20, 21) Atëherë, si mundet Ati të mos i përgjigjej Birit të tij të vetëmlindur, kur i zbrazi zemrën «me klithma të forta dhe lot»? Ai i dëgjoi vërtet përgjërimet e Jezuit dhe dërgoi një engjëll për t’i dhënë forcë që të qëndronte besnik.—Luka 22:43.
17. Pse duhet t’i kërkojmë ndihmë Jehovait për të treguar qëndrueshmëri dhe si mund ta bëjmë këtë?
17 Që të tregojmë qëndrueshmëri, edhe ne duhet t’i drejtohemi për ndihmë Perëndisë ‘që jep fuqi’. (Filipianëve 4:13) Nëse edhe Biri i përsosur i Perëndisë e ndiente të nevojshme t’i përgjërohej atij për ndihmë, aq më shumë ne! Ashtu si Jezui, mund të na duhet t’i përgjërohemi Jehovait disa herë me radhë. (Mateu 7:7) Edhe pse nuk shpresojmë të na vijë ndonjë engjëll, mund të jemi të sigurt për këtë: Perëndia ynë i dashur do t’u përgjigjet lutjeve të të krishterëve besnikë që ‘vazhdojnë të përgjërohen e të luten natë e ditë’. (1 Timoteut 5:5) Çfarëdo sprove të hasim—probleme shëndetësore, vdekja e një të afërmi ose përndjekje nga kundërshtarët—Jehovai do t’u përgjigjet lutjeve tona të zjarrta për mençuri, guxim dhe forcë për të treguar qëndrueshmëri.—2 Korintasve 4:7-11; Jakovi 1:5.
18. Çfarë e ndihmoi tjetër Jezuin që të tregonte qëndrueshmëri?
18 Faktori i dytë që e ndihmoi Jezuin të tregonte qëndrueshmëri, ishte se shihte përtej vuajtjeve dhe përqendrohej tek e ardhmja, tek ajo që e priste. Bibla thotë për Jezuin: «Për gëzimin që iu vu përpara, ai duroi një shtyllë torture.» (Hebrenjve 12:2) Shembulli i Jezuit ilustron se si bashkëveprojnë shpresa, gëzimi dhe qëndrueshmëria. Mund të përmblidhet kështu: shpresa sjell gëzim dhe gëzimi, qëndrueshmëri. (Romakëve 15:13; Kolosianëve 1:11) Jezuin e priste një e ardhme të mrekullueshme. E dinte se besnikëria e tij do të ndihmonte në shenjtërimin e emrit të Atit dhe do t’i jepte mundësi ta riblente familjen njerëzore nga mëkati e nga vdekja. Gjithashtu, Jezui kishte shpresën për të qeverisur si Mbret dhe për të shërbyer si Kryeprift, që t’u sillte akoma më shumë bekime njerëzve të bindur. (Mateu 20:28; Hebrenjve 7:23-26) Duke u përqendruar tek e ardhmja dhe te shpresa që kishte, Jezui provoi një gëzim të madh, dhe kjo e ndihmoi të tregonte qëndrueshmëri.
19. Si mund të bashkëveprojnë shpresa, gëzimi dhe qëndrueshmëria kur kemi sprova besimi?
19 Ashtu si Jezui, edhe ne duhet të lëmë që shpresa, gëzimi dhe qëndrueshmëria të bashkëveprojnë për dobinë tonë. Apostulli Pavël tha: «Gëzoni në shpresë.» Pastaj shtoi: «Qëndroni në shtrëngime.» (Romakëve 12:12) A je duke u përballur me një sprovë të rëndë besimi? Nëse po, përpiqu me të gjitha forcat të shohësh përtej sprovës. Mbaj në mendje si do t’i sjellë lavdi emrit të Jehovait qëndrueshmëria jote. Vazhdo t’i kujtosh vetes shpresën e çmuar të Mbretërisë. Përfytyroje veten në botën e re të Perëndisë, ndërsa përjeton bekimet e Parajsës. Duke imagjinuar përmbushjen e gjërave të mrekullueshme që ka premtuar Jehovai—shenjtërimin e emrit të tij, heqjen e ligësisë nga toka dhe zhdukjen e sëmundjeve e të vdekjes—do të të mbushet zemra me gëzim, dhe gëzimi mund të të ndihmojë të durosh çdo sprovë. Në krahasim me gëzimin që do të përjetojmë në botën e re të Perëndisë, çdo vuajtje sot është thjesht ‘kalimtare dhe e lehtë’.—2 Korintasve 4:17.
«Ndiqni me kujdes gjurmët e tij»
20, 21. Çfarë pret Jehovai nga ne për sa i përket qëndrueshmërisë dhe për çfarë duhet të jemi të vendosur?
20 Jezui e dinte shumë mirë se, për të qenë dishepull i tij, nuk do të ishte e lehtë, ndaj do të kërkohej qëndrueshmëri. (Gjoni 15:20) Ai ishte i gatshëm t’i duronte sprovat dhe e dinte se shembulli i tij do të forconte të tjerët. (Gjoni ) Kuptohet, Jezui la shembullin e përsosur të qëndrueshmërisë, ama ne jemi të papërsosur. Atëherë, çfarë pret Jehovai nga ne? Pjetri shpjegon: «Krishti vuajti për ju e ju la një model, që të ndiqni me kujdes gjurmët e tij.» ( 16:331 Pjetrit 2:21) Me mënyrën si i përballoi sprovat, Jezui la «një model», domethënë një shembull për t’u ndjekur a kopjuar. a Qëndrueshmërinë e tij mund ta krahasojmë me «gjurmët». Edhe pse s’mund t’i ndjekim dot në mënyrë të përsosur këto gjurmë, mund të përpiqemi t’i ndjekim «me kujdes».
21 Atëherë, le të jemi të vendosur të ndjekim sa më mirë të mundemi shembullin e Jezuit! Kurrë të mos harrojmë që, sa më me kujdes t’i ndjekim gjurmët e tij, aq më të përgatitur do të jemi për të qëndruar «deri në fund», qoftë ky fundi i këtij sistemi ose fundi i jetës sonë. Nuk e dimë cili do të vijë më parë, por dimë këtë: Jehovai do të na shpërblejë gjatë gjithë përjetësisë për qëndrueshmërinë tonë.—Mateu 24:13.
a Fjala greke e përkthyer «model», fjalë për fjalë do të thotë «e shkruar poshtë». Apostulli Pjetër është i vetmi që e përdor këtë fjalë në Shkrimet e Krishtere Greke. Kjo fjalë i referohet «‘një shembulli’ që mësuesi ka lënë në fletoren e një fëmije, siç mund të jetë një germë a fjalë e shkruar bukur, të cilën fëmija duhet ta kopjojë sa më mirë të mundet».