Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

KAPITULLI NËNTË

«Shkoni dhe bëni dishepuj»

«Shkoni dhe bëni dishepuj»

Ç’mund të bëjë bujku, nëse të korrat janë shumë të mëdha e nuk i mbledh dot vetëm?

1-3. (a) Çfarë bën një bujk kur të korrat janë shumë të mëdha e nuk i mbledh dot vetëm? (b) Me çfarë problemi u përball Jezui në pranverën e vitit 33 të e.s. dhe si e zgjidhi?

 NJË bujk është vërtet në hall. Para disa muajsh, ai kishte lëruar dhe kishte mbjellë arat e tij. Ndërsa koha kalonte, shikonte me kujdes të madh bisqet e para kur dilnin dhe gëzohej shumë teksa bimët rriteshin. Tani, i gjithë mundi i tij është shpërblyer, sepse ka ardhur koha e korrjes. Por halli është se të korrat janë shumë të mëdha e nuk i mbledh dot vetëm. Prandaj vendos të marrë ca punëtorë me mëditje dhe i dërgon në arat e tij. Tekefundit nuk i mbetet shumë kohë për të mbledhur të korrat e çmuara!

2 Në pranverën e vitit 33 të e.s., Jezui i ringjallur u gjend përpara një vështirësie të ngjashme. Gjatë shërbimit të tij në tokë, kishte mbjellë farat e së vërtetës. Tani ato duheshin korrur, por të korrat ishin me bollëk. Shumë njerëz me zemër të sinqertë duheshin mbledhur që të bëheshin dishepuj. (Gjoni 4:35-38) Si e zgjidhi Jezui këtë problem? Në një mal të Galilesë, pak para se të ngjitej në qiell, ai u dha dishepujve urdhërimin për të gjetur më shumë punëtorë, duke thënë: «Shkoni dhe bëni dishepuj njerëz nga të gjitha kombet, duke i pagëzuar . . . dhe duke i mësuar të zbatojnë të gjitha gjërat që ju kam urdhëruar.»—Mateu 28:19, 20.

3 Vetëm duke zbatuar këtë urdhërim mund të quhesh dishepull i vërtetë i Krishtit. Atëherë le të shqyrtojmë tri pyetje. Pse Jezui dha urdhërimin për të gjetur më shumë punëtorë? Si i stërviti dishepujt që t’i gjenin këta punëtorë? Si zbatohet për ne ky urdhërim?

Pse duheshin më shumë punëtorë?

4, 5. Pse Jezui nuk do ta mbaronte dot veprën që kishte nisur dhe kush do ta vazhdonte pasi të kthehej në qiell?

4 Kur filloi shërbimin në vitin 29 të e.s., Jezui e dinte se po niste një vepër që nuk do ta mbaronte dot vetë. Me aq pak kohë sa i kishte mbetur në tokë, s’do të arrinte të fliste për mesazhin e Mbretërisë kudo dhe me këdo. Ai e përqendroi predikimin kryesisht te judenjtë dhe te prozelitët, pra «te delet e humbura të shtëpisë së Izraelit». (Mateu 15:24) Por ato ‘dele të humbura’ ishin shpërndarë anembanë Izraelit, një vend që shtrihej në një sipërfaqe prej mijëra kilometrash katrorë. Përveç kësaj, me kalimin e kohës, lajmi i mirë duhej të predikohej edhe në pjesën tjetër të botës.—Mateu 13:38; 24:14.

5 Jezui e kuptonte se një pjesë e mirë e punës do të mbetej për t’u bërë pas vdekjes së tij. Ai u tha 11 apostujve besnikë: «Me të vërtetë po ju them: kush tregon besim tek unë, do të bëjë veprat që bëj unë. Madje do të bëjë vepra edhe më të mëdha se këto, sepse unë po shkoj tek Ati.» (Gjoni 14:12) Meqë Biri po kthehej në qiell, veprën e predikimit dhe të mësimdhënies do të duhej ta vazhdonin dishepujt e tij—jo vetëm apostujt, por të gjithë ata që në të ardhmen do të bëheshin dishepuj. (Gjoni 17:20) Me përulësi, Jezui e pranoi se veprat e tyre do të ishin «më të mëdha» se të tijat. Në ç’kuptim do të ishin më të mëdha? Në tri aspekte.

6, 7. (a) Në cilat aspekte veprat e dishepujve do të ishin më të mëdha se të Jezuit? (b) Si e tregojmë se Jezui kishte të drejtë që shfaqi besim te dishepujt e tij?

6 Së pari, dishepujt e Jezuit do të mbulonin më shumë territor. Sot dëshmia e tyre ka arritur deri në skajet e tokës, goxha larg kufijve të vendit ku predikoi Jezui. Së dyti, do të kontaktonin më shumë njerëz. Grupi i vogël i dishepujve që stërviti Jezui, shpejt u rrit në mijëra veta. (Veprat 2:41; 4:4) Tani ata janë me miliona dhe çdo vit pagëzohen qindra mijë të tjerë. Së treti, do të predikonin për një kohë më të gjatë, deri në ditët tona, pothuajse 2.000 vjet pas shërbimit të Jezuit, që zgjati vetëm tre vjet e gjysmë.

7 Kur Jezui tha se dishepujt e tij do të bënin «vepra më të mëdha se këto», po shprehte sigurinë që kishte tek ata. Po u besonte një vepër që për të kishte rëndësi parësore: t’u predikonin dhe t’u mësonin të tjerëve «lajmin e mirë për Mbretërinë e Perëndisë». (Luka 4:43) Ishte i bindur se do ta kryenin me besnikëri këtë caktim. Ç’do të thotë kjo për ne sot? Kur predikojmë me zell, tregojmë se Jezui kishte të drejtë që ua besoi këtë vepër dishepujve të tij. A nuk është ky një privilegj i veçantë?—Luka 13:24.

Të stërvitur për të dhënë dëshmi

Dashuria na motivon të predikojmë kudo ku ka njerëz

8, 9. Çfarë shembulli la Jezui në shërbim dhe si mund ta imitojmë?

8 Jezui u dha dishepujve stërvitjen më të mirë të mundshme për të kryer shërbimin e tyre. Ai e bëri këtë duke u lënë një shembull të përsosur. (Luka 6:40) Në kapitullin e mëparshëm, shqyrtuam qëndrimin e tij ndaj shërbimit. Përfytyro për një moment, çfarë mund të kenë mësuar nga Jezui dishepujt që e shoqëronin në predikim. Ata e panë se ai predikonte kudo që gjente njerëz: buzë liqeneve, nëpër kodra, në qytete, në pazare dhe në shtëpitë e tyre. (Mateu 5:1, 2; Luka 5:1-3; 8:1; 19:5, 6) E panë edhe se ishte i palodhur. Jezui ngrihej herët në mëngjes dhe predikonte deri natën vonë. Shërbimi ishte jashtëzakonisht i rëndësishëm për të. (Luka 21:37, 38; Gjoni 5:17) Pa dyshim, dishepujt e kuptonin se ai motivohej nga dashuria e thellë për njerëzit. Ndoshta e shihnin si pasqyrohej në fytyrën e tij dhembshuria që ndiente në zemër. (Marku 6:34) Si mendon se ndikoi shembulli i Jezuit te dishepujt? Si do të kishte ndikuar te ti?

9 Si dishepuj të Krishtit, imitojmë shembullin e tij në shërbim. Ja pse s’lëmë gur pa lëvizur me qëllim që të japim «dëshmi të plotë». (Veprat 10:42) Ashtu si Jezui, shkojmë t’i takojmë njerëzit në shtëpitë e tyre. (Veprat 5:42) Po të jetë e nevojshme, e përshtatim programin tonë që të shkojmë atëherë kur ka më shumë mundësi t’i gjejmë në shtëpi. Gjithashtu, duke përdorur gjykim të mirë, përpiqemi t’u predikojmë njerëzve edhe në vende publike: në rrugë, në parqe, në dyqane dhe në vendin e punës. Vazhdojmë ‘të mundohemi e të përpiqemi fort’ në shërbim, sepse e marrim seriozisht këtë vepër. (1 Timoteut 4:10) Dashuria e thellë dhe e sinqertë për të tjerët, na motivon të vazhdojmë të kërkojmë mundësi për të predikuar kudo dhe kurdo që i gjejmë njerëzit.—1 Selanikasve 2:8.

«Të 70 dishepujt u kthyen të gëzuar»

10-12. Çfarë mësimesh të rëndësishme u dha Jezui dishepujve para se t’i dërgonte të predikonin?

10 Një mënyrë tjetër si i stërviti Jezui dishepujt, ishte duke u dhënë udhëzime të hollësishme. Para se t’i dërgonte për të predikuar, në fillim 12 apostujt e më pas 70 dishepujt, Jezui u takua me ta për t’i stërvitur. (Mateu 10:1-15; Luka 10:1-12) Stërvitja i dha rezultatet e saj, sepse te Luka 10:17 lexojmë: «Të 70 dishepujt u kthyen të gëzuar.» Ndonëse rrethanat e dishepujve që jetuan në kohën kur u shkrua Bibla ishin ndryshe nga tonat, prapëseprapë mund të nxjerrim mësime të rëndësishme. Le të shohim dy prej tyre.

11 Jezui i mësoi dishepujt të kishin besim te Jehovai. Ai u tha: «Mos merrni me vete as ar, as argjend dhe as bakër në brez, as trastë buke, as dy palë veshje, as sandale, as shkop, sepse punëtori e meriton ushqimin e vet.» (Mateu 10:9, 10) Në atë kohë, udhëtarët e kishin zakon të merrnin me vete një lloj brezi që e mbanin për paratë, një trastë me ushqime dhe një palë sandale rezervë. a Duke i udhëzuar dishepujt që të mos merakoseshin për këto gjëra, në të vërtetë Jezui po u thoshte: «Besojini tërësisht Jehovait, sepse ai do të kujdeset për nevojat tuaja.» Jehovai do të kujdesej për dishepujt, duke i nxitur ata që pranonin lajmin e mirë të tregoheshin mikpritës, siç e kishin zakon në Izrael.—Luka 22:35.

12 Jezui i mësoi dishepujt të shmangnin shpërqendrimet e panevojshme. Ai u tha: «Mos përshëndetni asnjë rrugës.» (Luka 10:4) Mos po u thoshte të ishin të ftohtë ose indiferentë? Aspak. Në atë kohë, përshëndetjet shpesh përfshinin shumë më tepër se një mirëdita a mirupafshim. Sipas zakonit, përshëndetjet përfshinin disa formalitete dhe biseda mjaft të gjata. Një studiues i Biblës thotë: «Përshëndetjet mes njerëzve të Lindjes nuk bëheshin si tani, me një përkulje të lehtë koke apo me një zgjatje dore, por me përqafime dhe përkulje të shumta, madje deri në tokë. E gjithë kjo kërkonte goxha kohë.» Duke u thënë dishepujve të mos përshëndeteshin sipas zakonit, Jezui po thoshte me fjalë të tjera: «Duhet ta shfrytëzoni sa më mirë kohën, sepse mesazhi që keni është urgjent.» b

13. Si mund ta tregojmë se i marrim seriozisht udhëzimet që u dha Jezui dishepujve të tij në shekullin e parë?

13 Edhe sot, i marrim seriozisht udhëzimet që Jezui u dha dishepujve të tij në shekullin e parë. Ndërsa i shërbejmë Jehovait, tregojmë besim të plotë tek ai. (Proverbat 3:5, 6) E dimë se nuk do të na mungojnë kurrë gjërat e nevojshme, nëse ‘vazhdojmë të kërkojmë në radhë të parë Mbretërinë’. (Mateu 6:33) Anembanë botës lajmëtarët e Mbretërisë në kohë të plotë mund të dëshmojnë se, edhe kur kanë pasur vështirësi, Jehovai u ka siguruar çdo gjë që u nevojitej. (Psalmi 37:25) E dimë shumë mirë edhe se duhet të shmangim shpërqendrimet. Po të mos bëjmë kujdes, ky sistem fare kollaj mund të na shtyjë të devijojmë. (Luka 21:34-36) Tani nuk është koha për t’u shpërqendruar. Mesazhi ynë është urgjent, pasi është në lojë jeta e njerëzve. (Romakëve 10:13-15) Me këtë në mendje, nuk do ta lejojmë botën të na vjedhë energjitë dhe kohën që mund t’ia kushtojmë shërbimit. Të mos harrojmë se nuk na mbetet shumë kohë dhe të korrat janë të mëdha.—Mateu 9:37, 38.

Një urdhërim që na përfshin edhe ne

14. Si e dimë se urdhërimi që gjendet te Mateu 28:18-20 zbatohet për të gjithë dishepujt e Krishtit? (Shih edhe shënimin.)

14 Duke thënë «shkoni dhe bëni dishepuj», Jezui i ringjallur u ngarkoi dishepujve të tij një përgjegjësi me peshë. Ai nuk po mendonte vetëm për dishepujt e pranishëm atë ditë pranvere në malin e Galilesë. c Urdhërimi i Jezuit përfshinte t’u predikohej ‘njerëzve nga të gjitha kombet’, dhe kjo vepër do të vazhdonte «deri në përfundimin e sistemit». Pra, është e qartë se ky urdhërim zbatohet për të gjithë dishepujt e Krishtit, duke na përfshirë edhe ne sot. Le t’i shohim më nga afër fjalët e Jezuit të dokumentuara te Mateu 28:18-20.

15. Pse bëjmë mirë t’i bindemi urdhërimit të Jezuit për të bërë dishepuj?

15 Para se të jepte këtë urdhërim, Jezui tha: «Më është dhënë çdo autoritet në qiell dhe në tokë.» (Vargu 18) A ka vërtet Jezui kaq shumë autoritet? Po, ka. Ai është kryeengjëlli, ndaj nën komandën e tij ka me mijëra e mijëra engjëj. (1 Selanikasve 4:16; Zbulesa 12:7) Si «kreu i kongregacionit», Jezui ka autoritet mbi dishepujt e tij në tokë. (Efesianëve 5:23) Që nga viti 1914, ai po qeveris si Mbret mesianik në qiell. (Zbulesa 11:15) Madje ka autoritet edhe mbi vdekjen, sepse ka fuqinë për të ringjallur të vdekurit. (Gjoni 5:26-28) Duke thënë që në fillim se i ishte dhënë çdo autoritet, Jezui po tregonte se fjalët që do të vijonin nuk ishin një sugjerim, por një urdhërim. Bëjmë mirë t’i bindemi, sepse këtë autoritet nuk e ka marrë vetë; ia ka dhënë Perëndia.—1 Korintasve 15:27.

16. Çfarë donte të na thoshte Jezui me fjalën «shkoni» dhe si e përmbushim këtë caktim?

16 Kur Jezui u dha dishepujve këtë urdhërim, e nisi me fjalën: «Shkoni.» (Vargu 19) Pra, po na thotë të marrim iniciativën që të shkojmë te të tjerët e t’u flasim për mesazhin e Mbretërisë. Për ta bërë këtë, mund të përdorim një shumëllojshmëri metodash. Predikimi shtëpi më shtëpi është një mënyrë shumë e efektshme për t’i kontaktuar drejtpërdrejt njerëzit. (Veprat 20:20) Gjithashtu, kërkojmë mundësi që të japim dëshmi joformale. Jemi gati të nisim një bisedë për lajmin e mirë sa herë që është e përshtatshme në aktivitetet tona të përditshme. Mund të përdorim metoda të ndryshme për t’u predikuar njerëzve, në varësi të nevojave dhe rrethanave të zonës ku jetojnë. Ama një gjë nuk ndryshon: ne ‘shkojmë’ dhe i kërkojmë ata që e meritojnë.—Mateu 10:11.

17. Në ç’mënyrë ‘bëjmë dishepuj’?

17 Më tej Jezui shpjegoi qëllimin e këtij urdhërimi, duke thënë: «Bëni dishepuj njerëz nga të gjitha kombet.» (Vargu 19) Në ç’mënyrë ‘bëjmë dishepuj’? Në thelb, një dishepull është një nxënës, dikush që mësohet nga një tjetër. Por, të bësh dishepuj, nuk do të thotë thjesht t’u japësh njohuri të tjerëve. Kur studiojmë Biblën me njerëzit e interesuar, synimi ynë është t’i ndihmojmë të ndjekin Krishtin. Sa herë që është e mundur, theksojmë shembullin e Jezuit, kështu që studentët tanë mësojnë ta shohin atë si Mësuesin dhe Modelin e tyre, duke jetuar siç jetoi ai dhe duke bërë veprën që bëri ai.—Gjoni 13:15.

18. Pse pagëzimi është ngjarja më e rëndësishme në jetën e një dishepulli?

18 Një pjesë e rëndësishme e urdhërimit, është shprehur me këto fjalë: «Duke i pagëzuar në emër të Atit, të Birit e të frymës së shenjtë.» (Vargu 19) Pagëzimi është ngjarja më e rëndësishme në jetën e një dishepulli, sepse simbolizon më së miri kushtimin e tij me gjithë zemër ndaj Perëndisë. Prandaj është jetësor për shpëtimin. (1 Pjetrit 3:21) Po, nëse një dishepull i pagëzuar vazhdon të bëjë më të mirën në shërbim të Jehovait, mund të presë i sigurt bekimet e pafundme në botën e re që do të vijë. A ke ndihmuar dikë që të bëhet dishepull i pagëzuar i Krishtit? Në shërbimin e krishterë, s’ka gëzim më të madh se ky.—3 Gjonit 4.

19. Çfarë u mësojmë të interesuarve dhe pse ky proces mund të vazhdojë edhe pas pagëzimit?

19 Jezui e shpjegoi pjesën tjetër të urdhërimit me fjalët: «Duke i mësuar të zbatojnë të gjitha gjërat që ju kam urdhëruar.» (Vargu 20) Ne i mësojmë të interesuarit t’u binden urdhërimeve të Jezuit, mes të cilave edhe ato që të duan Perëndinë, të duan të afërmin e të bëjnë dishepuj. (Mateu 22:37-39) Pak nga pak i mësojmë si të shpjegojnë të vërtetat e Biblës dhe të mbrojnë bindjet e tyre. Kur kualifikohen për të marrë pjesë në predikim, dalim në shërbim bashkë me ta. Kështu i mësojmë me shembullin e me fjalët tona si të predikojnë me efektshmëri. Procesi i të mësuarit të një dishepulli të ri nuk mbaron detyrimisht me pagëzimin e tij. Të sapopagëzuarit mund të kenë nevojë për udhëzime të mëtejshme, për të përballuar sfidat që do të hasin ndërsa ndjekin Krishtin.—Luka 9:23, 24.

«Unë jam me ju gjithë ditët»

20, 21. (a) Pse nuk duhet të kemi frikë, ndërkohë që përmbushim caktimin që na dha Jezui? (b) Pse nuk është tani koha për të ulur ritmin dhe për çfarë duhet të jemi të vendosur?

20 Fjalët e fundit të urdhërimit të Jezuit na japin shumë siguri: «Ja, unë jam me ju gjithë ditët, deri në përfundimin e sistemit.» (Mateu 28:20) Jezui e di se ky caktim është shumë i rëndësishëm. E di edhe se me raste do të hasim kundërshtime të ashpra, teksa e përmbushim atë. (Luka 21:12) Por, s’ka pse të kemi frikë. Udhëheqësi ynë nuk pret që ta përmbushim këtë caktim vetëm ose pa asnjë ndihmë. A nuk na jep zemër dijenia se ai që ka «çdo autoritet në qiell dhe në tokë», është me ne për të na mbështetur teksa përmbushim këtë urdhërim?

21 Jezui i siguroi dishepujt se do të ishte me ta ndërsa kryenin shërbimin e tyre, gjatë gjithë shekujve deri në «përfundimin e sistemit». Derisa të vijë fundi, duhet të vazhdojmë të zbatojmë urdhërimin që dha Jezui. Nuk është tani koha për të ulur ritmin. Ende vazhdon një korrje e figurshme mjaft e madhe. Një numër i jashtëzakonshëm njerëzish me zemër të sinqertë po mblidhen në organizatën e Jehovait. Si dishepuj të Krishtit, le të jemi të vendosur ta përmbushim sa më mirë caktimin e rëndësishëm që na është besuar! Të jemi të vendosur që të shpenzojmë kohën, energjitë dhe të ardhurat tona për të zbatuar urdhërimin e Krishtit: «Shkoni dhe bëni dishepuj.»

a Brezi për paratë shërbente për të mbajtur monedhat. Ndërsa trasta për ushqimet ishte më e madhe dhe mbante ushqime ose gjëra të tjera. Ajo zakonisht ishte prej lëkure dhe vihej në sup.

b Një herë, profeti Elise dha udhëzime të ngjashme. Kur e dërgoi shërbëtorin e vet, Gehazin, në shtëpinë e një gruaje së cilës i kishte vdekur i biri, Eliseu i tha: «Nëse dikush të përshëndet, mos i kthe përgjigje.» (2 Mbretërve 4:29) Caktimi i tij ishte urgjent, prandaj s’kishte kohë për vonesa të panevojshme.

c Meqë shumica e dishepujve ndodheshin në Galile, ky mund të ketë qenë rasti që përshkruhet te Mateu 28:16-20, kur Jezui i ringjallur iu shfaq «më shumë se 500» vetave. (1 Korintasve 15:6) Prandaj, kur Jezui dha urdhërimin për të bërë dishepuj, mund të kenë qenë të pranishëm qindra veta.