Letër nga Trupi Udhëheqës
Të dashur vëllezër e motra:
Dashuria për Perëndinë e për njerëzit na motivon ‘të shkojmë dhe të bëjmë dishepuj njerëz nga të gjitha kombet, duke i pagëzuar’. (Mat. 28:19, 20; Mar. 12:28-31) Dashuria altruiste është e fuqishme. Ajo mund t’u prekë zemrën atyre që janë «të prirur për jetën e përhershme».—Vep. 13:48.
Më parë përpiqeshim kryesisht të mësonim përmendsh prezantime dhe të linim literaturë. Tani duhet të përpiqemi të jemi më të aftë për të bërë biseda. Duam t’u tregojmë dashuri njerëzve duke u folur për tema që u interesojnë atyre. Kjo do të thotë të jemi elastikë dhe të mendojmë me kujdes çfarë e shqetëson dhe çfarë i intereson çdo njeriu. Si do të na ndihmojë kjo broshurë?
Broshura ka 12 mësime ku shqyrtohen cilësi që duhet t’i zhvillojmë për t’u treguar dashuri të tjerëve dhe për të bërë dishepuj. Çdo mësim bazohet te një ngjarje nga Bibla që tregon si e shfaqi Jezui ose një i krishterë i shekullit të parë në shërbim një nga këto cilësi. Synimi nuk është të mësojmë prezantime përmendsh, por të kërkojmë mënyra për t’u treguar dashuri njerëzve. Ndonëse çdo cilësi është e nevojshme për të gjitha aspektet e shërbimit, do të ndalemi te disa cilësi që nevojiten sidomos kur nisim një bisedë, kur kthehemi te të interesuarit ose kur drejtojmë një studim të Biblës.
Ndërsa shqyrton çdo mësim, mendo mirë si mund ta shfaqësh secilën cilësi kur bisedon me të tjerët në komunitetin tënd. Bëj çmos ta thellosh dashurinë për Jehovain dhe për njerëzit. Kjo dashuri do të të ndihmojë më shumë se çdo metodë që të arrish synimin për të bërë dishepuj.
Jemi mirënjohës për privilegjin e madh që të shërbejmë krah për krah jush. (Sof. 3:9) Jehovai ju bekoftë pa masë ndërsa vazhdoni të doni njerëzit dhe të bëni dishepuj!
Vëllezërit tuaj,
Trupi Udhëheqës i Dëshmitarëve të Jehovait