PJESA 1
Kërko ndihmën e Perëndisë për një martesë të lumtur
«Ai që i krijoi që nga fillimi, i bëri ata mashkull dhe femër.»—Mateu 19:4
Martesën e parë e lidhi Perëndia Jehova a. Bibla na thotë se ai krijoi gruan e parë dhe «ia çoi njeriut». Adami ishte aq i lumtur sa tha: «Kjo është më në fund kockë e kockave të mia dhe mish i mishit tim.» (Zanafilla 2:22, 23) Edhe sot, Jehovai dëshiron që të martuarit të jenë të lumtur.
Kur martohesh, mendon se çdo gjë do të jetë fushë me lule b. Megjithatë, realiteti tregon se edhe një burrë e një grua që duhen vërtet, do të kenë probleme. (1 Korintasve 7:28) Në këtë broshurë do të gjesh parime biblike që, kur i zbaton, të ndihmojnë të kesh martesë dhe familje të lumtur.—Psalmi 19:8-11.
1 PRANO ROLIN QË TË KA DHËNË JEHOVAI
ÇFARË THOTË BIBLA: Burri është kreu i familjes.—Efesianëve 5:23.
Nëse je një burrë, Jehovai pret që të kujdesesh me butësi për gruan. (1 Pjetrit 3:7) Ai e bëri si plotësim për ty dhe dëshiron që ta trajtosh me dinjitet e dashuri. (Zanafilla 2:18) Duhet ta duash gruan kaq shumë sa të jesh i gatshëm t’i vësh interesat e saj para interesave të tua.—Efesianëve 5:25-29.
Nëse je një grua, Jehovai pret që të kesh respekt të thellë për burrin dhe ta ndihmosh të përmbushë rolin e tij. (1 Korintasve 11:3; Efesianëve 5:33) Mbështeti vendimet e tij dhe bashkëpuno me gjithë zemër me të. (Kolosianëve 3:18) Kur vepron kështu, do të bëhesh e bukur në sytë e burrit dhe të Jehovait.—1 Pjetrit 3:1-6.
JA Ç’MUND TË BËSH:
-
Pyete bashkëshortin si mund të jesh burrë ose grua më e mirë. Dëgjoje me kujdes dhe përpiqu fort të përmirësohesh
-
Ji i duruar. Duhet kohë që të mësoni si ta bëni të lumtur njëri-tjetrin
2 INTERESOHU VËRTET PËR NDJENJAT E BASHKËSHORTIT
ÇFARË THOTË BIBLA: Duhet t’u kushtosh vëmendje interesave të bashkëshortit. (Filipianëve 2:3, 4) Trajtoje bashkëshortin si të çmuar, duke mos harruar se Jehovai kërkon që çdo shërbëtor i tij të jetë «i ëmbël me të gjithë». (2 Timoteut 2:24) ‘Të folurit pa u menduar është si goditje shpate, por gjuha e të mençurit është shërim.’ Prandaj, zgjidhi fjalët me kujdes. (Proverbat 12:18) Fryma e Jehovait do të të ndihmojë të flasësh me mirëdashje dhe dashuri.—Galatasve 5:22, 23; Kolosianëve 4:6.
JA Ç’MUND TË BËSH:
-
Lutu për ndihmë që të ruash qetësinë dhe të jesh mendjehapur para se të diskutosh me bashkëshortin çështje të rëndësishme
-
Mendo me kujdes se çfarë do të thuash dhe si do ta thuash
3 MENDONI SI SKUADËR
ÇFARË THOTË BIBLA: Kur martoheni, bëheni «një mish i vetëm». (Mateu 19:5) Por, prapëseprapë, jeni dy individë dhe mund të keni mendime të ndryshme. Prandaj, është e nevojshme të mësoni të mendoni dhe të ndiheni në një mënyrë që të plotësoni njëri-tjetrin. (Filipianëve 2:2) Uniteti është thelbësor kur merrni vendime. Bibla thotë se ‘duke u këshilluar së bashku, planet janë të sigurta’. (Proverbat 20:18, BR, anglisht) Lejoni t’ju drejtojnë parimet e Biblës teksa merrni vendime të rëndësishme së bashku.—Proverbat 8:32, 33.
JA Ç’MUND TË BËSH:
-
Fol me bashkëshortin jo vetëm për informacione ose opinione, por edhe për ndjenjat e tua
-
Këshillohu me bashkëshortin para se të zotohesh për të bërë diçka