Kalo te përmbajtja

A do të dish të vërtetën?

A do të dish të vërtetën?

TË VËRTETËN për çfarë? Për disa nga argumentet më të rëndësishme për të cilat njerëzit bëjnë pyetje. Ndoshta ke menduar edhe ti për pyetje të tilla, si:

  • A interesohet Perëndia për ne?

  • A do të mbarojnë ndonjëherë luftërat dhe vuajtjet?

  • Ç’ndodh pas vdekjes?

  • A ka shpresë për të vdekurit?

  • Si t’i lutem Perëndisë që të më dëgjojë?

  • Si të gjej lumturi në jetë?

Ku do t’i kërkoje përgjigjet e këtyre pyetjeve? Po të shkosh në ndonjë librari a bibliotekë, ndoshta do të gjesh me mijëra libra që thonë se i kanë përgjigjet. Por shpesh njëri libër kundërshton tjetrin. Disa të tjerë duken me vlerë për momentin, por shpejt u kalon koha dhe rishikohen ose zëvendësohen.

Megjithatë, ka një libër që përmban përgjigje të besueshme. Është libër që nuk na gënjen kurrë. Jezu Krishti i tha në lutje Perëndisë: «Fjala jote është e vërteta.» (Gjoni 17:17) Sot këtë Fjalë e njohim me emrin Bibla e Shenjtë. Në faqet vijuese, do të krijosh një ide të përgjigjeve të qarta e të vërteta që ka Bibla për pyetjet e mësipërme.

A interesohet Perëndia për ne?

PSE LIND PYETJA: Bota ku jetojmë është plot mizori e padrejtësi. Shumë fe u mësojnë njerëzve se është vullneti i Perëndisë që të vuajmë.

ÇFARË MËSON BIBLA: Të këqijat nuk vijnë kurrë nga Perëndia. «Larg qoftë që Perëndia i vërtetë të veprojë me ligësi, që i Plotfuqishmi të veprojë me padrejtësi!»—thuhet te Jobi 34:10. Qëllimi i tij për njerëzit është vërtet i dashur. Ja pse Jezui na mësoi të lutemi: «Ati ynë që je në qiell, . . . ardhtë mbretëria jote. U bëftë vullneti yt, si në qiell, edhe në tokë.» (Mateu 6:9, 10) Kaq shumë interesohet për ne Perëndia, saqë nuk ka kursyer asgjë për të na siguruar se qëllimi i tij do të përmbushet.​—Gjoni 3:16.

Shih edhe Zanafillën 1:26-28; Jakovin 1:13 dhe 1 Pjetrit 5:6, 7.

A do të mbarojnë ndonjëherë luftërat dhe vuajtjet?

PSE LIND PYETJA: Luftërat po bëjnë kërdinë duke marrë jetë të panumërta. Të gjithë prekemi në ndonjë mënyrë nga vuajtjet.

ÇFARË MËSON BIBLA: Perëndia ka parathënë një kohë kur do të vendosë paqen në mbarë tokën. Nën Mbretërinë e tij, që është një qeveri qiellore, njerëzit «as do të mësojnë më të luftojnë». Përkundrazi, «do t’i farkëtojnë shpatat duke i kthyer në plore» për të punuar tokën. (Isaia 2:4) Perëndia do t’u japë fund të gjitha vuajtjeve dhe padrejtësive. Bibla premton: «[Perëndia] do të fshijë çdo lot nga sytë e tyre. Nuk do të ketë më vdekje. As vajtim, as klithmë, as dhembje nuk do të ketë më. Gjërat e mëparshme [ndër to edhe padrejtësitë e vuajtjet e sotme] shkuan.»​—Zbulesa 21:3, 4.

Shih edhe Psalmin 37:10, 11; 46:9 dhe Mikenë 4:1-4.

Ç’ndodh pas vdekjes?

PSE LIND PYETJA: Pothuajse të gjitha fetë e botës mësojnë se diçka që ndodhet brenda njeriut vazhdon të jetojë pas vdekjes. Disa mendojnë se të vdekurit mund t’i dëmtojnë të gjallët ose se Perëndia i ndëshkon të ligjtë me mundim të përjetshëm në një ferr të zjarrtë.

ÇFARË MËSON BIBLA: Pas vdekjes, njerëzit nuk ekzistojnë më. «Të vdekurit s’janë të vetëdijshëm për asgjë»,​—thuhet tek Eklisiastiu 9:5. Meqë s’mund të dinë, të ndiejnë a të provojnë gjë, të vdekurit nuk mund t’i dëmtojnë e as t’i ndihmojnë të gjallët.​—Psalmi 146:3, 4.

Shih edhe Zanafillën 3:19 dhe Eklisiastiun 9:6, 10.

A ka shpresë për të vdekurit?

PSE LIND PYETJA: Ne e duam jetën dhe duam ta gëzojmë bashkë me njerëzit tanë të dashur. Është më se e natyrshme që na digjet zemra t’i shohim përsëri njerëzit e afërt që na kanë vdekur.

ÇFARË MËSON BIBLA: Pjesa më e madhe e njerëzve që kanë vdekur, do të ringjallen. Jezui premtoi se «ata që janë në varre . . . do të dalin». (Gjoni 5:28, 29) Në përputhje me qëllimin fillestar të Perëndisë, ata që do të ringjallen, do të kenë mundësinë të jetojnë në një tokë të kthyer në parajsë. (Luka 23:43) Atëherë njerëzit e bindur do të kenë shëndet të përsosur dhe jetë të përhershme. Bibla thotë: «Të drejtët do të trashëgojnë tokën dhe do të banojnë përgjithmonë në të.»—Psalmi 37:29.

Shih edhe Jobin 14:14, 15; Lukën 7:11-17 dhe Veprat 24:15.

Si t’i lutem Perëndisë që të më dëgjojë?

PSE LIND PYETJA: Gati në çdo fe, njerëzit luten. Por shumë vetave u duket sikur nuk marrin përgjigje për lutjet e tyre.

ÇFARË MËSON BIBLA: Jezui na mësoi që të mos përsëritim formula të gatshme kur lutemi. Ai tha: «Kur të lutesh, mos thuaj gjithnjë të njëjtat gjëra.» (Mateu 6:7) Nëse duam që Perëndia të na i dëgjojë lutjet, duhet të lutemi siç i pëlqen atij. Për këtë, duhet të mësojmë cili është vullneti i Perëndisë e pastaj të lutemi në përputhje me të. Te 1 Gjonit 5:14 shpjegohet: «Çfarëdo që të kërkojmë sipas vullnetit të [Perëndisë], ai na dëgjon.»

Shih edhe Psalmin 65:2; Gjonin 14:6, 14 dhe 1 Gjonit 3:22.

Si të gjej lumturi në jetë?

PSE LIND PYETJA: Njerëzit në përgjithësi besojnë se paratë, fama ose bukuria do t’i bëjnë të lumtur. Prandaj rendin pas tyre, por lumturia gjithnjë u shket nga duart.

ÇFARË MËSON BIBLA: Jezui tregoi cili është çelësi i lumturisë: «Lum ata që janë të vetëdijshëm se kanë nevojë të mësojnë për Perëndinë!» (Mateu 5:3) Lumturinë e vërtetë mund ta gjejmë vetëm nëse bëjmë diçka për të plotësuar nevojën tonë më të madhe, domethënë etjen që të njohim të vërtetën për Perëndinë dhe qëllimin që ka për ne. Kjo e vërtetë gjendet në Bibël. Njohja e saj do të na ndihmojë të dallojmë çfarë është vërtet e rëndësishme në jetë e çfarë jo. Kur lejojmë që e vërteta e Biblës të na udhëheqë në vendime e në veprime, jeta bëhet më domethënëse.—Luka 11:28.

Shih edhe Proverbat 3:5, 6, 13-18 dhe 1 Timoteut 6:9, 10.

Kemi parë shkurtimisht përgjigjet e Biblës për gjashtë pyetje. A dëshiron të dish më tepër se kaq? Nëse je nga ata «që janë të vetëdijshëm se kanë nevojë të mësojnë për Perëndinë», pa dyshim që do të dish më tepër. Ndoshta ke pyetje të tjera, si: ‘Nëse Perëndia interesohet për ne, pse ka lejuar kaq ligësi e vuajtje gjatë gjithë historisë? Si të kem një jetë familjare më të mirë?’ Bibla u jep përgjigje të plota e të kënaqshme këtyre pyetjeve dhe sa e sa të tjerave.

Por sot shumë ngurrojnë të lexojnë Biblën, sepse nuk janë të familjarizuar me të. A dëshiron ndihmë që t’i gjesh përgjigjet në Bibël? Dëshmitarët e Jehovait kanë dy mjete që mund të të ndihmojnë.

Mjeti i parë është libri Çfarë mëson vërtet Bibla?, i përgatitur që të ndihmojë ata që s’kanë shumë kohë, të shqyrtojnë përgjigjet e qarta të Biblës për pyetje jetësore. Mjeti i dytë është një program falas për të studiuar Biblën në shtëpi. Një Dëshmitar i Jehovait që është mësues i kualifikuar i Biblës, mund të vijë pa pagesë në shtëpi ose në një vend tjetër të përshtatshëm për ty, e të kaloni nga pak kohë çdo javë duke diskutuar për Biblën. Miliona njerëz në mbarë botën kanë përfituar nga ky program dhe shumë kanë arritur në përfundimin e gëzueshëm: «Kam gjetur të vërtetën!»

S’mund të gjesh thesar më të madh se ky! E vërteta biblike na çliron nga besëtytnitë, nga pështjellimi e nga frika e tepruar. Na jep shpresë, qëllim dhe gëzim. Jezui tha: «Do ta njihni të vërtetën, dhe e vërteta do t’ju lirojë.»—Gjoni 8:32.