MËSIMI 01
Si mund të të ndihmojë Bibla?
Pothuajse të gjithë kemi pyetje në lidhje me jetën, vuajtjet, vdekjen dhe të ardhmen. Gjithashtu kemi nevojë për ndihmë kur përballemi me problemet e jetës së përditshme, si për shembull, të sigurojmë gjërat e nevojshme ose të kemi një familje të lumtur. Shumë njerëz kanë kuptuar se në Bibël mund të gjejnë jo vetëm përgjigje për pyetje të rëndësishme të jetës, por edhe këshilla praktike për jetën e përditshme. A mendon se Bibla mund t’i ndihmojë njerëzit?
1. Cilat janë disa prej pyetjeve që Bibla u jep përgjigje?
Bibla u jep përgjigje këtyre pyetjeve të rëndësishme: Si filloi jeta? Cili është qëllimi i saj? Pse vuajnë njerëzit e pafajshëm? Çfarë ndodh me njeriun kur vdes? Meqë të gjithë duan paqe, pse ka kaq shumë luftë? Çfarë do të ndodhë me tokën në të ardhmen? Vetë Bibla na fton të gjejmë përgjigjet e këtyre pyetjeve, dhe miliona njerëz kanë gjetur përgjigje të kënaqshme në të.
2. Si na ndihmon Bibla në jetën e përditshme?
Bibla përmban këshilla të mençura. Për shembull, i ndihmon familjet të jenë vërtet të lumtura. Aty gjejmë këshilla se si të përballojmë stresin dhe si të gjejmë kënaqësi në punë. Gjatë shqyrtimit të këtij materiali, do të mësosh se çfarë thotë Bibla për këto tema e për shumë të tjera. Kështu mund të arrish edhe ti në përfundimin se «i gjithë Shkrimi [pra, e gjithë Bibla] është . . . i dobishëm».—2 Timoteut 3:16.
Ky botim nuk e zëvendëson Biblën. Përkundrazi, të nxit ta shqyrtosh atë. Prandaj është mirë që t’i lexosh shkrimet që përmenden në këto mësime dhe t’i krahasosh me gjërat që po mëson.
SHQYRTO MË TEJ
Zbulo se si i ka ndihmuar Bibla shumë njerëz, si mund të provosh kënaqësi teksa e lexon dhe pse është mirë që dikush të të ndihmojë ta kuptosh.
3. Bibla mund të na drejtojë
Bibla është si një dritë e fuqishme. Ajo na tregon si të marrim vendime të mençura dhe na ndihmon të shohim se çfarë na pret në të ardhmen.
Lexoni Psalmin 119:105 dhe më pas diskutoni për këto pyetje:
-
Si e shihte Biblën shkrimtari i këtij psalmi?
-
Po ti, çfarë mendon për Biblën?
4. Bibla u përgjigjet pyetjeve tona
Një grua zbuloi se Bibla u jepte përgjigje pyetjeve që e mundonin prej vitesh. Shihni VIDEON dhe më pas diskutoni për pyetjet e mëposhtme.
-
Çfarë pyetjesh kishte gruaja në video?
-
Si e ndihmoi studimi i Biblës?
Bibla na nxit të bëjmë pyetje. Lexoni Mateun 7:7 dhe më pas diskutoni për këtë pyetje:
-
Për cilat pyetje dëshiron të gjesh përgjigje në Bibël?
5. Mund të gjesh kënaqësi duke lexuar Biblën
Shumë njerëz kënaqen duke lexuar Biblën dhe po nxjerrin dobi prej saj. Shihni VIDEON dhe më pas diskutoni për pyetjet e mëposhtme.
-
Çfarë mendimi kishin për leximin të rinjtë në video?
-
Por, pse u pëlqen ta lexojnë Biblën?
Bibla thotë se ajo përmban mësime që na ngushëllojnë dhe na japin shpresë. Lexoni Romakëve 15:4 dhe më pas diskutoni për këtë pyetje:
-
A do të dish më shumë rreth premtimit që gjendet në këtë varg?
6. Mund ta kuptosh më mirë Biblën nëse të ndihmon dikush
Përveçse duke e lexuar vetë Biblën, shumë veta e kanë pasur më të lehtë për ta kuptuar kur e kanë shqyrtuar me dikë tjetër. Lexoni Veprat 8:26-31 dhe më pas diskutoni për këtë pyetje:
-
Si mund ta kuptojmë Biblën?—Shikoni vargjet 30 dhe 31.
DISA THONË: «Të studiosh Biblën është humbje kohe.»
-
Çfarë do t’u thoshe atyre? Pse?
PËRMBLEDHJE
Bibla përmban këshilla për jetën e përditshme, u përgjigjet pyetjeve të rëndësishme dhe u jep njerëzve ngushëllim e shpresë.
Si do të përgjigjeshe?
-
Çfarë këshillash përmban Bibla?
-
Cilat janë disa prej pyetjeve që Bibla u jep përgjigje?
-
Po ty, çfarë të pëlqen të mësosh nga Bibla?
EKSPLORO
Shqyrto sa praktike janë këshillat e Biblës sot.
«Mësimet e Biblës—Të mençura në çdo kohë» (Kulla e Rojës nr. 1 2018)
Shiko se si e ndihmoi Bibla një burrë të luftonte me ndjenjat negative, të cilat e mundonin që prej fëmijërisë.
Shqyrto këshillat praktike të Biblës për jetën familjare.
«12 sekrete të familjeve të suksesshme» (Zgjohuni! nr. 2 2018)
Shumë njerëz kanë mendime të ndryshme se kush e sundon botën. Megjithatë, shqyrto se çfarë thotë Bibla.