Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

MËSIMI 22

Si të flasësh me të tjerët për lajmin e mirë?

Si të flasësh me të tjerët për lajmin e mirë?

Ndërsa mëson të vërtetat e Biblës, mbase mendon: «Sa të bukura! Të gjithë duhet t’i dinë!» Dhe ke shumë të drejtë. Por ndoshta ndihesh në siklet t’u tregosh të tjerëve çfarë ke mësuar. Prandaj, le të shohim si ta heqësh sikletin dhe të gjesh kënaqësi ndërsa u flet të tjerëve për lajmin e mirë nga Bibla.

1. Si t’u tregosh miqve dhe të afërmve gjërat e bukura që ke mësuar?

Dishepujt e Jezuit thanë: «Ne s’rrimë dot pa folur për ato që kemi parë dhe kemi dëgjuar.» (Veprat 4:20) Ata e çmonin kaq shumë të vërtetën, sa donin t’ua tregonin sa më shumë vetave. A ndihesh edhe ti kështu? Nëse po, pse të mos kërkosh mundësi që t’u tregosh me respekt familjes dhe miqve gjërat që ke mësuar.—Lexo Kolosianëve 4:6.

Si ta hapësh muhabetin

  • Kur flet me familjarët, përmend diçka nga Bibla dhe thuaju: «Shiko çfarë gjëje interesante mësova këtë javë.»

  • Tregoji një shkrim zemërdhënës një miku që është sëmurë ose që po kalon ndonjë hall.

  • Nëse kolegët të pyesin si e kalove fundjavën, tregoju diçka interesante që ke mësuar gjatë studimit të Biblës ose në një mbledhje kongregacioni.

  • Tregoju miqve të tu faqen e internetit jw.org.

  • Fto edhe të tjerë kur bën studimin e Biblës ose tregoju si të kërkojnë një studim në jw.org.

2. Pse është mirë të predikosh bashkë me kongregacionin?

Dishepujt e Jezuit nuk ua treguan lajmin e mirë vetëm të njohurve. Jezui «i dërgoi dy e nga dy përpara tij në çdo qytet» që të predikonin. (Luka 10:1) Falë kësaj vepre të organizuar predikimi, patën mundësi ta dëgjonin lajmin e mirë një numër më i madh njerëzish. Veç kësaj, dishepujt kënaqeshin më shumë kur predikonin bashkë. (Luka 10:17) A mund ta vësh edhe ti si synim të predikosh me kongregacionin?

SHQYRTO MË TEJ

Mëso si mund të heqësh sikletin dhe të provosh gëzimin që vjen kur flet me të tjerët për lajmin e mirë.

3. Jehovai s’do të të lërë vetëm

Disa që duan të predikojnë, kanë frikë nga opinioni ose reagimi i të tjerëve.

  • A e ke të vështirë t’u flasësh të tjerëve për gjërat që ke mësuar? Pse?

Shihni VIDEON dhe më pas diskutoni për pyetjen që vijon.

  • Si e mposhtën frikën këta të rinj Dëshmitarë?

Lexoni Isainë 41:10 dhe më pas diskutoni për këtë pyetje:

  • Si të ndihmon lutja kur ke frikë të predikosh?

A e di se . . .

Mjaft Dëshmitarë të Jehovait dikur mendonin se s’do ta predikonin dot lajmin e mirë. Për shembull, Sergeji ndihej i pavlerë dhe e kishte të vështirë të fliste me të tjerët. Mirëpo, pastaj filloi të studionte Biblën. Ai thotë: «Pavarësisht nga frika, fillova t’u flisja të tjerëve për ato që po mësoja. Për habinë time tejet të madhe, më rritej besimi te vetja kur u flisja të tjerëve për Biblën. Gjithashtu, duke bërë këtë, bindjet e reja më depërtonin thellë në zemër.»

4. Trego respekt

Para se të flasësh me dikë për lajmin e mirë, mos mendo vetëm çfarë do të thuash, por edhe si do ta thuash. Lexoni 2 Timoteut 2:24 dhe 1 Pjetrit 3:15 e më pas diskutoni për këto pyetje:

  • Si mund t’i zbatosh këshillat që gjenden në këto vargje kur u flet të tjerëve për Biblën?

  • Disa familjarë ose miq mund të mos jenë dakord me ty. Çfarë mund të bësh? Çfarë nuk është mirë të bësh?

  • Pse është më mirë të bësh pyetje me takt, në vend se t’ua imponosh bindjet e tua të tjerëve?

5. Kur flasim për lajmin e mirë, ndihemi të lumtur

Jehovai i dha Jezuit këtë caktim: t’u fliste të tjerëve për lajmin e mirë. Si ndihej Jezui për këtë caktim? Lexoni Gjonin 4:34 dhe më pas diskutoni për këto pyetje:

  • Ushqimi i mirë na mban gjallë dhe na bën të lumtur. Pse Jezui e krahasoi me ushqimin bërjen e vullnetit të Perëndisë, ku përfshihej edhe shpallja e lajmit të mirë?

  • Si mendon, pse do të jesh i gëzuar nëse u flet të tjerëve për lajmin e mirë?

Sugjerime

  • Kur je në mbledhjen e mesjavës, vëru veshin sugjerimeve për nisjen e bisedave.

  • A mendon se mund të regjistrohesh si student në mbledhjen e mesjavës? Falë caktimeve që do të marrësh, do të ndihesh më i përgatitur t’u flasësh të tjerëve për atë që po mëson.

  • Shfrytëzo pjesët «Disa thonë» ose «Dikush mund të pyesë» të këtij kursi për studimin e Biblës, që të praktikohesh si t’u përgjigjesh pyetjeve ose kundërshtimeve më të shpeshta.

DIKUSH MUND TË PYESË: «Ç’na thua ndonjë gjë të re?»

  • Si mund ta shfrytëzosh këtë rast për t’i treguar diçka të bukur që ke mësuar nga studimi i Biblës?

PËRMBLEDHJE

T’u flasim të tjerëve për lajmin e mirë na bën të lumtur dhe mund të jetë më kollaj nga ç’na e pret mendja.

Si do të përgjigjeshe?

  • Pse duhet t’u flasësh të tjerëve për lajmin e mirë?

  • Si të tregosh respekt kur e bën këtë?

  • Si ta heqësh sikletin për t’u folur të tjerëve për lajmin e mirë?

Provo këtë

EKSPLORO

Shiko katër mënyra të thjeshta si të përdorësh kartëvizitën jw.org që të flasësh për lajmin e mirë.

Ide për prezantimin e kartëvizitës jw.org (1:43)

Mëso për katër cilësi që të ndihmojnë të flasësh për lajmin e mirë.

«A je gati të bëhesh peshkatar njerëzish?» (Kulla e Rojës, shtator 2020)

Shiko si mund të marrësh zemër nga një personazh i Biblës që të flasësh për lajmin e mirë, edhe nëse je i ri.

Jehovai të ndihmon të jesh i guximshëm (11:59)

Mëso si mund t’u flasësh për Biblën familjarëve që nuk e njohin Jehovain.

«T’u prekim zemrën të afërmve jobesimtarë» (Kulla e Rojës, 15 mars 2014)