Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

MËSIMI 65

Estera shpëtoi popullin e saj

Estera shpëtoi popullin e saj

Estera ishte një vajzë judeje që jetonte në një qytet pers, në Shushan. Shumë vjet më parë, Nabukodonosori ia kishte shpërngulur paraardhësit nga Jerusalemi. Esterën e rriti kushëriri, Mordekai, i cili ishte shërbëtor i Asuerit, mbretit të Persisë.

Mbreti Asuer, kërkonte një mbretëreshë tjetër. Shërbëtorët i sollën vajzat më të bukura të vendit, përfshirë Esterën. Nga të gjitha vajzat, mbreti zgjodhi Esterën të ishte mbretëreshë. Mordekai i tha Esterës të mos tregonte se ishte judeje.

Një burrë krenar që quhej Haman, ishte kreu i gjithë princave. Ai donte që të gjithë të përkuleshin para tij. Mordekai nuk pranonte ta bënte këtë, prandaj Hamani ishte aq i inatosur sa donte ta vriste. Kur Hamani zbuloi se Mordekai ishte jude, kurdisi një plan që të vriste tërë judenjtë në vend. Ai i tha mbretit: «Judenjtë janë të rrezikshëm, duhet t’i shfarosësh.» Asueri iu përgjigj: «Bëj çfarë ke ndër mend.» Ai e autorizoi që të bënte një ligj. Hamani bëri një ligj që i thoshte popullit të vriste të gjithë judenjtë në datën 13 adar. Jehovai po shikonte.

Estera nuk dinte gjë për ligjin. Prandaj Mordekai i dërgoi një kopje të tij dhe i tha: «Shko e fol me mbretin.» Estera iu përgjigj: «Kushdo që shkon te mbreti pa qenë i ftuar, do të vritet. Mbreti ka 30 ditë që s’më ka ftuar. Por do të shkoj. Nëse ai shtrin skeptrin e tij, do të jetoj. Nëse jo, do të vdes.»

Estera shkoi në oborrin e mbretit. Kur mbreti e pa, shtriu skeptrin. Ajo shkoi drejt mbretit dhe ai e pyeti: «Ç’mund të bëj për ty Ester?» Ajo i tha: «Kam dëshirë të të ftoj ty dhe Hamanin në një festë.» Gjatë gostisë, Estera i ftoi në një festë të dytë. Atje, mbreti e pyeti përsëri: «Ç’mund të bëj për ty?» Ajo iu përgjigj: «Dikush po përpiqet të më vrasë mua dhe popullin tim. Të lutem, na shpëto.» Mbreti e pyeti: «Kush dashka të të vrasë?!» Ajo i tha: «Ky burrë i keq, Hamani.» Asueri u zemërua aq shumë sa urdhëroi ta vrisnin në çast Hamanin.

Por ligjin që nxori Hamani nuk mund ta anulonte askush, madje as mbreti. Kështu mbreti vuri Mordekain në krye të princave dhe i dha autoritet të bënte një ligj të ri. Mordekai nxori një ligj që i lejonte judenjtë të mbroheshin kur t’i sulmonin. Më 13 adar, judenjtë i mposhtën armiqtë e tyre. Që atëherë, ata e festonin këtë fitore çdo vit.

«Për shkakun tim do t’ju nxjerrin përpara guvernatorëve dhe mbretërve, që të jepni dëshmi para tyre dhe kombeve.»​—Mateu 10:18